ATV

Tag: Ballina

  • Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Dështon sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në seancën e së enjtes në rend dite ishin planifikuar 20 pika.

    Mirëpo, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi të shtohet edhe një pikë tjetër, për të diskutuar për gjetjet e raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Kosovën.

    Megjithatë, një gjë e tillë u pamundësua. Partia në pushtet votoi kundër ndryshimit të rendit të ditës.

    Pjesë e seancës ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    “Janë diku rreth 300 milionë euro vlerë në marrëveshjet ndërkombëtare që po presin dritën e gjelbër, ratifikimin nga ky kuvend. E di që disa subjekte dhe grupe parlamentare kanë shprehur mbështetjen, mirëpo kisha kërkuar dhe ju kisha lutur që si kuvend ta kryeni obligimin në mënyrë që të mundësohet përdorimi i këtyre mjeteve”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati.

    As këtë herë, pushteti nuk arriti ta bindë opozitën të votojë pro këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Madje, ata lëshuan edhe sallën.

    Ndërkohë, shumë nga pyetjet parlamentare mbetën pa përgjigje.

    Mirëpo, Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zyrtarët publikë, e po ashtu ka emëruar anëtarin e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit. Me 59 vota është zgjedhur anëtare Batisha Ibrahimi.

    Ndërkaq, shqyrtimi i parë i Projektligjit për provimin e maturës shtetërore ka kaluar në seancë tjetër në mungesë të votave.

  • Distria Krasniqi kampione e Evropës në Xhudo

    Distria Krasniqi kampione e Evropës në Xhudo

    Krenaria e Kosovës, Distria Krasniqi, arriti të sjellë edhe një medalje të artë për Kosovën, kësaj radhe duke triumfuar në Kampionatin Evropian për Senior që po mbahet në Zagreb të Kroacisë, në kategorinë deri në 52 kilogram.

    Jo më kot është e para e botës në kategorinë e saj, dhe këtë e dëshmon në çdo garë që merr pjesë.

    Distria e nisi nga raundi i dytë garën në Kroaci, ku u përball me ukrainasen Anna Borodina, të cilën e mposhti me dy Waza-ari, për të kaluar në çerekfinale.

    Në 1/4 e finales kishte punë me kroaten Ana Viktorija Puljiz, por që krenaria jonë dëshmoi edhe një herë formën fantastike, duke e rrëzuar atë me Ippon në Tatami, për ta fituar ndeshjen.

    Pas fitores ndaj kroatës, Krasniqi siguroi gjysmëfinalen, aty ku u takua me garuesen nga Spanja Ariane Toro Soler, të cilën fillimisht e përplasi në tokë për një Waza-ari, duke e vendosur atë në presion, dhe nga presioni i madh spanjollja mori tre shido, për t’u eliminuar nga gara.

    Me fitoren ndaj Soler, Distria Krasniqi siguroi një medalje për Kosovën, duke arritur në finalen e madhe, ku u përball me italianen Odette Giuffrida, e cila është në vendin e pestë në botë në këtë kategori.

    Përballja finale shkoi në Golden Score, por Distria dominoi gjatë tërë kohës, duke çuar drejt dy ndëshkimeve kundërshtaren e saj në kohën e rregullt.

    Kjo i ndihmoi shumë asaj që me të filluar Golden Score e fitoi ndeshjen me një pikë për t’u shpallur kampione e Evropës në Xhudo, në kategorinë deri në 52 kilogram.

    Për Distria Krasniqin, kjo është medalja e dytë e artë në vitin 2024, pasi kishte fituar në shkurt Paris Grand Slamin, ndërsa në mars mori medaljen e bronztë në Tbilisi Grand Slam.

  • Kandidatja e krahut të djathtë fiton raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

    Kandidatja e krahut të djathtë fiton raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut

    Kandidatja e krahut të djathtë të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova pretendoi një fitore gjithëpërfshirëse në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën -e para në një seri votash që mund të vendosin nëse vendi ballkanik do të bashkohet me Bashkimin Evropian, sipas France24.

    Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor, me 90% të votave të numëruara, Siljanovska-Davkova kishte arritur fitoren me gati 40%.

    Kjo e vendosi atë përpara presidentit Stevo Pendarovski të Socialdemokratëve të qendrës së majtë (SDSM), i cili mori rreth 20% të votave.

    Të dy kandidatët do të përballen në balotazhin e raundit të dytë më 8 maj, por perspektiva është e zymtë për Pendarovski. Po atë ditë do të ketë edhe një votim parlamentar.

    Pjesëmarrja ishte mbi 49%, sipas komisionit zgjedhor, rreth 8 pikë më e lartë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në 2019.

    Rreth 1,8 milion njerëz – duke përfshirë një diasporën e madhe – kishin të drejtë të votonin, ndërsa më shumë se 810 000 banorë votuan në 3 480 qendra votimi anembanë vendit.

    “Është e qartë se ky rezultat është jashtëzakonisht frymëzues për mua”, u tha dje në mbrëmje gazetarëve Siljanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia kryesore opozitare VMRO-DPMNE.

    “Atë që kam premtuar do ta zbatoj në mënyrën time. Ky është fillimi i një epoke të re”, shtoi ajo.

    Pendarovski pranoi se ishte i befasuar nga hendeku i madh.

    “Ne prisnim më pak ‘diferencë’, por nesër është një ditë e re. Ne po fillojmë nga fillimi”, u tha Pendarovski gazetarëve.

    “Detyra ime është të promovoj konceptin në të cilin besoj: një shtet që nuk është i izoluar dhe që është i integruar në Evropë”, shtoi ai.

    Zgjedhjet erdhën mes një përplasjeje 2-vjeçare midis qeverisë dhe opozitës mbi mënyrën se si të veprohet me Bullgarinë fqinje që bllokon rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

    Marrëdhëniet me Bullgarinë janë tensionuar prej disa vitesh për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhët dhe historinë e të dy vendeve.

    Sofja ka refuzuar të mbështesë hapjen e bisedimeve të pranimit midis Shkupit dhe BE-së derisa Maqedonia e Veriut të njohë pakicën e saj të vogël bullgare në kushtetutë.

    Pendarovski dhe LSDM janë të përgatitur të bëjnë amendamentet, por nuk kanë mjaftueshëm vota për të fituar një votim parlamentar.

    Partia VMRO-DPMNE tha se ndryshimet kushtetuese mund të vijnë vetëm pasi Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE, një qëndrim që qeveria thotë se është jorealist./atsh

  • Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Fillon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

    Një takim trepalësh, mes kryenegociatorëve nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, ka filluar të enjten pasdite në Bruksel, ku do të diskutohet për përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje për transferimin e mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.

    Ky është takimi i pestë në Bruksel me pjesëmarrjen e kryenegociatorëve, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviq nga Serbia, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

    Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

    Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik.

    Në takimet e deritashme në Bruksel për këtë çështje janë dhënë disa propozime për gjetjen e një zgjidhje sipas së cilës Serbia do të mund të bënte pagesa për shfrytëzuesit e ndihmës financiare në Kosovë.

    Lajçak tha të martën, dy ditë para takimit të sotëm, se është duke punuar për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.

    Në një përmbledhje të aktiviteteve të tij gjatë javës, ai theksoi se në takimet e fundit me kryenegociatorët kanë arritur ta “ngushtojnë hendekun” lidhur me këtë temë.

    Megjithatë, takimi paraprak javën e kaluar në Bruksel, ku nuk pati fare takim trepalësh, përfundoi pa ndonjë rezultat.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit të 18 prillit se pala serbe nuk kishte ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të BE-së.

    “Ky takim mund të quhet si takim i kotë, pa rezultat, dhe ndoshta si sukses i politikës penguese të palës serbe”, tha Bislimi më 18 prill.

    Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

  • Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Jahir Demaku, të cilët akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile.

    Aktgjykimi ndaj Selimit dhe Demakut u shpall të enjten nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas gjykatësit Arrini, të akuzuarit lirohet nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga PSRK-ja.

    Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku dhe “Drenica 2”.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar me tetë vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Bashkë me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku ishin dënuar me nga shtatë vjet burg, ndërsa me tri vjet burg ishte dënuar Nexhat Demaku.

    Me nga tre vjet burgim ishin dënuar edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demajt dhe Fadil Demakut.

    Në shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit duke vendosur lidhur me ankesat e të akuzuarve kishte nxjerrë aktgjykim, duke vërtetuar në masë të madhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Mitrovicë.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin me një vit burg Sylejman Selimit.

    Gjykata Supreme në korrik të 2017-ës kishte refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të dënuarve, mirëpo, Gjykata Kushtetuese në qershor të 2018-ës, e kishte kthyer rastin në rishqyrtim Gjykatës Supreme.

    E Gjykata Supreme, sërish kishte vendosur të refuzojë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga ana mbrojtësve të të dënuarve.

    Ndryshe, Sylejman Selimi akuzohej për pikën 6 të aktakuzës, kurse Jahir Demaku për pikën 3 të aktakuzës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që parashihet dhe dënohet me nenet 22 dhe 142 të KPRSFJ (që momentalisht penalizohet me nenet 31 dhe 152 të KPRK).

    Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998./BetimipërDrejtësi

  • Numërohen gati 100 për qind të votave, Osmani afro 40 mijë vota më shumë se Taravari

    Numërohen gati 100 për qind të votave, Osmani afro 40 mijë vota më shumë se Taravari

    Pothuajse 100% të votave janë numëruar dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova prin në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të mërkurën. Ajo ka marrë 362.682 vota, apo 40,08%.

    Stevo Pendarovski, presidenti aktual maeqdonas nga LSDM-ja është renditur i dyti me 180.306 vota (19,93%).

    Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kandidat për president nga BDI-ja, partia më e madhe e shqiptarëve atje, ka marrë 120.903 vota (13.36%). Ndërsa kundërkandidati i tij, Arben Taravari nga koalicioni i partive opozitare shqiptare, i mbështetur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris në Kosovë, ka marrë 83.356 vota (9.21%), raporton Gazeta Express.

    Meqenëse askush nuk mori shumicën e votave, dy kandidatët maqedonas, Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski do të garojnë në një rund të dytë votimi më 8 maj.

    Gordana Siljanovska Davkova fitoi në 60 komuna të vendit, Stevo Pendarovski fitoi më së shumti vota në tri komuna, Bujar Osmani në 15, dhe Arben Taravari në një komunë.

    Komunat në të cilat dolën të parët Bujar Osmani e Arben Taravari

    Bujar Osmani ka fituar në Haraçinë (53,51 %), Bogovinë (55,33 %), Vrapçisht (58,02 %), Dibër (49,88 %), Dollnen (32,95 %), Zhelinë (49,45 %), Likovë (56,813 %), Pllasnicë (6,813 %), %), Saraj (55,49 %), Strugë (39,38 %), Studeniçan (50,54 %), Tearcë (41,30 %), Tetovë (37,91 %), Çair (40,65 %) dhe në Shutkë (37,11 %).

    Arben Taravari, ndërkaq, fitoi më së shumti vota vetëm në Gostivar (32,26%), komunën të cilën e udhëheq si kryetar.

    Më 8 maj mbahen zgjedhjet parlamentare në RMV. Të njëjtën ditë mbahet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale ku për shef të shtetit do të garojnë kandidatja e VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, e cila po prin bindshëm në garë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i renditur i dyti.

  • Sot në Bruksel zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut

    Sot në Bruksel zhvillohen takimet e radhës në kuadër të dialogut

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq pritet të takohen sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak.

    Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se sot do mbahet takimi i radhës në Bruksel.

    “Të enjten zhvillohen takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut”, tha ai.

    Ndryshe rundi i fundit i bisedimeve u zhvillua më 18 prill dhe kishte përfunduar pa ndonjë sukses. Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi rregullorja e BQK-së, për përdorim të parasë së gatshme.

    Të martën, emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak shprehu pritshmërinë që bisedimet e së enjtes në Bruksel do të bazohen në ide konkrete.

    “U ktheva në Bruksel për vazhdimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë në lidhje me të ashtuquajturën “çështje dinar”. Diskutuam një zgjidhje të mundshme të përkohshme për qytetarët e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operimin me para të gatshme dhe besoj se ia dolëm ta kalojmë pengesën e madhe. Në të njëjtën kohë, disa dallime mbeten dhe për këtë arsye do të pres sërish dy kryenegociatorët në Bruksel dhe pres që bisedimet tona të bazohen në ide shumë konkrete, të cilat do të na mundësonin të ecim përpara në interes të popullit”, shkroi Lajçak në Facebook në një përmbledhje që i bëri angazhimit javor.

  • 9 muaj nga miratimi, ligji për çmimin e produkteve medicinale ende s’po zbatohet

    9 muaj nga miratimi, ligji për çmimin e produkteve medicinale ende s’po zbatohet

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Për produktin e njëjtë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmime të ndryshme nëpër barnatore.

    Ndonëse, ligji për çmimin e produkteve medicinale që nivelon çmimin e barnave, ka kaluar në Kuvend në korrik të vitit të kaluar, ai ende nuk po zbatohet në praktikë.

    Kësisoj farmacitë vazhdojnë të shesin barna me çmimet që i vendosin vetë ata.

    Vetë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se po bëjnë punë të madhe, në ditën kur ai kaloi në qeveri, në mars të vitit të kaluar.

    Por, nga Ministria që ai udhëheq nuk treguan për arsyet e moszbatimit të këtij ligji, as nëntë muaj pas plotfuqishmërisë së tij. Megjithatë, pak detaje për këtë dha Oda e Farmacistëve.

    “Ky ligj është planifikuar të zbatohet në muajin janar të këtij viti, por për disa probleme teknike ka filluar në muajin prill, pra tani ka filluar procedura e aplikimit për të gjitha produktet që kanë autorizim marketingu, apo produktet që janë të regjistruara në agjencinë për produktet dhe pajisjet medicinale”, tha zv.drejtori i Odës së Farmacistëve, Astrit Haxhijaha.

    Pasi tha se e mirëpresin zbatimin e këtij ligji, zv/drejtori i odës, Astit Haxhijaha, tregon për dobitë e këtij ligji në interes të qytetarëve.

    “Do të ketë shumë përparësi, pra në mënyrë direkte do të ndikojë tek ulja e çmimit të barnave që do të ndikojë edhe te pacientët, pastaj do të minimizohen tregtimet e produkteve dhe në mënyrë direkte do të jetë edhe pjesa e konkurrencës profesionale dhe do të eliminohet konkurrenca e pjesës së çmimeve”, tha Haxhijaha.

    Sipas Haxhijahës, për vendosjen e çmimeve për barna do të vendosë një komision, brenda Ministrisë së Shëndetësisë dhe pas asaj çmimet që do të jetë të njëjta në të gjitha barnatoret do të vendosen në banderolë të secilit produkt.

  • Hovenier e cilëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien ku u fol për themelimin e Asociacionit

    Hovenier e cilëson produktiv takimin e Kurtit me O’Brien ku u fol për themelimin e Asociacionit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar si produktiv takimin e kryeministrit Albin Kurti me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit, James O’Brien.

    Hovenier tha se ShBA-të presin nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin të gjitha obligimet e marra në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Në takimin që pati me Kurtin, O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

    “Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Diskutova hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, shkroi O’Brien.

  • Raporti i “Freedom House”, Kosova vend pjesërisht i lirë

    Raporti i “Freedom House”, Kosova vend pjesërisht i lirë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Stabiliteti në Qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje që gëzon shumicën në Kuvend, nuk ka ndikuar që të ketë përmirësime të dukshme në funksionimin e brendshëm të shtetit, sipas Freedom House.

    Kështu në fakt nis raporti i organizatës, i cili bazuar në ngjarjet vitit 2023, shtetin e konsideron pjesërisht të lirë me poentim 3.29 nga 7 sa është maksimumi.

    Ky vlerësim sipas shpjegimit në raport, nënkupton që institucionet demokratike janë të brishta dhe ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

    Duke e konsideruar vit të vështirë, në mënyrë kronologjike janë përmendur zhvillimet kryesore, nisur nga takimet në dialogun Kosovë – Serbi, sulmi në Banjskë dhe bojkoti i zgjedhjeve në veri.

    Te paragrafët për korrupsionin, ndër të tjera, Freedom House ka përmendur shkarkimin e një zyrtari të policisë për shkak të hetimeve ndaj Martin Berishajt e Nagip Krasniqit.

    “Në korrik, shefi i Njësisë së Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës, Shemsi Haziri, ishte shkarkuar nga pozita e tij, përmes një njoftimi verbal pa arsyetim të detajuar për vendimin. Haziri ishte i njohur për udhëheqjen e hetimeve kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, dhe kundër ish-shefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, të dy të lidhur me Vetëvendosjen. Ky vendim për shkarkimin e kreut të hetimeve të rëndësishme të korrupsionit u konsiderua si shkak për shqetësim, duke dërguar një sinjal negativ në opinion për angazhimin e Kosovës në luftimin e korrupsionit”, thuhet në raport.

    Më së shumti është vlerësuar zhvillimi në shoqërinë civile, me gjithsej 4.75, duke përmendur protestat dhe reagimet posaçërisht pas dënimit ndaj të akuzuarve për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Me 3.75 është poentuar qeverisja demokratike vendore, duke u përmendur qëndrimi i Lulzim Hetemit brenda komunës për muaj të tërë, ndryshimi i ligjit për tatimin në pronë dhe fillimi i faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

    Duke i përmendur 64 sulmet fizike ndaj gazetarëve, gjysma prej të cilave të ndodhura gjatë raportimit në veri, pavarësia e mediave është vlerësuar me 3.25.

    Në fakt, i gjithë poentimi i vitit 2023 përfshirë edhe ata në paragrafët specifikë, është komplet i ngjashëm me atë të vitit 2022.