ATV

Tag: Ballina

  • Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë raportohen dhjetë raste të dhunës në familje

    Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë raportohen dhjetë raste të dhunës në familje

    Dhjetë raste të dhunës në familje janë iniciuar gjatë të premtes në Kosovë.

    Nga tri raste janë në Prishtinë dhe Gjakovë, dhe nga një rast në Gjilan, Viti, Klinë dhe Istog.

    Në mesin e këtyre rasteve, i dyshuari në rastin e Klinës, thuhet se është me të meta mendore. Për të u ankua në polici nëna e tij, e cila tha se ai e ka sulmuar fizikisht.

    Policia tha se i dyshuari është dërguar për trajtim te mjeku specialist dhe është ndaluar për trajtim të mëtutjeshëm.

    Me nënën njëri nga të dyshuarit nga rastet në Prishtinë nuk u raportua se pati mosmarrëveshje, por me babanë po.

    Ai u arrestua nën dyshimin se tentoi të sulmoi fizikisht të atin, dhe për këtë u dërgua në mbajtje.

    Dy gra në Prishtinë u ankuan në polici, se burrat e tyre i kanë rrahur. Në njërin nga rastet i dyshuari u dërgua në mbajtje, ndërsa në tjetrin u lirua pas intervistimit, ndërsa gruas së tij i është lëshuar urdhër-mbrojtës.

    Edhe në Gjakovë, dy gra u ankuan për burrat e tyre. Njëra nga to tha se është sulmuar fizikisht, ndërsa bashkëshorti i saj për këtë u dërgua në mbajtje.

    Ndërsa burri tjetër ra në pranga nën dyshimin se në vazhdimësi e ka keqtrajtuar gruan e tij, e për këtë arsye u dërgua në mbajtje.

    Nën dyshimin se e ka rrahur gruan u arrestua në Viti, edhe një i dyshuar me nënshtetësi të Belgjikës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Për dallim me rastet e lartpërmendura ku viktima janë gratë, në Gjakovë një burrë u ankua se pas ndarjes e dyshuara është duke e shqetësuar përmes telefonit.

    Në raportin 24-orësh të policisë, thuhet se viktima ka kërkuar urdhër-mbrojtës, dhe se i është lëshuar urdhër për mbrojtjen e përkohshme emergjente nga policia.

    E dyshuara është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit u lirua në procedurë të rregullt.

    Mes çiftit bashkëshortorë jo, por mes baballarëve dhe djemve pati mosmarrëveshje në Gjilan dhe Istog.

    Në rastin e Gjilanit, thuhet se dy të dyshuarit kishin një mosmarrëveshje mes veti. Ndërsa gjatë intervistimit njëri nga ta ka pranuar se posedon një pushkë gjuetie në shtëpi.

    “Në shtëpinë e të dyshuarve është gjetur dhe konfiskuar pushka e gjuetisë me gjashtë fishekë të kalibrit 12 GA. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, tha policia.

    E rasti në Istog ka të bëj me ankesën e një personi i cili i tha policisë se ka probleme të vazhdueshme me babanë e tij.

    “I dyshuari është intervistuar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, shkruan në raportin 24-orësh të policisë.

  • Paralajmërimi për sanksione të reja: Qeveria kritikon BE-në, opozita fajëson Qeverinë Kurti

    Paralajmërimi për sanksione të reja: Qeveria kritikon BE-në, opozita fajëson Qeverinë Kurti

    Gatishmëria e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër kanë nxitur reagime të fuqishme të ShBA-së dhe BE-së. Zyrtarë e kësaj të fundit kanë paralajmëruar sanksione të reja, nëse ekzekutivi kosovar ndërmerr veprime të njëanshme në këtë drejtim. Paralajmërimet e BE-së për sanksione të reja ndaj Kosovës e kanë shqetësuar opozitën, ndërsa paralajmërimet e tilla qeveria i ka cilësuar si të padrejta.

    Zyrtarët e partive opozitare kanë bërë me dije se nëse Kosovës i vendosen masa të reja sanksionuese fajtore është Qeveria e Kosovës.

    Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, ka bërë me dije se Qeveria e Kosovës edhe çështjen e urës po e përdor për vota.

    “Në një periudhë kur do të duhej t’i gëzoheshim heqjes së sanksioneve të BE-së, sot morëm paralajmërimin për mundësinë e sanksioneve të reja. Edhe kësaj here si pasojë e kryeneçësisë së Albin Kurtit dhe veprimeve të pamatura dhe të pakoordinuara të qeverisë që ai drejton. Edhe një herë duke e përdorur një çështje për arsye elektorale, për një grusht vota”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

    Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet t`i dëgjojë aleatët në lidhje me veriun.

    “Hapja e Urës së Ibrit është diçka që e duam të gjithë. Ajo nuk është hapur jo si mungesë e dëshirës dhe vullnetit, por si vlerësim i aleatëve ndërkombëtarë e paqeruajtës, që i kishim përkrah në themelimin e ndërtimin e shtetit. Atyre që na dhanë mbështetjen në luftë e në paqe. Çdo veprim pa bashkëpunim me ta, është veprim përkundër tyre, e rrjedhimisht kundër shtetit. Çdo lider i secilit institucion do duhej ta kishte të qartë se veprimet në kundërshtim me miqtë tanë, nuk shkojnë në favor të Kosovës. Për më keq, i bëjnë shërbim Serbisë. Konfrontimi me NATO-n, ShBA-në e BE-në çon në udhë pa krye. Ai nuk do të duhej të ndodhte në asnjë mënyrë e asnjëherë”, ka shkruar Azemi.

    Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, është shprehur e shqetësuar me paralajmërimet e BE-së për sanksione të reja ndaj Kosovës.

    Ajo ka vlerësuar se qëllimi i Kurtit është mbajtja e Kosovës nën masa.

    “Kurti nuk e vlerëson prosperimin e Kosovës në asnjë fushë të zhvillimit të brendshëm apo të jashtëm! Me rëndësi e ka që të zhvillojë popullizëm me tema të ndjeshme që nuk na dërgojnë askund. Ura e Ibrit është në Kosovë dhe në Kosovë mbetet! E, që Kosova të jetë në masa dhe e dënuar, e izoluar, ky duket se është edhe qëllimi i Kurtit”, ka deklaruar Musliu-Shoshi.

    Ndryshe nga opozita, përfaqësuesit e pozitës kanë bërë me dije se masat e reja ndaj Kosovës nuk janë zgjidhje.

    Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka kritikuar BE-në se pse nuk e ka sanksionuar Serbinë pas sulmit në Banjskë.

    “Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmorri BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar, shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, ka thënë Kryeziu për “Express”.

    Ndërsa, deputeti i VV-së, Alban Bajrami, ka fajësuar zyrtarët e BE-së për mosdije.

    Në një debat në tëvë1, ai ka shkruar se askush në BE nuk e di pse Kosovës i janë vendosur masat.

    “Edhe këto që janë, janë të paarsyeshme. Asnjë zyrtar i BE nuk mundet me tregu pse janë. Ne nuk mundemi mi lënë çështjet e brendshme të Kosovës me i lanë në dorë të një kërcënimi për masa të reja”, ka thënë Bajrami.

    Paralajmërimet e BE-së
    Bashkimi Evropian dje ka paralajmëruar masa të reja ndëshkuese ndaj Kosovës, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

    Kjo është bërë me dije nga zëdhënësi Peter Stano, në një konferencë për media.

    “Masat janë ende në fuqi sepse shtetet anëtare nuk kanë vendosur për të vepruar apo proceduar për raportin e përfaqësusit të Lartë që është dorzuar para disa jave. Kjo nuk është çudi sepse nëse e mbani mend, masat janë vendosur në qershor të vitit të kaluar ndaj administratës në Prishtinë për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz”, ka thënë ai.

    Sipas tij, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të shtohet, nëse qeveria vazhdon me veprime të njëanshme.

