ATV

Tag: Ballina

  • Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi

    Raporti i Guterres: Atmosfera në veri ende e tensionuar, ka mundësi përshkallëzimi

    Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka vlerësuar se situata në veri të Kosovës është e tensionuar, me mundësi përshkallëzimi.

    Në raportin e tij të rregullt, i cili do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 30 tetor, ai ka deklaruar se veprimet e “njëanshme”, si mbyllja e institucioneve të financuara nga Beogradi, kufizimi i qarkullimit të mallrave dhe shpallja e hapjes së urës mbi Ibër, rrisin tensionet.

    “Atmosfera në veri të Kosovës është ende e tensionuar, me mundësinë e përshkallëzimit ende të pranishme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përsërisin angazhimin e tyre për dialogun me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese”, tha Guterres në raportin e rregullt gjashtëmujor për gjendjen në Kosovë.

    Ai paralajmëroi se këto lëvizje “ngrenë tensionet dhe zvogëlojnë besimin midis komuniteteve dhe minojnë komunitetet dhe institucionet”.

    “Është e një rëndësie thelbësore që lëvizjet e liderëve politikë të jenë në përputhje me nevojat dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha Guterres.

    Guterres tha gjithashtu se “incidenti serioz i sigurisë në Banjskë më 23 shtator të vitit të kaluar është një tregues i nevojës që të gjitha palët të bashkëpunojnë në kërkimin e drejtësisë dhe se sqarimi i incidenteve të tilla është i një rëndësie kyçe për rivendosjen e besimit”.

  • Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

    Kosova dhe Serbia përsëri s’pajtohen për ecjen përpara drejt normalizimit të raporteve

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, nuk kanë arritur përsëri pajtueshmëri gjatë një takimi të enjten në Bruksel, për mënyrën se si të ecet përpara në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

    Në një takim trepalësh të dialogut nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, ata thanë se u pajtuan vetëm për disa çështje “më pak të rëndësishme”.

    Duke folur pas takimit, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Fatkeqësisht për temën kryesore që jemi mbledh, nuk ka rezultat. Në pikën rreth ecjes përpara në normalizimin e raporteve. Serbia me gjasë ende po ngul këmbë në zbatim të pjesshëm, pra sipas idesë, ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, tha Bislimi.

    Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha pas takimit se Beogradi “nuk po ikë” nga detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë, por se Prishtina duhet të jetë e para që do të fillojë, duke nisur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    “Thelbi i asaj Marrëveshjeje nga Ohri është, para së gjithash, formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Petkoviq, duke shtuar se ajo është “shtylla” e procesit të dialogut.

    Kosova ngul këmbë se kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet së pari, edhe pse BE-ja thotë se ajo është detyruese për palët pavarësisht nënshkrimit, dhe e ka akuzuar Serbinë edhe në të kaluarën se dëshiron vetëm zbatimin e pjesshëm të saj.

    Takimi trepalësh i pasoi takimet dypalëshe që i dërguari i bllokut Mirosllav Lajçak mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht.

    Bislimi shtoi se pala serbe ka thënë se kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ia ka dërguar një letër Komisionit Evropian, në të cilën thekson se shteti i tij është i përkushtuar t’i zbatojë detyrimet që dalin nga Marrëveshja Bazë.

    Por, ai theksoi Serbia duhet së pari ta tërheqë letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq, me të cilën kishte dalë kundër marrëveshjes, për t’u cilësuar si e sinqertë përpjekja e Vuçeviqit.

    Bislimi tha se si kusht, e përsëriti kërkesën e Kosovës që Serbia ta dorëzojë Millan Radoiçiqin, të cilin e akuzon si përgjegjës të sulmit terrorist kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, në shtator 2023.

    Në lidhje me themelimin e Asociacionit, e cila është ndër detyrat kryesore të Kosovës në këtë marrëveshje, Bislimi tha se vendi i tij nuk do t’iu ikë detyrimeve nëse nënshkruhet Marrëveshja.

