ATV

Tag: Ballina

  • Edhe një shkollë fillore e mesme e ulët do t’i shtohet kryeqytetit, në lagjen “Mati 1″

    Edhe një shkollë fillore e mesme e ulët do t’i shtohet kryeqytetit, në lagjen “Mati 1″

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Edhe një shkollë fillore e mesme e ulët do t’i shtohet kryeqytetit. Objekti i ri i cili u nis në lagjen “Mati 1”, do t’i ketë gati pesë mijë metra katrorë, me kapacitet prej 720 nxënësish.

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, teksa vuri lopatën e parë me çimento në nisjen e objektit të shkollës së re, tha se krahas saj, me partneritet publiko-privat do të ndërtohen edhe dy të tjera – njëra në lagjen “Sofalia”, e tjera në lagjen “Qëndresa”.

    Me këtë rast, Rama shtoi se kjo shkollë do të jetë me standarde të larta dhe në të do të ndjekin mësimin nxënësit nga shkolla “Ismail Qemaili” dhe “Pavarësia” të cilat janë të ngarkuara me nxënës.

    Për shkollat që ishin në rinovim, nënkryetarja e Prishtinës, njëherazi drejtoreshë për Arsim, Jehona Lushaku, tha se më 2 shtator do të jenë gati.

    Ndërkaq, punimet në objektin e shkollës së re pritet të kryhen në korrik të vitit të ardhshëm./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Shefi i CIA-s në Presidencën e Kosovës

    Shefi i CIA-s në Presidencën e Kosovës

    Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, është parë duke hyrë në ndërtesën e Presidencës së Kosovës.

    Në pamjet që ka siguruar ATV-ja nga oborri i presidencës shihen forca policore në pritje të drejtorit të CIA-s.

    Kujtojmë se Burns, para Prishtinës, ishte në Sarajevë e Beograd, por rreth vizitave të tij atje, nuk pati asnjë detaj.

  • Jasharaj: Viti i ri shkollor do të nisë me telashe, gjatë shtatorit vendosim për protesta apo greva

    Jasharaj: Viti i ri shkollor do të nisë me telashe, gjatë shtatorit vendosim për protesta apo greva

    Viti i ri shkollor do të nisë normalisht, pasi SBASHK-u thotë se nuk kanë ndonjë vendim për protesta apo greva, ndonëse një gjë e tillë ishte paralajmëruar.

    Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se viti i ri shkollor do të nis me telashe, jo për shkak të ndonjë greve, por për shkak të telasheve me furnizimin me tekste shkollore.

    Ai thotë se mbështesin fillimin e vitit të ri shkollor, por në shtator do të mblidhen për të vendosur në lidhje me kërkesat e tyre, për të cilat qeveria nuk u ka kthyer përgjigje që nga maji i këtij viti kur ato u bën publike.

    “Tash punëtorët e arsimit janë duke u kthyer në vendet e punës. Ne vjavën e ardhshme do të kemi një takim me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe ata do të na japin raporte ma të saktë sepse do t’i marrim nga kryetarët që i kemi”

    “Unë besoj se shkollat, shumica e tyre janë të përgatiten pa në aspektin teknik, por mbetet sfidë sikur edhe vitin e kaluar, tash pasi MASHT-i veproi njëjtën, mbetet sfidë furnizimi me tekste shkollore dhe të shohim fillimin e vitit të ri shkollor, pastaj do të kemi bashkëbiseda me punëtorët e arsimit, nga çerdhet deri në universitet do të shohim për aktivitetet tona të radhës”, tha Jasharaj për Zërin.

    Ai tha se me kohë kanë paralajmëruar Qeverinë në lidhje me kërkesat e tyre, duke mos përjashtuar veprime sindikale nëse ato nuk plotësohen.