    “Kështu, masat janë ende aty. Ne thamë atëherë – masat janë progresive: ato mund të shtohen, mund të pakësohen, varësisht nga zhvillimi i situatës dhe kjo është diçka që e trajton pjesën e parë të pyetjes suaj: çfarë do të bëjmë ne? Pra, ne kemi masa në fuqi dhe këto masa gjithashtu mund të shtohen, nëse të gjithë aktorët e BE-së pajtohen që ato duhet të shtohen.”, ka thënë zyrtari i BE-së.

    Veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në veri janë kritikuar ashpër nga ShBA-ja dhe BE-ja.

  • IKD: Kuvendi ka pasur shkelje të mëdha të kushtetutshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë

    IKD: Kuvendi ka pasur shkelje të mëdha të kushtetutshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies së Qeverisë

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Kuvendi i Kosovës, në sesionin pranveror, nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, pasi që ka pasur shkelje të mëdha në raport me Kushtetutën, transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë përballë Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Mes tjerash, sipas IKD-së, Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është shkelur edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë, për mos-respektimin e afatit prej gjashtë muajsh të vendosur nga Gjykata.

    Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, ka thënë se sasia e projektligjeve për të cilat pushteti po krenohet se i ka bërë – pjesa dërrmuese e tyre janë marrëveshje ndërkombëtare e një e treta, ligje të cilat ndryshojnë dhe plotësojnë ligje aktuale.

    Ai ka thënë se premtimet elektorale, të cilat janë të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim në programin qeverisës 2021-2025, nuk janë miratuar, duke përmendur këtu Ligjin për Banimin Social të Përballueshëm e Ligjin për Punë.

    “Gjatë sesionit pranveror deri në seancën e fundit, Kuvendi i miratoi në tërësi 36 projektligje, prej të cilave siç mund të shihet janë 21 të proceduara në vitin 2023 dhe 15 të proceduara në vitin 2024. Sasia e projektligjeve për të cilat pushteti politik po thotë dhe po krenohet se i ka bërë, pjesa dërrmuese e tyre marrëveshje ndërkombëtare, në fakt një e treta e tyre, në ndërkohë edhe pjesa tjetër, janë ligje të cilat ndryshojnë dhe plotësojnë ligje aktuale”.

    “Ndërkohë premtimet elektorale, aktivitet të cilat janë të parapara në planin kombëtar për zhvillim në programin qeverisës në 2021-2025 nuk janë miratuar, Ligji për Banimin Social të Përballueshëm, Ligji për Punë, ligjet në reformën e drejtësisë – tashmë asnjëri nuk është në fuqi për shkak se u rrëzuan në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

    Jakaj ka thënë se kjo legjislaturë përveç se ka shkelur Kushtetutën nuk ka zbatuar as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, siç ka qenë rasti me Ligjin për Zyrtarët Publikë, ligj i cili nuk është miratuar as në lexim të dytë.

    Ai ka thënë se edhe tek Ligji për Pagat në Sektorin Publik, tanimë kanë kaluar katër ditë që Kuvendi ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

    “Një kuvend që ka prodhuar në sasi projektligje, por në përmbajtje realisht nuk ka diçka që kishte me e veçuar jo vetëm në këtë sesion por në krejt legjislaturën. Masivisht ka pasur shkelje të Kushtetutshmërisë dhe përveç shkeljeve të Kushtetutshmërisë, pastaj kemi edhe mos zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, siç ka qenë rasti me Ligjin për Zyrtarët Publik ku ligji nuk është miratuar ende në lexim të dytë, por ai përmban të meta kushtetuese në ndërkohë ai nuk është miratuar as brenda afatit”.

    “Ligji për Pagat në Sektorin Publik, ligj i cili tashmë kanë kaluar katër ditë kur Kuvendi është duke e shkelur Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por përveç Kuvendit edhe Qeveria. Kjo sepse nuk e zbatojnë brenda afatit prej gjashtë muajsh sa ka dhënë afat Gjykata Kushtetuese. Një afat prej gjashtë muajsh është afat optimal që si qeveri, si kuvend t’i ndërmarrin vendimet për t’i zbatuar aktgjykimet sipas kërkesave që janë të vendosura”, ka thënë ai.

    Jakaj ka thënë se në këtë sesion puna e Kuvendit nuk ka dalluar nga vitet e kaluara e se ajo është përcjellur nga mungesa e thellë e transparencës.

    Ai ka thënë se puna e Kuvendit është përcjellur edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, siç ka qenë tek ligji i Komisionit të Pavarur për Media, tek kundërligjshmëria e komisioneve hetimore e deri tek mbikëqyrja e dobët parlamentare.

    “Kuvendi i Kosovës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues gjatë këtij sesioni pranveror edhe në rastet kur ajo është përmbushur teknikisht ka pasur shkelje të mëdha në raport me kushtetutshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e Qeverisë përballë Kuvendit. Sikurse në vitet paraprake edhe në këtë sesion puna e Kuvendit nuk ka dalluar nga vitet e kaluara, puna e tij është përcjellur nga mungesa e thellë e transparencës në raport me ta zëmë votimin elektronik. Do të mbahet mend ky kuvend që nuk ka prodhuar votimin elektronik për deputetë. Pastaj, puna e Kuvendit është përcjellur edhe nga vendimmarrja në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës siç ka qenë tek Ligji i Komisionit të Pavarur për Media. Tek kundërligjshmëria e komisioneve hetimore, tek mbikëqyrja e dobëte parlamentare, ka tashmë një fenomen të ri që deputete kur parashtrojnë pyetje nuk janë aty të pranishëm. Po përmbi 40 për qind e pyetjeve parlamentare mbesin shumë herë pa u parashtruar për shkak se mungojnë deputetët, më herët ka qenë se kanë munguar vetëm ministrat tani mungojnë edhe deputetët me të madhe”, ka thënë ai.

    Hulumtuesi i IKD-së ka shtuar se Kuvendi është përballur edhe më punë të dobët të Komisioneve Hetimore Parlamentare, duke shtuar se shumica parlamentare është bërë pengesë që hetimet të shkojnë sipas kërkesë që është vendosur sipas vendimit për themelim të Komisionit Hetimor.

    “Kemi pastaj edhe gjetjen sa i përket komisioneve hetimore parlamentare ku shumica parlamentare është bërë pengesë që hetimet të shkojnë sipas kërkesës që është vendosur, sipas vendimit për themelim të komisionit hetimor. Në anën tjetër kemi pasur edhe mungesë ose udhëheqje të dobët të disa komisioneve hetimore nga radhët e opozitës. Puna e dobët e komisioneve hetimore është karakterizuar fillimisht prej shumicës parlamentare, prej pengesës së tyre në drejtim të plotësimit të kuorumit ose të votimit të çështjeve të cilat kanë qenë në rend dite sikurse ta zëmë lista e dëshmitarëve, lista e materialeve ose kërkesave që do të duhej t’i dorëzohej ose afatit kur është paraqitur apo koha se kur do të duhej të hetohej”, ka thënë ai për EO.

  • Minatorët ende pa paga dhe në grevë, Qeveria hesht karshi tyre

    Minatorët ende pa paga dhe në grevë, Qeveria hesht karshi tyre

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Qeveria vazhdon të heshtë karshi minatorëve që nuk iu pagua djersa e punës, për dy muaj rresht.

    Thirrjet e tyre për një të drejtë bazë siç është paga, kanë hasur në vesh të shurdhër, sa që kanë thelluar krizën, si te minatorët, ashtu edhe te gjiganti metalurgjik.
    Nga sindikata thonë se tashmë është rënduar edhe gjendja psikike e minatorëve, por edhe ajo shëndetësore.

    “Gjendja është shumë e rëndë, qe dy muaj e gjysmë minatorët nuk kanë marrë paga, është rëndu gjendja edhe psikike, edhe problemi më i madh është mungesa e financave për çështjet mjekësore dhe te minatorët ka filluar me u rëndu gjendja tej mase. Nuk kemi pasur asnjë takim me qeverinë përveç me drejtorin e njësisë dhe kryeshefin ekzekutiv, por nuk ka konkrete asgjë”, deklaroi kryetari i Sindikatës së minatorëve, Ibrahim Januzi.

    Kriza në Trepçë vetëm sa shkon e thellohet, andaj ish-drejtori i saj, Ferat Shala, thotë se dikush duhet të japë llogari.

    “Fatkeqësisht kjo ka kosto të rëndë financiare, jo vetëm për ndërmarrjen, por edhe për buxhetin e shtetit. Qeveria do të duhet të jetë transparente dhe në rend të parë të kërkojë llogari për këtë periudhë menaxheriale katërvjeçare, për dështimet jashtëzakonisht të larta me pasoja ekonomike dhe nëse themi do të dilet nga kjo situatë, tashmë çmimi është edhe më i lartë”, tha Shala

    Minatorët janë të vendosur që të mos hyjnë në nëntokë për aq kohë sa nuk i marrin pagat.

    Derisa e premtja shënon ditën e 31-të që minatorët janë në grevë.

    Një ditë mospunë në Trepçë llogaritet rreth 40 mijë euro humbje./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • E identifikon nëna, trupi i pajetë i Faton Hajrizit familjes i dorëzohet më së largu nesër

    E identifikon nëna, trupi i pajetë i Faton Hajrizit familjes i dorëzohet më së largu nesër

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ 

    Nga Skenderaj, Shehrije Hajrizi arriti në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Këtu e pret një punë e vështirë: ta identifikojë kufomën që dyshohet të jetë e djalit të saj.

    Nënës nuk iu desh shumë kohë që ta identifikojë trupin e birit të saj, Fatonit.

    Pas konfirmimit nga familja, Institutit të Mjekësisë Ligjore iu hap rruga që ta nisin autopsinë e 39–vjeçarit.

    Identifikimi i viktimës u konfirmua edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës së Veriut.

    Gjithë procedura e autopsisë pritej të zgjaste disa orë, që pastaj trupi t’i dorëzohet familjes.

    Puna për ta sjellë trupin e pajetë në Kosovë, sipas avokatit që u angazhua në këtë drejtim, nuk ishte fare e lehtë.

    Pas autopsisë që pritet të përfundojë gjatë të premtes, trupi i pajetë pritet që familjes t’i dorëzohet të shtunën më së largu.

    Faton Hajrizi më 6 korrik u arratis nga burgu i Smrekonicës.

    Gati dy javë më vonë ai dyshohet se u vra në Lloznicëtë Serbisë. Paraprakisht, sipas autoriteteve serbe ,ai dyshohet ta ketë vrarë një polic./atvlive.tv

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

    https://youtu.be/YcuHgKJfBH8?si=GXjhlLRHZBdeY2og

  • Qeveria do të subvencionojë me pagë deri në dy mijë vende pune në veri

    Qeveria do të subvencionojë me pagë deri në dy mijë vende pune në veri

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Hapja e bizneseve të reja në komunat në veri, por edhe punësimi i rreth dy mijë punëtorëve, do të subvencionohet nga Qeveria e Kosovës.

    Kështu të paktën ka njoftuar ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili mes tjerash tha se bizneset, një nga lehtësirat që do të përfitojnë, është subvencionimi i pagës së punëtorëve.

    “Me rivendosjen e rendit dhe ligjit në katër komunat veriore të vendit, tani po shohim dita-ditës edhe hapjen e bizneseve të reja dhe shtimin e aktivitetit afarist në atë pjesë. Qeveria po i mbështet të gjitha bizneset e reja dhe ato ekzistuese në katër komunat në veri për hapjen e deri në dymijë vendeve të reja pune, përmes subvencionimit të pagës për punëtorët”, tha Murati.

    Megjithëse, e ka cilësuar si të vonuar, sipas Betim Osmanit, asamblist në Komunën e Mitrovicës së Veriut, një vendim i tillë po mirëpritet, pasi që siç thotë, veriu ka nevojë për investime.
    “Besoj që në këto tri vite kanë munguar investimet në veri të institucioneve tona. Besoj që edhe kështu ka pak biznese në veri dhe shumica prej tyre nuk kanë qenë të regjistruara në republikën e Kosovës, tash kanë shprehur interes që të regjistrohen. Këto mbështetje do të ishin të mirëseardhura dhe kjo do të tregojë që institucionet e Kosovës e kanë seriozisht këtë punë”, deklaroi Osmani.

    Ndërkaq, ekonomisti Fidan Qerimi thotë se Qeveria do të duhej të bënte investime kapitale me qëllim bashkëpunimin ndëretnik, si rrugë e vetme që Veriu të integrohet.

    “Është krijimi i një parku industrial që do të përfshijë një pjesë të Mitrovicës së veriut dhe një pjesë të jugut dhe këtu do të kishin përparësi bizneset që kishin me qenë me pronësi të përzier dhe kjo do të krijonte një mundësi dhe një potencial ekonomik dhe po ashtu të bashkëpunimit ndëretnik”, tha Qerimi.

    Gjë tjetër fitimprurëse thotë se do të ishte edhe zhvillimi i turizmit.
    “Ne e dimë që ka shumë manastire në atë pjesë dhe këto manastire janë në interes të turistëve, sidomos të atyre ndërkombëtarë dhe kjo do të krijojë një potencial krijimit të bizneseve të vogla”, shtoi tutje Qerimi.

    Megjithatë, disa biznese vetëm se kanë nisur të hapen në këtë pjesë të vendit, kryesisht markete e kafene./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Franca i bën thirrje Kosovës të mos bëjë ndonjë “veprim tjetër të njëanshëm” në Veri

    Franca i bën thirrje Kosovës të mos bëjë ndonjë “veprim tjetër të njëanshëm” në Veri

    Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një reagimi ka thënë se dënon ashpër shumëfishimin e veprimeve të njëanshme të institucioneve të Kosovës në Veri, veprime të cilat MPJ-ja franceze thotë se ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb.

    Parisi zyrtar bën thirrje që palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes Bruksel-Ohër.

    “Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve”, përfundon reagimi.

    Të enjten, autoritetet kosovare kryen inspektime në urban mbi lumin Ibër në një fazë testimi para rihapjes së synuar të saj, ndërsa në fillim të javës ato i mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

    Qeveria e Kosovës ka thënë se synon të rihapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër, që ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut me shumicë serbe.

    Pjesëtarët e komunitetit serb protestuan të mërkurën kundër rihapjes së urës mbi Ibër.Vendet e QUINT-it – pjesë e së cilit është Franca bashkë me Shtetet e Bashkuara, Britanin e Madhe, Gjermaninë dhe Italinë – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

    Sipas Francës, veprimet e autoriteteve kosovare i rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, “që është parakusht për realizimin e perspektives evropiane për të dyja vendet”.

    Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paralajmëroi përsëri se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

    Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

    Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

    Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    KFOR-i tha të premten se “nuk duam të spekulojmë për ndonjë skenarë në të ardhmen” nëse institucionet e Kosovës i kërkojnë që të largojë praninë e saj nga ura mbi lumin Ibër.

  • Ekskluzive: Gjykata Themelore Penale në Shkup vendos për mosekstradim të Blerim Ramadanit në Serbi

    Ekskluzive: Gjykata Themelore Penale në Shkup vendos për mosekstradim të Blerim Ramadanit në Serbi

    Gjykata Themelore Penale në Shkup ka vendosur për mosekstradim të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, në Serbi, raporton ATV.

    Ramadani u ndalua më 17 korrik nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia, me pretendimin për krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.

    Ramadani, javën e kaluar u lirua me kusht dhe ndaj tij u vendos që të qëndrojë në arrest shtëpiak deri në një vendim tjetër.

    Ndryshe, më 25 korrik në Ferizaj, u mbajt një protestë gjithëpopullore me moton “Liri për çlirimtarin”, në mbështetje të bashkëluftëtarit nga Ferizaj, Blerim Ramadani.

    Protesta ishte organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.

     

  • Flet avokati Arianit Koci para fillimit të autopsisë për trupin e Faton Hajrizit: Vlerësoj se kufoma nuk është mbajtur dinjitetshëm

    Flet avokati Arianit Koci para fillimit të autopsisë për trupin e Faton Hajrizit: Vlerësoj se kufoma nuk është mbajtur dinjitetshëm

    Avokati Arianit Koci, në një prononcim për ATV-në ka thënë se trupin i pajetë i Faton Hajrizit, nuk është mbajtur dinjitetshëm nga autoritetet e Serbisë, aty ku kufoma ka qëndruar për gati 3 javë.

    “Sot në mëngjes nëna e Fatonit e ka identifikuar kufomën, pra këtu më nuk ka dilemë se është trupi i Fatonit dhe tash vazhdojnë procedurat e tjera ligjore, prej orës 13:30 është edhe autopsia. Lufta më e madhe e imja ka qenë më dërgu strishon apo pështymen gojore të nënës, për shkak se e pashë që autoritetet serbe kishin tendencë që ne mos ta dërgojmë këtë strisho dhe ata ta varrosin në varreza sociale Fatonin vetëm me një numër, pa u ditur varri i tij…Ne e kemi pasur një betejë thuajse dy javore dhe u krijua një situate që i solla para aktit të kryer”, tha Koci.

    Ai tha se ka parë trupin e Faton Hajrizit, për çka deklaroi se gjendja e tij nuk ka qenë e mirë.

    Koci vlerësoi se kufoma nuk është mbajtur në kushte të duhura.

    “Trupi ka qenë i mbyllur në arkivol hermetikisht, është hapur. Prapë dje është mbyllur hermetikisht tani prej transporterit…Dje e kam parë trupit, më lejuan, gjendja e tij nuk ka qenë e mirë…Unë vlerësoj që nuk është mbajtur në kushte të mira, por nuk jam ekspert i asaj lëmie…Nuk e besoj që sot do të kryhet kjo procedurë sonte (dorëzimi i trupit tek familjarët)”, potencoi Koci.

    Avokati Koci ka qenë para disa ditësh në Serbi për të konfirmuar nëse i vrari është Faton Hajrizi dhe nëse po për të parë mundësinë e kthimit të trupit të tij në Kosovë.

    Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu në Kosovë më 06.07.2024, ku po vuante një dënim me burgim.

    Ai dyshohet se u vra në Serbi një ditë pas një incidenti gjatë të cilit ishte vrarë një polic serb dhe ishte plagosur një tjetër.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

     

  • Kurti iu bën thirrje qytetarëve serbë që t’i konvertojnë patentë shoferët në RKS

    Kurti iu bën thirrje qytetarëve serbë që t’i konvertojnë patentë shoferët në RKS

    Kryeministri Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë në Kosovë, të cilët nuk kanë aplikuar ende për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në legjitimë të Kosovës, ta bëjnë atë deri më 23 gusht.

    Ai tha se deri tani kanë pranuar afro 6 mijë kërkesa për patentë shoferë.

    “Në tre muaj kemi pranuar gjithsej 5.588 kërkesa nga bashkëqytetarët tanë serbë për ta shndërruar patentë shoferin nga ato të lëshuara nga strukturat ilegale dhe paralele nga Serbia në ato legjitime dhe zyrtare të Republikës së Kosovës. Nisur nga interesi i lartë, ne kemi vendosur të shtyjmë afatin edhe për dy javë”.

    “Dëshiroj të falënderoj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës që i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për aplikim. I drejtoj ftesën time të gjithë atyre që nuk kanë aplikuar që të përfitojnë nga kjo mundësi deri më 23 gusht”, tha Kurti.

    Zgjatet afati për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale serbe në RKS