ATV

Tag: Ballina

  • Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryetarit të Pejës Ali Lajçi

    Kurti shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryetarit të Pejës Ali Lajçi

    Ka vdekur ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi.

    Për vdekjen e tij ka shprehur ngushëllime kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Kurti përmes një postimi në Facebook ka shkruar për biografinë e Lajçit, tashmë të ndjerë

    “I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Bacës Ali, politikanit Ali Lajçi! I lindur më 3 janar të vitit 1955 në Malaj të Rugovës, Ali Lajçi ka qenë politikisht aktiv gjatë gjithë jetës së tij. Emri i Ali Lajçit haset herët, qysh mes emrave të organizatorëve të demonstratave studentore e popullore të vitit 1981, për çka ai u dënua nga regjimi i Jugosllavisë me 15 vite burgim. U lirua nga burgu në vitin 1991, por u arrestua sërish më 1993 për përfshirjen e tij në organizime të rezistencës së armatosur”.

    “Pas luftës në Kosovë, Ali Lajçi ishte Kryetar i Komunës së Pejës mes viteve 2001 – 2007. Pas kësaj ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në disa legjislatura, ku ishte edhe një nga nëshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008. Me Ali Lajçin më ka rënë të njihem dhe të punojmë së bashku sidomos në kohën sa ishte deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës. Ali Lajçi do të kujtohet për veprimtarinë patriotike dhe angazhimin e tij politik të shtrirë gjatë një periudhe mbi 45 vjeçare, si nga ata që e njohën dhe punuan me të, ashtu edhe nga historia moderne e Kosovës. Ngushëllime familjes Lajçi, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të Ali Lajçit për vdekjen e tij”, ka shkruar Kurti.

  • Vdes ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi

    Vdes ish-kryetari i Pejës, Ali Lajçi

    Ka vdekur Ali Lajçi, ish-kryetari i Pejës dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.

    Për këtë përmes një postimi në Facebook ka njoftuar dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, të dielën.

    Ku subjekt politik ka shprehur nguhsëllime për familjen e tij dhe gjithë ata që e njohën.

    “Me dhembje të thellë mësuam lajmin e ndarjes nga jeta të Ali Lajçit. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Kosovës, një figurë e shquar në rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij. Ali Lajçi ishte një zë i fortë dhe i vendosur për të mbrojtur interesat e Kosovës. Angazhimi i tij për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit prej Demarkacionit të Murat Mehës ishte i shquar dhe i pamohueshëm. Ai ngriti zërin dhe u bë zëdhënësi i popullit, duke paraqitur argumente të forta kundër kësaj marrëveshje të dëmshme për vendin tonë”.

    “Kontributi i tij si kryetar i Komunës së Pejës dhe deputet i Kuvendit të Kosovës do të kujtohet gjithmonë. Ngushëllime për familjen e tij dhe të gjithë ata që e njohën dhe e respektuan. Qofsh i qetë në paqe, Ali Lajçi”, thuhet në njoftimin e LVV-së në Pejë.

  • Dilema e BE-së: A do të mundet t’i përballojë financiarisht anëtarët e rinj?

    Dilema e BE-së: A do të mundet t’i përballojë financiarisht anëtarët e rinj?

    Pushtimi rus i Ukrainës e ka vënë zgjerimin në krye të agjendës së BE. Por vendet që rreshtohen për t’u bashkuar me Bashkimin Europian janë më të varfër se anëtarët ekzistues. Do e boshatisnin buxhetin anëtarët e rinj?

    “Pa fermerë, nuk ka më bukë” ky ishte një slogan popullor gjatë më shumë se 200 bllokimeve të rrugëve të organizuara nga fermerët polakë në shkurt të këtij viti. Në periferi të qytetit polak Kock, dy orë me makinë nga kufiri ukrainas, qindra traktorë bllokuan një rrugë për të parandaluar hyrjen e grurit të lirë ukrainas në vend. Për fermerët këtu, ka një shqetësim tjetër të madh: ata i tremben hyrjes së Ukrainës, fqinjes lindore të Polonisë në BE, pasi mund të kërcënojë jetesën e tyre. “Ta harrojnë atë. Kjo është një ide e çmendur”, tha për DW një nga fermerët protestues gjatë bllokadës.

    Zgjerimi si instrument sigurie

    Për më shumë se një dekadë, BE-ja dukej si një klub i mbyllur, ku vendet aspirante ishin rreshtuar në pritje për të hyrë. Por pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar rrënjësisht situatën. Në dhjetorin e kaluar BE çeli negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë si edhe i dha Gjeorgjisë statusin e kandidatit. “Për shkaqe të kuptueshme, BE-ja tani po e sheh zgjerimin si një instrument sigurie. Buxheti është pjesë e diskutimeve, por mund të mos jetë domosdoshmërisht faktori vendimtar”, thekson për DW, Thu Nguyen, zëvendësdrejtore e institutit të pavarur me qendër në Berlin, Jacques Delors Centre.

    Protestat e fundit në Poloni e sjellin edhe një herë këtë në kujtesë edhe pse ekonomia pa dyshim bën pjesë tek motivet politike të BE-së. Realisht entuziazmi i ri i Brukselit për zgjerimin shoqërohet me frikën se zgjerimi do t’i vërë disa nga anëtarët dhe qytetarët e BE-së në një disavantazh ekonomik.
    BE-ja e shpenzon pjesën më të madhe të buxhetit për zhvillimin rajonal dhe bujqësinë. Koncepti: shtetet anëtare që janë më pak të pasura marrin më shumë para nga BE-ja sesa paguajnë. Tetë vendet që janë aktualisht në radhë për t’u anëtarësuar janë të gjitha më të varfra se shtetet anëtare aktuale. Turqia do të ishte vendi i nëntë kandidat për në BE, por procesi i saj i pranimit është pezulluar.

    Zgjerimi lidhet me shpresa për përmirësimin ekonomik

    Për Jasna Pejovic nga Mali i Zi, anëtarësimi në BE do t’i jepte vendit “më shumë legjitimitet”. Mali i Zi është vendi që ka bërë më shumë progres në rrugën drejt anëtarësimit në BE. 80% e popullsisë malazeze dëshiron të jetë pjesë e BE. Duke folur për DW në zyrën e startup-it të saj të e-learning Flourish në kryeqytetin Podgoricë, Jasna thotë se të qenit qytetare e BE-së do të ishte si një certifikatë vlerësimi për biznesin e saj. Për DW ajo rrëfen, se investorët që nuk kanë bërë biznes me Malin e Zi, thonë, se po të ishim pjesë e Bashkimit Evropian situata do të ishte ndryshe. Mali i Zi me një popullsi të vogël prej 630.000 banorësh nuk do të përbënte ndonjë sforcim të madh për buxhetin e BE.

    “Nëse BE do të pranonte nesër Malin e Zi për këtë ajo vërtet do duhej të paguante, por askush nuk do e vinte re, sepse është e përballueshme”, thotë Nathalie Tocci, këshilltare e dy ish-komisionerëve të BE për politikën e jashtme. “Por për BE nuk do të kishte ndonjë stimulim ekonomik.” Për vendet e Ballkanit Perëndimor anëtarësimi do të sillte mundësi e shanse ekonomike për miliona njerëz, me një kosto të menaxhueshme për BE-në. E megjithatë, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor qëndrojnë në pritje për më shumë se një dekadë. Maqedonia e Veriut madje për dy dekada.

    Ukraina do të linte në hije disa vende anëtare

    Kohët e fundit në horizontin lindor u shfaq një kandidate e re për anëtarësimin – Ukraina. E goditur rëndë nga pushtimi rus, ky vend e mori statusin e kandidatit në qershor 2022. Në lidhje me Ukrainën, më e populluara – dhe më e varfëra – nga të gjitha vendet kandidate do të ishte “një lojë ndryshe”, thotë Nathalie Tocci. “Kjo për shkak të madhësisë së saj, për shkak të sektorit të bujqësisë, për shkak të mirëqenies mesatare dhe, mbi të gjitha, sepse është një vend në luftë me nevojën e 500 miliardë eurove për rindërtimin ende në shtim e sipër.”

