ATV

Tag: Ballina

  • Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Gërvalla pas dështimit të kërkesës ruse në OKB: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

    Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Rusia ka ngelur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

    Një ditë më parë, vetëm tre anëtarë votuan pro mbajtjes së seancës në lidhje me 25-vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

    Ministrja Gërvalla të hënën në mbrëmje ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës.

    “Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën. Me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi. Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt”, ka shkruar ajo në Facebook teksa ka njoftuar se në KS të OKB-së ka qenë me ish-deputeten dhe aktivisten, Vasfije Krasniqi-Goodman, si e dërguar e posaçme e Presidencës për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

    Gërvalla ka vazhduar tutje duke thënë se për 25 vjet të pasluftës Kosova ka avancuar në demokraci, sundim të ligjit e respektim të të drejtave të njeriut, ndërkohë që “Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”.

    Këshilli i Sigurimit hedh poshtë kërkesën e Rusisë për seancë të jashtëzakonshme kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë

  • Ora e artit figurativ nuk po mbahet në dy shkolla të Mitrovicës

    Ora e artit figurativ nuk po mbahet në dy shkolla të Mitrovicës

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Në orarin mësimor, nxënësit e dy shkollave në Mitrovicë, nga klasa e 6 deri tek e 9-ta, kanë të paraparë lëndën e artit figurativ. Mirëpo, tash e një muaj këta nxënës nuk po e mbajnë orën e artit figurativ, kjo për shkak se po mungon mësuesja e artit. 

    Madje ka raste, që nxënësit në mungesë të mësimdhënëses, lirohen më herët për në shtëpi.

    “Artin figurativ nuk jemi tu e mbajtë qe një muaj, kur te kena orën e artit shkojmë në shtëpi”, deklaroi një nxënës i klasës së tetë në shkollën fillore “ Musa Hoti”.

    Përveç shkollës fillore “Musa Hoti”, e njëjta mësimdhënëse është e angazhuar edhe në shkollën “Fazli Grajcevci” në Shipol, duke krijuar edhe aty të njëjtën situatë.

    Por, sa do të zgjasë kjo ende nuk dihet, ngase drejtoresha e Arsimit në komunën e Mitrovicës, Drita Kadriu, pa dhënë detaje, tha se kanë filluar procedurat për të bërë zëvendësimin e saj.

    Ndërkaq, siç mëson televizioni, kjo nuk është hera e parë që nxënësit e këtyre shkollave mbesin për një periudhë të gjatë pa mësimdhënës. Situatë e njëjtë ishte krijuar edhe para disa muajve, në mungesë të mësimdhënëses së gjuhës gjermane./atvlive.tv/

  • Bruksel, nuk ka pajtim për propozimet lidhur me rregulloren e BQK-së

    Bruksel, nuk ka pajtim për propozimet lidhur me rregulloren e BQK-së

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Pa pajtim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me rregulloren e BQK-së për operacionet me para të gatshme, përfundoi vazhdimi i diskutimeve të nisura javën e kaluar, në Bruksel.

    Një takim i ri për ndikimet nga zbatimi i kësaj rregulloreje, në raport me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, planifikohet javën e ardhshme / më 4 Prill.

    Pa dhënë detaje, pas takimit trepalësh që zgjati rreth triorë e gjysmë, dhe atij veçmas me ndërmjetësin evropian, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi u tha gazetarëve se pozicionet e palëve mbesin të largëta.

    “U pa se ka një dallim të madh mes dy propozimeve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo… Mendoj që pala jonë ka nxjerrë një propozim shumë konstruktiv, që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë.”, tha Bislimi.

    Teksa vlerësoi se zgjidhja është e mundshme, Bislimi theksoi se për të duhet vullnet politik.

    “Ne jemi në kërkim të një zgjidhje praktike që nuk ka asgjë simbolike, por e ka qytetarin në fokus kryesor. Por unë kisha dashur të mos dëmtohen negociatat duke nxjerrë detaje nga propozimet e të dyja palëve”, shtoi tutje Bislimi.

    Në anën tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkovic, tha se propozimi i Kosovës nuk çon drejt zgjidhjes.

    Ai theksoi se vazhdimi i funksionimit të Bankës Postare të Serbisë në Kosovë, është thelbi i propozimit të tyre.

    Pas dakordimit në takimin paraprak të kryenegociatorëve, të premten, Kosova dhe Serbia i paraqitën BE-së propozim zgjidhjet e tyre lidhur me ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së në raport me dinarin serb./atvlive.tv/

  • Zgjedhjet e jashtëzakonshme, opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit

    Zgjedhjet e jashtëzakonshme, opozita kërkon dorëheqjen e Kurtit

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Kryeministri Albin Kurti thonë se është dorëzuar, andaj opozita po kërkon dorëheqjen tij.

    Veçse para kësaj, do të përgjigjet para deputetëve për,siç thonë, dështimet në tri vjetet e para të qeverisjes.

    Partitë opozitare shprehen të bindura në rrëzimin e qeverisë, veçse pranojnë se vetë s’mund ta bëjnë këtë.

    Kundër rrëzimit të kryeministrit Kurti është partia e tij, mirëpo ajo shprehet e gatshme, nëse ka marrëveshje me partitë politike që të shpërbëhet Kuvendi.

    Sidoqoftë, Kuvendi do të mblidhet gjatë kësaj jave nënjë seancë të jashtëzakonshme.

    Opozita po konsideron themelimin e një komisioni hetimor për kontrata njëburimore, temë kjo kyçe në seancën e së enjtes.

    Pas përfundimit të kësaj seance, të zgjedhurit e popullit do të vazhdojnë me pikat e papërfunduara nga seancat e kaluar.

    Një seancë e veçantë u caktua më 11 prill, në nderim të përvjetorit të Koshares./atvlive.tv/

  • Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve po shkon drejt përfundimit

    Gjykimi ndaj ish-kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj dhe të tjerëve po shkon drejt përfundimit

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Gati tri vjet nga ngritja e aktakuzës ndaj ish–kryetarit të Malishevës, Ragip Begaj, ish–ministrit të Tregtisë, Bajram Hasani dhe të tjerëve, gjykimit po i vjen fundi.

    Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale se duke shfrytëzuar pozitën e tyre, kanë mundësuar shpronësimin në disa zona, për të mundësuar Zonën Ekonomike në Malishevë.

    E të hënën mbrojtja është deklaruar rreth provave të PSRK-së, duke përmendur marrëveshjet e nënshkruara mes tyre, dhe përgjimet telefonike, që sipas avokatit të Begajt, ato nuk tregojnë asgjë relevante për rastin.

    Gjatë seancës ku ishte paraparë edhe dhënia e mbrojtjes së të akuzuarve, u dorëzuan edhe nga ana e tyre prova materiale për administrim.

    Gjykimi ndaj Begajt dhe të tjerëve do të vazhdojë, të mërkurën, pasi me kërkesë të avokatëve seanca u shty.

    Sipas Prokurorisë, Begaj, Hasani, dhe ish–zëvendësministri, Faton Thaqi, kanë keqpërdorurpozitat e tyre, duke mundësuar shpronësimin e tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim më të lartë, gjatë periudhës maj-qershor 2018, për të mundësuar zonën ekonomike.

    Përveç tyre, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen edhe Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi e Malë Krasniqi, ndërsa Ahmet Rrahmanaj akuzohet për veprën penale “Shpëlarje e parave”, e Nazmi Kafexholli për “Mashtrim”./atvlive.tv/

  • Vazhdojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Vazhdojnë takimet në Bruksel për dinarin

    Takimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar, janë duke vazhduar në Bruksel, ku Kosova është duke u përfaqësuar nga kryenegociatori i saj, Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga Petar Petkoviq.

    Pas një takimi tre palësh mes Bislimi dhe Petkoviqit, me ndërmjetësuesin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, herët në mëngjes, tani do të ketë takim ndaras mes palëve.

    Një takim ndaras mes Bislimit dhe Lajçakut ka filluar tashmë dhe pritet të pasohet nga një takim mes Petkoviqit dhe ndërmjetësuesit evropian, para një takimi tjetër trepalësh më vonë gjatë ditës.

    Takimet e sotme janë vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit.

    Ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë gjatë këtyre takimeve të sotme.

  • Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët ndërsa nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb

    Haradinaj: Absurde të gjykohen çlirimtarët ndërsa nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në nderim e kujtim të të rënëve në Celinë, Fortesë e Brestoc.

    Haradinaj ka thënë se është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët, e ende nuk ka drejtësi për shumë masakra.

    “Është absurde që sot në liri po gjykohen çlirimtarët ndërsa ende nuk është vendosur drejtësia mbi shumë masakra të kryera nga shteti fashist serb, në civilë të pambrojtur”, ka thënë Haradinaj.

  • Të enjten seancë e jashtëzakonshme, PDK-ja kërkon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore

    Të enjten seancë e jashtëzakonshme, PDK-ja kërkon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore

    Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore, raporton Ekonomia Online.

    Sipas Tahirit, Qeveria Kurti ka keqpërdorur mbi 150 milionë euro përmes kontratave njëburimore. Këto sipas tij janë burim i korrupsionit.

    “Sot dorëzova kërkesën për seancë të jashtëzakonshme në emër të 40 deputetëve të Kuvendit për të enjten e kësaj jave. Kjo seancë do të shqyrtojë propozimin për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat njëburimore që grupi ynë parlamentar e ka parashtruar të premten e javës së shkuar. Pushteti i Albin Kurtit, vetëm në shtatë institucione, ka keqpërdorur mbi 150 milion euro taksa të qytetarëve përmes kontratave njëburimore që janë burim i korrupsionit. Ky skandal duhet dhe do të hetohet deri në fund. Jo vetëm këto kontrata por edhe miliona eurot e tjera, shpenzimi i të cilave është bërë në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Tahiri.

    “Shumica parlamentare e ka mundësinë që të votojë këtë komision e të dëshmojë vullnetin për t’u bashkuar në kërkesën për llogaridhënie që duhet ta ushtrojë Kuvendi. Në të kundërtën, çdo tentim për bllokim ose refuzim të themelimit të këtij komisioni është dëshmi e qartë e panikut dhe frikës për t’u ballafaquar me faktet dhe të vërtetën e cila herët ose vonë do të triumfojë. Hetimi do të ndodhë patjetër”, ka shkruar tutje Tahiri.

  • Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Seanca gjyqësore pritet të fillojë në ora 09:00.

    Ndryshe se seancat në gjykimin e Hashim Thaçit dhe të bashkakuzuarve rinisën, më 18 mars, me dëshminë e dëshmitarit të dyzetenëntë të thirrur nga Prokuroria. Ky ishte dëshmitar i mbrojtur, dëshmia e të cilit, sipas përmbledhjes që u lexua në sallën e gjyqit, lidhej me një viktimë që ishte vrarë pasi ishte marrë dhe mbajtur i ndaluar nga anëtarët e UÇK-së në zonën e Llapit.

    Dëshmitari i 50-të, Klod Kan potush d dëshmoi jan e kaluar. Dëshmia e tij lidhej me shkeljet e të të drejtave të romëve në Kosovë, gjatë punësimit të tij në Qendrën Evropiane për të Drejtat e Romëve në korrik 1999. Dëshmitarit i bëri pyetje Prokuroria si dhe të katër tipet e Mbrojtjes.

    Dëshmoi dëshmitari i 51-të i thirrur nga Prokuroria. Ky ishte dëshmitar i mbrojtur, vëllai i të cilit, sipas Prokurorisë, u arrestua nga anëtarët e UÇK-së gjatë periudhës përkatëse dhe trupi i të cilit nuk ësht gjetur kurrë.

    Dëshmitari i 52-të e filloi dëshminë përmes videolidhjes të martën dhe vijoi të mërkurën me pyetjet nga ekipet e mbrojtjes. Sipas Prokurorisë, ky dëshmitar i mbrojtur është shqiptar i Kosovës që u arrestua dhebmbajt i ndaluar nga anëtarët e UÇK-së në ose rreth gushtit 1998.

  • Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

    Bislimi e Petkoviq takohen sot në Bruksel, vazhdojnë bisedimet për dinarin

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen sot në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

    Këtë e bëri të ditur më 19 mars emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit mes kryenegociatorëve në kryeqyendrën evropiane.

    Lajçak në një postim në platformën “X” njoftoi se në mesin e temave të diskutuara në takim ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.

    Në takimin e fundit që kryenegociatorët e të dy vendeve zhvilluan nën kujdesin e Lajçakut në Bruksel mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit serb brenda territorit, palët u dakorduan që deri më 22 mars t’i çonin propozimet për zgjidhjen e krizës së dinarit.

    Megjithatë, akoma nuk dihet nëse palët kanë respektuar afatet kohore. Nga ekzekutivi kosovar nuk është bërë e ditur nëse kanë dërguar propozime për dinarin, duke u kapur pas planit 10-pikësh të BQK-së që mundëson një fazë lehtësuese kalimtare – do të zgjasë jo më shumë se tre muaj, në mënyrë që qytetarët e komunitetit serb të mos dëmtohen nga zbatimi i vendimit.

    Përderisa shefi i delegacionit kosovar njoftoi se palët duhet t’i dorëzojnë propozimet e veta mbi çështjen e ndalimit të dinarit serb, shefi i delegacionit serb theksoi të ketë këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse, sipas tij, ky mekanizëm do ta zgjidhte edhe çështjen e financimit të të gjitha “institucioneve serbe” në Kosovë.

    Lajçaku fillimisht priti në takim kryenegociatorin dhe zëvendëskryeministrin kosovar, pastaj zhvilloi një takim me delegacionin serb të udhëhequr nga Petkoviçi. E ky cikël i ri i negociatave në nivel të kryenegociatorëve erdhi në mes të paralajmërimeve të zyrtarëve evropianë për rritje të presionit ndaj të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë.

    “Unë prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit për operacionet me para të gatshme. Ne u dakorduam që të vazhdojmë këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, deklaroi Lajçaku pas takimeve që zgjatën disa orë.

    Në fakt, ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit. Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete. Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.

    Sidoqoftë, sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, autoritetet kosovare përveçse hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), nënvizuan se nuk shkojnë përtej asaj që tashmë është miratuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi këtë javë se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.

    “Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së. Njëkohësisht, ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme, sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë BQK-ja”.

    Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një paraqitje të fundit televizive, potencoi se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje sa i përket çështjes së përdorimit të valutës serbe në Kosovë, porse Serbia do të gjejë gjithmonë një mënyrë për të dërguar dinarë për serbët, derisa akuzoi autoritetet kosovare për zbatim nëpërmjet forcës të vendimit të BQK-së.

    “Nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash për popullin tonë në Kosovë. Por do të ketë ndryshime në doktrinën dhe qasjen tonë. Nuk do të na sjellin më përpara një akti të përfunduar dhe na thonë se kanë rënë dakord të bëhet pagesa këtu, pastaj të paguhet atje, dhe pastaj të konvertohet nga dollarë në euro, dhe nga euro në të tjera”, paralajmëroi presidenti serb në fundjavë.

    E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë, mbetet për t’u parë nëse lista e skenarëve të dhunës që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese ose nënprodukteve të “pasioneve maniçeane” do të zgjerohet, apo do të arrihet një kompromis në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.