ATV

Tag: Ballina

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të hënën parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 1-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.

    “E martë- Mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-21 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme. E mërkurë. Mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat vende –vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet17-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtim i verilindjes. E enjte- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësira më të fokusuara parashihen për rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-19 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare. E premte. Edhe dita e premte parashihet me pak vranësira dhe me intervale të gjata me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 14-17 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në njoftim.

  • Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

    Mbi 1 mijë divorce brenda tetë muajve, tradhtia shkak kryesor

    Mbi një mijë qifte u divorcuan brenda tetë muajve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë muajit gusht afro 140 qifte vendosën t’i ndajnë rrugët e tyre. Derisa psikologët dhe sociologët po konsiderojnë se shkak kryesor i këtij fenomeni në rritje është tradhtia në mes bashkëshortëve. Ndërkaq, është rritur numri i partnerëve që kërkojnë këshillime psikologjike përpara divorcit.

    Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli vlerëson shqetësues faktin e rritjes së numrit të rasteve të divorcit.

    Ai potencon se mungesa e komunikimit, shkaqet ekonomike dhe tensionet familjare, janë disa nga faktorët që po shtyjnë qiftet drejt këtij vendimi, pas tradhtisë.

    Përveç kësaj, psikologu Havolli thekson se ngritje ka shënuar edhe numri i qifteve të divorcuara me fëmijë.

    Sociologu Genc Xërxa ndër faktorë të tjerë përmend edhe infertilitetin si shkak i shkurorëzimit mes partnerëve në Kosovë.

    Xërxa vlerëson se vetëdijesimi dhe emancipimi i njerëzve ka ndikuar në marrjen më të lehtë të vendimit për ndarje.

    Po ashtu, edhe drejtoresha e Shoqatës për Prindër të Ndarë, Arjeta Gashi potencon se përveç tradhtisë, dhuna psiqike dhe fizike përmenden ndër faktorët kryesor nga rastet që paraqiten në këtë shoqatë.

    Ndërkaq, Gashi potencon se problematika e strehimit, mospagesa e alimentacioni, stigmatizimi janë ndër sfidat kryesore me të cilat përballen prindërit vetushqyes.

    Ndër të tjera, Gashi tregon se pjesë e organizatës “Prindër të ndarë”, janë rreth 360 gra dhe vetëm 5 burra, pasi siç thotë ajo këta të fundit nuk paraqiten për shkak të krenarisë.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga muaji janar deri në gusht të këtij viti, janë shënuar 1 mijë e 103 divorce. Vetëm në muajin gusht numri i ndarjeve është 136, derisa prin Prizreni me 15 raste dhe Gjilani me 14.

    Ndërkaq, në një raport të ASK-së, thuhet se gjatë tërë vitit 2023 janë shkurorëzuar mbi 2 mijë qifte, derisa Prizreni dominon me rreth 200 raste.

  • AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro

    AKK: Kontrata kolektive i kushtoi komunave më shumë se 122 milionë euro

    Favorizimi nga niveli qendror i komunave me kryetarë nga partia në pushtet duke marrë më shumë mjete financiare për kokë banori, dëmet nga kontrata kolektive e tash edhe ligji aktual për ngritjen e tatimit në pronë, janë disa nga problemet kryesore me të cilat po përballen komunat e Kosovës.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për KosovaPress se përgjatë këtyre viteve komunat padrejtësisht janë dëmtuar me më shumë se 120 milionë euro për kontratën kolektive, mjete të cilat kanë qenë të parapara për investime kapitale.

    Kryetari i Asociacionit të Komunave thotë se nga viti i ardhshëm për pronat komerciale do të ketë ngritje enorme të faturave, e cila do të jetë një barrë jashtëzakonisht e madhe për bizneset dhe është ngritur si shqetësim ndaj Qeverisë.

    Ibrahimi kërkon themelimin e grantit të katërt për investime kapitale dhe grantit specifik për shërbime, të cilët janë të paraparë me projektligjin për financa lokale, pasi favorizimi i komunave të drejtuara nga LVV-ja ka ndikuar që ato të përfitojnë më shumë mjete financiare sesa komuna tjera për kokë banori.

    “Jo i tërë buxheti i Kosovës ndahet për kokë banori në komunat e Kosovës. Kemi grantin e përgjithshëm që është një grant specifik. Kemi dhe dy grante të tjera për arsim dhe shëndetësi. Synimi jonë është që niveli qendror ta themelojë edhe grantin e katërt për investime kapitale, i cili është paraparë me projektligjin për financa lokale, por është edhe granti specifik për shërbime. Kryetarët e komunave nga LVV-ja, kanë marrë më shumë mjete financiare për kokë banori dhe këto mjete financiare vijnë nga ministritë e linjës”, është shprehur Ibrahimi.

    Sipas kreut të AKK-së, ka me qindra projekte të komunave, të cilat nuk përkrahen me buxhet nga Qeveria e Kosovës.

  • Gjashtë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Gjashtë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Edhe pse MSA vlerësohet si një veprim i rëndësishëm i ecjes drejt BE-së, Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën pas sulmeve të Izraelit në Iran

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën pas sulmeve të Izraelit në Iran

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të hënën pas sulmeve hakmarrëse të Izraelit ndaj Iranit, sipas misionit të Izraelit në OKB.

    Irani ka kërkuar këtë mbledhje, duke pretenduar se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me sulmet e drejtpërdrejta ndaj tij herët të shtunën.

    Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, misioni i përhershëm i Iranit në OKB theksoi se veprimet e Izraelit “përbëjnë një shkelje të rëndë të sovranitetit dhe integritetit territorial” të Iranit dhe janë “një shkelje e flagrant e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

    Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e cilësoi kërkesën e Iranit si “një përpjekje tjetër për të na dëmtuar, këtë herë në arenën politike”, duke u zotuar se do të “mbronte të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.”

    Pretendimin se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar Danon e quajti“të çuditshëm”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    “Irani nuk do të lejohet të vazhdojë të fshihet pas aleatëve të tij; sa kohë që Irani vazhdon të kërcënojë dhe të përpiqet të na dëmtojë, ai do të paguajë çmimin”, tha ai.

  • Kurti i kërkon presidentes Von Der Leyen heqjen e menjëhershme të masave të BE-së

    Kurti i kërkon presidentes Von Der Leyen heqjen e menjëhershme të masave të BE-së

    Kryeministri Albin Kurti ka shkruar pas takimit që ka pasur sot me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen. Kurti ka thënë se në këtë takim të katërt në Qeverinë e Kosovës, ka falënderuar Von Der Leyen për udhëheqjen e saj në avancimin e Planit të Rritjes së BE-së.

    “Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e këtyre reformave përmes një procesi të bazuar në merita”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri kosovar ka bërë të ditur se ka theksuar rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe heqjen e menjëhershme të masave të BE-së.

    “Unë ritheksova gjithashtu rëndësinë e dorëzimit të pyetësorit për anëtarësim dhe kërkova heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave të padrejta dhe të padrejta të BE-së.Në një kohë kur autokracitë sfidojnë liritë universale, Kosova qëndron si një spirancë e vlerave themelore të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kurti.

  • ​Sulmi ndaj Gazemend Muhaxherit, Prokuroria në Pejë del me detaje

    ​Sulmi ndaj Gazemend Muhaxherit, Prokuroria në Pejë del me detaje

    Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje shtesë në lidhje me sulmin ndaj kryetarit të kësaj komune Gazmend Muhaxheri.

    Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka bërë të ditur për KosovaPress se me këtë rast janë arrestuar dy persona, të cilët pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

    “Prokurori kujdestar i Departamentit të përgjithshëm të Prokurorisë në Pejë është njoftuar se dy persona e kanë sulmuar kryetarin e komunës dhe një shoqërues të tij. Menjëherë Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona të pandehur. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar në ndalim 48 orësh. Aktualisht prokurorja e çështjes është duke përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për dy persona, të cilët kanë kryer vepra penale sulm ndaj personi zyrtar dhe lëndim i lehtë trupor”, ka thënë Nikçi.

    Gjithashtu në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që të sqarohen të gjitha rrethanat e këtij rasti.

    Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, është sulmuar fizikisht sot në mëngjes në rrugën “Bill Clinton” në Pejë.

    Muhaxheri ka njoftuar se pas sulmit të befasishëm është shëndosh e mirë, duke falënderuar të gjithë ata që janë interesuar për shëndetin e tij.

    Përndryshe, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dega në Pejë, Ali Berisha, ka dënuar ashpër sulmin ndaj Gazmend Muhaxherit.

    “Secili akt dhune është i papranueshëm dhe duhet të marrë epilogun meritor. Akte të tilla shëmtojnë pasqyrën tonë, qoftë si qytet, shtet e komb”, ka thënë Berisha.

  • Von der Leyen pas takimit me Kurtin: Të punojmë për të ardhmen evropiane të Kosovës

    Von der Leyen pas takimit me Kurtin: Të punojmë për të ardhmen evropiane të Kosovës

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti për pritjen që sot i bëri në Prishtinë.

    Në një postim në platformën X, ajo e ka uruar Kurtin për arritjen dhe sukseset “mbresëlënëse” në ekonomi.

    “Jemi krenarë që ju mbështesim. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku hap pas hapi për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka thënë Von der Leyen.

    E njëjta u takua sot edhe me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën mbajti konferencë për media.

    Von der Leyen është duke qëndruar në Ballkanin Perëndimor nga 23 tetori, së pari ajo vizitoi Shqipërinë ku u takua kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

    Më pas më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj, pas kësaj ajo shkoi për në Maqedoni të Veriut dhe e u takua kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Më 25 tetor, ajo ishte Serbi dhe zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe jo kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi ai u takua me ministrin për zhvillim ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

    Të njëjtën ditë më 26 tetor pas Kosovës, Von der Leyen do të jetë në Mal të Zi e do të pritet nga presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq.

  • Von der Leyen: Ka ende punë për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Von der Leyen: Ka ende punë për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se duhet ende punë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, raporton EO.

    Sipas saj, BE-ja është e përkushtuar që të gjejë hapat e duhur për largimin e tyre dhe për t’i bindur shtetet anëtare.

    “Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare – pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Von der Leyen & Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, ka thënë ajo.

    Këtë deklaratë, ajo e ka bërë në një konferencë të përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, ku ka theksuar se Kosova ka punuar fort për fuqizimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

    Sukses të madh, Von der Leyen e ka konsideruar edhe heqjen e vizave për Kosovën, gjë e cila tregon “sa shumë mund të arrijmë kur punojmë bashkë”.

    Presidentja e KE-së është duke qëndruar në Ballkanin Perëndimor nga 23 tetori. Së pari ajo vizitoi Shqipërinë ku u takua kryeministrin shqiptar Edi Rama, dhe mbajti një fjalim në ceremoninë e inaugurimit të kampusit të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

    Më pas më 24 tetor, ajo u takua me presidentin Bajram Begaj, pas kësaj ajo shkoi për në Maqedoni të Veriut dhe e u takua kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.

    Më 25 tetor, ajo ishte Serbi dhe do të zhvilloi takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe jo kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi ai u takua me ministrin për zhvillim ekonomik të Rusisë, Maksim Reshetnikov.

    Të njëjtën ditë, më 26 tetor, pas Kosovës, Von der Leyen do të jetë në Mal të Zi e do të pritet nga presidenti malazez Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq.

  • ​Osmani i kërkon Von der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës dhe reagim ndaj Serbisë

    ​Osmani i kërkon Von der Leyen heqjen e masave ndaj Kosovës dhe reagim ndaj Serbisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur Serbinë si satelitin më i fortë të Rusisë në Evropë, për të cilën Bashkimi Evropian duhet të tregojë vendosmëri.

