ATV

Tag: Ballina

  • Dialogu Kosovë-Serbi, sot mbahet takimi i radhës në Bruksel

    Dialogu Kosovë-Serbi, sot mbahet takimi i radhës në Bruksel

    Sot do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi.

    Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë takim trilateral apo vetëm takime të ndara të palëve me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.

    Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian nuk e kanë konfirmuan se do të ketë takim të përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

    Në ekzekutiv thonë se fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit.

    Nevojën për këtë të fundit e potencojnë edhe në Bashkimin Evropian.

    Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog.

    Takimi trepalësh nuk është mbajtur as në muajin shtator, kur Bislimi dhe Petkoviq kishin udhëtuar në Bruksel, mirëpo ishin takuar vetëm me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak. Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel.

    Një muaj më vonë ishte arritur dakordimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

    Megjithatë, palët ende nuk janë pajtuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

    Në qeverinë e Kosovës insistojnë në nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mirëbesimit në proces të dialogut, derisa kërkojnë edhe tërheqjen e letrës së Serbisë, të cilën e kishin dërguar në Bruksel vitin e kaluar, ku praktikisht ishin tërhequr nga ujdia e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.

  • Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme për menaxhimin në KEK

    Sot mbahet seancë e jashtëzakonshme për menaxhimin në KEK

    Sot Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë një seancë e jashtëzakonshme.

    Kuvendi ka njoftuar se e vetmja pikë e rendit të ditës është: “Debat Parlamentar për skandalet dhe keq menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës”.

    Ndryshe për këtë seancë të jashtëzakonshme ka shkruar edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    “Në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, kam thirrur seancën e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet në orën 12:00. Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”, ka shkruar Gashi.

    Për këtë çështje do të propozohet edhe një projektrezolutë.

    Kuvendi me këtë kërkon që të hetohet edhe roli dhe ndikimi i jashtëligjshëm i Dejona Mihalit në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK.

    Më poshtë gjeni tekstin se çka përmban kjo rezolutë:

    • 1.Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente qe te vazhdojë hetimet e plota dhe te thelluara per skandalet ne KEK, duke perfshire keqmenaxhimin e tenderëve njeburimore dhe mungesën e konkurrences ne prokurimin publik. Te gjitha shkeljet e konstatuara te ndiqen penalisht.
    • 2. Kuvendi kerkon nga Qeveria e Kosoves dhe Bordi i KEK që te raportojne për kontratat e shitblerjes se energjise gjate periudhes 2021-2024, duke perfshire kushtet e favorshme per palët e treta dhe ndikimin ne financat publike. Kuvendi obligon organet perkatese qe te rishikojne keto kontrata per te mbrojtur interesin publik dhe te ndjekin çdo parregullsi.
    • 3. Kuvendi kerkon nga autoritetet kompetente te hetojë nderhyrjet e personave te paautorizuar ne menaxhimin dhe vendimmarjen ne KEK, veçanerisht ne lidhje me dhenien e tenderëve, tregtine e energjise dhe proceset e punësimit. Tê merren masa konkrete per te ndaluar nderhyrjet e paligishme dhe per te siguruar nje menaxhim transparent dhe te pavarur ne KEK.
    • 4. Kuvendi kerkon nje hetim te plote per rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjeter që ka ushtruar ndikim te jashteligishem ne menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke perfshire punesimet e jashteligjshme.
    • 5.Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet pergjegjëse pë r menaxhimin e energjisë që te rrisin transparencën në te gjitha proceset e prokurimit dhe tregtise së energjise, duke përfshire publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale.
    • 6.Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës te marrë masa për permirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar nje bord te pavarur dhe profesionist, me qellim qe te sigurohet funksionimi efikas dhe i pérgiegishëm i ndermarrjes.
    • 7.Kuvendi kerkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK qe të raportojné çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për permirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparences në ndermarrje.
    • Kjo rezolute hyn né fuqi menjeherë pas miratimit ne Kuvendin e Kosovës.
  • Detaje nga sulmi terrorist në Turqi, ministri i Brendshëm: 7 nga të plagosurit pjesëtarë të forcave speciale

    Detaje nga sulmi terrorist në Turqi, ministri i Brendshëm: 7 nga të plagosurit pjesëtarë të forcave speciale

    Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në dje Ankara, ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën 22 të tjerë. Gjatë një deklarate për shtyp, Yerlikaya theksoi se autorët e sulmit mund të jenë pjesë e organizatës terroriste PKK, duke nënvizuar se hetimet janë ende në vazhdim.

    Në fjalën e tij, ministri shtoi: “Nga të plagosurit, shtatë prej tyre janë pjesëtarë të forcave speciale. Jemi të bindur se ata do të shërohen dhe do të ribashkohen me familjet e tyre. Ky akt i tmerrshëm tregon edhe një herë fytyrën e vërtetë të terrorizmit dhe na forcon në luftën kundër kësaj plage.”

    Autoritetet turke janë mobilizuar për të ndjekur gjurmët e autorëve dhe për të marrë masa shtesë sigurie. Terrorizmi ka qenë një nga sfidat kryesore për Turqinë, e cila ka përballuar sulme të ngjashme nga grupe të ndryshme gjatë viteve të fundit.

    Autoritetet turke kanë ripërsëritur përkushtimin e tyre për të luftuar terrorizmin me vendosmëri dhe për të mbrojtur qytetarët e vendit nga kërcënimet.

  • Publikohen pamjet, momenti kur terroristët futen të armatosur në kompaninë e hapësirës ajrore në Ankara

    Publikohen pamjet, momenti kur terroristët futen të armatosur në kompaninë e hapësirës ajrore në Ankara

    Një sulm ka goditur selinë e kompanisë turke të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes Tusas pasditen e sotme (23 tetor 2024), 50 kilometra larg kryeqytetit Ankara.

    Ka të paktën 10 të vdekur dhe të plagosur, dhe sulmi është ende në zhvillim. Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, e quajti këtë një sulm terrorist pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Televizioni “HaberTurk” ka raportuar se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës. Mediat raportuan se një shpërthim i ndjekur nga të shtëna është dëgjuar në kompleks.

    Forcat e sigurisë, ambulancat dhe zjarrfikësit janë dërguar në vendngjarje, raportoi televizioni NTV. Punonjësit e kompanisë janë zhvendosur në një zonë të sigurt, sipas HaberTurk.

  • Ambasada amerikane: Krenare me punën e USAID në Kosovë

    Ambasada amerikane: Krenare me punën e USAID në Kosovë

    Ambasada e SHBA-së në Kosovë, me rastin e 25 vjetorit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), thotë se është krenare për punën që kjo organizate humanitare bënë në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, ambasada amerikane ka thënë se ndihma për zhvillim e USAID-it tregon një mënyrës se si SHBA-ja e ndihmoi popullin e Kosovës, të rimëkëmbet nga tmerret e luftës.

    “Krenar që ju bashkohemi festimeve të 25 vjetorit të USAID-it – Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar këtu në Kosovë. Ndihma për zhvillim është një pjesë e madhe e mënyrës se si SHBA-ja e ndihmoi popullin e Kosovës të rimëkëmbet nga tmerret e luftës dhe ndihmoi që Kosova të bëhet ajo që është sot”, deklaron Ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

    Drejtoresha e degës së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Mary Eileen Devitt, ka thënë të martën se prej vitit 1999, kjo agjenci amerikane ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.

  • ​Nesër takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, skepticizëm për progres në dialog

    ​Nesër takimi i kryenegociatorëve në Bruksel, skepticizëm për progres në dialog

    Të enjten, më 24 tetor do të zhvillohet takimi i radhës në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve në dialogun Kosovë-Serbi. Megjithatë nuk dihet nëse do të ketë takim trilateral apo vetëm takime të ndara të palëve me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak. Në Qeverinë e Kosovës dhe në Bashkimin Evropian nuk e konfirmuan për KosovaPress se do të ketë takim të përbashkët ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe homologut të tij serb, Petar Petkoviq.

    Në ekzekutiv thonë se fokusi i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe aneksin e saj të Ohrit. Nevojën për këtë të fundit e potencojnë edhe në Bashkimin Evropian, mirëpo në partinë më të madhe opozitare, PDK si dhe njohës të procesit të dialogut nuk presin progres në dialog.

    Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit, njëherësh kryenegociatorit për dialog, Besnik Bislimi, thotë se Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces të dialogut, por pa dhënë detaje për agjendën dhe formatet e takimeve të nesërme në Bruksel.

    “Në tërësi, fokus i diskutimeve do të jetë rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj të Ohrit. Kosova do të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e angazhuar pozitivisht në proces”, thuhet në përgjigjen e tij me shkrim për KosovaPress.

    Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog.

    “Mund të konfirmojmë se takimi i kryenegociatorëve do të mbahet nesër në Bruksel. Fokusi i takimit është nevoja urgjente për të filluar me zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe për të ndihmuar palët të ecin përpara dhe të arrijnë përparim në dialog”, deklaron ai.

    Përkundër takimeve në Bruksel, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa nuk pret progres në dialog dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura.

    Sipas tij, Kosova është në prag të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht BE-ja nuk mund t’i bëjë presion kryeministrit Albin Kurti për zbatim të marrëveshjeve, kur një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë katër viteve mandat të tij.

    “Nuk pritet progres në fund të mandatit. Përkundrazi tash edhe bashkësia ndërkombëtare e ulë presionin, pasi nuk mundet një qeverie në shkuarje t’i bëjë presion. Ne kemi pas katër vite mandat dhe s’ka pas ndonjë rezultat nga dialogu dhe tani s’presim në fund. Me pas një punë që ka ecë deri diku dhe tash jemi në fund kishim mundur me besua një gjë të tillë. S’pres asgjë nga dialogu”, thekson Beqa.

    Ndërkaq, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se edhe nëse ndodh takimi trilateral nesër në Bruksel do të jetë vetëm sa për fotografi për kinse normalizim të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve.

    Megjithatë, Arifi potencon se ka probabiliteti sado të vogël që palët të pajtohen për një plan të sekuencimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si parakusht për të pasur qasje në fondet në kuadër të Planit të Rritjes.

    “Takimi i radhës më shumë do të jetë sa për fotografi dhe vizitualitetit të normalizimit të dialogut. Dialogu s’ka sens nëse nuk zbatohen marrëveshjet e zbatuara. Mund të ketë (progres), probabiliteti ekziston por është i vogël për një sekuencim që të fillohet me zbatimin e marrëveshjes si kusht për Planin e Rritjes. Kjo është një pikëpyetje e madhe nëse do të realizohet në këtë takim, por po e vërej që intenca është që të shkohet me një sekuenicm që të dy vendeve t’i mundësohet qasja në planin e rritjes. Po besoj se edhe nëse kësaj radhe s’ka dakordim për një takim trepalësh, po besoj se të dy vendet nuk do të përjashtohen nga plani i rritjes pasi do të ishte në kundërshtim me vizionin evropian për Ballkanin Perëndimor”, thekson Arifi.

    Takimi trepalësh nuk është mbajtur as në muajin shtator, kur Bislimi dhe Petkoviq kishin udhëtuar në Bruksel, mirëpo ishin takuar vetëm me ndërmjetësin e dialogut, Miroslav Lajçak.

    Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel. Një muaj më vonë ishte arritur dakordimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

    Megjithatë, palët ende nuk janë pajtuar për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes.

    Në qeverinë e Kosovës insistojnë në nënshkrimin e marrëveshjes për krijimin e mirëbesimit në proces të dialogut, derisa kërkojnë edhe tërheqjen e letrës së Serbisë, të cilën e kishin dërguar në Bruksel vitin e kaluar, ku praktikisht ishin tërhequr nga ujdia e Brukselit dhe aneksi i Ohrit./KP

  • KE-ja miraton Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

    KE-ja miraton Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

    Komisioni Evropian e ka bërë hapin kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

    Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë pëlqimin e tyre për këto agjenda.

    Bosnjë e Hercegovina ka mbetur vendi i vetëm për të cilin agjenda e reformave nuk është miratuar ende. Ky shtet ishte i vetmi që nuk dorëzoi me kohë agjendën e reformave.

    “Në planet e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor shprehin përkushtimin për reformat fondamentale dhe socio-ekonomike të cilat do t’i ndërmarrin për të siguruar rritje dhe konvergjencë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes, gjatë periudhës prej vitit 2024 deri më 2017”, u tha në njoftimin e BE-së, përcjell Radio Evropa e Lirë.

    Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.

    Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.

    Miratimi i agjendave të reformave është përshëndetur edhe nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

    “Jam e impresionuar me punën që kanë bërë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në agjendat e tyre të reformave. Kjo dëshmon se ata janë të përkushtuar që të ketë sukses Plani i Rritjes. Ky është një udhërrëfyes i ynë për të afruar pranë nesh ekonomitë e Ballkanit Perëndimorë dhe për t’u mundësuar ndërmarrjeve të tyre qasjen dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë unik. Secili përfiton dhe është një hap i madh drejt BE-së”, deklaroi von der Leyen.

    Agjendat e reformave përqendrohen në fushat me prioritet si sundimi i ligjit, të drejtat themelore, qeverisja, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, kapitali njerëzor dhe zhvillimi i një mjedisi biznesor.

  • ​INDEP shpreh optimizëm për tregun e përbashkët rajonal

    ​INDEP shpreh optimizëm për tregun e përbashkët rajonal

    Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur Seminarin “Roli i tregut të përbashkët rajonal (CRM) në të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe integrimin evropian në 6 shtete të Evropës Juglindore”.

    Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi u shpreh optimist se pas mbajtjes së Samitit të Berlinit për herë të dhjetë, do të ketë përmirësime për një treg të përbashkët rajonal.

    “Me 10 vjetorin e Samitit të Berlinit, ndoshta do të shohim pak dritë dhe për një treg të përbashkët rajonal. I kemi këtu pengesat që ishim para tri viteve që u nënshkrua marrëveshja në Berlinit mes liderëve për lëvizjen e lirë, njohjen e profesioneve…Kosova ka ecë një hap përpara edhe pse Bosnja e Hercegovina nuk i ka pranuar ende. Ka problem në njohjen e dokumenteve të Kosovës. Jemi më optimist që po presim që kjo nisma e tregut të përbashkët rajonal ka me qenë një sukses i radhës që për mendimin tim, besoj që në vitin 2030 do të jetë ajo data kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i bashkohen familjes së Bashkimit Evropian”, tha Bujupi.

    Ndërkaq, drejtori Kërkimor i CDI dhe Koordinator i Forumit të Connectivity Tirana, Ardian Hackaj përmes një videolidhje online potencoi se objektivi kryesor i këtij turneu rajonal është bashkimi me kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, ai tha u theksua roli që kanë organizatat e shoqërisë civile jo vetëm për monitorimin, por edhe në angazhimin dhe takimin e agjendave të bashkëpunimit rajonal.

    “Ky zingjir ngjarjesh vjen në pak se tre javë nga samiti i Berlinit që ishte ngjarja shumë e suksesshme…Kjo gjithashtu vjen pas miratimit të listës së reformave për planin e rritjes e që është shumë e mirë, sepse tregon përparim jo vetëm drejtë bashkëpunimit rajonal, por edhe drejt përpjekjeve që po bën secili prej vendeve tona drejt anëtarësimit. Objektiv kryesor i këtij turneu rajonal është që tu bashkohemi kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor, mësimet e samitit si dhe duam të theksojmë rolin që kanë organizatat e shoqërisë civile jo vetëm për monitorimin, por edhe në angazhimin dhe takimin e agjendave të bashkëpunimit rajonal si dhe në disa politika që na afrojnë më shumë drejt anëtarësimit”, potencoi Hackaj.

    Integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është prioritet i Gjermanisë, tha këshilltarja e Lartë e Përfaqësuesit Special të Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Valeska Esch në një fjalë rasti përmes një videolidhje online.

    Ajo potencoi se tregu i përbashkët rajonal ka për qëllim të arrijë një treg të integruar në rajon që sipas saj “vërtetë do t’i ngjajë tregut të përbashkët të BE-së”.

    “Qeveria gjermane dëshiron të shohë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen plotësisht në Bashkimin Evropian sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kur filloi procesi i Berlinit para 10 vjetësh ideja ishte që të kemi një formë konkrete që do të forconte bashkëpunimin rajonal. Sepse në fund të fundit, kjo i bashkon vendet më afër Bashkimit Evropian dhe të mbështetet lidhshmëria në të gjitha aspektet jo vetëm të infrastrukturës por edhe integrimin ekonomik, shkëmbimin mes shoqërive e kështu me radhë. Të gjitha arritjet e procesit të Berlinit kanë të njëjtin qëllim, që të bashkohen vendet më afër anëtarësimit në BE, sidomos tregu i përbashkët rajonal ka për qëllim të arrijë një treg të integruar në rajon që vërtetë do t’i ngjajë tregut të përbashkët të BE-së…Çdo hap i integrimit ekonomik rajonal tanimë bëhet në bazë të standardeve të BE-së, që sipas pikëpamjes tonë është vlerë e vërtetë shtesë”, tha Esch.

    Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj u shpreh se përvjetori i dhjetë i Samitit të Berlinit ishte sukses, për shkak se u zhbllokua edhe CEFTA.

    Zulfaj tha se marrë parasysh që tregu i përbashkët rajonal është i lidhur drejtpërdrejt me planin e BE-së për rritje, do të ketë më shumë përpjekje për kryer punë brenda rajonit.

    “Gjatë tri vjetëve të fundit që nga viti 2022 kemi bërë shumë përparim sepse në vitin 2020 kishim tregun e përbashkët rajonal që u miratua në Sofie. Që nga ajo kohë kemi hyrë në një fazë të re të procesit të Berlinit ku kemi prekur problemet konkrete të rajonit që po ashtu nuk janë të lehta për tu zgjidhur. Mendoj se me këto probleme praktike që po zgjedhë procesi i Berlinit po u jep diçka konkrete qytetarëve si njohjen e diplomave, lëvizjen e lirë me letërnjoftime, karta identiteti…18:01 Përvjetori i 10 ishte sukses edhe për shkak se zhbllokuam CEFTA-n por edhe sepse ishim në gjendje të nënshkruanim një marrëveshje të re për akcesin në arsimin e lartë…Kemi marrëveshjen e mobilitetit që duhet ratifikuar, por edhe të tjerat që duhet zbatuar. Duke marrë parasysh që tregu i përbashkët rajonal tani është i lidhur drejtpërdrejt me planin e BE-së për rritje, do të kemi shumë më shumë incentiva, nxitje për kryer punë brenda rajonit”, u shpreh Zulfaj. /kp

  • ARKEP autorizon kompaninë botërore të internetit të ofrojë shërbime në Kosovë

    ARKEP autorizon kompaninë botërore të internetit të ofrojë shërbime në Kosovë

    Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar autorizim të përgjithshëm për kompaninë Starlink, e cila ofron shërbime satelitore të qasjes në internet, raporton EO.

    Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ka theksuar se ky autorizim është hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

    Ai ka shtuar se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarë botën në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve tjera të emergjencave kombëtare, dhe se autorizimi do të hap mundësi për qasje në internet në çdo lokacion të Kosovës.

    “Këtë javë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink që ofron shërbime satelitore të qasjes në internet. Ky autorizim paraqet hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasje në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink, ndër të tjerash, është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarë botën në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve tjera të emergjencave kombëtare”.

    “Zhvillimi i sektorit i komunikimeve elektronike në vendit tonë do të vazhdojë mbi parimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës e në të mirë të bizneseve, institucione dhe secilit qytetar pa dallim. Komunikimet elektronike janë e drejtë e secilit qytetar, ato po ashtu janë mundësi e të bërit biznes për kompanitë tona dhe investitorë privatë të dëshmuar që vijnë nga shtetet tona mike”, tha Kurti.

  • Haradinaj takon Kasanofin në SHBA, flasin për pranimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj takon Kasanofin në SHBA, flasin për pranimin e Kosovës në NATO

    Kryetari i subjektit opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në Uashington të Shteteve të Bashkuara.

    Haradinaj tha se angazhimi i udhëheqjes amerikane është i domosdoshëm që të arrihet një marrëveshje strategjike mes dy shteteve, duke shtuar se ky angazhim është i domosdoshëm edhe sa i përket përparimit të Kosovës drejt integrimit euroatlantik, përfshirë në NATO.

    “Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkroi Haradinaj në Facebook.

    Kosova ka vendosur si synime të saj strategjike anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Në fund të vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por aplikimi i Prishtinës ka ngecur në sirtarët e bllokut evropian.

    Ndërkaq, sa i përket NATO-s, aleancës ushtarake e cila ka mision paqeruajtës në Kosovë, Prishtina fillimisht kërkon që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, e më pas një anëtarësim të plotë në këtë aleancë.

    Haradinaj tha se të gjitha arritjet e Kosovës që nga vitet ’90 dhe procesi i shtetndërtimit janë bërë në partneritet të ngushtë me SHBA-në.

    “Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, shkroi Haradinaj në Facebook.

    Ndryshe, Kasanof në fillim të tetorit vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

    “Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë më 11 tetor.

    Kosova është kritikuar nga SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian, për disa hapa të ndërmarra nga Qeveria që kanë ndikim në komunitetin serb, sikurse heqja nga përdorimi për pagesa me para të gatshme i dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele, që funksionojnë sipas sistemit serb, e tjera.

    SHBA-ja disa herë i ka cilësuar këto veprime si “të pakoordinuara” dhe “të njëanshme”, duke e paralajmëruar Kurtin se veprime të tilla mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.