ATV

Tag: Ballina

  • Nisin procedurat për përzgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së

    Nisin procedurat për përzgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës të premten ka nisur procedurat për përzgjedhjen e kryesuesit të ri.

    Kryesuesit aktual Albert Zogajt i përfundon mandati në fillim të muajit korrik.

    Procedura e zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së është e përcaktuar me Ligjin dhe me Rregulloren mbi organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor.

    Sipas ligjit për këtë pozitë, kandidatët duhet të jenë nga anëtarët gjyqtarë dhe të propozohen nga së paku 3 të tjerë brenda Këshillit.

    Me vendimin e marrë gjatë mbledhjes të premten, gjyqtarët që shprehin interesim për këtë pozitë duhet t’i dorëzojnë nënshkrimet më së largu deri më 29 qershor.

    Deri tash asnjë emër nuk është konfirmuar, e as mundësia që Zogaj të kandidojë për një mandat të dytë.

    Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike derisa tregojnë se kandidati me më së shumti vota zgjidhet kryesues, me kusht që më herët nuk i përfundon mandati si anëtar, thonë se nuk ka pengesa ligjore që Zogaj të rikandidojë.

    Por në rast se do të zgjidhej sërish, mandatin do të mund ta ushtronte vetëm deri në mars të 2026-s.

    “Procedura e votimit është e mbyllur, kurse kandidati me më së shumti vota zgjedhet kryesues për 3 vite, me kusht që më herët nuk i përfundon mandati si anëtar i Këshillit. Me legjislacionin aktual, nuk ka asnjë pengesë që Albert Zogaj të kandidoj e të zgjidhet sërish në pozitën e Kryesuesit, por mandati i dytë i tij nuk mund të jetë më i gjatë se deri në muajin mars 2026, kur përfundon edhe mandati i tij si anëtar i KGjK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme”, tha Liridon Salihi, hulumtues në GLPS.

    Sipas ligjit për KGJK-në, anëtarët kanë mandat 5 vjeçar pa mundësi rizgjedhjeje, ndërsa kryesuesi 3 vjet.

    Zogajt do ta përfundojë mandatin si kryesues më 06 korrik, ndërsa do të jetë anëtar deri në vitin 2026.

  • Ushtarëve nuk u paguhet puna jashtë orarit

    Ushtarëve nuk u paguhet puna jashtë orarit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, jo rrallë herë u duhet të qëndrojnë brenda me orë të tëra, si gjendje gatishmërie. Por, për qëndrimin në punë jashtë orarit, ata nuk marrin kompensim me para, siç edhe ua garanton ligji.

    Këto përfitime nuk i gëzojnë as në raste të tjera, si puna gjatë festave, puna gjatë natës apo gjatë fundjavës. Sipas juristëve, pagesa është e obligueshme, me përjashtim rastet kur ushtarët individualisht duan pushim në vend pagesave.

    “Janë të qarta të gjitha beneficionet për punën shtesë, punën gjatë natës, kujdestarinë, në parim, sipas ligjit, por edhe kontratës duhet të paguhen me para, d.m.th. me pagë shtesë me përqindje siç është e përcaktuar 20, 30 apo 50 për qind. Në kontratat që posedojnë pjesëtarët në këtë nenin ku janë shtesat në pagë është një paragraf atje që i mundësohet me dëshirën e vetë me marrë pushim”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Por, sipas njohësve të sigurisë, pagesa mund të ndikojë negativisht te performaca e ushtarëve, meqë nuk trajnohen dinjitetshëm.

    “Mospagesa e punës jashtë orarit krijon një momentum jo të mirë në favorin e arritjes së objektivave të ushtarëve dhe që për t’i kompensuar marrin vetëm ditë pushim. Pra motivi do kish me qenë në qoftë se do kishte me iu shpërbly përmes pagës, dhe kështu do të arrihej efikasiteti në kuadër të strukturave ushtarake”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Sidoqoftë, Ministria e Mbrojtjes nuk i dha përgjigje ATV-së pse orët shtesë për pjesëtarët e FSK-së nuk paguhen. Me probleme të tilla sikurse ushtarët, përballen edhe Policët.

  • Rohde reagon pas deklaratave të Hill se “Serbia s’duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE” – rikujton çfarë kishte thënë Scholz

    Rohde reagon pas deklaratave të Hill se “Serbia s’duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE” – rikujton çfarë kishte thënë Scholz

    Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka bërë një reagim mbrëmë vonë në X pas deklaratave të Ambasadorit të SHBA në Beograd, Chris Hill, i cili ka thënë se s’mendon që Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE.

    “Vetëm sa për të rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të Kancelarit gjetman Scholz gjatë vizitës në Kosovë dhe Serbi në qershor ’22 për normalizimin përfshirë njohjen reciproke. Kjo ende qëndron: Rruga është aty: Zbatim i plotë i marrëveshjeve të Brukselit/ Ohrit nga të dyja palët sa më parë”, ka shkruar Rohde.

    Me këtë postim Rohde ka shpërndarë edhe lajmin me deklaratën e Kancelarit Scholz i cili kishte deklaruar se “…është e qartë se marrëveshja duhet që përfundimisht ta zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që s’e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE’së”, kishte deklaruar Kancelari.

  • Nis sot Kampionati Evropian i futbollit

    Nis sot Kampionati Evropian i futbollit

    Sytë e botës së futbollit kthehen nga Mynihu, aty ku sonte në mbrëmje më në fund fillon Kampionatin Evropian UEFA 2024, me kombin mikpritës Gjermaninë që do të përballet me Skocinë në “Allianz Arena”.

    Ndër favoritët për të shkuar deri në fund, Gjermania duket se ka gjetur njëfarë stabiliteti nën drejtimin e trajnerit Julian Nagelsmann, pasi ka bërë së bashku një ecuri të pamposhtur prej katër ndeshjesh.

    Sfida hapëse, ajo ndërmjet Gjermanisë dhe Skocisë nis nga ora 21:00, ndërsa pjesë e këtij grupi janë edhe Zvicra dhe Hungaria, transmeton KP.

  • Kurti krahason ekonominë sot me atë të vitit 2000

    Kurti krahason ekonominë sot me atë të vitit 2000

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbledhjen e qeverisë, kreu i saj e nisi me urim për ditën e çlirimit, teksa falënderoi krejt ata që ndihmuan vendin. E më pas prezantoi disa prej të arriturave gjatë këtyre vjetëve.

    Por s’la pa e lavdëruar pak edhe qeverinë e tij.

    Në përpjekje për të ndërtuar të ardhme më të mirë, e për t’i adresuar dhimbjet e së kaluarës, tha se po miratojnë strategjinë për drejtësi tradicionale.

    Detaje rreth asaj çfarë përmban strategjia, dha ministrja e Drejtësisë Albulena
    Haxhiu.

    Në mbledhjen e 208-të të saj, qeveria miratoi edhe disa projektligje, por njëri që po pritet tash e një kohë, ai për kodin civil, ende nuk është gati.

    Qeveria në mes tjerash ka vendosur sanksione kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, në lidhje me pushtimin e Ukrainës nga Moska, si dhe kundër Iranit për shkak të programin të saj raketor.

  • Qeveria “dorëlirë” me mërgimtarët

    Qeveria “dorëlirë” me mërgimtarët

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mërgimtarët që këtë verë do ta përdorin transportin rrugor për të ardhur në Kosovë, procedurat kufitare do t’i kalojnë më lehtë.

    Qeveria kësaj radhe po ua paguan tërësisht policën e sigurimit.

    Atyre u mbetet që në platforma online, ta shkarkojnë dokumentin para se ta marrin rrugën për vendlindje.

    “Duke pasur parasysh që një policë e tillë kufitare, sidomos kur kemi fluks gjatë muajve korrik dhe gusht krijon radhë të panevojshme dhe të tepërta që pastaj pas një rrugëtimi të gjatë dhjetëra orësh që bëjnë mërgimtarët, në momentin kur arrijnë në pika kufitare prapë do të ketë vonesa në mënyrë që të nxjerrin policën kufitare, ideja është që kësaj radhe ta bëjmë përmes qasjes online”, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

    Përveç kësaj, të enjten, qeveria ndau edhe tre milionë euro, në kuadër të masës për mbështetjen e bizneseve për qasje në financa.

    Kjo i lehtëson procedurat për mërgimtarët që duan të hapin biznes në Kosovë.

    “Një biznes nëse në të kaluarën për të marrë një milion euro kredi iu është kërku nga banka që të ofrojë 2 milion euro asete, prona të paluajtshme, kësaj radhe me këtë dritare do të mundësohet që kërkesa për siguri nga banka të jenë dukshëm më të vogla dhe të llogaritet kryesisht vetëm pjesëmarrja e ekuitetit, ndërsa pjesa tjetër që financohet do të garantohet nga kjo dritare”, tha Murati.

    Veçse kjo më shumë po shihet si fushatë politike.

    “Pa dyshim që ky është një vendim politik, sipas vendimeve, qeveria ka filluar me fushatë zgjedhore. Kjo shumë për diasporën nuk është shumë domethënëse, nuk është diçka që ndikon tek ata për me pasë ndonjë lehtësim”, tha Fidan Qerimi, ekonomist.

    Dallimi i vendimit të sivjetmë me herët e kaluara është se tash kosovarët e diasporës nuk kanë nevojë që fillimisht të paguajnë për policën, e më pas qeveria t’i rimbursojë ata. Vetë ministri Hekuran Murati e pranoi se kjo nuk kishte funksionuar, meqë, sipas tij, logjistikisht ishte e papërshtatshme.

  • Zv.kryeministri: Ka sinjale pozitive për heqjen e masave

    Zv.kryeministri: Ka sinjale pozitive për heqjen e masave

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Është bërë një vit, prej kur Kosova është nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

    Për largimin e tyre, tashmë është përpiluar raporti i cili është në duart e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell, i cili pritet që në javën e ardhshme t’i dërgohet shteteve anëtare të BE-së.

    Sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka sinjale pozitive që Kosovës do t’i largohen masat ndëshkuese.

    “Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara të komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besoj që ai do të dërgohet për aprovim në këshill, gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit, me sa e di unë, është pozitive dhe në të do të rekomandohet heqja e masave”, tha Bislimi.

    Mirëpo, ndryshe nga Bislimi, thotë se ka informacione kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane.

    “Unë kom informacione të tjera që masat do të vazhdojnë dhe për neve normalisht është shqetësuese nëse vazhdojnë ato masa”, tha kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi.

    Deklarata e Krasniqit më pas nxiti debat në mbledhjen e këtij komisioni.

    “Kot ju thoni atje nëpër zyra është mirë që t’i hiqen masat Kosovës, në qoftë se për çdo ditë nëpër televizione thoni kjo qeveri i ka merituar këto masa”, tha Krasniqi.

    Ndërsa, pas mbledhjes së Komisionit, Bislimi është deklaruar rreth draft-statutit të Asociacionit.

    Derisa tha se atë nuk do ta dërgojnë në Gjykatë Kushtetuese, shtoi se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    “Ka pasur kërkesa që kanë devijuar nga kërkesat e Komisionit Evropian dhe të cilat janë refuzuar nga vetë Asambleja Parlamentare e Komisionit Evropian, siç është kërkesa për dërgimin e draftit, i cili nuk përbën faktikisht as draft as dokument, sepse nuk ka as nënshkrim e as nuk ka pronësi. Deri në momentin e tanishëm ka disa adresa që kanë thënë që ky është draft i joni. Ne nuk dërgojmë artikuj gazetash as opinione, as drafte të cilat nuk kanë autorësi e as pronësi në Gjykatën Kushtetuese, por dialogu është pjesë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”, tha Bislimi.

    Po ashtu, sipas tij, pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës, po pengojnë që vendi të marrë statusin kandidat të BE-së, ani pse tha se Kosova ka një përparësi në krahasim me shtetet e tjera që e kanë marrë statusin e vendit kandidat, pasi vendi që nga viti 2016 është duke e zbatuar MSA-në.

  • “Liria është më e çmuar se jeta”, ish-gazetari i BBC-së i emocionuar kujton intervistën me Fehmi Lladrovcin

    “Liria është më e çmuar se jeta”, ish-gazetari i BBC-së i emocionuar kujton intervistën me Fehmi Lladrovcin

    Ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV, i emocionuar ka rikthyer memorien nga intervista me heroin kombëtar, Fehmi Lladrovci.

    Ai tha se pas kësaj interviste, ishte një moment i rëndësishëm që bashkësia ndërkombëtare e kuptoi se kjo luftë ishte e vërtetë.

    “Mundësia që të bënim intervistë me Fehmi Lladrovcin ishte ndoshta pjesa më e rëndësishme që e bëmë atëherë. Andaj jam i emocionuar që të kthehem 25 vjet pas dhe të kaloj kohë me familjen e tij dhe zbulova që e keni bërë një bluzë me imazhin e tij tani është njëfarë bluze e futbollit dhe pamja ishte marrë nga intervista jonë dhe me këtë sloganin “Liria është më e çmuar se jeta” e cila po ashtu del nga intervista e jonë. Sidoqoftë ky ishte moment shumë i rëndësishëm kur edhe bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që kjo është luftë e vërtetë”, tha Loyn.

    Ai thas e Fehmi Ladrovci e dinte që liria është më e çmuar se jeta.

    “Unë kam mbuluar luftëra edhe në pjesë të tjera të botës dhe kam kaluar shumë kohë duke folur me forcat guerile në Kashmir, madje edhe Irlandën Veriore kur kishte konflikt dhe e di që është e vështirë për individët të veshin uniformën qoftë edhe atë të rregullt kundrejt forcave të mëdha, ushtrive të mëdha siç ishte ajo e Serbisë me artileri, helikopterë dhe armë që i pamë më vonë këtu në Kosovë, tanke e të tjera dhe e merrni një AK47 dhe uniformën dhe e di që ai e dinte në këtë pikë që liria është më e çmuar se jeta sepse vet dalja në publik nënkuptonte se ai po e rrezikonte jetën e tij. Dhe siç e dimë ai e bashkëshortja e tij ishin cak dhe u sulmuan nga serbët më vonë atë vit”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv

    Intervistën e plotë e gjeni në videon më poshtë:

  • Ish-gazetari i BBC-së që e bëri botën t’i kthejë sytë kah Kosova, rrëfen se si ishte të ecje rrugëve të Prishtinës 25 vite më parë

    Ish-gazetari i BBC-së që e bëri botën t’i kthejë sytë kah Kosova, rrëfen se si ishte të ecje rrugëve të Prishtinës 25 vite më parë

    Të ecësh rrugëve të Prishtinës ishte të ecje në një vend krejtësisht tjetër. Kështu deklaroi ish-gazetari britanik i BBC-së, David Loyn, në një intervistë ekskluzive në emisionin CONTEXT në ATV.

    Ai tha se Kosova gjatë vitit 1998 ishte vërtet e mjerë dhe ishte e qartë se populli po përjetonte represion.

    “Unë erdha këtu në dimër dhe qëndrova në hotelin e emëruar gabimisht “Grand” (i madh) me ushqim të tmerrshëm dhe në atë kohë aty ekzistonte një persekutim pasiv të them ashtu i gazetarëve, me raste edhe aktiv meqë një ditë kishim dalë herët në mëngjes dhe të gjitha veturat që ne gazetarët i përdornim ishin dëmtuar. Por, problemi me të cilin ballafaqoheshim ne si gazetarë ndërkombëtarë dhe këtë e kam kuptuar shpejt, nuk ishin asgjë nuk krahasoheshin me problemet me të cilat përballej popullsia shqiptare e cila në atë kohë deri në vitin 1999 jetonte në një botë paralele. Një prej raporteve që kishim bërë ishte ajo që trajtonte sistemin paralel të shëndetësisë, mjekët që nuk paguheshin, lindja e fëmijëve në katet e larta të shtëpive private, andaj them ishte vend shumë i mjerë”, tha Loyn.

    Ndërsa tani pas 25 viteve, ai thotë se njerëzit këtu janë duke jetuar jetën normale të evropianëve.

    “Kur ecja nëpër këto rrugë të gjera në Prishtinë me zona të industrializuara dhe shumë njerëz të rinj të cilët mbase as nuk e mbajnë në mend luftën por mund të shkojnë në Prekaz për të parë atë monument të jashtëzakonshëm që është krijuar ku unë qëndrova gjatë kësaj jave por përndryshe janë duke jetuar jetën normale të evropianëve dhe kam biseduar me të rinjtë këtu të cilët thoshin se duan të jetojnë si amerikanë apo britanikë, gjermanë e francezë dhe ky është aspirimi i të rinjve në një vend që është krejtësisht ndryshe. Por më pas shkova në Drenicë ku drekuam me kryetarin Ramiz Lladrovci, vëllain e të cilit e kisha intervistuar para shumë vjetësh, dhe pashë që edhe politikbërja ka ndryshuar shumë, ishte thjesht vend ndryshe”, u shpreh Loyn. /atvlive.tv

  • Konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, me folës më eminentë botërorë të fushës së mediave

    Konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, me folës më eminentë botërorë të fushës së mediave

    Të premten nga ora 11:00 në Kolegjin AAB do të mbahet konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv, e titulluar “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe inteligjencës artificiale.”

    Prorektori për Kërkim Shkencor në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, në emisionin A LIVE në ATV, tha se kjo konferencë, ashtu si edhe konferencat e tjera të organizuara nga Fakulteti i Komunikimit Masiv, janë zakonisht konferenca ndërkombëtare që trajtojnë një bosht tematik të përqendruar, trajtojnë fenomene shumë aktuale ku diskutuesit dhe pjesëmarrësit janë global.

    “Cilësia e konferencës në radhë të parë varet nga fokusimi ose përqendrimi i një teme të cilën e trajton konferenca, natyra e konferencës. AAB-ja që nga 2015-ta, është shndërruar në një strumbullar në Ballkanin Perëndimor i studimeve në Media dhe Komunikime. Konferenca të cilat ne i kemi realizuar, i kemi realizuar me partnerë evropianë dhe folësit kryesorë kanë qenë gjithmonë folës më eminentë ndërkombëtarë”, tha Saliu.

    Ai përmendi se folësit kryesor në këtë konferencë janë nga personalitetet më të rëndësishme në fushën e komunikimeve në mbarë botën.

    “Kësaj radhe, ne kemi njërin nga studiuesit më eminent në botë që është Mark Deuze, është profesori i Universitetit të Amsterdamit, drejtues i Departamentit për Studime Pasdiplomike. Deuze është nga Universiteti i cili rangohet i pari në botë nga fusha e mediave dhe komunikimeve, sipas listës Shangai dhe është i vetmi bashkautor për teoritë e komunikimeve, bashkë me studiuesin e famshëm që ne teoritë e komunikimeve i nisim me McQuailin, që atëherë është i vetmi bashkautor që ka bashkëpunuar me McQuailin për teoritë e komunikimeve. Folësi i dytë kryesor është profesori polak, Lukasz Tomczyk. Tomczyk është shpallur ë vitin e kaluar, studiuesi më me ndikim në botë, dy përqindëshi më me ndikim në botë dhe do trajtojë një temë shumë interesante që ne përditshëm e ndeshim në jetën tonë, “fake news-i”, thashethemet e nxënësve, e studentëve në raport me arsimtarët, me institucionin që ne e dimë që “fake news-i” tashmë është një dukuri e mediave sociale dhe këndvështrimi i tij është nga aspekti pedagogjik”, tha Saliu.

    Prorektori Salihu tregoi se edhe abstraktet e prezantuesve në këtë konferencë tani më gjenden online në uebfaqen e Koegjit AAB, cilësia e të cilave është në të njëjtin nivel me universitete vërtetë shumë prestigjioze.

    “Shumica prej tyre janë doktorë të studimeve mediatike, kemi profesionistë, ndërsa e veçanta është se kemi dy panele nga studentët e nivelit master të Kolegjit AAB dhe një panel nga studentët e nivelit master të Universitetit të Tiranës, me që i kemi edhe partnerë”, tregoi ai.

    Sipas prorektorit Saliu, Kolegji AAB është e përqendruar në konferenca shkencore vetëm në fushën e medias, andaj edhe emrat më eminentë në botë për këtë fushë kanë pranuar të marrin pjesë në këtë konferencë.

    “Folësit kryesor janë njerëzit kryesor, përfaqësues të cilët kanë vlerësuar institucionin tonë, historinë e organizimit të konferencave të Kolegjit AAB, praktikisht Fakultetit të Komunikimit Masiv, pra e kanë vlerësuar thirrjen. Shkruarja e një thirrje për konferencë shkencore e përqendruar, e fokusuar, është një studim më vete, e tjetër është ajo që mund të shihni që qarkullojnë nëpër rajon, po edhe në Kosovë, Konferencë Shkencore nga ku të them unë, nga biologjia, qeliza, deri në astronomi. Jo, ne i kemi vetëm për komunikime, studime mediatike dhe fushat që ndërlidhen me këtë. Prandaj edhe kanë pranuar këta mysafirë, këta folës kryesorë, që nesër të flasin për ne”, tha Saliu. /atvlive.tv