ATV

Tag: Ballina

  • Shihet si pasues i Lajçakut, Pahor po përgatit një plan për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Shihet si pasues i Lajçakut, Pahor po përgatit një plan për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

    Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili mund ta pasojë Miroslav Lajçakun si emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, po përgatit një draft për vazhdimin e bisedimeve midis dy palëve.

    Në profilin e tij në “X”, Pahor të shtunën ka shkruar se draftin fillimisht do ta harmonizojë me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe vendet anëtare, veçanërisht me ato të QUINT-it.

    Për këtë arsye, siç shkruan Pahor, nuk do t’u përgjigjet kërkesave të gazetarëve për intervista derisa po pret ta marrë rolin drejtues për dialogun Kosovë – Serbi.

  • Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Kurti për Asociacionin: Ahtisaari parasheh një bashkëpunim ndërkomunal, por larg asaj që kërkon Beogradi

    Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Në një intervistë me DW, ai shpjegon se si do ta menaxhojë sfidën aktuale drejt këtij anëtarësimi.

    Në ndërkohë, duke folur për të drejtat e pakicës serbe dhe Asociacionin, ai “i bën me faj” paraardhësit e tij, kryeministrat Hashim Thaçi e Isa Mustafa, për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.

    “Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë.

    DW: Zoti Kryeministër, sa optimist jeni se Kosova do të pranohet në maj në Këshillin e Evropës?

    Albin Kurti: Sipas renditjes së organizatave prestigjioze ndërkombëtare, ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Megjithatë ka ende dyshime, se vendimi do të shtyhet. Çfarë kontributi mund të japë Gjermania konkretisht sipas mendimit tuaj?

    Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës.

    Nga ana tjetër, nga kancelaritë evropiane ju kërkohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Si po e menaxhoni ju këtë presion?

    Ne dëshirojmë të eliminojmë disa skepticizma, që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj, por jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë. Pra, edhe plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë. Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve.

    Gerald Knaus, nga European Stability Initiative, e quan realizimin e Asociacionit në kushtet aktuale të pamundur, sepse mungon dëshira e komunave serbe për ta realizuar. A është kjo që po komunikoni edhe ju në Evropë?

    Zoti Knaus niset nga parimi demokratik se demokracia vjen nga poshtë. Nuk mund t’ua imponosh asociacionin komunave. Çka nëse komunat nuk e duan asociacionin? Pra, mendimi i tij është shumë i shëndoshë, por mendimi i tyre (i pakicës serbe, shën i red.) është ende i panjohur. Pra, ai ka të drejtë në këtë aspekt, por të gjitha këto jemi duke i trajtuar. Besoj që ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës te Kosova e kanë një partner që nuk synon vetëm të përfitojë nga Këshilli i Evropës, por të kontribuojë. Sepse sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, demokracia në Kosovë janë jo vetëm më të mirat në rajon, por edhe më të mira se në disa vende anëtare të Këshillit të Evropës.

    Megjithatë, kërkesa e perëndimorëve për Asociacionin mbetet. A keni ju një draft?

    Unë kam propozuar që ta shkruaj draftin më 18 mars në Ohër, por nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni i komunave me shumicë serbe është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë. Të gjitha këto janë pjesë të diskutimeve që po i bëjmë. Ne e mbështesim raportin e zonjës Dora Bakoyannis, e cila ka qenë ministre e punëve të jashtme të Greqisë, të një shteti që vazhdon të jetë mosnjohës, dhe e cila e ka thënë qartë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka një marrëveshje që po shkelet nga Serbia, nuk duhet të ngatërrohet me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin ne i kemi plotësuar të gjitha parakushtet.

    Një çështje aktuale e trajtuar edhe gjatë javës në Bruksel është ajo e dinarit. Si po e zgjidhni këtë problem?

    Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës, ndërkohë për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet pa kurrfarë pasojash janë duke dialoguar në Bruksel dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve.

    Ju thatë se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon. Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, megjithatë, flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias. Si e komentoni raportin?

    Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull “Freedom House”, nuk citohet “Transparency International”, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova. /DW

  • Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve të luftës në Kosovë

    Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve të luftës në Kosovë

    Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998/99.

    Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.

    Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

    Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.

  • Krerët e shtetit bëjnë homazhe për të pagjeturit e luftës të Kosovës

    Krerët e shtetit bëjnë homazhe për të pagjeturit e luftës të Kosovës

    Në Ditën e të Zhdukurve të luftës së fundit në Kosovë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe zyra e kryeministrit do të bëjnë homazhe për personat e pagjetur ende, dhe do të organizojnë  tubim përkujtimor.

    Duke filluar nga ora 10:00 Osmani bën nderime te memoriali për të Pagjeturit, ndërsa zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën “ 27 Prilli 1999 Mejë”, organizon homazhe pranë përmendores dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Në ora 12:00 e para e shtetit bën homazhe në kompleksin memorial në Meje të Gjakovës si dhe merr pjesë në tubimin përkujtimor, që do ta organizojë zyra e kryeministrit në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, Shoqatën “ 27 Prilli 1999 Mejë”.

  • QKUK-ja siguron skanerin për kancere, mirëpo s’do të përdoret menjëherë

    QKUK-ja siguron skanerin për kancere, mirëpo s’do të përdoret menjëherë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Për herë të parë, Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka siguruar pajisjen për diagnostikim dhe menaxhim të llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të disa sëmundjeve të tjera, të njohur si PET/CT.

    Në ceremoninë e pranimit të kësaj pajisje e cila është donacion nga Arabia Saudite, Presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosovë bëhet një nga shtetet e vetme në rajon, që posedon këtë pajisje në sektorin publik.

    “Sot vërtet është një dite veçantë dhe ditë e suksesshme dhe e jashtëzakonshme për sektorin e shëndetësisë në vendin tonë. Kjo ditë dhe kjo ngjarje në zemër të Prishtinës jo vetëm që shënon një moment kulminant për shërbimin mjekësor që do t’i ofrohet qytetarëve tanë por është edhe një mundësi e rëndësishme që të festojmë partneritet tona që kapërcejnë kufijtë dhe që dëshmojnë ndikimin jashtëzakonisht të rëndësishëm të solidaritetit ndërnjerëzor. Deri më tani qytetarët tanë u është dashur të udhëtojnë në rajon e përtej duke i nënshtruar sfidave të shumta edhe shëndetësore edhe financiare, andaj kjo pajisje e re simbolizon një pik kthesë ku njerëzit tanë mund të marrin kujdesin që nevojitet pikërisht këtu në shtëpi të rrethuar nga familja dhe më të dashurit e tyre”, tha Osmani.

    Me pranimin e kësaj pajisje, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, tani qytetarët nuk do të kenë brengë që të udhëtojnë jashtë Kosove, për të marrë shërbime, të cilat i ofron aparati i njohur si PET/CT.

    “Si ministër i Shëndetësisë nuk ka asgjë me të rëndësishme për mua se sa të sigurojmë gjithë bashkë shërbime të reja cilësore dhe të barabarta për qytetarët e Kosovës, duke ju falënderuar ndihmës së Mbretërisë së Arabisë Saudite. ky donacion do te jetë mundësi dhe shpresë për qytetarët tanë. Janë mbi 300 qytetarë të Republikës Kosovës që brenda vitit kanë shkuar duke kërkuar jashtë vendit për këtë lloj diagnostikimi”, tha Vitia.

    Mirëpo, pavarësisht asaj çka tha ministri Vitia, kjo aparaturë nuk mund të përdoret edhe për një kohë, pasi objekti ku është vendosur aparatura, duhet të marrë leje të veçantë, stafi duhet të trajnohet dhe materiali shpenzues duhet të sigurohet.

    Ndërkaq, kjo pajisje, në vlerë prej 1.5 milion eurosh, është siguruar si donacion, përmes angazhimit të Fondacionit Jahjaga.

    “Ofrimi i këtij shërbimi do të reduktojë edhe ngarkesën financiare të sistemit tonë të shëndetësisë, duke mundësuar që fondet e kursyera të ndahen në fushat e tjera të shëndetit”, tha ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

    “Së bashku me miken time ish presidenten Jahjaga dhe qeverinë e Kosovës që tregon dedikim dhe përkushtim për të qëndruar së bashku për të qëndruar dhe shërbyer njerëzve të Kosovës”, tha mia Bint Majed Saud Alsaud, sekretare e përgjithshme e Alwaleed Philanthropies.

    Aparatura ka arritur në QKUK qysh më 14 shkurt, por nuk është funksionalizuar ende.

    Në anën tjetër, Drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se numri i të prekurve nga kanceri është në rritje.

    “Për tre muajt e parë që ne flasim kemi identifiku ose regjistru në klinikën e Onkologjisë rreth 515 vetë me kancer ose tumore te të rriturit që në krahasim me vitin e kaluar është diku 10 përqind më shumë do të thotë nëse ky trend vazhdon ne do të kalojmë edhe vitin 2023 i cili ka qenë viti me më së shumti raste të regjistruara të tumoreve, ka kapur shifrën e 2 100 pacientëve dhe këtë vit ky numër mund të kemi ndoshta numër edhe më të lartë”, tha Kurtishi.

    Në fund të vitit të shkuar, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë rreth 600 mijë euro për rinovimin e objektit të Onkologjisë në të cilin marrin trajtim pacientët me kancer.

  • Plani i rritjes, qeveria dorëzoi agjendën e reformave, por hesht për projektet

    Plani i rritjes, qeveria dorëzoi agjendën e reformave, por hesht për projektet

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Qeveria vijon të mos jap detaje për listën dhe numrin e projekteve për të cilat synon të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian në vlerë të përgjithshme 6 miliardë euro, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Gjashtë muaj prej kur presidentja e Komisionit Evropian, prezantoi, në Prishtinë, planin që ka qëllim përshpejtimin e zhvillimit e rajonit dhe përafrimin me tregun e BE-së, Qeveria ka dërguar në Bruksel vetëm draft-agjendën finale të reformave.

    “Projektet investive janë ende duke u diskutuar në nivel ndërinstitucional dhe në fazën e dytë është ajo çfarë do të prezantohet tek BE-ja, pra lista indikative e projekteve të cilat do të jenë të lidhura me pesë fushat prioritare të Planit të Rritjes”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zv-kryeministrit Besnik Bislimi.

    Ndryshe nga Kosova, në takimin ministror në Podgoricë, që përkoi me afatin e fundit dorëzimin e agjendës së reformave, qeveria malazeze njoftoi se ka një listë prej 44 projektesh infrastrukturore, për të cilat do të kërkojë mjete financiare.

    Për dallim nga instrumentet tjera të BE-së, Plani i Rritjes nuk parasheh ndarje të barabartë të mjeteve financiare, por bazohet në shpejtësi dhe reforma.

    Referuar shpejtësisë së veprimit të shteteve fqinj, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu tha se Kosova është në situatë më të pavolitshme, si pasojë e neglizhencës, masave ndëshkuese, jo-stabilitetit politik dhe dialogut me Serbinë.

    “Në qoftë se vërtetë nuk do të jemi të gatshëm për normalizim të raporteve me Serbinë, edhe Serbia dhe Kosova në njëfarë forme do të jenë të penalizuara. Por, humbjen më të madhe do të përjetojë Kosova, qoftë në sapektin ekonomik, qoftë në atë politik apo social, mbi të gjitha në atë integrues. Prandaj, besoj që është koha kur duhet të depolitizohet realiteti kosovar, duhet të jetë ekonomia prioritet, sepse me këtë mbështetje eventuale hapet një perspektivë e re”, tha Gërxhaliu.

    Ditë më parë Parlamenti Evropian miratoi këtë plan, ndërsa javë më parë BE-ja i konfirmoi ATV-së se pagesat e para pritet të bëhen në verë.

    Draft-agjenda ka pesë shtylla kryesore ku përfshihen më shumë se 100 aktivitete të cilat duhet të përmbushen ose zbatohen, në më shumë se 30 fusha të ndryshme, deri në vitin 2027.

  • Familjarët e të pagjeturëve, kërkojnë më shumë punë nga institucionet

    Familjarët e të pagjeturëve, kërkojnë më shumë punë nga institucionet

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Janë bërë 25 vjet, prej se Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, jeton me shpresën se një ditë do t’i gjinden eshtrat e djalit të tij dhe mbi 1600 personave të zhdukur gjatë luftës.

    Dhimbja u bë edhe më thellë, kur Çerkini, kujtoi se pas marrëveshjes së 2 Majit në Bruksel, ende nuk është bërë asnjë hap për gërmime në Serbi.

    Sipas tij, të zhdukurit do duhej të ishin kryefjala e të gjitha institucioneve.

    ”Pas 25 viteve nuk po gjendet gjuhë e përbashkët edhe pse është nënshkruar marrëveshje të na zbutet pak dhimbja…”, tha Çerkini.

    Në ditën kombëtare për të zhdukurit gjatë luftës, edhe nga institucioni i Avokatit të Popullit, u rikujtuan detyrimet që ka shteti për ta.

    “Prandaj avokati i popullit i bën thirrje institucioneve vendore dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar, pa kompromis të ushtroj presion për të detyruar autoritet përgjegjëse të ofrojnë të gjithë mbështetjen dhe të dhënat që qojnë tek zbardhja e fatit të personave të zhdukur”, tha Naim Qelaj, avokat i Popullit.

    “13 535 persona të vrarë apo zhdukur, mbi 10 000 prej tyre civilë, 1133 prej tyre fëmijë të vrarë apo të zhdukur. Mbi 1600 persona të zhdukur. Deri në vitin 2021, në varrezat masive në Serbi, janë gjithsej 950 trupa të personave që janë zhdukur në Kosovë”, tha Labinot Sheremeti, këshilltar juridik.

    Ndërsa, Andin Hoti kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur ka treguar për punën dhe angazhimin që janë duke bërë.

    “Mendoj që Kosovës jo vetëm tash por edhe në të kaluarën i nevojitet një dokumentim, një hartim i asaj çka ka ndodh…”, tha Hoti.

    Gjatë vitit 2023 janë gërmuar 15 lokacione në Kosovë, kurse në Serbi, vetëm në Shtavall.

  • Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

    Franca dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për “tanket e së ardhmes”

    Franca dhe Gjermania arritën pajtim për të prodhuar së bashku gjeneratën e re të tankeve luftuese, të pajisura me inteligjencë artificiale dhe teknologji të laserit, tanke që besohet se do të ndryshojnë luftimet.

    Gjatë ceremonisë në Paris më 26 prill, ministrat e Mbrojtjes të Francës dhe Gjermanisë, Sebastien Lecornu dhe Boris Pistorius, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, që parasheh ndarje 50-50 në prodhimin e tankeve të avancuara luftarake që quhen Sistemi Kryesor i Luftimeve Tokësore (MGCS).

    Shtyrja përpara e këtij projekti ndodh në kohën kur Berlini dhe Parisi duan që të tregojnë unitet pas një sërë mosmarrëveshjes lidhur me mënyrën se si të mbështetet Ukraina në luftën e saj kundër Rusisë.

    Më 2017, Gjermania dhe Franca ishin pajtuar që të zhvillonin gjeneratën e re të tankeve luftuese si pasardhës të tankeve franceze, Leclerc, dhe atyre gjermane, Leopard, duke nisur nga viti 2040.

    Por, planet për tanke u përballen me vonesa dhe me rivalitet mes kompanive franceze dhe gjermane, përderisa Berlini dhe Parisi kishin edhe prioritete të ndryshme.

    Në mars, dy ministrat njoftuan në Berlin se ata kanë arritur të zhbllokojnë projektin që kishte ngecur, duke u pajtuar që të ndanin punën mes dy shteteve.

    “Nënshkrimi i sotëm është një arritje e madhe”, tha Pistorius për gazetarët.

    “Kjo nuk ka të bëjë me tanket e së ardhmes, por për të ardhmen e tankeve”, shtoi Lecornu.

    Ky sistem tankesh do të ketë teknologjinë e fundit dhe mund të nxisë një epokë të re të luftimeve tokësore.

    Tanket MGCS nuk janë vetëm autoblinda, por një sistem makinash që mund të manovrohen edhe me telekomandë. Po ashtu, tanket do të pajisen edhe me dronë, por do të përdorin edhe inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e laserëve.

    Me shtetet e tjera që dëshirojnë të kenë teknologji të tillë dhe t’i bashkohen një projekti të tillë, Pistorius tha se projekti do të jetë i hapur për partnerët, por që shtetet tjera duhet të arrijnë marrëveshje kontraktuese me prodhuesit francezë dhe gjermanë. /REL

  • Dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet që thonë se u shkaktoi Ekrem Bajroviq

    Dëshmitarët rrëfejnë për maltretimet që thonë se u shkaktoi Ekrem Bajroviq

    Përgatiti: Nora Luta

    Vetëm pas përfundimit të luftës, Ylber Lipa do të kuptonte për fatin e nënës dhe gjashtë anëtarëve të tjerë të familjes.

    Para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila po gjykon Ekrem Bajroviqin për krime lufte, sipas Lipës në mesin e tyre kishte edhe të mitur qw ishin masakruar e dhunuar seksualisht nga forcat serbe.

    Trupat ishin gjetur të groposur në një pus, e të dokumentuar në foto Lipa ia paraqiti gjykatës.

    Dyshimet rreth përgjegjësisë së vrasjes së familjarëve Lipa thotë se i kanë duke u nisur nga Momir Pantiq, duke mos e përjashtuar të akuzuarin, pasi sipas tij ai zgjodhi të rreshtohet me forcat serbe.

    Ndërkohë për Agron Zogajn, Bajroviq ishte I njohur si person i rrezikshëm.

    52 vjeçari tha se Bajroviqin e njeh që nga viti 1994, por ishte maltertuar fizikisht 4 vjet më vonë në vendin, ku sipas tij kishte parë duke u keqtrajtuar edhe civilë të tjerë.

    Rreth pyetjeve të mbrojtjes se pse e priti vitin 2022 për ta paraqitur në polici dëshminë e tij ndaj Bajroviq, Zogaj pati një përgjigjeje.

    Gjatë kësaj seance ka dëshmuar edhe Ahmet Rexhaj.

    Sipas aktakuzës, Bajroviq, individualisht dhe me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe vranë 16 civilë, e keqtrajtuan qindra të tjerë gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut dhe fshatrave përreth.

  • Von Cramon: Arsyeja për masat e BE-së ndaj Kosovës nuk ekziston më

    Von Cramon: Arsyeja për masat e BE-së ndaj Kosovës nuk ekziston më

    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nuk sheh më arsye që Bashkimi Europian të vazhdojë t’i mbajë në fuqi masat kufizuese ndaj Kosovës.

    Kosova, siç thotë ajo, tashmë e ka bërë pjesën e saj të detyrave për ta shtensionuar situatën në veri.

    “Arsyeja për masat kufizuese nuk ekziston më. Kosova ka bërë pjesën e saj për të depërshkallëzuar situatën në veri që nga maji 2023. Dhe, për më tepër, masat në fuqi nuk janë proporcionale që nga shtatori i vitit të kaluar nga sulmi në Banjskë. Parlamenti Europian ka kërkuar qartë dhe me shumicë dërrmuese heqjen e masave dhe unë personalisht e mbështes heqjen e masave menjëherë”, ka thënë Von Cramon për Kallxo.

    Ajo ka theksuar se topi tash është “në fushën e BE-së”.“Për sa më përket mua, nuk ka asgjë tjetër për t’u bërë nga pala e Kosovës në këtë drejtim- topi tani është në fushën e BE-së”- është shprehur ajo.

    Von Cramon ka konsideruar se “referendumi” i 21 prillit ishte mundësi e mirë për qytetarët serbë që ta rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, mirëpo ata nuk e shfrytëzuan atë.

    “Proceset në veri të Kosovës që nga prilli i kaluar kanë qenë shumë të dhimbshme dhe të dëmshme për besimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe komunitetit lokal serb. Ky referendum ishte mundësia që serbët të rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, por kjo mundësi fatkeqësisht u humb dhe më vjen shumë keq”, tha ajo.

    Pavarësisht që këtë e thonë edhe autoritetet në Kosovë, BE ka deklaruar se rezultati i procesit të votimit më 21.04.2024, në katër komunat në veri të Kosovës, nuk kontribuon në uljen e tensioneve.

    BE-ja ka theksuar se ai proces nuk ka ndihmuar në hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, “çka është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve”.

    BE ka theksuar se shpreh keqardhje që serbët nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës për t’i zgjedhur kryetarët.

    “BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës nuk e shfrytëzuan mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”,ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Pa dhënë detaje për kohën, Stano ka thënë se Këshilli do të diskutojë për masat ndeshkuese të vendosura ndaj Kosovës.Më 21.04.2024 në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok është organizuar votimi për shkarkimin e kryetarëve.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë- duke e cilësuar të dështuar këtë proces.Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë kërkuar menjëherë heqjen e masave që BE-ja ia ka vënë Kosovës vitin e kaluar me preteksin se nuk ka bërë mjaftueshëm për t’i ulur tensionet në veri.

    Ndërsa, sipas Qeverisë, pavarësisht rezultatit, obligimi që ka pasur Kosova është përmbushur.Heqjen e masave e kanë kërkuar edhe partitë opozitare në vend.BE-ja pati vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës verën e kaluar, me arsyetimin se nuk kishte bërë mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës në maj të vitit 2023. Asokohe, serbët lokalë protestuan para ndërtesave komunale në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok kundër kryetarëve të rinj, dhe për pasojë situata u përshkallëzua në dhunë.