ATV

Tag: Ballina

  • Kuvendi gjithëserb, mesazh i rrezikshëm për Kosovën

    Kuvendi gjithëserb, mesazh i rrezikshëm për Kosovën

    Përgatiti: Haris Ademi

    Unifikimi i politikës, akademisë dhe kishës serbe, në Kuvendin Mbarëserb të shtunën në Beograd, po shihet si një nga mesazhet më të rrezikshme në drejtim të shtetit Kosovës.

    Në deklaratën e përbashkët shkruhet se Kosova e Metohia është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa përkrah Serbinë në përpjekjen e ruajtjes së integritetit territorial.

    Ndërsa thuhet që serbët e Kosovës dhe qytetarët tjerë besnik të Serbisë, duhet t’i mbrojnë me të gjitha mjetet manastiret, kishat, pronat privat dhe varrezat.

    “Kjo paraqet një rrezik serioz për Kosovën, meqë fjala është për një zotim institucional të cilin po ashtu”, tha Jusuf Buxhovi, historian.

    Historiani Jusuf Buxhovi vlerëson se qeveria Serbisë dhe e Republika Srpskas në Bosnje e Hercegovinë, e kanë bërë qëllimshëm këtë organizim, që t’i deponojë kartat më ekstreme anti-Kosovë.

    “Serbia e din se me këtë nuk mund të luftohet shteti i Kosovës, sepse është i pranuar ndërkombëtarisht, dhe është fryt i aleancës veriatlantike me amerikanët dhe interes i tyre gjeostrategjik, por dëshiron që sa më shumë ta defunksionalizojë”, tha Buxhovi.

    Buxhovi thotë se institucionet kosovare duhet të insistojnë të ndërkombëtarët që diskursi qortues të drejtohet tashmë kah Beogradi. Përndryshe, propozon që Kosova të vendos njëanshëm në dy çështje me shumë rëndësi.

    “Kosova në mënyrë të njëanshme t’i zgjidh problemet që dalin prej zotimeve të Ahtisaarit, si Asociacioni i Komunave Serbe, por pa obligime ekzekutive, dhe në të njëjtën kohë, ta aprovojë Ligjin për Bashkësitë Fetare në Kosovë, sepse e detyron Kishën Ortodokse Serbe, me gjithë ato privilegje të Pakos Ahtisaarit, ta fus në kornizën e bashkësive fetare të Kosovës”, tha Buxhovi.

    Për Kuvendin Gjithëserb ka alarmuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdisje e një bombe që mund të shpërthejë në çdo çast!”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    Deklarata e përbashkët pritet të miratohet brenda 90 ditëve në Kuvendin e Serbisë dhe të Republika Srpskas.

  • Kurti në koncertin e Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta na frymëzuat e ngushëlluat, na dhatë shpresë e forcë

    Kurti në koncertin e Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta na frymëzuat e ngushëlluat, na dhatë shpresë e forcë

    Kryeministri Albin Kurti në koncertin “50 vjet zëri i kombit” të këngëtares Shkurte Fejza mbrëmë tha se ajo e ka frymëzuar e ngushëlluar popullin në robëri e i ka dhënë shpresë e forcë

    Në koncertin për 50 vjetorin e karrierës së Shkurte Fejzës, të organizuar dhe mbajtur në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Kurti tha:

    “Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin”,

    Para shumë të pranishmëve në këtë koncert, kryeministri i tha Shkurte Fejzës se “do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën”.

    Fjala e plotë e Kurti:

    I nderuar kryeparlamentar Glauk, e nderuar zëvendëskryeministre Donika,

    Të nderuara ministra, deputetë e përfaqësues të institucioneve, kryetarë të komunave,

    Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të shteteve mike,

    I nderuar kompozitor i ”Xhamadani Vija Vija”, Zef Çopa,

    Të dashur pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria, trevat e tjera shqiptare e nga mërgata,

    Të nderuar zonja dhe zotërinj, të dashura motra dhe vëllezër,

    Është vështirë ta marrësh fjalën para këngës, dhe dyfish vështirë përballë kremtes së 50- vjetorit të zonjës që mori fjalën për qëndresën dhe sakrificën e popullit shqiptar. Andaj unë i kërkoj faje zonjës Fejza, që po e marr fjalën fare shkurtimisht për t’ju falënderuar asaj nga zemra ime dhe nga zemra e madhe e popullit të Kosovës.

    Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin.

    Andaj do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën.

    Jemi mirënjohës për dhuratën e këngës suaj që na bashkon sot e gjithnjë e përgjithmonë.

    E tash le ta festojmë sonte këtë përvjetor që përkon më 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Për 50 vjet të tjera jetë, të mbushura me muzikë për ju, dhe për një përjetësi në liri për Kosovën dhe shqiptarët.

    Gëzuar!

  • Qeveria skeptike për heqjen e masave nga BE-ja, shkak qasja e Borrel ndaj Kosovës

    Qeveria skeptike për heqjen e masave nga BE-ja, shkak qasja e Borrel ndaj Kosovës

    Qeveria e Kosovës nuk ka pritshmëri të mëdha se javën e ardhshme do të largohen masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak siç thonë qasjes joparimore të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në ekzekutiv deklarojnë se kryediplomati evropian ka pasur qasje të padrejtë ndaj Kosovës, madje e kualifikojnë si të paefektshme edhe mundësinë që në raportin e Borell të përfshihen edhe zhvillimet e fundit në veri sa i përket dinarit dhe shpronësimeve.

    Sipas tyre, Kosova s’ka arsye që të shqetësohet edhe nëse nuk hiqen masat, por duhet të pres strukturat e reja në BE për t’i parë cilat do të jenë zhvillimet. Mundësinë e vazhdimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës e shohin edhe njohësit e integrimeve evropiane.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, thotë për KosovaPress, se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për deeskalim në veri, andaj para se të zëvendësohen institucionet nga zgjedhjet në BE duhet të hiqen masat ndëshkuese ndaj vendit. Skeptik për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës është edhe njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.

    Sipas tij, BE-ja mund të vazhdojë status-qou e masave për shkak të hapave të fundit të qeverisë në lidhje me ndalimin e dinarit dhe shpronësimet në veri.

    KosovaPress ka pyetur edhe në Bashkimin Evropian se a do të hiqen masat ndaj Kosovës, pas dorëzimit të raportit të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili u paralajmërua se javën e ardhshme do t’i dorëzohet vendeve anëtarë. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

  • IHMK: I nxehti afrikan vazhdon mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme

    IHMK: I nxehti afrikan vazhdon mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se di do të jetë moti gjatë pesë ditëve në vazhdim.

    Në njoftimin e IHMK-së thuhet se i nxehti afrikan do të vazhdojë mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme.

    Tutje, ky institut bën thirrje për bartjen e masave mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë.

    Njoftimi i plotë:

    I nxehti afrikan vazhdon mbi vendin tonë edhe gjatë javë së ardhshme.

    E hënë-Mot me diell dhe me vranësira të shpërndara.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-3m/s.

    E martë –Moti me diell dhe pjeserisht i vranët.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-32 gradë Celsius, Do të fryjë erë nga drejtimi jugperëndimit me shpejtësi 1-4m/s.

    E mërkurë-Mot me diell dhe vranesira të shpërndara.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit me shpejtësi 1-2m/s.

    E enjte-Mot me diell dhe vranësira të nivelit të mesëm të Troposferës, të cilat vende -vende mund të sjellin riga shiu.Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13-16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.

    E premte – Mot me diell dhe pjesërisht i vranët, kryesisht vranësirat mund të shfaqen rreth relievit malor.Temperauturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-15gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 26-30gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare.

    Kushtet biometeorologjike do të jenë të kufizuara për shkak të temperaturave të larta dhe indeksit UV të lartë. Rekomandohet që në intervalin kohorë 10-16 mundësishtë mos të ju ekspozohemi rrezeve direkte të diellit ,sepse ky mot është i papërshtatshëm për një shtresë të popullatës me sëmundje kronike. Të bartim masa mbrojtëse, syze dielli , rroba me ngjyra të lehta, kapelë ose ombrellë.

  • Mesazhe nacionaliste në Prilluzhë të Vushtrrisë

    Mesazhe nacionaliste në Prilluzhë të Vushtrrisë

    Në fshatin Prilluzhë të Komunës së Vushtrrisë, gjatë natës, dikush ka shkruar mesazhe nacionaliste serbe, raporton ATV.

