ATV

Tag: Ballina

  • ​Ikja e mjekëve, problem rajonal

    ​Ikja e mjekëve, problem rajonal

    Numri i profesionistëve shëndetësorë që po synojnë punësim në vendet evropiane nuk ka shënuar rënie, sipas përfaqësuesve të mjekëve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Kushtet e papërshtatshme të punës dhe pagat e ulëta po konsiderohen prej arsyeve kryesore që mantelbardhët po e braktisin rajonin.

    Bedri Ramadani me prejardhje nga Kosova, ka 25 vjet që jeton dhe punon në Gjermani.

    Ai është zëvendësdrejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Duseldorf dhe thotë se kushtet e punës atje janë shumë të mira.

    Ramadani nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të shërbejë edhe në Kosovë por thotë se politika e këtij vendi duhet të mbështesë institucionet shëndetësore, në mënyrë që mjekëve tu krijohen kushte më të përshtatshme të punës.

    “Me siguri janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë [në largimin e mjekëve] por unë mendoj se perspektiva të cilën të rinjtë këtu [në rajon] nuk e shohin dhe ndërrimi i politikave të ndryshme që nuk u japin të rinjve perspektivë, vendosin të dalin jashtë për një përparim profesional më të mirë… Ne duhet të rinjtë t’i motivojmë, natyrisht edhe politika duhet ta mbështesë shëndetësinë shumë, duhet të krijohen kushte. Ne kemi mjekë shumë të talentuar këtu dhe besoj që mundemi të bëjmë edhe me të arritura edhe më të mëdha në mjekësi”, thotë Ramadani.

    Numri i saktë i profesionistëve shëndetësorë që largohen nga Kosova, nuk dihet. Por një tregues është numri i atyre që e kërkojnë certifikatën e etikës dhe profesionit – dokument që shërben për t’u punësuar jashtë vendit.

    Deri në fund të këtij viti pritet që numri i profesionistëve shëndetësorë që e kërkojnë këtë certifikatë të tejkalojë njëqindëshin, thotë kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

    “Deri më sot (17 tetor) kemi 93, gjithmonë parashohim që deri në fund të vitit do të jenë mbi 100 apo 110…Nuk qëndron fakti që ka rënë numri. Kur deklarohet se ka rënë numri, bie për 30 apo 40 për qind. Lëvizja e tillë nuk ndodhë, lëvizjet 10-15 për qind nuk janë ato të cilat janë të prekshme. Ministria e Shëndetësisë apo kushdo tjetër nuk kanë të dhëna. Ne i kemi ato të dhëna të vet-deklarimit përmes kësaj certifikate, por nuk duhet harrur se një pjesë e mirë e shteteve, sidomos Zvicra, Britania e Madhe, skandinavët nuk e kërkojnë këtë dokument. Përveçse, pas aplikimit atje për licencim i verifikojnë tek ne, nëse janë këto dokumente valide. Prandaj, ky numër mund të jetë edhe më i madh, më i vogël assesi. Nuk ka rënie që mund ta deklarojmë”, thotë Sejdiu.

    Edhe nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë (KKUMSH) përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se gjatë vitit të kaluar, numri i mjekëve që kanë kërkuar certifikatën që shërben për të punuar jashtë vendit, është rreth 150.

    Sipas KKUMSH-së shumica prej tyre janë mjekë të përgjithshëm.

    “Në vitin 2022 janë lëshuar 191 certifikata të sjelljes së mirë, ndërsa në vitin 2023 këtë dokument e kanë kërkuar 147 mjekë. Kjo certifikatë tërhiqet nga mjekë që kërkojnë të punojnë jashtë vendit. Nga mjekë që aplikojnë për master apo specializim jashtë vendit. Nga ata që shkoj nëpër trajnime apo shkolla verore apo për kualifikime të ndryshme. Për mjekë që punojnë vullnetarisht në organizata humanitare dhe nga ata që punojnë me organizata ndërkombëtare për projekte brenda Shqipërisë. Shumica janë mjekë të përgjithshëm që kanë tërhequr këtë certifikatë”, thuhet në përgjigjen e KKUMSH-së.

    Sipas këtij këshilli, disa nga vendet ku aplikojnë mjekët shqiptarë janë janë Italia, Gjermania, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Franca, Zvicra e Austria.

    Përafërsisht shifër të njëjtë me Kosovën, përmend edhe kryetari i Shoqatës së Mjekëve në Maqedoninë e Veriut, Nevzat Elezi.

    “Është fakt se në Maqedoni kemi një numër bukur të mirë nga ajo që marrim nga të dhënat e Odës së Mjekëve të Maqedonisë, shohim se një numër i madh i doktorëve marrin licenca për jashtë…Është mirë që ne të bëjmë përmirësimin e kushteve, qofshin kushtet e punës ku ata duhet të tregojnë dijeninë e tyre ose në anën tjetër në aspektin financiar të mund të rrisim rrogat sa më shumë t’i mbajmë të rinjtë këtu. Fatkeqësisht më të mirët ndoshta neve na largohen nga vendi për arsye se ata ndjejnë veten edhe më të sigurt[në vendet evropiane]…Nga Maqedonia nuk kemi numër të largimit mbi 100 këtë vit. Është diku afër 100 të larguar në Evropë nga ajo që ne kemi marrë nga të dhënat e Odës së Mjekëve”, thotë Elezi.

    Kosova po përballet problemin e largimit të personelit shëndetësor tash e disa vjet.

    Numri më i madh i atyre që largohen janë infermierë.

    Paga e infermierëve në Kosovë sillet rreth 500 euro, ndërkaq për mjekët shkon deri mbi 1.000 euro./KP

  • Deputeti gjerman: Nëse Serbia dëshiron BE, duhet ta njohë Kosovën

    Deputeti gjerman: Nëse Serbia dëshiron BE, duhet ta njohë Kosovën

    Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, e cilëson procesin e Berlinit një sukses të madh, teksa falënderon Kosovën që zhbllokoi marrëveshjen e CEFTA-s.

    “Samiti i Procesit të Berlinit ishte një sukses i madh. Ne arritëm të zhbllokonim Marrëveshjen e CEFTA-s midis gjashtë anëtarëve, gjashtë shteteve të Ballkanit perëndimor për Tregtinë e Lirë. Diçka e tillë shtyhej vit pas viti dhe tani më në fund ranë dakord. Mendoj se ishte vërtetë sukses i madh dhe jam mirënjohës ndaj Qeverisë së Kosovës veçanërisht e cila në fund bëri të mundur të hapej rruga për një marrëveshje të rëndësishme”, tha Hacker.

    Sa i përket dialogut, Hacker vlerëson se duhet një qasje e re dhe se Lajçak nuk ka qenë i drejtë. Sipas tij, masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe duhet të hiqen menjëherë.

    Duke kritikuar ato që i sheh si veprime jo demokratike e të dëmshme të Serbisë, deputeti gjerman thotë se për të hyrë në BE, vendi duhet të njohë Kosovën.

    “Aktualisht në rrugën e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, ky dialog bilateral është një nga gjërat më të rëndësishme. Kemi pasur shumë përpjekje për të zgjidhur problemet, për të hequr pengesat por sado që vazhdojmë gjithmonë bëhen hapa prapa. Prandaj është e nevojshme një fillim i ri i dialogut. Ne kemi parë marrëveshje që Vuçiq i ka konsideruar të vlefshme pa nënshkrim, dhe gjysmë ore më pas ka thënë se marrëveshja është kundër kushtetutës së vendit të tij. Ne tani do të kemi një të dërguar të ri për dialogun. Miroslav Lajçak largohet në fillim të vitit të ardhshëm. Unë mendoj që kemi mundësinë për një fillim të ri të dialogut. Gjatë muajve të fundit, Lajçak nuk konsiderohej më si një ndërmjetës i drejtë. Tani shpresoj që të kemi një të tillë”, tha Hacker për A2Cnn.

  • A dihet se kur do të finalizohet ngrohtorja qendrore e Obiliqit?

    A dihet se kur do të finalizohet ngrohtorja qendrore e Obiliqit?

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Sipas nenit 8 të ligjit për Obiliqin, që u miratua në dhjetor të vitit 2016, parashihet mundësi qasjeje në shfrytëzimin e avullit të termocentraleve për ngrohje qendrore, për këtë komunë. 4 vjet më vonë, në vitin 2020, në rrugën “Mbretëresha Teutë”, u vë gurëthemeli i objektit të ngrohtores, në kuadër të realizimit të projektit të ko-gjenerimit për Obiliqin.

    Mirëpo, derisa po punohej në objekt, kompania e kontraktuar nga komuna, gjithashtu, në vitin 2022, kishte filluar shtrirjen e rrjetit të ngrohjes.

    Ky proces, si fazë e dytë e projektit, është duke vazhduar.

    “Jemi në fazën e dytë që është shtrirja e gypave të kogjenerimit, kontratë trevjeçare, në vlerë mbi 11 milionë euro, deri tash janë kryer punime afër 8 milionë, kontrata punon në vitin 2025”, tha drejtori i Infrastrukturës në Obiliq, Fatmir Berbatovci.

    Pas kësaj, vijojnë dy faza të tjera pasuese.

    “Faza 3, lidhja e objekteve publike dhe private me rrjetin kryesor të kogjenerimit, dhe faza e 4 lidhja e nënstacionit me Kosovën B për pranimin e energjisë termike. Sa të përfundojnë këto faza, nxemje do të jetë e qasshme për qytetarët”, tha Berbatovci.

    Berbatovci thotë se deri tash kanë punuar me mjete vetanake. Për hapat tutje, po kërkon ndihmë nga niveli qendror. Deri të marrin përgjigje, nuk dha datë se kur pritet të përfundojë në tërësi projekti.

    Mirëpo, kurdo që të përfundojë, pritet të ketë benefitete në disa aspekte.

    “Termocentralet “KOSOVA A” dhe “KOSOVA B” na bëjnë të jemi zonë e ndotur, përmes ngrohjes termike do të ketë më pak ndotje, qytetarët e Obiliqit do të paguajnë sa më pak, do të ketë më pak lirim të gazrave”, tha Berbatovci.

    Kostoja e përgjithshme e këtij projekti sillet rreth 33 milionë euro.

  • Kurti: Niveli i papunësisë të gratë ka rënë

    Kurti: Niveli i papunësisë të gratë ka rënë

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Duke u thirrur në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej vitit 2021 deri në fund të 2023-tës, Kryeministri Albin Kurti thotë se përqindja e papunësisë është ulur.

    Theks i vë nivelit të papunësisë te gratë, që, sipas tij, nga 29,7% ka rënë në 10,7%.

    “Burrat nga 24.02% në 07.09%, ndërkaq gratë nga 29.7% në 17.02%, kemi dhënë mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave, ndërkaq nga afër 14 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç, që janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, 51% janë vajza, kemi mbështetur mbi 2 mijë e 600 të punësuar përmes programit Qeveria për familjen, prej tyre 55% gra, kemi ndarë shtesa për afro 60 mijë nëna lehona, e në saj të kësaj shtese dhe asaj për fëmijë rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre”, tha Kurti.

    Në kuadër të prezantimit të raportit final për Vlerësimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, kryeministri foli edhe për regjistrimin e pronave në emër të dy bashkëshortëve.

    “Përmes kësaj mase, Qeveria subvencionon 70% të pagës së të punësuarve për 6 muaj me radhë. Kemi parë rritje të ndjeshme në numrin e pronave të regjistruara, në emër të dy bashkëshorteve, një hap kyç të barazisë ekonomike, ndërsa rritja e kapaciteteve për buxhetimin e përgjithshëm gjinor është një hap thelbësor drejt qasjes të barabartë në fonde publike”, tha Kurti.

    Megjithatë, sipas raportit të Bankës Botërore ‘’Gratë, Biznesi dhe Ligji’’, të vitit 2023, Kosova renditet e 37-ta, sa i përket infrastrukturës ligjore që mundëson barazinë gjinore.

    Raporti bazohej në matjen e tetë komponentëve që janë: lëvizshmëria, vendi i punës, pagat, martesat, prindërimi, sipërmarrja, asetet si dhe pensionet.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë Fadil Geci

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, fillon dëshminë Fadil Geci

    Përgatiti: Nora Luta

    Më shumë se dy orë Fadil Geci, ish-pjesëtar i UÇK-së, u është përgjigjur pyetjeve të Prokurorit të Specializuar në gjykimin që po zhvillohet në Hagë, ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Geci që ishte edhe anëtar i Lidhjes Demokratike, tha se pas rastit të familjes Jashari, populli u përça në dy grupe.

    E kur prokurori insistoi të dijë se si quhej ky grup, 63-vjeçari pati një përgjigje.

    Gecit, disa herë iu tërhoq vërejtja që të japë përgjigje konkrete në pyetjet e ZPS-së, e cila ndër të tjera e pyeti se kush ishin personat që thanë se Qendra e Këshillit të Emergjencave nuk duhej të ishte në Llaushë.

    Por, Geci foli për komunikatën 59 ende pa iu parashtruar asnjë pyetje lidhur me të, për të cilën tha se ishte e rrejshme.

    E kur më vonë u pyet rreth saj, ish-pjesëtari i UÇK-së tha se familja e tij ende i vuan pasojat.

    “A keni dëgjuar për opinionin e Rexhep Selimit se Abedin Rexha u vra nga vëllai juaj Gani Geci. Ai etiketohet më 1999 si tradhtar”, tha James Pace, prokuror.

    Sipas Gecit, ai që shkaktoi dëm me këtë komunikatë ishte Hashim Thaçi, për të cilin kishte folur edhe Rexhep Selimi në një debat televiziv, pjesë të të cilit u shfaqën dhe u pranuan si provë në këtë proces.

    Ai është pyetur edhe rreth një interviste të Sylejman Selimit, i cili kishte përmendur ushtarët e parë, por Geci e ngatërroi me Rexhep Selimin, për të cilin tha se qëllimisht e harroi Gani Gecin.

    Dëshmia e Fadil Gecit është planifikuar të zgjasë dy ditë dhe do të jetë publike.

  • “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

    “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Përfshirje në arsim e në punësim u kërkua edhe këtë të hënë, nga shoqata Handikos, në kuadër të takimit për analizën e Përputhshmërisë së Kuadrit Ligjor të Kosovës me Konventën e Kombeve të Bashkuara për personat me aftësi të kufizuara.

    Në këtë takim u tha se në disa institucione publike, ligji që një në 50 punëtorë të jetë me nevoja të veçanta po respektohet, por jo edhe në ato private.

    “Në disa institucione publike, ka pasur raste kur konkursi u hap i veçantë për personat me aftësi të kufizuara, ndërkaq në ato private një gjë e tillë nuk u bë ende”, tha Fisnik Galani, ekspert.

    Megjithatë, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agon Dobruna, tha se janë duke bërë përpjekje në përmirësimin e situatës.

    “Sfida kemi ende shumë për të bërë, megjithatë MFTP-ja është e përkushtuar që të ketë qasje të barabartë për të gjithë”, tha zv.ministri i Ministrisë së Financave, Agon Dobruna.

    Që nuk është bërë sa duhet e thanë edhe deputetet pjesëmarrëse. Por, sipas tyre, po punohet që të krijohen mundësi të reja për aftësim personal e profesional.

    “Nuk është bërë sa duhet për këtë kategori të shoqërisë, sidomos kjo legjislaturë…” , tha Albulena Bytyqi, deputete e AAK-së.

    “Të nxisim punësimin e personave, ata prijnë në punën dhe ne duhet japim mundësi për aftësim profesional, por edhe në kurrikulat që ka Ministria e Arsimit”, tha Fatmire Kollqaku, deputete e LV-së .

    Në projektin në kuadër të të cilit u mbajt aktiviteti, të përfshira ishin edhe shoqata nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

  • Gjashtë miliardë eurot e Planit të Rritjes, së paku gjysma do të përdoren për infrastrukturë dhe lidhje

    Gjashtë miliardë eurot e Planit të Rritjes, së paku gjysma do të përdoren për infrastrukturë dhe lidhje

    “Të paktën gjysma e fondeve të përgjithshme do të mbështesin investimet në infrastrukturë dhe lidhjen, duke përfshirë transportin, energjinë dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital. Pjesa e mbetur e kredive do të lirohet si mbështetje direkte për buxhetet kombëtare”, thekson Komisioni Evropian për EWB (European Western Balkans), duke shpjeguar mekanizmat e shpenzimit të parave nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    Fondet e para nga ky instrument financiar pritet të dalin së shpejti, pasi Komisioni Evropian të miratojë zyrtarisht Agjendat e Reformave të paraqitura nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Kosova. Nga ana tjetër, është e pasigurt nëse Bosnja dhe Hercegovina do t’i marrë paratë në të njëjtën kohë sepse ky vend është vonuar me miratimin e Agjendës së Reformave.

    BE-ja synon të ndajë shtatë për qind të totalit të fondeve nga Plani i Rritjes për të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor që miratojnë Agjendat e Reformave të vlefshme, si parafinancim. Ky mjet, që mbulon periudhën 2024-2027, është një mekanizëm financiar i BE-së me vlerë gjashtë miliardë euro, i miratuar me synimin për të dyfishuar rritjen ekonomike të rajonit në dhjetë vitet e ardhshme.

    Nga shuma totale, dy miliardë euro do të shpërndahen si grante dhe pjesa e mbetur, katër miliardë euro, në formë kredie me interesa të favorshme. Përllogaritet se Serbia do të marrë 1.58 miliardë euro, Bosnja dhe Hercegovina 969 milionë, Shqipëria 922 milionë, Kosova 888 milionë, Maqedonia e Veriut 807 milionë, dhe Mali i Zi 383.5 milionë.

    Duke folur për procedurat e lirimit të fondeve nga Plani i Rritjes, Komisioni Evropian shprehet për EWB-në se “do të kushtëzohet me zbatimin e suksesshëm të Agjendave të Reformave, që mbulojnë si reformat në fushën themelore ashtu edhe reformat socio-ekonomike, në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian”.

    “Fondet në kuadër të lehtësive duhet të lirohen sipas një plani fiks gjashtëmujor, bazuar në kërkesën për lirimin e fondeve të paraqitur nga partnerët dhe pas verifikimit nga Komisioni për përmbushjen e kënaqshme të të dyja kushteve të përgjithshme lidhur me makro- asistencë financiare, menaxhim të shëndoshë të financave publike, transparencë dhe mbikëqyrje të buxhetit dhe kushteve përkatëse të pagesës, dhe me parakushtet që përfituesit të respektojnë parimet demokratike dhe të drejtat e njeriut”, thotë KE.

    Komisioni Evropian shton se, në Agjendat e Reformave, “reformat ndahen në hapa sasiorë dhe cilësorë, të cilët do të shërbejnë si kushte pagese dhe çdo hap ka një afat kohor zbatimi”.

    “Marrëveshjet e lehtësive dhe huasë do të përfshijnë detyrime për përfituesit për të ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar, zbuluar dhe korrigjuar mashtrimin, korrupsionin, konfliktet e interesave dhe parregullsitë që prekin interesat financiare të Unionit, për të shmangur financimin e dyfishtë dhe për të ndërmarrë veprime ligjore për të rikuperuar fondet që janë përvetësuar, mbledhja e të dhënave adekuate për përfituesit e fondeve në kuadër të Instrumentit dhe të drejtat që duhet t’i jepen Komisionit, Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) aty ku është e aplikueshme”, sqaron KE.

    Së fundi, Komisioni Evropian thekson se KE-ja “mund të zvogëlojë ose rikuperojë shuma nëse preken interesat financiare të Bashkimit ose nëse përfituesit kanë shkelur seriozisht një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet e lidhura në kuadër të lehtësimit”.

  • Rutte në takimin me Ministrat e Mbrojtjes të G7, diskutoi për rritje të mbështetjes për Ukrainën

    Rutte në takimin me Ministrat e Mbrojtjes të G7, diskutoi për rritje të mbështetjes për Ukrainën

    Të shtunën (19 tetor) Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte u takua me Ministrat e Mbrojtjes të G7-ës në Napoli, për të diskutuar se si të rritet më tej mbështetja për Ukrainën, të rritet prodhimi industrial i mbrojtjes dhe më shumë.

    Ishte takimi i parë i G7 për Rutte në rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm dhe hera e parë që G7 thirri një takim të dedikuar në formatin e Ministrave të Mbrojtjes, thuhet në njoftimin e NATO-s, transmeton Klankosova.tv.

    Sekretari i Përgjithshëm theksoi vlerën e bashkëpunimit midis G7 dhe NATO-s, duke pasur parasysh natyrën komplekse të sfidave për sigurinë e përbashkët.

    Për Ukrainën, ai nënvizoi se si sigurimi që Ukraina të ketë atë që i duhet për të mbizotëruar është kritike për sigurinë dhe stabilitetin edhe përtej rajonit.

    Ndërsa ministrat diskutuan prodhimin industrial të mbrojtjes, Rutte vuri në dukje rëndësinë e të punuarit së bashku – në të gjithë Aleancën dhe më gjerë – për të rritur dhe përshpejtuar jo vetëm prodhimin, por se këto përpjekje janë të përafruara më mirë duke punuar me standardet e NATO-s.

    Sekretari i Përgjithshëm nënvizoi gjithashtu se si NATO po bën më shumë për të ndërtuar partneritetet e saj, jo vetëm në Indo-Paqësorin, por edhe në lagjen jugore të NATO-s – një fushë tjetër në të cilën u fokusuan diskutimet e G7.

    Takimi në Napoli vjen pas takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel këtë javë, ku aleatët ranë dakord për një sërë iniciativash në lidhje me përmirësimin e parandalimit dhe mbrojtjes, sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për Ukrainën dhe duke bërë më shumë me partnerët në Indo- Paqësor si dhe BE.

  • Ursula von der Leyen të shtunën në Prishtinë, takon Osmanin e Kurtin

    Ursula von der Leyen të shtunën në Prishtinë, takon Osmanin e Kurtin

    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen këtë javë do ta nisë një turne në shtet e Ballkanit Perëndimor. Ajo të shtunën, do të jetë në Kosovë. Kështu bëhet e ditur në kalendarin e publikuar në web-faqen e KE-së, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Presidentja Von der Leyen vizitën e saj e fillon në Shqipëri të mërkurën më 23 tetor, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama, e më pas pritet ta mbajë një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë.

    Po të enjtën, Ursula von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut ku do të takohet me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Më pas, po të enjten do të vizitoj Bosnjën e Hercegovinën, ku fillimisht pritet t’i vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse. Presidentja e KE-së të premten do të ketë takime në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

    Nga Bosnja, ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin Millosh Vuçeviq.

    Ditën e fundit të turneut, presidentja Ursula von der Leyen do qëndrojë për vizitë në Kosovë, kurse më pas do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.

  • Raportohet se ka vdekur Fethullah Gulen, kleriku turk me bazë në ShBA

    Raportohet se ka vdekur Fethullah Gulen, kleriku turk me bazë në ShBA

    Predikuesi mysliman turk Fethullah Gulen, për të cilin Ankaraja thotë se qëndronte pas një grusht shteti të dështuar të 2016-ës, ka vdekur në Shtetet e Bashkuara ku ishte vendosur, thanë media turke dhe një faqe interneti e lidhur me Gulenin të hënën.

    Ai ishte 83 vjeçar.

    Gylen ndërtoi një lëvizje të fuqishme islamike në Turqi dhe më gjerë, por i kaloi vitet e tij të mëvonshme i akuzuar për orkestrimin e një tentative grusht shteti kundër liderit turk Recep Tajip Erdogan, akuza të cilat ai i mohoi.

    Herkul, një faqe interneti që publikon predikimet e Gylenit, tha në llogarinë e saj në X se Gulen kishte vdekur të dielën në mbrëmje në spital kur po trajtohej, raporton Reuters.

    Guleni ishte dikur aleat i Erdoganit, por ata u kundërshtuan në mënyrë spektakolare dhe Erdogan e konsideroi atë përgjegjës për tentativën për grusht shteti të vitit 2016, në të cilën ushtarët mashtrues komanduan avionë luftarakë, tanke dhe helikopterë. Rreth 250 njerëz u vranë në përpjekje për të marrë pushtetin.

    Gylen kishte jetuar në mërgim të vetëimponuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1999.