ATV

Tag: Ballina

  • EULEX: Hapja e urës në Ibër është çështje dialogu, situata në veri është stabile por e brishtë

    EULEX: Hapja e urës në Ibër është çështje dialogu, situata në veri është stabile por e brishtë

    Qëndrimi i BE-së për hapjen e urës në Ibër është se është çështje e dialogut dhe se çdo vendim për hapjen duhet të merret në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha sot EULEX-i për Tanjug.

    “Diskutimet janë duke vazhduar, dhe Bashkimi Evropian është duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e pyetjes së Tanjug për gjendjen në urën në Mitrovicë dhe nëse EULEX-i ka folur me dikë nga Qeveria e Kosovës për çfarë po planifikojnë dhe se a mund ta ndryshojnë vendimin për hapjen e urës.

    BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se çështja e urës duhet të diskutohet në kuadër të dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe ka paralajmëruar se do të jetë temë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

    Kosova ka paralajmëruar hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ndonëse Beogradi dhe serbët në veri të Kosovës janë kundër, duke theksuar se kjo kërcënon sigurinë dhe mbijetesën e serbëve.

    Kundër hapjes së urës në Ibër për momentin janë edhe KFOR, ShBA, QUINT-i dhe OSBE, të cilët besojnë se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut ndërmjet dy palëve.

  • LV: Është e pranueshme cilado datë që e cakton presidentja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

    LV: Është e pranueshme cilado datë që e cakton presidentja për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare

    Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se cilado datë që vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, është e pranueshme për këtë parti.

    Kështu ka deklaruar sot deputetja e VV-së, para mediave pas një konference që ky subjekt politik kishte për çështjen e subvencionimit të librave shkollor.

    “Ne e kemi thënë vazhdimisht që kemi qenë të gatshëm për zgjedhje dhe sidomos tani që jemi në gjashtëmujorin e fundit të qeverisjes, për neve data e përcaktuar nuk është shumë e rëndësishme, sa është e rëndësishme gatishmëria për të marrë pjesë në zgjedhje. Kjo i mbetet pastaj presidentes për ta caktuar. Ne kemi dërguar normalisht propozimin tonë, vendimi përfundimtar sigurisht që i takon presidentes. E kemi dërguar propozimin, por cilado datë që vendoset nga presidentja është e pranueshme”, deklaroi ajo para mediave.

    Kujtojmë se siç u raportua sot, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar 2 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani konfirmoi dje se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministër, Albin Kurti, i cili nuk mori pjesë në takimin konsultativ, ia ka dërguar tashmë me shkrim datën e preferuar nga subjekti i tij për mbajtjen e zgjedhjeve.

    “Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëkohësisht kryeministër më ka njoftuar me shkrim lidhur me datën e preferuar të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Osmani, pa treguar se cili ka qenë propozimi i Kurtit.

    Ndërsa, në anën tjetër, partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, si datë për zgjedhjet e kanë dhënë 26 janarin.

    Ditë më parë, e para e shtetit priti në takim kryetarët e partive politike parlamentare për konsultimin për caktimin e datës së zgjedhjeve. Presidentja Osmani bëri të ditur se sipas Ligjit, janë katër data, 26 janari, 2, 9 dhe 16 shkurti, pasi parashihet që ato të mbahen të dielave.

    “Sipas Ligjit, janë katër data për zgjedhje, 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti, duke qenë që e parasheh Ligji vetëm të dielave. Diskutimi ishte vetëm në kontekst të këtyre datave. Nuk kishte insistim të tepërt, kishte preferenca. Disa parti preferojnë 26 janarin, disa të tjera 9 shkurtin, dhe 16 shkurtin, dhe kishte nga ato që s’kishte preferencë, se cilado datë ju përshtatej”, kishte deklaruar Osmani pas takimit.

    Pas takimit, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi bëri të ditur se Osmanit i ka propozuar 26 janarin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të vitit 2025.

    Ashtu si PDK, edhe LDK-ja e ka parë më të përshtatshëm 26 janarin për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të rregullta.

    Propozimi i njëjtë për datë erdhi edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij, 26 janari është data e parë në përputhje me afatet ligjore.

  • Aksident në Kroaci – vdes shoferi kroat, dy kosovarë në gjendje të rëndë

    Aksident në Kroaci – vdes shoferi kroat, dy kosovarë në gjendje të rëndë

    Një shtetas i Kosovës është aksidentuar në Kroaci me një veturë tjetër, shoferi i së cilës ka vdekur. Gjashtë persona janë lënduar.

    Media kroate “Index” ka raportuar se aksidenti është shkaktuar nga 40-vjeçari i Kosovës i cili ishte me veturën me tabela sllovene. Ai raportohet se doli në korsinë e kundërt dhe përplasi veturën tjetër me targa kroate.

    Në veturën kroate ka vdekur shoferi 45 vjeç, ndërsa pasagjerët me të, një grua dhe një burrë – të dy shtetas të Polonisë – kanë lëndime serioze, por janë jashtë rrezikut për jetë.

    Në spital është edhe shoferi kosovar për shkak se ka pësuar lëndime të rënda. Lëndime kanë pësuar edhe pasagjerët në veturën e tij, po ashtu shtetas të Kosovës. Një grua 42 vjeçe dhe një 11-vjeçar kanë pësuar lëndime të rënda dhe të rrezikshme për jetë.

    Një 18-vjeçar tjetër raportohet se është liruar nga spitali me lëndime të lehta.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Gjykata Speciale javën tjetër kthehet me tri seanca

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Gjykata Speciale javën tjetër kthehet me tri seanca

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) me seli në Hagë javën tjetër kthehen nga pushimet me tri seanca.

    Për muajin gusht Specialja ka paraparë të mbajë shtatë seanca në rastin gjyqësor ‘Thaçi dhe të tjerët’.

    Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaci, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Në nisjen e procesit gjyqësor ndaj tyre, ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës së konfirmuar ndaj tyre.

    Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Në tetor bëhen katër vjet që nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

    Përkundër se ka kaluar kaq shumë kohë, Prokuroria e Specializuar e Hagës, ende nuk ka arritur as në gjysmën e dëshmitarëve që synon t’i ftojë për të dëshmuar.

    Kujtojmë se gjatë muajit korrik, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të martën shpallën fajtor ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Pjetër Shala për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën 18 të burgosurve në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri dhe vrasjen e një të burgosuri.

    Ky është aktgjykimi i dytë për krime lufte, i shpallur nga Gjykata Speciale.

  • Stano: Kosova do të mbetet “e vetme”, nëse nuk i dëgjon miqtë

    Stano: Kosova do të mbetet “e vetme”, nëse nuk i dëgjon miqtë

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, e ka paralajmëruar Kosovën se rrezikon të mbetet e “vetme dhe mbrapa”, nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët e vet, pas veprimeve të saj së voni në veriun e vendit me shumicë serbe.

    “Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë temë të rihapjes së urës. Vetëm mund të rikujtoj për të gjithë ata të cilët kanë problem të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës, kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interes të Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, ndryshe rrezikohet që të mbetet e vetmuar dhe të mbetet prapa”, tha Stano në një përgjigje për ATV-në.

    I pyetur rreth kritikave të zyrtarëve të Qeverisë dhe të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndaj bllokut – i cili ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë në Bruksel – Stano tha se nuk ka të bëjë me ndonjë marrëveshje të re, por me zbatimin e asaj të arritur më parë për urën.

    “Që të merremi me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do të thotë të diskutohen modalitetet e implementimit të marrëveshjes së arritur për urën e jo një marrëveshje e re”, shtoi ai.

  • Një këmbësor goditet për vdekje nga vetura në Gjilan

    Një këmbësor goditet për vdekje nga vetura në Gjilan

    Një burrë ka ndërruar jetë në Gjilan pasi është goditur nga një veturë.

    Policia bën me dije se viktima fillimisht është dërguar në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda trupore. Aty edhe ka vdekur.

    I dyshuari që e goditi këmbësorin është dërguar në mbajtje, raporton Klankosova.tv.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti duke drejtuar automjetin dyshohet se nga pakujdesia në vendkalim të këmbësorëve ka goditur këmbësorin viktimë mashkull kosovar të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima pasi është dërguar në QKUK ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

  • Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka finalizuar projektligjin për nëpunësit civilë të gjykatave dhe prokurorive, sindikatat kërkojnë që të miratohet sa më shpejt

    Ministria e Drejtësisë ende nuk e ka finalizuar projektligjin për nëpunësit civilë të gjykatave dhe prokurorive, sindikatat kërkojnë që të miratohet sa më shpejt

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Ka më shumë se dy vjet që punëtorët e administratës së gjykatave dhe prokurorive, janë në pritje të miratimit të ligjit që rregullon statusin e tyre.

    Në mars të 2022-s ata ndërprenë grevën me premtimin se do të fillojë hartimi i ligjit, megjithatë vetëm drafti fillestar i tij është përfunduar në korrik të këtij viti.

    Nga Sindikata e nëpunësve civilë të Prokurorisë e Gjykatës në Prishtinë thonë se Ministria është vonuar në këtë drejtim.

    Punëtorët kanë kërkuar kompensim, dhe paga në bazë të shkallshmërisë, duke theksuar që të nivelizohet paga e gjyqtarëve e prokurorëve me atë të bashkëpunëtorëve profesionalë.

    Megjithëse pagat e nëpunësve civilë janë rregulluar edhe me ligjin për paga, nga sindikatat thonë se Gjykata Kushtetuese ka hapur rrugë që pagat e tyre të trajtohen me ligj të veçantë.

    Me projektligj parashihet ndër të tjera edhe përgatitja profesionale e nëpunësve gjatë punësimit.

    Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigjeje gjatë ditës se kur pritet që projektligji të finalizohet, dhe të dërgohet fillimisht në Qeveri për miratim./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: 

  • Fermerët në Kosovë, nuk mund të importojnë për një kohë, dele e dhi që vijnë nga Rumania e Greqia

    Fermerët në Kosovë, nuk mund të importojnë për një kohë, dele e dhi që vijnë nga Rumania e Greqia

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Fermerët në Kosovë, nuk mund të importojnë për një kohë, dele e dhi që vijnë nga Rumania e Greqia.

    Me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndalimi i importit nga këto dy shtete është bërë si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së sëmundjes Mortaja e ruminantëve të vegjël.

    “Në bazë të raportimeve zyrtare në kuadër të asaj që këto shtete kanë raportuar në Organizata ndërkombëtare rezulton se këto dy shtete janë të prekura nga sëmundja murtaja e kafshëve, deleve dhe dhive dhe si masa të rregulla ndërkombëtare, këto shtete ndalojnë lëshimin e certifikatave shëndetësore për këto kafshë për të penguar përhapjen e saj, po ashtu shtetet që tregtojnë marrin masa të ndalesës qysh kemi marrë edhe ne. Ne kemi lëshuar njoftimin inspektorët do të rrisin vigjilencën, kemi ftuar fermerët që sëmundja është prezentë në rajon andaj duhet të marrin masa bio të sigurisë”, deklaroi Lamir Thaci, zëdhënës i AUV-it.

    Pavarësisht që kjo sëmundje sipas shkencëtarëve nuk transmetohet tek njeriu, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thonë se duhet të kujdes dhe se tashmë fermerët janë udhëzuar për masat mbrojtëse.

    “Kjo sëmundje bartet nga kafsha tek kafshët mund të jetë edhe në kafshë të tjera, mbi çdo ndryshim në ferma kemi udhëzua fermerët që të lajmërojnë institutin tonë. Urojmë që këto masa të kenë efekte pozitive në mënyrë që të mos përhapet në asnjë fermë. Kjo sëmundje nuk transmetohet tek njeriu, asnjë studim shkencor s’ka tregu qe transmetohet tek njeriu, pra konsumatorët duhet të jenë të qetë. Fermerët janë mirë të informuar mbi situatën të rajon. Kujdesi duhet të jetë i shtuar. Ne punojmë çdo ditë që fermat tona t’i mbajmë të shëndoshura. Aktualisht kemi pak inspektorë urojmë që mos te kemi ferma të prekura”, shtoi tutje Thaçi.

    Përpos Kosovës, edhe Shqipëria ka ndaluar importin e këtyre kafshëve nga disa shtete./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ekskluzive: Blerim Ramadani u arratis pasi gjykata vendosi ta kthente në paraburgim

    Ekskluzive: Blerim Ramadani u arratis pasi gjykata vendosi ta kthente në paraburgim

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi sot se Blerim Ramdani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoni të Veriut.

    ATV-ja mëson se ish-ushtari i UÇK-së u arratis në momentin kur Gjykata Themelore Penale ia ndryshoi masën e sigurisë nga arrest shtëpiak në paraburgim, para se ta merrte vendimin final nga Gjykata Supreme për ekstradim ose mosektradim në Serbi.

    Ndërkohë, ndryshimin e masës e ka konfirmuar për ATV-në, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

    “Në lidhje me pyetjet tuaja ju njoftojmë që Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i z. Ramadani se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njëjti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

    Nga ky institucion kanë deklaruar po ashtu se momentalisht nuk kanë të tjera informacione zyrtare nga shteti i Maqedonisë së Veriut.

    Blerim Ramadani ishte arrestuar më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar Jazhincë–Glloboqicë. Autoritetet maqedonase, ish-ushtarin e Kosovës e ndaluan bazuar në një fletarrest të Serbisë të cilin e kishte lëshuar INTERPOL-i./atvlive.tv/

    LEXONI EDHE:

    Ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut

    Rasti i Blerim Ramadanit në duart e Gjykatës Supreme në Shkup

  • Ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut

    Ish-pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani arratiset nga arresti shtëpiak në Maqedoninë e Veriut

    Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani – i arrestuar muajin e kaluar nga policia maqedonase – ka ikur nga arresti shtëpiak nga shtëpia e të afërmve të tij në Maqedoninë e Veriut.

    Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha të enjten për agjencinë e lajmeve MIA se është duke marrë masa për gjetjen e vendndodhjes së Ramadanit.

    Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

    Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.