ATV

Tag: Ballina

  • Moti i nxehtë, Ministria e Shëndetësisë merr vendim për kufizimin e orarit të punës

    Moti i nxehtë, Ministria e Shëndetësisë merr vendim për kufizimin e orarit të punës

    Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të kufizojë orarin e punës për disa punëtorë, përgjatë ditëve me temperatura të larta.

    Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë merr vendim që të kufizohet orari i punës nga data 14 gusht deri më 17 gusht për gratë shtatzëna e punëtorët me sëmundje kronike.

    Pastaj, ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë dhe në ambiente të hapura nga ora 11 deri në orën 16:00 në të gjithë territorin e Kosovës.

    Po ashtu, në vendimin e MSh-së thuhet që të sigurohen kontrolle mjekësore për të punësuarit që tregojnë shenja të stresit nga nxehtësia dhe që i janë ekspozuar nxehtësisë ekstreme, dhe ata që merren me punët në bujqësi, të planifikojnë zhvillimin e tyre në mëngjes herët ose pasdite vonë për të shmangur ekspozimin në nxehtësinë e madhe.

  • Qeveria i përgjigjet BE-së për vendosjen e çështjes së urës në agjendën e takimit potencial në Bruksel

    Qeveria i përgjigjet BE-së për vendosjen e çështjes së urës në agjendën e takimit potencial në Bruksel

    Pasi Bashkimi Evropian tha se do ta fusë çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e bisedimeve të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

    Në një përgjigje për ATV-në, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu tha se kjo çështje ka qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme në Bruksel, duke shtuar se BE-ja kishte vlerësuar që kjo urë të hapet qysh në vitin 2019 me të përfunduar punimet.

    “Çështja e Urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër veçse ka qenë pjesë e diskutimeve të mëhershme në Bruksel. Për të ka marrëveshje ndërmjet palëve në kuadër të dialogut në vitin 2015, ka plan zbatimit të Bashkimit Evropian për hapjen e saj nga viti 2016, dhe vlerësim nga vetë Bashkimi Evropian në vitin 2019 se punimet në urë kanë përfunduar dhe se ajo duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejme. Në dialog kemi nevojë për takime në të cilat kryeqendër e agjendës është zbatimi i Marrëveshjes Bazike, statusin e të cilës në vazhdimësi po e vë në dyshim Serbia siç bëri edhe në fund të muajit qershor kur kryeministri i Serbisë, nga Kuvendi i Serbisë thotë se Serbia nuk e ka pranuar Marrëveshjen Bazike. Në fakt, statusi i Marrëveshjes Bazike duhet të jetë shqetësimi dhe angazhimi kryesor në Bruksel. Për këtë e kanë përkushtimin tonë, si Qeveri e Republikës së Kosovës”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Ndryshe, sipas BE-së hapja e urës në mënyrë të njëanshme do të rrisë tensionet në veri të Kosovës, madje BE-ja i ka bërë thirrje kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, të mos vazhdojë me veprime të njëanshme.

    Këto paralajmërime të BE-së vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për hapjen e urës së Ibrit.

    Qeveria ka kryer testimet e qëndrueshmërisë së urës dhe është në pritje të një raporti vlerësues nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet nëse ura i plotëson kushtet për qarkullimin e automjeteve.

  • MAShT-i vazhdon edhe këtë vit subvencionimin e teksteve shkollore

    MAShT-i vazhdon edhe këtë vit subvencionimin e teksteve shkollore

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do vazhdojë me subvencionimin e teksteve shkollore edhe për vitin 2024-2025, ka bërë të ditur ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, pas takimit që ka mbajtur me drejtorët komunal të Arsimit.

    Në një konferencë për media, Nagavci ka thënë se procesi i subvencionimit mund të bëhet që nga nesër në platformën E-Kosova.

    “Mbajtëm mbledhjen me drejtorit komunale të Arsimit ku me drejtoret diskutuam për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollorë. Temë shumë me interes është furnizimi me tekste dhe mjete mësimore. Edhe sivjet i kemi kushtuar tejet kujdes edhe sivjet tekste dhe mjete mësimore do të ofrohen si vitin e kaluara duke subvencionuar prindërit, të cilët mund të aplikojnë qysh nesër. Ky proces është transparent, shmang mundësin e çdo keq planifikimi që ka ndodhur në të kaluare. Aplikimi do të filloj nesër në platformën E-Kosovë. Sipas kërkesave nxënësit nga klasa e 1-5 do të subvencionohen me nga 80 euro, nga klasa e 6-9 do të subvencionohen me 110 euro”, u shpreh Nagavci.