    “Nuk mund të insistohet kur, për këtë punë, së pari duhet të zgjidhet udhëheqja e re e komunave. Mendoj se duhet të plotësohen disa kushte tjera. Por, e kemi bërë të qartë se në atë moment kur ka dakordim për zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazë, Kosova nuk i ik asnjë prej obligimeve të saja”, tha ai.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura.

    Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Disa orë pas takimit, Lajçak tha se “diskutuam për një numër çështjesh me rëndësi që burojnë nga marrëveshjet e kaluara dhe u pajtuam për hapat e ardhshëm”, pa shpjeguar më shumë.

  • Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Në mungesë të kuorumit s’votohet rezoluta e opozitës për KEK-un

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pa praninë e deputetëve të pushtetit, me përjashtim të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në një seancë të jashtëzakonshme, opozita mbajti debat e shtroi pyetje pa përgjigje “për skandalet dhe keqmenaxhimin në KEK”.

    Me nismë të LDK-së, partitë opozitare propozuan një rezolutë, që nuk u hodh fare në votim në mungesë kuorumi.
    Krahas vazhdimit të hetimeve nga Prokuroria, sipas propozim-rezolutës 7-pikëshe, kërkohet, transparencë, emërim të bordit të ri të pavarur të ndërmarrjes dhe raportim periodik tre-mujor për masat e ndërmarra për përmirësimin e gjendjes.

    Ndërsa, hetim i veçantë u kërkua në raport me anëtaren e LV-së, Dejona Mihali.

    “Personi i quajtur Dejona Mihali me titullin koordinatore e LV-së, ka ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshme në menaxhimin e KEK-ut, duke ndikuar në dhënien e tenderëve, në tregtimin e energjisë elektrike, si dhe duke shkaktuar një valë të punësimeve të jashtëligjshme”, tha kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

    Pasi tha se LV-ja është duke e menaxhuar KEK-un nga prilli i vitit 2020, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, kërkoi hetime për kontratat njëburimore që arrijnë vlerën 105 milionë euro, e po ashtu për procesin e shpronësimeve.

    “Edhe 16 milionë euro shtesë për shpronësime për shkak se deputetit tonë, kolegut tonë nga LV-ja duhet me iu shpronësu prona rreth 1.6 hektarë. Abuzimet në KEK janë jashtëzakonisht të mëdha”, tha kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Krahas ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, deputeti LDK-së, Driton Selmanaj, tha se hetime duhet të ketë dhe ndaj kreut të Qeverisë, që, sipas tij, po i mbron abuzuesit e parasë publike.

    “LDK-ja është e bindur që përtej zotëri Nagip Krasniqit, duhen zgjeruar hetimet. Hetimet duhet të shkojnë përtej, duhet parë edhe niveli politik i përgjegjësisë, ministrja Rizvanolli, zonja Dejona Mihali deri tek Albin Kurti. Ne e kemi parë në komunikimet që ky person, Dejona Mihali, del të jetë personi më i fuqishëm në Kosovë pas kryeministrit”, tha Selmanaj.

    Pyetje për kryeministrin pati, kreu i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ndërkaq akuzoi pushtetin se po ikën, pasi, siç shprehimisht tha ai, “nuk po ua mban”.

    “Duhesh me na kallëzu pak se dilshe folshe, filterat, bojlerat, bojlerat, filterat, s’të merrke vesh kush çka po thu. Hajde tregona tash çka ndodhi me këshilltarin tënd, tash ambasador, Martinin, se dilshe në fotografi, na lodhshe. A i përgjegjësi? Dhe në fund a do të jep dorëheqje, me bo me dalë komunikimet tua të drejtpërdrejta, të cilat tregojnë se ke qenë në dijeni për shumë çështje të menaxhimit të KEK-ut”, tha Tahiri.

    Kjo ishte përpjekja e katërt e opozitës për mbajtjen e një seance të Kuvendit, e cila dështon për shkak të bojkotit nga pushteti.

  • Qyteti i Pejës nderon me çmim të veçantë poetin Lulzim Tafa

    Qyteti i Pejës nderon me çmim të veçantë poetin Lulzim Tafa

    Profesori dhe poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar me çmimin letrar “Lirikë me shi” në qytetin poetik të Pejës.

    Ky çmim ka një rëndësi të veçantë për Tafën, pasi lidhet me kujtimet e tij të hershme për poetin Azem Shkreli.

    Në një postim në Facebook, Tafa kujtoi momentin kur, para 30 vitesh, Azem Shkreli i kishte dhuruar librin e tij “Lirikë me shi”.

    “Para 30 vitesh, poeti Azem Shkreli më dhuroi librin e tij “Lirikë me shi”. Ndërsa sonte, qyteti poetik i Pejës më nderoi me çmimin letrar me të njëjtin emër. Një përkim interesant, paksa paradoksal, i dhimbshëm, por shumë i bukur.” shkroi poeti Tafa.

  • Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Nis takimi trepalësh në Bruksel

    Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë duke e zhvilluar një takim trepalësh në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

    Takimi trepalësh nisi të enjten pasdite, pas takimeve dypalëshe që i dërguari i bllokut mbajti me përfaqësuesit e të dyja vendeve fillimisht, për zbatimin e marrëveshjeve të kaluar në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, raporton Radio Evropa e Lirë.

    Ky është takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviqin nuk kishin arritur pajtueshmëri për temat e takimeve.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur një ditë para takimeve në kuadër të dialogut, kishte thënë se mbajtja e një takimi të përbashkët do të varej nga vullneti i palëve.

    Në takimin e fundit në shtator, Lajçak nuk arriti t’i bindë Bislimin dhe Petkoviqin të mbajnë takim trepalësh, pasi ata kishin mospajtime për temat që do të donin t’i shtjellonin.

    Në lidhje me temat që pritet të shtjellohen në takimet në Bruksel, Stano tha se ato kanë të bëjnë me nevojën për zbatimin e detyrimeve nga dialogu i deritashëm, përfshirë edhe Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilin Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

    “Agjenda është e njëjtë sikur që ka qenë edhe në të kaluarën, pra nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të obligimeve nga dialogu. Nevoja për nisjen urgjente të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe nevoja që edhe Kosova edhe Serbia të pajtohen për progresin në dialog”, tha Stano.

    Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

    Herën e fundit kur ishte zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime.

    Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

    Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

    Në BE, por edhe në NATO gjithnjë e më shumë po shprehin pakënaqësi lidhur me rrjedhën aktuale të dialogut, duke thënë se procesi nuk po prodhon rezultatet e pritura. Kështu ka konstatuar edhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për këtë.

    Emisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar të vitit 2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të marrë mandatin. Mandati i saj do të nisë kur të jetë gati i tërë ekipi i ri i Komisionit Evropian, pasi të konfirmohet nga Parlamenti Evropian.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pret dinamikë të re nga Komisioni Evropian, sa i përket dialogut./rel/

  • Edhe për dy muaj u vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Edhe për dy muaj u vazhdohet paraburgimi tre të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Tre të dyshuarve, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 24 dhjetor 2024.

    “Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, konfirmoi Gashi.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

    Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D.

  • NATO për Reuters: Jemi shumë të vendosur kundër hapjes së njëanshme të Urës së Ibrit

    NATO për Reuters: Jemi shumë të vendosur kundër hapjes së njëanshme të Urës së Ibrit

    Çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër u bë temë diskutimi para disa muajsh, për çka qeveria kërkonte hapjen e saj të menjëhershme.

    Për hapjen e saj, institucionet e vendit ndërmorën edhe një veprim për të testuar qëndrueshmërinë e saj për kalim të automjeteve. Raporti më pas konstatoi se ura është e sigurt.

