ATV

Tag: Ballina

  • Vizita e shefit të CIA-s, më e rëndësishmja e viteve të fundit

    Vizita e shefit të CIA-s, më e rëndësishmja e viteve të fundit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Vizita dyditëshe në Kosovë, e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, po konsiderohet si më e rëndësishmja e viteve të fundit.

    “Vizita e të parit të CIA-s, e jep mesazhin e qartë në drejtim të pozicionimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit të tyre inteligjent. Pra veprimet janë të qarta që CIA e sheh Kosovën si partner në rrugëtimin e përmbushjes se politikave demokratike, që janë parakusht i integrimeve euroatlantike”, deklaroi eksperti i sigurisë, Drizan Shala

    Gjatë qëndrimit të tij në disa vende të Ballkanit, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, Burns përçoi mesazhe direkte të presidentit aktual amerikan, Joe Biden.

    “Ballkani Perëndimor ishte vatër e krizave dhe kjo e ka shtyrë të parin e CIA-s që të vijë dhe të përcjellë mesazhe direkte të presidentit Biden se çdo lëvizje pa koordinim në kohën kur Ukraina tashmë ka hyrë në Rusi, është regres dhe të mos veprohen kundër interesave të SHBA-së”, shtoi tutje Shala.

    Ndonëse nuk e përjashtoi mundësinë që në takimet me krerët e shëtit, shefi i inteligjencës amerikane ka përmendur veriun, profesori i lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, vizitën më shumë e ndërlidh me luftën Ukrainë – Rusi.

    “Pa mëdyshje që ka një relacion këto ngjarje, por ajo që unë e kam lexuar edhe nga ato informata që unë kam, bëhet fjalë për diçka më tepër sesa Ura e Ibrit, më tepër sesa veriu i Kosovës. Bëhet fjalë për strategjinë amerikane lidhur me situatën e përgjithshme, e posaçërisht eskalimin e situatës në Ukrainë dhe Rusi, meqë bëhet fjalë për një përshkallëzim të situatës atje, duke e ditur faktin se kohëve të fundit ka përparime të Ukrainës në territorin rus, një strategji e paparë deri më tani, e cila pa mëdyshje shkakton një ofensivë shumë më e madhe, një format tjetër i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pretendimet e kamotshme të Putinit për të atakuar shtetet të cilat e mbështesin Ukrainën, sepse në aspektin operativ ushtarak, bëhet fjalë për armatime të sofistikuara të cilat tani janë duke u përdorur atje”, tha Çollakaj.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, e ka cilësuar historike.

    Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pritja për drejtësi e familjes Muli, gjykimi ndaj Vukotiqit, të akuzuarit për vrasjen e 13-vjeçarit fillon në tetor

    Pritja për drejtësi e familjes Muli, gjykimi ndaj Vukotiqit, të akuzuarit për vrasjen e 13-vjeçarit fillon në tetor

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Kanë kaluar më shumë se 25 vjet prej kur forcat serbe e vranë Burim Mulin, një muaj para se t’i mbushte 13 vjet. Ai kishte dalë për sheti me biçikletë dhe u vra afër varrezave të Vushtrrisë.

    Por, nëna e tij, Fatime Muli, thotë se i duket që koha s’ka ecur e në pritje të drejtësisë dhimbja i është shtuar.

    Shtëpinë, e cila kishte hapur dyer për refugjatë në prill të 1999-s, nuk e lëshuan asnjëherë gjatë luftës, por mbetën pa djalin të cilin ishin detyruar ta varrosin nën frikë e përndjekje nga forcat policore serbe.

    Pikërisht për njërin nga ta, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në 2017-n. Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq nga largësia prej 30 metrash e qëlloi me armë zjarri në gjoks Burim Mulin, rreth orës 15:00, më 18 prill të 1999-s.

    Por gjykimi do të fillojë vetëm këtë vit, pasi rasti nuk u trajtua asnjëherë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

    Zoran Vukotiq është dashur të dënohet moti, qysh nga koha e UNMIK-ut, por ishalla drejtësia vihet në vend.

    Me pritjen për të vërtetën se kush ia vrau djalin, dhe jetesën pa të, Ismet Muli thotë se nuk u mësua asnjëherë. Derisa thekson se është dashur që rasti të zgjidhet kohë më parë, pret aktgjykim meritor ndaj Vukotiqit.

    Shqyrtimi gjyqësor pritet të fillojë në vjeshtë edhe për rastet e tjera ndaj Zoran Vukotiqit, për të cilat Departamenti Special, pasi iu bartën nga gjykata e Mitrovicës në fillim të këtij viti, vendosi t’i bashkojë në një procedurë të enjten e 22 gushtit.

