ATV

Tag: Ballina

  • Me para nga subvencioni, edhe KESCO-ja kishte blerë nga kompania e palicencuar

    Me para nga subvencioni, edhe KESCO-ja kishte blerë nga kompania e palicencuar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Tregtimi i energjisë elektrike me kompaninë e palicencuar në Kosovë, Holding Slovenske Elektrarne – HSE, në periudhën 2021 – 2023, është një prej çështjeve kyçe në aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Por, energji elektrike nga kompania e njëjtë – pa licencë – në fillim të vitit 2022, me mjete financiare nga subvencioni i Qeverisë, kishte blerë edhe kompania për furnizim KESCO.

    Sipas dokumenteve që posedon ATV-ja rezulton se, në kohën kur importi kryhej nga KESCO-ja bazuar në marrëveshjen me KEK-un, rreth 12 milionë euro të taksapaguesve ishin shpenzuar për energjinë e blerë nga marrëveshja me HSE-në, pa tender – sipas metodës një ditë para.

    Këtë e kishte pranuar në Tetor të vitit 2022, kryeshefi financiar i KESCO-s, Ermal Koci, në raportimin e tij në komisionin parlamentar hetimor për menaxhimin e krizës energjetike.

    Megjithatë, as pas një javë pritjeje, Prokuroria Speciale nuk dha përgjigje nëse ka ose jo ndonjë hetim lidhur me këtë.

    Duke përmendur ngjashmërinë me rastin Krasniqi, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, Prokuroria ka dy shkaqe për hetim.

    “E para do të duhej të ishte çështja e subvencionit. Dhe, e dyta do të duhej të ishte se si është futur energji elektrike nga një kompani e palicencuar për të shitur energji elektrike. Kjo mund të ndodhë edhe në sektor të tjerë – ta zëmë në sektorin farmaceutik, përderisa i gjithë sektori është privat prapëseprapë personat, të cilët shesin barna të caktuara duhet të licencohen për të operuar në Kosovë”, tha Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Referuar importit nëpërmjet subvencionit nga Qeveria, Shala theksoi nevojën për përdorim të standardit të njëjtë nga Prokuroria.

    “Nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të veçantë kur është shitur distribuimi i energjisë, ose ndonjë marrëveshje e mëvonshme me fuqi juridike, atëherë është situatë tjetër. Mirëpo, përballë kësaj situate, përballë këtyre paraleleve, i takon prokurorit të shtetit ta hetojë, shqyrtojë dhe ta informojë publikun lidhur me këtë rast”, tha Shala.

    Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji, në Maj 2022, KESCO kishte ndërprerë kontratën me HSE-në, për import të energjisë për shërbimin universal.

    Bazuar në dokumentet e importit, në muajt janar, shkurt dhe mars 2022, me mjetet nga subvencioni, KESCO-ja kishte blerë energji me çmim mesatar më të lartë sesa mesatarja në bursën hungareze.

  • Shporta e konsumatorit, “më e shtrenjtë” këtë verë

    Shporta e konsumatorit, “më e shtrenjtë” këtë verë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Shporta e konsumatorit ishte më e shtrenjtë këtë verë, se në të kaluarën.

    Sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin korrik ishte 2,2%.

    Prej produkteve bazike që iu rrit çmimi janë kafeja e çaji me 7,7%, pemët me 6,3 dhe buka me 3,1%. Diçka më pak u shtrenjtuan produktet e qumështit, me 0,3%. Ndërsa, perimeve iu ul çmim për 5,2%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Megjithatë, sipas Odës Ekonomike, këto të dhëna janë brenda parashikimeve.

    ”Në qoftë se i shohim të dhënat e fundit të ASK-së, ne e shohim një dallim ose një ngritje të çmimeve në 2,2 për qind që është një rritje paralel me inflacionin. Në qoftë se ndalim tek rritja e çmimeve besoj që është në marzhën e arsyeshme dhe nuk është një rritje shumë e madhe që vërehet te qytetarët”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Ekonomistët thonë se në rritjen e çmimeve gjatë verës, ndikon edhe fluksi i mërgimtarëve, gjë që bën të rritet kërkesa.

    Por, kjo rritje sezonale, sipas ekonomistit Fidan Qerimi, po vazhdon edhe përtej verës, e po ndikon te banorët rezidentë.

    “Pas shkuarjes së mërgimtarëve ose kalimit të kohës së festave çmimet mbesin të larta edhe për një periudhë më të gjatë. d.t.th ofruesit e produkteve dhe shërbimeve kanë një tendencë më të ngadalshme të uljes së çmimeve sesa të rritjes dhe kjo ka një ndikim negativ në buxhetin e qytetarëve”, tha Qerimi.

    Derisa vendi ka ekonomi të tregut të lirë, shteti nuk mund të ndërhyjë edhe aq te çmimet, por një rol të madh mund ta luajë autoriteti i konkurrencës, megjithatë nga aty nuk treguan për televizionin nëse kanë gjobitur ndokënd për abuzim me çmime.

    Sipas të dhënave të korrikut, përveç produkteve të shportës, për 22% u shtrenjtuan biletat e fluturimeve. Lëndët djegëse, druri e peleti janë më të shtrenjta për 6%, ndërsa karburantet për 2,1%.

  • Tentimi i llunes për t’i ikur paraburgimit, në këmbim të 70 mijë eurove

    Tentimi i llunes për t’i ikur paraburgimit, në këmbim të 70 mijë eurove

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në publik e në rrjete sociale paraqitej si trajner i kik-boksit.

    Këto aftësi fizike, Milun Milenkovic, dyshohet se i përdori edhe për t’i sulmuar ushtarët e KFOR-it në Zveçan, në majin e vitit 2023, për çka ishte arrestuar derisa po qethej në Mitrovicë të Veriut, pak muaj më vonë.

    Në seancën gjyqësore të 21 gushtit, avokati i ofroi 70.000 euro dorëzani që Llune pastaj të mbrohet në liri. Por, Gjykata ende nuk ka vendosur për këtë kërkesë.

    “Ju njoftojmë se kërkesa e mbrojtjes për të pandehurin M.M për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë është ende në shqyrtim dhe vendosje”, tha Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në fakt, praktika e lirimit me dorëzani, është e njohur në sistemin gjyqësor të Kosovës.

    Por, nëse Gjykata eventualisht e aprovon një kërkesë të tillë, gjasat janë që pastaj të kërkohet prejardhja e të hollave.

    Paraprakisht me dorëzani ishin liruar për t’u mbrojtur në liri edhe Nemanja Vllaskoviq dhe Dalibor Spasiq, të cilët akuzoheshin për sulm ndaj gazetarëve, po në Zveçan.

  • “Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, Kurti fton qytetarët të aplikojnë për masat e efiçiencës së energjisë

    “Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, Kurti fton qytetarët të aplikojnë për masat e efiçiencës së energjisë

    Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më parë për subvencionimin e izolimit të shtëpive të tyre dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes, sepse “kush vjen i pari, shërbehet i pari”, raporton EO.

    Në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, ai ka theksuar se kjo masë ka qenë ndër më të mirëpriturat vitin e kaluar, ndërsa këtë vit synim është subvencionimi i 1 300 familjeve.

    Tutje, ai ka bërë të ditur se për shkak të interesimit të lartë, pakoja do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar, ndërsa ka shtuar se pakoja është pjesë e përkrahjes emergjente të BE-së, ku Kosova përfitoi 75 milionë euro, shumën më të lartë për kokë banori në rajon.

    “Bashkimi Evropian ka lansuar pakon përkrahëse emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës përfitoi 75 milionë euro, apo shumën më të lartë për kokë banori në rajon. Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e efekteve socio-ekonomike. Kur kemi dizajnuar këtë pako, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afat-shkurte. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset tona”.

    “Një ndër masat më të mirëpritura vitin e kaluara, është pikërisht kjo që po e lansojmë sot, pra masat për efiçiencën e energjisë në shtëpitë e juaja. Thirrja ka qenë e parimit të njëjtë, kush vjen i pari shërbehet i pari. Interesimi ka qenë e lartë dhe si rezultat, thirrja për 13 ditë, ndonëse ka qenë e paraparë që të jetë e hapur për 45 ditë, kësaj radhe mbetet e hapur për dy javë”.

    “Duke pasur parasysh interesimin e madh të familjeve ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë. Nga thirrja e parë ka përfituar 2 100 familje me mbi 12 mijë anëtarë, vlera totale e subvencionit ka arritur vlerën 7.9 milionë euro. Kësaj here synojmë të subvencionojmë 1 300 familje të tjera për të izoluar shtëpitë e tyre”, ka thënë Kurti, raporton EO.

  • Elezi: Deri më tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

    Elezi: Deri më tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

    Subjektet politike deri të premten kanë afat t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), koalicionet parazgjedhore për votimet e fillim vitit të ri, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Elezi ka thënë se pas 30 gushtit, secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion deri më këtë datë do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet në shkurt të viti 2025 përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ, respektivisht Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike si duna të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyre. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 gusht pra deri ne këtë kohë të gjitha partitë politike duhet të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrin pjesë përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.

    Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se deri të hënën, nuk kanë pranuar asnjë koalicion.

    “Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jete certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër, pra të partive të tjera apo edhe si parti e veçanta në procesin zgjedhor. Deri në këto momente që flasim në KQZ nuk kemi pranuar ndonjë njoftim nga ana e partive politike se do të kërkojnë certifikim në zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për të bërë këtë deklarimi është data 30 gusht”, ka thënë ai.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë të zgjedhjeve të përgjithshme. Vendimi vjen pas takimit ku presidentja dëgjoi të gjitha partitë.

