ATV

Tag: Ballina

  • Besimtarët myslimanë falin Namazin në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë

    Besimtarët myslimanë falin Namazin në bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë

    Besimtarët myslimanë në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri kremtojnë sot Kurban Bajramin.

    Mijëra besimtarë shqiptarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur Namazin.

    Ritin e faljes së Kurban Bajramit besimtarët shqiptarë e kryen edhe në xhamitë e qyteteve kryesore të vendit.

    Pas urimit për festën, në ligjërimet e tyre ata kërkojnë më shumë paqe dhe harmoni, virtyte të cilat janë mishëruar më së miri deri më tani.

    Për nder të kësaj feste, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu uroi të gjithë shqiptarët, ndërsa u lut për më shumë paqe e harmoni.

    Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

    Kremtimi i kësaj dite siç është bërë traditë fillon në orët e para të mëngjesit, kur mijëra besimtarë myslimanë falin namazin.

    Sipas fesë myslimane, për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.

    Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra. Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet.

    Në çdo familje myslimane gatuhen ëmbëlsira, të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët, si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

    Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

    Vite më parë, kur besimi fetar ishte i ndaluar në Shqipëri, ritet fetare, kremtoheshin fshehurazi. Ndonëse pa bujë shume familje tradicionale, shqiptarët i kushtonin një fond të veçantë kremtimit të kësaj feste. Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare, kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zotit, në emër të dashurisë për njeriun./Ora News/

  • Falet Kurban Bajrami, bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

    Falet Kurban Bajrami, bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

    Në festën e Kurban Bajramin bëhet thirrje për dashuri ndaj atdheut

    Besimtarët e fesë islame po kremtojnë festën e Kurban Bajramit edhe në Kosovë. Që nga mëngjesi i hershëm ata ia mësynë xhamive për ta falur Kurban Bajramin, ku edhe dëgjuan ligjërata tematike, derisa mesazh ishte ruajtja dhe mbrojtja e atdheut, solidariteti me nevojtarët por edhe më shumë zhvillim ekonomik. Kurse, ciftet bashkëshortore u ftuan që të kenë më shumë fëmijë.

    Manifestimi për territorin e Kosovës kushtuar Kurban Bajramit, u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit ishte ligjërata tematike, të cilën e mbajti Hetem Sopjani, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë.

    Namazi i Kurban Bajramit i priu Burhan Hashani- kryeimam i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, ndërsa mesazhin e Kurban Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili tha se shprehja e atdhedashurisë në lutjet e përditshme është një ndjenjë e natyrshme sepse është një dhuratë e pashtershme.

    “Prandaj është detyrë e jona që ta duam, ta ruajmë dhe ta mbrojmë vatanin tonë. Është detyrë që të bëhemi qytetarë të një vendi që jetojmë me dinjitet e për t’u bërë të tillë kërkohet që të jemi bashkë duke promovuar atë në të gjitha fushat dhe në çdo vend, por edhe …. kurban bajrami është një rast i mirë për t’iu afruar Zotit me vepra tona të mira, për ta falënderuar atë për bekimin e tij, për të pastruar shpirtin dhe zemrën. Këtë e arrijmë duke kryer vepra të mira, duke zgjatur dorën për të varfëritë dhe nevojtaret“, tha ai.

    Ai po ashtu luti Zotin që të rikthej paqen në Palestinë dhe Ukrainë, derisa shtoi se.

    Me rastin e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës si tradicionalisht organizon pritje në selinë e saj nga ora 9:00-12:00.

    Përndryshe, kremtimi i Kurban Bajramit, sipas traditës islame nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

  • Përurohet Shtegut i Lirisë “Pashtriku”, në Has

    Përurohet Shtegut i Lirisë “Pashtriku”, në Has

    Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik. Aty ku 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.

    “13 dhjetori i vitit 1998, me kushte shumë të vështira atmosferike, borë, ngricë e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë”, u shpreh kryeministri.

    Ai ktheu në kujtesë se pikërisht më 14 dhjetor të vitit të kaluar, me nismë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, filluam projektin të cilin sot po e përurojmë – shenjëzimin e “Shtegut të Lirisë” edhe si shteg garash për motoçiklistët dhe shteg ecjesh për bjeshkatarët.

    “Duke ndjekur këtë rrugë, motoçiklistët do të mund të përjetojnë bukurinë natyrore të maleve tona, por edhe të mësojnë përpjekjet heroike të ushtarëve të UÇK-së. Duke sjellë në kujtesë historinë tonë të lavdishme tek të gjithë ata që e kalojnë këtë shteg duke ecur, njëkohësisht po promovojmë zhvillimin e turizmin malor dhe rural”, tha kryeministri.

    E nga malet e Pashtrikut, kryeministri Kurti kishte edhe një porosit: “Përderisa ecim drejt një të ardhme të ndritur, le të mos harrojmë asnjëherë se prej nga vijmë dhe sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë, që ne sot të mund të kemi Republikën demokratike, shtetin e pavarur, institucionet shtetërore dhe zhvillim ekonomik, me rini të talentuar dhe të pashoq kur bëhet fjalë për sukses dhe progres”.

    Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit. Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, sot për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume.

  • Robertson: S’ka rrezik për luftë – siguria e Kosovës shumë e rëndësishme për NATO-n

    Robertson: S’ka rrezik për luftë – siguria e Kosovës shumë e rëndësishme për NATO-n

    Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, thotë se e dënon pa rezerva sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.

    Duke kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, Robertson thekson nevojën që të ketë një fund të dhunës në rajon dhe të ndryshojë imazhi i Ballkanit Perëndimor nga të qenit një zonë problematike në diçka që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane.

    Për këtë arsye, ai nënvizon se siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme për perëndimin dhe NATO-në.

    Megjithëse thotë se s’ka rrezik të një lufte të re në rajon, Robertson ngrit shqetësimin se nëse Rusia ka sukses në agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, atëherë Ballkani Perëndimor do të jenë një zonë tjetër ku presidenti rus, Vladimir Putin do të bëjë telashe.

    “Siguria e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe kjo është arsyeja pse NATO përforcoi trupat e saj edhe këtu. Kjo është arsyeja pse siguria në këtë vend do të ketë rëndësi në të ardhmen, por edhe pse siguria ekonomike do të ketë rëndësi edhe për brezin e ri”, thotë ai.

    “Çdo dhunë duhet të dënohet dhe unë e dënoj atë [sulmin në Banjskë] pa rezerva. Por ne duhet të shohim përfundimisht një fund të dhunës në këtë rajon. Ky rajon ka potencial të madh, por duhet të ndryshojë imazhin e të qenit një zonë problematike në një zonë që kontribuon në sigurinë më të gjerë evropiane”, deklaron Robertson.

    Ai thekson se pavarësisht tensioneve momentale, nuk ekziston një rrezik i luftës në Ballkanin Perëndimor, mirëpo sipas tij, Rusia po ndërhyn në rajon përmes luftës kibernetike.

    “Nuk besoj se ekziston rreziku i luftës në Ballkan, por Rusia po ndërhyn në këtë rajon ashtu siç po sulmon Ukrainën. Dhe kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që vendet evropiane të bashkohen për të siguruar që Putini të mos ketë sukses në Ukrainë. Nëse ai ka sukses në Ukrainë, atëherë Ballkani Perëndimor do të jetë një zonë tjetër ku ai do të bëjë telashe”, thekson Robertson.

    Duke folur për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, Robertson thotë se anëtarësimi i plotë në i Kosovës në NATO, do të sillte paqe të qëndrueshme në rajon, por sipas tij, kjo është çështje e aleancës më të madhe ushtarake.

    “Anëtarësimi në NATO është çështje e organizatës së NATO-s. Unë jam një ish-sekretar i përgjithshëm, nuk kam asnjë kontroll mbi atë që po ndodh sot”, përfundon Robertson./KP

  • DASh: E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet evropiane

    DASh: E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet evropiane

    Departamenti amerikan i Shtetit është deklaruar sërish në lidhje me qëndrimet e tyre për raportin në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në një përgjigje për Reporterin, DASh-i ka vlerësuar se e ardhmja e dy vendeve është në institucionet evropiane. Tutje, amerikanët besojnë se dialogu është e vetmja rrugë.

    “E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane, normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara” – ka theksuar DASh.

  • Presidentja Osmani takon presidentin malazez, e konsideron të rëndësishme koordinimin në mbrojtje të demokracisë dhe paqes

    Presidentja Osmani takon presidentin malazez, e konsideron të rëndësishme koordinimin në mbrojtje të demokracisë dhe paqes

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Paqes për Ukrainën, ka takuar homologun e saj malazez, Jakov Milatović, raporton Ekonomia Online.

    Osmani ka thënë se me presidentin e Malit të Zi, ka diskutuar për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes.

    “Në kuadër të Samitit të Paqës për Ukrainën, me Presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović diskutuam për rëndësinë e aleancave dhe koordinimit në mbrojtje të demokracisë dhe paqes”.

  • Tërnava uron myslimanët për festën e Kurban Bajramit

    Tërnava uron myslimanët për festën e Kurban Bajramit

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit ka dhënë mesazh urimi, teksa nuk ka lënë pa uruar edhe për Ditën e Çlirimit të vendit, raporton Ekonomia Online.

    “Në emër të Bashkësisë Islame, institucioneve të saj dhe në emër timin ju uroj këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së Kurbanit. Ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë, për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova ta fitojë pavarësinë e saj”, uroi Tërnava.

    Ai tha se festat e myslimanëve duhet të shfrytëzohen për të sjellë gëzim dhe lumturi te personat që kanë nevojë.

    “Nesër është dita e Kurban Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në të gjithë botën. Edhe ne në Kosovën tonë i gëzohemi kësaj feste kaq madhështore, e cila shfaqet në shoqërinë e në familjet tona me gëzime e hare, e me një gjuhë falënderuese, duke u përhapur në mesin e të gjithë besimtarëve. Sot, në ditën më të vlefshme të vitit, në këtë ditë të bekuar të Arafatit, më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit xh.sh., njëherit, të dashur qytetarë, ju uroj edhe Ditën e Çlirimit të vendit tonë për të cilën ditë u sakrifikuan breza të shumtë që Kosova të fitojë pavarësinë e saj”, ka thënë ai.

    Tërnava ka bërë lutje për paqe në krejt botën, me theks të veçantë në Palestinë e Ukrainë.

    Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjellë lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë, duke trajtuar të sëmurët e vizituar të afërmit, duke shkëmbyer urime me miqtë dhe duke i mbjellë këto vlera në mendjet dhe zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Vetëm kështu forcojmë edhe më shumë trungun tonë familjar, e ushqejmë atë me vlerat fetare dhe kombëtare, dhe e ruajmë atë me një pastërti fisnike, ashtu siç e kemi amanet nga të parët tanë. Andaj, me këtë rast, lus Zotin e Madhëruar që të na mbulojë me paqen, bekimin dhe mëshirën e kësaj dite të bekuar! T’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet, e në veçanti të lutemi o Zot që paqja të rikthehet edhe në Palestinë dhe Ukrainë. Ne si qytetarë të këtij vendi, duhet të punojmë në promovimin e paqes, përhapjen e vëllazërisë dhe tolerancës, larg konflikteve dhe luftërave, gjithherë të gatshëm për t’i konsoliduar vlerat e vëllazërisë dhe bashkëjetesës njerëzore. Le të mbetet kjo festë simbol i sakrificës, shërbimit dhe bindjes ndaj Zotit të Plotfuqishëm, me thirrjen për qytetarët që të frymëzohen nga kuptimet e unitetit, dashurisë dhe paqes, e larg urrejtjes e përçarjeve”, u shpreh ai.

  • Në fund të qershorit votohet Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Vitia: U vonua për shkak të komenteve

    Në fund të qershorit votohet Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Vitia: U vonua për shkak të komenteve

    Një nga premtimet kryesore të qeverisë Kurti në sektorin e shëndetësisë, Projektligji për Sigurimet Shëndetësore, pritet që të finalizohet dhe të dërgohet për miratim në Qeveri deri në fund të muajit qershor. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Vitia ka thënë se pas pandemisë, MSh-ja ka filluar menjëherë me studimin e fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësor, studimi i cili ka përfunduar, dhe se ky projektligj ka kaluar të gjitha proceduarat dhe është në fazën finale të adresimit të komenteve.

    Ai ka theksuar se paralelisht me këtë ligj janë duke u bërë edhe shumë punë të tjera, si në infrastrukturë e në barna, punë këto që janë pjesë e procesit për sigurime shëndetësore.

    “Po ma thonë shpesh, premtimi kryesor në mandatin e vitit 2019, në zgjedhjet e viti 2019, kanë qenë sigurimet shëndetësore dhe sistemi informativ shëndetësor. Premtimi kryesor në zgjedhjet e vitit 2021, ka qenë sigurimi i vaksinave dhe vaksinimi i 60 për qind të popullatës brenda vitit të parë gjë që e kemi bërë. Ka ndodhur pandemia dhe menjëherë pas pandemisë që ka qenë 2020, 2021 dhe 2022 ne kemi filluar menjëherë me studimin e fizibilitetit për sistemin informativ shëndetësor, studimi i cili ka përfunduar, kemi ndërtuar planin e veprimit për të vepruar”.

    “Tani pritet vetëm nënshkrimi nga ana e ministrit të financave për kredi nga Banka Botërore për të marr mjete për të filluar me punë për implementimin e sistemit informative shëndetësor. Ligji tani ka kaluar të gjitha proceduar dhe është në fazën finale të adresimit të komenteve pas konsultave paraprake dhe diskutimeve publike. Kështu që ligji për sigurimet shëndetësore po bëhet dhe si përfundim sistemi informativë shëndetësor në fazat e fundit para se me ja filluar punën, ligji në fazat e fundit para se të procedohet në qeveri për tu proceduar në Parlamentin e Republikës dhe paralelisht shumë gjëra të tjera, në infrastrukturë në barna dhe të tjera që janë pjesë e procesit për sigurime shëndetësore”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se ky projektligj ka qenë i paraparë që të përfundoj gjatë muajit maj por që sipas tij kanë marrë kohë shumë komentet. Vitia shpreh bindjen se i njëjti do të procedohet për Qeveri shumë shpejtë.

    “Ky ligj gjatë qershorit po them, ka pasur gjatë majit mirëpo për shkak të komenteve të ndryshme që kanë qenë me dhjetar faqe komente, pasi është një ligj shumë i rëndësishëm që përcakton shëndetësinë kosovare në vitet e ardhshme jemi jo vonuar, por ka marr kohë deri sa janë përgjigjur të gjitha këtyre komenteve dhe ky ligj do të procedohet shumë shpejt në Qeverinë e Kosovës dhe pastaj në Parlamentin e Republikës, ku pritet që të votohet pastaj dhe të filloj menjëherë punën”, ka thënë ai.

    Kreu i MSh-së ka deklaruar se problem po u sjellë problemi i borxheve të grumbulluara për trajtim jashtë vendit. Me ndihmën e Ministrisë së Financave, Vitia ka thënë se janë duke i shlyer këto borxhe.

    “Me këtë çështje qëndrojmë mirë. Fatkeqësisht vitin e kaluar jemi përballur me një problem për shkak të borxheve të grumbulluara për shumë, e shumë vite. Natyrisht kjo ka ndikuar që ta humbim pak kredibilitetin edhe si institucione karshi disa spitaleve të cilat kanë trajtuar pacientët tanë jashtë vendit. Mirëpo këtu me ndihmën edhe të Ministrisë së Financave, pjesa më e madhe e borxhit tashmë është shlyer dhe vazhdon për të gjitha diagnozat të cilat nuk mund të shërohen në Kosovë vazhdojnë që të trajtohen jashtë vendit. E mira e mira në këtë raste është se ne po investojmë vazhdimisht duke i targëtuar këto diagnoza të cilat për momentin nuk mund të shërohen në Kosovë dhe siç keni mundur ta shihni kohën e fundit ne kemi hapur plotë shërbime të reja në QKUK por jo vetëm në mënyrë që pacientët tanë mos të kenë nevojë të shkojnë jashtë vendit por ato shërbime t’i marrinë në Kosovë”, u shpreh ai.

    Vitia ka thënë se rreth 9 milionë euro janë kërkesat për shërim jashtë vendit. Por kjo shumë sipas tij do të ulet me funksionalizimin e aparaturës PET SCAN që bën skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene.

    Për këtë shërbim, Vitia ka thënë se janë paguar dhjetëra miliona euro për shërim jashtë vendit.

    “Kërkesat varet janë diku rreth 8-9 milionë euro për shërim jashtë vendit, mirëpo ato kërkesa vetëm të ju marr një shembull. Më herët ka pasur diku rreth 6 milionë euro për oftalmologji me dalë jashtë vendit, tash ajo është ulur në një milion, do të thotë pesë fish. Më herët kemi pasur mbi 300 raste që kanë kërkuar me aparaturë PET SCAN (skanimin e detajuar të trupit të njeriut për të zbuluar qelizat kancerogjene) të shkojnë jashtë vendit, që ka kushtuar nga 1 mijë deri 1500 euro, tash PET SCAN më datën 26 qershor do të lëshohet në funksion dhe këta pacientë nuk kanë nevojë të dalin jashtë vendit”, ka thënë Vitia.

    Vitia ka shtuar se janë duke punuar për shërbime tjera për ta ulur koston e shërimit jashtë shtetit.

  • Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

    Sot fillon Samiti për Ukrainën, Osmani në Zvicër për ta përfaqësuar Kosovën

    Sot do të fillojë Samiti për paqe për Ukrainën, që do të mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku do të marrë pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

    Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botëror për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.

    “Presidentja Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme. Përgjatë qëndrimit në Zvicër, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë botëror”, thuhet në njoftim.

    Gati 90 vende dhe organizata do të marrin pjesë në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.

    Sipas saj, pjesëmarrësit në samit – rreth gjysma e të cilëve do të jenë udhëheqës shtetesh ose qeverish – do të përpiqen të gjejnë një rrugë për t’i ndalur luftimet.

    Pjesëmarrës në samit pritet të jenë presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

  • Kolegji AAB mban konferencën ndërkombëtare

    Kolegji AAB mban konferencën ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në ambientet e Kolegjit AAB këtë të premte u mbajt konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv, e titulluar “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe inteligjencës artificiale.”

    Dy studiuesit më të njohur në botë në fushën e komunikimit dhe medias ishin pjesë e kësaj konference.

    Mark Deuze, profesor në universitetin e Amsterdamit, i njohur si ndër personazhet më eminente shkencore, para studentëve foli për gjetjet e tij të fundit shkencore, të përfshira në librin “Jeta në media: Një hyrje globale në studimet e medias”.

    “Gjatë kësaj konference duhet përqendruar se çfarë mundemi ne si gazetarë, studiues të fushës e profesorë të kontribuojmë në çështjet me të cilat po përballet bota e prezantohen në media, sikurse ndryshimet klimatike apo krizat me refugjatë, apo tregjet globale… luftërat, sepse të gjitha këto kanë elemente mediale e ne kemi përgjegjësi që të trajtojmë këto çështje”, tha Deuze.

    Ndërsa, Lukasz Tomczyk, i ranguar në mesin e shkencëtarëve më me ndikim, njëkohësisht profesor në një nga universitetet e Polonisë, trajtoi temën për “Krijimin e informacionit të rremë në internet për mësuesit dhe sigurinë digjitale të ekosistemit të shkollës”.

    “Një mësues është fyer vazhdimisht në një forum të caktuar online. Komentet negative erdhën si nga nxënësit ashtu edhe nga prindërit e tyre. Çështja u raportua në polici dhe postimet denigruese u hoqën, por megjithatë ka shumë raste negative që iu kanë ndodhur mësimdhënësve. Nuk është aspak e lehtë për mësuesit, një gjë e tillë nuk është aspak e duhur”, tha Tomczyk.

    Në konferencë, gjithashtu, morën pjesë edhe profesionistë të fushës së gazetarisë, marrëdhënieve me publikun, shkencave politike, marketingut e të tjerë.