ATV

Tag: Ballina

  • Në prag të njëvjetorit nga sulmi në Banjskë – Mbyllet Manastiri i fshatit, nga Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit thanë se u bë për shkaqe sigurie

    Në prag të njëvjetorit nga sulmi në Banjskë – Mbyllet Manastiri i fshatit, nga Dioqeza e Rashkës dhe e Prizrenit thanë se u bë për shkaqe sigurie

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Qetë ishte në Banjskë, të premten e 20 shtatorit.

    Katër ditë para shënimit të njëvjetorit të sulmit terrorist në këtë fshat të Zveçanit, Manastiri ka mbyllur dyert për banorët dhe për vizitorët.

    Manastiri s’do të hapet deri më 26 shtator me vendim të Dioqezës së Rashkës dhe e të Prizrenit, për shkak të siç u tha, sigurisë dhe ruajtjes së paqes.

    Përveç armatimit, brenda manastirit të dielën e 24 shtatorit të 2023-s kishin mbetur edhe disa pelegrinë.

    Rrugëve të këtij fshati tani vërehen pak lëvizje të banorëve, e një numër i vogël ditën e kalojnë nëpër kafene. Ata hezitojnë të flasin për sigurinë, por thonë se për shkak të situatës banorët po e braktisin.

    Por, situata vlerësohet të jetë e qetë dhe njësitë e Policisë që kishin qëndruar gjatë muajve pas sulmit, nuk shihen më në fshat, përveç te Posta e Kosovës, që u hap së fundi.

    Më 24 shtator të vitit të kaluar në këtë rrugë që shpie drejt Manastirit mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe dy të tjerë u plagosën, nga një grup i organizuar terrorist, i udhëhequr nga Milan Radojicic, që sulmuan Policinë e Kosovës.

    Ndaj tij dhe 44 personave të tjerë, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë javën e kaluar.

    Sipas Prokurorisë, ky grup kishte për qëllim ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Kosovës, dhe komunat e banuara me shumicë serbe t’ia bashkojë Serbisë.”

    Në aktakuzë përshkruhet ndër të tjera se konfrontimet kanë zgjatur disa orë dhe se zyrtarët policorë e kanë pasur të mundur t’i përgjigjen sulmit efektivisht deri në fund, pas ardhjes së njësive shtesë.

    Nga konfrontimet e armatosura, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Qeveria premtoi 400 inspektorë të punës por institucioni punon me pak më shumë se 60

    Qeveria premtoi 400 inspektorë të punës por institucioni punon me pak më shumë se 60

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    “Do të jemi qeveri për punëtorin”.

    Me këtë premtim për t’u siguruar se të drejtat e punëtorëve respektohen, kryeministri Albin Kurti tha se do të angazhohen deri në 400 inspektorë të punës.

    Por pak para përfundimit të mandatit, Inspektorati i Punës vazhdon të operojë me vetëm 64 inspektorë. Andaj nga sindikatat që mbron të drejtat e punëtorëve, thonë se asgjë nuk ka ndryshuar në të mirë të tyre.

    “Nuk ka asgjë të bëjë me realitetin, është thënë që do të bëhen 400 inspektorë të punës, por deri tash kemi vetëm 64 inspektorë, dhe mund të themi se nuk ka ndryshuar asgjë në gjendjen e punëtorëve në lehtësinë apo zbatueshmërinë e ligjit të punës”, tha kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve Privatë, Jusuf Azemi.

    Megjithatë, më shumë inspektorë se që ishin u bënë ndërkohë, por ende shumë larg nga numri që e premtoi kryeministri.

    Me këto kapacitete që janë, Inspektorati i Punës megjithatë pohon se po e bën maksimumin e përpjekjeve.

    “Sigurisht kjo është si rezultat i afro katërfishimit të numrit të inspektimeve, katërfishimit të numrit të inspektorëve në terren dhe dyfishimit të inspektorëve të punës që ka ndodhur vitin e kaluar”, deklaroi kryeinspektori i punës, Hekuran Nikçi.

    Numri i inspektorëve, megjithatë, mund të dyfishohet prapë, meqë tashmë është hapur konkurs i ri për pranimin edhe të 60 inspektorëve të tjerë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ministria e Arsimit nuk ka koment për “Prindi 1 “dhe “Prindi 2”

    Ministria e Arsimit nuk ka koment për “Prindi 1 “dhe “Prindi 2”

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Kaluan disa ditë prejse është publikuar një dokument nëpër shkollat e kryeqytetit me emër “Marrëveshja e shkollës me Prindërit”, në të cilin figuronin emërtimet prindi 1 dhe prindi 2.
    Por as pas kësaj kohe, Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ndaj dokumentit që ngjalli shumë debat në opinionin publik.

    Reagime për tërheqjen apo jo të dokumentit nuk pati as nga Drejtoria Komunale e Arsimit, edhe pse ATV-ja adresoi pyetje te zyra për informim në Komunën e Prishtinës.

    Sidoqoftë, një sqarim për dokumentin Drejtoria e Arsimit ua dha prindërve.

    “Nga DKA na është thënë, se ka pasë hezitime se cili me kanë i pari e cili i dyti, por konsideroj që Kodi Civil është e rregulluar kjo, ku shkruhet amësia pra e para nëna e atësia e dyta, babai”, tha Fisnik Dërguti nga Këshilli i Prindërve në Prishtinë.

    Megjithatë, kërkesa mbetet e pandryshuar.

    “Drejtoreshës së Arsimit ia kam komentuar reagimin e prindërve dhe iu kam kërkuar që të tërhiqet dokumenti, në mënyrë që ta përmirësojnë”, deklaroi tutje Dërguti.

    Dokumenti në fjalë përmban vetëm rregullat e shkollës, përfshirë kodin e sjelljes, sigurinë dhe ruajtjen e inventarit dhe nuk i referohet familjes në asnjë formë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Dejona Mihali intervistohet në Prokurorinë Speciale për disa çështje penale

    Dejona Mihali intervistohet në Prokurorinë Speciale për disa çështje penale

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Mëngjesin e së premtes, koordinatorja për komitete e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, nuk e nisi në zyrën e partisë, por në Prokurorinë Speciale.

    Intervistimi i saj në cilësinë e dëshmitares filloi në orën 09:30.

    Derisa zyrtarja e partisë në pushtet po përgjigjej në pyetjet e hetuesve, nga ky institucion deklaruan se intervistimi ka të bëjë me disa çështje penale të cilat po hetohen.

    “Prokuroria Speciale informon se Dejona Mihali është paraqitur në Prokurorinë Speciale, me ftesë të kësaj Prokurorie. Mihali është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo Prokurori i ka në hetim”, deklaruan nga PSRK-ja.

    Pas afro katër orëve, Mihali doli. Në pyetjet nëse intervistimi kishte të bënte me Nagip Krasniqin, i cili po hetohet nga ky institucion, refuzoi të përgjigjej.

    Por, në largim e sipër, fare shkurt tha se thirrjes së Prokurorisë i është përgjigjur me qëllimin që të zbardhet e vërteta.

    “Kam ardhur për zbardhjen e së vërtetës. Punë të mbarë…”, deklaroi shkurt ajo.

    Së fundmi, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka filluar gjykimi ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, parti në të cilën Mihali që nga viti 2016 e ushtron pozitën e koordinatores për komitete./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pjetër Shala ankohet për përkthimin: Nuk e di si jam dënuar

    Pjetër Shala ankohet për përkthimin: Nuk e di si jam dënuar

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    Me dënimin e shkallës së parë prej 18 vjetësh burgim, Pjetër Shala i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale, nuk po pajtohet.

    Megjithatë, në seancën e Apelit, Shala deklaroi se e ka të pamundur t’i shprehë kundërshtimet lidhur me vendimin dënues, meqë ende nuk e ka pranuar aktgjykimin në gjuhën shqipe.

    “Tani unë akoma nuk e kam as aktvendimin e përkthyer. Unë nuk e di si do të ankohemi, bëjmë ankesën kur unë nuk e di se në çfarë mënyrë dënohem. Më jepet aktvendimi, dënohem për vrasje që nuk kam vra kurrë në jetën time. Ma shpjegojnë avokatët e unë nuk muj me besu përderisa nuk e kam zyrtarisht në mënyrë zyrtare, para vetes ta lexoj dhe kuptoj se për çka jam i dënuar dhe nuk e di si kam mundësi që të punoj me avokatët dhe të bëjmë ankesa kur akoma nuk e kam të përkthyer”, tha Shala.

    Përveç kësaj, ish-komandanti i UÇK-së, që në luftë njihej me nofkën Ujku, shtoi se në transkriptimin e 16 korrikut ditës kur edhe u dënua, ka gjetur fjali që i janë ndryshuar, sipas tij, me qëllim.

    “Vetëm për tri ditë gjetëm mbi 213 fjalë të ndryshuara, jo gabimisht të përkthyera, por të ndryshuara. Dhe unë nuk e kam akoma në gjuhën shqipe rrjedhën si ka rrjedhë gjykimi im, prej fillimi deri në ato tri ditët e fundit. Nuk e kam pasur vëmendjen se nuk ma ka marrë mendja se bëhen gabime të tilla, që të ndryshohet fjala. Mirëpo, me 15, 16 dhe 17 e keni të vërtetuar se ka 230 gabime, ndryshime, fjalë se nuk janë gabime, por ndryshime të fjalive që ia humb të gjithë kuptimin e gjithçkafit”, shtoi tutje ai.

    Sidoqoftë, avokati i Shalës paralajmëroi edhe ankesë andaj aktgjykimit dhe urdhrit për zhdëmtim të viktimave.

    “Sa i përket çështjes së urdhrit për zhdëmtim dhe një Apel të mundshëm lidhur me këtë çështje, ju e dini që trupi gjykues e ka dënuar z. Shala në shkallë të parë dhe ka mbajtur juridiksionin, lidhur me çështjen e urdhrit për zhdëmtimin që pritet në javët dhe muajt në vazhdim. Ne, po tregojmë që nuk jemi dakord me këtë aktgjykim dhe do të ngremë Apel edhe ndaj urdhrit për zhdëmtim. Ligji edhe Rregullorja na kanë bërë të mundur dhe do të dëshironim që ju z. Gjykatës të na konfirmoni apo jo se mënyra se si interpretojmë ligjin, nenin 44 të tij, ajo sugjeron që çështjet e zhdëmtimit është e ngjashme apo pjesë e dhënies së masës për caktimin e masës së dënimit”, foli avokati i Shalës.

    Por, kjo kërkesë sipas kryetares së apelit po bëhet para kohe, meqë, sipas saj, ende nuk ka urdhër për zhdëmtim. Me këtë deklarim të kryetares, u pajtua edhe mbrojtësi i viktimave, i cili sugjeroi që kërkesa të bëhet me shkrim.

    Pjetër Shala më 16 korrik është shpallur fajtor për krime lufte dhe u dënua me 18 vjet burgim. Ai akuzohet se në një fabrikë metalike në Kukës gjatë luftës, mes 17 majit dhe 5 qershorit të 1999, kreu veprat penale të ndalimit arbitrar, torturës dhe atë të vrasjes së paligjshme.

    Pikërisht Gjykata e Apelit në të cilën Shala do t’i deponojë ankesat, Salih Mustafës ia ka ulur dënimin e shkallës së parë nga 26 në 15 vjet burgim./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Dejona Mihali përfundon dëshminë në Prokurorinë Speciale, nuk pranon të deklarohet

    Dejona Mihali përfundon dëshminë në Prokurorinë Speciale, nuk pranon të deklarohet

    Koordinatorja e Komiteteve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, e ka përfunduar intervistimin në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

    Pas intervistimit, ajo doli e buzëqeshur, por që nuk pranoi të deklarohet para gazetarëve në lidhje me ftesën e Prokurorisë.

    Nga Prokuroria Speciale e kanë konfirmuar se Mihali është intervistuar në cilësinë e dëshmitares “për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim”.

     

  • Vdes në QKUK personi që u plagos sot në Mitrovicë

    Vdes në QKUK personi që u plagos sot në Mitrovicë

    Ka vdekur në QKUK personi që u plagos sot në Mitrovicë.

    Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla.

    “Po, mund të ju konfirmoj se personi i plagosur, nuk ka arritur që t’iu mbijetojë plagëve”, tha Syla.

    LEXONI EDHE:

    “U qëllua me 6 plumba prapa shpinës…” – detaje për incidentin e rëndë në Mitrovicë

  • “U qëllua me 6 plumba prapa shpinës…” – detaje për incidentin e rëndë në Mitrovicë

    “U qëllua me 6 plumba prapa shpinës…” – detaje për incidentin e rëndë në Mitrovicë

    Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri mëngjesin e sotëm ne Mitrovicë dhe i njëjti është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.

    Ish-kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka dhënë detaje për këtë incident.

    “Më indinjatë të thellë mora lajmin shokues për incidentin e rëndë që ndodhi sot në Mitrovicë, ku qytetari F. Zeqiri (40 vjeç) nga Vinarci, mbeti i plagosur rëndë pas të shtënave me armë ku u shkrepën 6 plumba në drejtim të tij.

    Ky akt, ndodhi prapa shpinës së tij, dhe gjendja e tij ani pse e rëndë po vazhdon të monitorohet vazhdimisht nga emergjenca e QKUK-së.

    Të plagosurit i uroj shërim të shpejt, ndërsa solidarizohemi me familjen e tij, dhe jemi afër tyre në këto momente të vështira.

    Aktet e tilla janë të turpshme dhe nuk i kontribuojnë të mirës së vendit, andaj dënoj ashpër këtë akt mizor, i cili është bërë nga persona të paguximshëm që gjuajnë prapa shpinës.” – ka njoftuar Bahtiri.

    E konfirmon Policia: Personi i plagosur në Mitrovicë dërgohet në spital

  • Rama në Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”: Interesimi është i madh, duhet mbështetje edhe nga niveli qendror

    Rama në Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”: Interesimi është i madh, duhet mbështetje edhe nga niveli qendror

    Komuna e Prishtinës ka organizuar të premten Konferencën e Dytë për Investitorë “Prishtina 2030”, ku u prezantuan projekte infrastrukturore për transformimin e Kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

    E për ta bërë këtë transformim, niveli lokal kërkoi mbështetje edhe të nivelit qendror, pasi interesimi i investitorëve është i madh.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, tha se prezantimi i projekteve të transformimit janë të nevojshme dhe ka pasur interes të madh të investitorëve vendor dhe të huaj.

    Po ashtu, për te gjitha këto projekte te mëdha, Rama tha se do te duhet edhe mbështetje nga niveli qendror për të mirën e qytetarëve.

    “Është një ditë monumentale për kryeqytetin. Para nëntë muajve kemi pasur konferencën e parë ku kryeqyteti ka prezantuar projektet e transformimit të cilat janë të nevojshme. Kemi pasur shumë interes të investitorëve vendor dhe nga jashtë te cilët kanë treguar gatishmërinë e tyre. Kemi dashur te gjitha këto projekt-propozime të prezantohen sa më mirë. Kemi arritur me tërheq vëmendjen dhe me ngrit një besim që në kryeqytet po ndodhin gjëra të mira të mëdha dhe transformuese. Prandaj kjo tërheqje e investitorëve ka qenë edhe një qëllim e të gjithave qeverive të mëparshme dhe kjo tregon një siguri në vendin tonë për të ardhmen tonë. Transformimi i kryeqytetit është një punë e madhe dhe jo e lehtë, kam shpall vizionin tim për kryeqytet dhe bashkë me juve po e realizojmë transformimin e kryeqytetit”, u shpreh Rama, teksa përmendi disa nga projektet infrastrukturore që pritet të ndodhin.

    “Një prej projekteve më të mëdha është rruga ‘Xhim Xhema’ apo Rruga ‘A’ që tashmë po bëhet realitetet. Po ashtu projekt i madh është vazhdimi i sheshit ‘Nëna Tereza’, ‘Zahir Pajaziti’ deri në sheshin ‘Xhorxh Bush’. Po ashtu po ndërtojmë shkolla të reja, kemi projekte të reja, por te gjitha këto nuk mjaftojnë sepse edhe investitorët kanë dëshirë me jetu në kryeqytet, vijnë e zgjedhin Prishtinën si vend unik. Duhet edhe ndihma e nivelit qendror në mbështetje sepse ka nevojë investimet janë multimilionëshe dhe nuk i mbulon buxheti i tanishëm”, deklaroi Rama.

    Drejtori i BERZh në Kosovë, Sergey Maslichenko, tha se gjatë kohës që është në vendin tonë ka investuar 50 milionë euro.

    Po ashtu ai njoftoi se ka porositur 30 autobus elektrik në kryeqytet te cilët vijnë vitin e ardhshëm.

    “Ne po bëjmë shumë për Kosovën dhe për kryeqytetin e Prishtinës, kemi 50 milionë euro te investuar por mund të bëjmë edhe më shumë. Prishtina është pjesë e një qyteti të gjelbër dhe ne i përkrahim këto projekte në gjithë botën. Ne dëshirojmë të bëjmë shumë kemi porositur 30 autobus elektrik dhe shpresojmë që vitin tjetër do të vijnë. Ne jemi duke bërë një program për të çliruar pak kryeqytetin. Ne gjithashtu e kemi përkrahur kryeqytetin sa i përket që të kemi edhe izolimin e ndërtesave publike kemi një projekt disa milionësh, dëshirojmë që të vazhdojmë edhe më tutje më projekte në të ardhmen. Një prej projekteve është Unaza E Prishtinës BERZH ka investuar afër 1 milionë euro, ky projekt  është i nevojshëm. NË Kosovë i duhet në te ardhmen që të mbyllin ndotësit e ajrit, por mund të bëjmë më shumë. Pika kyçe për të sjellë investitorë të ri është përmirësimi i infrastrukturës”, tha Maslichenko.

     

  • Gati një vit nga sulmi në Banjskë, ministri Maqedonci jep sërish alarm për rrezik nga grupet terroriste

    Gati një vit nga sulmi në Banjskë, ministri Maqedonci jep sërish alarm për rrezik nga grupet terroriste

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se derisa grupi i terroristit Millan Radoiçiq endet i lirë në Serbi, gjithmonë ekziston rreziku që të përsëritet një skenar sikurse ai i Banjskës, vitin e kaluar.

    Maqedonci tha se duke pasur parasysh që grupi që drejtohej nga Radoiçiqi ka ikur në Serbi, rreziku brenda territorit të Kosovës që një grup i tillë të organizohet për ndonjë sulm të mundshëm terrorist është zvogëluar.

    Tutje, ai tha se kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të ushtarëve të KFOR-it, sidomos në brezin kufitar me Serbinë, e që sipas tij, kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen e grupeve sikurse ai i Radoiçiqit në Kosovë.

    Maqedonci më tej foli edhe për forcimin e Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se këtë po e bëjnë për ta mbrojtur integritetin territorial dhe qytetarët.