Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.
Në këtë seancë do të marrë pjesë dhe presidentja Vjosa Osmani.
Po ashtu, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Për sot në orën 17:00 është paralajmëruar edhe pritja shtetërore nga presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, në 25-vjetorin e çlirimit.
Ish-komandanti i UÇK-së në zonën e Llapit, Rrustem Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, ka folur për rolin e zyrës së UÇK-së në Prishtinë, udhëheqës i së cilës ishte Adem Demaçi.
“Zyra e Adem Demaçit në Prishtinë ka qenë përfaqësuese legjitime nën okupim në Prishtinë, politike e UÇK-së. Kanë qenë raporte ditore, kanë qenë njerëz këshilltarë të zotit Demaçi, me mua personalisht rutinë ditore kemi pasur kontakte dhe kemi koordinuar atë që është dashur me qenë e koordinuar. Normalisht që ne nuk kemi pasur pse t’i informojmë këshilltarët apo dikë në zyrë, jashtë strukturave operative të ushtrisë, për numrin, saktësinë e armëve e këto, por ka pasur shumë elemente që ne kemi biseduar dhe e kanë kryer punën e tyre me sukses të mirë”, tha Mustafa.
Ai tregoi se gjatë asaj kohe, kishte pasur kontakte edhe me Albin Kurtin, i cili ishte Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të UÇK-së.
Mustafa thotë se me Kurtin kanë pasur kontakte edhe përmes telefonit, por edhe kontakte të drejtpërdrejta.
“Nuk do t’i shpjegoj më tutje, por e di që ka qenë zyrtarisht element i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyra ka qenë udhëheqja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, baci Adem Demaçi ka qenë drejtor i kësaj drejtorie. Ne e kemi numëruar si instrument tonin të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi këmbyer ato punë që është dashur të këmbehen me ata. Unë personalisht kam pasur fatin të bashkëpunoj më shumë nga njerëzit e Adem Demaçit, duke shkuar edhe në Shtabin e Përgjithshëm bashkë me ta”, tha Mustafa. /atvlive.tv
Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka caktuar datën për publikimin e rezultateve paraprake të procesit të regjistrimit të popullsisë, raporton Ekonomia Online.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se më 12 korrik, ASK-ja do të dalë me të dhënat paraprake.
“Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ju njofton se është caktuar data e Konferencës për shpalljen e rezultateve paraprake të Regjistrimit të Popullsisë (ReKos2024). Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024) është projekti më madhor i një vendi në kohë paqeje, që u realizua nga 05 Prill deri më 24 Maj 2024. Ky ishte rundi i dytë i Regjistrimit të Popullsisë në vend, që nga Regjistrimi i vitit 2011. Shpallja e rezultateve paraprake do të bëhet me organizmin e një konference që planifikohet të mbahet më 12 korrik 2024”, thuhet në njoftim.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë këtij procesi, të gjithë stafin e përfshirë në Regjistrim, institucionet që kanë mbështetur këtë proces, si dhe të gjitha mediat për korrektësinë dhe raportimin e drejt gjatë gjithë procesit të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë (ReKos2024).
“NATO-ja është e gatshme të vërë në zbatim nenin 5 të traktatit në rast të një sulmi.” Kështu ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtyp në Letoni.
Për shefin e NATO-s vënia në zbatim i nenit 5 është një detyrim ligjor për tërë aleatët për të ndihmuar dhe kontribuar në rast të një sulmi të armatosur.
“Neni pesë i traktatit të Atlantikut të Veriut, klauzola e mbrojtjes kolektive të NATO-s, është një detyrim ligjor për aleatët për të ndihmuar në rast të një sulmi të armatosur.
Nuk ka kërkesë për ndonjë vendim unanim. Është gjithashtu e rëndësishme të kujtojmë se ne kemi plane në vend dhe forca në dispozicion, dhe le të mos ketë asnjë dyshim se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.
Reagimi i ashpër i Stoltenberg, vjen në kohën kur trupat ruse dhe bjelloruse kanë filluar fazën e dytë të stërvitjeve taktike bërthamore në Rusi. Lajmi është konfirmuar Ministria ruse e Mbrojtjes. Stërvitjet synojnë të sigurojnë që personeli ushtarak dhe pajisjet e të dy vendeve të jenë gati për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.
Në Prishtinë sot mbahet samiti “The Western Balkans 2024”.
Në këtë samit pritet të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, George Robertson ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s, Jeffrey Hovenier ambasador i SHBA-së në Kosovë, Tomas Szunyog shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Matteo Renzi ish-kryeministri i Italisë, Liburn Aliu ministër i Mjedisit.
Gjithashtu, pjesëmarrës do të jenë edhe ministra tjerë të qeverisë së Kosovës, si dhe biznesmen të ndryshëm.
Siç e do tradita e nisur nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, pasardhësja e tij, Vjosa Osmani, i dhuroi një gur kristali ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe, Tony Blair.
Kjo dhuratë, iu dha Blairit në shenjë mirënjohje për angazhimin e tij direkt për një Kosovë të lirë.
“Ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave, ju orientuat kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që përcaktuan kapitujt më të lavdishëm të historisë. Më lejoni të ju falënderoj përzemërsisht që jeni me ne në 25 vjetorin e çlirimit, në mënyrë që ta shihni edhe ju mirënjohjen e qytetarëve që kanë për ju”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërkaq, duke thënë se emocionohet sa herë që vjen në Kosovë, ish-kryeministri Blair falënderoi qytetarët për vendosmërinë që të shohin vendin e tyre çdo ditë e më mirë.
“Është emocion i madh për mua të jem sërish në Kosovë. Dua të falënderoj popullin e Kosovës për përcaktimin e tyre 25 vite më parë dhe për vendosmërinë e tyre të palëkundur që ta shohin të mirën, çlirimin e para 25 viteve”, tha Blair.
Duarthatë, Blair nuk doli as nga zyra e Kryetarit të Prishtinës.
Përparim Rama ish-kryeministrit të Britanisë, ia dhuroi çmimin “Çelësi i Qytetit”.
Madje, në një seancë të posaçme, Tony Blair u shpall edhe “Qytetar Nderi”.
Gjatë të hënës, ish-kryeministri britanik është takuar me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me liderët e partive opozitare.
Ndërkohë, në Ferizaj, për nder të rolit të tij për Kosovën, do të zbulohet shtatorja e tij.
Kryeministri Albin Kurti tha se shpresat e Serbisë për ta zbrazur Kosovën u shuan 1 çerek shekulli më parë.
Por të bëmat e saj ndaj popullit të Kosovës, thotë se duhet të shkruhen e punime të ndryshme të botohen sa më shumë, që ato të mos harrohen asnjëherë.
“Sikur sot një çerek shekulli më parë, më 10 qershor 1999, NATO-ja i dha fund fushatës së bombardimeve mbi Jugosllavi pas 78 ditësh bombardimeve. Në Nju Jork Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244 me të cilën autorizonte vendosjen e një force ushtarake e civile në Kosovë. Po atë ditë, UNHC-ja njoftonte se gjatë gjithë luftës në Kosovë 862 mijë e 979 refugjatë ishin dëbuar jashtë Kosovës dhe se sfida e radhës ishte organizimi i kthimit të tyre”, tha Kurti.
Për luftën dhe ditët e çlirimit të Kosovës, u fol edhe nga figura të tjera akademike, por edhe politike, gjatë konferencës shkencore, për 25-vjetorin e çlirimit.
“Përvjetorët si ky që shënojmë sot, na ofron një mundësi për të reflektuar për proceset dhe vendimet që i dhanë formë shtetit tonë”, tha ish-president i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
“Uroj që Kosova të ketë ditë edhe më të bardha në të ardhmen. Uroj që shqiptarët në Ballkanin perëndimor të kenë një mirëkuptim mes njëri-tjetrit dhe të mendojnë më shumë për të ardhmen duke mos harruar”, tha ish-president i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Homologët nga akademitë e shkencave të të dyja vendeve, teksa e konsideruan si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e vendit, shtuan se ende ka gjëra për t’u bërë.
“Lidhja e Prizrenit bëri kombin shqiptar, shekulli 20 bëri dy shtetet tona, shekulli 21 ende nuk e ka thënë për ne fjalën e fundit“, tha kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja.
“Ngjarje e cila çon në pavarësimin e Kosovës, duke mbyllur kështu cilin 100 vjeçar, të fitimit të pavarësisë së shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë”, tha kryetari i Akademisë së Shkencave në Shqipëri, Skënder Gjinushi.
Aktivitetet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga data 8 qershor e do të zgjasin deri më 21 qershor.
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është figura kyçe në seancën solemne të së hënës, në Kuvendin e Kosovës.
Edhe foltorja është rezervuar vetëm për të. Blair, para deputetëve dhe mysafirëve të tjerë në sallën plenare, flet me krenari për angazhimin e tij 25 vjet më parë, që kulmoi me çlirimin e Kosovës.
Madje, nuk shpreh pikë pendese për bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe, më 1999.
“Më kujtohen njerëzit, duke i takuar, refugjatët në kamp në Shkup, duke i dëgjuar historitë e tyre, për zhvendosjen e tyre, për largimin e tyre. Fytyrat e tyre, që kërkonin ndonjë shenjë te fytyra ime, se a mund t’iu ndihmoj apo jo. Ne ju kemi ndihmuar dhe unë asnjëherë nuk jam penduar për këtë”, tha Blair.
Saktësisht 25 vjet më parë, u dha urdhri të ndalen bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë, një ditë pas arritjes së Marrëveshjes Tekniko-ushtarake në Kumanovë, që largoi më pas edhe forcat serbe nga territori i Kosovës.
Pikërisht kjo marrëveshje, sipas kryeministrit Blair, ua dha mundësinë kosovarëve ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë.
“25 vjet më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës, dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë”, tha Blair.
Blair thekson mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në strukturat ndërkombëtare.
Ai kërkon nga të rinjtë kosovarë angazhim në zhvillimin e vendit dhe përtej.
“Të imagjinojmë këtë rini e cila ka mundësi brenda Kosovës dhe është brenda Evropës, të ndihmojë në inovacione teknologjike, që mund ta transformojnë botën. Ta imagjinojmë pasurinë e kulturës dhe artit kosovar, që mund të ndahet dhe të respektohet në vende shumë larg kufijve të Kosovës”, tha Blair.
Me të dalë nga Kuvendi, Blair pritet nga dhjetëra fëmijë kosovarë.
Ambienti i bibliotekës ka mbetur, por funksioni i është ndryshuar në zyrë pune.
Ka dy javë që në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” janë bartur zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës në Prishtinë.
Kjo u bë me vendim të kryetarit të komunës, Përparim Rama.
Për vendimin nuk qenë në dijeni shoqëria civile, anëtarët e së cilës përmes një letre publike, po kërkojnë anulimin e tij.
“Dhomat kanë qenë të dedikume për senet e caktume kanë pas mjete por qysh pe kuptojmë janë kthye në zyre, ideja është me ofru hapësirën për komunitetin se nuk ka boll hapësira të tilla”, tha Rozafa Maliqi, organizatore e Komunitetit Kulturor.
Që në kryeqytetet ka mungesë të hapësirave që i shërbejnë komunitetit e thotë edhe Taulant Hoxhaj, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
“Rasti i qendrës ka qenë një prej hapësirave të pakta që ka qenë e hapur ku u investuar edhe një shumë e konsiderueshme me mjeteve publike. Ajo do të duhej të mbetej një hapësirë e artit e kulturës e jo të shfrytëzohet si zyrë administrative”, tha Hoxhaj.
Vendimin për zhvendosjen e DKRS-së në këtë objekt po e vlerëson si të pamenduar mirë, edhe opozita.
“Veprimi nuk ka sens, se komuna ka zyra të mjaftueshme, Prishtina ka nevojë për më shumë hapësira për komunitet. Do të duhej të ishte në dobi dhe në funksion të shoqërisë civile”, tha Leotrim Retkoceri, asamblist i PDK-së.
Për vendimin e kryetarit dhe kërkesën për anulimin e vendimit nga shoqërinë civile, ATV është interesuar që nga e enjtja, por askush nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje.