ATV

Tag: Ballina

  • Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

    Szunyog: BE ka vullnet të pranojë anëtarë të rinj, Kosova ta shfrytëzojë rastin

    Ambasadori i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, gjatë vizitës së tij në Parkun Memorial “Bllaca 99”, ka deklaruar se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë e anëtarësimit në familjen e madhe evropiane, pasi kjo e fundit ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj.

    Szunyog ka thënë për KosovaPress se gjatë periudhës 4-vjeçare të tij në Kosovë, ka takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar, që meritojnë një të ardhme evropiane.

    “Ka vullnet dhe Kosova ka mundësi, dhe duhet të shfrytëzojnë mundësinë që të bëhet anëtare e BE-së, sepse nga ana e BE-së ka vullnet që të pranojë anëtarë të rinj…Gjatë kohë sime këtu, kam takuar shumë evropianë të rinj dhe të entuziazmuar dhe mendoj që meritojnë të kenë të ardhme evropiane” ka thënë Szunyog.

    Ambasadori Szunyog ka shtuar se është shumë me rëndësi që Kosova së bashku me shtetet tjera të kenë paqe, në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    “Është me rëndësi për mua që ta vizitojë Bllacën sidomos tash kur është periudha kur e kujtojmë kohën e përvjetorit të 25-të prej fundit të konfliktit në Kosovë… Dhe mendoj se është me rëndësi që ta përkujtojmë këtë park për shkak të nderimit të atyre njerëzve që është dashur me forcë që ta lëshojnë Kosovën gjatë asaj kohe…Shpresoj që ky park do të vizitohet nga shumë njerëz, në mënyrë që ta kujtojnë dhe tërë ajo vuajtje të mos harrohen. Unë kam kujtime personale të asaj kohe më 1998. Në muajin nëntor kam vizituar veriun e Shqipërisë, Kukësin dhe kam qenë shumë i tronditur nga ajo që kam parë, me dhjetëra-mijëra refugjatë…Njëkohësisht është shumë me rëndësi që të vijnë deri te pajtimi në mënyrë që i gjithë rajoni të shkoj drejt BE-së”, ka thënë Szunyog.

    Gjatë takimit që ai kishte me kryetarin e Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi është diskutuar edhe mbi rregullimin e rrugës që çon drejt Parkut Memorial Bllaca 99.

  • Hovenier për deklaratën e Serbisë dhe Republikës Sërpska për Kosovën: S’është qëndrimi i ShBA-së e as i QUINT-it

    Hovenier për deklaratën e Serbisë dhe Republikës Sërpska për Kosovën: S’është qëndrimi i ShBA-së e as i QUINT-it

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj perëndimorë nuk pajtohen me Deklaratën e miratuar më 8 qershor nga Serbia dhe entiteti serb i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Në deklaratën e miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive përmendet Kosova si “pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

    “Nuk e kam pasur mundësinë t’i lexoj të gjitha raportet lidhur me ‘Kuvendin gjithëserb’, por e kuptoj që aty përdoret gjuhë që thotë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë. E kuptoj që ky është qëndrimi i tyre, por ky nuk është qëndrimi i asnjërit prej nesh, nuk është i SHBA-së, i partnerëve tanë të QUINT-it apo kujtdo tjetër”, tha Hovenier.

    Ai theksoi se SHBA-ja e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe se SHBA-ja do të qëndrojë prapa këtij qëndrimi “me krenari”.

    Gjatë të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb të 8 qershorit u theksua që ai i mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat e tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në deklaratë thuhet, mes tjerash, se serbët në Kosovë, si dhe të gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet t’i mbrojnë manastiret, kishat, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

    Nënshkruesit e Deklaratës i dënuan edhe ato që i konsideruan si kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

    Në një pikë tjetër përmendet edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhjen e problemeve.

    Hovenier i bëri komentet e tij gjatë konferencës ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, që po mbahet më 10 qershor në Prishtinë, për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

    Në konferencë, ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, i cili kishte udhëhequr Italinë gjatë viteve 1998-2000, tha se Kosovës i nevojitet një marrëveshje me Serbinë.

    “Kosova duhet të jetë e qëndrueshme në kërkesat për të drejtat e saj, por të mos bjerë në kurthin e nacionalizmit. Mirëpo, të mbetet e hapur ndaj diskutimit për një marrëveshje”, tha ai.

    D’Alema ishte kryeministër i Italisë në kohën kur NATO-ja ndërhyri në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe.

    Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

    Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja./REL/

  • Kurti pret në takim ish-kryeministrin britanik

    Kurti pret në takim ish-kryeministrin britanik

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, i cili është duke qëndruar në Kosovë me rastin e 25-vjetorit të çlirimit, raporton EO.

    Takimi i Kurtit me Blair është duke u zhvilluar pa pranin e mediave në objektin e qeverisë.

    Kryeministri Kurti, po ashtu sot në orën 16:00 merr pjesë në shënimin e 146- vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

  • A do të takohet me Ramën, s’përgjigjet Kurti

    A do të takohet me Ramën, s’përgjigjet Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse do të takohet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama. i pyetur nga EO, Kurti ka përmendur vetëm seancën solemne, ku deputetëve do t’u adresohet ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair.

    “Kemi seancë në ora 10:00”, ka thënë shkurt Kurti.

  • Tony Blair në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

    Tony Blair në Kosovë, pritet nga presidentja Osmani

    Për nderë të 25-vjetori të çlirimit të vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takimi ish-Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, raporton Ekonomia Online.

    Pas këtij takimi, Osmani e Blair mbajnë konferencë për media.

    Në shënim të 25 vjetorit të çlirimit Osmani në orën 16:00, merr pjesë në shënimin e 146 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

    E po ashtu në orën 18:00, presidentja merr pjesë në Ekspozitën “Reporting House” nga BIRN, në Objektin e Gërmisë, sheshi Skënderbeu në Prishtinë.

  • Tony Blair sot viziton Kosovën

    Tony Blair sot viziton Kosovën

    Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, do të qëndroj sot për vizitë në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite ai do të ketë disa takime të rëndësishme me liderët e vendit.

    Vizita e tij përfshin pjesëmarrjen në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës dhe takime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

    Sipas agjendës, në ora 09:00, presidentja Osmani do të pret Tony Blair në një takim në objektin e Presidencës. Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje të pritjes para objektit, ndërsa pas takimit, presidentja dhe Blair do të bëjnë deklarata për mediat.

    Pas takimit me Osmanin, ish-kryeministri britanik do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit, ku pritet të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të përsërisë mbështetjen e tij për Kosovën.

  • Macron shpërndan Parlamentin francez pas fitores së të djathtës ekstreme

    Macron shpërndan Parlamentin francez pas fitores së të djathtës ekstreme

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka shpërndarë Parlamentin francez dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme, pas fitores së madhe të partisë së të djathtës ekstreme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

    Sondazhet në Francë kanë treguar që lista e partisë së Marine Le Pen-it, Marshi Kombëtar, e udhëhequr prej Jordan Bardellas, ka dalë e para, me mbi 30 për qind të votave.

    Kjo parti nuk ka shënuar asnjëherë më parë një rezultat kaq të lartë.

    Lista e partisë së Macronit, Rilindja, e udhëhequr prej Valerie Hayer, ka dalë e dyta me 15.2 për qind të votave.

    Dalja në këto zgjedhje në Francë ka qenë rreth 51 për qind, pak më shumë se më 2019 – 50.12 për qind.

    Partitë e së djathtës ekstreme duket se kanë shënuar rritje të konsiderueshme edhe në Gjermani e Austri.

    Kështu, këto vende i bashkohen Holandës, çka jep shenjat e para se kthimi kah e djathta do të ndodhë në këtë institucion të BE-së.

    Partia e qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane (EPP) pritet të jetë sërish grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, dhe që kandidatja e tij, Ursula von der Leyen të ketë edhe një mandat në krye të BE-së.

    Megjithatë, asaj do të mund t’i duhet mbështetja e nacionalistëve të krahut të djathtë, sikurse ajo e partisë italiane, Vëllezërit e Italisë, e kryeministres italiane, Giorgia Meloni për të siguruar shumicën në Parlament.

    Votimet për Parlamentin Evropian kanë nisur të enjten në Holandë dhe në disa shtete tjera të premten dhe të shtunën, por pjesa më e madhe e banorëve të BE-së kanë votuar të dielën.

    Parlamenti Evropian voton për legjislacione që janë kyçe për qytetarët dhe bizneset në bllokun me 27 vende anëtare. /REL

  • Kurti në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës: Kosova nuk i fal krimet e Serbisë

    Kurti në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Kumanovës: Kosova nuk i fal krimet e Serbisë

    Kryeministri Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, në rrafshin ushtarak e teknik dhe në atë juridik e ndërkombëtar.

    “Sot u bënë 25 vite nga dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, në rrafshin ushtarak e teknik dhe në atë juridik e ndërkombëtar. Më 9 qershor 1999, në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake mes Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë”, shkroi ai në Facebook.

    Shefi i qeverisë, tha se shteti dhe populli i Kosovës janë mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare, teksa nuk harrojnë dhe nuk i falin krimet e Serbisë.

    “Pas shumë vuajtjesh nën regjimet e Serbisë pushtuese, Kosova u çlirua dhe populli i saj nisi ndërtimin e një etape krejt të re historike. Duke i kujtuar ditët e fundit të luftës në Kosovë dhe ditët e para të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese. Sepse populli dhe shteti i Kosovës janë mirënjohës e falënderues për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare teksa nuk harrojnë dhe nuk falin krimet e Serbisë!”, u shpreh Kurti.

  • Nga viti i ardhshëm Kosova forcon kapacitete ajrore ushtarake

    Nga viti i ardhshëm Kosova forcon kapacitete ajrore ushtarake

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Më 2025, Forca e Sigurisë së Kosovës hyn në fazën e tretë të planit dhjetëvjeçar gjithëpërfshirës të tranzicionit, e cila parasheh investime prej qindra miliona eurosh në pajisje ushtarake ajrore dhe tokësore.

    Deri në përmbyllje të transformimit, fazë që do të zgjasë së paku pesë vjet, parashihet blerja e helikopterëve të lehtë ushtarak dhe atyre të mesëm transportues, si dhe autoblindave e tankeve.

    Pa dhënë detaje për armët dhe pajisjet, të cilat i parasheh plani, Ministria e Mbrojtjes konfirmoi se do të fokusohen në ngritjen e kapaciteteve ajrore.

    “Dronët Bajraktar e sistemi OMTASH janë vetëm disa nga pajisjet, të cilat FSK-ja tashmë i ka në dispozicion, përderisa jemi duke vazhduar procesin për blerjen e sistemit Javelin dhe sistemeve të tjera. Pas përfundimit të fazës së dytë të PGJT-së, në vitin 2025 do të fokusohemi në ngritjen e kapaciteteve ajrore, duke përmbyllur kësisoj planin dhjetëvjeçar për të vazhduar pastaj në vazhdimësi investimet konform planeve operacionale të FSK-së, si një Forcë profesionale dhe multietnike”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Mbrojtjes.

    Pasi përmendi rëndësinë e koordinimit me SHBA-në, që nga hartimi dhe miratimi i ligjit dhe planit, profesori Mensut Ademi theksoi se, fillimisht, FSK-ja ka ngritur kapacitetet humane.

    “Së pari djemtë dhe vajzat tona, të rinj, kanë arritur shkëlqyeshëm të kenë trajnime adekuate për përdorimin e armatimit… Ata janë duke mbajtur dhe arritur trajnime adekuate qoftë në SHBA, Turqi, Britani apo shtete të tjera mike”, tha Ademi.

    Armatimi në të cilin do të investojë Kosova, sipas ekspertëve, do të jetë kryesisht për qëllime mbrojtje.

    “Armatim për parandalim, paralizim, pengim të pajisjeve apo armatimit që na rrezikon neve, në këtë rast nga Republika e Serbisë. P.sh. ne kemi parë ‘iron-dome’ në Izrael dhe ne kemi shumë mundësi të kemi një të tillë, sepse për momentin rrezikun më të madh nga Serbia, përpos aspektit tokësor, e shohim në atë ajror, e cila është ajo – jo aviacioni, por dronët, sidomos ata kamikazë”, tha Ademi.

    “Janë helikopterët, sistemi i dronëve të ndryshëm, sistemi anti-raketor. Janë tri komponentët kryesorë, me të cilët sipas të gjitha gjasave FSK-ja do të përmbyllë në fazën e tretë sa më parë… edhe sistemi anti-dron sipas të gjitha gjasave në fazat në vijim do të jetë në shfrytëzim të strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes të Republikës së Kosovës, meqenëse Serbia ka avancuar me sistemet e dronëve”, tha Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

    Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në tri vjetët e fundit janë investuar rreth 200 milionë euro.

    Muajin e kaluar, presidentja Vjosa Osmani vizitoi kompaninë e helikopterëve Bell në SHBA, ndërsa kryeministri Albin Kurti fabrikën e dronëve Bajraktar në Turqi.

  • Më shumë vizitorë se sa blerës në “Panairin e Librit 2024”

    Më shumë vizitorë se sa blerës në “Panairin e Librit 2024”

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tituj librash të ndryshëm u ekspozuan edhe këtë të diel, në ditën e fundit të edicionit të 24-të të Panairit të Librit. Por libradashësit thonë se nuk po mund të blejnë aq sa dush.

    Sipas tyre, çmimet e librave janë të larta, ndërsa as ofertat nuk janë aq joshëse.

    “Sa herë mbahet vij dhe nuk shpëtoj pa ble ndonjë libër, por çmimet çdo vit po rriten nga pak”, tha Edon Mustafa, vizitor.

    “Librat e mirë po çmimet kanë qenë tek disa libra që mendoj që janë më të mirë pak sa të shtrenjta”, tha Fahri Avdiu, vizitor.

    Edhe shtëpitë botuese pohojnë se nuk pati interesim sa pritej.

    “Pritjet ishin më të mëdha por këtë vit ka pas ndryshime, ka pas vizitor më pak e po ashtu edhe blerës”, tha Urim Sallauka nga Shtëpia Botuese AAB.

    “Viteve të fundit është vërejtur një rënie graduale e vizitorëve t panairit të librit”, tha Ylli Mollaj nga Shtëpia Botuese “Bot Art”.

    Megjithatë për numrin e vogël të vizitorëve, organizatorët kanë një arsyetim.

    “Vërehet një rënie, e kjo na shpie në bindje se formati i arritjes së librit deri te lexuesi ka ndryshuar, por kjo nuk do të thotë se ka lexues më pak”, tha Edon Zeneli, organizator.

    Në ditën e fundit të panairit, u organizua edhe ceremonia e ndarjeve të çmimeve.

    Çmimin për veprimtarinë e jetësore e mori autori Rexhep Qosja, ani pse u desh pak insistim nga ana e jurisë, meqë ai këmbëngulte se një çmim të tillë duhet të jepej për një autor të ri.

    Ndërkaq çmime pati edhe për autorin e vitit, romanin më të mirë, poezinë si dhe për letërsinë e fëmijëve.