    Prilluzha është fshat kryesisht i banuar me serbë, mirëpo në periferi të fshatit ka edhe shqiptarë. /atvlive.tv

  • Hahn: Na duhet një KFOR i aftë për ta parandaluar ndonjë konflikt të mundshëm në veri të Kosovës

    Hahn: Na duhet një KFOR i aftë për ta parandaluar ndonjë konflikt të mundshëm në veri të Kosovës

    “Ruajtja e paqes në Ballkan është përgjegjësia jonë”.

    Me këtë argument, deputetët gjermanë përkrahin zgjatjen e misionit të ushtrisë gjermane në Kosovë dhe Bosnje Hercegovinë.

    Përveç koalicionit në pushtet të tri partive, SPD, të gjelbrit dhe liberalët, edhe partitë opozitare Kristiandemokrate i dhanë mbështetje propozimit të qeverisë gjermane për zgjatjen e mandatit të misionit të Bundesvehrit, si pjesë e KFOR-it në Kosovë.

    “Na duhet një KFOR i aftë për veprim për të reduktuar potencialin e vazhdueshëm për konflikte dhe përshkallëzim në veri të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, tha Florian Hahn, transmeton Sinjali.

    Vazhdimi i pjesëmarrjes së Gjermanisë në misionin e BE-së EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë u miratua edhe nga përfaqësues të Alternativës për Gjermaninë.

    Vendimi përfundimtar për propozimin e qeverisë gjermane për zgjatjen e të dy mandateve duhet të merret javën e ardhshme.

    Sekretarja e shtetit për Mbrojtjen, Siemtje Möller nga SPD tha se Ballkani Perëndimor është fqinji më i afërt prandaj ruajtja e paqes në rajon ishte përgjegjësi e tyre.

    Në propozimin e qeverisë thuhet se bazë për misionin e KFOR-it “është ende Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara” dhe thekson se “si Kosova ashtu edhe Serbia e kanë bërë gjithmonë të qartë se duan vazhdimin e pranisë së KFOR-it”.

    Misioni i NATO-s në Kosovë, i cili po vazhdon prej 25 vitesh, është angazhimi më i gjatë i ushtrisë gjermane (Bundeswehr) jashtë vendit.

    Numri maksimal i pjesëtarëve të njësive gjermane të veprimit të shpejtë do të mbetet në 400.

  • Kurti në shesh, i prinë marshit të Paradës së Krenarisë

    Kurti në shesh, i prinë marshit të Paradës së Krenarisë

    Edhe kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, atë të Shëndetësisë, Arben Vitia, u janë bashkuar në marshin e Paradës së Krenarisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti dhe Çeku po i prijnë marshit me pankartën ku shkruan; Kemi qenë dhe do t’jemi.

    Fytyrat publike që mbështetesin këtë marsh, janë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe dy politikanet tjera, Albulena Haxhiu dhe Mimoza Kusari – Lila.

  • Stano: Përfshirja e Komisionit të Venecias s’është paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 e 2015

    Stano: Përfshirja e Komisionit të Venecias s’është paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 e 2015

    Bashkimi Evropian ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se emisari Miroslav Lajçak duhet ta çojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venecias, ndërkaq ai vetë, në Gjykatën Kushtetuese, raporton EO.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Ekonomia Online, është shprehur se përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015.

    “Përfshirja e Komisionit të Venecias nuk është paraparë si pjesë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. BE-ja dhe QUINT-i e kanë bërë shumë të qartë qëndrimin dhe pritjet e tyre për hapin e ardhshëm që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin e zbatimit të dy Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, përkatësisht referimin e Draft Statuti Evropian në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe për Gjykatën Kushtetuese që ta shpallë kërkesën të pranueshme”, ka thënë Stano.

    Tutje, ai është shprehur se i takon Kosovës të kërkojë këshilla ligjore nga Komisioni i Venecias.

    “Draft Statuti Evropian u shkrua nga ekipi i EUSR-së së bashku me ekspertë të njohur ligjorë ndërkombëtarë, si dhe ekspertë nga Franca, Gjermania, Italia dhe SHBA-ja, pasi palët nuk ishin në gjendje të angazhoheshin vetë në një proces hartimi. Pas prezantimit të draftit evropian kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në tetor 2023, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e ardhshëm në përputhje me Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, siç u theksua më lart. I takon Kosovës si palë në Komisionin e Venecias që të kërkojë këshilla juridike për projektligjet ose legjislacionin tashmë në fuqi, duke përfshirë edhe Projekt Statutin Evropian. Ne presim që Kosova të veprojë për këtë me shpejtësi dhe të ndalojë shtyrjen e mëtejshme të dorëzimit për detyrimin e saj.”, ka thënë tutje Stano.

  • Temperatura deri në 35C e rrebeshe shiu, moti për fundjavë dhe javën e ardhshme

    Temperatura deri në 35C e rrebeshe shiu, moti për fundjavë dhe javën e ardhshme

    Mot më i nxehtë dhe kryesisht me diell parashihet të mbajë përgjatë fundjavës në vend. Temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 34C, sipas “Mendimi për motin”.

    Orëve të pasdites, përreth viseve malore paraqiten mundësi edhe për rrebesh shiu me bubullimë, sidomos gjatë të dielës.

    “Nxehtë me temperatura mbi 30C mbetet edhe në fillim të javës së ardhshme. Të hënën rrebeshe shiu e bubullima mund të zhvillohen në pjesë të vendit, e nga e marta paraqiten kushte të motit më të qëndrueshëm me intervale më të gjata me diell. Nga dita e hënë frynë erë mesatarisht e fuqishme nga jugperëndimi me hove edhe deri në 15m/s”, thuhet në njoftim.

  • Enver Sekiraqa në arrati, s’ka ende kërkesë për fletarrest ndërkombëtar

    Enver Sekiraqa në arrati, s’ka ende kërkesë për fletarrest ndërkombëtar

    Enver Sekiraqa, një ndër emrat më të përmendur nëpër gjykatore në Kosovë, akoma nuk dihet se ku është, ndonëse e ka një dënim për ta vuajtur.

    Ai është dënuar me 25 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit kosovar, Triumf Riza, por pavarësisht kësaj, ai gjendet në arrati.

    Avokati i tij ka thënë që Sekiraqa ka kaluar kufirin e Kosovës dhe ndodhet jashtë për trajtim shëndetësor.

    Por mister në këtë mes janë arsyet pse për të nuk është parashtruar kërkesë për urdhërarrest ndërkombëtar.

    Siç raporton Dukagjini, kjo nuk është bërë nga asnjëri institucion përgjegjës në vend.

    Avokati Asdren Bytyqi sugjeron që një gjë e tillë të bëhet sa më parë.

    “Mendoj që organet e drejtësisë do të duhej që menjëherë të lëshonin një urdhërarrest ndërkombëtar, jo vetëm në këtë rast por edhe në rastet tjera ku parashihet një dënim i lartë për individët dhe kur kërkohet sipas drejtësisë që ndaj të njëjtëve të lëshohet urdhërarrest ndërkombëtar sepse kemi të bëjnë me një vepër penale me dënueshmëri të lartë dhe me një aktgjykim të shkallës së parë ku personi i apostrofuar i është shqiptuar një dënim mjaftë i lartë”, ka deklaruar Bytyqi.

    Ndërsa avokati Florim Shefqeti bën me dije që urdhërarresti duhet të vijë me kërkesë të Prokurorisë.

    “Gjykata nuk mund të lëshoj urdhërarrest nëse nuk ka kërkesë nga ana e Prokuroririsë, prandaj në secilin rast që mungon një kërkese e tillë, gjykata këtë nuk po e bën sipas detyrës zyrtare por nevojitet kerkesa nga ana e Prokurorisë për të lëshuar urdhër arrestin”, ka deklaruar Shefqeti.

    Gjykata Themelore e kishte lënë në liri të mbrohet Sekiraqa pasi ishte shpallur fajtor dhe dënuar, duke iu dhënë kështu mundësia që ai të arratiset.

    Për këtë vendim është suspenduar kryetari i trupit gjykues, Agim Kuçi dhe ndaj tij është nisur procedurë disiplinore, sepse edhe në raste të tjera kishte marrë vendime për masën e sigurisë ndaj Enver Sekiraqës pa u konsultuar me dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues.