ATV

Tag: Ballina

  • Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi sot në Kosovë

    Ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi sot në Kosovë

    Ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, sot do ta vizitojë Kosovë, ku edhe do të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Nënshkrimi i kësaj marrëveshje, do të ndodh pas një takimi që do ta ketë me zëvëndëskryeministrin Besnik Bislimi.

    Ajo fillimisht do të marrë pjesë në konferencën përfundimtare që organizon Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, lidhur me Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II për Malin e Zi-Kosovë 2014-2020. Në këtë konferencë, do të marrë pjesë edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zv.shef i Seksionit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, z. Alessandro Bianciardi, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, kryetarë e përfaqësues të komunave nga zona e programit, OJQ etj.

  • Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së Zotimit, pak zbatim e sërish mospajtime

    Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së Zotimit, pak zbatim e sërish mospajtime

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Një vit nga nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformën në drejtësi, pak plane të veprimit janë jetësuar.

    Ministria e Drejtësisë nuk po pajtohet në veçanti me propozimin që gjyqtarët e prokurorët pas pensionimit të gëzojnë 70% të pagës.

    Marrëveshja në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial, e atij gjyqësor është vënë në pikëpyetje, pas mospajtimeve të fundit rreth iniciativave ligjore.

    Anëtarë të shoqërisë civile që janë pjesë e grupeve punuese, vlerësojnë se kërkesat e KGJK-së dhe KPK-së, mund të shqyrtohen nga një mekanizëm ndërkombëtar.

    Sipas Salihit, nëse ndryshimet ligjore kalojnë në Kuvend pa pasur pajtim, mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

    Javën e kaluar përfaqësuesit e KPK-së, dhe KGJK-së u tërhoqën nga punëtoria e organizuar nga MD-ja rreth reformës.

    Ndërsa, Këshillat ndër të tjera nuk janë pajtuar me propozimin e Ministrisë që të ketë ligj të veçantë për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që kjo të përfshihet në kuadër të Ligjit për KGJK-në dhe KPK-në.

    Deklarata ndër të tjera parasheh hartimin e ligjeve rreth vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, proceset të rekrutimit, rregullimi i statusit dhe hartimin e ligjit për nëpunësit civilë në administratën e gjykatave dhe prokurorive./atvlive.tv/

  • Kurti në homazhet për viktimat në Izbicë: Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë

    Kurti në homazhet për viktimat në Izbicë: Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë

    Pas homazheve te familjet Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, Kryeministri Albin Kurti, vazhdoi rrugën për në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt, për të përkujtuar 147 viktimat e vrara nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit, gjashtë prej të cilëve janë ende të zhdukur. Së bashku me Rifat Jasharin, ai nderoi të vrarët në masakrën e Izbicës.

    Pranë Memorialit, Kryeministri Kurti tha se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg. Gjaku i tyre ndodhet në themelet e lirisë dhe të shtetit tonë, tha ai.

    “Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët e as pleqtë. Në fakt këta edhe qëllimisht u synuan e u qëlluan, sepse Serbia me operacionin “Patkoi” synonte shfarosjen e shqiptarëve dhe zbatimin e projektit të saj gjenocidal kundër nesh”, u shpreh ai. Me keqardhje, tha ai, për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar.

    “Prokuroria e Shtetit e ka mundësinë për të përndjekur, e sistemi i drejtësisë në përgjithësi, edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme, që për masakrën e Izbicës është arrestuar vetëm një person, meqenëse kanë të drejtë të gjykojnë në mungesë”, tha kryeministri.

    Ai përsëriti se Prokuroria e Shtetit e ka mbështetjen e plotë, të parezervë e të pa kursim të Qeverisë së Republikës, që kriminelët e luftës që na i vranë gratë, fëmijët e pleqtë të cilët e donin tokën dhe lirinë e vetë, të jenë prapa grilave, në mënyrë që të kemi drejtësi dhe dalëngadalë të na mbyllen plagët.

    Të pranishëm në homazhet në Izbicë ishin edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri i Punëve të brendshme, Bardhyl Dobra dhe zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Mevlud Sinani.

     

  • S’ka kuorum për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore

    S’ka kuorum për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për kontratat njëburimore

    Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar që do t’i hetojë kontratat njëburimore të Qeverisë Kurti. Kjo pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marr pjesë në votim, raporton Ekonomia Online.

    Gjatë diskutimit që ka zgjatur rreth tri orë, deputetët e opozitës e kanë akuzuar pushtetin për numër të madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë kësaj qeverisje.

    Në sallë ishin të pranishëm 63 deputetë, ndërsa në votim morën pjesë 26 përfshirë edhe Konjufcën që votoi pro themelimit të këtij komisioni.

    Ata kanë kërkuar që Prokuroria të merret me hetimin e tyre. Por deputetët e pushtetit kanë thënë se themelimi i komisionit është ia panevojshëm dhe ka mohuar akuzat e opozitës se në këtë qeveri janë lidhur më shumë kontrata njëburimore se në qeveritë e kalaruar.

    Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka refuzuar t’i paraqesë në Kuvend pesë emrat e grupit të saj për komisionin hetimor, me arsyetimin se duhet të binden se opozita po kërkon zgjedhje fillimisht e pastaj i dërgojnë emrat.

    “Shumë lartë e vlerësojmë ofertën për pesë anëtarë, ne frikësohemi se komisioni po i shtyn zgjedhjet e shumëkërkuara nga opozita dhe nuk po dimë a janë më me prioritet komisionet apo zgjedhjet. Derisa ta marrin vendimin dhe derisa të jemi të bindur se këta vërtetë po kërkojnë zgjedhje ne nuk i kemi këta 5 emra”, ka thënë ajo.

    Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, ka propozuar një datë për zgjedhje.

    “Marrë parasysh josinqeritetin e këtyre dhe frikën për të shkuar ne e dimë që ajo ka qenë vetëm një lojë fjalësh sepse këta nuk guxojnë ta shpërndajnë kuvendin më 9 qershor. Nuk mundet me kaq lehtësi dhe me këtë sportivitet kaq të madh me anashkalu votimin e një komisioni hetimor”, ka thënë Tahiri.

    Kurse, Driton Selmanaj nga LDK ka thënë se komisioni hetimor duhet të themelohet, ndërkohë ka treguar pozicionin e partisë për zgjedhje.

    “Atë që mund të them në emër të LDK, ne kemi filluar me u dashuruar në postulatin hajnat në burg, por jo hajnat në zgjedhje. Ne po duam hajnat vërtetë të përfundojnë në burg. Mesa po e shohim VV po do me shku me postulatin hajnat në zgjedhje sepse po i duhen paratë për të bërë fushatë edhe një herë. Ne insistojmë në themelimin e komisionin hetimor”.

    Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se VV-ja po i ik temës së komisionit hetimor sepse ka frikë.

    “Është një ikje nga tema nga komisioni hetimor që në fakt është frika e qeverisë me u ballafaqu me të vërtetën dhe mos emërimi i kandidatëve e vërteton pohimin tonë se tenderët njëburimorë janë vatra korruptive e kësaj qeverie”.

  • PDK-ja propozon datën e zgjedhjeve të parakohshme

    PDK-ja propozon datën e zgjedhjeve të parakohshme

    Partia Demokratike e Kosovës tanimë ka propozuar 9 Qershorin, si datë për zgjedhje të parakohshme në vend.

    Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri gjatë seancën së jashtëzakonshme, ku po diskutohet për kontratat njëburimore, ka thënë se mazhoranca le të dal me fytyrë për themelimin e këtij komisioni, pasi nuk mund ta anashkalojnë sepse nëse nuk themelohet tash, do të themelohet në legjislaturën tjetër.

    “PDK tashmë e ka propozuar një datë për zgjedhje dhe ajo është 9 Qershor, mirëpo, por duke pas parasysh jo sinqeritetin e tyre dhe frikën për me shkuar zgjedhje, ne e dimë që ajo ka qenë një lojë fjalësh se këta nuk guxojnë të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor, prandaj duke pas parasysh që këta janë të luhatshëm ne duam ta shfrytëzojmë këtë periudhë dhe deri në ditën e fundit ta kryejmë mandatin si deputet , me themeluar këtë komision, nëse zgjedhjet na lënë në gjysmë, atëherë e vazhdon punën legjislatura e tjetër”, tha ai.

    Kurse, për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duket që më e preferuar është vjeshta për të shkuar në zgjedhje.

    “Nëse themelohet deri më 28 shtator e ka afatin, kështu që brenda mandatit zgjedhor është, 6 muaj mandat”, tha ai.

  • Vrasja e rëndë në Kolovicë: Ndalohet njëri prej të dyshuarve që po trajtohej në QKUK

    Vrasja e rëndë në Kolovicë: Ndalohet njëri prej të dyshuarve që po trajtohej në QKUK

    Është dërguar në mbajtje njëri nga personat që ishte duke u trajtuar në QKUK, si pasojë e plagosjes me armë zjarri të martën mbrëma në rrugën “Jeronim De Rada”, në Kolovicë.

    Ndërkaq policia konfirmoi edhe vdekjen e gruas që u plagos po atë natë, e ku numri i të vrarë nga konfrontimi në mes të dy grupeve ka shkuar në dy.

    “Prishtinë / 26.03.2024-21:20. Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare e cila ka qenë duke trajtuar në QKUK lidhur me nje rast te mehershem, me 27.03.2024 ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin I dyshuari mashkull kosovar i cili po ashtu ishte duke u trajtuar në QKUK është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar ne mbajtje kurse trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në njoftim.

  • Kurti pas miratimit të raportit për anëtarësim në KiE: Arritje e madhe, kemi punuar dy vjet e gjysmë, do të kurorëzohet në pranverë

    Kurti pas miratimit të raportit për anëtarësim në KiE: Arritje e madhe, kemi punuar dy vjet e gjysmë, do të kurorëzohet në pranverë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur lajm të mirë kalimin me sukses vendimmarrjen e radhës në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, raporton Ekonomia Online.

    Kreu i ekzekutivit tha se është lajm i mirë për Evropën e kombin shqiptar që “Federata ruse është jashtë Këshillit të Evropës e Republika e Kosovës brenda”.

    “Besoj se kjo është një arritje e madhe për Kosovën, për të cilën Qeveria e Republikës ka punuar dy vjet e gjysmë pa u ndalur dhe më në fund në këtë Pranverë gjithçka do të kurorëzohet me sukses. Ky është vetëm hapi i parë në këtë pranverë. Hapi tjetër vie në mes të prillit kur do të votohet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe hapi përmbyllës është ai në Këshillin e Ministrave në maj”, tha Kurti, teksa falënderoi

    “… është lajm tejet i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, u shpreh Kurti pas homazheve te varrezat e anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë.

    Në takimin e së mërkurës në Paris, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci e ka miratuar me 31 vota për, 4 kundër dhe 1 abstenim opinionin e raportueses, Dora Bakoyannis, me rekomandimin që Kosova të ftohet për t’u bërë anëtarja më e re e Këshillit të Evropës.

     

  • 25 vjet nga masakra në Izbicë

    25 vjet nga masakra në Izbicë

    Sot bëhen 25 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

    Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

    Sot 25 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

    Me rastin e 25-vjetorit të masakrës në Izbicë, Komuna e Skenderajt do të organizojë sot tubim përkujtimor në Kompleksin Përkujtimor në Izbicë, duke filluar nga ora 10:00.

  • Kontratat njëburimore, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

    Kontratat njëburimore, Kuvendi mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme

    Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca, njëra nga to e jashtëzakonshme.

    Në seancën e jashtëzakonshme që pritet të nis në orën 10:00, në rend dite është themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    Ndërsa në orën 12:00 do të vazhdojë seanca plenare, ku në rend dite janë pikat e papërfunduara nga seanca e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt dhe 14 mars.

    Rendi i ditës

    I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 8, 14 dhe 22 shkurt 2024:

    24. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,
    32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,
    41. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,
    42. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-278 për faturat e kulturave bujqësore dhe fletëmagazinave,
    43. Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,
    44. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
    45. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2022,
    46. Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2022,
    47. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vitin 2022,
    48. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.02/L-65 Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes,
    49. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.2003/5 për farërat,
    50. Shqyrtimi i Rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit,
    51. Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Të hyrat nga qiraja në Agjencinë Kosovare të Privatizimit për periudhën 2012 – 2021”.

    II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 7 mars 2024:

    16. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
    25. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarrett e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,
    27. Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptarë,
    28. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,
    29. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2022,
    30. Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2022.

    III. Pika and papërfunduar nga Seanca and Jashtëzakonshme, and mbajtur më 14 mars 2024:

    1. Votimi i Propozim-rezolutës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.

  • Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    Kalon afati në aktgjykim, ZRrE-ja ende s’ka vendosur për formën e kompensimit

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    E mërkura e 27 Marsit ishte afati i fundit për zbatim të vullnetshëm të aktgjykimit për kompensimin e konsumatorëve nga 34 komuna për dëmin e shkaktuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike, si mbulesë për veriun.

    Aktgjykimi i vërtetuar nga Gjykata Kushtetuese, obligon Zyrën e Rregullatorit për Energji që të detyrojë KEDS-in që t’u kthejë konsumatorëve shumën shtesë të faturuar “në afat prej 15 ditësh nga momenti i pranimit të aktgjykimit, nën pasojat e ekzekutimit me detyrim”.

    Në ZRRE përsëritën se janë duke punuar për gjetjen e një forme të përshtatshme, dhe në pajtim me ligjin, për kompensimin në vlerë totale 40.8 milionë euro.

    Edhe pse e vlerëson vendim të drejtë, juristi Valdet Hoxha vlerëson se zbatimi mund të marrë më shumë kohë për shkak të ndërlikueshmërisë.

    “Por, një vendim i tillë është vështirë i implementueshëm, sepse ka specifika të veçanta dhe nuk dihet shuma e saktë e cila i është ngarkuar qytetarit, në këtë rast konsumatorëve shqiptarë. Por, besoj në vullnetin e mirë të ZRRE-së dhe KEDS-it për t’i kompensuar qytetarët. Në të kundërtën kam frikë se qytetarët do të detyrohen, që përmes padive individuale dhe angazhimit të ekspertëve financiarë t’i realizojnë të drejtat e tyre përmes gjykatës kompetente”, deklaroi avokati Valdet Hoxha.

    Ekspertë të sektorit energjisë kanë përmendur të paktën tri forma: kompensimin direkt në fatura; përshtatjen në tarifa; dhe, subvencionimin nga Qeveria.

    Nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët nga 34 komuna, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët nga Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Kjo ndryshoi më 2017, kur barra i kishte kaluar KOSTT-it.

    Në një llogaritje jo-zyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro./atvlive.tv/