ATV

Tag: Ballina

  • Asambleja e Përgjithshme e OKB-së: Sot mblidhen liderët botërorë, merr pjesë edhe Osmani

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së: Sot mblidhen liderët botërorë, merr pjesë edhe Osmani

    Liderë nga mbarë bota do të marrin pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i fillon punimet sot në New York.

    E pranishme aty, do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.

    Në një agjendë të ngjeshur që nis të dielën me samitin e së ardhmes dhe vijon për disa ditë, është parashikuar të zhvillohet edhe një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me gjashtë liderët e ballkanit perëndimor.

    Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, sesioni i OKB-së në New York do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josep Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    “Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve.

    “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”, u shpreh ai.

  • Shea: Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë

    Shea: Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike në vend dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Evropian derisa kryeministri Albin Kurti qëndroi në Bruksel këtë javë.

    Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave dhe thotë që pasi udhëheqja e re e bllokut të vihet në vend, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë. Këtu ai e lidhi edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

    “Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua. Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiq ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha Shea për RTKlive.

  • Hasani në OKB, pritet firmosja e marrëveshjeve për liberalizimin reciprok të vizave

    Hasani në OKB, pritet firmosja e marrëveshjeve për liberalizimin reciprok të vizave

    Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mbërritur në Nju York, për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Hasani pritet të firmos disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.

    Gjithashtu, ministri do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj, raporton Euronews.al.

    Java e nivelit të lartë nisi dje me takimin “Pekin+30: drejt një bote me barazi gjinore”, ku Hasani nënvizoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike.

    Prioritetet e Shqipërisë, gjatë sesionit të 79 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

  • Osmani kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Dy gjigandët e historisë tonë

    Osmani kujton Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Dy gjigandët e historisë tonë

    “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës”.

    Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për dy heronjtë në 26 vjetorin e rënies së tyre.

    Osmani i quajti ata “gjigandët e historisë tonë”.

    “Sot shënojmë 26-vjetorin e rënies heroike të dy gjigantëve të historisë së kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që kemi sot. Ata ranë së bashku pikërisht në këtë ditë, të bashkuar edhe në përkushtimin e palëkundur për çlirimin e Kosovës”, tha ajo.

    E para e shtetit të Kosovës, shtoi se Xheva dhe Fehmiu ishin më shumë se luftëtarë – simbole të shpresës dhe forcës për të gjithë ata që ëndërruan dhe dëshiruan një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

    ”Trashëgimia që kanë lënë pas Xheva dhe Fehmiu i tejkalon kohët. Ata kurorëzuan veprimtarinë e tyre patriotike me aktin e heroizmi të rënies në krye të betejës. Në çdo cep të Kosovës ndihet sakrifica e tyre – në lirinë që jetojmë, në shtetin që kemi ndërtuar dhe në shpresën për një të ardhme më të ndritur. Lavdi e përjetshme Xhevë dhe Fehmi Lladrovcit!”, ka shkruar ajo.

  • Maqedonci: Procesi i transformimit në ushtri, në fazën e dytë – FSK-ja do të ketë helikopterë nga 2025-ta

    Maqedonci: Procesi i transformimit në ushtri, në fazën e dytë – FSK-ja do të ketë helikopterë nga 2025-ta

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se procesi i transformimit të Forcës Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri është në fazën e dytë. Por, sipas tij, me rritjen e buxhetit për FSK-në shumë pajisje ushtarake që janë paraparë të procedohen në fazat e mëvonshme janë blerë.

    Maqedonci ka thënë se në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve e cila parashihet që të bëhet në fazën e trete, që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028.

    Ministri ka thënë se MB-ja është duke e mbështetur FSK-në për arritjen e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit, fazë kjo që pritet që të kulmoj me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së, të cilat do të jenë të gatshme për të realizuar detyrën kyçe të tyre, që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

    “Në vitin e gjashtë jemi të planit të gjithëpërfshirës të tranzicionit, apo në fazën e dytë për shkak se plani gjithëpërfshirës i tranzicionit të FSK-së i hartuar edhe në bashkëpunim me ShBA-në, është i ndarë në tri faza. Faza e parë ka qenë prej viti 2019 deri në vitin 2022, ku fokus kryesor faza e parë ka pasur përpilimin e gjithë doktrinës së nevojshme, dokumentacionit të nevojshme për funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, miratimin e programeve trajnuese të FSK-së. Si dhe përpilimin e kërkesave për sisteme të armatimit edhe për pajisje të tjera për nevojat e FSK-së. Aktualisht jemi në fazën e dytë të tranzicionit, MB po e mbështet me të gjitha aspektet FSK-në për arritjen e objektivave të fazës së dytë të tranzicionit. Dhe kjo fazë pritet që të kulmoj me validimin e tri regjimenteve të këmbësorisë së FSK-së të cilat më pastaj do të jenë të gatshme për të realizuar detyrën kyçe të tyre që është mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë, që të jenë të afat për të realizuar operacione luftarake të fokusuara në mbrojtjen, mësymje dhe stabilitete”, ka thënë Maqedonci.

    Ai ka thënë se pas fazës së dytë, fillon faza e tretë e tranzicionit e cila fillon nga viti 2025, e që përfshinë ndërtimin e kapaciteteve të veçanta për FSK-në, e që janë mbështetja luftarake, mbështetja luftarake në shërbime, mbështetja ajrore si dhe mbrojtja kundër ajrore.

    “Pas përfundimit të fazës së dytë të tranzicionit, do të kalohet në fazën e tretë nga viti 2025, që nënkupton ndërtimin e kapaciteteve të veçanta për FSK-në, e që janë mbështetja luftarake, mbështetja luftarake në shërbime, mbështetja ajrore si dhe mbrojtja kundër ajrore.  Këto pritet që të zhvillohen në fazën e tret të tranzicionit. Aktualisht ne jemi duke arritur objektivat e paraparë në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, gjatë vitit të kaluar në kuadër të ushtrimit ‘Defender Europ 2023’ është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë për detyra luftarake. Këtë vit me saktësisht gjatë vjeshtës së këtij viti do të validohet regjimenti i dytë i këmbësorisë për të qenë i aftë për të realizuar detyrat luftarake. Kurse në vitin 2025, do të validohet regjimenti i tretë i këmbësorisë për të përmbyllur kështu edhe fazën e dytë të tranzicionit”, ka thënë ai.

    Ministri ka thënë se duke pasur mbështetjen e qeverisë së Kosovës, me rritje buxheti dhe me buxhet shtesë, kanë arritur që shumë nga sistemi i armatimit si dhe pajisjet të tjera t’i kenë në këtë fazë.

    Sipas tij, këto pajisje janë dronët “Bajraktar” si dhe sisteme të ndryshme për mbrojtje ajrore.

    “Normalisht që në duke pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës, me rritje buxheti dhe me buxhet shtesë, kemi arritur që shumë nga sistemi i armatimit si dhe pajisjet të prokurojmë qysh në këtë fazë dhe që kanë qenë të planifikuara normalisht që të prokurohen në fazat e me vonshme. Siç është sistemi e që tani më është i njohur ‘Bajraktar’ i dronëve, por edhe sisteme të ndryshme duke përfshirë mortajat 120 milimetërshe, edhe mitralozat e ndryshëm që një pjesë e tyre kanë qenë të planifikuara që të blihen në fazën e tretë të tranzicionit ku do të duhej të ndërtoheshin kapacitet e plota ajrore për mbështetje ajrore të FSK-së”, ka thënë ai.

    Maqedonci ka shtuar se në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve, e cila do të bëhet nga viti 2025 deri në vitin 2028.

    “Bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, është e paraparë që FSK-ja të ketë edhe flotën e helikopterëve. Kjo flotë do të vendoset në fazën e trete të tranizicionit, që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028. Ne do të furnizohemi me helikopterë në mënyrë që të kompletojmë edhe këtë aspekt operacional të FSK-së. Normalisht ne në vazhdimësi me partnerët tanë, në veçanti me ShBA-në, jemi duke gjeneruar opsionet e blerjes së helikopterëve. Këta helikopter do të jenë shumëfunksional që përveç detyrave të mbështetjes me transport për trupat tona, do të kenë gjithashtu edhe mundësi që të realizojnë edhe operacione të evakuimit mjekësor por edhe operacione të tjera për mbështetje ushtarake për autoritet civile”, ka thënë ai.

    Ministri i Mbrojtjes ka thënë se përformanca e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtareve të FSK-së si në trajnime, si në programet edukimi ushtarak, e në ushtrime nëpër vendet partnere është shumë e lartë. Ai ka thënë se pjesëtarë të FSK-së janë duke trajnuar rekrutët ukrainas që janë pjesë e grupit të instruktorëve ne operacione “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.