    “Ne kemi alarmuar me kohë dhe kemi thënë se duke bashkëbiseduar me punëtorët e arsimit, me anëtarët e SBASHK-ut, ka pakënaqësi të madhe kërkesat u bën publike edhe më 1 maj, kërkesa këto të cilat Qeveria nuk i ka analizuar dhe nuk kem ndonjë përgjigje pozitive nga ta. Sa i takon SBASHK-ut, viti i ri shkollor do të fillojë, besoj kam frikë me telashe për shkak të teksteve, pastaj ne gjatë shtatorit do ta kemi takimin e Këshillit Drejtues, që është organi më i lartë mes dy kongreseve dhe ata janë përfaqësues, po them të gjithë të punësuar në arsim që nga çerdhet deri në universitet dhe ata do të sjellin mendimet e bazës të anëtarësisë dhe cilitdo qoftë vendimi i Këshillit Drejtues ne si staf, si Kryesi e SBASHK-ut do ta respektojmë”, tha Jasharaj, për Zëri.info.

    Ai kritikoj Ministrinë e Arsimit për mënyrën e shpërndarjes së librave, ku sipas tij pas vështirësive që u panë vitin e kaluar, Ministria vendosi të përsërit mënyrën e njëjte të shpërndarjes së teksteve shkollore, ndërsa tha se mënyra më e mirë e shpërndarjes së teksteve, është ajo e viteve të kaluara.

  • BQK: 3.9% pritet të ketë rritje ekonomike gjatë vitit 2024

    BQK: 3.9% pritet të ketë rritje ekonomike gjatë vitit 2024

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parashikon rritje ekonomike prej 3.9% për vitin 2024.

    Sipas njoftimit të BQK-së, parashikimet sugjerojnë se ekonomia e vendit pritet të rritet më shpejtë gjatë vitit 2024, e mbështetur nga rritja e të ardhurave reale të disponueshme, falë uljes së inflacionit dhe rritjes së burimeve të financimit.

    “Parashikimet e BQK-së për vitin 2024 sugjerojnë se ekonomia e Kosovës do të mbështetet nga rritja e të ardhurave reale të disponueshme, falë uljes së inflacionit, dhe rritjes së burimeve të financimit. BQK parashikon rritje ekonomike prej 3.9 përqind për vitin 2024, që pritet të mbështetet nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve, kundrejt ndikimit negativ të importit të mallrave dhe shërbimeve në BPV”, thuhet në raportin e BQK-së, për vlerësimin Tremujor të Ekonomisë.

    BQK-ja njofton se sipas vlerësimeve preliminare të ASK-së, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.6 për qind në TM1 2024.

    “Përshpejtimi i rritjes ekonomike kundrejt periudhës së njëjtë të vitit të kaluar lidhet kryesisht me dinamikën e kërkesës vendore, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht aktivitetin ekonomik si rezultat i rritjes së kërkesës vendore që u shoqërua me rritje të importit, liberalizimit të vizave që ka ndikuar në rritjen e importit të shërbimeve të udhëtimit, dinamikave të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe kërkesa e dobësuar në Eurozonë”, thuhet në raport.

    Rritja ekonomike në TM1 2024 është mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet, që kontribuuan me 9.1 përkatësisht 1.0 pikë përqindje. Në anën tjetër, eksportet neto patën një ndikim negativ në rritjen reale të BPV-së me

    “Në TM1 2024, konsumi është rritur për 8.9 për qind, një rritje shumë më e lartë krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Investimet shënuan rritje për 3.1 për qind, kryesisht për shkak të rritjes së investimeve publike dhe kreditimi. Sa i përket tregtisë së jashtme, eksportet neto thelluan deficitin tregtar për 12.7 për qind. Rritja e deficitit tregtar ishte pasojë e rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve për 9.1 për qind (importi i mallrave shënoi rritje për 6.9 për qind, ndërsa importi i shërbimeve shënoi rritje për 30.8 për qind), si dhe rënies së eksportit të mallrave për 1.9 për qind, ndërsa eksporti i shërbimeve shënoi rritje për 14.0 për qind”, thuhet më tutje në raport.

    Sipas BQK-së, inflacioni vazhdoi të ndjekë trend ngadalësimi në TM1 2024, me një normë mesatare prej 2.1 përqind.

  • Qeveria e Kosovës mendon se mbajtja në fuqi e masave nga BE-ja është e pakuptimtë: Duhet të hiqen menjëherë

    Qeveria e Kosovës mendon se mbajtja në fuqi e masave nga BE-ja është e pakuptimtë: Duhet të hiqen menjëherë

    Qeveria e Kosovës tha se mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese ndaj Kosovës me gjithë rekomandimin pozitiv të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell është e pakuptimtë.

    Këshilltari i zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu, tha se masat duhet të hiqen menjëherë dhe në mënyrë të plotë.

    “Masat kanë qenë të padrejta prej ditës së parë. Mbajtja ende në fuqi e këtyre masave përkundër rekomandimit pozitiv nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Josep Borrell tashmë është e pakuptimtë. Ishte vetë letra e z. Borrell e 3 qershorit 2023, ajo që vendosi kushtet për vendosjen e masave ndaj Kosovës, që pasoi me marrëveshjen e Bratisllavës, dhe vetë përfaqësuesi i lartë Borrell i cili i ka propozuar fillimisht ato, ka më shumë se një muaj që ka konstatuar se të gjitha kushtet janë përmbushur dhe masat duhet të hiqen. Meqë është konstatuar përmbushja e kushteve, nuk ka nevojë as për heqje graduale, e hiç më pak për mbajtjen e tyre, por duhet largimi i plotë dhe i njëhershëm i masave”, tha Kadiu për RTV21.

    Një ditë me parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se diskutimet e shteteve anëtare të BE-së në Këshill për raportin e përfaqësuesit të lartë, për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova janë duke vazhduar, teksa i bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pa koordinuar.

    Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre.

  • Kapet me mbi 6 kilogramë substancë narkotike, arrestohet një maqedonas në Prishtinë

    Kapet me mbi 6 kilogramë substancë narkotike, arrestohet një maqedonas në Prishtinë

    Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar në Prishtinë, pasi tek i njëjti janë gjetur gjashtë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

    Sipas policisë, pesha e substancës së sekuestruar është 6.13 kilogramë, ndërsa vlera e saj është rreth 150 mijë euro.

    “Pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës tek personi i dyshuar janë gjetur 6 (gjashtë) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 6.137.6 gramë (6 kilogramë e 137 gramë), ku vlera e substancës së dyshuar narkotike e cila është konfiskuar vlerësohet të jetë rreth 150.000 euro (njëqind e pesëdhjetë mijë euro”)”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Tutje, policia tha se lidhur me rastin, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dy telefona, një veturë dhe 4 mijë e 305 denarë maqedonas.

    “Të gjitha veprimet e ndërmarra dhe dëshmitë e gjetura të sekuestruara janë kryer me autorizimin e prokurorit kujdestar. Personi i dyshuar është shoqëruar për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari ndalohet për 48 orë, kurse dy personat e tjerë janë në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

    Më tej, policia bëri të ditur se në një rast tjetër në Ferizaj është sekuestruar edhe një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë prej 38.62 gramë, ku vlera, sipas policisë është rreth 3 mijë e 500 euro.

    “Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 38.62 gramë, vlera e substancës së dyshuar narkotike vlerësohet të jetë rreth 3500 euro, para në monedhë letre 50 euro dhe 1500 kruna suedeze”.

    “Lidhur me rastin, për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kompetent, me urdhër të të cilit i dyshuari pas intervistimit ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohet një zyrtar i Gjendjes Civile në Gjakovë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti

    Arrestohet një zyrtar i Gjendjes Civile në Gjakovë, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti

    Policia e Kosovës ka arrestuar dje në Gjakovë një zyrtar të Gjendjes Civile, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mit marrje.

    I dyshuari, sipas policisë, në gjendjen civile për rregullimin e një dokumenti i kishte kërkuar të holla një qytetari.

    Zyrtari në fjalë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

  • Tre të vrarë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Tre të vrarë nga një sulm izraelit në Bregun Perëndimor

    Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se tre persona janë vrarë gjatë një sulmi ajror izraelit ndaj një shtëpie në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Në njoftim u tha se sulmi u krye gjatë natës në kampin e refugjatëve Tulkarem, një zonë banimi e ndërtuar që nga lufta e vitit 1948, në kohën e krijimit të Izraelit. Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk tregoi nëse të vrarët ishin luftëtarë apo civilë.

    Ushtria izraelite ende nuk ka komentuar për këtë raportim të palës palestineze.

    Në Bregun Perëndimor ka pasur rritje të dhunës që nga 7 tetori, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.

    Forcat izraelite kryejnë bastisje pothuajse në baza ditore në Bregun Perëndimor që shpesh nxisin përleshje të armatosura me palestinezët. Militantët palestinezë kanë kryer një sërë sulmesh ndaj izraelitëve.

    Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se të paktën 637 palestinezë janë vrarë nga izraelitët në Bregun Perëndimor që nga nisja e luftës në Gazë.

    Izraeli mori Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.

    Izraeli ka ndërtuar vendbanime në mbarë Bregun Perëndimor të cilat janë shtëpi e më shumë se 500.000 kolonëve hebre. Ata kanë shtetësi izraelite, ndërkaq 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin ushtarak izraelit, ndërkaq Autoriteti Palestinez administron qendrat e banuara.

    Ndryshe, në sulmin e 7 tetorit, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë nga komunitetet në jug të Izraelit. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ushtarake në Gazë, që deri më tani ka lënë të vrarë më shumë se 40.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Lufta ka detyruar shumicën e 2.3 milionë banorëve të Gazës të largohen nga shtëpitë e tyre./REL

  • Rritet migrimi i paligjshëm në Evropë, Gjermania destinacioni kryesor

    Rritet migrimi i paligjshëm në Evropë, Gjermania destinacioni kryesor

    Migrimi i paligjshëm në Evropë u rrit ndjeshëm në vitin 2023, ndërsa Gjermania mbeti destinacioni kryesor.

    Kështu njoftoi të mërkurën Zyra Federale e Policisë Kriminale.

    Sipas shifrave të fundit zyrtare, kalimet e paligjshme të kufijve nëpër kufijtë e jashtëm të BE-së u rritën nga 326,300 në 380,200, duke shënuar shifrën më të lartë që nga viti 2016.

    Në Gjermani, Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) regjistroi 266,224 raste të hyrjes dhe qëndrimit të paligjshëm në vitin 2023, më shumë se 33% rritje nga viti i kaluar.

    Shumë nga migrantët e parregullt ishin azilkërkues nga Siria dhe Afganistani.

    Në shumë raste, këto hyrje të paligjshme në Gjermani u lehtësuan nga trafikimi i qenieve njerëzore, sipas raportit të BKA.

    Nga ata të kontrabanduar në Gjermani, gati 42% vinin nga Polonia, 29% nga Austria dhe 22% nga Republika Çeke.

    Shumica e tyre udhëtuan në këmbë (37%), me furgona të vegjël (26), ose makina (24%).

    Qeveria e koalicionit të majtë-liberal të kancelarit gjerman Olaf Scholz ka qenë nën presion nga partitë opozitare për të trajtuar migrimin e parregullt, pasi autoritetet lokale po ankohen se po përballen me një krizë në ofrimin e strehimit dhe mbështetjes sociale për migrantët e sapoardhur.

    Partia e ekstremit të djathtë AfD, e cila kandidon në një platformë kundër imigracionit, ka parë rritjen e popullaritetit të saj përpara zgjedhjeve vendimtare rajonale muajin e ardhshëm në tre shtetet lindore të Gjermanisë.

  • Vdes një i burgosur në Spitalin e Gjilanit

    Vdes një i burgosur në Spitalin e Gjilanit

    Një i burgosur që ishte dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Gjilan ka vdekur dje.

    I ndjeri ka pasur probleme shëndetësore dhe për një kohë të gjatë është trajtuar edhe brenda Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

    Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.

    “Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve njoftojnë opinionin publik se sot, në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ka ndërruar jetë i burgosuri A.F.

    I ndjeri, po trajtohej për një kohë të gjatë në Stacionarin Shëndetësor të Qendrës së Paraburgimit Gjilan për probleme kardiologjike paraprake, ai kishte të vendosura stenta dhe ishte nën mbikëqyrjen e kardiologëve, duke u trajtuar sipas rekomandimeve të tyre.

    Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.”