ATV

Tag: Ballina

  • Për BE-në, fajin për mungesën e rezultateve në dialog e kanë Kosova dhe Serbia

    Për BE-në, fajin për mungesën e rezultateve në dialog e kanë Kosova dhe Serbia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Bashkimin Evropian përfaqësuesi i saj i posaçëm, Miroslav lajcak, nuk është fajtor për mungesën e rezultateve në dialogun Kosovë-Serbi.

    Pavarësisht se blloku 27-anëtarësh nuk do të heqë dorë nga roli në këtë proces, zëdhënësi Peter Stano theksoi se dy shtetet ballkanike do të “ndihmohen vetëm aq sa pranojnë të ndihmohen.”

    “Ka një mësim shumë të qartë që, derisa palët nuk kanë vullnet të lëvizin sigurisht që askush nuk do të jetë në gjendje t’i detyrojë. Roli ynë në dialogun Beograd-Prishtinë është të lehtësojmë procesin, t’i ndihmojmë ata të bëhen evropianë, t’u ndihmojmë të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjejnë zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që ata nuk ishin në gjendje ta bëjnë këtë dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të perceptuar ose supozuar të BE-së si lehtësues, është shkak i dështimit të tyre për të përmbushur zotimet”, tha Stano.

    Ai nuk tregoi se kur do të nisë procesi për caktimin e përfaqësuesit të ri special për dialogun e as se kush do të mund ta marrë këtë detyrë.

    Ndërsa, këmbënguli se Lajcaku e ka kryer dhe po kryen detyrën e tij.

    “Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim për të arritur diçka, për arsye se palët nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen e Ohrit. Pa numër herë e kemi sqaruar që nënshkrimi nuk ka qenë kurrë çështje për ne. Marrëveshja është ligjërisht obliguese dhe nuk ka shprehje më të mirë të kësaj sesa fakti që ajo u bë pjesë e rrugës së anëtarësimit për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Kështu që nëse ato nuk lëvizin për zbatim dëmtojnë të veten, të ardhmen e tyre evropiane dhe benefitet që qytetarët e tyre do t’i përfitonin nga avancimi”, tha Stano.

    Mandati i Miroslav Lajcakut si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, do të përfundojë në fund të muajit Gusht.

    Në përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së për pagesat me para të gatshme te komuniteti serb, përkatësisht çështjen e dinarit, më 13 Maj ai do të presë kryenegociatorët në një rund të ri bisedimesh.

  • Projekt kodi civil, ende nuk dihet kur procedohet në kuvend

    Projekt kodi civil, ende nuk dihet kur procedohet në kuvend

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Të zgjedhurit e popullit nuk po merren vesh mes vete që ta kalojnë projekt-kodin civil. Andaj përgjegjësinë për t’i bërë numrat në Kuvend, e mori kryeministri Albin Kurti, i cili tha se do të angazhohet personalisht që kjo nismë të miratohet. Këtë zotim e bëri gjatë vizitës në Gjermani, javën e kaluar.

    Megjithatë, ende nuk dihet se kur do të procedohet drafti për votim.

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, thotë se fillimisht duhet të sigurohen votat.

    “Ka kohë që është duke u punuar në sigurimin e votave, sepse duhet të sigurohet fillimisht kuorumi dhe pastaj dhe votat pro, duhet të ketë minimalisht 61 deputetë që të marrin pjesë në kuvend dhe e dyta që të votohet pro. Është evidente që ka diversitet të vendimeve, por ka nevojë që fillimisht të ketë kuorum”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.

    Kësisoj, projekt-kodi civil zor që mund të miratohet para votimit të Kosovës për në Këshill të Evropës, që pritet të mbahet në javën e tretë të majit.

    Sipas analistit Bekim Kabashi, miratimi i kësaj nisme do ta ndihmonte Kosovën në anëtarësimin e saj në KiE.

    “Dihet që Këshilli i Evropës trajton kryesisht tema të ngjashme dhe është e rëndësishme edhe për Këshillin e Evropës, që shtetet anëtare të saj ta kenë kodin civil me rregullativën e saj. Kosova duke pasur parasysh që nuk e ka të sigurt anëtarësimin në KE shkaku edhe i disa temave tjera, sigurisht që do të ishte pozitive për Kosovën që kur të shkojë për t’u votuar për pranim në KE të paktën ta ketë kodin civil të miratuar”, tha Kabashi.

    Andaj ky thotë se, në tema me interes shtetëror, do të duhej të kishte harmonizim të veprimeve nga pushteti e opozita.

    “Opozita sidomos për kodin civil një pjesë e saj ka qenë e gatshme me votu, por kanë qenë kushtëzimet për tema tjera ku qeveria është dashur të bëjë kompromis me opozitën dhe meqë është një projektligj i rëndësishëm është dashur të bëjë kompromise të caktuara që me e çu përpara këtë proces”, tha Kabashi.

    Projekt-kodi civil ka dështuar të miratohet në kuvend më 2022 dhe që atëherë, nuk ka pajtueshmëri mes deputetëve për rikthimin e tij për votim.

    Një pjesë e deputetëve, përfshirë edhe ata të partisë në pushtet, janë kundër këtij projektligji, specifikisht nenit 1138, i cili lejon regjistrimin e bashkësive të personave të gjinisë së njëjtë.

  • Rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës drejt fundit, të premten vendimi

    Rigjykimi ndaj Enver Sekiraqës drejt fundit, të premten vendimi

    Përgatiti: Nora Luta

    Pak para përfundimit të shqyrtimit, Enver Sekiraqa është ballafaquar me disa pyetje nga trupi gjykues, i cili po e gjykon për nxitje të vrasjes së Triumf Rizës.

    Në seancën e së hënës, Sekiraqa u pyet se cila është e vërteta rreth deklarimeve se kishte pasur konflikt me të ndjerin.

    E në fjalën përfundimtare prej 23 faqesh Prokuroria Speciale ka shpalosur provat, që, sipas saj, e vërtetojnë përgjegjësinë penale të Sekiraqës.

    PSRK-ja, përveç komunikimeve me SMS ndërmjet grupit të Sekiraqës, ka paraqitur edhe ato mes një dëshmitari me Zanfina Ismailin, që, sipas saj, vërtetojnë përgjegjësinë penale të Sekiraqës.

    Megjithatë, mbrojtja duke pretenduar në pafajësinë e të akuzuarit, ka thënë se Sekiraqa nuk ka pasur motiv që ta vrasë Triumf Rizën.

    Kur është thirrur në dëshminë e Adelina Ismajlit dhe familjarëve të saj, ka kërkuar të mos publikohen nga mediat. Edhe seancat kur familja Ismaili dëshmoi në këtë rast ishin krejtësisht të mbyllura për publikun.

    Në fund të këtij rigjykimi u vërejt interes i shtuar i publikut, kur një grup personash ishin prezentë në sallën e gjykimit.

    Ndërkohë, Enver Sekiraqa, i cili aktualisht është në arrest shtëpiak, akuzohet se e nxiti vrasjen e policit të Njësisë Speciale, Triumf Riza, e për vrasjen u dënua me 35 vjet burgim Arben Berisha.

    Sekiraqa ishte shpallur fajtor dy herë nga Gjykata e Prishtinës, duke u dënuar me 30 vjet burgim, por Apeli e kishte kthyer në rigjykim rastin duke e pranuar ankesën e mbrojtjes, e arsyetuar se kishte shkelje të Kodit të Procedurës Penale.

  • ​Kodi Civil, LVV: Jemi duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm për miratim

    ​Kodi Civil, LVV: Jemi duke punuar që të sigurohet konsensusi i nevojshëm për miratim

    Lëvizja Vetëvendosje ende po punon në sigurimin e votave për miratimin e Kodit Civil. Partia në pushtet konsideron se për këtë duhet të reflektojnë edhe partitë opozitare. Ndërkaq, këto të fundit thonë se kjo është kompetencë e partisë në pushtet.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja deklaroi se po punojnë për sigurimin e votave për miratimin e Kodit Civil.

    “Aktualisht nuk e di, por shumica parlamentare është duke punuar po ashtu që të sigurojë konsensusin e nevojshëm brenda grupit parlamentar por marrë parasysh që kjo është një çështje e rëndësishme, të gjitha grupet parlamentare duhet të reflektojnë në këtë prioritet shoqëror. Nuk mund të thuhet që opozita, partitë opozitare mund të abstenojnë, tek e fundit Kodi Civil dhe Kodi Penal janë një nga ligjet ose rregullimet më të rëndësishme në një demokraci parlamentare siç është Kosova…Aktualisht ka kohë që është duke u punuar në sigurimin e votave, sepse duhet të sigurohet kuorumi e pastaj edhe votat pro”, tha ai.

    Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se është përgjegjësi e partisë në pushtet që të sigurojë votat.

    “Ky është një ligj që kalohet me shumicë të thjesht të votave të deputetëve dhe është në përgjegjësi të LVV-së që ta kalojë. E kemi thënë qysh herën e parë dhe vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim me arsyetimin se LVV për qëllime të përfitimit të pushtetit politik ka arritur që të bëjë marrëveshje dhe koalicione me grupe politike të cilat kanë qëndrime radikale për çështje të caktuar. Është përgjegjësi e LVV-së që të zgjidhë këto probleme”, u shpreh ai.

    Miratimi i Kodit Civil, siç thekson deputetja Blerta Deliu Kodra, është kompetencë e pozitës.

    “Është kompetencë e shumicës parlamentare, ju keni dëgjuar edhe në të kaluarën edhe ditëve të fundit që është rikthyer diskutimi lidhur me projektkodin edhe nga vet deputetët e mazhorancës. Është çështje e shumicës parlamentare që të deklarohet sepse e dini se tash e sa kohë që PDK nuk merr pjesë në votime, nuk i voton marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje”, deklaroi ajo.

    E shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se shumica parlamentare e ka dështuar Kodin Civil.

    “Shumica e ka bllokuar këtë zbatim. Se çfarë do të ndodhë nuk është përgjegjësi e Aleancës. Aleanca ka marrë vendim për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, e ka rikthyer. Ndërsa, në ligje nuk ka marrë pjesë. Ne kemi pasur pozicion kundër dhe kundër jemi”, përfundoi ai.

  • BE: Rezultatet në dialog s’janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë që nuk e mbajtën fjalën

    BE: Rezultatet në dialog s’janë dështim i Lajçakut, por i Kosovës dhe Serbisë që nuk e mbajtën fjalën

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se roli i tyre në dialogun Kosovë-Serbi është që ta lehtësojnë atë dhe t’u ndihmojnë palëve të sillen si evropianë, por sipas tij fakti që Kosova dhe Serbia nuk ishin në gjendje ta bënin këtë nuk është përshkak të dështimit të BE-së, por për shkak të dështimit të tyre që nuk e mbajtën fjalën.

    “Cilat janë mësimet që kemi mësuar? Ka një mësim të qartë, që nëse palët nuk duan të lëvizin, askush nuk do të mundet t’i detyrojë ata. Roli ynë si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi, është që të lehtësojmë, ndihmojmë që të bëhen evropianë, t’i ndihmojmë të fillojnë që të sillen në mënyrë evropiane dhe të gjenden zgjidhje kompromisi në çështje të rëndësishme për qytetarët e tyre. Fakti që nuk ishin në gjendje ta bënin këtë deri tani dhe të lëvizin përpara në procesin e normalizimit nuk është për shkak të dështimit të pretenduar të BE-së si lehtësuese, por është për shkak të dështimit të tyre që të mbajnë fjalën. Do të mbërrijmë aty, përtej mandatit të një emisari special”, tha ai.

    Stano në deklaratën për media tha se rezultatet e deritanishme nuk mund të paraqiten si dështim i emisarit Miroslav Lajçak, pasi siç tha zëdhënësi i BE-së, ai ka bërë më të mirën si përfaqësues i lartë i BE-së, me mbështetjen e 27 vendeve anëtare.

    “I dërguari special ishte një instrument i ri dhe specifik gjatë mandatit të këtyre institucioneve. Në të kaluarën nuk ka pasur. Përfaqësuesja e lartë e ka bërë këtë punë vetë, në dy mandatet e kaluara, por kjo ishte një shenjë se sa shumë vëmendje po i kushtonim kësaj çështjeje dhe se sa shumë donim të ndihmojmë, duke caktuar, me vullnetin e 27 shteteve anëtare, një person që specifikisht po merrej me ndihmën e Serbisë e Kosovës që të lëvizin përpara, në baza ditore. Kështu që nuk është e vërtetë që mund të paraqiten rezultatet e deritashme si dështim i zotit Lajçak. Ai ka bërë më të mirën në emër të përfaqësuesit të lartë dhe BE-së, me mbështetjen e plotë të 27 vendeve të BE-së”, tha Stano.

    Sipas tij, nuk është korrekte të thuhet se ka dështim për faktin se palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjet e Ohrit, pasi siç tha ai kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme.

    Stano tha se nëse nuk bëhen hapa drejt implementimit të saj, Serbia e Kosova i bëjnë dëm vetes, dhe se qytetarëve e vendeve të tyre nuk mund t’i gëzojnë përfitimet.

    “Nuk është faktikisht korrekte të thuhet se ishte dështim, për faktin se dy palët nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit. Me dhjetëra herë kemi sqaruar se nuk ka pasur pikëpyetje për nënshkrimin. Kjo marrëveshje është ligjërisht obligative, dhe nuk ka sqarim më të mirë të faktit se është ligjërisht obligative, pasi që është bërë pjesë integrale e rrugës drejtë anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Kështu që nuk bëjnë hapa drejt implementimit, ata i bëjnë dëm vetes, të ardhmen evropiane dhe përfitimet që qytetarët e tyre do të mund t’i gëzonin”, tha ai.

    Stano tha se Lajçak po vazhdon përpjekjet e tij, e ai po i kushton kohën dhe energjinë e tij me takimet që po zhvillon për të zgjidhur çështjen e fundit siç është dinari.

    “Kështu që ne do të vazhdojmë, BE-ja ka një mandat të përcaktuar ndërkombëtar, përfaqësuesi i lartë i BE-së është lehtësuesi, pavarësisht nëse emri do të jetë Joseph Borrell, ose kushdo që do të vijë. Emisari special, ende jemi me mandatin e tij që vazhdon dhe po vazhdon përpjekjet e tij, dhe nuk ka shembull më të mirë se si ai e kryen punën, pasi po i kushton kohën dhe energjinë e tij në një numër takimesh, për të zgjidhur çështjen e fundit (dinarin) në vazhdimësinë e çështjeve të njëanshme që po e sjellin dialogun në menaxhim të vazhdueshëm të krizave”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

  • Qeveria në vitin e fundit të mandatit: A e luftoi korrupsionin?

    Qeveria në vitin e fundit të mandatit: A e luftoi korrupsionin?

    Me premtimin se do të luftojë korrupsionin dhe do të qeverisë me duar të pastra, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, mori udhëheqjen në vitin 2021. Sot, në vitin e fundit të mandatit, zyrtarë të saj kritikohen për “përfshirje në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

    Së paku dy ministre janë ose nën hetime, ose në procedura gjyqësore.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit thotë, po ashtu, se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, ndonëse, ndër vite, është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor.

    Vetë Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, thotë se ka bërë “përparim” në luftimin e, siç e cilëson, “problemit të trashëguar”.

    Rastet Gërvalla dhe Hajdari

    Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është duke u përballur aktualisht me akuzën për mosdeklarim të pasurisë. Muajin e kaluar, ajo u deklarua e pafajshme para Gjykatës Themelore në Prishtinë, por procesi është në zhvillim e sipër.

    Në fund të vitit 2022, ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

    Hajdari, aktualisht, është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

    E ftuar, ditë më parë, nga Prokuroria Speciale e Kosovës për intervistim, Hajdari e mbrojti veten në heshtje.

    Si Hajdari, ashtu edhe Gërvalla vazhdojnë t’i kryejnë detyrat ministrore.

    Mosdeklarimi i pasurisë

    Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Kosovë, Yll Buleshkaj, thotë se këtë vit janë mbi 130 zyrtarë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, ose e kanë bërë këtë jashtë afatit ligjor.

    Sipas tij, numri i tyre është rritur për disa fish krahasuar me vitin e kaluar.

    Por, thekson Buleshkaj, ngjashëm është rritur edhe numri i zyrtarëve me këtë obligim ligjor – nga rreth 4.900 në vitin 2021, në rreth 11 mijë këtë vit.

    Ai tregon se si ka lëvizur numri i atyre që s’e kanë përmbushur këtë obligim ligjor ndër vite:

    “Në vitin 2021 kanë qenë 109 [zyrtarë]. Pastaj, ky numër ka rënë në 61 në vitin 2022 dhe në 38 në vitin 2023. Por, ky numër tani është rritur. I kemi mbi 150 [zyrtarë], të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim këtë vit”.

    Buleshkaj thotë se ata zyrtarë që e kanë deklaruar pasurinë deri në 15 ditë pas afatit ligjor, do të gjobiten nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa të tjerët do të jenë subjekt i kallëzimeve penale.Kjo agjenci e ka tani kompetencën që t’i shqiptojë vetë gjobat, të cilat, sipas Buleshkajt, sillen nga 30 për qind e pagës deri në 500 euro.

    Ai thotë se këtë vit nuk ka ende ndonjë kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë, meqë nuk ka nisur ende procesi i verifikimit të të dhënave të mbledhura për 2024-shin.

    Duke i komentuar vendimet e gjykatave për 38 rastet e vitit 2023, të cilat i ka pranuar Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Buleshkaj thotë se vlera e gjobave ka qenë prej 150 euro deri në 1.000 euro, si dhe burgim me kusht nga tre muaj deri në një vit, me kohë për verifikim deri në dy vjet.

    Çka thotë Prokuroria?

    Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmon se ministrja Hajdari dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në lidhje me rezervat shtetërore. Ajo dyshohet se e ka dëmtuar buxhetin e Kosovës me 600 mijë euro.

    Në fund të marsit, Prokuroria tha se ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nën dyshimet për veprat penale: “shpëlarje e parave”, “shmangie nga tatimi” dhe “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë ose detyrimeve financiare”. Sipas Prokurorisë, Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim, por, me kërkesën e tij, procesi është shtyrë.

    Para se t’i fitonte zgjedhjet në vitin 2021, Kurti, atëkohë kandidat për kryeministër, tha për gazetën britanike Guardian se duhet një aleancë e re politike për të trajtuar “murin e madh të korrupsionit” në Kosovë.

    “Korrupsioni ka qenë i madh, por është shumë i përqendruar në krye. Ne besojmë se mund ta mposhtim. Shumë njerëz predikojnë tregun e lirë, por në praktikë kemi oligarkë, kartela dhe industri të rezervuara për gardën e vjetër”, tha Kurti për Guardian.

    Kosova, prej vitesh, është në shënjestër të kritikave të institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare për, siç thuhet, nivel të lartë korrupsioni.

    Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, që u publikua javën e kaluar, thuhet se në Kosovë ka pasur “disa raportime për korrupsion në Qeveri” dhe se “zyrtarët, nganjëherë, përfshihen në praktika korruptive pa u ndëshkuar”.

    Sipas raportit, në këtë problem kontribuojnë mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit.

    “Rastet e korrupsionit u nënshtrohen rregullisht apelimeve të përsëritura dhe sistemi gjyqësor shpesh lejon skadimin apo parashkrimin e lëndëve”, vlerësoi DASH-i.

    Ai citoi edhe raportimet e disa mediave se Prokuroria Speciale dhe Njësia e Hetimeve Speciale të Policisë së Kosovës kanë hapur hetime penale kundër së paku pesë ministrave dhe dy zëvendësministrave, për vepra të dyshuara të lidhura me korrupsionin, por Prokuroria, e kontaktuar nga REL-i, konfirmoi vetëm rastet e lartpërmendura.

    Organizata ndërkombëtare, Freedom House, vlerësoi gjithashtu në raportin e sivjetmë se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet çështje shqetësuese, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Vetë Qeveria Kurti u përball me një skandal korrupsioni në vitin 2023 që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim”, tha, mes tjerash, Freedom House.

  • ​Partitë njëzëri: Momenti i fundit që BE-ja t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    ​Partitë njëzëri: Momenti i fundit që BE-ja t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës

    Është momenti i fundit që Bashkimi Evropian t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, thonë përfaqësues të pozitës, opozitës dhe njohës të integrimeve evropiane. Sipas tyre, përkundër dështimit të shkarkimit të kryetarëve në katër komunat veriore, në votimin e 21 prillit, Kosova ka përmbushur zotimet në dakordimin e Bratisllavës me BE-në për shtensionimin e situatës në veri.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese në mënyrë të menjëhershme dhe jo graduale.

    “Kosova ka përmbushur zotimin që e ka dhënë në darkordimin e Bratislavës në kuptimin e përgatitjes së bazës ligjore për organizimin e procesit për largimin e kryetarëve aktual, mbi bazën e një procesi demokratik që parashihet me ligj. Kemi përgatitur udhëzimin administrativ, kemi organizuar procesin, është administruar peticioni por që natyrisht bojkotimi si veprim politik i Listës Serbe me dirigjimin e Beogradit e pamundësojë shprehjen e vullnetit të qytetarëve… Në raport me partnerët tanë ndërkombëtar ne kemi përmbushur zotimet që kemi dhënë dhe kemi manifestuar seriozitet mbi përgjegjësitë që kemi marr. BE-ja duhet të largojë masat e vendosura ndaj Kosovës dhe duhet të qartësojë pozicionin ndaj Serbisë dhe Beogradit zyrtar”, deklaron Rrustemi.

    Masat ndëshkuese të BE-së, kërkon të hiqen edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, mirëpo thekson nevojën që qeveria të adresojë kërkesat e BE-së.

    “Ne kemi thënë tash e sa kohë si Parti Demokratike, por edhe kryetari Krasniqi në takimet e tij në Bruksel ka adresuar nevojën për heqjen e sanksioneve. Është një numër i madh i mbështetjes se BE-ja do të duhej të garantonte për Kosovën, ndërsa sot kemi një bllokim të fondeve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat. Natyrisht ne kemi kërkuar që BE-ja të jetë e vëmendshme dhe t’i largojë sanksionet, pa çka që duhet të thuhet se edhe qeveria e ka përgjegjësinë e saj për të adresuar në mënyrë të mirë koordinimin me partnerët”, thotë ajo.

    Në anën tjetër, profesori universitar, Dorajet Imeri, thotë se masat ndëshkuese kanë qenë të padrejta dhe si të tilla duhet të hiqen sa më parë.

    “Vendosja e masave kundër Kosovës si rezultat i vendosjes së kryetarëve në veri të dalë nga zgjedhjet atje, ka qenë një vendim i ngutshëm dhe padobishëm nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës synim i cilës ka qenë ndëshkimi për vendimin e Kosovës për të vendosur rendin kushtetues në tërë territorin e saj. Bashkimi Evropian duke ndëshkuar Kosovën përmes këtyre masave sanksionuese vetëm sa e ka përligjur sjelljen jo të duhur dhe jo korrekte të Listës Serbe, që në disa momente të caktuara ka qenë antikushtetuese dhe jo ligjore. Institucionet e Kosovës duhet të shohin se në ç’masë kjo strukturë politike e ka thyer rendin kushtetues të Kosovës. Është momenti i fundit që BE-ja të reflektojë kundër këtyre veprimeve që paraprakisht i kanë marrë, në mënyrë që Kosovës mos t’i bëhet një e padrejtë e madhe në këtë proces kaq të ndjeshëm politik”, deklaron Imeri.

    Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023, si pasojë e tensioneve në veri, që kulmoi me hyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale.

    Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që përmes zgjedhjeve të parakohshme të mundësohet largimi i atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësojnë vullnetin e banorëve./kp

  • Kastrati i ASK-së: Afër 900 mijë qytetarë të regjistruar, serbët në veri po hezitojnë

    Kastrati i ASK-së: Afër 900 mijë qytetarë të regjistruar, serbët në veri po hezitojnë

    Afër 900 mijë qytetarë në Kosovë janë regjistruar deri tani në javën e katërt të regjistrimit të popullsisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se ka pjesëmarrje masive dhe në përgjithësi nuk ka refuzime nga qytetarët. Shpreh bindjen se ky proces do të përfundojë para afatit të paraparë.

    “Jemi në ditën e 24-të të punës në teren dhe shpresojmë që do të jemi në bazë të planit qe e kemi bërë. Procesi i regjistrim është duke shkuar ashtu siç është planifikuar. Këtë javë është një regjistrim më shumë se sa është planifikuar, duket se tani regjistruesit janë adaptuar me zonat e tyre edhe qytetarët po e pranojnë regjistrimin. Nuk kemi refuzime deri me tani, janë individuale. Ne e kemi theksuar se regjistrimi i popullsisë, përveç që është e mirë edhe e ligjor dhe të gjithë ata që refuzojnë do t’i përcjellim në institucionet përkatëse”, ka thënë Kastrati.

    Ai ka thënë se qytetarët serb të në katër komunat veriore ende janë duke hezituar që të marrin pjesë në këtë proces dhe se për këtë po ndikon edhe thirrja e Listës serbe.

    “Në pjesën veriore ka edhe komunitete të tjera jo serbe që jetojnë ata janë duke u regjistruar, komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive, ka një regjistrim por është numri i vogël. Ata duhet ta dinë se është edhe një e mirë edhe për ata. Mospjesëmarrja në regjistrim do të thotë se ata nuk ekzistojnë, u bëjnë thirrje që procesi nuk është politikë. Inkuroj komunitet që të marrin pjesë së është një e mirë për ata. Lista serbe ka bërë një thirrje të jashtëligjshme dhe ne do të ndërmarrim hapa. Thirrja ka pasur ndikim tek pjesa veriore, por në jug komuniteti serb është duke u regjistruar”, u shpreh Kastrati.

  • Organizatat kërkojnë Ligj për parandalim të vetëvrasjes

    Organizatat kërkojnë Ligj për parandalim të vetëvrasjes

    Disa organizata të shoqërisë civile kanë mbajtur konferencë për media, me ç’rast kanë lansuar peticionin për Projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Të hënën në sheshin Sheshin “Zahir Pajaziti”, filluan të mblidhen nënshkrime rreth edicionit për Projektligjin për parandalimin e vetëvrasjes në Kosovë. Sipas organizatave pjesëmarrëse synimin për të mbledhur deri në 10,000 nënshkrime.

    Bind Skeja, përfaqësues i organizatave deklaroi se niveli institucional nuk ofron shërbime për parandalimin e vetëvrasjes.

    “Kushdo që ka vetëm pak interesim në këtë fushë e din se niveli institucional nuk ofron as edhe një shërbim për parandalim të vetëvasjes. Nuk ka programe për të mbijetuar të vetëvrasjes, nuk ka rrjete të shërbimeve të cilat mbështesin individët me mendime të vetëvrasjes, nuk ka plane të ri-integrimit, e as nuk ka mbrojtje të familjeve të viktimave”, ka thënë Skeja.

    Sipas tij e vetmja gjë e ofruare janë disa ditë të mbyllur në psikiatri për trajtim pa vullnet, gjë që OKB-ja e cilëson si shkelje e të drejtave të njeriut.

    “Organizatat e shoqërisë civile dhe grupe të aktivistëve kanë kërkuar vazhdimisht që të ndërmerren mase, në më të paktën të fillohet hartimi i një strategjie për parandalim të vetëvrasjes. Sidoqoftë, këto thirrje janë pritë me heshtje, ndonëse kurdo që ka raste tragjike të cilat marrin hov në media, shtresa politike i ka statuset e mbuluara me nuanca të vajtimit. Fjalë ka shumë, por ndonëse kanë fuqi vendimmarrëse mbesin vetëm si të tilla. Kjo për neve është një situatë hipokritike e cila nuk duhet të tolerohet, dhe rrjedhimisht kemi bashku forcat dhe vullnetin tonë që të lansojmë këtë peticion për parandalim të vetëvrasjes”, ka thënë po ashtu Skeja.

    Skeja duke u bazuar në Ligjin për Nisma Legjislative, tha se do të kërkojnë nga Kuvendi që të hartojnë një Ligi për parandalim të vetëvrasjes, të parin në vend dhe rajon, që duhet të përfshijë:

    – Shërbime klinike për parandalim të vetëvrasjes.

    -Integrim të parandalimit të vetëvrasjes në objektiva institucionale.

    -Mekanizma për ngritje të profesionalizmit të mediave gjatë raportimit të vetëvrasjes.

    -Shërbime dhe mbështetje sociale, jo-klinike për persona me mendime për vetëvrasje.

    -Mekanizma për reduktimin e qasjes në mjete vetlënduese.

    -Programe specifike për komunitete jo-shumicë.

    -Mekanizma për mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjes.

    “Ne e konsiderojmë jetike krijimin një ligji që i ngërthen të gjitha këto pika, prandaj ne i ftojmë të gjithë qytetarët e vendit që të na bashkangjiten në këtë kauzë nëpërmjet nënshkrimit të peticionit. Jemi të bindur se me këtë peticion jemi duke e filluar një proces të pakthyeshëm të shërimit të plagëve tona komunitare, e drejt një Kosove e cila e trajton vetëvrasjen me seriozitet, empati dhe përkrahje deri në piken kur Kosova është shtet pa vetëvrasje”, ka thënë Skeja.

  • Sot vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot vazhdon gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Gjykatën Speciale në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i njohur si rasti “Thaçi dhe të tjerët”.

    Seanca është paraparë të nis me fillim nga ora 09:00 dhe të zgjasë nga 16:30.