ATV

Tag: Ballina

  • Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    Nga 160 çerdhe të premtuara nga Qeveria, u ndërtuan vetëm 4/ Komuna e Deçanit pa asnjë çerdhe publike

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në rrjete sociale, kryeministri i Kosovës Albin Kurti numëroi sukseset e qeverisë së tij, derisa shënoi 3 vjet në pushtet.

    Në vazhdën e sukseseve të arritura, kryeministri Kurti numëroi edhe ndërtimin, rinovimin dhe adoptimin e çerdheve duke rrumbullakuar numrin në 34. Por premtimin, që për çdo vit të qeverisjes të ndërtohen nga 40 çerdhe nuk ndodhi ngase që nga 2021-ta, u ndërtuan vetëm 4 nga 160 sa u tha.

    Njëra nga komunat që do ta kishte një çerdhe, nëse gjithçka do të shkonte, sipas planit, do të ishte komuna e Deçanit, e cila ende nuk e ka asnjë çerdhe publike.

    “Në komunën e Deçanit nuk e kemi asnjë çerdhe publike, edhe pse kemi bërë kërkesë për ndërtim të çerdheve ende s’kemi marrë asnjë përgjigje. E kemi dëgjua ministren që ka thanë që komunat nuk kanë qenë të gatshme, por ne komuna e Deçanit jemi kanë të gatshëm dhe të gjitha dokumentet i kemi përcjellë për në ministri, por ende s’kemi marrë asnjë përgjigje nga Ministria as pro e as kundër”, deklaroi Besnik Hulaj nga drejtoria e Arsimit në Deçan.

    Deklarimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, se komunat janë fajtore për mosndërtimin e çerdheve, po e kundërshton nënkryetari i Asociacionit të Komunave.

    “Përgjegjësia duhet të bartet në komuna e jo të jetë nën përgjegjësinë e nivelit qendror. Nëse niveli qendror mendon që të bartë këtë përgjegjësinë në nivelin lokal, atëherë komunat do të jenë më të përgjegjshme, por derisa kjo mundësi ekziston vetëm në nivelin qendror nuk mund të fajësohet niveli lokal”, tha Sazan Ibrahimi, nënkryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

    Krejt ky mosrealizim i premtimeve për çerdhet po shihet me shqetësim edhe nga njohësit e arsimit.

    “Fusha e arsimit ka nevojë të madhe për investime që të përmirësohet gjendja, fatkeqësisht në bazë të parametrave qeverisja aktuale nuk ka përmbushë aspak premtimet. Premtimet, fjalët kanë qenë shumë të bukura, por jo punët sepse ka çaluar në realizimin e tyre, këto investime kanë qenë shumë të vogla më tepër kanë qenë sa për sy e faqe, Kryeministri mundohet që adaptimin e objekteve të vjetra mundohet me paraqitë si rezultat”, u përgjigj njohësi i arsimit, Argjend Osmani.

    Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nëntë komuna nuk kanë asnjë çerdhe publike, 18 prej tyre e kanë vetëm nga një, ndërsa 7 komuna kanë nga dy e më shumë.

    Sipas një raporti për Kosovën nga BE-ja, pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin dhe kujdesin parashkollor mbetet e ulët, në 6,7% nën mesataren në rajon./atvlive.tv/

  • Mandl: Kosova duhet ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit por duke e gjetur mënyrën e duhur

    Mandl: Kosova duhet ta përmbushë obligimin për themelimin e Asociacionit por duke e gjetur mënyrën e duhur

    PËRGATITI: HARIS ADEMI

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, thotë se Kosovës i duhet ta përmbushë obligimin që ka marrë në dialog me Serbinë, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

    Sipas tij, duhet të gjendet mënyra e duhur e zbatimit, sipas kornizave kushtetuese të Republikës.

    “Ka shumë marrëveshje dhe ka disa obligime që pala serbe nuk i ka përmbushur në të kaluarën, dhe i ka shtyrë sërish, dhe janë po ashtu obligime për palën kosovare. Kosova ka përmbushur shumë obligime në të kaluarën, dhe kemi në pyetje Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nuk është në pyetje se si duhet të implementohet ky asociacion, pasi ka marrëveshje për këtë, pyetja është si do të implementohet. Unë vetëm mund të kërkoj propozime të mira si të zbatohet, sepse do të duhet të bëhet, dhe duhet të bëhet pa probleme dhe në asnjë mënyrë të vërë në pikëpyetje, apo në dyshim shtetësinë e Republikës së Kosovës”, deklaroi Mandl.