    Por, këtë insistim të qeverisë nuk e përkrahën partnerët perëndimorë të Kosovës.

    ShBA, BE por edhe shtetet tjera veç e veç e konsideruan si të rrezikshme hapjen e saj në këtë kohë, veprim i cili thanë se mund të rrezikojë trupat e KFOR-it.

    Në Kosovë madje qëndroi edhe shefi i CIA-s, Willim Burns.

    Burime të agjencisë së lajmeve “Reuters” thanë se edhe ky i kishte kërkuar Kurtit kujdes me këtë çështje.

    Po ashtu, edhe nga NATO i kanë thënë kësaj agjencie lajmesh se janë kundër hapjes së njëanshme të urës.

    “Jemi shumë të vendosur kundër një veprimi të njëanshëm për të hapur urën”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për Reuters. “Nuk duam të nxisim ndonjë lloj dhune që do të rrezikonte ushtarët e KFOR-it”.

    Kurti ndërkaq ka thënë se rihapja e urës do të bashkojë një komunitet të ndarë. Në një intervistë me Reuters ai tha se Beogradi dëshironte ta mbante urën të mbyllur për të ndarë veriun me shumicë serbe nga pjesa tjetër e Kosovës.

    “Mendoj se ata në Serbi që insistojnë të mbajnë urën të mbyllur, duan të mbajnë gjallë ëndrrën e ndarjes së Kosovës”, ka deklaruar Kurti për “Reuters”.

  • Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

    Komandanti i ri i KFOR-it takohet me Kurtin, zotohet për zvogëlim të mundësisë së veprimeve që çojnë në tensione

    Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

    Në komunikatën e KFOR-it për këtë takim thuhet se Barduani i ka thënë Kurtit se mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja si platformë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

    “Komandanti i KFOR-it nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake. Ai përsëriti mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, duke shtuar se kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, tha KFOR.

    KFOR-i thotë se Barduani në takim me Kurtin vuri në dukje gjithashtu “angazhimin e tij të palëkundur” për të promovuar unitetin me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”.

    “Kjo është ajo që do të mbështesë të gjitha përpjekjet e mia dhe të gjitha aktivitetet e përditshme të KFOR-it, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it “UNITAS OMNIA VINCIT”, tha ai.

    KFOR-i përsëriti se vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), “respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

  • Rasti Thaçi dhe të tjerët, Nuredin Ibishi vazhdon dëshminë

    Rasti Thaçi dhe të tjerët, Nuredin Ibishi vazhdon dëshminë

    Në Dhomat e specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të dytën ditë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 97-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Nuredin Ibishi, i njohur me nofkën “Komandant Leka”, i cili mban kodin 04758 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitarit iu prezantua një dokument që sipas prokurores Silvia D’Ascoli është marrë nga institucionet e drejtësisë në Kosovë, e që është një organogram që tregon formacionin e brigadave brenda UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Dëshmitari tha se ka njohuri për përmbajtjen e këtij dokumenti dhe se përfaqëson strukturën e organizimit të brigadave të UÇK-së, konkretisht atë që e kanë aplikuar edhe në Zonën Operative të Llapit.

    Ai tha se nuk është i sigurt se kur e ka marrë një organogram të tillë gjatë luftës, por mendon që mund të jetë pas gushtit 1998.

    Ibishi pohon se organogrami që ai ka pasur gjatë luftës mbante vulën e njëjtë të Shtabit ashtu siç e ka tashmë dokumenti i prezantuar në gjykatë.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një organogram tjetër, për të cilin ai tha se është formacioni i një komande të një zone operative të UÇK-së.

    Ibishi tha se kur e ka marrë një dokument të tillë, nuk i kujtohet koha dhe nga kush e ka marrë.

    Dëshmitari tha se këto organograme i ka përditësuar dhe modifikuar me të dhëna përkatëse dhe si rrjedhojë i ka informuar autoritetet përkatëse.

