ATV

Tag: Ballina

  • “Mandati i Lajcakut aktiv”, raporti i Borrellit për “heqjen e masave” javën e ardhshme

    “Mandati i Lajcakut aktiv”, raporti i Borrellit për “heqjen e masave” javën e ardhshme

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Për Bashkimin Evropian zgjedhjet e brendshme këtë javë, dhe periudha deri në finalizimin e ndryshimeve në përbërje, nuk e pengojnë punën e Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

    Pa treguar nëse do të ketë zgjatje të mandatit, përtej gushtit, zëdhënësi i bllokut 27-anëtarësh tha se emisari Lajcak do të vijojë punën zakonshëm.

    “Aktualisht mandati i Përfaqësuesit të Posaçëm për Dialogun z. Lajçak është aktiv, dhe do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Kështu që, ai është plotësisht i angazhuar në ndërveprime me partnerët, si në rajon, në BE dhe në skenën ndërkombëtare, duke u përpjekur që t’i çojë gjërat përpara dhe t’i ndihmojë palët në zgjidhjen e çështjeve një nga një, me prioritet zbatimin urgjent të së ashtuquajturës Marrëveshja e Ohrit”, tha zëdhënësi i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

    Por, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri, nuk tregoi nëse do të ketë takim të ri në Bruksel, lidhur me ndikimet e zbatimit të rregullores së BQK-së te komuniteti serb, para datës kur ata supozohet të marrin pagesat e radhës nga Serbia.

    “Ne njoftojmë për çdo takim që lidhet me dialogun e lehtësuar nga BE-ja, sipas rrethanave. Në këtë moment, nuk kemi ndonjë njoftim për të kuptuar”, tha Stano.
    Ndërkohë, edhe pse ende nuk ka konfirmim zyrtar, pritet që Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, javën e ardhshme, t’ua dërgojë shteteve anëtare të BE-së raportin lidhur me heqjen eventuale të masave ndaj Kosovës.

    Finalizimi i raportit, me vlerësime dhe rekomandime, ishte vonuar për shkak të aksionit të 20 Majit, në katër komunat në veri, për mbylljen e filialeve të Bankës Kursimore Postare të Serbisë dhe konfiskimin e miliona dinarëve dhe eurove.

    Si rrjedhojë dokumenti nuk ishte gati për takimin Këshillit për Punë të Jashtme të BE-së më 27 Maj. Ministrat e Jashtëm të unionin mblidhen sërish më 24 Qershor.

  • Kolegji AAB organizon kurse përgatitore falas për testin e maturës

    Kolegji AAB organizon kurse përgatitore falas për testin e maturës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Sallat e kolegjit më të madh jopublik në vend u mbushën plot me maturantë nga e gjithë Kosova.

    Këta maturantë pritet të tregojnë rezultate më të mira në provimin shtetëror të maturës, falë kurseve falas që organizoi Kolegji AAB.

    Këta nxënës që tashmë kanë përfunduar klasën e 12-të, mësime morën për Gjuhë Shqipe, Gjuhë Angleze dhe Matematikë.

    Me po kaq rëndësi të madhe organizimin e kurseve po e shohin edhe vetë studentët e ardhshëm, që pas pak ditësh do t’i nënshtrohen testit të maturës.

    Këtë vit numri i nxënësve pjesëmarrës do të jetë mbi dy mijë.

    Kurset përgatitore për maturantët, po mbahen edhe në degët e tjera të kolegjit AAB, në Ferizaj e në Gjakovë.

  • Gjykimi për krime lufte në komunën e Istogut, PSRK-ja e bindur në fajësinë e Caslav Joliqit

    Gjykimi për krime lufte në komunën e Istogut, PSRK-ja e bindur në fajësinë e Caslav Joliqit

    Përgatiti: Nora Luta

    Për Prokurorinë Speciale nuk ka asnjë dyshim që Caslav Joliq është fajtor për krime lufte në Komunën e Istogut.

    Të mërkurën gjatë fjalës përfundimtare, PSRK-ja ndër të tjera vuri theksin te dëshmitë e të dëmtuarve në këtë rast, Zef Malësia, Nexhmedin Curraj e Naim Ferati.

    Gjendja faktike e prezantuar gjatë gjykimit që u zhvillua në Gjykatën e Prishtinës, sipas PSRK-së, tregon qartë se ish-polici serb kreu krimet për të cilat akuzohet.

    Morina, duke marrë shembull standardet e vendosura nga Tribunali i Hagës, shprehu bindjen se lëndimet që i morën, sipas tij, të dëmtuarit nga i akuzuari janë të rënda.

    Sipas Morinës, teoria e mbrojtjes gjatë këtij gjykimi bie në kundërshtim me provat.

    Por mbrojtja e cila pretendon në pafajësinë e Jolliqit, vuri në dyshim kredibilitetin e të dëmtuarve, çka nxiti edhe reagimin e Prokurorisë.

    Jolliq, gjykimi ndaj të cilit nisi në dhjetor të 2022, akuzohet se gjatë periudhës janar 1998 deri më 21 qershor 1999, në Komunën e Istogut në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka kryer krime lufte, duke rrahur, e keqtrajtuar civilë shqiptarë.

  • Osmani kërkon nga komunat kontribut më të madh për eleminimin e dhunës mbi baza gjinore

    Osmani kërkon nga komunat kontribut më të madh për eleminimin e dhunës mbi baza gjinore

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga komunat e Kosovëë të japin kontribut më të madh për të eleminuar dhunën mbi baza gjinore.

    Vjosa Osmani në takim me Këshillin e Kryetarëve të Asociaionit të Komunave tha se është e domosdoshme që viktimat e dhunës mbi baza gjinore të jenë të përkrahura nga niveli lokal.

    Presidentja Vjosa Osmani tha se parkrah kërkesën e komunave për buxhet shtesë që të rritet siguria në qendrat për punë social.

    Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, kritikoi qeverinë për mungesë bashkëpunimi, pasi tha se kërkesat e tyre nuk po trajtohen.

    Pas fjalimeve hyrëse takimi i presidentes Osmani me kryetarët po vazhdon i mbyullur për media.

  • BE në kërkim të opsioneve për dialogun, pas largimit të Lajçakut

    BE në kërkim të opsioneve për dialogun, pas largimit të Lajçakut

    Bashkimi Evropian është duke shqyrtuar edhe si t’i qaset dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe kandidatët potencialë për ta ndërmjetësuar atë.

    Prej se është konfirmuar se përfaqësuesi i tashëm i posaçëm i BE-së në këtë dialog, Mirosllav Lajçak, është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, ku duhet të nisë mandatin më 1 shtator, kanë nisur edhe spekulimet se kush do të jetë pasardhës i tij.

    Por, burimet diplomatike në BE thonë për Radion Evropa e Lirë se “më e rëndësishme se kush do të jetë në këtë post, është se çfarë qasjeje do të kenë BE-ja dhe strukturat e saj të reja – që do të dalin pas zgjedhjeve evropiane – ndaj këtij procesi.

    Sipas burimeve diplomatike, edhe zgjedhja e pasardhësit të Lajçakut, në një mënyrë, është e lidhur me zgjedhjet evropiane, që do të bëhen këtë verë.

    Këto burime thonë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, nuk do të jetë ai që do ta emërojë pasardhësin e Lajçakut në postin e të dërguarit të posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por se kjo do t’i lihet shefit apo shefes së ardhshme të politikës së jashtme të BE-së.

    “Ne jemi tash në një fazë ku po qarkullojnë emra të kandidatëve potencialë për pasardhës të Lajçakut në rolin e ndërmjetësuesit në dialog. Por, do të presim që, së pari, të emërohet përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar. Pasi që ai është edhe udhëheqës i dialogut në nivel të lartë, është logjike që të ketë mundësi të vendosë se kë duhet ta emërojë në rolin e të dërguarit të posaçëm për dialog“, thotë një diplomat i BE-së.

    Emërimi i përfaqësuesit të lartë është një proces që mund të zgjatet, sepse lidhet me emërimet në postet e tjera udhëheqëse të BE-së, për të cilat duhet të ketë një balancë mes grupimeve partiake në BE dhe mes vendeve anëtare.

    Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të zhvillohen nga data 6 deri më 9 qershor, udhëheqësit e vendeve anëtare do të tentojnë të merren vesh për emërimin e presidentit të Komisionit Evropian. Për këtë, duhet ta kenë shumicën e kualifikuar në Këshillin Evropian. E, pasi të merren vesh për këtë pozitë, duhet ta zgjedhin presidentin e Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë.

    Për këtë qëllim, BE-ja do t’i mbajë dy samite – një të jashtëzakonshëm dhe joformal më 17 qershor dhe një formal më 27 dhe 28 qershor.

    “Synim do të jetë që e tërë paketa të dakordohet mes liderëve të vendeve anëtare para fundit të qershorit. Kjo do t’i mundësonte Parlamentit Evropian që t’i konfirmonte këto emërime në seancën e korrikut. Përndryshe, do të duhej të kalonin në seancat e vjeshtës dhe kjo do të krijonte vonesa“, thotë një diplomat i BE-së.

    Nëse Ursula von der Leyen, presidentja e tashme e Komisionit Evropian, e fiton edhe një mandat në këtë post – e ajo është favorite pasi është kandidate e grupit më të madh politik në Parlamentin Evropian, i njohur si EPP – atëherë pritjet janë që presidenti i Këshillit Evropian, si pasardhës i Charles Michelit, të jetë nga radhët e liberalëve.

    Pra, vetëm pasi të konfirmohet se kush do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, do të emërohet edhe pasardhësi i Lajçakut si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi. Kjo, në rastin më të mirë, mund të ndodhë gjatë verës.

    Burimet diplomatike në BE nuk presin të ketë vakum, sepse, sipas tyre, nëse pasardhësi i tij nuk do të jetë i emëruar deri në fund të gushtit, Lajçakut do t’i zgjatet mandati për disa muaj.

    Në mesin e kandidatëve që janë përmendur deri tash si pasardhës të mundshëm të tij është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor. Vetë ai dhe Ministria e Jashtme e Sllovenisë kanë konfirmuar se ka interes për këtë post.

    Por, duket se në strukturat e BE-së është duke u kërkuar një profil tjetër i politikanit, që do ta merrte rolin për të vazhduar ndërmjetësimin e dialogut.

    Në mesin e kandidatëve potencialë, nga burimet diplomatike në BE përmenden edhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, dhe diplomati danez, Peter Sorensen, të cilët kanë edhe përvojë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

    Burimet e BE-së thonë se, kushdo që të jetë në atë post dhe pa marrë parasysh se kush do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, do të duhet të insistojë në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia kanë arritur deri më tash në dialog.

    Ky, në fakt, ka qenë vazhdimisht edhe qëndrim i vendeve anëtare të BE-së, edhe i partnerëve ndërkombëtarë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

    Burimet nuk mohojnë se ka një dozë zhgënjimi me mungesën e progresit më të madh në procesin e deritashëm të dialogut. Por, vetë BE-ja, përgjegjësinë për këtë ua lë palëve në dialog.

    Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

    Procesi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, ka nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

    Nga dhjetëra marrëveshjet e arritura deri më tash, shumica nuk janë zbatuar.

    Nën Lajçakun, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur kryesisht e pazbatuar./REL/

  • Caka-Nimani rizgjedhet për mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese

    Caka-Nimani rizgjedhet për mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese

    Gresa Caka-Nimani është zgjedhur edhe për një mandat Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

    Në njoftimin nga Kushtetuesja, thuhet se ajo mori votat e mjaftueshme nga gjyqtarët e kësaj Gjykate.

    “Në seancën administrative të mbajtur më 5 qershor 2024, në përputhje me Nenin 114, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë rizgjedhur kryetaren aktuale të Gjykatës, znj. Gresa Caka-Nimani, për një mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

  • Kurti – bashkatdhetarëve: Vota juaj në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian, të jetë përgjigja jonë

    Kurti – bashkatdhetarëve: Vota juaj në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian, të jetë përgjigja jonë

    Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi u është drejtuar bashkatdhetarëve që jetojnë nëpër shtete anëtare të Bashkimit Evropian e që kanë të drejtë vote.

    Këtë të diel, më 9 qershor, në 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian do të mbahen zgjedhjet evropiane, e sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të njëjtat mbase janë më të rëndësishmet që prej zgjedhjeve të para evropiane të vitit 1979.

    Kreu i ekzekutivit u është drejtuar bashkatdhetarëve që jetojnë nëpër shtete anëtare të Bashkimit Evropian e që kanë të drejtë vote.

    Në mesazhin e Kurtit theksohet vlera pse kësaj radhe zgjedhjet janë aq të rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen e Evropës.

    “Së pari ato ndodhin në rrethana ku një luftë e drejtpërdrejt po ngjanë mu në Evropë, në Ukrainë pas agresionit rus. Kjo luftë u nis prej një ideologjie fashiste nga Kremlini i Putinit… Së dyti i keni parasysh ndasitë që ekzistojnë brenda BE-së dhe përbrenda vendeve anëtare, përmes këtyre ndasive, Rusia duke u mbështetur gjithashtu në disa rryma politike ekstremiste ose liderë në pushtet të këtyre vendeve, ka ushtruar me vite një ndikim dëmtues. Qëllimi i Rusisë dhe aleatëve të saj evropianë jashtë dhe brenda Be-së është i qartë: dobësimi i BE-së, dobësimi i projektit të zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s, ndërsa ndaj neve, veçanërisht në Kosovë synohet pengesa e çdo perspektive integruese. Kështu që së treti, Kosova si vend aplikoi për anëtarësim në BE dhe si vend që ka për qëllim strategjik kryesor integrimin në BE dhe në NATO, nuk mund të mos marrë pjesë e të mos kontribuojë në çfarëdo forme në ruajtjen e këtyre organizatave dhe vlerave demokratike që ndajmë me to”, ka thënë Kurti.

    Sipas tij, vota e bashkatdhetarëve në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian duhet të jetë kontributi kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së.

    “Prandaj vota juaj në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian të 9 qershorit duhet të jetë përgjigja jonë, kontributi ynë kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së”.

  • Haxhiu për bisedën Kusari-Radojiçiq: Përpjekje e tërheqjes se vëmendjes nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë

    Haxhiu për bisedën Kusari-Radojiçiq: Përpjekje e tërheqjes se vëmendjes nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dalë në mbrojtje shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës pas bisedës telefonike me kriminelin serb, Milan Radojiçiq, raporton EO.

    Sipas Haxhiut, kjo situatë është përpjekje e tërheqjes së vëmendjes nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa kritikon opozitën për mosdakordim rreth mënyrës për të shkuar në zgjedhje.

    “Një opozitë që një terrorist qe ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtar t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzoj terroristet, jo vetëm Radojiçiqin. Tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj qe kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.

  • Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon edhe sot dëshminë në Gjykatën Speciale

    Gazetari Nuhi Bytyçi vazhdon edhe sot dëshminë në Gjykatën Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 71-të, gazetari Nuhi Bytyçi, i cili ka mbuluar luftën në Kosovë.

    Rikujotjmë, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndryshe dje prokuroria në çështjen Thaçi dhe të tjerët thirri dëshmitarin e 71-të, gazetarin Nuhi Bytyçi i cili ka mbuluar luftën në Kosovë. Gazetari Nuhi Bytyçi do të vazhdojë edhe sot dëshminë në Speciale.

    Gazetari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka theksuar se nuk dëshiron që Specialja, sidomos Zyra e Prokurorit të Specializuar ta konsiderojë librin e tij si dëshmi për t’i akuzuar ish-krerët e UÇK-së.

    “Nuk dua që kjo gjykatë, sidomos prokuroria, këtë libër timin ta konsiderojë si një dëshmi për të akuzuar luftëtarët e lirisë”, ka thënë ai derisa po pyetej nga prokurori Matt Halling për librin e tij “Libri i Luftës”.

  • Arrestimi i kosovarëve nga Serbia për krime lufte, vjen reagimi nga DASH

    Arrestimi i kosovarëve nga Serbia për krime lufte, vjen reagimi nga DASH

    Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90, dhe bën thirrje për një proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj tij, dhe personave tjerë të arrestuar nën dyshimet e njëjta.

    Një zëdhënëse e DASH-it e ka dhënë këtë deklaratë, në kërkesën për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 1 qershor.

    Një gjykatë në Beograd ka marrë vendim ndaj tij për paraburgim prej 30 ditësh.

    “Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë më 1 qershor se Mustafa dyshohet se, në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre zyrtarëve policorë.

    Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

    Ministria e ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit +383 46 51 00 51, për të gjithë shtetasit e Kosovës që mund të ballafaqohen me vështirësi gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi.

    Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

    Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

    Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

    Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

    Së fundmi, atij i është vazhdaur masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

    Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.