ATV

Tag: Ballina

  • ​Nderohet heroi Afrim Bunjaku

    ​Nderohet heroi Afrim Bunjaku

    Në shënimin e një vjetorit të rënies së heroit, policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca dhe ministrin e punëve të brendshme Xhelal Sveçlën kanë vizituar familjen e tij.

    Pas vizitës, krerët e shtetit bënë homazhe para varrit të tij në varrezat e Samadrexhës në Vushtrri.

    Të pranishëm ishin edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, ambasadori i Amerikës në Prishtinë, Jeffery Hovenier, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, djali i Bunjakut dhe të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

    Afrim Bunjaku u vra në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit të vitit 2023, në Banjskë nga grupi terrorist i drejtuar nga Milan Radojçiq.

    Pas një viti, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për 45 të pandehurit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë sulm terroristë. /kp

  • ​Kurti arrin në familjen e heroit Afrim Bunjaku

    ​Kurti arrin në familjen e heroit Afrim Bunjaku

    Nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, organizohen aktivitete për shënimin e njëvjetorit të rënies së heroit Afrim Bunjaku.

    Ai aktualisht po viziton familjen e heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë dhe më pas do të bëjë homazhe dhe vendos kurora me lule.

    Gjithashtu do të bëhet edhe i dhe përurimi i rregullimit të pllakës dhe varrit të heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë.

  • Kurti: Kurrë s’e harrojmë sakrificën e heroit Bunjaku, humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin e integritetin

    Kurti: Kurrë s’e harrojmë sakrificën e heroit Bunjaku, humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin e integritetin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ka rikujtuar heroin Afrim Bunjaku.

    Kurti tha se rreshteri Bunjaku humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

    “Në mbledhjen e 221-të të Qeverisë, ndër vendimet tona kryesore ishte emërtimi i Rrugës Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”. Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.

  • Sot mbahen homazhe e akademi përkujtimore në përvjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut

    Sot mbahen homazhe e akademi përkujtimore në përvjetorin e vrasjes së Afrim Bunjakut

    Sot janë bërë një vit nga rënie heroike e rreshterit, Afrim Bunjakut në Banjskë të Zveçanit.

    Për nder të heroit dhe nën patronatin e Kryeministrit, Albin Kurti do të mbahet Akademi Përkujtimore në Prishtinë, duke filluar nga ora 15:00.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të nisë në orën 09:00, ku do të vizitohet familja e heroit Bunjaku.

    Ndërsa në orën 09:30 do të ketë homazhe te varri i Bunjakut.

    Rreshteri Afrim Bunjaku është vrarë më 24 shtator të 2023-s nga grupe të armatosura serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit, në një sulm terrorist.

     

  • Seanca e Kuvendit caktohet për të enjten

    Seanca e Kuvendit caktohet për të enjten

    Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten, më 26 shtator.

    Në rend të ditës janë në shqyrtim pikat nga seancat e kaluara, ku përfshihet edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

    Për këto të fundit, shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila u shpreh optimiste se do të miratohen.

    Krahas kësaj, ajo tha se Kosova është në pritje të skanerëve për skanimin e mallrave, në kuadër të masave të sigurisë ndaj produkteve serbe.

    Për këto masa, Kusari-Lila tha se qeveria po punon për modalitet për zgjidhjen e këtij problemi, pas presionit gjerman.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se do të kërkojnë në seancat e radhës shkarkimin e bordit të RTK-së.

    Ai kritikoi edhe qeverinë për izolim të Kosovës.

  • Sarrazin: Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe

    Sarrazin: Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe

    Ndërsa Gjermania përgatitet të presë samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, duke shënuar dhjetëvjetorin e platformës së lidhur me BE-në për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, i dërguari gjerman në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka vizituar Kosovën dy herë në një misioni për të sqaruar problemet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.

    Në një interivstë për Balkan Insight, Sarrazin ja thënë se Kosova rrezikon izolim më të thellë për shkak të ndalimit të importeve serbe

    “Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon të ndalojë importet serbe”. Kështu ka thënë i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.

    Më 5 shtator, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se Sarrazin, në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një afati të shkurtër kohor, i kishte kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të heqë ndalimin e vendosur në qershor 2023 për importin e produkteve të vendit. Origjina serbe, për të cilën Sarrazin thotë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe po pengon CEFTA-n.

    “Në këmbim të heqjes së ndalimit, Kosova nuk do të përfaqësohej më zyrtarisht në kuadër të CEFTA-s nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do të përfaqësohej vetë”.

    Megjithatë, emri i saj do të shkruhej si Kosovë*, që të çonte në një fusnotë ku thuhet se statusi i Kosovës ende nuk është zgjidhur përfundimisht sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur atë si shtet të pavarur.

  • ​Sot caktohet seanca e radhës e Kuvendit, shqyrtohen kryesisht pikat e papërfunduara

    ​Sot caktohet seanca e radhës e Kuvendit, shqyrtohen kryesisht pikat e papërfunduara

    Kryesia e Kuvendit të Kosovës mban mbledhjen e radhës në të cilën janë paraparë të shqyrtohen 27 pika të rendit të ditës, të papërfunduara nga seancat e kaluara, si dhe nëntë pika të reja të seancës së radhës.

    Në mbledhjen e sotme e cila nisë në orën 11:00, do të shqyrtohen edhe propozimet dhe kërkesat e tjera.

    Mbledhja e Kryesisë

    Rendi i ditës

    I. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 28 mars 2024:

    1. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimeve të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore.

    II. Seanca plenare e shtyrë nga data e paraparë që të mbahet më 24 maj 2024:

    1. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje.

    III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 12 shtator 2024:

    1. Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

    5. Emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

    6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

    7. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,

    8. Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,

    9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

    10. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,

    11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,

    12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,

    13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,

    14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

    15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

    16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,

    17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,

    18. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,

    19. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

    20. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,

    21. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

    22. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,

    23. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,

    24. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,

    25. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,

    26. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,

    27. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,

    28. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

    IV. Propozimi i rendit të ditës për Seancën plenare të radhës:

    1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

    2. Pyetjet parlamentare,

    3. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-288 për mbrojtjen e konsumatorit,

    4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-295 për kripto-asetet,

    5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,

    6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm,

    7. Votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti,

    8. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,

    9. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre (3) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar.

    V. Shqyrtimi i propozimeve dhe i kërkesave

    Vendi: C301

    Koha: 11:00

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-24 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare”, thuhet në njofitm.

  • Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë?

    Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë?

    Friedrich Merz, lideri i CDU-së (Unionit Kristian Demokrat), ka pasur një rrugëtim të vështirë dhe të mbushur me pengesa në ambiciet e tij për të arritur postin e kancelarit të Gjermanisë.

    Sipas një artikulli nga prestigjiozja “The Economist”, ambiciet e Friedrich Merz për të arritur pozitat e larta politike janë penguar vazhdimisht nga situata, rivalë, apo edhe nga vetë ai.

    Pas mbështetjes së rëndësishme nga Markus Söder, lideri i CSU-së (Unionit Kristian Social) të Bavarisë, Merz duket se tani ka një mundësi reale për të realizuar këtë qëllim.

    “Për mbështetësit e Merz, dorëzimi i qetë i Söder, një vit para zgjedhjeve, flet për evoluimin e aftësive politike të tij”, thekson “The Economist”.

    Megjithatë, rruga e Merz ka qenë e mbushur me vështirësi.

    Pas fillimeve të tij të suksesshme në politikë, ai u përball me një goditje të rëndë kur Angela Merkel, liderja e re e CDU-së, e hoqi nga posti i tij në vitin 2002.

    Pas kësaj, ai u tërhoq nga politika për një karrierë të suksesshme në botën juridike të korporatave.

    Rikthimi i tij në politikë në vitin 2018, kur kandidoi për lider të CDU-së pas dorëheqjes së Merkelit, e vendosi atë në qendër të vëmendjes.

    Megjithatë, ai humbi ndaj Annegret Kramp-Karrenbauer, dhe pas një periudhe të vështirë, arriti të merrte postin e liderit të CDU-së në janar 2022.

    “Pas dështimeve të Kramp-Karrenbauer dhe një humbjeje katastrofike të Armin Laschet në zgjedhjet e vitit 2021, kjo ishte hera e tretë me fat për Merz”, shkruan “The Economist”.

    Që nga atëherë, Merz është përpjekur të balancojë qëndrimet e moderuara me ato më konservatore brenda partisë.

    Ai ka pasur disa momentet problematike, siç ishte komenti i tij mbi refugjatët dhe vizitat e tyre te dentisti, që ngjalli polemika.

    Pavarësisht kësaj, ai është ri-zgjedhur lehtësisht si lider i CDU-së në maj të këtij viti, dhe partia duket se është e bashkuar përballë një qeverie jo të pëlqyeshme nën udhëheqjen e Olaf Scholz.

    Merz tani përqendrohet në çështjet ekonomike, duke kritikuar qeverinë për menaxhimin e dobët të emigracionit dhe duke theksuar nevojën për të ndihmuar industrinë gjermane, veçanërisht automobilat, duke luftuar propozimet e BE-së për t’i dhënë fund motorëve me djegie të brendshme.

    Ai shpreh mbështetje për NATO-n dhe ka kritikuar Scholz për refuzimin e dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë.

    Megjithatë, sfidat e Merz janë të shumta.

    Sondazhet tregojnë se, pavarësisht përmirësimit të CDU-së në krahasim me qeverinë aktuale, shumë gjermanë nuk e shohin si një kandidat më tërheqës për kancelar sesa Scholz.

    Një përqindje e konsiderueshme e votuesve të tij nuk e mbështesin dhe ai ka përballë një opinion të dobët mes grave dhe votuesve më të rinj.

    Gjithashtu, Merz do të duhet të përballet me ndarjet brenda partisë, sidomos në lidhje me partneritetet e mundshme me partitë e tjera.

    Disa anëtarë të CDU-së kanë një antipati të fortë ndaj të Gjelbërve, partnerët e Scholz, por Merz mund të ketë nevojë për ata për të formuar një qeveri.

    Pavarësisht sfidave të shumta, rruga e Merz drejt kancelarisë mbetet interesante.

    Ndonëse ka arritur të konsolidojë mbështetje, ai duhet të tregojë se është i gatshëm për të përballuar sfidat e ardhshme dhe të fitojë besimin e një elektorati të ndryshëm.

    Koha do të tregojë nëse ai do të arrijë të realizojë ambiciet e tij.

    Sipas “The Economist”, ndonëse pak e prisnin që ai të arrinte kaq larg, prova më të vështira e presin ende Merz.

  • Alarmi “taktik” i Kurtit për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia, deklarohet edhe KFOR-i

    Alarmi “taktik” i Kurtit për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia, deklarohet edhe KFOR-i

    Përkundër bisedimeve me vite, Kosova dhe Serbia duket se nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ato jo vetëm që e kanë të vështirë të komunikojnë, por akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën se nuk duan paqe.

    Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, autoritetet e Kosovës ushtrojnë “dhunë” ndaj komunitetit serb në veri, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Me “lëvizjet arrogante dhe ilegale, Prishtina rrezikon sigurinë e popullatës serbe”, ka thënë ai, kur Kosova ka mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në veri të vendit.

    Brenda një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vërejtjen së paku dy herë për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia.

    I pyetur nga gazetarët më 17 shtator se si i komenton disa kërkesa të Vuçiqit për serbët e veriut që të riintegrohen në institucionet e Kosovës, Kurti ka thënë se ato “nuk janë racionale”.

    “[Kërkesat e Vuçiqit] nuk janë aspak paqësore, por, përkundrazi, janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja, të cilat padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë, as askund”, ka thënë Kurti.

    Katër ditë përpara kësaj deklarate, Kurti ka bërë një paralajmërim të ngjashëm edhe përmes llogarisë së tij në Facebook, ku ka siguruar, po ashtu, se Kosova është e gatshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

    “Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës… Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

    Në frymë të ngjashme është shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, sipas saj, “assesi” nuk duhet pasur frikë nga Vuçiqi.

    Me armatimin që ka blerë Kosova dhe me forcimin e përditshëm të institucioneve të sigurisë, “ne jemi shumë më të fortë seç kemi qenë më parë”, ka thënë Osmani më 17 shtator në një adresim para gazetarëve.

    Më 24 të këtij muaji bëhet saktësisht një vit që kur një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë afër Zveçanit dhe ka vrarë një polic. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin, thuhet se “grupi, përmes përdorimit të armëve të rënda, ka tentuar ta ndante pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe t’ia bashkonte atë territorit të Republikës së Serbisë”.

    Kurti dhe Osmani, në disa deklarime, e kanë fajësuar direkt udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin, edhe pse ajo e ka mohuar.

    Serbia karakterizohet si “kërcënim kryesor” për sigurinë e Kosovës edhe në Strategjinë e vendit për Sigurinë, për vitet 2022-2027.

    Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

    I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, KFOR-i thotë se situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë.

    “Misioni ynë ka një prani të dukshme dhe fleksibile, si dhe është i dislokuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja. Është e rëndësishme të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione të panevojshme”, thotë një zëdhënës i misionit.

    Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, kujton se KFOR-i, pas sulmit në Banjskë, e ka rritur praninë në Kosovë dhe kjo, sipas tij, ka dhënë “shumë mësime për sigurinë”.

    Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Shea thotë se është e rëndësishme që palët të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Mendoj se nuk është në rregull të flitet për kërcënime ushtarake. Unë nuk shoh ndonjë tension të veçantë në kufi. Serbia nuk i ka shtuar trupat e saj në kufi. KFOR-i e ka rritur po ashtu praninë në veri të Kosovës, pas sulmit të vitit të kaluar në Banjskë. Pra, marrëveshjet e sigurisë janë të qarta. Unë mendoj se duhet të ndalojmë së foluri për kërcënime dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, thotë Shea.

    Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, vlerëson po ashtu se situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Sipas tij, sulmi në Banjskë ka qenë “zile zgjimi” për rrezikun që mund t’i kanoset veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Për rrjedhojë, thotë Prelec, është rritur edhe bashkëpunimi mes KFOR-it, por edhe SHBA-së dhe Britanisë me Kosovën, për të gjurmuar dhe parandaluar aktivitetet ushtarake.

    “Ky lloj i deklaratave [të Kurtit] duhet të merret si përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe për të fituar simpatinë ndërkombëtare. Shumica e aleatëve perëndimorë janë të shqetësuar me Rusinë. Dhe për Kurtin, çfarëdo që mund të bëjë për t’u rreshtuar me Perëndimin dhe për ta nxjerrë Serbinë si proruse, duket se ka kuptim”, thotë Prelec.

    Rusia e mbështet fuqishëm Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa edhe vetë e konsideron si “gabim”. Ajo shpesh akuzohet për aktivitete që ndikojnë gjeopolitikën në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor.

    Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Kosova nuk është imune ndaj ndikimit rus.

    Sipas saj, Rusia, përmes propagandës, lajmeve të rreme, mbështetjes për figura të caktuara qoftë në Serbi, apo në Republikën Sërpska, arrin të depërtojë në Kosovë, në një mënyrë ose tjetër.

    “Frika për eskalimin e situatës është rritur në tre vjetët e fundit, për dy arsye. E para është lufta e plotë që ka nisur Rusia në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe e dyta ka të bëjë me aktin terrorist në Banjskë, vitin e kaluar”.

    “Kur e dimë që zëvendëskryeministri i Serbisë [Aleksandar] Vulin takohet me [presidentin rus, Vladimir] Putin dhe me udhëheqësit e tjerë të Federatës Ruse dhe i dimë edhe aspiratat ekspancioniste dhe hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, atëherë frika për eskalim sigurisht se ekziston”, thotë Loshaj.

    Ish-zyrtari i NATO-s, Shea, pranon se Rusia luan rol negativ në rajon, sidomos përmes dezinformimit. Sipas tij, Rusia i shfrytëzon tensionet, andaj mënyra më e mirë për të reduktuar ndikimin e saj, është ulja e tensioneve, duke i zbatuar marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Planin e Serbisë për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, e që ka shkaktuar habinë e disave, Shea nuk e sheh si diçka që do t’i rriste kërcënimet në rajonin e Ballkanit, ku tensionet mbeten të larta që nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë në vitet 1990.

    “Rekrutët do të shërbejnë vetëm për 75 ditë. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme për t’u dhënë atyre ndonjë trajnim serioz ushtarak. Duket se ky rekrutim është më shumë pasojë e pamundësisë për të rekrutuar ushtarë profesionistë në Serbi”.

    “Rreth 12.000 ushtarë profesionistë serbë janë larguar nga forcat e armatosura gjatë dekadave të fundit, për shkak të pagave të dobëta, kushteve të këqija, pajisjeve të dobëta e të tjera. Pra, duket më shumë si përpjekje për të kompensuar rënien e numrit të profesionistëve”, thotë Shea.

    Serbia e ka hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, por Vuçiq ka miratuar rikthimin e tij më 14 shtator. Kroacia fqinje ka njoftuar, po ashtu, se nisur nga 1 janari i vitit 2025 do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se qëllim i tyre, mesa duket, është të paraqesin imazhin e një mbrojtjeje të fortë kombëtare.

    Por, përderisa NATO-ja është aq e pranishme në rajon, është vështirë të imagjinohet ndonjë konflikt i drejtpërdrejtë, sipas tij. Megjithatë, shton se gjërat mund të bëhen më të komplikuara në një afat më të gjatë.

    Për të shmangur rrezikun e tillë, Loshaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se përpjekjet e Kosovës dhe të aleatëve të saj perëndimorë duhet të bashkërendohen.

    Së paku, BE-ja ia ka bërë të qartë edhe Kosovës, edhe Serbisë se integrimi që synojnë në këtë organizatë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve. Por, derisa tensionet mes tyre ziejnë, përparimi duket si një ëndërr e largët.

    Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 30 gusht se shoqëritë në këto dy vende nuk janë ende gati për normalizimin.

    E, me fjalët e Jamie Sheas, “gjërat mund të lëvizin vetëm me mega-presion ndërkombëtar. Ballkani Perëndimor nuk ka dinamikë autonome”.