ATV

Tag: Ballina

  • ​Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

    ​Osmani vlerëson Drenasin për performancë shembullore, Lladrovci: Kemi punë për të bërë

    Në kuadër të vizitave të komunave të Kosovës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot vizitoi Komunën e Drenasit, me ç ‘rast përgëzoi atë për performancë të mirë në transparencë dhe llogaridhënie.

    Osmani, pas takimit me kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovci tha se Drenasi është një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur.

    Krahas kësaj, në një deklarim për media, Osmani potencoi se Drenasi nuk njihet vetëm për kontributin e dhënë në luftën për lirinë e Kosovës, porse përmendi atë si një ndër komunat me performancën më shembullore në nivel republike.

    E para e vendit theksoi përfshirjen e madhe të grave në pozitat udhëheqëse të kësaj komune, për çka tha se duhet marrë shembull.

    Sipas saj, sa më shumë të ketë gra në vendimmarrje, aq më shumë do ketë perspektivë për qytetarët.

    “Jemi në një komunë që është bërë simbol i qëndresës, heroizmit dhe simbol i vendosmërisë së pa epur…Trimëria që e ka treguar kjo komunë dhe qytetarët e sa, trimëria e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ata që qëndruan të pa tundur përballë shtypjes serbe dhe atyre që paguan çmimin përfundimtar me jetën e tyre për lirinë tonë nuk do të harrohet asnjëherë. Sakrifica e tyre na kujton se liria është më e çmueshmja dhe duhet të ruhet me përkushtim të pa lëkundur. Drenasi nuk shquhet vetëm për kontributin në lirinë e Kosovës, sot Drenasi frymon lirshëm dhe zhvillohet në mënyrë dinamike, duke u bërë një ndër komunat me performancën më shembullore më nivel të republikës sonë. I përtrirë dhe me një potencial për zhvillim ekonomik Drenasi po rritet, po zhvillohet nga sipërmarrës të zellshëm, biznese dhe përkushtim të vazhdueshëm të qytetarëve dhe qytetareve punëtorë. Është jashtëzakonisht inkurajues fakti që mbi 50 për qind e ekzekutivit komunal që nga dita e parë e udhëheqjes së kryetarit Lladrovci janë të përbëra nga gratë. Kjo dëshmon zotësinë e gruas, punën e saj të jashtëzakonshme dhe besimin në punën e gruas. Ky është një shembull që duhet ndjekur”, tha Osmani.

    Me rastin e vizitës, presidentja Osmani potencoi se sfidat me të cilat po përballet Kosova, derisa përmendi pabarazinë ekonomike, papunësinë e të rinjve dhe nevojën për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës në disa sektorë.

    Ajo tha se do të vazhdojë të përkrahë komunat në plotësimin e nevojave të qytetarëve.

    “Komunat zhvillohen atëherë kur grave u jepet hapësirë për pozita vendimmarrëse. Prandaj, sa më shumë gra në vendimmarrje aq më shumë do ketë perspektivë për të gjithë qytetarët tanë. Akoma kemi pabarazi ekonomike, pa punësia e të rinjve është një ndër sfidat kryesore dhe nevoja për zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës qoftë në sektorin e shëndetësisë, qoftë atij të arsimit janë çështje që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Komunat e fuqizuara e fuqizojnë shtetin tonë”, theksoi Osmani.

    Ndërkaq, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci derisa falënderoi presidenten për vizitë tha se pavarësisht sukseseve të deritanishme, kanë shumë punë për të bërë.

    Ndër prioritetet e kësaj komune, Lladrovci potencoi arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë.

    Ai tha se do të vazhdojnë të jenë kampion në zbatimin e ligjit.

    “Jemi në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel nacional për vite me radhë për transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje të mire. Për këto suksese apo gjysmën e tyre e kanë gratë. Kemi punuar shumë por kemi edhe shumë punë për të bërë. Arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, bujqësia janë disa nga prioritetet tona. Jemi kampion në zbatim të ligjit dhe do të vazhdojmë”, tha Lladrovci.

    Gjatë vizitës në Drenas, presidentja vizitoi Parkun e Biznesit dhe shkollën “Xhevë Lladrovci”, në Gllanasellë.

  • Kërcënimet e Serbia dhe RS në Ballkan, kërkohet vazhdimi i mandatit të Bundeswehrit në Kosovë

    Kërcënimet e Serbia dhe RS në Ballkan, kërkohet vazhdimi i mandatit të Bundeswehrit në Kosovë

    Deputeti gjerman, Philip Kramer nga Grupi Parlamentar Aleanca 90/Të Gjelbrit, ka thënë se Serbia dhe Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë janë të varura nga paratë dhe armët e Moskës dhe inkurajohen të jenë më të qarta në kërcënimet dhe provokimet e tyre kundër fqinjëve të tyre.

    Ato inkurajohen të kërcënojnë me luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor dhe të bashkohen me boshtin autokratik.

    Këto komente, Kramer i bëri në fjalimin e tij të djeshëm në Parlamentin gjerman, ku po diskutohej për vazhdimin e mandatit të Bundeswehrit në KFOR, Kosovë.

    “NATO-ja dhe BE-ja po kryejnë misione për ndërtimin e paqes për të krijuar një mjedis të sigurt për një proces paqeje pas vitesh krime lufte dhe dëbimi. Në të njëjtën kohë, fuqitë autokratike po përpiqen të krijojnë një trampolinë në Evropën Perëndimore dhe të ndezin lagjen e BE-së. Kina po hapet në Ballkanin Perëndimor përmes Iniciativës së saj të Mëndafshit dhe Rrugës, shpesh me premtime për infrastrukturë që shpesh shkojnë në dëm të marrësve të tyre dhe hapin derën e ndikimit kinez. Rusia po merr një qasje shumë më të ngathët”.

    “Ajo vepron si fuqia mbrojtëse e serbëve, si një ‘popull vëlla ortodoks’, ndërsa ushtria e saj në Ukrainë zhvillon një luftë të asgjësimit kundër një ‘populli vëlla ortodoks’, duke vjedhur, vrarë, përdhunuar dhe rrëmbyer fëmijë. Serbia dhe Republika Sërpska varen nga parat dhe armët e Moskës dhe inkurajohen të jenë më të qarta në kërcënimet dhe provokimet e tyre kundër fqinjëve të tyre”.

    “Ato inkurajohen të kërcënojnë me luftëra të reja në Ballkanin Perëndimor dhe të bashkohen me boshtin autokratik. E gjithë kjo, zonja dhe zotërinj, është ajo që e bën KFOR-in të rëndësishëm sot. E gjithë kjo, të dashur ushtarë të kontingjenteve aktuale dhe të mëparshëm, e kanë bërë shërbimin tuaj në këtë mandat kaq qendror për 25 vjet tani”, u shpreh deputeti Kramer para të pranishmëve.

    Ai theksoi se Bundeswehri, rrjedhimisht KFOR-it, për 25 vite tash ka kryer misionin e tij themelor që është parandalimi i dhunës së përtërirë të luftës dhe promovimi i një mjedisi të sigurt.

    “KFOR-i është një mision paqeruajtës dhe stabilizimi në një zonë të pasluftës të lidhur me konfliktin. Dhe kjo na sjell në një pikë qendrore: mandati në formën e tij është akoma i rëndësishëm, mbase më i rëndësishëm sesa ishte disa kohë më parë. Për vite me radhë, por më së voni që nga pushtimi rus në shkallë të plotë të Ukrainës, autokratët e interesuar për të zhvendosur kufijtë e tyre kanë nuhatur ajrin e mëngjesit. Kjo vlen edhe për Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor ishte dhe është një hyrje gjeopolitike për në Evropë. Kjo bëhet e qartë kur shikoni se kush është i përfshirë atje dhe për cilat arsye”, potencoi më tej ai.

    Ndërkaq, ai pati edhe kritika për zhvillimet në Kosovë që nga paslufta, duke thënë se “fakti që asnjë paqe e qëndrueshme nuk është rritur ende në Kosovë, se korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia dhe mungesa e perspektivave nuk vazhdojnë të përhapen, është një dështim politik nga të gjitha anët, përfshirë BE-në”.

    “Është një domosdoshmëri politike për të përparuar këtu në muajt e ardhshëm, nëse është e mundur, por të paktën në vitet e ardhshme. Fakti që asnjë vuajtje dhe masakër e re, dëbim dhe përdhunim nuk ka shpërthyer midis shteteve dhe popullsisë së tyre është falë ushtarëve të Bundeswehrit të vendosur në Kosovë dhe partnerëve tanë”, deklaroi deputeti nga Grupi Parlamentar Aleanca 90/Të Gjelbrit në Bundestagun gjerman.

    Në fund, ai kërkoi nga kolegët e tij deputetë që të votojnë pro vazhdimit të misionit të Bundeswehrit në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

  • Kurti sërish shprehet i hapur për zgjedhje të parakohshme: Do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër

    Kurti sërish shprehet i hapur për zgjedhje të parakohshme: Do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër

    Kryeministri Albin Kurti ka folur sërish për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

    Kurti tha se zgjedhjet parlamentare do të mund të mbahen në vjeshtë ose dimër, varësisht nëse do të mund të dakordohen me opozitën.

    “Kosova është gjithmonë gati (për zgjedhje) për shkak që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion professional edhe I pavarur. Mirëpo, përderisa për zgjedhjet lokale dihet që afati është në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për zgjedhjet parlamentare kjo do të jetë më herët, do të mund të jenë në vjeshtë ose në dimër, varësisht se a do të mund të ketë ndonjë herë ndonjë dakordim me opozitën aktuale që të bëhet caktimi i muajit për zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.

    Ai tha se ky dakordim nuk u arrit për në këtë pranverë, e mbetet të shihet se çka do të sjellë vjeshta e dimri, duke shtuar se kishte shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje meqë është në vitin e fundit të mandatit dhe për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Unë tashmë ndodhem në vitin e fundit të këtij mandati dhe kanë ngelur më pak se dhjetë muaj, andaj edhe pata shprehur gatishmërinë time që në njërën anë t’i kalojmë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të rëndësishme pavarësisht partive politike, dhe në anën tjetër të caktojmë datën që do të ishte e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme. Nuk u bë në këtë pranverë, ta shohim çka do të sjellë vjeshta e dimri”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për televizionin lokal TV Kamenica.

    Ndryshe, marrëveshjet ndërkombëtare janë votuar tashmë, pas takimit që kishte zhvilluar Kurti me keun e PDK’së, Memli Krasniqin.

    Kurti kishte deklaruar se është i është i gatshëm të ofrojë votat e VV-së për shpërndarjen e Kuvendit vetëm nëse për këtë gjë pajtohet të gjitha partitë opozitare. LDK dhe AAK kanë dalë kundër, pasi që kanë kërkuar fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti, në mënyrë që pastaj vendi të shkojë në zgjedhje.

  • Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Maltretim e rrahje me kabllo, gjykimi kundër ish-gardianit në burgun e Lipjanit

    Përgatiti: Nora Luta

    Rreth 30 minuta ishte maltretuar fizikisht Agron Ramadani deri në alivanosje në qershorin e 1998-s, para se të futej në qelinë numër një në burgun e Prishtinës.

    Por keqtrajtimet fizike dhe psikike, sipas Ramadanit, kishin zgjatur pothuajse gjatë tërë periudhës sa qëndroi i burgosur nën akuzat për terrorizëm, fillimisht në këtë burg, e pastaj në atë të Lipjanit.

    Në mesin e atyre që e kishin rrahur, ish-shefi i sigurisë së Adem Demaçit, ka thënë se ishte edhe Dragisha Millenkoviq, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon për krime lufte.

    Ai u pyet rreth maltretimeve konkrete që i ka pasur nga i akuzuari.

    Dëshmitari rrëfeu para trupit gjykues se edhe atë pak ushqim që e kishin e ndanin me të burgosurit e tjerë.

    Me pyetje rreth mungesës së ushqimit dhe keqtrajtimeve, ai u ballafaqua edhe nga Dragisha Millenkoviq.

    E për rrethanat e identifikimit të Millenkoviqit dhe mundësisë së ngatërrimit me një të dyshuar tjetër, Ramadani përveç mbrojtjes u sfidua me pyetje edhe nga trupi gjykues.

    Gjykimi për Millenkoviqin, i cili akuzohet se keqtrajtoi e rrahu edhe me kabllo elektrike të burgosurit shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, do të vazhdojë në fund të këtij muaji.

    Ramadani që ishte në mesin e tyre, tregoi se ishte arrestuar nga sigurimi shtetëror i Serbisë nën arsyetimin se ishe themelues i UÇK-së, dhe ishte dënuar me tri vjet burgim për terrorizëm.

    Në mesin e viktimave në këtë rast, të cilët pritet të dëshmojnë, janë edhe kryetari i Malishevës Ekrem Kastrati, e deputeti Isak Shabani, i cili mungoi në këtë seancë.

  • Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Më shumë se tri orë ka zgjatur seanca dëgjimore në rastin ndaj të dyshuarve për spiunazh, të cilët u arrestuan të mërkurën në Ferizaj.

    Ndaj B.SH dhe M.Q, Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e sigurisë prej një muaji paraburgim.

    Sipas avokatit të B.SH., Prokuroria Speciale nuk e ka argumentuar se ata kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe, të njohur si BIA.

    “Jam i lumtur që ajo sot që dëgjuam e lexuam nuk arriti të argumentojë asnjë fjali që dy qytetarë të Kosovës kanë spiunu në Serbi. Nuk pati mundësi Prokurori për ta zbuluar një transkript të vetëm, një fotografi të vetme, një vëzhgim të vetëm. Prandaj si qytetar, si profesionist, më duhet të them se po që se të shqyrtohen provat e që nuk i kemi pa, e ky spektakël është gabim”, tha Besnik Berisha, avokat i B.Sh..

    Sipas Besnik Berishës, i cili në momentet e fundit zëvendësoi avokaten e caktuar sipas detyrës zyrtare, arrestimi i klientit të tij lidhet me Gjykatën Speciale.

    “I mbrojturi im është dëshmitar në procesin në Hagë, andaj dyshon se me këtë rast lidhet edhe arrestimi i tij…”, tha Berisha.

    Kryerja e veprave të tilla penale, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë, e cenojnë sigurinë e shtetit.

    “Kemi një rast ku janë arrestu dy persona, të cilët kanë qenë juridik, e tani fizikë… por kemi dyshim të bazuar se kanë dhënë informata për një shërbim të huaj. Nisur nga fakti se ekzistojnë shërbime të tilla, duhet të kemi kujdes të gjithë, se me kë takohemi, me kë komunikojmë e çka komunikojmë…”, tha Mensut Ademi, profesor i lëndëve të sigurisë.

    Andaj, dënimi eventual në rast se ata shpallen fajtorë, sipas njohësve të çështjeve juridike, mund të jetë i konsiderueshëm.

    “Kjo vepër nuk mund të kryhet nga secili. Kodi ka paraparë dënimin prej 5 deri në 12 vite burgim. Por nëse ka të bëjë me vdekjen APO RREZIKIMIN e jetës të dikujt, Kodi ka paraparë dënimin jo më pak se 10 vjet burgim…”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Gjatë bastisjet në shtëpitë e të dyshuarve pas arrestimit, ndër të tjera janë gjetur armë, municion, gaz-maska ushtarake, DVR, si dhe videokaseta.

  • Përfundon dëshminë e Nuhi Bytyçi, përplaset me gjykatësin në Hagë

    Përfundon dëshminë e Nuhi Bytyçi, përplaset me gjykatësin në Hagë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Gazetari Nuhi Bytyçi ka vazhduar dëshminë e tij, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

    Ai sërish insistoi që kishte bërë një punë objektive gjatë kohës së luftës, por e kishte edhe qëllim që UÇK-në ta paraqiste si ushtri të fuqishme dhe serioze.

    “Qëllimi ynë ishte që ta prezantojmë në mënyrë sa më serioze Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para opinionit shqiptar, por edhe atij ndërkombëtar. Ne provuam që ta bëjmë një xhirim në Luzhnicë të betimit. E bëmë një xhirim por ne nuk ishim të kënaqur me atë xhirim, për këtë arsye e kemi organizuar xhirimin në Kleçkë më 26 qershor të viti 1998, duke i sjellë shumë ushtarë edhe nga zonat e tjera, edhe nga Drenica edhe nga brigadat e tjera të Zonës së Pashtrikut dhe Drenicës”, ka deklaruar Bytyçi.

    Ndërkaq, në përfundim të dëshmisë së tij, Bytyci kërkoi që libri i tij të mos merret si bazë që të dënohen ish-krerët e UÇK-së.

    “Unë jam përpjekur ta them të vërtetën dhe pashë se një pjesë e madhe e librit është përdorur këtu nga prokuroria si dokument i kësaj gjykate. Ju lus të keni parasysh faktin se këto janë kujtimet e mia dhe të mos ndikojnë në aktgjykimin e kësaj gjykate”, ka deklaruar më tej Bytyçi.

    I ashpër në kundërpërgjigje ishte kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili mes tjerash ia ndërpreu fjalën Bytyçit duke i kërkuar disa herë edhe të ndalonte e të dalë nga salla, në të kundërtën e kërcënoi se do ta nxirrte jashtë me trupa të sigurimit.

    Gjykatësi: Të lutem, të lutem…po futeni në materialet të cilat i keni shtjelluar gjatë dëshmisë tuaj, faleminderit, mund të largoheni nga salla.

    Nuhi Bytyqi: Faleminderit për mundësinë që ma dhatë. Doja të shprehja opinionin tim se si gazetar që kam pas.

    Gjykatësi: E keni thënë këtë…. dëshmitar… dëshmitar të kam fikur mikrofonin. Të lutem largohuni nga salla tani.

    Nuhi Bytyqi: Duke përcjellë si gazetar i pavarur dy procese gjyqësore, të Limajt dhe Haradinajt.

    Gjykatësi: Dëshmitar, në qoftë se nuk do të dalësh tani, do t’i them sigurimit t’ju nxjerrë nga salla.

    Përveç Bytyçit, gjatë të enjtes dëshmoi edhe dëshmitari i 72-të, serbi Zoran Stankoviq. Gjatë dëshmisë, Stankoviq tha se gjatë luftës ai së bashku me vëllain e tij janë arrestuar nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së.

  • Jep dorëheqje gjyqtari i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou

    Jep dorëheqje gjyqtari i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou

    Gjyqtari i Dhomave të Specializuara, Nicolas Guillou, ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij tek kryetarja e Gjykatës Ekaterina Trendafilova.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë Gjykata Speciale përmes një njoftimi për media, duke treguar se Guillou ka marrë një pozitë të re në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

    “Më 6 qershor 2024, gjyqtari Nicolas Guillou i dorëzoi Presidentes Ekaterina Trendafilova dorëheqjen e tij si gjyqtar në listën e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHK). Dorëheqja e gjyqtarit Guillou vjen pas zgjedhjes së tij si gjyqtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe marrjes së detyrave të tij atje.

    Presidentja Trendafilova e përgëzoi gjyqtarin Guillou për zgjedhjen e tij dhe shprehu vlerësimin e saj të sinqertë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në mandatin e KSK-së përmes, ndër të tjera, punës së tij si Gjyqtar Paragjyqësor dhe Gjyqtar i vetëm”, thuhet në njoftim.

  • Kurti: Me Vuçiqin s’kam përdorur asnjë fjalë që s’është e përshtatshme, e njëjta s’mund të thuhet për të

    Kurti: Me Vuçiqin s’kam përdorur asnjë fjalë që s’është e përshtatshme, e njëjta s’mund të thuhet për të

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar diçka për diskutimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    I pyetur se si ka qenë komunikimi ndërmjet tyre, Kurti tha se nuk ka përdorur ndonjë fjalë që s’është e përshtatshme edhe për fëmijët dhe shtoi se kjo nuk mund të thuhet për palën tjetër.

    “Po u bënë shumë aso tryezash më. Në ato takime që i kemi zhvilluar unë kam respektuar gjithmonë rregullat e negociatave. Gjuha e dialogimit është anglishtja dhe gjatë këtyre tri viteve me këso takimesh, nuk mund të gjeni asnjë moment të vetëm ku unë kam përdorurur ndonjë fjalë që nuk është e përshtatshme edhe për fëmijët, e që nuk mund të thuhet për fjalën tjetër”, tha ai mbrëmë në një intervistë për A2CNN.

    Kurti tha se Vuçiqi me ndërkombëtarët është tjetër dhe prandaj, sipas tij, ata “janë sjellur butë me të”.

    “Besoj që ajo çfarë thotë publikisht dhe ajo çfarë ka deklaruar nuk janë të ndryshme, mirëpo ajo çfarë u thotë ndërkombëtarëve në takimet ndaras me ta duket që ata e shohin një Vuçiq tjetër, dhe prandaj janë sjellur edhe më butë me të”, tha Kurti.

    Kryeministri i Kosovës tha se “nuk ka veç një Vuçiq”.

    “Një është kundër Kosovës, që është më i vërteti”, tha ai.

  • ​Para katër vjetësh Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë

    ​Para katër vjetësh Qeveria Hoti hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë

    Sot mbushen katër vjet qëkur Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Avdullah Hoti hoqi masën e reciprociteti ndaj Serbisë, e cila u vendos nga Qeveria e ish-kryeministrit Albin Kurti pas heqjes së taksës 100 për qind të importit të mallrave nga Serbia.

    Me sugjerimin e kryeministrit Hoti, me shumicë votash të kabinetit qeveritar u anuluan vendimet e qeverisë së mëparshme të miratuara më 20 mars dhe 30 maj për futjen graduale të reciprocitetit, në vend të taksës 100 për qind të mallrave nga Serbia.

    Anëtarët e Qeverisë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës së Ramush Haradinajt votuan kundër këtij vendimi, i cili si kryeministër në dhjetor 2019, futi taksat 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

    Pas seancës së qeverisë, kryeministri Hoti tha se shfuqizimi i vendimit të mëparshëm për futjen e reciprocitetit heq pengesën për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

    Ai theksoi se heqja e pengesave nga pala e Kosovës do të jetë e vlefshme për një kohë të caktuar në mënyrë që të sigurojë një shans për dialog, ndërsa partnerët ndërkombëtarë pritet të bëjnë presion ndaj Serbisë. Ai shtoi se në rast se dialogu nuk jep rezultate, Qeveria e Kosovës ruan të drejtën e kthimit të masave.

    Serbia kishte ndërprerë dialogun kur Kosova futi taksat 100 për qind për importin e mallrave të tyre, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, insistuan në heqjen e tyre në mënyrë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut.

    Në të njëjtën kohë, nga Serbia u kërkua që t’i jep fund fushatës së saj agresive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si UNICEF dhe INTERPOL, që ishte arsyeja e futjes së taksës.

    Më pas, ish-kryeministri dhe drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vendosi të zëvendësojë taksat me reciprocitet, me të cilin nuk u pajtua Lidhja Demokratike e Kosovës, partner i koalicionit në qeverinë e kaluar, dhe kjo çoi në rrëzimin e Qeverisë Kurti pas vetëm 50 ditësh.

  • OSBE: Ka mungesë besimi në sistem gjyqësor

    OSBE: Ka mungesë besimi në sistem gjyqësor

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Zvarritje të seancave, numër të madh të atyre joproduktive, mangësi e mungesë resursesh, janë vetëm disa prej gjetjeve të Misionit të OSBE-së mbi monitorimin e proceseve gjyqësore për lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Këto rezultate dalin nga monitorimi i 52 lëndëve të krimit të organizuar dhe korrupsionit që Misioni ka monitoruar në periudhën nga viti 2021 deri 2024.

    Gjithashtu, raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur edhe shkallë të lartë të lirimit nga aktakuza, derisa ka mungesë të besimit në institucionet e drejtësisë.

    “Në Kosovë ekipi ynë i monitorimit dhe gjykimeve ka monitoruar drejtpërsëdrejti 52 çështje, ku janë përfshirë gjithsej 670 seanca dëgjimore në periudhën ndërmjet korrikut 2021 dhe marsin 2024. Ishin 38 raste të korrupsionit të profilit të lartë dhe 14 raste të krimit të organizuar. Raporti i monitorimit të gjykatave ka vërejtur, po ashtu, edhe në shkallë të lartë të lirimit nga akuzat”, tha shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

    Kritika për sistemin e drejtësisë pati edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, i cili tha se Kosova vazhdon të përballet me stërzgjatjen e rasteve gjyqësore.

    Drejtësia e vonuar është drejtësi e vonuar, Raporti ofron 17 rekomandime shumë të vlefshme që përfshin të gjithë sistemin e drejtësisë në Kosovë, gjykata, këshillin gjyqësor, këshillin prokurorial, pra të gjitha palët dhe inkurajoj këto institucione që të zbatojnë rekomandimet e renditura në këtë raport”, tha Szunyog.

    Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shprehu gatishmërinë për t’i mbështetur rekomandimet e raportit, teksa shtoi se në programin e qeverisë 2021-2025, objektivë strategjike është luftimi i krimit dhe korrupsionit.

    “Meqë edhe objektivi i këtij raporti ka qenë që të vlerësohet efektiviteti i reagimit gjyqësor ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht dhe rekomandimet janë në kompetencë të adresimit dhe përmbushjes nga ana e institucioneve përgjegjëse, pra të sistemit të drejtësisë, më lejoni të shpreh gatishmërinë por edhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim në të gjitha fushat brenda kompetencave tona adresimin e këtyre rekomandimeve”, tha Haxhiu.

    Sidoqoftë, raporti përmbante edhe pika pozitive në lëndët e krimit të organizuar dhe korrupsionit, siç është miratimi i strategjisë dhe miratimi i planit për luftimin e korrupsionit 2020-2024.