    Nëse Ukraina do të anëtarësohej në BE, ajo do të bëhej prodhuesja më e madhe bujqësore europiane dhe do të rëndonte shumë më tepër mbi financat e BE. Nëse të gjithë fermerët e BE-së së bashku punojnë deri në rreth 157 milionë hektarë (387.35 milionë hektarë) tokë të punueshme, Ukraina do të shtonte edhe 41 milionë hektarë të tjerë. Për disa anëtarë aktualë, kjo do të sillte konkurrencë të padëshiruar në tregun e brendshëm. Polonia, për shembull, është ngjitur aktualisht në një nga prodhueset më konkurruese të ushqimeve në BE që nga anëtarësimi në vitin 2004. Nëse Ukraina bashkohet me BE-në, ky pozicion do të kërcënohet, sepse fermat industriale të Ukrainës i lenë në hije ato evropiane. “Me shumë mundësi do të falimentonim, pasi do të përmbyteshim lehtësisht me produkte shumë më të lira nga Ukraina,” thotë Lukasz Czech, një fermer polak i drithërave dhe derrave nga Parczew, i cili merr edhe subvencione nga BE.

    Do ta boshatisnin buxhetin e BE-së anëtaret e reja?

    Sipas një llogaritjeje të brendshme nga Këshilli Evropian, pranimi i të gjithë kandidatëve do t’i kushtonte BE-së rreth 256 miliardë euro, vetëm Ukraina vlerësohet se do të merrte 186 miliardë euro gjatë shtatë viteve, por këtu nuk janë përfshirë kostot e rindërtimit të vendit pas shkatërrimeve të luftës. Ekspertja Thu Nguyen mendon se “pasojat financiare nuk do të ishin aq të larta sa ç’sugjerojnë disa nga numrat.” Por as Thu Nguyen nuk mund të thotë saktësisht se nga do të vijnë paratë shtesë që i duhen BE. “Është e mundur që ato të vijnë nga vendet anëtare aktuale. Është e mundur që BE të mbledhë fonde nëpërmjet burimeve të reja. Për shembull, ka diskutime rreth një takse plastike apo mekanizmave të rregullimit të CO2-isht.” Disa nga vendet anëtare të BE-së duan ta shtyjnë përpara procesin e anëtarësimit me një shpejtësi të paprecedentë. Nëse do të kenë sukses apo jo, kjo do të varet nga përbërja e ardhshme e Parlamentit të ri Europian që do të zgjidhet në qershor./DW

  • Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

    Familjarët e të zhdukurve përgatiten ta padisin Serbinë në Strasburg

    Familjarët të cilëve u janë zhdukur më të dashurit e tyre, po përgatiten ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në momentin që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. Presidentja Osmani, Zyra qeveritare për të pagjeturit dhe Instituti për Krime të Luftës, inkurajojnë qytetarët që të bëjnë gati paditë. E familjarët shpresojnë që kjo do të jetë mundësi e mirë që të triumfojë drejtësia.

    Vëllai i Lutfijes, doktor Adem Ademi vazhdon të jetë në mesin e të zhdukurve me dhunë tash e 25 vjet. Familjarët gjatë gjithë kohës kanë kërkuar të dinë për fatin e tij, por as nuk ia gjejnë eshtrat e as nuk ia dinë varrin.
    “Që 25 vite jetojmë me shpresë se do t’i gjejmë familjarët tonë”, tha Lutfije Ademi Vokshi.

    Familjes së Lutfijes u ka mbetur një shpresë që ta padisin shtetin serb në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg në momentin që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

    “Ne familjarët e presim me padurim rezultatin pozitiv që Kosova të pranohet në KiE dhe besoj që çdo familjar sikur unë, do të bëjnë padinë edhe individualisht, por kisha pas dëshirë që edhe institucionet e Kosovës të bëjnë padi, që të jemi sa më të fuqishëm, të ngrisim zërin sa më lartë që Serbia të marrë dënimin e merituar për krimet që i ka bërë në Kosovë”, shtoi ajo.

    Në këtë çështje familjarët kanë përkrahje edhe nga presidentja Vjosa Osmani. “Nga anëtarësimi në KiE përfitojnë të gjithë qytetarët tanë, por më së shumti përfitojnë familjet të cilave u është mohuar drejtësia tash e 25 vjet”, tha presidentja.

    Kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, thotë se si shtet janë edhe disa procedura të tjera që duhet t’i ndjekin deri te padia ndaj Serbisë për gjenocid.

    “I bëj thirrje të gjithë atyre që janë të prekur direkt apo indirekt nga lufta 98-99 në çfarëdo lloj mënyre që të përgatiten dhe të fillojnë të gjejnë mundësinë për paditë e tyre ndaj shtetit serb sepse mendoj që jemi vonë dhe është koha ta bëjmë përgjegjës atë që i ka bërë këto krime, ku dikush patjetër duhet të përballet me drejtësinë. Ata që kanë kryer këto krime patjetër që duhet të jenë në burgje”, tha Hoti.

    Instituti për Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë po bëhet gati të mbledhë sa më shumë dëshmi. “Të gjithë ata akterë, individ, institucione që deri më tash kanë arritur të grumbullojnë materialet që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës, duhet të dorëzojnë nga një kopje edhe në institut, të cilat pastaj do të plotësohen nga ana e institutit”, tha Atdhe Hetemi.

    Sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, deri tani vetëm 45 persona janë dënuar për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës. /rtklive

  • Raporti i DASh-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

    Raporti i DASh-it shihet me shqetësim nga njohësit e çështjeve juridike – Kambanë e alarm për institucionet

    Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) për Kosovën po shihet shqetësues nga njohësit e çështjeve juridike. Sipas tyre, në të njëjtin shpërfaqen ndërhyrjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, nivelin e korrupsionit, pandëshkueshmërinë e zyrtarëve të qeverisë, dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, raporton Ekonomia Online.

    Ata thonë se krahas problemeve në sistemin e drejtësisë, politika është ajo e cila po ndikon që organet e drejtësisë të mos jenë të pavarura.

    Avokati Ardian Bajraktari, thotë për Ekonomia Online se niveli i ndërhyrjeve të politikës në gjyqësor është shqetësuese. Sipas tij, raporti duhet të jetë alarm për institucionet kosovare në mënyrë që të mos përsëriten gjetje të njëjta.

    “Raporti i DASh-it është një nga raportet jashtëzakonisht kredibile dhe në bindjen time pasqyron gjendjen reale sa i përket çështjen të cilat trajtohen, me theks të veçantë aspektet të cilat edhe ne vendore në jo pak raste i kemi trajtuar dhe kemi dhënë pikëpamjet tona, me theks të veçantë është le të themi për shqetësim niveli i ndërhyrjeve politike, përmes sulmeve, përmes atakimeve të drejtpërdrejta të eksponentëve politikë duke përmend qoftë edhe emra gjyqtarësh, emra prokurorësh e të cilat natyrisht që duhet sa më parë të ndalen. Vlerësoj që raporti pra është real dhe si i tillë do duhej të merrej me shqetësim dhe në bindjen time është një kambanë është një alarm për të gjithë atyre që iu dedikohet”, thotë Bajraktari.

    Bajraktari ka kërkuar nga eksponentët politikë që sa më parë t’i ndalin sulmet ndaj gjyqësorit. Ndërsa nga këta të fundit, kërkon më shumë efikasitet në punën e tyre.

    “E para institucionet politike, eksponentët politikë, Qeveria dhe të tjerët, duhet sa më parë t’i ndalin këto etiketime, këto sulme në adresë të institucioneve të gjyqësorit, mirëpo edhe këta të fundit natyrisht që duhet ta rrisin efikasitetin me theks të veçantë, Këshilli Gjyqësor dhe KPK-ja duhet të angazhohet jashtëzakonisht shumë në drejtim të forcimit të integritetit të njerëzve brenda për brenda në gjyqësor në drejtim të adresimit të llogaridhënies mirëpo natyrisht edhe në drejtim të rishikimit të politikës ndëshkimore për kategoritë e caktuara të veprave penale të dhunshme përfshirë veprat penale ku viktimat po janë gratë, prandaj ndërmarrja e këtyre veprimeve është imediate është nevojë urgjente me çka natyrisht që do të përmirësohet edhe imazhi i institucioneve të drejtësisë edhe imazhi i vendit tonë në instancë të fundit”, u shpreh Bajraktari.

    Ndërsa avokati tjetër, Yll Zekaj, thotë se raporti i këtij viti është i njëjtë me atë të vitit të kaluar, ku theksohen ndërhyrjet në pavarësinë e sistemit gjyqësor. Këto gjetje, Zekaj i sheh me shqetësim të madh për faktin se nuk ka ndryshuar gjendja nga viti i kaluar.

    Zekaj përmend disa nga gjetjet të cilat i konsideron si më shqetësuese.

    “Edhe raporti i këtij viti të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është që ka ndryshuar shumë nga raporti i vitit të kaluar. Identifikon shumë probleme serioze, sidomos në shkeljen e të drejtave të njeriut, në punën e gjyqësorit, në interferimin e Qeverisë në paanshmërinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, ndaj korrupsionit, dhunën në familje, dhunën në baza gjinore. Këto pak a shumë janë pikat të cilat në aspektin e shkeljes së ligjit dhe shkeljes së të drejtave të njeriut i identifikon raportet e Departamentit të Shtetit i cili nuk konstaton që ka pasur progres nga ajo e vitit të kaluar”, thotë Zekaj.

    Ndërhyrjet që më së shumti përmenden në raport sipas Zekës janë në momentin kur zyrtarët qeveritar ndiqen nga sistemi i drejtësisë.

    “Prapë ky raport e qet në pah atë që e kemi parë edhe vitin e kaluar edhe në sistemin gjyqësor edhe në aspektin me qeverinë që kemi pasur vazhdimisht interferencë të Qeverisë në sistemin gjyqësor përmes kritikave sidomos në rastet kur sistemi gjyqësor ka pas të bëjë me zyrtarë politik apo me zyrtarë qeveritar, qoftë në fazën e hetimeve apo në fazën e gjykimit të tyre gjithmonë kemi pasur polemika nga ana e gjyqësorit nga ana e qeverisë në drejtim të gjyqësorit dhe kjo kemi thënë dhe atëherë është konfirmuar edhe nga ky raport që është drejtpërdrejt shkelje e pavarësisë së sistemit gjyqësor”, u shpreh Zeka.
    Këto gjetje, Zeka kërkon nga institucionet që ta marrin me seriozitet dhe të reflektojnë. Ai thotë se këto raporte pasqyrojnë realitetin në të cilën gjendet shteti ynë.

    “Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit sikurse edhe raporti i progresit apo raporti për Kosovën i BE-së janë skanim i gjendjes në të cilën gjendet shteti ynë në të gjitha sferat, qoftë në cenim të drejtave të njeriut, cenimin e të drejtave individuale. Qeveria e Republikës së Kosovës po edhe të gjitha institucionet tjera në të cilat ka gjete që nuk ka përparim apo nuk ka progres duhet ta marrin si raport real dhe të reflektojnë mbi bazën e këtyre gjetjeve duhet të japin impute më shumë duhet të tentojnë që ta rrisin efikasitetin në drejtim të përmirësimit të gjetjeve për vitin e ardhshëm dhe jo të marrin vetëm pjesët pozitive si të shkëputura nga raporti për interesa personale apo interesa të një institucioni të caktuar duke mos e parë raportin si tërësi”, u shpreh Zekaj.

  • Osmani uron Sierra Leonen në Ditën e Pavarësisë

    Osmani uron Sierra Leonen në Ditën e Pavarësisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Pavarësisë ka uruar shtetin e Sierra Leones.

    Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani shprehu urimet për shtetin e Sierra Leones si dhe për presidentin Julius Maada Bio.

    “Në Ditën e Pavarësisë së Sierra Leones, ne i shprehim urimet tona më të mira Presidentit Julius Maada Bio dhe popullit të Sierra Leones. E ardhmja të mbajë prosperitet, paqe dhe sukses të vazhdueshëm për kombin tuaj të gjallë”, ka shkruar Osmani në “X”.

  • Këto janë mëditjet e krerëve dhe ministrave, në udhëtimet jashtë vendit

    Këto janë mëditjet e krerëve dhe ministrave, në udhëtimet jashtë vendit

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI   

    Përveç pagesave për udhëtime zyrtare që krerët e institucioneve i bëjnë e që buxhetit të shtetit I kushtojnë mijëra euro, shuma të vogla nuk janë as mëditjet që ata i marrin.

    Mbi 8 mijë euro është shuma që Presidentja Vjosa Osmani mori para të gatshme si mëditje për udhëtimezyrtare jashtë vendit për vitin 2023.

    Në deklarimin e saj vjetor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, kjo shumë është me e madhe se e një viti paraprak, kur e para e shtetit mori mbi 7 mijë e 600 euro.

    Më shumë shpenzime gjatë viti 2023 kishte edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca i cili si mëditje mori afro 3 mijë e 600 apo gjashtëfishin e shumës tënjë viti më parë.

    Ndërkaq, për kryeministrin Albin Kurti nuk ka asnjë tëdhënë sa i përket mëditjeve. Nga APK, thonë se mungesa e informacionit të Kurtit për mëditje ndodh nëdy raste, kur ai nuk ka pranuar të marr mëditje për udhëtime jashtë vendit, ose i njëjti ka shpenzuar nën 3 mijë euro gjë e cila nuk e penalizon atë, edhe nëse nuk e deklaron.

    Në anën tjetër, Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu, mëditje për udhëtime jashtë vendi mori afro 5 mijëeuro shumë kjo pothuajse e njëjtë më një vit paraprak.

    Buxhetit të shtetit mëditjet e Ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci i kushtuan mbi 3 mijë euro.

    Shumë gati të njëjtë mori edhe Ministri i BujqësisëFaton Peci mbi 2 mijë e 500 euro.

    Ndërkaq Ministri i Punëve të Brendshëm Xhelal Sveçla, gjatë viti 2023, shpenzoi mbi 2 mijë e 200euro, shumë kjo më e vogël se në vitin 2022 ku i mori afro 3 mijë e 600 euro.

    E shefi i kuletës, Hekuran Murati u tregua mëkursimtar. Ai mori mëditje mbi 1 mijë euro shumë kjo e njëjtë më një vit paraprak.

    Shumë përafërsisht të njëjtë mori edhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

    Për më klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=b_FI0BXg5_c

     

     

  • Ueb-faqet e papërditësuara të institucioneve, rrezik nga sulmet

    Ueb-faqet e papërditësuara të institucioneve, rrezik nga sulmet

    PËRGATITI: HARIS ADEMI

    Ueb-faqja e Policisë së Kosovës nuk është përditësuar nga viti 2021. Ajo e qeverisë dhe e Ministrisë së Punëve të jashtme, nga 2022-ta, ndërsa e Presidencës dhe e Prokurorit të Shtetit, nga viti i kaluar.

    Kjo është njëra nga çështjet për të cilën edhe vetë Ministria e Punëve të Brendshme e pranon se ka mangësi. Por thotë se ka plan.

    “Ueb-faqet e institucioneve shtetërore janë zhvilluar nga institucionet përkatëse dhe disa prej tyre kanë pasur mangësi në mirëmbajtjen e tyre, duke mos u përmirësuar në përputhje me trendet e fundit të zhvillimit të teknologjisë informative. ASHI/MPB ka planifikuar një platformë të re të ueb-faqeve për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, për t’i adresuar këto probleme. Projekti është në proces të implementimit”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Eksperti i sigurisë kibernetike, Kastriot Fetahaj, thotë se mospërditësimi i uebfaqeve i bën ato fragjile ndaj sulmeve.

    “Teknikisht, çdo ueb-faqe që nuk është update për ma pak se tre muaj, ajo ka potencial dhe rrezik të madh që të ketë rrezik të sigurisë”, tha Fetahaj.

    Përmes një analize pasive në dhjetë faqe të institucioneve kryesore, Fetahaj thotë se ka vërejtur edhe defekte të tjera. Sidomos në mbrojtje nga ndalimi i shërbimit dhe përdorimi i identiteteve të rreme.

    “Nuk kanë mekanizma mbrojtës ndaj Denial Service dhe nuk e kanë të siguruar vjedhjen e identitetit, gjithkush mundet me dërgu emaile sikur ata”, shtoi tutje ai.

    Gjithashtu, shton se këto faqe nuk i posedojnë edhe disa certifikata tjera të sigurisë. Megjithatë, vlerëson se më së miri nga to qëndron platforma E-Kosova.

    Në MPB thanë për ATV-në se gjatë vitit të kaluar janë përballur me disa sulme të vogla kibernetike.

    “Ka pasur sulme kibernetike të përmasave të vogla në infrastrukturën shtetërore, duke përfshirë sulmet “phishing” dhe “DDoS”. Parandalimi i këtyre sulmeve kërkon një përgjigje të përhershme dhe të specializuar për të mbrojtur infrastrukturën kibernetike nga këto rreziqe”, u përgjigjën nga MPB-ja për ATV-në.

    Më 2022, Kosova u përball me sulme të vazhdueshme të llojit DDoS, që bllokuan disa herë shërbimet online. Për këtë arsye, qeveria hartoi Projektligjin për Siguri Kibernetike.