  • Kjo është gjendja në vend-kalimet kufitare, ja ku ka pritje më të gjata

    Kjo është gjendja në vend-kalimet kufitare, ja ku ka pritje më të gjata

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat e fundit sa i përket pritjeve në vend-kalimet kufitare.

    Sipas kësaj qendre për të dalë nga Kosova më shumë po pritet tek Dheu i Bardhë deri në 20 minuta.

    Kurse, në Merdarë pritjet për të dalë nga Kosova janë 10-15 minuta.

    Derisa në pikë-kalimet tjera po pritet 3-5 minuta, përjashtuar pikën kufitare në Jarinje ku pritjet për të dalë nga Kosova janë 5-10 minuta.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë, sot, pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ky dëshmitar është planifikuar të dëshmojë publikisht. Më 21 gusht ka përfunduar dëshminë dëshmitarit i ZPS-së me shifrën W03871.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët” do të vijojë nga e hëna në të enjte. Javën që shkoi u mbajtën tri seanca gjyqësore, pas rikthimit të trupit gjykues nga pushimi. Kurse në shtator pritet të mbahen 13 seanca, raporton RTKlive.

    Kujtojmë se Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, javën që shkoi, ka marrë vendim për emërimin e Rodney Dixon si avokat i ri mbrojtës i Kadri Veselit. Emërimi i Dixon vjen pasi që Veseli dhe avokati Ben Emmerson kanë ndërprerë në mënyrë të parevokueshme marrëdhënien e tyre klient-avokat.

    Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

    Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

  • ​Parashikimi i motit për ditën e sotme

    ​Parashikimi i motit për ditën e sotme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10-13gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-33 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

  • ​Përvjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës

    ​Përvjetori i lindjes së Shën Nënë Terezës

    “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë e luti Zotin që paqja e tij të vijë në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Luti shumë për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija. Unë lutem për juve”, këto janë fjalët e Shën Nënë Terezës që i kujtojmë në përvjetorin e ditëlindjes së saj.

    Nobelistja shqiptare Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane. Pasi kishte jetuar në Maqedoni për tetëmbëdhjetë vjet, ajo u shpërngul në Irlandë dhe më pas në Indi, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së saj.

    Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë, një kongregacion fetar i cili në vitin 2012 kishte më shumë se 4,500 motra dhe ishte aktiv në 133 shtete.

    Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: më 1962 Çmimin e Paqes Ramon Magsaysay dhe 1979 Çmimin Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. Për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike. Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjt nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj (5 Shtator), ku njihet edhe si dita e saj e festës.

    Një figurë e diskutueshme si gjatë jetës dhe pas vdekjes së saj, Nënë Tereza u admirua gjerësisht nga shumë njerëz për veprat e saj bamirëse.

    Në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, që sivjet koincidon me 8-vjetorin e shenjtërimit të saj nga Papa Françesku (2016), Dioqeza Prizren-Prishtinë, organizon akademi solemne, ditën e sotme, në orën 19:00, në Qendrën “BogdaniPolis”, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

  • Kurti u bën thirrje mergimtarëve të regjistrohen në e-Diaspora: Bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës

    Kurti u bën thirrje mergimtarëve të regjistrohen në e-Diaspora: Bëhuni pjesë e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës

    Kryeministri Albin Kurti, u bëri thirrje qytetarëve jorezident të Kosovës, për të regjistruar përmes platformës online e-Diaspora.

    Ai gjatë thirrjes së tij përmes një video në Facebook, mërgatën e cilësoi si pjesë të pandashme të Kosovës.

    I pari i qeverisë kosovare, tha se duke u regjistruar si qytetar jorezident është mundësi për të “forcuar lidhjen” me atdheun.

    “Procesi i regjistrimit si qytetarë jo rezident të Republikës së Kosovës është mundësia juaj për të forcuar lidhjen me atdheun. Duke u regjistruar, ju bëheni pjesë aktive e ndërtimit të së ardhmes së Kosovës dhe të vetë mërgatës. Përdorni të drejtën tuaj kushtetuese dhe regjistrohuni online përmes platformës e-diaspora deri më 31 gusht 2024”, u shpreh 49-vjeçari.

    Njeriu që mbi supe e ka udhëheqjen e qeverisë, thotë se regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh.

    “E krahas platformës e-diaspora, ju mund të informoheni dhe sipas nevojës edhe të ndihmoheni për t’u regjistruar, në objektet e komunave rajonale të Kosovës, nga zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Regjistrimi është i shpejtë dhe i lehtë, por me ndikim të madh. Të dhënat tuaja do të ndihmojnë në krijimin e politikave që mbështesin mërgatën, përmirësojnë shërbimet, si dhe forcojnë lidhjet kulturore dhe arsimore me atdheun”, deklaroi Kurti.