ATV

Tag: Ballina

  • Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në intervistë për Ekonomia Online, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Kurti e ministrave të tij.

    Sipas Jasharajt, kryeministri Albin Kurti e ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, janë fajtor për gjendjen në të cilën gjendet arsimi.

    “Nga përvoja që kam sindikale shumë e gjatë, ministri Hekuran Murati e them publikisht se është njëri nga fajtorët kyç, sepse ai po harron që përveç se është ministër i Financave dhe Trasnfereve është edhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga vet ky fakt ai duhet të jetë flamurtar, ta nxis dialogun, të krijoj kushte edhe kur Qeveria thotë jo, të insistoj që të ketë dialog me sindikatën. Këtë detyrë e ka ministri. E në vend të kësaj ai e ka bllokuar edhe punën e këshillit ekonomik-social, ku ulen me ligj tri palët: Sindikatat, Qeveria dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe merren vesh për kërkesat”, u shpreh Jasharaj.

    Madje, kryesindikalisti akuzon ministrin Murati për përpjekje për t’i shuar sindikatat në vend. Thotë se ka gënjyer e ka shpifur ndaj sindikatave në vend. Fajtor e konsideron edhe për vlerën e koeficientit të pagave.

    “Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5, 6 muaj pas vendimit për koeficientin. Ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro nga 105 në 110 euro dhe konsiderojmë si njërin nga faktorët kyç, edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë qe e kishim të regjistruar në bazë të ligjit për arsimin sindikal ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku platformën E-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në E-Kosova, i cili bie që është portal i shtetit dhe paramendojeni njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shteti në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet për sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, deklaroi Jasharaj.

    Krahas problemeve me shtetin, Jasharaj e sheh problematike edhe një fakt tjetër. Atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Jasharaj thotë se tash e sa kohë, mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin pushimet njëvjeçare pa pagesë, duke u larguar në vendet perëndimore për një jetë më të mirë.

    “Te ne zakonisht mësimdhënësit në të kaluarën më shumë të vogël e kanë shfrytëzuar një të drejtë që u takon me ligj të punës por me mirëkuptimin e DKA-ve për shkaqet e natyrave të ndryshme u është lejuar pushimi një vjet, mirëpo ky numër na shqetësoi sepse kishim informacione se është shtuar ky numër. 300 mësimdhënës para liberalizmit të vizave (kanë marrë pushim pa pagesë njëvjeçare) dhe konsiderojmë se ky numër është rritur por neve na habit dhe na ka habitur në atë kohë se pse Drejtoritë e Arsimit dhe MASHTI nuk thanë asnjë fjalë. Së paku të na demantojnë neve, urojmë që as numri 300 e as numri 600 të mos jetë i tillë sepse ne këto informacione nuk i kemi zyrtare, ngase ata nuk kërkojnë leje tek ne por në DKA-të dhe unë mendoj se ministrja Nagavci ish dashtë me i mbledh DKA-të të dhe të na demantoj dhe ne do të gëzoheshim nëse thotë se nuk është as 300 as 600 por një numër më i vogël”, deklaroi tutje Jasharaj.

  • Asnjë plan për fillimin e zbatimit të Rregullores së BQK-së për dinarin

    Asnjë plan për fillimin e zbatimit të Rregullores së BQK-së për dinarin

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    As 2 muaj pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, nuk dihet edhe sa do të zgjasë periudha e transicionit.

    Derisa Kryeministri Albin Kurti ka përmendur 27 marsin si datë, nga Banka Qendrore e Kosovës u publikua një plan 10 pikësh që është në fuqi dhe i cili zgjat deri më 12 maj.

    Paqartësi ka edhe për fillimin e zbatimin të kësaj rregullore, pasi deri tani nuk ka ndonjë plan konkret si të veprohet pasi të përfundojnë të gjitha afatet.

    Për këtë paqartësi, sqarime nuk dhanë as nga Qeveria e as nga BQK-ja. Kritikat vijnë nga njohës të ekonomisë të cilët thonë se nuk është e qartë çfarë do të ndodhë pas 12 majit.

    Distancim të Qeverisë nga vendimet e BQK-së po kërkon ish-zëvendësguvernatori i cili thotë se ky institucioni duhet të dalë sa më parë me data të sakta dhe hapa konkret.

    Madje, vlerësohet se as periudha e transicionit nuk u shfrytëzua për qartësim.

    Për të lehtësuar zbatimin e rregullores së BQK-së për dinarin, e cila parasheh përdorimin vetëm të euros si valutë për pagesa me para të gatshme ishte publikuar një plan 10 pikësh, i cili do të zbatohet për 3 muaj./atvlive.tv/

  • Renovimi i shtëpive në veri, banorët thonë se nuk iu kanë dalë mjetet financiare

    Renovimi i shtëpive në veri, banorët thonë se nuk iu kanë dalë mjetet financiare

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Hazir Bekteshi nga Koshtova e Leposaviqit ishte njëri prej përfituesve të skemës për renovim të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

    Por, që nga fundi i vitit të kaluar kur nënshkroi kontratën, paratë nuk i dolën në llogari. Madje, askush nuk e njoftoi për arsyet e vonesave.

    “Me 15 nëntor na kanë thirrë në telefon me shku me i nënshkru kontratat për rinovim të shtëpive, kemi shku i kemi nënshkru kontratat, na kanë thënë që për 15-20 ditë dalin pjesa e parë d.m.th. 2000 euro me i marrë ato për me i marrë të dytat dhe prej 15 nëntorit nuk ka asgjë”, deklaroi Hazir Bekteshi, banor i fshatit Koshtovë.

    Fatin e njëjtë me Bekteshin e pati edhe Jetish Halili nga fshati fqinjë Cerajë. Këtyre do të duhej t’iu dilnin në llogari bankare nga 4000 euro, me të cilat do mund të bënin rregullimin e shtëpive.

    “Kemi nënshkruar nga 4000 euro për renovim, çka të kemi mundësi me ndërruar, dritare me ly shtëpinë, deri tash nuk ka asgjë, çka u bë nuk e di. Na kanë thënë se 2000 euro dalin në muajin nëntor e 2000 të tjera në muajin dhjetor po as në nëntor as në dhjetor tash erdh prilli gati edhe s’ka asgjë”, tha Halili.

    Përfitues të kësaj skeme ishin rreth 200 familje, por, sipas Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, jo të gjithë do t’i marrin mjetet.

    Meqë, pati ankesa, ky angazhoi një komision që ta bëjë verifikimin e tyre, për të parë nëse kanë njëmend nevojë për renovim.

    “Nëse përfituesit të cilët e kanë nënshkruar kontratën, gjendja e tyre reale është sikurse e kanë paraqitur në letër, ata do t’i pranojnë mjetet e parapara, derisa të tjerët do të njoftohen për shkëputjen e kontratës, ashtu siç ka përcaktuar artikulli i 5-të i marrëveshjes mes administratës së MAPL-së dhe përfituesit”, deklaroi ministri Krasniqi.

    Sipas ministrit Krasniqi, vlerësimet janë në fazën përfundimtare, dhe fituesve shumë shpejt do t’iu dalin mjetet./atvlive.tv/

  • Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Dy ditë pasi deputetja e Malit të Zi, Maja Vukiçeviq, votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveritë e dy shteteve nënshkruan një marrëveshje në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar IPA III.

    Pas firmosjes së ujdisë, përmes së cilës dy vendet përfitojnë 8.4 milionë euro nga BE-ja, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja malazeze për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, qartësuan pozicionet.

    Duke krahasuar qëndrimet e deputetes Vukiçeviq me ato të Listës Serbe, Bislimi tha se Mali i Zi, si shtet, nuk votoi kundër anëtarësimit të Kosovës.

    “Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukicevic nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Malit të Zi, i cili qëndrim nuk ka ndryshuar nga data 9 Tetor 2008, kur Mali i Zi ka vendosur të njohë Republikën e Kosovës. Por, votat si kjo tregojnë se sa është i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, deklaroi Bislimi.

    Ministrja malazeze Gorçeviq, bëri dallim mes votës së bashkëvendëses së saj dhe qëndrimit shtetëror.

    “Votimi i deputetëve të caktuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk nënkupton edhe qëndrim të Qeverisë së Malit të Zi. Zonja Vukicevic atje paraqiti qëndrimin e saj dhe të partisë së saj dhe dua të përkujtoj se Qeveria e Malit të Zi, e cila ka karakter heterogjen, megjithatë, pavarësisht shumicës parlamentare, është në koalicion dhe pjesë e marrëveshjes ishin edhe disa obligime. Këtu përfshihet edhe përkrahja ndaj Kosovës si shtet sovran. Andaj dua të nënvizoj se Mali i Zi në takimin e ministrave në maj do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në të gjitha çështjet e ardhshme në aspektin e euro-integrimeve”, tha Gorçeviq.

    Jo diçka të re, i vlerësoi zëvendëskryeministri Bislimi votat kundër nga Serbia.

    “Serbia veçse i ka shkelë pothuajse të gjitha nenet e marrëveshjes bazike, por ndoshta pa qëllim ata i kanë bërë një nder Kosovës me prezencën e tyre, sepse kanë ndihmuar në formimin e kuorumit, rrjedhimisht ata i kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por duke shkelë në të njëjtën kohë marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë që për ne përbën vlerë shumë të rëndësishme”, shtoi tutje Bislimi.

    Ndryshe, të mërkurën, dy nga tri votat e Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës ishin në favor të anëtarësimit të Kosovës.

    Marrëveshja e nënshkruar të premten, sipas qeverive të dy shteteve, do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve, thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e zonave ndërkufitare, me theks turizmin./atvlive.tv/

  • Fillojnë punimet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’/ 1.3 milion euro kontratë e negociuar, për ndërrimin e barit

    Fillojnë punimet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’/ 1.3 milion euro kontratë e negociuar, për ndërrimin e barit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Punimet për zëvendësimin e barit në stadiumin e kryeqyteti nisën këtë të premte. Për tenderin 1.3 milionësh, Ministria e Kulturës ndoqi procedurën e negociuar, për çka kryetari i Federatës Agim Ademi dha sqarim.

    Kompania turke, e cila është përzgjedhur për ndërtimin e një sistemi të ri të fushës, premtoi që punimet do të kryhen brenda tre muajsh.

    Përveç barit hibrid, që do të jetë investimi i parë i këtij lloji në Kosovë, do të trajnohet edhe stafi për mirëmbajtjen e fushës. Ndërkohë, operatori ekonomik do t’i sjellë edhe makineritë përkatëse.

    Kosova është detyruar që të dy miqësoret e muajit mars t’i zhvillojë si mysafire për shkak të terrenit në “Fadil Vokrri”./atvlive.tv/

  • Maqedonci pas takimit me homologun italian: E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s

    Maqedonci pas takimit me homologun italian: E nënvizova qëllimin tonë për t’iu bashkuar NATO-s

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim homologun e tij italian, Guido Crosetton, i cili është duke qëndruar për vizitë në Kosovë.

    Maqedonci, mes tjerash theksoi se temë e diskutimit ka qenë rritja e bashkëpunimit dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO.

     “Rikonfirmuam angazhimin e përbashkët të të Kosovës dhe Italisë, për të vazhduar partneritetin tonë dypalësh në fushën e mbrojtjes”, shkroi Maqedonci në platformën X.

    “Ministrin e falenderova për mbështetjen që Italia i ka ofruar Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes duke qenë shteti me pjesëmarrjen më të madhe të trupave në kuadër të misionit të KFOR-it. Ndërsa po ashtu e njoftova rreth mbështetjes që jemi duke i ofruar Ukrainës përmes ofrimit të trajnimeve dhe dhurimit të automjeteve taktive e municioneve që pritet të dërgohen së shpejti.Kërkova mbështetjen e Italisë në proceset për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, për të cilën pranova dhe konfirmin nga ministri Crosetto se do të kemi mbështetjen e pakursyer të Italisë. Integrimi i Ballkanit në BE dhe në NATO të dy ishim dakord se do të krijonte stabilitet dhe paqe të qëndrueshme”, ka shkruar mes tjerash Maqedonci.

  • ​Martin Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

    ​Martin Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale

    Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

    Arsyeje e intervistimit të Berishaj nga Prokuroria Speciale vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të tij në Slloveni. Në këtë aferë dyshohej për shpëlarje parash.

    Ndërsa, një televizion slloven kishte raportuar se mbi gjysmë milionë euro kesh, janë bartur nga Mali i zi për në Slloveni, kurse rolin e transportuesit e ka pasur ambasadori Berishaj.

  • Ministri i Mbrojtjes i Italisë vjen në Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes i Italisë vjen në Kosovë

    Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, do të qëndrojë në Kosovë gjatë ditës së sotme.

    Njoftimi u bë publik nga ministria e Mbrojtjes e Italisë, ku u tha se kreu i këtij dikasteri do të vizitojë ushtarët italianë në kuadër të KFOR-it për të festuar të Premten e Madhe.

    “Po nisem për Kosovë për të kaluare të Premten e Madhe me ushtrinë tonë. Atyre u sjell përshëndetjet dhe afërsinë mirënjohëse të shtetit dhe italianëve. Është gjithashtu një mundësi e çmuar për takime të rëndësishme institucionale”, tha ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

    Ministri Crosetto ka vizituar Kosovën edhe në nëntorin e vitit 2022, i cili po e shoqëronte zëvendëskryeministrin italian, Antonio Tajanin.

    E Premtja e Madhe e Pashkëve, apo Dita e dytë e Treditëshit të Pashkëve, është festë krishtere që kremton Liturgjinë e mundimeve e të vdekjes së Jezu Krishtit mbi Kryq.

  • Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite themelimi i Komisionit Hetimor për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore

    Mblidhet Kryesia e Kuvendit, në rend dite themelimi i Komisionit Hetimor për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore

    Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.

    Në mbledhjen që pritet të nis në orën 11:00, në rend dite janë 42 pika për diskutim.

    Këtu bëjnë pjesë edhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Rendi i ditës

    I. Miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë së Kuvendit,

    II. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1.    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

    2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    3.    Pyetjet parlamentare,

    4.    Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024,

    5.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-234 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,

    6.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-236 për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze,

    7.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-253 për Aderimin e Republikës së Kosovës në Konventën për Importin e Përkohshëm,

    8.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-254 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës nga njëra anë dhe Bashkimit Evropian nga ana tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e bashkimit programi i tregut të vetëm,

    9.    Votimi i Projektligjit nr. 08/L-259 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Projekti për forcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve”,

    10.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-263 për ratifikimin e Marrëveshjes për sigurime sociale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës,

    11.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-271 për  ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës, të përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati shtetëror për çështje ekonomike për Projektin e “qëndrueshmërisë klimatike në sektorin e ujërave në Kosovë”,

    12.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-273 për  ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë solare I (solar4kosovo I) Fotovoltaik,

    13.    Votimi i Projektligjit nr.08/L-281 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërkombëtare,  për  pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Evropa digjitale për periudhën 2021-2027” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian,

    14.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-270 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat,

    15.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-280 për ratifikimin e “amendamentimit nr.3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”,

    16.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-293 për ratifikimin e “Marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e Projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren”,

    17.    Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-292 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Drejtësia”,

    18.    Votimi në lexim të dytë i Projekt Kodit doganor dhe të akcizave, nr. 08/L-247,

    19.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 08/L-211 për Verëra,

    20.    Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    21.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-258 për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë,

    22.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    23.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-268 për shpronësimin e pronës së paluajtshme,

    24.    Shqyrtimi i parë Projektligjit nr.08/L-284 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave,

    25.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-285 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës,

    26.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-291 për Gjykatën Administrative,

    27.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-279 për Inspektoratin qendror të mbikëqyrjes së tregut,

    28.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit,

    29.    Votimi i Programit Kombëtar të Shkencës 2023/2028,

    30.    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    31.    Shqyrtimi i rekomandimeve nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.08/L-021 për tregti me jashtë,

    32.    Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Prokurimet e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vitin 2021”,

    33.    Shqyrtimi i Rekomandimeve për Raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe konfigurimi i stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”,

    34.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2022,

    35.    Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    36.    Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2022,

    37.    Shqyrtimi i Projektrezolutës për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurrencës i Republikës së Kosovës për vitin 2022,

    38.    Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

    39.    Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale,

    40.    Zgjedhja e një (1) anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës, përfaqësues nga Oda e Avokatëve të Kosovës,

    41.    Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    42.    Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

    III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:

    1.    Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    IV. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

  • Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III

    Nënshkruhet sot marrëveshja Kosovë-Mali i Zi për IPA III

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, do të nënshkruajnë marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

    Nënshkrimi pritet të bëhet në orën 13:30. Pas ceremonisë së nënshkrimit do të mbahet konferencë për media.

    Kurse, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të mbajë konferencën përfundimtare të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA II për Malin e Zi-Kosovë 2014-2020. Do të marrin pjesë ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq.