ATV

Tag: Ballina

  • BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    BE: Serbia nuk mund të bëhet anëtare pa normalizimin e raporteve me Kosovën

    Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    “Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizim, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”, shtoi ai.

    Kjo deklaratë erdhi pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

    Bashkimi Evropian, megjithatë, nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

    “Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stano.

    Prej se Kosova e shpalli pavarësinë, 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të BE-së dhe, si bllok evropian, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

    Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territori i Kosovës.

    Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

    Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa këtë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së.

    Njëkohësisht, BE-ja ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    “Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja: Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe Nenin 4. Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

    Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos e fuste fare në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme./REL/

  • Kurti: Çlirimi e shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë, do të kemi strategji për drejtësi tranzicionale

    Kurti: Çlirimi e shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë, do të kemi strategji për drejtësi tranzicionale

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë, se Kosova për herë të parë që prej çlirimit, do të ketë strategji për drejtësi tranzicionale, raporton EO.

    Kreu i ekzekutivit ka theksuar se kjo është një hap përpara për të realizuar përpjekjet e tyre në adresimin e planeve.

    “Për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës do të ketë Strategji për Drejtësi Tranzicionale. Populli i Kosovës ka kaluar nëpër sfida të mëdha, ka përjetuar dhimbje e vuajtje të pamatshme. Ky dokument strategjik është edhe një hap përpara në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë. Miratimi i kësaj strategjie është vetëm hapi i parë. Zbatimi i saj kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetje nga të gjithë ne. Përkushtimi i shfaqur në hartimin e kësaj strategjie, jam i bindur që do të vazhdojë edhe në zbatimin e saj”, tha Kurti.

    Me tutje, Kurti falënderoi aleatët e Kosovës që ndaluan okupimin serb të popullin të Kosovës gjatë viteve të 9o-ta.

    “Asnjëherë Nuk është mjaftueshëm për të shprehur mirënjohjet tona për të gjithë ata qe sakrifikuan për liri, lavdi iu jemi përjetësisht falënderues edhe aleatëve ndërkombëtarë. Ne mbledhje po vij nga takimi me William Walker, ky njeri i jashtëzakonshëm, ishte ai që ngriti zërin për padrejtësinë në vendin tonë”, theksoi shefi ekzekutivit.

    Kurti se angazhimi i tyre ishte katalizator që treguan përkushtimin e NATO-s, duke përmendur e falënderuar të gjithë gratë e burrat e OSBE-s në Kosovë, për afro 6 muaj.

    Kurti po ashtu përmendi edhe statistika në fushën e ekonomisë, duke thënë se vendi ka shënuar përmirësim 5 herë më të madh se në vitin 2000.

    “Ekonomia e vendit tonë sivjet do të jetë 5 herë me i madh se në vitin 2000, nuk po e krahasojmë me vitin 1999, kur ishte vit i kthimit të refugjatëve pas luftës, por po e krahasojmë me vitin, 2000. Pas më pak se 25 vjetëve ekonomia është rritur 5 herë në gjysmë. Ndërkaq krahasuar prej shpalljes së pavarësisë, është rritur brutoprofukti vendor gati tri herë me i madh se atë vit, kurse krahasuar me 4 vjet më herët, sivjet e kemi 50% më të lartë bruto-produktin vendor. Qytetarët gjithashtu janë me të lirë, shteti është më i pavarur dhe më i lirë se kurdo herë më parë, qeverisja po bëhet përherë e më e mirë, pra çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare, shpallja e pavarësisë ia kanë vlejtur fortë edhe në aspektin e rritjes ekonomi edhe në aspektin e demokracisë qytetare”, tha Kurti.

  • Bislimi: Serbia s’është pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat, por pesë shtetet mosnjohëse

    Bislimi: Serbia s’është pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat, por pesë shtetet mosnjohëse

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se pengesë për marrjen e statusit të vendit kandidat nuk është Serbia por pesë shtetet mosnjohëse.

    Ai deklaroi të enjten pas raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, se Kosova është e përgatitur për marrjen e këtij statusi, e siç u shpreh ai, aktualisht gjendet në një stad më të lartë, se të vendeve të tjera të rajonit.

    “Serbia nuk është pengesë për neve, Serbia ka problemet e veta me integrimet evropian, nuk ka kapituj të çelë për vite. Te ne pengesë më shumë janë 5 vendet mosnjohëse të cilët nuk po lejon ende që të ndërtohet koncenzuesi brenda Këshillit i cili kërkon dërgimin e pyetësorit tek Komisioni Evropian në mënyrë që të vlerësohen kapacitet e Kosovës për me filluar procesin e integrimit apo për të marr statusin e kandidatit. Ka frustrim edhe brenda Komisionit që ky konsensus nuk po arrihet edhe me tej”, ka thënë Bislimi para gazetarëve.

    Numri dy i Qeverisë ka thënë se Kosova ka një përparësi në krahasim me shtetet tjera që e kanë marrë statusin e vendit kandidat, pasi Kosova që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në.

    “Duhet ta keni të qartë, procesi i integrimit liron më shumë fonde të BE-së, por kjo nuk do të thotë se shtyhet se ne që jemi duke punuar në zbatimin e agjendës dhe rrjedhimisht jemi shumë më të përgatitur se secili vendi i Ballkanit Perëndimor në momentin kur e ka marr statusin e kandidatit. Ne jemi duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) që nga viti 2016, para se me marr statusin e kandidatit. Kurse disa vende të tjera e kanë marr statusin e kandidatit vetëm tri javë pasi kanë filluar zbatimin e marrëveshjes së stabilizim asociimit, kjo na vendos neve në një pozitë shumë më të avancuar”, u shpreh Bislimi.

  • ​Wallker pas takimit me Kurtin: Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi

    ​Wallker pas takimit me Kurtin: Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi

    Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka përfunduar takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Ai pas këtij takimi ka përmendur se Kosova është histori e jashtëzakonshme suksesi.

    “Dua të them vetëm një të vërtetë, e cila është se Kosova është një histori e jashtëzakonshme suksesi. Në 25 vjet që keni kaluar, ju shqiptarët e Kosovës, kosovarët, keni bërë kaq shumë për ta bërë këtë një histori të jashtëzakonshme suksesi. Dhe dua që bota ta dijë se çfarë suksesi është Kosova. Dje kishit shumë vizitorë të ardhur nga vende të ndryshme dhe e panë suksesin e këtij vendi. Kështu që shpresoj që të gjithë të jeni shumë krenarë që jeni gazetarë, por edhe të jeni krenarë që jeni shqiptarë të Kosovës. Ju meritoni meritat për atë që është ky vend sot. Faleminderit”, shtoi Walker.

    Ai tha se kosovarët janë meritor për suksesin e Kosovës. Walker përmendi edhe sukseset e institucioneve të Kosovës.

    “Dje e di se u folën shumë fjalë duke i dhënë meritat NATO-s, duke i dhënë meritat disa prej akterëve të tjerë ndërkombëtarë që ishin këtu. Me meritë, por mendoj se e gjithë merita për atë që ka ndodhur gjatë Kosovës në 25 vitet e fundit i takon kosovarëve. Ju jeni përgjegjës për suksesin e këtij vendi. Kryeministri Kurti si dhe kryeministrat e mëparshëm, si dhe presidentët tuaj dhe të gjithë, dhe policia. Sapo fola me policët tuaj këtë mëngjes, ndërsa po dilja nga hoteli. Doja t’u tregoja se çfarë suksesi është Departamenti i Policisë së Kosovës. Po, ata marshuan në paradë dje. Po, e meritojnë, por besoj se nuk e kuptoni aq mirë sa unë se sa e mirë është Forca e Policisë suaj. E dini, unë vij nga Shtetet e Bashkuara, atje kemi shumë policë. Disa prej tyre janë të mirë, disa prej tyre nuk janë aq të mirë. Policia juaj është jashtëzakonisht e mirë. Pse? Sepse ata janë kosovarë dhe me të vërtetë po bëjnë një punë të mirë. Dhe kjo është e vërtetë në shumë pjesë të administratës, në shërbimin publik këtu. Është e vërtetë edhe për gazetarët tuaj. Më pëlqen të takohem me gazetarët e Kosovës, sepse ju jeni gjithmonë të respektueshëm, bëni pyetje të mira, raportoni saktë, raportoni atë që them unë”, tha Walker.

    Pas takimit më shumë se një orë me kryeministrin Albin Kurti, Walker tha se kishin një takim shumë produktiv. Derisa përmendi se nuk është zakon i tij të shkoj në takime me rroba të thjeshta.

    Derisa sot tha se ka ardhur me rroba të thjeshta nga Kalifornia si mik i Kosovës dhe kryeministrit Kurti.

    Më duhet të them, me gjithë sinqeritet, ishte një takim shumë shumë i mirë. Së pari, më lejoni t’ju them se zakonisht nuk vij i veshur kështu për të takuar një kryeministër. Duhet të kem veshur një kostum dhe kravatë. Por gjatë dy ditëve të fundit kishte shumë njerëz me kostume dhe kravata, kështu që unë vij me rrobat e mia të thjeshta nga Kalifornia, sepse vij këtu si mik i Kosovës, si mik i kryeministrit Kurti, si mik i mediave këtu. Më pëlqen të flas me ju dhe ju falënderoj për mundësinë për t’ju pershendetur. Nëse keni ndonjë pyetje, ose nëse doni të them edhe disa fjalë, unë kam pasur shumë përvojë me gazetarët në takimet e mia të mëparshme dhe detyra juaj është të jeni kritik, detyra juaj është t’i tregoni botës të vërtetën për atë që po ndodh”, shtoi ai. /kp

  • Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

    Bislimi: Kam informacione se është rekomanduar heqja e masave

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se ka informacione se është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.

    Bislimi është shprehur të enjten në Komisonin për Integrime Evropiane se “përmbajtja e raportit është pozitive”.

    “Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.

    Zëvendëskryeministri, njëherit kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

    “…Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces”, shtoi ai, duke theksuar se “ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren”.

  • Sveçla: Prej 1 korrikut nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    Sveçla: Prej 1 korrikut nisin patrullimet e përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se edhe këtë verë patrullimi i policisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë do të vazhdojë duke filluar nga data një korrik.

    Sipas tij, këto patrullime do të jenë në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve.

    “Patrullimet do të fillojnë me dijen time prej 1 korrikut, qysh tash bashkëpunimi i Policisë i dy vendeve është shumë i mirë. Patrullimet, patjetër që do të ndihmojnë ata të jenë më efikas dhe të iu shërbejnë sa më mirë qytetarëve”, tha ministri.

    Sveçla, shtoi se me shtetin shqiptar po punohet shumë që të ju lehtësohet jeta qytetarëve dhe te rritet niveli i sigurisë, meqenëse tha ministri, me Shqipërinë nuk janë raporte vetëm zyrtare por edhe raporte ndër personale.

    “Ju po e shifni se ne nuk kemi vetëm raporte zyrtare, kemi edhe raporte shumë të mira ndër personale. Me ministrin Balla po punojmë shumë, të dyja palët, qoftë në ministri, qoftë në polici të dy vendeve që të ua lehtësojmë jetën qytetarëve por në të njëjtën kohë edhe të rrisim nivelin e sigurisë për të dyja vendet”, tha Sveçla për Ekonomia Online, pas vizitës së djeshme në pikën kufitare në Vërmicë, ku përcjellën nga afër bashkë me ministrin e brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla, zhvillimet rreth zbatimit të marrëveshjes për heqjen e kontrollit kufitar për shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë.

    Kujtojmë se patrullimet e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë filluar para gjashtë viteve. Që nga viti 2018, këto patrullime kryhen në pikën kufitare në Vërmicë.

  • Bislimi raporton sot në Komisionin për Integrime Evropiane

    Bislimi raporton sot në Komisionin për Integrime Evropiane

    Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, do të raportojë sot në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane.

    Raportimi i Bislimit është paraparë të nis nga ora 10:00.

    Në rend dite pritet të jetë Programi Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE) 2024-2028.

  • Autostradat kryesore, pa pushimore

    Autostradat kryesore, pa pushimore

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Qytetarët që e shfrytëzojnë autostradën “Arbën Xhaferi”, i gëzohen kësaj shenje paralajmëruese, meqë kanë nevojë për pushim ose furnizim me karburant.

    Megjithatë, shpejt dëshpërohen meqë hapësirat e destinuara për pushimore përgjatë autostradës Prishtinë – Hani i Elezit janë të thata.

    Hapësirat janë boshe edhe përgjatë autostradës “Ibrahim Rugova”, ndonëse u përurua para 11 vjetëve. Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, përmes telefonit tha se aktualisht janë duke e analizuar projektin meqë në të njëjtën kohë mendohet të rregullohet edhe çështja e pagesave për autostradat.

    “Çështja është se duhet të merret një vendim politik e pastaj të procedohet për të Komiteti për Partneritetit Publiko-Privat. Duhet me pa sepse në të njëjtën kohë duhet të rregullohen edhe çështjet e pagesave dhe këto pushimoret. Jemi duke menduar se çfarë projekti, sepse kur të fillojmë me procedurë mos me e realizu vetëm si një kërkesë të thjeshtë. Ka disa ide të cilat po diskutohen që me qenë diçka më e bukur e jo diçka të zakonshme”, tha Durmishi.

    Paraprakisht, nga Ministria e Infrastrukturës kishin thënë se përgjatë autostradave 6 dhe 7 synohet ndërtimi i 12 stacioneve të shërbimit në 6 lokacione të përcaktuara me projekt, nga një në secilën anë.

    Sidoqoftë, ekspertët e komunikacionit, pushimoret përgjatë rrugëve të tipit të mbyllur, i konsiderojnë shumë të nevojshme.

    “Po ndalemi në rrafshin individual, ne e kemi frekuentu disa herë këtë rrugë dhe unë personalisht kam pasur kërkesa sidomos nga fëmijët për tualet ose ndonjë shërbim tjetër dhe ka qenë bukur e vështirë të menaxhohet ajo situatë”, tha Bekim Ahmeti, ekspert i komunikacionit.

    Sipas Bekim Ahmetit, ndërtimi i këtyre pushimoreve mund të sjellë edhe përfitime ekonomike.

    “Duhet të mendohet edhe përfitimi ekonomik. Aty ndalen shumë njerëz, pastaj shoferët e kamionëve që e përdorin Kosovën si transit. Ka përfitime ekonomike nga ndërtimi i pushimoreve”, tha Ahmeti.

    Ndryshe, autostrada Prishtinë-Shkup e quajtur “Arbën Xhaferi” ka gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

    Kjo autostradë ishte inauguruar më 2019. Ndërkohë, ajo që lidh Kosovën me Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka kushtuar mbi 700 milionë euro.

  • Krenari dhe emocion, FSK-ja dhe policia parakalojnë në sheshet e kryeqytetit

    Krenari dhe emocion, FSK-ja dhe policia parakalojnë në sheshet e kryeqytetit

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Gati 3 dekada më parë, për shumëkë liria mendohej vetëm si “dritë në fund të tunelit”.

    Mirëpo, kur shpresat pothuajse kishin mbaruar për të qenë të lirë, më 12 qershor të vitit 1999, aleatët e NATO-s sulmuan caqet serbe në Kosovë, duke çliruar kështu vendin nga okupimi serb.

    Prej atëherë, çdo 12 qershor, liderë e qytetarë të Kosovës shprehin mirënjohje për intervenimin e NATO-s.

    Njësoj ishte edhe të mërkurën, që u festua 25-vjetori i çlirimit të Kosovës.

    Aktivitetet për këtë ditë filluan që në mëngjes, e vazhduan më pas me parakalimin e trupave të forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë.

    Të ndarë në regjimente e kokën lart, 1500 ushtarë e policë u nisën nga sheshi “George Bush”, drejt sheshit “Skënderbeu”.

    Për lirinë që Kosova gëzon, gjatë ceremonisë së parakalimit të trupave të FSK-së dhe Policisë, foli ish-sekretari i NATO-s, George Robertson, i cili po ashtu ngriti një paralele për luftën në Kosovë me atë çka po ndodh në Ukrainë.

    “Pas 78 ditë të bombardimeve, ne e pamë objektivin tonë të plotësuar. Ushtria e Millosheviqit u largua, NATO-ja hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë se çka bëmë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Evropës”, tha Robertson.

    Falënderues për UÇK-në e të lumtur për ushtrinë e re e policinë profesionale, u shprehën edhe krerët e shtetit.

    UÇK-ja ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës, gratë dhe burrat trima morën armën për ta mbrojtur të drejtën tonë për të ekzistuar. Guximi i UÇK-së është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Por udhëtimi ynë drejt lirisë nuk ishte i vetëm, ne u mbështetëm nga aleatët tanë”, tha Osmani.

    “Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit”, tha Kurti.

    Në Kosovë, për 25-vjetorin e çlirimit nuk mungoi as William Walker.

    “Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptarët, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, tha Walker.

    Që arriti ta përjetojë lirinë, i lumtur u shpreh edhe Rifat Jashari, si përfaqësues i familjes më meritore që dha gjithçka për liri.

    “Më i kënaqur nuk jam kanë kurrë që e arritëm edhe çlirimin e Kosovës, është derdhur gjak, por është paguar ata gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptarëve kudo që janë”, tha Jashari.

    Të emocionuar e krenarë me Ushtrinë dhe Policinë u shprehën edhe qytetarët.

    Aktivitetet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kanë vazhduar deri në orët e mbrëmjes së të mërkurës.

  • Për 25 vjetorin e çlirimit, Kuvendi mbajti seancë solemne

    Për 25 vjetorin e çlirimit, Kuvendi mbajti seancë solemne

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Me intonimin e himnit shtetëror e atë kombëtar.

    Me një minutë heshtje nisi seanca e Kuvendit për nder të ditës së Çlirimit të Kosovës.

    Në 25-vjetorin e kësaj dite, krerët e shtetit falënderuan të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.

    Emocionet ishin vështirë të kontrollueshme për nënkryetaren Saranda Bogujevci e cila në Ditën e Çlirimit të Kosovës, feston edhe ditëlindjen.

    “Para 25 viteve, isha një vajzë e brishtë, gjysmë e gjallë, me zemër të thyer që nuk kisha pjesën më të madhe të familjes”, tha Bogujevci.

    Në fjalën e tij, Presidenti Bajram Begaj kërkoi unitet te shqiptarët.

    Ndërsa, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, theksoi se çlirimi i Kosovës u bë para së gjithash falë UÇK-së, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.

    “Mund të them lirisht se arkitektura kufitare në rajon u kompletua me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës”, tha Mesiq.

    Deputetë të opozitës falënderuan burrat e gratë që patën vullnetin e guximin për të luftuar për liri.

    Në këtë seancë morën pjesë edhe Rifat Jashari, ish-Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, ish-sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson dhe William Walker, i cili gjatë luftës përfaqësoi misionin e OSBE-së.