    Politikani i njohur si mik i Kosovës, po qëndron në Prishtinë, për shkak të punimeve të Komisionit parlamentar për stabilizim-asociim BE-Kosovë.

    Nga këtu, thotë se BE duhet t’i heqë sa më shpejt masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat i quan shaka të keqe dhe absurde. Ai shton se çështja e masave nuk duhet të përzihet me themelimin e Asociacionit.

    “Masat padyshim që nuk janë zgjidhja e duhur dhe shpresoj që do të hiqen së shpejti. Po ashtu, ky është qëndrimi i shumicës së Parlamentit Evropian”, shtoi tutje eurodeputeti Mandl.

    Për më tepër, i bën thirrje BE-së ta përshpejtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të paktën deri te zyrtarizimi si vend kandidat.

    “Ka një rrugë të gjatë përpara, sikurse për të gjithë kandidatët tjerë, por Kosova ende nuk është zyrtarisht vend kandidat, kështu që është mirë të ecet përpara. Kjo është ajo që e rekomandoj për institucionet e tjera të Bashkimit Evropian”, tha Mandl.

    Aplikimin për anëtarësim në Union, Kosova e ka dorëzuar në dhjetor të 2022-ës, në të njëjtin vit me Ukrainën. Mandl thotë se me të drejtë, shumica po flet për vendin që është në luftë me Rusinë, mirëpo nuk duhet të lihet anash as shteti i vogël ballkanik./atvlive.tv/

     

  • Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

    Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

    Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka miratuar raportin (draft-opnionin) e Dora Bakoyannis.

    Raporti u miratua me 31 vota për, 4 kundër dhe një abstenim.

    Raporti i ish ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, aktualisht raportuese për Komisionin e Çështjeve Politike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës thotë që Asambleja i rekomandon Komitetit të Ministrave që ta ftojnë Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti në një postim në Facebook ka bërë të ditur se Kosova e ka kaluar suksesshëm votimin në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të KiE.

    “Sapo është miratuar opinioni i raportueses Bakoyannis në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Këshillit të Evropës. Ky opinion rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, ka shkruar Ahmeti.

    Ai shtoi se të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta.

    “Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hapë rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti”, ka shkruar Ahmeti.

    Ahmeti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.

    Pas miratimit në Komision, draft opinioni duhet të diskutohet dhe miratohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës që pritet të mbahet në prill.

  • Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën kandidat të PDK-së për kryeministër: Do t’i japim Kosovës drejtim të ri

    Memli Krasniqi propozon Bedri Hamzën kandidat të PDK-së për kryeministër: Do t’i japim Kosovës drejtim të ri

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se Bedri Hamza do të jetë kandidat i PDK-së për kryeministër të Republikës së Kosovës.

    Kryetari Krasniqi, në një konferencë për media, tha se Hamza është njeriu i duhur për këtë pozitë dhe për kohën në të cilën po kalon Kosova, andaj edhe i ka kërkuar që të marrë këtë përgjegjësi.

    “Unë, sot jam krenar dhe shumë i lumtur që ta prezantoj para jush Bedri Hamzën, kandidatin tonë për Kryeministër të Republikës së Kosovës. Njeriu që do ta ringjallë ekonominë tonë, njeriun që do ta udhëheqë ekipin më të denjë për ta rikthyer Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe integrimit. Bedriu është i dëshmuar, është i provuar, është i përkushtuar dhe i gatshëm. Bedri Hamza është njeriu i duhur për këtë detyrë. Arritjet e tij në të kaluarën si Ministër i Financave, si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovë, por edhe të arriturat e tanishme si Kryetar i Mitrovicës, flasin më së miri për punën e tij. Në secilën detyrë publike, Bedriu ka shkëlqyer dhe ka lënë prapa rezultatet të mëdha. Ai ka dëshmuar se gjithmonë i ka shërbyer të mirës së përbashkët dhe është siguruar që askush të mos mbetet prapa”, tha ai.