  • BE: Planifikojmë që statusin e urës së Ibrit ta fusim në agjendën e bisedimeve në Bruksel

    BE: Planifikojmë që statusin e urës së Ibrit ta fusim në agjendën e bisedimeve në Bruksel

    Bashkimi Evropian planifikon takim midis Kosovës dhe Serbisë në të cilët do të flitet për statusin e urës mbi Lumin Ibër, tha zëdhënësja e BE-së Nabila Masrali.

    “BE planifikon të vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të Dialogut”.

    Bashkimi Evropian ka kundërshtuar iniciativën e hapjes së urë së Ibrit ka pasur zgjidhje politike për këtë çështje midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel.

    Sipas BE-së hapja e urës në mënyrë të njëanshme do të rrisë tensionet në veri të Kosovës.BE-ja i ka bërë thirrje kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, të mos vazhdojë me veprime të njëanshme.

    Këto paralajmërime të BE-së vijnë pasi Qeveria e Kosovës ka marrë iniciativë për hapjen e urës së Ibrit.

    Qeveria ka kryer testimet e qëndrueshmërisë së urës dhe është në pritje të një raporti vlerësues nga kompania që ka bërë matjet dhe testimet nëse ura i plotëson kushtet për qarkullimin e automjeteve. /RTV21

  • IKD: Qeveria dhe Kuvendi shpërfillin Gjykatën Kushtetuese

    IKD: Qeveria dhe Kuvendi shpërfillin Gjykatën Kushtetuese

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se mosmiratimi i Ligjit për Pagat në Sektorin publik nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës brenda afatit të përcaktuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, paraqet shkelje të këtij aktgjykimi, shpërfillje të Kushtetueses, shkelje të Kushtetutës dhe cenim të të drejtave në shtesë të pagës sipas përvojës së punës të dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë në Kosovë.

    Sipas IKD-së kjo gjithashtu krijon një praktikë e dëmshme për promovimin e demokracisë.

    “Me vendimin e datës 23 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese (GJK) vendosi që të shpallë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës disa dispozita të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, dhe të njëjtat i shpalli të pavlefshme. Për disa të tjera, përveç që i shpalli në kundërshtim me Kushtetutën, kjo gjykatë urdhëroi Kuvendin e Kosovës që për të njëjtat të nisë ndryshimet ligjore të nevojshme e të domosdoshme në mënyrë që të korrigjohen dispozitat e papërshtatshme brenda një afati prej gjashtë muajve prej se kur Aktgjykimi në rastin numër KO79/23 hyri në fuqi më 1 shkurt 2024”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

    Por sipas IKD-së as Qeveria e As Kuvendi nuk kanë ndërmarrë hapa për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Kushtetuesja.

    “Megjithatë, përkundër dijenisë së Qeverisë dhe Kuvendit, e për më tepër që një aktgjykim i tillë iu dorëzohet të dy institucioneve dhe publikohet në faqen zyrtare të GJK-së, është shqetësuese dhe e papranueshme që prej kalimit të më shumë së gjashtë muaj e 13 ditë që nga shpallja e këtij aktgjykimi, asnjë nga institucionet e lartcekura nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret për të përmbushur detyrimet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Në vend që të vepronin për t’i adresuar problemet e evidentuara dhe për të përfshirë Projektligjin për Pagat në Programin Legjislativ për vitin 2024, institucionet e Kosovës, kanë shpërfillur kërkesat e GJK-së”, thuhet në komunikatë.

    IKD-ja konsideron se kjo neglizhencë nuk është thjeshtë një mangësi administrative, por mosveprimi i tillë përbën një shkelje të Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç sipas tyre ndodhi në vitin 2023 me vonesat në miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Skemat Pensionale dhe me Ligjin për Zyrtarët Publikë.

