ATV

Tag: Ballina

  • Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

    Vendimi i PE-së “atak jashtëzakonisht i rëndë ndaj Kosovës”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria vijon të kundërshtojë vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese Serbe, në të cilat komunat e Kosovës paraqiten si pjesë e Serbisë.

    Akti i cili do të dërgohet për miratim përfundimtar në Këshillin e BE-së, sipas Qeverisë, shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

    Duke e quajtur precedent të rrezikshëm, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, theksoi se vendimi dëmton procesin e integrimit të komunitetit serb.

    “Ka pasur një interesim të jashtëzakonshëm të komunitetit serb që të pajisen me dokumente personale të shtetit të tyre, të shtetin tonë, Republikës së Kosovës. Prandaj, vendimi për të cilin po flasim, nga BE-ja për mundësim të lëvizjes së lirë, pa regjim vizash, edhe për pasaportat e Serbisë të lëshuara për qytetarët serbë në emër të komunave të Kosovës shënon një prapakthim në këtë proces”, tha Vokrri.

    Pasi e vlerësoi të palogjikshëm dhe të dëmshëm për shtetësinë, profesori Dritëro Arifi theksoi se vendimi vjen edhe në kohë të gabuar, kur komuniteti serb nisi që më masivisht të pajisej me pasaporta të Kosovës.

    “Në mënyrë të drejtpërdrejtë po e dëmtojnë shtetin e Kosovës dhe në fund vetë pasaportën e Kosovës, pra vlerën që i jep institucioni. Në këtë fakt, serbët më nuk kanë nevojë të nxjerrin pasaporta të Kosovës, sepse në njëfarë mënyre BE-ja ua ka bërë të qartë se e pranojnë edhe si Kosovë dhe Metohi. Pra, është një atak jashtëzakonisht i rëndë për Republikën e Kosovës, për formën që është bërë, sepse ato janë institucione ilegale të cilat nuk e kontrollojnë këtë territor”, tha Arifi.

    Proces të mirë e vlerësoi vendimmarrjen e së martës aktivisti i shoqërisë civile, Dusan Radakovic, i cili si problem përmendi vetëm faktin se me të ashtuquajturën pasaportë koordinuese nuk mund të udhëtohet nga Prishtina.

    “Po, mendoj se ka prej atyre që nuk pajtohen me këtë. Unë personalisht kam dy pasaporta, kam edhe pasaportën e Kosovës. Është mirë që Kosova mori liberalizimin e vizave për Evropë, por ka shumë njerëz që nuk kanë mundësi të marrin pasaportë të Kosovës për shkaqe të ndryshme dhe në mes të kësaj është shumë keq që, për probleme administrative, dikujt t’i mohohet mundësia e udhëtimit… Mendoj se hapi i radhës duhet të jetë të udhëtohet nga Beogradi me pasaportë të Kosovës, dhe nga Prishtina me pasaportë të Serbisë, dhe përfundimisht të krijohet një linjë fluturimi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, tha Radakovic.

    Sipas Bashkimit Evropian, rreth 18 mijë qytetarë të komunitetit serb në Kosovë posedojnë pasaporta të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori koordinuese serbe.

    Poseduesit e pasaportave të tilla nuk mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen, përkundër se BE-ja ia liberalizoi vizat Serbisë më 2009.

    Ditë më parë, BE-ja vlerësoi se integrimi i komunitetit serb në Kosovë është thelbësor në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

  • Kurti e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë ndaj serbëve

    Kurti e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë ndaj serbëve

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti falënderoi presidentin francez dhe Republikën e Francës për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

    Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin mbi bazën e performancës dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore.

    Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

    Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

    Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi dje një bisedë telefonike me Presidentin e Republikës së Francës, Emmanuel Macron.

    Gjatë kësaj bisede, kryeministri Kurti falënderoi presidentin francez dhe Republikën e Francës për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës.

    Më tej, kryeministri shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit. Ai theksoi se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin mbi bazën e performancës dhe arritjeve në zhvillimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe linjëzimit të saj me vlerat dhe politikat perëndimore.

    Sa i përket temës së procesit të dialogut në Bruksel dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti insistoi në respektimin dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe aneksit të saj të 18 marsit.

    Në këtë telefonatë, kryeministri Kurti me presidentin Macron ngriti edhe çështjen e mungesës së dënimit të autorëve të sulmit paramilitar dhe terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar, në krye me Millan Radoiçiq i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pavarësisht dëshmive të qarta dhe pranimit të fajësisë për organizimin dhe përfshirjen në sulmin ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës.