  • Gërmimi për varreza masive në Serbi mbetet sfidë për Kosovën

    Gërmimi për varreza masive në Serbi mbetet sfidë për Kosovën

    Edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e 1595 personave të zhdukur nga forcat serbe. Gërmimet për varreza të reja masive brenda territorit të Serbisë vazhdojnë të jenë sfidë për institucionet e Kosovës. Nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, kanë thënë se gjatë muajve në vazhdim pritet të fillojnë gërmimet në disa lokacione në Serbi.

    Për informata për varreza masive, është e nevojshme që institucionet e Kosovës të kenë qasje në arkivat e Serbisë.

    Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka thënë për Radio Kosovën se javën që lamë pas në varrezat e veriut të Mitrovicës, që njihen si varrezat myslimane, është hasur në eshtra dhe veshmbathje.

    “Është njoftuar Policia e Kosovës dhe sigurisht bashkë me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe në komunikim me Komisionin Qeveritar, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është vlerësuar se këto mbetje mortore janë me interes forenzik. Ky lokacion është në agjendë qysh pas luftës”, tha ai.

    Gara sqaroi se në këtë lokacion janë bërë gërmime edhe më parë por në mungesë të informacioneve, gërmimet në varrezat e qyteteve të mëdha mbesin sfiduese.

    Ai thotë se nga këto varreza deri më tani janë identifikuar 60 persona. Ndërkohë që do të ketë rikthim edhe njëherë në një lokacion ndërmjet Prizrenit dhe Suharekës.

    “Në kohën e luftës ka qenë varrezë primare një lokacion ku forcat serbe kanë varrosur viktimat e disa masakrave në zonën për rreth në zonën e Suharekës dhe Prizrenit”, shtoi ai.

    Sipas Kushtrim Garës, përkundër deklaratës së 2 majit të vitit të kaluar për çështjen e personave të zhdukur që si rezultat i dialogut në Bruksel, janë dhënë zotime nga delegacioni serb që të mundësohet qasje në arkivat e Brigadës së 37 të Motorizuar të ushtrisë jugosllave, por një gjë e tillë nuk është zbatuar. Ndërkaq, sfidë mbesin lokacionet në Serbi.

    Në lokacionin Kozhlja në mes Novi Pazarit dhe Tutinit priten të bëhen gërmime vlerësuese gjatë këtij muaji.

    Deponia e plehrave afër fshatit Kozhle në jugperëndim të Serbisë është një nga lokacionet që, sipas autoriteteve të Kosovës, mund t’i fshehë krimet e kryera nga forcat serbe kundër civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998/99.

  • Krasniqi: Ka ardhur koha që BE-ja t’i japë prioritet integrimit të Ballkanit Perëndimor

    Krasniqi: Ka ardhur koha që BE-ja t’i japë prioritet integrimit të Ballkanit Perëndimor

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Ballkani Perëndimor kërkon partneritet të sinqertë me Bashkimin Europian dhe se ka ardhur koha që BE t’i japë prioritet integrimit të rajonit.

    “Ne jemi në një moment kyç, ku vendimet e institucioneve evropiane, por edhe të vetë qeverive tona, do të formsojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor për brezat që do të vijnë. “Ne jemi në një moment kyç, ku vendimet e institucioneve evropiane, por edhe të vetë qeverive tona, do të formsojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor për brezat që do të vijnë”, tha Krasniqi.

    Ai shtoi se “rajoni ynë ka pritur mjaft gjatë në margjinat e procesit të vendimmarrjes në Evropë. Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i japë prioritet integrimit tonë, duke pranuar se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i Evropës është i pandashëm nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”.

    Këto komente Krasniqi i bëri në një seminar në Prizren të organizuar nga Partia Demokratike e Kosovës në bashkëpunim me “Institute of European Democrats” nga Brukseli, me temën “BE – Ballkani Perëndimor: Çka pas zgjedhjeve evropiane?”.

    PDK tha se ky seminar u organizua për të diskutuar marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së pas zgjedhjeve të fundit në BE dhe krijimit të institucioneve të reja të Bashkimit Evropian dhe për të shqyrtuar mundësitë që paraqet ky momentum në procesin e afrimit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

    “Seminari, që po mbahet në Prizren, ka bërë bashkë politikanë dhe anëtarë të shoqërisë civile nga rajoni dhe Evropa, të cilët kanë sjellë ekspertizën e tyre në këtë debat të rëndësishëm për të dy palët”, njoftoi partia.

    Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Institute of European Democrats”, Mikel Burzako, nga Spanja në fjalën e tij hyrëse, theksoi që “zhvillimet dramatike në kontinentin e Evropës, si agresioni rus në Ukrainë, kanë treguar sa i rëndësishëm është integrimi i të gjitha vendeve evropiane në BE dhe sa e rrezikshme është vonesa e BE-së në afrimin e vendeve si shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe ka bërë thirrje që të dyja palët të punojnë që të afrohen sa më shpejtë”.

    Seminari ka vazhduar me panele në të cilën pjesëmarrësit nga rajoni dhe BE-ja kanë diskutuar për atë se çfarë ndryshime për Ballkanin Perëndimor sjellin ndryshimet në institucionet e BE-së, çfarë janë mësimet e mësuara nga procesi i deritashëm i afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çfarë duhet të bëjnë këto vende, por edhe BE-ja, që ky proces të shpejtohet dhe të përmbyllet me sukses, tha partia.

    Pjesë e paneleve diskutuese ishin edhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe anëtari i kryesisë, Bernard Nikaj.

  • Doyle: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë vitin e ardhshëm

    Doyle: Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojë vitin e ardhshëm

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se Prokuroria pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të ardhshëm.

    Doyle ka thënë se në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri më tani 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje, dhe 69 të tjerë me formë shkrimi.

    Ai tutje ka deklaruar se pas dëshmitareve të Prokurorisë, Mbrojtja do të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj, sipas tij, dikur në vitin e ardhshëm.

    “Në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokuroria është duke paraqitur e saj rast e duke thirrur dëshmitarët e saj. Prokuroria ka thënë se synojnë t’i thërrasin dëshmitarët e tyre deri në prill të vitit 2025. Pra, ne jemi në mes të këtij procesi. 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje , dhe 69 të tjerë kanë dëshmuar vetëm në një me formë shkrimi. Kështu që, pasi Prokuroria të përfundojë paraqitjen e rastit të saj, Mbrojtja do ta këtë mundësinë për të kundërshtuar rastin. Presim që dikur vitin e ardhshëm, Mbrojtja të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj”.

    Doyle ka shtuar se një ndër prioritetet e gjykatësve është përshpejtimi i procesit gjykues, ndërsa ka thënë se zvogëlimi i listës së dëshmitarëvë të Porkurorisë, për disa herë tashmë, është pozitiv për procesin.

    “Një prej punëve kryesore të trupit gjykues është që procedurat janë të drejta dhe të shpejta. Kjo përfshin edhe dhënien e afateve kohore, për të cilat Prokuroria ka thënë se ju nevojitet kohë deri në prill të vitit 2025. Gjyqtarët po mundohem që gjykimi të përshpejtohet dhe duke i kërkuar Prokurorisë që ta shpejtojnë rastin sa më shumë që është e mundur, prandaj ka edhe zvogëlim të numrit të dëshmitarëve”, ka thënë ai.

    Tutje, ai ka thënë se njerëzit ta kuptojnë se Dhomat të Specializuara të Kosovës në Hagë janë krijuar për krimet e akuzuara brenda juridiksionit, si pjesë e sundimit të ligjit të Kosovës, ku ka disa pika kontrolli dhe balanci.

    Si dëshmi për këtë, ai e ka marrë apelin e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës. Siç ka thënë ai për Ekonomia Online, në rastin e Mustafës, të cilit i’u zbrit dënimi nga 26 në 15 vjet, “e kemi parë se sistemi i gjykimit këtu është i njëjtë si me atë të Kosovës”

    “Në rastin e Pjetër Shalës, i cili është dënuar për krime lufte arbitrare, torture dhe vrasje, dhe i dënuar me 18 vjet burgim, dënim të cilin e ka apeluar. Shala është dënuar për disa ngjarje në një fabrikë metalesh në Kukës të Shqipërisë, për tortura dhe vrasje, në një qendër paraburgimi, kundër shqiptarëve dhe serbëve që kanë dalë kundër UCK-së. Ky është verdikti i parë, të cilin ai e ka apeluar”.

    “Fokusi është që njerëzit ta kuptojnë se Dhomat të Specializuara të Kosovës në Hagë janë krijuar për krimet e akuzuara brenda juridiksionit, si pjesë e sundimit të ligjit të Kosovës. Pra, mënyra se si funksionon është se Prokuroria​ sjell akuzat kundër dikujt për lufte krime, krime kundër njerëzimi apo ndërhyrje dëshmitare dhe pastaj gjyqtarët kanë fokusi të sigurojnë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë”.

    “E pamë në rastin e Salih Mustafës, se sistemi i gjykimit këtu është i njëjtë si me atë të Kosovës, ku ka disa pika kontrolli dhe balanci. Në rastin e Mustafës, trupi gjykues i ka shqiptuar një dënim prej 26 vjetësh burgim, pastaj në apel u tha se ky dënim nuk është në përputhje me dënimet e llojit të njëjtë dhe dënimi u ul në 22 vjet. Pas një apelimi tjetër në Gjykatës Supreme, u gjet se Dhoma e Apelit e kishte anashkaluar një hap në arritjen e vendimit të tyre që duhej të konsideronin një dënim më të butë. Tani, Mustafës i është dhënë një dënim edhe më i vogël, prej 15 vjetësh. Kështu që mendoj se ​është vërtetë e rëndësishme për t’u theksuar se gjyqtarët janë aty për të marrë çështjet që vijnë nga Prokuroria dhe të sigurojnë gjykime të drejta”, ka përfunduar Doyle.

  • “Kosova, Kosova…” – Momenti kur ushtarët amerikanë brohorasin dhe e mirëpresin presidenten Osmani

    “Kosova, Kosova…” – Momenti kur ushtarët amerikanë brohorasin dhe e mirëpresin presidenten Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar pamje të reja nga mikpritja e përzemërt që I kanë bërë ushtarët dhe kadetët amerikanë në West Point, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në videon e publikuar në porfilin zyrtar të presidentes në Facebook,  shihen dhe dëgjohen kadetët dhe ushtarët amerikanë duke brohoritur ”Kosova, Kosova, Kosova” dhe duke e duartrokitur Osmanin para dhe pas fjalimit të saj.

     “Jam këtu në emër të një kombi mirënjohës, Republikës së Kosovës, shteti më pro-amerikan në Tokë”, është shprehur presidentja e Kosovës para ushtarëve dhe kadetëve në West Point.

    Në mbishkrimin e videos së publikuar, mikpritjen nga ushtarët në West Point presidentja Osmani e ka cilësuar si ‘madhështore’.

  • Vrasja e 40-vjeçarit në Mitrovicë/ Policia po punon në identifikimin e të dyshuarit, as motivi ende s’dihet

    Vrasja e 40-vjeçarit në Mitrovicë/ Policia po punon në identifikimin e të dyshuarit, as motivi ende s’dihet

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    F. Z, i cili u plagos në mëngjesin e së premtes në Mitrovicë, ka vdekur në QKUK.

    Siç ka konfirmuar zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu, ekipi mjekësor ka bërë përpjekje maksimale për ta shpëtuar atë, por F.Z. nuk ia doli t’iu mbijetojë plagëve.

    Në anën tjetër, Gëzim Berisha, ushtrues detyre i drejtorit në spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, tha se pacienti është pranuar i lënduar me armë zjarri dhe me dy plagë në gjoks.

    “Sot në orën 09:45 në emergjencën e spitalit të Mitrovicës është sjellë një pacient i lënduar me armë zjarri me dy plagë në gjoks. I kemi marrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore dhe pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, pacienti është udhëzuar në QKUK për trajtimin e tij…”, tha Berisha.

    F.Z. u plagos te tregu i Gjelbër në Mitrovicë dhe, sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 10.

    “Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës F. Z., 45 vjeç, i cili fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicës, më pas ishte dërguar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës. Ndërsa, rreth orës 12:00 nga SHSKUK-ja është raportuar se i plagosuri viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion.

    Prokuroria, ndërkaq, njoftoi se si prova materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar gjashtë gëzhoja. “Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit në drejtim të identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarit”, thuhet në njoftim.

    Por, për rastin ka dëshmitar, i cili tha se pak ka parë nga ngjarja, sepse gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.

    Viktima, siç kupton ATV-ja, është nga fshati Vinarc i Mitrovicës. I dyshuari për sulmin ende ndodhet në arrati, ndërkaq as motivi për këtë vrasje nuk dihet./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: