ATV

Tag: Ballina

  • Von der Leyen në Presidencë, pritet ngrohtësisht nga Osmani

    Von der Leyen në Presidencë, pritet ngrohtësisht nga Osmani

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shtunën në Prishtinë, raporton EO.

    Pas takimit, Osmani dhe Von der Leyen pritet të mbajnë konferencë për media. Ndërsa, nga ora 11:00, Von der Leyen pritet ta takojë Kurtin.

    Presidentja e KE-së është duke qëndruar në Ballkanin Perëndimor nga 23 tetori. Së pari ajo vizitoi Shqipërinë ku u takua kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

    Më pas më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj, pas kësaj ajo shkoi për në Maqedoni të Veriut dhe e u takua kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Më 25 tetor, ajo ishte Serbi dhe do të zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe jo kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi ai u takua me ministrin për zhvillim ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

    Të njëjtën ditë, më 26 tetor, pas Kosovës, Von der Leyen do të jetë në Mal të Zi e do të pritet nga presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq.

  • Letra e Serbisë “lojë për bllokimin e dialogut”

    Letra e Serbisë “lojë për bllokimin e dialogut”

    Pas takimeve në Bruksel, të enjten, zëvendëskryeministri për dialog, Besnik Bislimi, njoftoi se kryeministri i Serbisë i ka dërguar një letër të re Komisionit Evropian, duke shprehur përkushtim ndaj marrëveshjes bazë.

    Bislimi, e cilësoi atë joserioze dhe vetëm sa për të fituar para, pasi, sipas tij, është dërguar në adresë të ndryshme, në raport me letrën paraprake të rezervave nga ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabic, drejtuar Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

    Pa treguar përmbajtjen e letrës, BE-ja sqaroi se Vucevic është zotuar për angazhim konstruktiv dhe zbatim të plotë të obligimeve që dalin nga dialogu.

    Derisa letrat e Serbisë i vlerësoi si blof, pre e të cilit nuk duhet të bjerë Kosova, profesori Dritëro Arifi theksoi se qëllimi i tyre është vendnumërimi në procesin e normalizimit.

    “Një lojë e pushtetit serb për ta evituar pikërisht zbatimin e marrëveshjes nga Kosova. Pala kosovare po dëshiron të gjejë diçka që s’ka justifikim racional në politikë, sepse pala serbe mund të mos e pranojë marrëveshjen – po themi kushtimisht – por Kosova e ka obligimin dhe zotimet me perëndimin, siç e kemi pasur prej Rambujesë e deri te shpallja e pavarësisë. Me këtë logjikë nuk kishim bë asgjë, sepse kishim pritë çka po bën pala serbe. Pra, është non-sens politik”, tha profesori Dritëro Arifi.

    Në këtë kontekst, profesori theksoi se Qeveria duhet të punojë me partnerët evropianë dhe amerikanë, në mënyrë që nga përmbushja e obligimeve, qoftë njëanshëm, Kosovës t’i garantohet anëtarësimi në NATO.

    “Çka bën Serbia është punë e saj. Por, mos të harrojmë një gjë. BE-ja e ka vendosur në Kapitullin 35, e ka rishikuar dhe e ka riformuluar që pa zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, Serbia nuk mund të jetë pjesë e BE-së. Pikë. Dhe kjo e dëshmon që Serbia vetëm po manipulon opinionin publik në Serbi dhe fatkeqësisht edhe në Kosovë, sepse kemi rënë pre e këtij manipulimi serb, sepse Qeveria po ia jep këtë hapësirë. Qeveria duhet të vendosë për Kosovën, jo për Serbinë. Ne nuk mund ta bindim Serbinë të na njoh”, shtoi tutje Arifi.

    Rundi i dialogut në Bruksel, të enjten, u vlerësua i dështuar në raport me temën kryesore – zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Shtojcës së Ohrit.

  • Roli i AME-së në rast të krizave konsiderohet jetik për vendin

    Roli i AME-së në rast të krizave konsiderohet jetik për vendin

    Reagimi institucional në rast të emergjencave synohet të jetë sa më i shpejtë.

    Andaj, Qeveria në mbledhjen e së mërkurës miratoi Projektligjin e ri për Agjencinë e Menaxhimit të emergjencave, i cili synon rritjen e sigurisë publike dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

    Roli i kësaj Agjencie në menaxhimin e emergjencave, konsiderohet jetik edhe nga ekspertët e fushës, sidomos për planifikimin, në mënyrë që burimet e nevojshme të jenë në dispozicion dhe të gatshme për t’u përdorur.

    “Kjo agjenci jep mbështetjen, qoftë për qytetarë, pastaj edhe për reaguesit e parë të cilët duhet të reagojnë në një trup të përbashkët në çfarëdo lloj fatkeqësie natyrore, pra që nga përgatitja, mbrojtja, reagimi në rast të fatkeqësive dhe deri tek rimëkëmbja e situatës pas fatkeqësive të mundshme”, tha eksperti i emergjencave, Tahir Ahmeti.

    Por ata që janë reaguesit e parë në rast të çfarëdo emergjence, vazhdojnë të trajtohen jo dinjitetshëm nga shteti.

    Zjarrfikësit nuk u përmendën askund në ligjin e ri, por as nuk pati ndonjë ndryshim në ligjet ekzistuese që prekin këta punëtorë.

    “Nga të gjithë punëtorët e sektorit të sigurisë, zjarrfikësit trajtohen si më të padinjitetshëm në këtë aspekt, qoftë për shkak të pagave mjaft të ulëta, pastaj që një kohë të gjatë nuk iu paguhen edhe ato ligjërisht që iu takojnë pra qoftë orët e vikendit, apo orët shtesë e të ndërrimit të natës”, shtoi tutje Ahmeti.

    Përtej kësaj, thuhet se AME-ja ka nevojë edhe për shtim të pajisjeve logjistike, në mënyrë që të jetë gjithnjë e më e gatshme në rast të krizave./atvlive.tv/

     

  • Degët e gjykatës në Zubin Potok e në Leposaviq tash e dy vjet jashtë funksionit

    Degët e gjykatës në Zubin Potok e në Leposaviq tash e dy vjet jashtë funksionit

    Pak metra larg komunës, ndodhet dega e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, këtu në Leposaviq.

    Por, ndryshe nga komuna, gjykata është e mbyllur nga nëntori i vitit 2022.

    Përveç në Leposaviq, as dega e gjykatës në Zubin Potok nuk ofron shërbime nga ajo kohë, kur dhanë dorëheqje stafi dhe gjyqtarët e nacionalitetit serb.

    Qytetarëve u është vështirësuar qasja në shërbime, pasi edhe të gjitha lëndët u bartën në Gjykatën e Mitrovicës.

    Pasi theksojnë se dy degët duhet sa më shpejt të hapen, juristët thonë se më sfidues ka qenë trajtimi i lëndëve civile.

    Megjithatë, gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, sipas Këshillit Gjyqësor kanë mbuluar këto dy degë, përfshirë edhe Zveçanin. Por, nuk kanë treguar se kur mund të hapen.

    Sipas raportit nëntëmujor të punës së gjykatave për këtë vit, mesatarja e
    kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura për Leposaviq është 700 lëndë, ndërsa Zubin Potok 384.

    25 gjyqtarë dhe 120 nga stafi administrativ i nacionalitetit serb dhanë dorëheqje nga pozitat e tyre në gjykatën në veri, në nëntor të 2022-s, shkaku i vendimit të Qeverisë për targa dhe arrestimit të ish-drejtorit të Policisë në këtë pjesë./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Ende pa aktakuzë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

    Ende pa aktakuzë për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

    Më shumë se 11 muaj kanë kaluar nga dita kur kësaj argjendarie në Suharekë iu grabitën stoli në vlerë qindra mijëra euro.

    Pavarësisht se të dyshuarit janë arrestuar prej kohësh, prokuroria ende nuk e ka gati aktin akuzues.

    Avokatët e të dyshuarve për këtë rast, vlerësojnë se hetimet në këtë procedurë po zvarriten.

    Ata, madje, thonë se të mbrojturit e tyre ende nuk janë intervistuar.

    Megjithatë, avokati i trim Barakut ka shpresë se të paktën intervistimet mund të kryhen.

    Më 22 nëntor të vitit 2023, grabitësit gjatë largimit patën plagosur edhe një polic. Disa ditë më vonë, Policia arrestoi disa prej tyre, derisa Dukagjin Gashin e neutralizoi.

    Ndërsa, Korab Gashi u arrestua më 1 korrik të vitit 2024.

  • Ulet numri i familjeve që marrin ndihmë sociale, rritet ai i veteranëve

    Ulet numri i familjeve që marrin ndihmë sociale, rritet ai i veteranëve

    Numri i familjeve të varfra në Kosovë u ul për rreth 2 mijë familje.

    Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2024, numri i familjeve që përfitojnë nga skema sociale është 18 mijë e 745, nga 20 mijë e 810 sa ishte në vitin 2023.

    Derisa ato vlerësohet se më nuk jetojnë në Kosovë, sipas ekonomistëve, kjo ulje e shifrës nuk tregon zbutje të varfërisë në vend.

    Por me skepticizëm është parë rritja e numrit të veteranëve. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2024, shifra e përgjithshme e tyre është ngritur për 482 persona më shumë.

    Ndërkaq, shqetësuese vlerësohet përqindja më e lartë e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

    Sipas të dhënave të ASK-së, numri i përfituesve të pensioneve të moshës u rrit për 4 mijë e 530.

    Ndërkaq, pensionet e Trepçës u ulën këtë vit, nga 1 mijë e 482 sa ishin në 2023, në 1 mijë e 174./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Grafitet kundër Fadil Gecit, Gani Geci reagon ashpër – shpërthen kopsat e këmishës në shesh: Hajdeni, këtu jam

    Grafitet kundër Fadil Gecit, Gani Geci reagon ashpër – shpërthen kopsat e këmishës në shesh: Hajdeni, këtu jam

    Gani Geci ka reaguar ashpër pas grafiteve denigruese që janë shfaqur në Prishtinë kundër vëllait të tij, Fadil Geci, pas dëshmisë që dha për tre ditë rreth para Dhomave të Specializuara në Hagë.

    Në një deklaratë para gazetarëve, Geci ka shpërthyer edhe kopsat e këmishës e është drejtuar atyre që kanë bërë këto grafite duke thënë “Ku janë, kqyre ku janë, a po e shihni këtë gjyks. Ku janë ata hajna, hajdi këtu. Gani Geci o këtu përditë”.

    Rastin e ka raportuar në Policinë e Kosovës.

    “Sapo lajmërova rastin në Polici. Ky rast është nxitje e urrejtjes, nxitje për vrasje sipas Kodit Penal. Po besoj që Policia kishin pas nis hetimet ex-ficio, po meqë vëllau jem s’është këtu e lajmërova unë rastin”, ka deklaruar Geci.

    Ai tha se vëllai i tij “ka dëshmu të vërtetën para Gjykatës Speciale të Republikës së Kosovës të formuar nga Hashim Thaçi”.

    Ai ngriti dyshime edhe për ata që mund t’i kenë shkruar këto grafite.

    “Këto grafite denigruese unë mendoj se janë të iniciuara nga një organizatë “Liria ka emër”, e në pastë liria emrin “Hashime”, vallahi unë këto Hashimet kom qejf me i punu”, tha Geci.

    I pyetur nëse do të shkojë edhe ai të dëshmojë, Geci tha se do të shkojë nëse ftohet dhe se do t’i mbulojë shpenzimet vetë.

    “Vallahi a besoni që biletën kom me pagu vetë, e hotelin vetë vec mos t’më thirrshin. Unë pa letër s’muj shkoj”, ka thënë ai.

  • Kurti: Gjysmë miliard euro është shuma e investimeve direkte austriake në Kosovë

    Kurti: Gjysmë miliard euro është shuma e investimeve direkte austriake në Kosovë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar Ditën Kombëtare të Austrisë, në pritjen e organizuar nga ambasada austriake në Kosovë.

    Në fjalën e tij, Kurti ka përshëndetur mbështetjen politike dhe ekonomike që Austria i ka dhënë Kosovës ndër vite.

    “Austria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet të fortë gjatë dekadave, duke filluar me ndihmën tuaj gjatë viteve të vështira të okupimit dhe luftës dhe më pas duke vazhduar me njohjen e pavarësisë sonë në vitin 2008”, ka thënë Kurti.

    Ai ka përmendur edhe mbështetjen e fortë austriake ndaj Kosovës në integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

    Po ashtu, kryeministri ka potencuar se Austria është padyshim pjesë e historisë së Kosovës.

    “Eksportet dhe importet ndërmjet dy vendeve tona janë gjithnjë në rritje, ndërsa sipas Bankës Qendrore të Kosovës pothuajse gjysmë miliard euro është shuma e investimeve direkte austriake në vendin tonë. Këtu dua të nënvizoj gjithashtu mbështetjen e fortë austriake për integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

    Falënderoj edhe ushtarët austriak të KFOR-it për kontributin e tyre për paqen dhe sigurinë dhe sigurinë jo vetëm për Kosovën por edhe për mbarë rajonin. Me angazhimin dhe angazhimin e saj, Austria është padyshim pjesë e historisë së Kosovës dhe e ardhmja e Kosovës”, ka thënë ai.

    Në fund të fjalës së tij, Kurti ka falënderuar ambasadorin Schnetzer për përkushtimin dhe punën e tij dhe i ka uruar popullit austriak Ditën Kombëtare të Austrisë.

  • Mbi 18 mijë familje me asistencë sociale, ja cilat komuna kanë numrin më të madh

    Mbi 18 mijë familje me asistencë sociale, ja cilat komuna kanë numrin më të madh

    Mbi 18 mijë familje në Kosovë, vazhdojnë të marrin ndihmë sociale. Të dhëna këto të cilat janë publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

    Sipas ASK-së gjatë muajit shtator të këtij viti, janë gjithsej 18 mijë e 745 familje me gjithsej 72 mijë e 329 anëtarë, të cilat marrin ndihmë sociale.

    Por numri i familjeve të cilat jetojnë me asistencë sociale, ka rënë në krahasim me muajin janar të këtij viti. Pasi që në muajin janar të vitit 2024 numri i familjeve me asistencë sociale, ishte 20 mijë e 251 familje.

    E qyteti që vazhdon të prijë me numrin më të madh të rasteve sociale, është Mitrovica me 1819 raste. Pasuar nga Vushtrria me 1142 raste. Pas këtyre dy qyteteve vjen Gjakova me 990 raste dhe Lipjani me 942 raste. Pas Lipjanit renditet Peja e cila ka 911 familje të cilat marrin asistencë sociale.

    E si komuna më me pak raste sociale, janë Mamusha me 15 raste dhe Juniku me 39 raste.

  • Raportohet se 27 civilë janë vrarë si pasojë e sulmeve turke në Siri

    Raportohet se 27 civilë janë vrarë si pasojë e sulmeve turke në Siri

    Një grup monitorues i luftës në Siri tha më 25 tetor se sulmet me dronë të Turqisë kanë vrarë 27 civilë në Siri në 24 orët e fundit.

    Turqia ka nisur sulmet në Siri dhe Irak kundër militantëve kurdë, pas një sulmi vdekjeprurës në një kompani të mbrojtjes në Ankara më herët gjatë javës.

    Forcat turke “në mënyrë dramatike kanë përshkallëzuar sulmet e tyre ajrore dhe tokësore në veri dhe lindje të Sirisë”, që nga dita e enjte, tha Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.

    Grupi monitorues shtoi se ka dokumentuar 45 sulme me dronë dhe katër nga avionët luftarakë që kanë goditur infrastrukturë, përfshirë edhe stacione të ujit, energjisë dhe gazit.

    Turqia nisi sulmet ajrore të mërkurën ndaj militantëve kurdë në Irak dhe Siri, duke i fajësuar ata për sulmin në Ankara që ka të vrarë pesë persona.

    Edhe 22 persona u plagosën gjatë këtij sulmi, që Qeveria turke tha se ka “shumë të ngjarë” të jetë kryer nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, organizatë e ndaluar në Turqi.

    Disa orë pas sulmit pranë kryeqytetit turk, “një operacion ajror u krye ndaj caqeve terroriste në veri të Irakut dhe Siri”, tha Ministria turke e Mbrojtjes, raporton REL.

    “Në total, 32 caqe që i përkisnin terroristëve janë shkatërruar me sukses”.

    Forcat Demokratike Siriane thanë përmes një deklarate më 24 tetor se sulmet ajrore turke kanë vrarë 12 civilë në verilindje të Sirisë dhe plagosën 25 të tjerë.

    “Përveç në zonat e banuara, avionët luftarakë të Turqisë dhe dronët kanë shënjestruar furrat e bukës, stacione të energjisë, ndërtesa të naftës dhe pika të kontrollit të Forcave të Brendshme [kurde] të Sigurisë”, thanë këto forca, duke thënë se po ashtu Turqia ka kryer granatime./REL