    “IKD, i rikujton Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, se përgjatë shtatë muajve të këtij viti, mosinicimi i këtij projektligji dhe mos hyrja në fuqi brenda afatit të përcaktuar nga GjK, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për të drejtën e pagesës për dhjetëra mijëra shërbyes civilë në Kosovë. Këta punëtorë, të cilët kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në funksionimin e institucioneve dhe shërbimeve publike, janë të privuar nga shtesa në bazë të përvojës së punës, e cila para hyrjes në fuqi të ligjit për pagat, pasqyronte përvojën e tyre dhe angazhimin profesional. Një situatë e tillë, jo vetëm që cenon integritetin dhe sigurinë e sistemit të pagave në sektorin publik, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit dhe në aftësinë e tyre për ta zbatuar dhe respektuar ligjin”, thuhet në komunikatë.

    Sipas IKD-së mosinicimi deri në ketë moment i këtij ligji ka po ashtu ndikim të thellë dhe të gjerë në jetën sociale dhe ekonomike të shërbyesve civilë, pasi thuhet se vendosja e kritereve të reja jokushtetuese te shtesat mbi përvojën, ka renduar jetesën e tyre. “Mosinicimi i ligjit ka pasoja të drejtpërdrejta në mirëqenien dhe stabilitetin social të mijëra familjeve që mbështeten në këto paga për të siguruar nevojat e përditshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve të tyre”, thuhet në komunikatë.

    IKD-ja kë kërkuar nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, që në afat sa më të shpejtë dhe me urgjencë të nisin procedurat për ndryshimet e kërkuara nga Kushtetuesja, të përfshijnë të gjitha palët e interesit, në veçanti Sindikatën e Shërbyesve Civilë, shoqërinë civile dhe akterët e tjerë të interesuar “në mënyrë që ligji i ardhshëm të jetë në pajtim me kërkesat e precizuara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

    Sipas tyre vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet që të drejtat e shërbyesve civilë do të mbrohen dhe të garantohen një sistem i drejtë dhe transparent i pagave.

    “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet dhe individët në Republikën e Kosovës, pasi ato përfaqësojnë interpretimin përfundimtar kushtetutës. Mosrespektimi i këtyre vendimeve përbën një shkelje të rëndë të aktit më të lartë juridik të vendit, duke krijuar një praktikë të rrezikshme. Një sjellje e tillë rrezikon të krijojë një precedent negativ që dobëson rendin kushtetues dhe stabilitetin e përgjithshëm të funksionimit të shtetit ligjor”, thuhet në komunikatë.

    Sipas IKD-së vendim i Kushtetuese ishte një hap i rëndësishëm në mënyrë që reforma e nevojshme në sektorin publik, të përcillet me siguri për punonjësit në mënyrë që ata të kompensohen drejtë për përvojën dhe angazhimin e tyre profesional. “Gjykata rrëzoi dispozitën ku dhjetëra-mijëra shërbyesve civilë iu përgjysmua e drejta e shtesës së përvojës së punës, nga zero pikë pesë për qind (0.5%) në zero pikë njëzetë e pesë për qind (0.25%) në vit, duke e përgjysmuar shtesën e përvojës së punës për pesëmbëdhjetë (15) vitet e para, rrjedhimisht lartësinë e pagës për të gjitha kategoritë e funksionarëve/zyrtarëve/nëpunësve që hyjnë në fushëveprimin e ligjit të kontestuar, përkatësisht duke përcaktuar shtesë të përvojës dyfish më të ulët në krahasim me legjislacionin paraprak sa i përket pesëmbëdhjetë (15) viteve të para të përvojës së punës”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

  • Testimet disa-ditëshe në Urën e Ibrit, sot pritet publikimi i raportit mbi stabilitetin e saj

    Testimet disa-ditëshe në Urën e Ibrit, sot pritet publikimi i raportit mbi stabilitetin e saj

    Po bëhen gati një javë prej kur nisën testimet në Urën e Ibrit.

    Zëvendësminsitri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha sot shkurt për RTK se janë duke e pritur raportin për stabilitetin e Urës së Ibrit dhe se sapo ta marrin do ta publikojnë atë.

    Pas matjeve dhe testimeve me automjete të rënda, që ca ditë janë duke u ngjyrosur muret e Urës.

    Para pak ditësh Durmishi kishte thënë për media se brenda dy- tri ditëve e presin raportin final pas testimeve dhe matjeve në Urën e Ibrit.

    “Ka qenë me procedurë të përshpejtuar. Pak kompani kanë pajisje të tilla për matjen e stabilitetit të urës. Janë përfunduar të gjitha procedurat, është nënshkru kontrata, kemi fillu punimet dhe besoj që sot përfundon testimi, brenda dy-tri dite e presim raportin final”, kishte thënë Durmishi.

    Autoritetet e Kosovës kanë nisur procedura për testimin e fuqisë mbajtëse të urës së Ibrit, si hap para hapjes së saj për qarkullim të automjeteve. Ky insistim është përballur me kundërshtim të bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kanë kërkuar edhe një hap shtesë, një diskutim të ri në dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkohë, kjo çështje nxiti serbët e Kosovës që të protestojnë duke kundërshtuar hapjen e urës.

    “Ura e Mitrovicës duhet të hapet pa vonesa dhe pengesa të mëtutjeshme”.

    Kjo fjali është përsëritur disa herë në disa raporte të Bashkimit Evropian ku përshkruhet progresi në zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

    Kjo urë që e ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare dhe atë të Veriut me shumicë serbe, ishte bllokuar për herë të parë pas luftës në vitin 1999.

    Ndonëse ndër vite u arritën marrëveshje e dakordime, u investua në infrastrukturën e saj si dhe u hap për qarkullim të këmbësorëve, ura e Ibrit vazhdon të jetë e bllokuar për automjete.

    Vetëm në raportin e BE-së të vitit 2023, për çështjen e urës u shtua fjalia: ”Për çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të ketë pajtim dhe koordinim në dialog”.

    Pikërisht në fillim të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut kishte marrë një vendim për hapjen e urës.

    Ata kishin thënë se vendimin e bazojnë në Marrëveshjen e Brukselit që kishte paraparë hapjen e urës në vitet 2015-2016.

    Iniciativa për hapjen e urës për automjete u intensifikua javët e fundit nga Qeveria e Kosovës.

    Më 24 korrik të vitit 2024, Ministria e Infrastrukturës e Kosovës hapi një tender për testimin e “kapacitetit mbajtës të strukturës së urës ekzistuese”.

    Më 1 gusht, sipas dokumenteve të publikuara në ueb-faqen online për prokurim publik, Ministria e shpërbleu me kontratë kompaninë IPE-PROING SHPK, me seli në Prishtinë. Çmimi i kontratës parashihet të jetë 9.640 euro dhe nënshkrimi i saj ishte paraparë të bëhet më 6 gusht.

    Megjithatë, kontrata e nënshkruar nuk është publike.

    Ministria e Infrastrukturës dhe as kompania fituese nuk i janë përgjigjur pyetjes se kur është paraparë të fillojë dhe të mbarojë testimi.

    Sipas raportimit të mediave vendore, punëtorë të kësaj kompanie tashmë janë parë duke kryer inspektime teknike të urës.

    Një inspektim teknik për fuqinë mbajtëse të urës ishte paraparë edhe me marrëveshjen e arritur Kosovë- Serbi, si hap që duhet kryer para hapjes së saj për qarkullimin e automjeteve.

    Për këtë iniciativë, pati protesta nga serbët e Kosovës në veri të vendit, të cilët po e kundërshtojnë hapjen e urës.

    “Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha gjatë protestës Nikolla Kabashiq, ish-gjyqtar serb nga Kosova.

    Po këtë ditë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës tha se hapja e urës është çështje kohe dhe “nuk është fare çështje e dialogut.

    “Çështja është e mbyllur, qysh më 2016. Është çështje e së drejtës për t’u hapur dhe e një vendimi që është tashmë publik”, tha ai.

    Pa dhënë shumë detaje mbi çështjen e inspektimit teknik, ai tha se është në proces dhe po kryhet në dy faza.

    Ndonëse nuk duan dialog në Bruksel për urën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se planifikojnë diskutim publik nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me qytetarët për “përfitimet nga hapja e urës”.

    “Për shumë kohë ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, shkroi Kurti në Facebook, më 7 korrik.

    Çfarë thuhej në marrëveshjen për hapjen e urës?

    Kur ura e Ibrit ishte bllokuar në vitin 1999, Mitrovica ishte ende një qytet i pandarë.

    Ndarja në dy komuna u zyrtarizua në vitin 2013, kur u krijua Mitrovica e Veriut si komunë e re.

    Ndërkohë, në urën e Ibrit filluan të vendosen barrikada në vitin 2011. Kështu, rihapja e urës u bë çështje diskutimi në dialogun Kosovë- Serbi që prodhoi rezultatet e para tre vjet më vonë.

    22 korrik 2014 – Arrihen konkluzionet e kryesuesit të BE-së për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e urës në Mitrovicë

    Plani i publikuar, sipas BE-së, përfshinte: kryerjen e një vlerësimi teknik të stabilitetit të urës, draftimin e një projekti për revitalizimin e urës, heqjen e barrikadave…

    Në këtë plan, BE-ja ishte zotuar që të përfshihet drejtpërdrejt edhe me financim.

    Para arritjes së këtij konkluzioni, më 2014, barrikadat në urë ishin zëvendësuar me copa betoni dhe me pemë, të cilën udhëheqësia e atëhershme e Mitrovicës së Veriut e quajti “Parku i Paqes”.

    5 gusht 2016 – Dakordohet plani i zbatimit të marrëveshjes

    Pas një rundi bisedimesh, Kosova dhe Serbia ishin dakorduar se revitalizimi i urës dhe pjesëve që e rrethojnë, do të niste më 14 gusht 2016.

    “Ura do të hapet për trafik më 20 janar të vitit 2017”, thuhej në këtë plan veprimi.

    Palët, madje, ishin dakorduar edhe për dizajnin se si do të dukej ura.

    Dizajni i urës së Ibrit sipas projektit të BE-së më 2015.

    25 gusht 2015- Arrihet edhe një dakordim për zbatimin e marrëveshjes për hapjen e urës.

    Në këtë dokument sërish përmendet plani i revitalizimit dhe hapjes së urës sipas dakordimeve të mëparshme.

    Aty kërkohet edhe arritja e një dakordimi mbi kufijtë komunalë të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut, deri në tetor të vitit 2015.

    Në dhjetor të vitit 2016, mbi këtë urë ishte ndërtuar një mur, të cilin autoritetet e Kosovës si dhe BE-ja e quajtën ilegal. Muri ishte larguar disa javë më vonë.

    Më 2018, punimet e parapara nga BE-ja në urën e Ibrit kishin përfunduar dhe kostoja e projektit llogaritej të jetë rreth 1.5 milion euro.

    “Punimet në urën e Mitrovicës kanë përfunduar dhe ura duhet të hapet për qarkullimin e automjeteve pa vonesa apo pengesa të mëtejshme”, thuhej në raportin e BE-së në vitin 2019.

    Ura, megjithatë, nuk u hap asnjëherë për qarkullim.

    Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.

  • Gjendja në pikëkalimet kufitare, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova momentalisht në Merdarë

    Gjendja në pikëkalimet kufitare, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova momentalisht në Merdarë

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim të ri mëngjesin e së martës mbi gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare për hyrje-dalje nga Kosova.

    Sipas përditësimit të ri, pritjet më të gjata për dalje nga Kosova janë në Merdarë me rreth 30-40 minuta pritje, teksa te Dheu i Bardhë pritjet janë deri në 10 minuta e kolonat deri në 100 metra.

    Më poshtë gjendja momentale e të gjitha pikëkalimeve kufitare.

  • Dialog dhe protestë poetike për kohën tonë

    Dialog dhe protestë poetike për kohën tonë

    Nga: Mustafë Xhemaili

    NJË HYRJE PËR POEZINË E LULZIM TAFËS

    Poezia e poetit Lulzim Tafa, nuk ka dal krejt befasisht. Ajo e ka pasur një zhvillim të saj që nga botimi i librit të parë me poezi me titull “Gjaku nuk bëhet ujë”, të botuar nga Rilindja në vitin 1993 duke botuar edhe tri libra të tjerë me poezi deri në vitin 1998, (madje njëra prej tyre me poezi të dramatizuara).

    Poeti Lulzim Tafa, përnjëherë “heshti”, për 14 vjetë, për t’u rishfaqur në vitin 2012 me librin poetik “I kam dy fjalë”, pastaj edhe me librin “Shtini n’dhé këto fjalë” (2015) dhe me librin tjetër “Flirt” (2019). Këtu nuk do të shfletojmë këta libra që përmenda, por dua të theksoj vetëm një mendim të poetit dhe studjuesit të letërsisë, Agim Vinca, kur, duke i krahasur tre libra të poetit Tafa, në hyrjen me rastin e botimit të librit “Shtini n’dhé këto fjalë” thotë:

    “Nuk është vështirë të vërehet se ky libër, jo vetëm si frymëzim poetik dhe si koncept, por edhe me titullin është në koherencë me dy librat e tij të mëparshëm: Vdekja çon fjalë, (1998) dhe I kam edhe dy fjalë (2012). Në qoftë se titulli i librit, sipas Shopenhauerit, është (duhet të jetë) monogram i përmbajtjes së tij, atëhere mund të thuhet se në këta tre libra të Lulzim Tafës shpaloset që në titull raporti i subjektit lirik me fjalën.”

    Poeti Lulzim Tafa, që mund të them se është një koprrac në botimin e librave poetik sepse vetëm pas 5 vitesh sërish i dha në dorë lexuesit një libër të ri me titull RIVALI I ADAMIT, të botuar në këtë vit. Në këtë botim Lulzim Tafa, del me ndryshe para lexuesit dhe kritikës, por ai nuk del nga idea e tij bazike për krijimin e poezisë në traditën dhe vazhdën e librave të tij të botuar deri tash. Them se me RIVALIN E ADAMIT, del më ndryshe sepse këtu del më guximshëm me hapur me poezi që në thelb kanë përmbysjen në mënyrë poetike të miteve dhe zanafillës. Në anën tjetër për t’u shprehur sa më komunikueshëm për lexuesin poeti Tafa, nuk shket asnjëhere nga idea e tij bazike që atij (lexuesit), t’ia përcjellë vazhdën dhe frymën e traditës së pasur që ka përçuar në botimet e mëparshme.

    NË LUFTË POETIKE ME GËNJESHTRËN E GJENEZËS

    OSE: Rivali i botës së vjetër – dashnori i botës së re

    Në librin më të ri poetik, poeti është është përleshur me mitet kryesore që edhe sot e përthekojnë botën, krijimin e njeriut të parë, Adamit (Ademit) që mund të jetë i bardhë apo zi, që Eva (Hava), si dy njerëzit e parë, por i treti është poeti, të cilin “Eva më donte shumë”, sepse “Eh/Miliarda vjeç/I moçëm jam/ – Moc i Adamit/. Duke shprehur se, megjithatë, poeti mbetet i përjetshënm rival i Adamit /Sa për ta bërë xheloiz/Adamin muskuloz/, ani se ai (poeti) ka frikë vetëm nga Zoti i gjithmëshirshëm i cili falë mëkatet: /Se njëherë në Andërr/ e kam dushë /Hazreti Havën/. Dhe pastaj poeti “konstaton” se: /Sot e asaj dite/ Besoj që molla/Ishte pretekst/ Për të na përzënë/ Nga Kopshti/- nga Kopshti i Edenit, pra. Vargjet e cituara janë nga cikli i parë “Zanafillë”.

    Poezitë vazhdojnë të shtrihen në mënyrë konceptuale dhe të organizuara, edhe në 7 cikle të tjera. Gjithësej në 8 cikle! Po pse jo në nëntë cikle ose në shtatë cikle, këta numra mitikë nga lashtësia dhe mitologjia jonë?! Unë e shoh këtë mospërfillje të poetit në planin e tij poetik për përmbysjen e miteve. Kjo për mua është në rregull. Kështu mund të veproj vetëm poeti. Dhe vetëm ai mund t’i përmbysë mitet. Në ndonjë analizë tjetër mund të flitet vetëm për titujt e këtyre cikleve pra që fillojnë me Zanafillën, e deri te cikli i fundit “Lisat flejnë në këmbë”. Të gjitha lidhen mjaft mirë mes veti duke krijuar një, ndoshta, ciklin e nëntë, pra duke krijuar një numër modern mitik të kohës sonë.

    Sigurisht që poezia nuk mund të ngarkohet me detyra të angazhuara më shumë se sa që duron ajo, ndaj dhe përballë problemeve të shoqërive nëpër botë dhe as të shoqërisë sonë në ditët e sotme, as luftërat aktuale në botë, megjithatë poeti konstaton se “Pushkini ishte më i fortë se Putini” pra historia do të klithë nëpër kohë: Ku Pushkini e ku Putini!

    TIPARE TË TJERA TË POEZISË SË LULZIM TAFËS

    Këtu dua t’i përmend edhe disa tipare të thekësuara të poezisë së librit RIVALI I ADAMIT.

    Befasia e fjalës së gjetur nga poeti Lulzim Tafa, në këtë botim të ri merr një shkëlqim edhe më të ndritshëm se në librat e tjerë. Te ky libër shfaqen mjaft të tilla, si “vorri duhet me pas dritare” edhe titull poezie, ose te poezia “Sa shpejt më harroi nana” një poezi antologjike, një nga më të bukurat që është shkruar për nënën në poezinë shqipe /Nana sot ka ditlindjen/ u bë katër vjeçe/Sa ngadal u rritkan të vdekurit //Ajo tash atje është fëmijë/Prindërit e mbajnë përdore/ Edhe andej si dikur/Këndej./

    Ndërsa bukuria e vargut te poeti Lulzim Tafa, shpërfaqet në të shumtën e poezive të këtij vëllimi poetik: /N’lëkurën teme/Ranë//Ranë n’lëkurën teme// Kurrë s’du me t’pa/Ty që t’du/, poezia “Urtë”.

    Një tjetër tipar i theksuar, jo vetëm në këtë botim të ri të poetit Tafa, është ironia dhe sarkazma. Ai është mjaft aktiv me poezi që dialogojnë me lexuesin, që është një poezi e protestës në mënyrë poetike në, dhe ndaj kohës sonë. Reagimi poetik është i theksuar madje edhe për problemet e thjeshta ditore që poeti i ngrit në nivel poetik me një lehtësi të çuditshme: /Në rast se shpërthen Virusi i Poetit/ Që hëngri kokën e vet/ Si një Kinez lakuriqin// Atëhere qeveria do të urdhërojë/ që njëshi ta lidh dyshin/ Dyshi ta lidh treshin/ Treshi ta lidhë katërshin./ E kështu me radhë/ Vetëm se këtë herë në bazë/ Të numrit të parë/ Të letërnjoftimit./, nga poezia “Pesimizëm” me motive nga pandemia e CoronaVirusit. Ose /Unë nuk luftoj/ Unë shkruaj/ Poezi antiplumb/, poezia “Lufta”. Apo kur ironizon te poezia “Purgatori”: /Ferrin deri më tani e ka të sigurt/ Vetëm zjarri/ Parajsën vetëm lulet/ Kaq di unë për këtë punë/ Ujë, flakë e shkumë/.

    Lulzim Tafa është mjaft “i angazhur” të shapullisë dhe ta godisë me dackë të fortë poetike, ta quajmë kështu, deheroizmin në ditët tona, zbërdhyljes së figurës së luftëtarit për liri, zvenistjes së atdheut. Ciklin e pestë të kësaj përmbledhjeje poetike, “Tjetër kashelash për Atdheun”, e ka ndër tufën më të sukseshme të poezive te RIVALI I ADAMIT. Me gjuhë të thjesht, varg të shkurtër e konçizë, dhe me një mllef poetik, me ironi e akuzë të goditur, ai arrinë të thotë dhe komunikoj drejpërdejt me të gjithë shtresat e lexuesit. /Pak dallojnë nga heronjtë/ Njëjtë/ N’tela t’sharkisë/ Shpallen// Janë a s’janë/ C’lidhje ka// Burra e gra/ kurrë s’i kisha vra/, poezia “Tradhëtarët”.

    Apo poezia “Dita e Pavarësisë”: /Sot është dita/ Kur edhe hajnat/ Dalin nëpër vorre/ Të veshur bukur/ Në erën e parfumit të shenjtë/ Dah atdheu./ Lavdi u qoftë/ heronjve/.