    Për vrasjen e Burim Mulit do të dëshmojë edhe djali i axhës së tij, Fatoni, i cili në ditën kritike bashkë me viktimën kishin dalë me biçikletë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë, dhe kishte arritur t’u shpëtoi të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit të një dyqani./atvlive.tv/

  • Rasti i Ramadanit, Gjykata Supreme në Shkup vendos rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Penale

    Rasti i Ramadanit, Gjykata Supreme në Shkup vendos rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Penale

    PËRGATITI: T. ARIFAJ & K.TAHIRI 

    Gjykata më e lartë e Maqedonisë së Veriut ka vlerësuar se shkalla e parë, respektivisht Gjykata Themelore Penale nuk ka dhënë arsyetime të qarta kur vendosi që Blerim Ramadani, i dyshuar për krime lufte nga autoritetet e Serbisë, të mos ekstradohet në këtë shtet.

    Kështu, Gjykata Supreme e ka kthyer në rishqyrtim vendimin asaj Penale të Shkupit, ndaj Ramadanit, i cili u arratis nga arresti shtëpiak më 15 gusht të këtij viti.

    Vendimi i Supremes, megjithatë, sipas juristëve kosovarë, aktualisht nuk ka asnjë efekt juridik ndaj Ramadanit, i cili ndodhet në Kosovë.

    Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i UÇK-së, u arrestua më 17 korrik, në pikën kufitare Jazhincë, në bazë të një urdhër arresti të Interpolit të Serbisë.

    Pas arrestimit në Shkup i ishte caktuar masa e paraburgimit e cila më pas u zëvendësua me arrest shtëpiak në një adresë në Shkup, i cili vlente deri më 16 gusht. Por, më 15 gusht Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak dhe u kthye në vendlindje, gjë për të cilën ATV-ja raportoi ditë më parë.

    Më 16 gusht, Ramadani i kishte thënë ATV-së se nuk është krenar për veprimin e tij, por thotë se ishte i nevojshëm.

    Megjithatë, arratisjen e tij e kishin përshëndetur miqtë e tij nga lufta. Në anën tjetër, autoritetet në Maqedoni të Veriut thonë se janë në kërkim të Ramadanit.

    Autoritetet serbe e kërkojnë Ramadanin për krime të supozuara të luftës të kryera në verën e vitit 1999, në rajonin e Nerodimës./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Çmimet e librave s’e tejkalojnë shumën e subvencionimit të MASHT-it

    Çmimet e librave s’e tejkalojnë shumën e subvencionimit të MASHT-it

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Libraritë tashmë janë furnizuar me shumicën e teksteve shkollore.

    Edhe prindërit kanë filluar blerjen e tyre dhe çmimet, sipas librashitësve, nuk po kalojnë shumën e subvencionimit nga Ministria e Arsimit.

    Madje, mundësi për keqpërdorime nuk ka ngase çmimet e të gjithë librave figurojnë në kopertinën e tyre.

    Megjithatë, disa tekste shkollore ende mungojnë. E shqetësime ka edhe për faktin që disa komuna të Kosovës nuk kanë librari.

    Qeveria ka subvencionuar blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore nga 80 euro për nxënësit nga klasa e 1 deri në të 6-tën, ndërkaq nga klasa 6 deri 9 me nga 110 euro.

    Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të MASHTI-t mbi 150 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionim dhe tashmë janë ekzekutuar mbi 81 mijë pagesa.

    Ndërkohë, ditë më parë edhe Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se është duke monitoruar me kujdes të veçantë zhvillimet në procesin e shpërndarjes së librave shkollor për t’i evituar shkeljet e mundshme./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Përfundon afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë, për të gjithë ata që s’respektuan vendimin parashihen gjoba

    Përfundon afati për konvertimin e patentë-shoferëve ilegalë, për të gjithë ata që s’respektuan vendimin parashihen gjoba

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Deri të premten në orën 16, rreth 6 mijë e 400 qytetarë kanë konvertuar patentë-shoferët e lëshuar nga strukturat ilegale serbe, në patentë-shoferë të republikës.

    Procesi i konvertimit, i cili filloi më 10 maj, përfundoi të premten e 23 gushtit.
    Për qindra qytetarë të tjerë, të cilët refuzuan t’i konvertojnë patentë-shoferët gjatë fundjavës parashihet t’u shqiptohen vërejtje nga ana e policisë, ndërkaq nga e hëna do të ketë gjoba, duke mos e përjashtuar mundësinë e konfiskimit të veturës.

    Ndërkaq, kërkesë për shtyrje të afatit nuk ka.

    Në anën tjetër, zëvendëskryesuesi i Kuvendit komunal në Mitrovicën e Veriut, thotë se në këtë formë edhe katër komunat veriore po fillojnë të funksionojnë sikurse të tjerat në Kosovë.

    Ndërkaq, edhe qytetarët e veriut nuk kanë asgjë kundër konvertimit të patentë-shoferëve.

    Nga katër komunat veriore, Leposaviqi prin me numrin më të madh të qytetarëve që konvertuan patentë-shoferët me afro 2 mijë.

    Më 8 gusht, Ministria e Punëve të Brendshme vendosi ta shtyjë afatin për konvertimin e patentë-shoferëve deri më 23 gusht./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • ATV edhe këtë vit do të jetë sponsori medial i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest 2024

    ATV edhe këtë vit do të jetë sponsori medial i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit – PriFest 2024

    Festivali Ndërkombëtar i Filmit – PriFest 2024, i cili tashmë është gati për të nisur edicionin e 16-të do të mbahet nga data 10-15 shtator 2024.

    Edhe këtë vit, ATV do të jetë sponsori kryesor medial i “PriFest”, ndërsa kjo u konfirmua me marrëveshjen e arritur në mes Drejtorit të ATV-së, Zija Rexhepi dhe Drejtorit të “PriFest”, Fatos Berisha.

    Ndryshe, “PriFest”  edhe këtë vit do të mbahet nën sloganin ‘FOR HER’ (PËR TË) duke ia dedikuar edicionin e ri të festivalit drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha.

    Festivali, i cili do ta ketë moton “Vjosa. Forever. PriFest”, zgjatë 6 ditë, ndërsa mësohet se në programin e sivjetmë do të ketë edhe premiera botërore të filmave pjesëmarrës.

    Në natën finale do të ndahen edhe çmimet, në kategori të ndryshme të Festivalit.

  • Kurti pas takimit me shefin e CIA-s: Dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve

    Kurti pas takimit me shefin e CIA-s: Dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve

    Qeveria Kurti ka dalë me një njoftim lidhur me takimin e kryeministrit Albin Kurti me Drejtorin e CIA-s William Burns, sot në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA.

    Ndër të tjera, thuhet se vizita e shefit të CIA-s është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve.

    Sipas Qeverisë, Kurti ndër të tjera e ka njoftuar Burnsin edhe për rritjen ekonomike.

    Njoftimi i plotë:

  • Pas takimit me Kurtin, shefi i CIA-s përmbyll vizitën në Kosovë

    Pas takimit me Kurtin, shefi i CIA-s përmbyll vizitën në Kosovë

    Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, përmbylli vizitën e tij dyditore në Kosovë, pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë me krerët shtetërorë dhe udhëheqësin e inteligjencës kosovare.

    Mëngjesin e 23 gushtit, për rreth një orë ai u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

    Pas këtij takimi, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin po udhëton Burns, është larguar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, “Adem Jashari”.

    Kryeministri Kurti gjatë kësaj jave ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik, përcolli nga afër Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

    Ai ende nuk është deklaruar rreth takimit me zyrtarin më të lartë amerikan të inteligjencës.

    Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

    Presidentja Osmani, më 23 gusht, konfirmoi takimin me kreun e CIA-s, William Burns.

    “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses”, shkroi ajo në Facebook.

    Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

    Në Sarajevë më 20 gusht, Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

    Nga Qeveria amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se gjatë takimeve në Sarajevë “ata diskutuan për çështje me interes të përbashkët, të cilat përfshijnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës”.

    Gjatë vizitës, sipas zytarit amerikan, Burns diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Millorad Dodikut, presidentit prorus të entitetit serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Një ditë më vonë, Dodik deklaroi se “nuk e kam kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërkaq shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”.

    Sa i përket vizitës në Beograd, nuk dihet se me kë është takuar Burns.

    Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

    SHBA-ja dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian e kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.

    Ndërkaq, Departamenti amerikan i Shtetit i ka kërkuar Qeverisë Kurti që të rikthehet në “angazhim konstruktiv dhe të ngushtë” me Uashingtonin, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, teksa Uashingtoni po ashtu po kërkon që institucionet e Kosovës të mos e hapin për qarkullim urën mbi lumin Ibër, duke u thirrur në shqetësime të sigurisë.

    Ndryshe, mesditën e 22 gushtit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, gazetarët e Radios Evropa e Lirë panë një avion të ushtrisë amerikane të ndalur në zonën “VIP” të aeroportit.

    Me këtë avion, besohet se Burns ka udhëtuar edhe në vende të tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas ueb-faqe për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar, ky aeroplan futuroi më 22 gusht nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës.

    Burns është ish-ambasador i SHBA-së në Rusi. Ai është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

    Ai u emërua nga presidenti Biden në postin e drejtorit të CIA-s në janar të vitit 2021./REL

  • Osmani pas takimit me shefin e CIA-s: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses

    Osmani pas takimit me shefin e CIA-s: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është deklaruar pas takimit të djeshëm që pati me Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka shpërndarë disa fotografi dhe ka shkruar shkurt se aleanca me SHBA-në është garancë për siguri.

    “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garancë për siguri, paqe e sukses! Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), Ambasadorin William Burns.” – ka shkruar Osmani.

    Shefi i CIA-s është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, mëngjesin e sotëm.

    Takimi nisi rreth orës 09:00 dhe Burns u pa duke u larguar nga ndërtesa e Qeverisë së Kosovës rreth një orë më vonë.

  • Shefi i CIA-s shkon në Qeveri për takim me Kurtin

    Shefi i CIA-s shkon në Qeveri për takim me Kurtin

    Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Ekonomia Online.

    Një ditë më herët, Burns u takua në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

    Rreth takimeve të së enjtes nuk është deklaruar askush nga palët.

    Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë.

    Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.

    Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

    SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.