    Presidentja Osmani në konferencën e përbashkët me Ursula von der Leyen, uroi këtë të fundit për rizgjedhjen në krye të Komisionit Evropian, duke thënë se pret me padurim që ta vazhdojnë bashkëpunimin që kanë ndërtuar për gjatë viteve.

    Osmani tha se vizita e Von der Leyen në vendin tonë është vetëm pak ditë pas miratimit të agjendës së reformave për Kosovën.

    “Ky është një lajm jashtëzakonisht pozitiv për vendin tonë. Këta hapa konfirmojnë përkushtimin e BE-së për ta ofruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt integrimit në BE e po ashtu do të shërbejnë si një motiv shtesë për të punuar më shumë për të ardhmen tonë të përbashkët në familjen e Bashkimit Evropian. Padyshim që rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë por ia ka vlejtur, prandaj ne mezi presim që të zbatojmë reformat e këtij plani dhe të përfitojmë sa më shumë nga kjo mundësi në muajt dhe vitet në vijim. Agjenda e reformave për Kosovën është fokusuar në pesë fusha prioritare, ekonomi, siguri energjetike, tërheqje të investimeve të huaja dhe fusha tjera, dhe parashihet që deri në fund të vitit 2027, Kosova të përfitojë deri në 882 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pas zbatimit të të gjithë hapave të reformës që janë parashikuar në agjendën e reformave, respektivisht Kosova do të jetë përfituese më e madhe nga kjo paketë për kokë banori”, tha Osmani duke theksuar se Kosova shquhet për përafrimin e politikave të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes me politikat e BE-së.

    Megjithatë, Osmani shtoi se është fat i keq për gjithë Ballkanin Perëndimor dhe BE-në që një shtet siç është Serbia, vazhdon të jetë sateliti më i fort në Evropë.

    “Është koha e fundit që vendosmërinë që BE ka treguar në raport Rusinë të tregohet edhe ndaj satelitëve dhe shërbyesve të Rusisë në rajonin tonë. Kjo në veçanti është me rëndësi sa i përket Serbisë për aktin e agresionit ndaj Kosovës të kryer nëpërmjet forcave paramilitare, terroristë në shtator të vitit të kaluar gjë që sipas Shtëpisë së Bardhë ka pasur për qëllim të destabilizoj, jo vetëm Kosovë por të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha ajo, derisa shtoi se Kosova në anën tjetër po dëshmon qasje konstruktive dhe po vepron në frymën e fqinjësisë së mirë, duke avancuar në sundim të ligjit dhe duke mbajtur sistemin më të avancuar kushtetues në të gjithë kontinentin evropian sa i përket pakicave.

    “Andaj sot kemi nevojë që Bashkimi Evropian t’i vlerësoj dhe t’i njoh këto arritje. Rrjedhimisht është edhe koha e fundit që edhe masat e padrejta ndaj Kosovës të largohen përfundimisht. Përveç që të padrejta, këto masa po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës pa dallim dhe kanë dëmtuar edhe vet procesin e dialogun duke e bërë atë të pabalancuar, të pabarabartë dhe të pakredibilitet”, tha presidentja Vjosa Osmani.

    Osmani ritheksoi se vendi ynë do të vazhdojë të jetë e palëkundur në aspiratat drejt anëtarësimit në BE.

    Von der Leyen po qëndron për vizitë në Kosovë si pjesë e turneut në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, për të shprehur përkushtimin e komisionit për angazhim në afrimin e rajonit drejt BE-së.

    Von der Leyen aktualisht është takuar me kryeministrin Albin Kurti, ku mediat do të kenë mundësi të marrin vetëm pamje.

    Von der Leyen ndalesën e parë e kishte Shqipërinë më 23 tetor, për të vazhduar në Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbi. Vizitën në rajon ajo do ta përfundojë me takimin me liderët e Malit të Zi në Podgoricë.

    Ndryshe, të premten e kaluar, BE miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat i kanë paraqitur ato si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes prej 6 miliard eurosh.

    Kosova, e cila aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022, mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. /KP