ATV

Tag: Ballina

  • Zyrtare: Marrëveshja me Kosovën, kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

    Zyrtare: Marrëveshja me Kosovën, kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përfundimisht, 13 muaj pas dakordimit në Ohër, Bashkimi Evropian kushtëzoi rrugën e anëtarësimit të Serbisë me zbatimin e marrëveshjes bazë dhe shtojcës me Kosovën.

    Në mbledhjen e së hënës, Këshilli për Punë të Jashtme i bllokut 27-anëtarësh miratoi ndryshimet në Kapitullin 35 të negociatave me shtetin fqinj.

    “Ndryshimet (në Kapitullin 35) janë miratuar sot nga Këshilli për Punë të Jashtme. Përditësimi do t’i transmetohet Serbisë nëpërmjet një letre. Dokumenti nuk është bërë publik”, tha Liss Jaansalu nga Këshilli i BE-së.

    Referuar Shtojcës së Ohrit, BE-ja konfirmoi se obligimi i njëjtë do të zyrtarizohet së shpejti edhe për Kosovën.

    “Ne mirëpresim vendimin e sotëm të Këshillit për përditësimin e kritereve, duke përshirë marrëveshjen në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim me Serbinë. Në këtë kontekst, do të përditësohet edhe agjenda e mbledhjes së radhës të Grupit Special të Normalizimit për Kosovën. Ne presim që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen dhe të gjitha detyrimet e tjera të dialogut të mbetura pezull – pasi kjo është çelës për rrugët përkatëse evropiane”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Këtë vendim, hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, e vlerësoi formë detyrimi në mungesë të vullnetit të palëve për zbatim të obligimeve.

    “Kosova dhe as Serbia nuk mund t’i ikin në asnjë moment marrëveshjeve për të cilat janë dakorduar, veçanërisht në Ohër dhe në Bruksel. Kjo është parë sot me kushtëzimin e Serbisë për Kapitullin 35. Ndërkohë edhe për Kosovën do të jenë detyrime të reja. Nuk do të duhej obligimet të cilat i ke marrë përsipër vetë t’i zbatosh, të detyrohesh të zbatohen në rrugë të tjera, në atë që quhet rrugë drejt BE-së”, tha Jakaj.

    Dokumenti për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan më 18 Mars 2023, në Ohër, saktëson që zbatimi i Marrëveshjes bazë dhe Shtojcës do të bëhet pjesë integrale e procesit të anëtarësimit në BE për të dyja shtetet.

  • Osmani në KS të OKB-së: Terroristët enden të lirë në Serbi

    Osmani në KS të OKB-së: Terroristët enden të lirë në Serbi

    Përgatiti: Armand Hoti

    Së bashku me katër gra të mbijetuara nga krimet e luftës, Presidentja Vjosa Osmani, u paraqit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në fjalën e saj, Presidentja e Kosovës, renditi të bëmat nga Serbia, përfshirë këtu sulmin e Banjskës, kidnapimin e policëve në veri, presionin ndaj serbëve në Kosovë por edhe sulmin ndaj gazetarëve.

    “Përpjekjet nga Serbia për destabilizim janë aktive. E ka eskaluar agresionin fillimisht me kidnapinimin e policëve, sulmin ndaj gazetarëve e sulmin terrorist ndaj Kosovës në shtator. Serbët që ishin integruar në institucionet e Republikës së Kosovës u detyruan të japin dorëheqje për shkak të presionit të ushtruar nga strukturat ilegale të Serbisë. Sulmet ndaj pronave të tyre, shkatërrimi dhe rreziqet për jetën e tyre, me qëllim që t’i detyrojnë ata të largohen nga institucionet e Kosovës, janë skenarë të shpeshtë që thirren ndaj atyre që refuzuan të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës. Pra, po, serbët janë nën presion, por jo nga Qeveria e Kosovës por nga Qeveria e Serbisë”, tha Osmani.

    Veç kësaj, Osmani foli edhe për heroinat që ishin bashkë me të në sallë, se cfarë ato kanë kaluar gjatë luftës.

    “Ata donin ta shkatërronin dhe t’i vrisnin shpresën. Kjo është arsyeja pse ata zgjodhën pa mëshirë një nga mjetet më mizore të luftës – përdhunimin. ‘Do të vuash më shumë nëse të lëmë të jetosh’, i thanë, ndërsa ajo i lutej ta vrisnin”, tha Osmani.

    Mirëpo prezenca e tyre, i pengoi presidentit serb.

    “Keni sjellë njerëz që nuk e kanë vendin këtu në korrin diplomatik apo në ekipin këshilldhënës të zonjës Osmani, është një lloj teatri politik dhe një kurth për delegacionin serb”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentës së Kosovës, e cila tha se të katër gratë janë pjesë e kabinetit të saj.

    Vucic, u ankua se kryeministri Albin Kurti po i diskriminon serbët.

    “Serbia i paraqiti Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithçka që ndodhi, dhunë ligjore, dhunë fizike dhe shënjestrim selektiv të serbëve në Kosovë. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vlerësuan se argumentet dhe ankesat tona të dorëzuara ishin në përputhje me faktet. Lëvizjet e pushtetarëve të Prishtinës prekin të gjithë në mënyrë të barabartë, pavarësisht moshës dhe gjinisë, dhe të gjitha brenda agjendës shoviniste që synon krijimin e Shqipërisë së Madhe”, tha Vucic.

    Këto akuza, i quajti totalisht të rreme presidentja Osmani.

    Delegacionet e shteteve njohëse të Kosovës, deklaruan se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ndërkaq, në raportimin e saj për periudhën kohore 19 shtator- 15 mars, shefja e UNMIK-ut, shprehur të hënën pakënaqësinë e saj për mungesën e përparimit të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në muajt e fundit, drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kryetarët e PDK-së në veri s’e përfillin kërkesën e Kurtit

    Kryetarët e PDK-së në veri s’e përfillin kërkesën e Kurtit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryetarët e katër komunave veriore do të mund ta vazhdojnë mandatin të paktën edhe për një vit.

    Por nga maji i vitit të kaluar kur morën zyrtarisht mandatin, dy nga ta, respektivisht ai i Zubin Potokut e ai i Zveçanit, detyrën e ushtruan në zyra alternative.

    Por tash kur procesi për shkarkimin e tyre dështoi, kryeministri Albin Kurti ua çoi një selam që të dalin në objekte të komunave.

    Por, para kërkesës së kryeministrit, kryetari i Zveçanit Ilir Peci preferon të veprojë në koordinim me ndërkombëtarët.

    “Do të vazhdojmë prej këtu, por të shohim, ne me këshillat e miqve ndërkombëtarë kemi qëndruar këtu dhe me këshillat e tyre do të vendosim se a do të qëndrojmë apo do të shkojmë në objekt zyrtar”, tha Peci.

    Megjithatë, disa zyra tashmë janë aktive në komunën e Zveçanit. Njashtu edhe në atë të Zubin Potokut, por aty mund të shkojë edhe kryetari.

    Izmir Zeqiri tha se fillimisht duhet rinovuar një pjesë të objektit e më pas të vendosen aty.

    “Së shpejti do të jem aty, një pjesë e kabinetit tim gati çdo ditë është aty, qoftë këshilltari apo drejtorët, por së pari duhet të përgatiten zyrat për të funksionuar me tërë stafin. Unë kam mundur të shkoj edhe para një muaji edhe tash por kur të shkoj duhet të jetë teknikisht e gatshme”, tha Zeqiri.

    Zeqiri, Peci, Hetemi e Atici do mund të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të komunave veriore, të paktën dhe për 12 muaj, pasi nisma për shkarkimin e tyre nga detyra dështoi të dielën meqë nuk u mblodhën votat e mjaftueshme.

  • ASK: Mbi gjysmë milioni banorë rezidentë janë regjistruar deri tash

    ASK: Mbi gjysmë milioni banorë rezidentë janë regjistruar deri tash

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për 17 ditë, zyrtarët e Agjencisë së Statistikave i kanë regjistruar mbi 530 mijë banorë rezidentë në Kosovë.

    Sipas ASK-së, që organizoi konferencë të hënën, në këto shifra hyjnë edhe qytetarë të komunitetit serb, në komunat veriore të vendit.

    “Deri më tani procesi ka kaluar sipas planit dhe parashikimeve që kemi bërë që në fillim. Deri dje janë regjistruar mbi 530 mijë qytetarë në Kosovë, janë regjistruar mbi 36 për qind e objekteve që janë në Kosovë. Nuk kemi sfida madhore ne terren. Regjistruesit tani kanë arritur atë kuotën që kemi parashikuar, nëse vazhdon kështu”, tha u.d. i kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati.

    Nëse regjistrimi vazhdon sipas kësaj dinamike, sipas Kastratit, nuk do të ketë nevojë për shtyrje të afatit.

    Por, që ky proces të shkojë edhe më mirë, drejtori i ASK-së, pati një kërkesë për kryetarët e komunave.

    “Të jenë më komunikues dhe të krijojnë bashkëbisedime me banorët e tyre për t’ua treguar rëndësinë e regjistrimit…”, tha Kastrati.

    Kryeshefi u përgjigj edhe në pyetjet rreth ankesave për formularin e regjistrimit, ku veçoi atë për përkatësinë fetare.

    Ndërsa, sa i përket diasporës, u tha se janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë.

    “Deri tani nga java e kaluar kemi filluar me një intensitet për platformën për diasporën. Në kuadër të platformës mund të gjeni dhe pyetjet më të shpeshta. Kjo platformë na jep një pasqyrë se ku gjenden bashkatdhetarët tanë. Deri më tani, 180 mijë pjesëtarë të diasporës janë regjistruar dhe mbi 50 mijë direkt në platformën e-diaspora”, tha zv. ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.

    Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

  • Osmani e përball Vuçiqin me të mbijetuarat e luftës: I strehoi dhe mbrojti ata që kryen krime në Kosovë

    Osmani e përball Vuçiqin me të mbijetuarat e luftës: I strehoi dhe mbrojti ata që kryen krime në Kosovë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se presidenti serb, Alexandar Vuçiq ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë.

    Vëmendje të madhe në fjalimin e saj rroku historia e Elhame Muçollit, të mbijetuarës së masakrës së Poklekut, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Pjesë nga fjalimi i presidentes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së:

    Pesë ditë më parë, shënuam 25-vjetorin e një prej masakrave më të rënda dhe çnjerëzore nga regjimi i Millosheviqit. Elhame Muçolli, që po më shoqëron sot mua në këtë takim, ishte vetëm 14-vjeçare kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. 53 civilë – shumica fëmijë – ishin vrarë pasi ishin tubuar në një dhomë. Teksa policia u largua për t’u rifurnizuar, Elhamja ia doli të kërcente nga dritarja dhe të ikte, ani pse ishte e plagosur nga pëlumbat. Shkurt pas kësaj, policia u kthye e furnizuar me benzinë duke ua vënë flakën të gjithë 53 civilëve.

    Elhamja kurrë nuk ia doli të harronte piskamën shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po bëheshin shkrumb e hi. Dhe sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, policia ua vuri flakën përsëri e përsëri. Fëmijë të vegjël, më të vegjlit 6 dhe 10 muajsh, ishin djegur në përpjekje për t’i shfarosur nga faqja e dheut veç pse ishin shqiptar; sepse i përkisnin etnisë tjetër nga ajo e policisë dhe ushtrisë.

    Shkalla e djegjes së trupave ishte aq e rëndë sa anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbet pak nga më të dashurit e tyre, sa të mund t’i vendosnin 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial është ngritur në kujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi krejt kjo, por asnjë politikan serb – as edhe një, nuk erdhi për t’u gjunjëzuar para varrit të këtyre fëmijëve të vegjël. Dhe të mendos se masakrat e këtyre përmasave u krhyen në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende gjallë dhe po vazhdon në Beograd.

    Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiqit dhe ta lejoni ta shtyjë përpara revizionizmin e tij historik të bazuar në skenarin e Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është në mohim të vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; asnjëherë duke mos kërkuar falje apo duke shfaqur shenja pendimi. Kurrë!

    Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat tjera nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviqi dhe ministri ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot i ulur në karrigen e Presidentit, jo vetëm që kërkonin t’i shfarosnin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por donin t’i zhduknin edhe proavet dhe të mos kishte dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan pareshtur. Elhamja mbijetoi për t’i treguar botës historinë e familjes dhe kombit të saj. Pavarësisht se humbi nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe shumë kushërinj gjatë kësaj masakre, ajo ësht kthyer në mishërim të vërtetë të qëndresës dhe forcës dhe në mbrojtëse të palëkundur e së vërtetës dhe luftës për drejtësi.

    Teksa ajo është e ulur këtu me mua, duke kërkuar asgjë tjetër përveç drejtësisë, Vuçiqi, i ulur atje, ende ofron strehim, mbrojtje, promovim, për njësitë speciale të policisë dhe brigadën e ushtrisë që kreu krimet kundër familjes së Elhamës. Në rastin e TPNJ-së Shainoviq et al, u konfirmua se Detashmenti 86 i njësisë speciale të policisë serbe, ishte i pranishëm në Poklek në ditën e krimit, së bashku me brigadën e 15 të blinduar dhe brigadën e 37-të të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. U identifikuan përgjegjësit, përfshirë ish-komandantin e detashmentit 86, Dragan Obradoviq. Megjithatë, këta përgjegjës kurrë nuk u gjykuan. Krejt e kundërta, atyre u dhanë punë dhe nderime të rangut më të lartë.

  • Nis seanca për Kosovën në OKB, marrin pjesë Osmani dhe katër gra heroina nga Kosova

    Nis seanca për Kosovën në OKB, marrin pjesë Osmani dhe katër gra heroina nga Kosova

    Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) ka nisur mbledhjen ku do të raportohet për zhvillimet e fundit në Kosovë.

    Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani, kurse Serbia nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

    Po ashtu, në këtë takim do të prezantohet raporti i rregullt gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut.

    Sipas një njoftimi të presidencës së Kosovës, Osmani ditën e shtunë ka udhëtuar për në Amerikë.

    Gjatë ditës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se në ShBA gjendet bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, kjo për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Para ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Osmani krah grave heroina, tha se në këtë mbledhje do të sigurohen që të dëgjohet zëri i qytetarëve të Kosovës, të dëshmojnë se si Kosova vërtetë është storje suksesi përkundër përballimit të dhimbjeve të shumta dhe sakrificave të jashtëzakonshme.

  • Mira Murati dhe Lulzim Tafa zgjidhen anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Mira Murati dhe Lulzim Tafa zgjidhen anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

    Asambleja e Përgjithshme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i ka zgjedhur sot anëtarë të jashtëm të kësaj akademie Mira Muratin, Kryeshefe në OpenAI dhe Lulzim Tafën, poet i mirënjohur nga Kosova.

    Mira Murati, është një nga shqiptaret më me ndikim në fushën e teknologjisë, e cila u bë e njohur për publikun botëror për rolin e saj në inteligjencën artificiale (AI) dhe sukseset e arritura në fushën e teknologjisë, si kryeshefe në OpenAI.

    Ndërsa, poeti Lulzim Tafa, është i njohur për artin e tij, si njëri ndër poetët shqiptarë më të përkthyer në botë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare për letërsi, ndërsa mban shumë tituj nderi në akademi e universitete botërore. Së fundmi, Lulzim Tafa, u dekorua edhe nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhërit Kombëtar të Letrave dhe Arteve”, që është dekorata më e lartë të cilën shteti francez e ndan në fushën artit dhe letërsisë.

    Krahas, Mira Muratit e Lulzim Tafës, në Asamblenë e Përgjithshme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtarë të saj u zgjodhën edhe Lea Ypi, Gëzim Alpio dhe Angjelin Perljucaj.

  • Osmani para takimit të Këshillit të Sigurimit: E vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet

    Osmani para takimit të Këshillit të Sigurimit: E vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, para takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Këshillin e Sigurimit ka thënë se e vërteta do të dëgjohet dhe do të mbrohet.

    Përmes një video-live të publikuar në Facebook, Osmani shihet me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin, raporton Ekonomia Online.

    “Para takimit të Këshillit të Sigurimit, bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin dhe Shyrete Tairin, për t’u siguruar që e vërteta do të dëgjohet dhe e vërteta do të mbrohet! Na ndiqni sot drejtpërdrejt nga ora 16:00 (me kohë të Kosovës)”, ka thënë Osmani.

  • BE me vendim zyrtar: S’ka integrime për Serbinë pa normalizim me Kosovën

    BE me vendim zyrtar: S’ka integrime për Serbinë pa normalizim me Kosovën

    Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian (BE) e ka miratuar sot vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, Kosovën.

    Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.

    Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

    Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

    Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta miratuar ato, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.

    “Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse, se Marrëveshja për normalizimin [e marrëdhënieve] do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre të integrimeve evropiane. Zbatimi i Aneksit të arritur në mars të vitit 2023 reflekton këtë obligim të të dyja palëve”, tha Stano.

    Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

    “Agjenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”, shtoi ai.

    Pajtimin për këto ndryshime e kishin arritur ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së javën e kaluar.

    Ky ndryshim ishte kërkuar për të përfshirë edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i Serbisë me Kosovën si kusht në kuadër të kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit qysh kur ishte arritur marrëveshja para një viti.

    Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por tani në mënyrë specifike përmendet kushti i zbatimit të marrëveshjes të arritur vitin e kaluar.

    Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    BE-ja insiston se marrëveshja dhe aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet.

    Serbia përmes zyrtarëve të saj disa herë ka thënë se ajo nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. /REL/

  • ​Kurti i bën thirrje pakicave që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

    ​Kurti i bën thirrje pakicave që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komunitetit joshumicë që të mos ngurrojnë por t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, pasi nuk është thjesht një ushtrim burokratik, por është mekanizëm përmes të cilit ne formohen politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë.

    Sipas tij, regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për shtetin tonë.

    “Pjesëmarrja e secilit nuk është thjesht një shënim statistikor; është një deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Regjistrimi i popullsisë nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Në bazë të tij bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore”, tha ai.

    Sipas tij, regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë.

    “Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë. Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona. Regjistruesit do të vijnë derë më derë. Mirëprisni ata si mikpritës të mirë që jeni. Komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit tonë. Shoqëria jonë është e pasur sepse ju jeni pjesë e saj. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni”, tha ai.

    Përndryshe, Agjencia e Statistika të Kosovës ka njoftuar se deri në ditën e djeshme janë regjistruar 530 mijë qytetarë në procesin e Regjistrimit të Popullsisë. Po ashtu, mbi 36% e objekteve që janë në Kosovë janë regjistruar. Ndërsa, nga diaspora janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë dhe mbi 50 mijë përmes platformës e-diaspora. Në Kosovë procesi i regjistrimit do të zgjasë deri më 17 maj.