    Ai po ashtu e njoftoi presidentin Macron për presionin, frikësimin dhe shantazhet e vazhdueshme që Qeveria e Serbisë po i bën qytetarëve të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, gjë që u reflektua dhe me numër të ulët të pjesëmarrjes në procesin e votimit të 21 prillit në katër komunat në veri të vendit.

  • Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i KEK-ut liron nga detyra Nagip Krasniqin

    Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të mërkurën ka marrë vendim që ta lirojë nga detyre ish-kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

    Në njoftimin e KEK-ut bëhet e ditur se shumë shpejt do të iniciohen procedura për shpalljen e konkursit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të kësaj korporate.

    Krasniqi ishte arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij.

    Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”. Në shtator, ishte liruar nga paraburgimi, por iu ndalua t’i afrohej objektit të KEK-ut në 50 metra.

    Krasniqi më 25 prill 2023 ishte pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.

  • Parlamenti Evropian miraton planin prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor

    Parlamenti Evropian miraton planin prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor

    Parlamenti Evropian e ka miratuar të mërkurën planin për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, në seancën e parafundit të saj para zgjedhjeve të reja në BE në qershor.

    Kjo është një prej paketave më ambicioze të Bashkimi Evropian për ta ndihmuar rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që ato të ecin përpara më shpejt drejt integrimit të plotë në bllok.

    Tani, pasi Parlamenti Evropian e miratoi paketën, ajo duhet të formalizohet edhe nga Këshilli i BE-së. Pas kësaj, mund të fillojnë pagesat e para për përfituesit.

    Paketa përmban 6 miliardë euro, prej të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i marrin 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro në formën e kredive të favorshme.

    Sipas marrëveshjes mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së, e cila është përfshirë në tekstin e rezolutës së sotme në Parlament, për të përfituar nga kjo ndihmë financiare, vendet e rajonit duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.

    Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të garantuar se mjetet nuk do të keqpërdoren.

    Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, ka edhe kritere të natyrës politike.

    Për Kosovën dhe Serbinë parakusht tjetër do të jetë angazhimi konstruktiv në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Vlerësimet se a e përmbushin apo jo këtë kriter Kosova apo Serbia do ta japë Komisioni Evropian, i cili – i ndihmuar nga Shërbimit i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), që edhe luan rolin kryesor në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – do të vlerësojë në fund nëse Kosova dhe Serbia e kanë plotësuar këtë parakusht.

    Parlamenti Evropian, edhe përmes vendimit të sotëm, kërkon nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i përshtatin politikat e tyre të jashtme me vendimet e BE-së, përfshirë edhe me sanksionet kundër Rusisë. Por, gjatë negociatave me Këshillin ka pasur mospajtime nëse ky duhet të jetë kusht specifik apo jo për pagesat nga plani evropian për rritje ekonomike.

    Ka dominuar qëndrimi i Komisionit Evropian dhe një numri më të madh të shteteve anëtare se ky nuk duhet të jetë parakusht specifik, por vetëm qëllim i përgjithshëm.

    Vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të përfitojnë nga kjo ndihmë, duhet të kenë plane operative për reforma dhe t’i bashkërendojnë ato me Komisionin Evropian. Në vendimet finale për pagesat do të përfshihen Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së përmes Këshillit.

    Kërkohet edhe transparencë në procesin e prokurimit dhe hetime serioze në rastet e shkeljes së rregullave, apo në rast mashtrimesh. Për rastet e keqpërdorimeve kërkohet të njoftohen Zyra e Prokurorisë Publike të BE-së, dhe Zyra e BE-së për Parandalimin e Mashtrimeve (OLAFD).

    Sipas tekstit të miratuar sot në Parlamentin Evropian, nga përdorimi i mundshëm i këtyre fondeve duhet të përjashtohen entitetet të cilat identifikohen si shkelëse të sanksioneve ndaj Rusisë, apo të cilat ndihmojnë në anashkalimin e tyre.

    Në emër të Parlamentit Evropian, negociatat i kishin udhëhequr Toni Picula dhe Karlo Resler, dy eurodeputetë nga Kroacia, njëri nga radhët e Socialistëve dhe Demokratëve e tjetri nga Partitë Popullore Evropiane. Të dy kanë thënë se kjo paketë ka rëndësi te veçantë dhe mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të krijojnë vende të reja pune, të rrisin ekonominë e tyre dhe të investojnë në programet që janë në përputhje me prioritetet e BE-së, si energjia e pastër dhe zhvillimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

    Parlamenti Evropian ka ngulur këmbë që kjo paketë të jetë e veçantë dhe të mos jetë pjesë e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA), të cilat janë fonde të rregullta të BE-së për vendet e përfshira në procesin e zgjerimit.

    Këto gjashtë miliardë euro shtesë për vendet e Ballkanit do të jenë për periudhën kohore prej vitit 2024 deri në vitin 2027, sa edhe zgjat korniza aktuale shumëvjeçare financiare e Bashkimit Evropian.

    Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se Komisioni Evropian ka ambicie që pagesat e para për vendet e rajonit të Ballkanit nga kjo paketë të bëhet shumë shpejt, qysh në pjesën e dytë të këtij viti. Por, para se kjo të ndodhë duhet të konstatohet se vendet që duan të përfitojnë i kanë përmbushur kushtet për një gjë të tillë. /REL

  • Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre

    Dëshmitari Qeriqi pyetet për takimet me ish-krerët e UÇK-së si dhe për funksionet e tyre

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari  Ramiz Qeriqi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në fillim të seancës, kundërpyetjet për dëshmitarin është duke i parashtruar mbrojtja e Jakup Krasniqit përmes avokatit Aiden Ellis.

    Gjatë përgjigjeve të tij, dëshmitari tha se kishte parë vetëm një herë Jakup Krasniqin në Krojmir, pra zona në të cilën udhëhiqte vetë ai në batalionin e dytë të Brigadës 121, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Qat ditë, tjera ditë se kam pa. Për shkak se ushtarët kur e kanë pyet nuk kanë pas leje deri e kanë pa se kush është, ua kam spjegu. Tjera ditë nuk me kujtohet. Ka mujtë me qenë po se kam pa”, tha dëshmitari.

    Pas kësaj, dëshmitari është pyetur edhe nga prokurorja Silvia D’Ascoli e cila u fokusua tek disa urdhra që pretendohet se janë dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për komandantin e brigadës.

    Dëshmitari tha se nuk i kishte parë asnjëherë këta urdhra mirëpo, kur i kishte prezantuar Fatmir Limajt tek ushtarët, ai tha se ka menduar që po i thotë vetë.

    “Në bazë të dokumentit nuk e ka thanë vetë, por paska marrë urdhra. Unë se kam besu atëherë. Kam mëndu se po e thotë vetë”, tha dëshmitari.

    Pas prokurorisë, pyetje për dëshmitarin pati edhe trupi gjykues i përfaqësuar fillimisht nga Christoph Barthe. Ai e pyeti dëshmitarin se pse anëtarët e LPK-së kanë marrë pozita udhëheqëse në luftë.

    “Këta e kanë udhëheq luftën. E organizuan hyrjen brenda në luftë. Na mundësuan neve me hy. Se di si ta shpjegojë ndryshe më mirë”, u përgjigj dëshmitari Qeriqi.

    Ndërsa, për vetën, ai tha se ka qenë vetëm vullnetar.

    “Kam qenë ni vullnetar, sa kam qenë në Gjermani kam marrë pjesë në tubime informative për UÇK-në, por nuk kam qenë anëtarë (LPK)”, tha ai.

    Për Hashim Thaçin, Ramiz Qeriqi tha se nuk i kanë ditur funksionin e tij, por që më vonë e ka kuptuar që ka qenë staf politik në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Nuk i kemi ditë pozicionet e tyre. Por me vonë e kemi kuptu që ka qenë politik në Shtabin e Përgjithshëm dhe ka marrë pjesë në Rambuje. Atë kohë nuk e kemi ditë pozitën e saktë, por mas lufte e kemi kuptu. Për Azem Sylën e kemi ditë që ka qenë komandant i Shtabit të Përgjithshëm”, tha dëshmitari.

    I pyetur se a e kishte parë Thaçin që të jepte urdhra ose udhëzime ndaj anëtarëve të UÇK-së, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë.

    “Jo, jo. Ju, lutem jo. Me përjashtim, atëherë kur ka qenë në Krojmir. Unë nuk kam pas pjesë as me Shtabin e Përgjithshëm as me zonën përveç deri në brigadë”, tha Qeriqi.

    Ndërsa, për takimet rastësore me Thaçin, Qeriqi tha se ka pasur vetëm rroba civile, por që nuk kanë qenë mbledhje

    “S’ka marrë pjesë në mbledhje, por në takimet e rastit që kanë qenë dhe njëherë që ka ardh në Krojmir. Për këto raste, jo në mbledhje”, tha ai duke shtuar se në Krojmir nuk i kujtohet saktë se çfarë ka pasur veshur.

    Se ku e bazon përshkrimin se Selimi ishte kryesori në UÇK gjatë periudhës mars-prill 1998, dëshmitari tha se nga udhëzimi që ia kishte dhënë Azem Syla.

    “Azem  Syla me ka drejtu drejtë tek Rexhep Selimi. Ne, kemi shku aty. E  kam kuptu se e kam marrë udhëzim nga Azem Syla tek Rexhep Selimi dhe pastaj jemi nda ku na kanë qu, prandaj, e kam ditë që ishte 1-shi. Unë jam drejtu në bazë të asaj që me ka drejtu Azem Syla tek Rexhep Selimi. Unë e kam ditë që ai është një udhëheqës që me u drejtu të Rexha që pastaj ai me na nda. Unë se kam ditë pozitën e tij”, tha dëshmitari.

    Ndërsa, për Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limajt, tha se rolin e tyre e ka kuptuar përmes asaj që ishte bërë publike në media.

    “Përmes mediave, përmes publikut kur ka dal me fol vetë. Kur kanë fol tjerët dhe përmes mediave se unë se kam taku.  (Për Fatmir Limajn) Si anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm, tjetër s’kam degju. Nuk e di për pozitë, tamam se di…Kam thanë që e ka pozitën me të lartë se unë. Unë i kam raportu atij e ai me ka thanë me raporton mua e unë në Likoc”, tha Qeriqi duke shtuar se kur flitej për Likocin bëhej fjalë për institucion dhe jo individë.

    Për Kadri Veselin, dëshmitari  tha se është takuar vetëm njëherë në Krojmir gjatë periudhës maj-qershor 1998 dhe se bashku kanë kriju pozicione mbrojtëse kundër forcave serbe.

    “Ka qenë vetëm në vizitë atëherë Kadria dhe jam kanë tu i ba pozicionet, tu i gjetë, me ka ndihmu ku me i ba pozicionet. Kemi bisedu dhe kemi vendos dhe e kam përmend që kemi pas sukses prej atyre pozicioneve”, tha ai duke shtuar se në atë kohë flitej se Veseli ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm.

    Për me vonë, Ramiz Qeriqi tha se ka mëndu që Kadri Veseli ka qenë në shërbimin informativ të UÇK-së.

    “Ma vonë kemi mëndu që ka qenë në shërbim informativ, aty a ku ta di. Në atë kohë, jo se kam ditë…Siç kam thanë edhe këtu, mbas luftës kam mëndu se ka qenë në atë pozitë. Atë kohë, se kam ditë”, tha dëshmitari.

    Duke u kthyer sërish tek Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, dëshmitari tha se ia ka dhënë një “Mercedes” në fund të 1998 që të lenin përshtypje të mira kur të dilnin në publik.

    “Nuk e di mujn e saktë, 98-ën është. Mund të jetë shtator-tetor mund të jetë. Këtë makinë ma ka dhënë dhuratë një qytetarë i fshatit Caralevë, në pension është. Në atë kohë nuk ka qenë personale e imja se e ka dhënë në emër të luftës. Kanë mujtë me e marrë kerrin edhe pa me pyet mua edhe pa urdhër. Ka qenë makinë e mirë në atë kohë. Kam thënë që ia kam dhënë se ka qenë dhuratë nga një bashkëqytetarë”, tha ai.

    Sipas tij, nga mediat e ka kuptuar që pozita e Jakup Krasniqit ka qenë si zëdhënës i UÇK-së në Shtabin e Përgjithshëm.

    “Kur kanë dal publike nëpër media e kam kuptu. Për Jakupin e di që zëdhënës ka qenë, për Fatmirin se kam ditë kurrë çfarë pozite ka pas. Vetëm ato publike se nuk di më shumë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka njohuri nëse kishte ndonjë pozicion tjetër përfshirë edhe pozitën si zëvdëskomandant”, tha ai.

    Ndryshe, dëshmitari ka filluar dëshminë të hënën më 22 prill, ku sipas prokurorisë ka qenë komandant i batalionit të dytë në Brigadën 121 në Zonën e Pashtrikut.

