ATV

Tag: Ballina

  • Zgjatet afati për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale serbe në RKS

    Zgjatet afati për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale serbe në RKS

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se është zgjatur afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë serbë në patentë-shoferë zyrtar të Republikës së Kosovës.

    Sipas vendimit të Ministrisë së Brendshme, afati për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë do të përfundonte më 9 gusht. Por për shkak të “kërkesave të shumta të qytetarëve” si dhe “kërkesën për zgjatje të afatit” nga Policia, Sveçla ka thënë se ka pasur konsideratë.

    “Bazuar në kërkesat e shumta të qytetarëve për aplikim të pajisjes me patentshoferë të Republikës së Kosovës, ku vetëm dje kemi pasur 273 sosh, si dhe kërkesën për zgjatje të afatit për aplikim i cili sipas vendimit tonë përfundon nesër, kam marrë në konsideratë ato me ç’rast afati për konvertim do të zgjatet deri me 23 gusht 2024. Pas kësaj date, për të gjithë ata që nuk konvertojnë patentshoferët, do të veprohet sipas legjislacionit përkatës në fuqi”, ka shkruar Sveçla.

    Ndryshe, sipas statistikave të Policisë së Kosovës, dje në Leposaviq janë lëshuar 106 patentë-shoferë, në Mitrovicën Veriore 51, në Zveçan 48, në Zubin Potok 33 dhe në Graçanicë 12.

    Ndërsa, nga data 10 maj e deri më 7 gusht, numri i tyre ka shkuar në 5 mijë e 588.

  • DASh-i për incidentin me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit: S’do të komentojmë derisa hetimi po vazhdon

    DASh-i për incidentin me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit: S’do të komentojmë derisa hetimi po vazhdon

    I kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë për hetimet në vazhdim, tha Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, pasi u pyet nëse kryetari i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi duhet të mbajë përgjegjësi politike për incidentin në aeroportin e Shkupit në të cilin u përfshi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani javën e kaluar.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se shefi i sigurisë së Gashit, me dy anëtarë të tjerë të ekipit, me urdhër të kryeparlmanetarit kanë dalë para sallës VIP në aeroport, madje kanë kërcënuar me armë dhe janë konfliktuar me policët e stacionuar aty, duke kërkuar përgjigje se pse është insistuar që presidentja e Kosovës të kalojë përmes kontrollit të sigurisë në aeroport.

    Gashi tha se e ka dërguar sigurimin për ta qetësuar situatën.

    Çfarë mesazhi dërgon sjellja e kryeparlamentarit përsa i përket protokollit politik dhe diplomacisë, pyeti Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase. Kësaj pyetjeje, iu përgjigjën shkurt nga shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit: “Ne i kemi parë raportet dhe nuk do të komentojmë për një hetim në vazhdim”.

    Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e cilësoi ngjarjen në aeroportin e Shkupit “trajtim të jodinjitoz dhe të paligjshëm nga personeli i sigurisë së aeroportit” ndaj Osmanit.

    Nga aeroporti thanë se se kontrollimi i presidentes së Kosovës ishte “në përputhje me Ligjin e Aviacionit dhe rregulloret ligjore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sigurinë e aviacionit civil”.

    Për këtë incident dhe për disa arsye të tjera opozita kërkon shkarkimin e Gashit.

    E majta, nga ana tjetër, ka kërkuar interpelancë për punën e Gashit për shkak të “futjes së politikave joparimore në Kuvend”.

    Sipas koalicionit “VLEN”, kërkesa për interpelancë të Gashit është eksperiment kundër NATO-s.

    VMRO-DPMNE thotë se nuk ka nevojë për zëvendësim të kryetarit të Kuvendit sepse është lokalizuar përgjegjësia dhe institucionet kanë marrë masa të menjëhershme.

    Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në MPB-në maqedonase e ka suspenduar shefin e sigurimit dhe ka hapur procedurë ligjore ndaj dy truprojave të tjerë, ndërsa i pyetur nëse do të ketë përgjegjësi për Gashin, kryeministri Hristijan Mickoski është përgjigjur se askush nuk është mbi ligjin.

  • Përfitimet e hapjes së urës mbi Ibër, qytetarët serbë diskutojnë sot me autoritetet kosovare

    Përfitimet e hapjes së urës mbi Ibër, qytetarët serbë diskutojnë sot me autoritetet kosovare

    Komuna e Mitrovicës së Veriut organizon sot një takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

    Aty, veç kryetarit Erden Atiq, do të marrin pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani dhe zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

    Lidhur me këtë takim, dje, Kryeministri Albin Kurti tha se aty pritet të diskutohet për përfitimet nga hapja e Urës së Ibrit.

    Ai i ka ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim, në të cilin ai ka thënë se do të diskutohet për përfitimet që qytetarët do të kenë nga hapja e Urës së Ibrit.

    Takimi është paraparë të nis nga ora 11:00 dhe mbahet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.

  • ShBA-ja kërkon ‘reflektim’ nga Qeveria: Të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në e NATO-n

    ShBA-ja kërkon ‘reflektim’ nga Qeveria: Të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në e NATO-n

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Matthew Miller, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në konferencën e mbrëmshme ka thënë se ndihen të shqetësuar me vendimet e pakoordinoruara të Qeverisë së Kosovës.

    “Jemi të shqetësuar me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara nga lidershipi i Kosovës. Ne besojmë se ato i rrezikojnë mundësitë të cilat e ndihmuam Kosovën që t’i krijojë”, tha Miller sot para mediave.

    Tutje ai ka thënë se këshilla e SHBA-ve ndaj Kosovës është rikthimi në angazhimin konstruktiv me aleatët ndërkombëtar.

    “Do ta inkurajonim qeverinë e Kosovës të kthehet në angazhim të afërt dhe konstruktiv me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe me partnerët tjerë të afërt ndërkombëtarë të Kosovës dhe e kemi bërë atë të qartë, siç po e bëj tani publikisht, ia kemi bërë të qartë qeverisë edhe privatisht”, potencoi zëdhënësi Miller.

    Miller ndër të tjera përmendi edhe mbështetjen që Kosova e ka pasur nga shteti amerikan në procesin e shtetndërtimit.

    “Nëse e shikoni rrëfimin që nga pavarësia e Kosovës, ShBA-ja e ka mbështetur fuqishëm integrimin e saj të plotë në komunitetin ndërkombëtar si demokraci sovrane e multietnike. Por, për ta realizuar këtë vizion, që është vizion të cilin edhe ne e ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me liderët e vazhdueshëm politikë të Kosovës në masa që forcojnë paqen dhe prosperitetin brenda ndërsa avancojmë Kosovën në këtë rrugë euro-atlantike në të cilën jeni pajtuar”, ka thënë ai.

    Miller gjatë konferencës për media u pyet nga një gazetare për qëndrimin e SHBA-ve pas ngjarjes së mbylljes së postave, duke thënë se “edhe sa vija të kuqe do t’i shkel kryeministri Kurti pa ndonjë pasojë?”. Përgjigja fillestare e Miller ishte se nuk do ta spekulojë të ardhmen.

  • Pritje të gjata në Merdarë për të dalë nga Kosova, kolona deri në 1200 metra

    Pritje të gjata në Merdarë për të dalë nga Kosova, kolona deri në 1200 metra

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka bërë një përditësim të ri mëngjesin e së enjtes mbi gjendjen aktuale në pikëkalimet kufitare për hyrje-dalje nga Kosova.

    Sipas përditësimit të ri, pritjet më të gjata për dalje nga Kosova janë aktualisht në Merdarë, ku shkojnë pritjet deri në 2 orë, me kolonë 1200 metra.

    Pritjet tjera më të gjata janë te Dheu i Bardhë deri në 30 minuta, me kolonë 100 metra.

    Ndërkohë pritjet për të hyrë në Kosovë në të gjitha pikëkalimet kufitare nuk janë më shumë se 10 minuta.

  • Një i vdekur e një i plagosur rëndë në Lipjan

    Një i vdekur e një i plagosur rëndë në Lipjan

    Një rast i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, ku një person 57-vjeçar është vrarë pasi është sulmuar me një mjet të mprehtë dhe për pasojë ka humbur jetën.

    Përveç tij, i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër.

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

    “Rreth orës 13:00, policia ka marrë informatën për një vrasje  që ka ndodhë  në fshatin Zllakuqan të Lipjanit. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

    Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se një mosmarrëveshje mes disa personave ka rezultuar me plagosjen e  rëndë të dy personave, dyshohet me mjet të mprehtë thikë. Njëri nga personat e lënduar ka vdekur, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar për tretman mjekësor.

    Vdekjen e viktimës mashkull, rreth 57 vjeç, e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKMF në Magure. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për për ndriçimin e plotë të rastit,ndërkohë që dy persona të dyshuar janë arrestuar.”

  • Protesta e serbëve në Veri – reagon Kurti, i fton nesër të marrin pjesë në takimin e thirrur nga komuna

    Protesta e serbëve në Veri – reagon Kurti, i fton nesër të marrin pjesë në takimin e thirrur nga komuna

    Para pak kohe ka përfunduar tubimi i serbëve në Mitrovicën të Veriut, ku serbët dolën për të protestuar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.

    Për protestën ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili i ka falënderuar institucionet e sigurisë që garantuan mbarëvajtjen e qetë të saj.

    Tutje, kryeministri njoftoi se komuna e Mitrovicës së Veriut nesër prej orës 11:00, në hapësirat e Kuvendit Komunal, organizon takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.

    Ai u bëri ftesë bashkëqytetarëve të komuniteti serb që të marrin pjesë në diskutim në të cilin do të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre.

    “I ftoj bashkëqytetarët tanë të komunitetit serb që të marrin pjesë në këtë diskutim të përbashkët në të cilin do të mund të njoftohen mbi përfitimet nga hapja e urës dhe të shprehin shqetësimet e tyre të cilat do të trajtohen nga përfaqësuesit tanë institucionalë dhe institucionet e vendit. Për shumë gjatë Ura e Mitrovicës mbi Ibër na ka mbajtur në distancë. Asaj padrejtësisht i është dhënë epiteti i ndasisë dhe marrëdhënieve jonormale. Urat na bashkojnë, e bashkë le ta bëjmë atë simbol të normalizimit”, ka shkruar më tej kryeministri Kurti.

  • Përfundon e qetë protesta e serbëve në veri, morën pjesë rreth 600 vetë

    Përfundon e qetë protesta e serbëve në veri, morën pjesë rreth 600 vetë

    Ka përfunduar e qetë protesta e organizuar nga serbët lokal në Mitrovicën e Veriut. Në protestë u kundërshtua hapja e Urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim të veturave që nga përfundimi i luftës në Kosovës.

    Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, numri i protestueseve të cilët ishin prezentë në sheshin “Car Llazar”, ka qenë rreth 600.

    “Numri përafërsisht sipas neve është 600. Situata është e qetë. Në jemi këtë vend për të siguruar rendin publikë çdo gjë është në rregull”, tha ai.

    Ai ka shtuar se protesta është paralajmëruar që nga dita e shtunë.

    Për të siguruar rendin publik të pranishëm kanë qenë Policia e Kosovës, KFOR dhe EULEX.

    Në protestë kanë marrë pjesë deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, ish-deputeti, Slavko Simiq, si dhe kryetari partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq.

    Kjo protestë është thirrur pas paralajmërimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së lumit Ibër.

  • “Po i vrisni gratë” – Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist i drejtohet institucioneve për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë

    “Po i vrisni gratë” – Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist i drejtohet institucioneve për plagosjen e gruas në Fushë Kosovë

    Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur aksion simbolik para stacionit policor në Prishtinë dhe pastaj para Prokurorisë së Shtetit, në muret e të cilave kanë shkruar “Po i vrisni gratë”.

    Aksioni vjen pas plagosjes së gruas në Fushë Kosovë dhe lirimit të dorasit, burrit të saj, pas arrestimit të tij dy ditë më parë për dhunë në familje.

    Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, shteti po mban anën e dhunuesve në luftën e dhunës ndaj grave.

    “Jemi mbledhur këtu për ta shprehur revoltën tonë me neglizhimin e jetëve të grave dhe normalizimin e dhunës së gjinizuar nga institucionet e shoqëria. Veç brenda një javë, një burrë e vrau gruan në Graqanicë dhe një tjetër tentoi ta vriste gruan ne Fushe Kosovë. Ky i fundit ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë ne familje, per t’u liruar pas 48 orëve ne procedure te rregullt. Në këtë luftë shteti vazhdon ta mbajë anën e dhunuesve”, deklaruan nga kjo organizatë.

  • Serbët protestojnë sot në Veri, Elshani: Protesta pritet të jetë e qetë

    Serbët protestojnë sot në Veri, Elshani: Protesta pritet të jetë e qetë

    Veton Elshani, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun, ka njoftuar se sot është paralajmëruar një protestë e serbëve në Veri të Kosovës.

    Elshani ka thënë se protesta pritet të jetë e qetë. Siç ka thënë ai mbrëmë, arsyeja e protestës sipas organizatorëve është “gjendja e rëndë e serbëve në Kosovë”.

    Ai po ashtu ka deklaruar se do të ketë policë të mjaftueshëm që gjithçka të jetë nën kontroll.

    “Një grup i qytetarëve në veri ka paralajmëruar një protestë për nesër në ora 11:00, në pjesën ku i mbajnë protestat te sheshi Car Lazar. Do të ketë numër të mjaftueshëm të policëve që do ta mirëmbajnë sigurinë. Protesta pritet të jetë e qetë”, ka thënë Elshani.

    Përndryshe, të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se në jug “do të mblidhen shqiptarët”, duke iu referuar një thirrjeje të Agim Bahtirit që e ka bërë dje për një “tubim madhështor”.

    Vuçiq madje i ka bërë thirrje KFOR-it që t’i mbrojë serbët.

    Por, Elshani e ka demantuar këtë, duke thënë se nuk është paralajmëruar asnjë tubim i shqiptarëve në jug.

    “Nuk ka asnjë njoftim për një tubim të tillë në jug”, tha Elshani.