    Më keq kishte pësuar Shqipëria. Pas sulmeve kibernetike në këtë shtet, ishte konfirmuar se qëndroi Republika Islamike e Iranit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://www.youtube.com/watch?v=GJMwFUzwefw

  • Fushë-Kosova ende pa shesh, premtimi i kryetarit larg realizimit

    Fushë-Kosova ende pa shesh, premtimi i kryetarit larg realizimit

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Kalimin nëpër këtë rrugë iu duhet ta bëjnë me kujdes të shtuar, se mos goditen nga ndonjë veturë.

    Por më lirshëm do të mund të ecnin nëse komuna e Fushë-Kosovës do ta realizonte premtimin, që rrugën Dardania ta shndërronte në shëtitore.

    Megjithatë, kur jemi në vitin e tretë të qeverisjes, realizimi i këtij projekti duket ende larg.
    Komuna arsyetohet se ka arsye për këtë.

    “Arsye pse nuk kemi kontratë ende për realizimin e këtij premtimi ka qenë buxheti, siç e dini ne jemi të penalizuar për shkak të regjistrimit të popullsisë. Ne i humbim 6 milionë euro në vit, për shkak se banorët rezidentë janë të regjistruar vetëm 33 mijë, derisa në të vërtetë janë mbi 60 mijë. Arsyeja e dytë ka qenë sepse intensiteti i lartë i ndërtimeve ka qenë në kulminacion gjatë këtyre viteve”, deklaroi drejtori i shërbimeve publike në këtë komunë, Ardit Sekiraça.

    Me gjithë arsyetimet e komunës, qytetarët e shohin si mjaft të nevojshëm një investim të tillë, ndonëse kanë fare pak shpresa.

    Shesh jo, por disa investime tjera në këtë rrugë thonë se do t’i bëjnë së shpejti.

    “Ne tash e kemi një kontratë e cila ka të bëjë me rregullimin e mjedisit. Kjo nënkupton mbjelljen e drunjve dekorativë, kanë me u mbjellë diku 1500 trupa të cilët kanë me ndiku në rregullimin e mjedisit për banorët e lagjes Dardania dhe atyre përreth”, tha tute drejtori Sekiraça.

    Për mbjelljen e këtyre drunjve komuna do të shpenzojë afro 700 mijë euro, derisa projekti për rregullimin e sheshit sipas komunës do të kushtonte rreth 2 milionë euro./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://www.youtube.com/watch?v=dtegGd5tlTE

  • 13 komuna aplikojnë për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm

    13 komuna aplikojnë për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm

    PËRGATITI: ARTON HAMITI  

    Vetëm 13 komuna kanë aplikuar në thirrjen e Qeverisë për përcaktimin e lokacionit për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm.

    Thirrjes publike që qëndroi hapur një muaj i janë përgjigjur komunat: Podujeva, Kamenica, Peja, Malisheva, Rahoveci, Lipjani, Drenasi, Ferizaj, Gjilani, Obiliqi, Vushtrria, Istogu dhe Komuna e Shtimes.

    Megjithatë, jo në të gjitha mund të fillojë implementimi i projektit.

    “Komunat që i plotësojnë kriteret dhe janë të gatshme do të jenë përfituese të programit, ndërkaq zhvillimi dhe implementimi i programit do të bëhet me faza. Fillimisht startohet me tri komuna dhe më pas vazhdohet me komunat tjera të cilat janë të gatshme dhe gjatë kësaj kohe i kanë plotësuar kushtet e parapara. Duhet pasur parasysh se ka Komuna të cilat janë në procese të hartimit dhe aprovimit të dokumenteve te planifikimit dhe në momentin që ato janë të gatshëm, vazhdohet edhe me ato komuna me Programin e Banimit të Përballueshëm dhe Social”

    Njëra nga komunat që shpreson të jetë fituese e programit qeveritar për banim të përballueshëm është edhe komuna e Lipjanit.

    Fshati Magure është paraparë si vend adekuat për ndërtimin e objektit.

    Derisa Qeveria iu bëri thirrje komunave të aplikojnë për përcaktimin e lokacionit, projektligji për banimin social dhe të përballueshëm nuk është votuar akoma nga ekzekutivi. Madje, ky projektligj ishte në konsultim publik deri para një jave. /atvlive.tv/

    Për më shumë klikoni në linkun e mëposhtëm:

    https://www.youtube.com/watch?v=7IFsKgmK_To