    Duke kërkuar që zgjedhjet e reja të mbahen sa më parë, sepse është dëshmuar se çdo ditë e Qeverisë Kurti në pushtet është ditë e humbur për Kosovën, Krasniqi tha se modelit aktual të udhëheqjes nga një njeri, PDK do t’i vë përballë modelin e udhëheqjes nga një ekip.

    “Ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve është dështimi më i madh i kësaj qeverie dhe gjendja po përkeqësohet dita-ditës. Megjithatë, të dashur bashkëqytetarë, sot nuk është koha për dëshpërim apo dorëzim. Është koha për veprim, për bashkim dhe për vendosmëri të palëkundur për të mundësuar ringjalljen e Kosovës, rikthimin e besimit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Në këtë fushë do të jetë edhe beteja për qeverinë e re. Për ta ndaluar rënien e mëtejme dhe për të sjellë prosperitet për të gjithë, pa dallim”, shtoi ai.

    Kryetari Krasniqi tha se një detyrë e tillë artë kërkon qëndrueshmëri, përkushtim, transparencë, drejtësi, por mbi të gjitha përvojë dhe kompetencë.

    “Kjo detyrë kërkon në ballë një shërbyes publik të dëshmuar, me përvojë, dhe të përkushtuar për të rikthyer Kosovën në binarët e zhvillimit. Një udhëheqës që kurrë nuk është lëkundur në besnikërinë dhe angazhimin e tij ndaj shtetit tonë. Një lider që u ofron qytetarëve para-shikueshmëri dhe siguri. Dhe Kosova e ka një personalitet të tillë”, potencoi ai.

    Krasniqi tha se ky vendim nuk nënkupton se ai si Kryetar i partisë po e shmang një përgjegjësi, por sot Kosova është në udhëkryq mbi të gjitha për shkak të ekonomisë së rënduar e të stagnuar, theksoi se pesha e vendimeve tona definon fatin e saj.

    “Gjithmonë e kam parë veten si një lider politik i cili mundëson frymën e bashkëpunimit dhe suksesit, pa konsideruar ambicien personale si prioritet. Sepse, sot nuk është koha e ambicieve personale. Sot nuk është koha e protagonizmave liderist. Sot është koha për të mbledhur në një vend të gjitha potencialet e vendit tonë, për t’i dhënë Kosovës një qeveri të re, kompetente, vizionare dhe që mendon për secilin qytetar. Një qeveri që udhëheqë me modesti e pa arrogancë, me frymë ekipore e gjithëpërfshirëse. Kjo është mënyra se si unë e perceptojmë shërbimin publik. Ne jemi këtu për të shërbyer, jo për të na shërbyer. Dhe në këtë drejtim, do të bashkëpunojmë me të gjithë ata që dëshirojnë t’i japin Kosovës një drejtim të ri. Unë dhe PDK jemi të përkushtuar për këtë qëllim. Kjo është arsyeja pse sot e shpalli Bedri Hamzën si kandidatin tonë për kryeministër të ardhshëm të Kosovës. Përtej PDK-së, Bedriu na bashkon të gjithëve. Dhe Bedriu do të punojë për të gjithë. Unë dhe të gjithë ne në PDK, e jam i bindur se edhe shumë qytetarë, përtej dallimeve politike, do të punojmë shumë për t’u siguruar se Bedri Hamza do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, theksoi kryetari Krasniqi.

  • Grabitet një këmbimore në Ferizaj, Policia jep detaje

    Grabitet një këmbimore në Ferizaj, Policia jep detaje

    Një person i maskuar nën kërcënimin e armës së zjarrit ka grabitur një shumë të parave në një këmbimore në rrugën “Sali Qeku”, në Ferizaj dhe se i njëjti është larguar në drejtim të panjohur.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Kanun Veseli, i cili tha se në momentin e grabitjes ka qenë duke punuar një punëtor i moshës 30-vjeçar dhe nuk raportohet për lëndime.

    Tutje, ai shtoi se Policia ka ndërmarrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

    “Me datën 27.03.2024 rreth orës 12:20 kemi pranuar një informacion se në një këmbimore, e cila gjendet ne rrugën” Sali Qeku” në Ferizaj, dyshohet se një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit ( pistolet) arrinë të marrë (grabitë)një shumë të caktuar të parave dhe të largohet në drejtim të panjohur. Menjëherë ekipe të policisë, policë të rendit, hetues të stacionit, si dhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë marrë masat e nevojshme të hetimit për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit e kësaj ngjarje. Për të gjitha këto veprime është njoftuar edhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj. Në momentin e grabitjes ka qenë duke punuar një punëtor, i moshës 30 vjeçar dhe nuk raportohet për lëndime. Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar ai.

  • “E kam parë shoferin e kamionit duke vozit e tu lujt lojëra në telefon” – Njohësi i komunikacionit flet për gjobat ndaj kundërvajtësve në trafik

    “E kam parë shoferin e kamionit duke vozit e tu lujt lojëra në telefon” – Njohësi i komunikacionit flet për gjobat ndaj kundërvajtësve në trafik

    Në fillim të prillit pritet të fuqizohet Ligji i ri, për rregullat në trafik. Kështu, që nga 3 prilli, Policia do të fillojë të shqiptojë gjoba që janë dukshëm më të ashpra se ato paraprake.

    Iniciuesit e këtij ligji thanë se ndryshimet në rregulla dhe gjoba janë realizuar me qëllim që të rritet siguria në trafik dhe të ulet numri i aksidenteve, sidomos të atyre me fatalitet.

    Për të diskutuar rregullat e reja, dënimet e ashpra dhe ndikimin që do të kenë te ngasësit, i ftuar në emisionin “A LIVE”, ishte eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti.

    Ahmeti duke analizuar disa prej kundërvajtjeve që pothuajse janë shumëfishuar me shumën dhe masat mbrojtëse, ai tha se ashpërsimi i këtyre gjobave ka qenë më se i nevojshëm.

    Madje, ai tha se për përdorim të telefonit gjatë ngasjes duhet të shqiptohet një gjobë më e ashpër, sesa ajo që pritet të fuqizohet.

    “Tek ne përdoret shumë telefoni. Kam pasur raste që ka parë se shoferi i kamionit shkrujke mesazh në telefon ose jam bukur i dyshimtë që ka qenë duke lujt lojëra në telefon. Mendoj që duhet me pasë dënime më të ashpra për shkelësit sepse nuk e kemi mbërri ende kulturën e Evropës gjatë vozitjes, sepse dënimi është i vogël në krahasim me dëmin që mundet me u shkaktua. Dhe për këtë shkelje mendoj që do të duhej të ishte gjoba minimumi 500 euro”, tha ai./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • “Ka lëndime serioze dhe është e varur nga aparatura mjekësore”, Uka flet për gjendjen e 21-vjeçares që u godit nga treni

    “Ka lëndime serioze dhe është e varur nga aparatura mjekësore”, Uka flet për gjendjen e 21-vjeçares që u godit nga treni

    Shefi i Intensivës Qendrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shaqir Uka, ka thënë se gjendja e 21-vjeçares që u godit të martën nga treni është stabile por që lëndimet i ka jashtëzakonisht të rënda.

    Uka ka thënë 21-vjeçarja vazhdon të jetë e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura, ndërsa shtoi se pacientja ka lëndime në regjionin e kokës dhe të gjoksit.

    “Po gjendja e pacientes e cila ka marrë plagë nga lëndimi me goditje nga treni është sjellë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor për shkak të gjendjes shumë të rëndë dhe vazhdon të marrë tretmanin në Njësinë e Mjekimit Intenziv Qendror. Lëndimet e saj janë kryesisht në regjionin e kokës, në regjionin e gjoksit dhe në regjionin e qafës.Lëndimet janë mjaftë serioze, vazhdon të mbetët edhe më tutje e fjetur me barna dhe e varur nga aparatura mjekësore. Një gjendje prezantohet për momentin të jetë relativisht stabile, përkundër asaj që lëndimet janë jashtëzakonisht shumë të rënda. Po pacientja e cila është e lënduar nga goditja e trenit është e moshës 21 vjeçare”, ka thënë Uka për EO.

  • Vdes gruaja që u plagos mbrëmë në Prishtinë

    Vdes gruaja që u plagos mbrëmë në Prishtinë

    Ka vdekur gruaja që u plagos mbrëmë në rrugën “Jeronim de Rada” në Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Uka, shef i Klinikës së Intensivës në QKUK.

    “Ka pasur dëmtim të lartë të enëve të gjakut dhe kockës së këmbës së majtë. Këto lëndime e kanë quar pacienten në gjendje të shokut. Pas operimit në Emergjencë është sjellur në Intensivë. Tek ne është sjellur në gjendje shumë të rëndë, në shok të rëndë. Pavarësisht tretmanit dhe përpjekjeve të stafit, ajo ka ndërruar jetë para pak çastesh”, ka thënë Uka.

    Ndryshe, mbrëmë si pasojë e të shtënave ka humbur jetën edhe viktima E.H, rreth 30-vjeç.

    Raportohet se viktima E.H u nis me urgjencë për në spital, mirëpo i njëjti s’ka arritur që t’i përballojë plagët e marra dhe si pasojë ka ndërruar jetë.

    LEXONI EDHE:

    Gruaja që mbeti e plagosur në Prishtinë ishte kalimtare e rastit – ndodhet në gjendje kritike

  • Osmani: Asociacioni për anëtarësim në KiE nuk është kusht në këtë fazë

    Osmani: Asociacioni për anëtarësim në KiE nuk është kusht në këtë fazë

    Presidentja Vjosa Osmani në një prononcim për media ka thënë se raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në Këshill të Evropës, është pozitiv dhe se përmbajtja e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e KiE, raporton Ekonomia Online.

    Sot do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis.

    Osmani ka thënë se ajo që pritet që të ndodh sot është procedurë dhe se nuk mund të paragjykojnë rezultatin.

    Ajo ka theksuar se vendi ka ndërmarr të gjitha hapat e nevojshëm në mënyrë që shtetet ta përkrahin këtë anëtarësim.

    “Raporti tashmë është pozitiv, përmbajtja e raportit rekomandon që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës me të drejta të barabarta sikurse të gjithë anëtaret tjerë të KiE. Ajo çfarë do të ndodh sot është procedurë, kjo është një mbledhje e jashtëzakonshme e Komitetit e cila është ftuar në mënyrë që ky raport të miratohet dhe pastaj të procedohet për Asamblenë Parlamentare të KiE. Ne nuk mundemi të paragjykojmë rezultatin, kjo është në vullnetin e deputetëve individualë të shteteve që marrin pjesë sot në Komitet. Mirëpo çfarë mund të them është se Kosova ka bërë çfarë do që është pritur nga ajo dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme në mënyrë që shtetet ta përkrahin këtë anëtarësim dhe deputetët e këtyre shteteve ta përkrahin këtë anëtarësim. Në qoftë se sot gjithçka kalon me sukses atëherë në mes të prillit do të jetë mbledhja e gjithë Asamblesë Parlamentare të KiE ku edhe në qoftë se i marrim votat e nevojshme aty rekomandohet anëtarwsimi dhe ky rekomandim kalon prapë në Komitetin e Ministrave për muajin maj të këtij viti dhe aty vendoset për anëtarësimin përfundimtar. Janë disa hapa që kanë mbetur por ajo që mund të them është se të gjitha nivelet e institucioneve janë angazhuar me deputetët e Asamblesë Parlamentare por edhe jemi duke biseduar me shtet veq e veq si presidente në veçanti jam e angazhuar me liderët e shteteve. Presim sot rezultatin shpresë që do të mbështetë kjo kauzë e qytetarëve të Kosovës, të cilët mbesin të vetmit evropianë pa çasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kushdo që është pro të drejtave të njeriut, pro sundimit të ligjit dhe pro demokracisë si tri shtylla kryesore të Evropës i thotë po anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë ajo.

    Osmani ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është kusht për anëtarwsim por jo në këtë fazë në KiE dhe se në raportin e Bakojanis, sipas Osmanit, për asociacionin  flitet si një prej detyrimeve pos anëtarësimit.

    “Interpretimet që i jep zonja Bakojanis apo interpretimet që i japin deputetë individualë janë interpretimet e tyre. Mirëpo në qoftë se lexoni letrën e saj në veçanti paragrafi 11-të i raportit e qartëson që kur flitet për asociacionin  flitet si një prej detyrimeve pos anëtarësimit, pra nuk flitet për këtë fazë për themelim të Asociacionit. Mos të harrojmë që për themelimin e Asociacionit është dhënë përkushtimi i plotë në vitin 2013 nëpërmjet ratifikimit por ky është përsëritur në marrëveshjen e fundit, marrëveshjen bazike të 27 shkurtit 2023. Pra ky nuk është përkushtim i marsit 2024, është përkushtim i marrëveshjes bazike të viti 2023. Ajo çka është më rëndësi që ka qenë edhe kërkesë e imja në letrën që e kemi dërguar e ka përfshirë një pjesë ku kërkohet që çdo detyrim i Kosovës të zbatohet në përputhje me të drejtën Kushtetuese, ligjet e Kosovës me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kjo është korniza jonë dhe nuk dalim kurrsesi jashtë saj”, ka thënë ajo.

  • Vazhdon punimet sesioni i dytë i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë

    Vazhdon punimet sesioni i dytë i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë

    Të mërkurën u mbajt sesioni i dytë i punës së takimit të 11-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë.

    Progresi, sfidat në fushën e reformave të lidhura me integrimin në BE, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, si dhe bashkëpunimi rajonal dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, kanë qenë temë në takimin e 11-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Në këtë sesion, deputetja Mimoza Kusari-Lila, tha se janë përfshirë edhe rekomandimet e pozitës dhe opozitës për tu hedhur në votim.

    “Deri më tani, kemi arritur në takimin e 11-të me rekomandimet që i diskutuam së bashku. Kemi pranuar amandamente nga deputeti, Besnik Tahiri dhe deputeti Avdullah Hoti”, tha Kusari-Lila.

    Amandamenti nga parlamentarët evropian, se 28% e qytetarëve të Kosovës janë duke menduar të migrojnë pas liberalizimit të vizave, ndërsa si shqetësim nga delegacioni i BE-së ishte deklarimi i Odës Ekonomike, sa i përket mangësisë së fuqisë punëtore që kosovarët të kenë në zonën shengen pa vizë. Ky amandament nuk kalon.

    Amandamenti që thërret shtetet tjera të përkrahin Kosovën për aplikim në Këshill të Evropës dhe ta përkrahin qëllimin e Kosovës të bashkohet në partneritet për paqe u miratua.

    Gjithashtu u miratua edhe amandamenti që thërret të gjitha shtetet e BE-së të mbështetin Kosovën për tu anëtarësuar në KE.

    Miratohet edhe amandamenti që i kërkohet BE-së, të kërkojë nga Serbia të dorëzojë kriminelët përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit dhe vrasjes së rreshterit, Afrim Bunjaku. Po ashtu, thërret BE-në të finalizojë dhe të gjejë hetimet e sulmit terrorist në Banjskë.

    Një tjetër amandament që u miratua ishte edhe ai që thërret serbët të kthehen në institucionet e Kosovës, nga Qeveria kërkohet të ketë dialog me serbët për një të ardhme të përbashkët.

    Amandamenti numër 8 është tërhequr nuk u votua.

    Amandamenti i radhës që thirret nga BE të lobojë nga Serbia për anëtarësimin e Kosovës. Marr parasqyshë se pesë shtete nuk e njohin Kosovën, Serbia nuk duhet ta përdorë për ta pamundësuar anëtarësimin e Kosovës, nuk është miratuar.

    Përpjekjet e EULEX-it dhe KFOR-it që të japin mbështetje nëse është e nevojshme, miratohet.

    Tjetër amandament që insiston në përmbushjen e obligimeve të Kosovës në përmbushjen e kërkesave të popullatës me shumicë serbe, nuk është miratuar. Kishte 6 abstenime nga delegacioni kosovar.

    Amandamenti që thërret për përpjekje të mëtejme sa i përket të drejtave për arsim në përdorimin e dinarit, nuk ka kaluar për miratim.