    Vlen të theksohet se gjatë transmetimit ka pasur vazhdimisht probleme teknike gjatë paradites së sotme.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Osmani pas votimit: Qytetarët kanë 2 opsione, integrim apo izolim

    Osmani pas votimit: Qytetarët kanë 2 opsione, integrim apo izolim

    Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka hedhur votën e tij nën shoqërimin e gruas së tij.

    Në një deklaratë para mediave, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më të madh dhe të votojnë sipas bindjes së tyre.

    “Uroj sot zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Inkurajoj qytetarët të dalin në numër sa më të madh, të votojnë sipas bindjes së tyre, vullnetit të tyre. Të votojnë me qëllim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Osmani.

  • Osmani: Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën, vazhdimisht bëhen planifikime të tilla

    Osmani: Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën, vazhdimisht bëhen planifikime të tilla

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë e Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën.

    Sipas saj, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë janë të vazhdueshme.

    “Një gjë e tillë do të tentohet sërish nga Serbia, sepse vazhdimisht bëhen planifikime të tilla, por jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm”, ka thënë Osmani për Zërin e Amerikës.

    Osmani ndër tjera ka përmendur edhe bojkotimin e procesit të votimit në veri, duke thënë se u bë me presion direkt nga ana e Beogradit.

    Sipas saj, një situatë e tillë është shqetësuese dhe mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë.

    “Natyrisht që na shqetëson, sepse vërtet Kosova vazhdimisht ka treguar gatishmëri të plotë që t’i ofrojë qytetarëve të saj jo vetëm mbrojtje kushtetuese, por edhe instrumente të reja në qoftë se dëshirojnë t’i ndryshojnë kryetarët e komunave”.

    Por shqetësimi kryesor sipas Osmanit, është presioni i vazhdueshëm që bëhet mbi qytetarët nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit.

    “Kjo tregon nga njëra anë interferim ilegal në zgjedhjet e një shteti tjetër nga ana e Serbisë dhe e dyta që Serbia mbetet po e njëjta dhe si qëllim parësor ka pengimin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, pavarësisht dialogut që ka zgjatur prej 12 vitesh dhe pavarësisht obligimit të tyre ndërkombëtar me po marrëveshjen e 2013, të cilën po e kërkojnë, ku kërkohet që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të zhbëhen të gjitha strukturat ilegale. Pra është situatë shqetësuese të cilën e ka krijuar Serbia dhe që mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë”,, ka thënë Osmani.

  • Arrestohet një e dyshuar, tentoi të fuste substancë narkotike në burgun e Dubravës

    Arrestohet një e dyshuar, tentoi të fuste substancë narkotike në burgun e Dubravës

    Është arrestuar një e dyshuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë, sepse e njëjta ka tentuar të fusë brenda burgut një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

    Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara është dërguar në mbajtje.

    “Q. Korrektuese, Dubravë, Istog 23.04.2024-13:12. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare pasi që e njëjta ka tentuar të fusë brenda burgut një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë e cila është sekuestruar dhe pas matjes ka rezultuar të jetë në peshë prej 51 gram. Me vendim të prokurorit pas intervistimit e dyshuara dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

  • PDK-ja mban sot konferencë për media

    PDK-ja mban sot konferencë për media

    Partia Demokratike e Kosovës mban sot konferencë për media.

    Konferenca mbahet duke filluar nga ora 12:00 në Selinë Qendrore të kësaj partie.

    Ndryshe nga kjo parti nuk kanë bërë të ditur arsyeje e kësaj konference.

  • Sot mbahen zgjedhjet për president në Maqedoni të Veriut, në garë shtatë kandidatë

    Sot mbahen zgjedhjet për president në Maqedoni të Veriut, në garë shtatë kandidatë

    Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të votojnë në zgjedhjet e shtata me radhë, për president shteti.

    Kujtojmë se presidenti i parë, Kiro Gligorov, u zgjodh në seancë parlamentare më 27 janar 1991, kur Maqedonia u krijua si shtet i pavarur.

    Për Zgjedhjet Presidenciale që do të mbahen sot (24 prill 2024), numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën zgjedhore është 1.814.317.

    Zgjedhjet e fundit presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj 2019, në të cilat Stevo Pendarovski fitoi me 435.656 vota ose 53,59 për qind të numrit të votuesve që dolën dhe votuan në rrethin e dytë.

    Ai kandidoi edhe në këto zgjedhje, ndërsa përkrah tij janë Gordana Siljanovska, Stevço Jakimovski, Bujar Osmani, Biljana Vankovska, Arben Taravari dhe Maxim Dimitrievski./Alsatm