    Ludhur me autoritetet përkatëse, dëshmitari tha se e kishte fjalën për komandantin e zëvendëskomandantin e zonës pasi që sipas tij, këto ndryshime i ka bërë në koordinim me ata.

    Në seancën e së enjtes, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit. Ndërsa, të mërkurën seanca ka përfunduar si private me kërkesë e prokurores, me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarëve.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

  • Osmani: Askush nuk është mbi Kushtetutën, kam respektuar të gjitha kompetencat nga kjo detyrë e shenjtë

    Osmani: Askush nuk është mbi Kushtetutën, kam respektuar të gjitha kompetencat nga kjo detyrë e shenjtë

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka organizuar Takimin e Dytë Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, në cilësinë e njërës nga anëtaret themeluese dhe me të drejta të barabarta të këtij forumi profesional ndërkombëtar të drejtësisë kushtetuese, raporton EO.

    Forumi i Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i themeluar më 27 tetor të vitit 2023, bashkon Gjykatat Kushtetuese të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Turqisë, rreth vlerave të përbashkëta të demokracisë, sundimit të së drejtës dhe mbrojtjes të së drejtave të njeriut.

    Ky forum profesional është themeluar me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit dhe për të shërbyer si platformë diskutimi dhe shkëmbim përvojash mbi drejtësinë kushtetuese.

    Presidentja Vjosa Osmani, tha se askush nuk është mbi Kushtetutën. E para e shtetit shtoi se Kosova mbete e angazhuar ndaj primeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut të cilat janë mishëruar si vlerat themelore kushtetues.

    Osmani ka theksuar se gjatë mandatit të saj është udhëhequr çdo ditë nga kjo detyrë e shenjtë në ushtrimin e të gjitha kompetencave.

    “Kosova mbete e angazhuar ndaj primeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut të cilat janë mishëruar si vlerat themelore të rendit tonë kushtetues dhe janë vendosur në vetë-themelet e shtetit tonë”.

    “Kushtetuta jonë është tejet unike ndër të tjera edhe për faktin se i mvesh president të vendit një detyrë tejet të rëndësishme e substanciale, detyrën për të garantuara funksion kushtetues të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është ndër detyra kryesore të këtij institucione dhe gjatë këtyre viteve të mandatit jam udhëhequr çdo ditë nga kjo detyrë e shenjtë gjatë ushtrimit të të gjitha kompetencave”, ka thënë ajo.

    Gresa Caka – Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, ka falënderuar Gjykata Kushtetues të Ballkani për përkrahjen e vazhdueshme që po e japin që Kosova qw vitin e ardhshëm të bëhet anëtare e barabartë e Asociacionit frankofon të Gjykatave Kushtetuese dhe Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese.

    Ajo ka thënë se është qenësore që të ketë bashkëpunim ndërmjet gjykatave në mënyrë që t’i përballojnë sfidat me të cilat po përballet rajoni.

    Sipas saj, se pasojat që mund të pësojnë demokracitë në mungesë të një kontrolli kushtetues janë tejet gjithëpërfshirëse.

    “Gjykata Kushtetuese e Kosovës vitin që vjen të bëhet anëtare e barabartë e asociacionit frankofon të Gjykatave Kushtetues dhe Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese, kjo është esencial edhe për Gjykatën tonë, por edhe për vete misionet e të lartcekura sepse sot kur vlerat themelore të demokracisë mund të jenë nënshtruar, ndër tjerat si pasoj e polarizimeve të sanksioneve e politike e ideologjike, trendëve në rritje të lëvizjeve populiste e pabarazisë së shtuar ekonomik dhe rreziqeve pasuese për të drejta dhe lirit themelore, solidariteti dhe bashkëpunim i shtuar i Gjykatave Kushtetues është më i rëndësishëm se kurrë. Pasojat që mund të pësojnë demokracitë në mungesë të një kontrolli kushtetues janë tejet gjithëpërfshirëse”, ka thënë ajo.