    Poezia “Atdheu jem”, shpërfaq më së miri dhembjen e poetit për gjendjen në të cilën e sheh vendin e tij: /Duket si një fëmijë që beson/ Atdheu im naiv./ Tu’ e bë bé rrejshëm/ Shih/ Sa zaif/ Po rri. //Atdheu jem/ Dhembja jem/ Asht e l’kurë/.

    Në parathënien e librit RIVALI I ADAMIT, të poetit Lulzim Tafa, kritiku letrar dhe profesori universitar, Rrahman Paçarizi, e fillon duke e zbërthyer poezinë “Bisedë me hije”, që e përmbyllë këtë vepër poetike, duke e përkufizuar thotë me të drejtë: “Kjo poezi nuk është në fillim të përmbledhjes. Programi filozofik personal i autorit Lulzim Tafa që përmblidhet në këtë poezi, më detyroi ta nxjerr në fillim, për ta nisur me këto vargje e për ta përmbyllur me një poezi tjetër të fuqishme, me një lirikë (Lirika për Lulin është gjithçka, gjithçka.)”.

    E pra, poeti Lulzim Tafa, nuk e ka një poezi të zakonshme, as të komplikuar, as të rimuar, as të pispillosur, as të përjargur, as vajtuese, as të shplarë, as të largët për lexuesin, por e ka një poezi që tashmë e ka edhe vokacion e tij, të gjetur dhe zhvilluar nga talenti poetik me përkushtim të sinçertë për vargun dhe mbretëreshën poezi.

    Në anën tjetër, kam përshtypjen se kritika jonë letrare i ka mbetur borxh poetit Lulzim Tafa dhe se, duket që nuk ka guximin e vullnetin e duhur për t’u rrekur me poezinë e këtij autori të përveçëm që ka çelë rrugë dhe shteg të ri të poezisë bashkëhore shqiptare.

    Lulzim Tafa, tashmë është bërë njëri ndër emrat më të përfolur e të përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë të botës. Ai është i nderuar e i respektuar anekënd botes letrare.

    Urime dhe suksese, miku im poet, Lulzim Tafa, rival i botës së vjetër – dashnor i botës së re.

    (Shkrimi im kritik vlerësues që lexova në promovimin e librit RIVALI I ADAMIT të poetit Lulzim Tafa, (botoi Kolegji AAB- Prishtinë 2024), të organizuar nga Klubi Letrar “De Rada” në Edicion e VI-të të Panairit të Librit në Ferizaj.)

  • Bislimi mbështet protestën në Bujanoc: Fqinji ynë verior në vazhdimësi shkel të drejtat e shqiptarëve

    Bislimi mbështet protestën në Bujanoc: Fqinji ynë verior në vazhdimësi shkel të drejtat e shqiptarëve

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria mbështet shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët sipas tij, vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore.

    Përmes një postimi në Facebook, Bislimi ka thënë se kërkesa e tyrë për respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombasit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka thënë Bislimi.

    Sipas tij, zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar.

  • Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë, viktimat janë gra

    Shtatë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë, viktimat janë gra

    Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në vend, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas raportit policor në të gjitha rastet e dhunës në familje të raportuara dje, viktima janë gratë.

    Tutje, Policia njoftoi se pesë të dyshuar për dhunë në familje janë dërguar në mbajtje, një është liruar dhe një tjetër gjendet në arrati.

    Rastet e plota të raportuara:

    Lipjan / 11.08.2024 – 10:00. Është arrestuar i dyshuar kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

    Graqanicë / 11.08.2024 – 15:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se ishte takuar me të dyshuarin mashkull kosovar i cili e kishte ngacmuar dhe i kishte bërë presion. Pas intervistimit në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Lipjan / 11.08.2024 – 18:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër shtetase e Shqipërisë. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë / 11.08.2024 – 10:25. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësorë. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Pejë / 11.08.2024 – 19:05. Viktima shtetase e Shqipërisë ka raportuar se i dyshuari shtetas i Shqipërisë ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.

    Gjakovë / 11.08.2024 – 03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se kishte ushtuar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima me dëshirën e saj ka shkuar te familja e saj, kurse i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Rahovec / 11.08.2024 – 22:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj viktimës femër kosovare të cilës i ka shkaktuar lëndime. Viktima pas tretmanit mjekësor dhe intervistimit është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.