ATV

Tag: Ballina

  • Haradinaj e çon Specialen në Gjykatën e Strasburgut

    Haradinaj e çon Specialen në Gjykatën e Strasburgut

    Nasim Haradinaj, ish i burgosur nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, ka thënë se është ankuar në Strasburg, pasi që mendon se i janë shkelur të drejtat njerëzore në Gjykatën Speciale me seli në Hagë.

    Haradinaj tha se është ankuar në Strasburg pasi është dënuar pa argumentim dhe që Gjykata Speciale s’i ka pranuar provat materiale.

    “E drejta njerëzore, prandaj avokati im është ankuar edhe në Strasburg, pasi e kam shfrytëzuar të drejtën që jam edhe shtetas suedez. Lënda ime ka shkuar në Strasburg, sepse kam të drejt dhe e falënderoj Toby Cadman që ma ka bërë këtë falas, pasi sa për financa që i kanë ndalur këta, unë s’do të mund as të mbrohesha”, ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.

    Ai më tej ka thënë se në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg janë ankuar edhe për faktin se askush nga Specialja nuk është dënuar për rrjedhjen e dosjeve që patën shkuar në zyrat e OVL-së së UÇK-së.

  • S’ka pritje në pikat kufitare për të hyrë e për të dalë nga Kosova

    S’ka pritje në pikat kufitare për të hyrë e për të dalë nga Kosova

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat mbi pritjet në kufi.

    Aktualisht nuk ka pritje në asnjë nga pikat kufitare, as në hyrje e as në dalje.

  • Kurti porosi ambasadorëve që të reagojnë shpejt: Serbia me ndihmën e Rusisë po përhapë narrartiva kundër Kosovës

    Kurti porosi ambasadorëve që të reagojnë shpejt: Serbia me ndihmën e Rusisë po përhapë narrartiva kundër Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se u shteti i Serbisë me mbështetje të hapur nga Rusia, ka ngritur një rrjet narrativash që synojnë të dëmtojnë Kosovën dhe të pengojnë përparimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

    Këto komente, kreu i Qeverisë i ka bërë në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, teksa u ka bërë thirrje korit diplomatik që të vërtetën ta kenë ta gatshme përherë “e mbi të gjitha të jenë të shpejt e të qartë në atë që tregojnë”.

    “Është e rëndësishme që rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbehemi, por edhe si ndërveprim me njerëzit. Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë, sigurisht që kanë rritur dhe forcuar lidhjet mes shteteve dhe popujve tanë”, ka deklarua Kurti.

    “Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve”, u shpreh i pari i qeverisë.

    Duke iu adresuar ambasadorëve të pranishëm, Kurti theksoi rëndësinë e diplomacisë aktive dhe angazhimit të vazhdueshëm me qytetarët e vendeve mikpritëse. Ai e përkufizoi rolin e diplomacisë jo vetëm si një mjet për të lidhur qeveritë, por edhe për të ndërvepruar me studentë, gazetarë, aktivistë dhe ndërmarrësit, duke forcuar lidhjet mes popujve e shteteve.

    “Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se sa tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë e gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë sigurisht se kanë rritur e forcuar lidhjet mes shteteve e popujve tanë”, tha ai.

    Kryeministri vuri theks të veçantë te roli i komunikimit në një botë të ndërlidhur dhe të orientuar nga rrjetet sociale. Ai theksoi se heshtja në këtë epokë mund të keqkuptohet dhe mund të krijojë hapësirë për propagandë dhe dezinformata.

    “Jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe komunikimit të menjëhershëm e pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet e, për më keq, i lënë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave”, theksoi shefi i ekzekutivit.

    Duke iu referuar sfidave hibride dhe propagandës sistematike të Serbisë, me mbështetje të hapur nga Rusia, Kurti e përkufizoi betejën aktuale si një luftë narrativesh, ku koha dhe profesionalizmi janë armët kryesore.

    “Serbia vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha ai.

    Kurti u bëri thirrje ambasadorëve që të veprojnë me vendosmëri dhe qartësi, duke ofruar të vërtetën si kundërargument ndaj çdo genjeshtre të Serbisë. “Për secilën genjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet t’i kemi të gatshme të vërtetat tona”, tha Kurti.

    Ai nënvizoi se përhapja e së vërtetës duhet të jetë një proces i shpejtë dhe i organizuar. Ai theksoi se e vërteta është gjithmonë në favorin e Kosovës, por ajo duhet të prezantohet në kohën e duhur dhe në formatin e duhur.

    “Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu, spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet”, shtoi ai.

    Kurti tha se Kosova është një shtet ende i ri për shumicën e vendeve ku shërbejnë ambasadorët, e që po ndërton e formëson pozitën e saj në skenën ndërkombëtare.

    “Avancimi i pozitës tonë, varet nga përkushtimi i secilës dhe secilit prej nesh, puna juaj prandaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Promovimi i interesave ekonimike, të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore, kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë parimet dhe të drejtat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj dhe të gjithë neve”, nënvizoi Kurti.

  • Edhe një vit me mbi 100 mjekë të ikur nga Kosova

    Edhe një vit me mbi 100 mjekë të ikur nga Kosova

    Prej vitesh flitet se si mjekët largohen nga Kosova, por askush nuk e thotë se si të ndalen ata.

    Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) thonë vetëm se “ata ikin me vullnetin e tyre” – nuk tregojnë nëse kanë ndonjë plan a strategji për t’i joshur që të qëndrojnë.

    Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, në Odën e Mjekëve të Kosovës tregojnë se, gjatë vitit 2024, 109 mjekë e kanë tërhequr certifikatën për të kaluarën etike, e cila u shërben për punësim jashtë vendit.

    Më 2023, kjo shifër ishte 167, ndërsa në periudhën 2018-2022, mbi 650.

    “Largimi i kuadrove të reja shëndetësore e dëmton seriozisht sektorin e shëndetësisë në vend”, thonë në Odën e Mjekëve për Radion Evropa e Lirë.

    Dhe, kjo është e dukshme. Pacientët presin me muaj, nëse jo vite, për disa shërbime, ndërsa shumë aparatura të reja as që shfrytëzohen, sepse nuk ka profesionistë.

    Pse largohen mjekët?

    Dr. Shpendi – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë – është në mesin e 18 mjekëve, që e braktisën Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në vitin 2024.

    I specializuar për gastroenterologji, ai thotë se nuk ka mundur t’i bëjë ballë “burokracisë” dhe “monopolit të hekurt” në klinikë.

    Sipas tij, në QKUK ka kontroll të plotë mbi një pjesë të stafit, që “nuk i mirëpret gjeneratat e reja”, shkaku i konkurrencës.

    “Shefi i klinikës, bashkë me ata të reparteve, nuk na kanë lejuar të punojmë. I kam kryer të gjitha obligimet, të gjitha ato trajnime brenda dhe jashtë vendit dhe nuk më kanë lejuar ta tregoj atë dijeni”, thotë dr. Shpendi.

    Ai shton se përderisa ekziston ky “mentalitet i vjetër” i udhëheqjes së klinikave, stafi nuk do të rrijë aty.

    Doktor Arbër Muriqi është larguar nga Kosova dy vjet më parë, por për një arsye tjetër: paga.

    Në Kosovë, paga e mjekut specialist aktualisht është rreth 1.200 euro.

    Paga mesatare në vend sillet në rreth 570 euro.

    Muriqi thotë se punon në një spital në Tyringen të Gjermanisë, ku paga fillestare ka nisur me 5.000 euro.

    “Kam ardhur këtu… punoj, marr një pagë të dinjitetshme, bëjmë një jetë të mirë dhe i ndihmojmë familjet”, thotë anesteziologu Muriqi për Radion Evropa e Lirë i cili po specializon për neurologji.

    Në spitalin gjerman ku punon, thotë se ka edhe infermierë e mjekë të tjerë nga Kosova.

    Si mund të parandalohet ikja e mjekëve?
    SHSKUK-ja, e cila mbikëqyr QKUK-në dhe shtatë spitalet rajonale të Kosovës, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ka ose planifikon ndonjë strategji për të penguar ikjen e mjekëve. Ngjashëm as QKUK-ja.

    Hana Xhemajli, specialiste për hulumtim të politikave globale shëndetësore, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë strategji të qartë për sistemin shëndetësor dhe stafin mjekësor.

    Sipas saj, ato duhet të krijojnë politika të tilla që e bëjnë stafin të ndihet i vlefshëm në Kosovë, duke pasur pagë dhe kushte të dinjitetshme pune.

    Po ashtu, duhet të stimulohet zhvillimi profesional i tyre dhe të ofrohen mundësi për avancim.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar shpesh për kushte të mjera në spitale, aparatura të ndryshkura, apo mungesa të gjërave elementare si çarçafë.

    Gjithashtu, mungesa e barnave gati se është problem i zakonshëm dhe i detyron pacientët t’i blejnë vetë ato.

    Xhemajli thotë se Kosova, për më tepër, ka një popullsi në plakje dhe përmirësimi i kushteve duhet të bëhet urgjentisht.

    “Brenda 20 vjetësh, ne do të kemi një popullsi shumë më të vjetër dhe ne nuk kemi asnjë zgjidhje se si ta mbajmë stafin këtu dhe si t’ua mundësojmë këtyre institucioneve që veç i kemi, të jenë më funksionale”, thotë ajo.

    Vendet si Gjermania apo të tjera në Bashkimin Evropian arrijnë t’i adaptojnë shumë shpejt mjekët nga Kosova, për shkak të kushteve që u ofrojnë, sipas saj.

    Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë ka vlerësuar në raportin e vitit 2023 se mbi 10.000 njerëz, tash e sa muaj apo vite, janë në lista të pritjes për procedura të ndryshme mjekësore – nga operacionet në zemër deri tek ato në sy.

    Për këtë gjendje, Zyra e Auditimit ka fajësuar mungesën kritike të personelit mjekësor, veçanërisht të anesteziologëve.

    QKUK-ja ka Klinikën e Anesteziologjisë me 48 anesteziologë – shumë më pak se 100, sa do t’i duheshin, sipas udhëheqësve të saj.

    Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se mungesa do të vazhdojë edhe për disa kohë.

    Në vitin 2025, sipas tij, mbi 15 mjekë pritet ta përfundojnë specializimin e tyre në anesteziologji, por është e pasigurt se sa prej tyre do të punojnë brenda sistemit shëndetësor shtetëror, pasi shumë e kanë financuar vetë arsimimin e tyre – çfarë do të thotë se nuk janë të detyruar të punojnë aty.

    Ndaj, pa një qasje të qartë dhe të qëndrueshme për adresimin e këtyre sfidave, Kosova duket se rrezikon të humbasë një brez të tërë profesionistësh shëndetësorë, duke i përkeqësuar edhe më tej kushtet në sektorin e saj të shëndetësisë.

  • Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

    Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiqit për territorin e Kosovës, përderisa është ende i lirë dhe operon brenda territorit të Republikës së Serbisë.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci ka thënë se vazhdimi i organizimit të tyre tregon rrezikun që ky grup paraqet jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.

    Sipas ministrit Maqedonci ky grup paraqet rrezik dhe për Ballkanin Perëndimor.

    “Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi që paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, po për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Maqedonci.

    Maqedonci tha se pas sulmit të 24 shtatorit – 2023 në Banjskë, grupi i Radoiçiqit ka vazhduar me sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas tij, këto sulme kanë shkaktuar pengesa për qytetarët që të kenë akses në shërbime esenciale, me qëllim destabilizimin e vendit.

    “Kjo është parë qartazi edhe pas tentimit për aneksim të territorit tonë me 24 shtator të vitit 2023, ky grup ka vazhduar të funksionoi dhe të inkurajojë elementët e tij brenda territorit të Kosovës me sulm të tjera, normalisht që ka ndryshuar natyra e sulmit nga një tentativë për aneksim e është shndërruar në një format të veprimeve terroriste, siç ishte rasti i fundit, elemente të lidhur me këtë grup tentuan që të dëmtojnë shumë infrastrukturën kritike të vendit tonë duke u mohuar qytetarëve qasjen në shërbimet esenciale, duke shkaktuar krizë energjetike me qëllim të destabilizimit të vendit”, ka thënë ai.

  • Hovenier dje u përshëndet me kosovarët pas 3 viteve si ambasador, mesazhet që la në paraqitjet e fundit

    Hovenier dje u përshëndet me kosovarët pas 3 viteve si ambasador, mesazhet që la në paraqitjet e fundit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, këtë muaj po e përmbyll mandatin e tij në vend. Ditëve të fundit, ai ka zhvilluar takimet lamtumirëse e aktivitetet e fundit zyrtare në këtë post. Hovenier në këto angazhime la porosinë se SHBA do të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën dhe se dëshiron që Kosovën ta shohë të përparuar.

    “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha të premten Hovenier pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Për këtë të fundit, ai tha se ishte i nderuar që “aktin final” të tij si ambasador në Kosovë ta bëjë duke e nderuar figurën dhe këmbënguljen e tij për të drejtat e njeriut.

    “E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”.

    Ai tha se gjatë mandatit të tij “së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”.

    “Ky dhjetor shënon edhe fundin e shërbimit tim si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Dëshiroj të falënderoj popullin e Kosovës për miqësinë dhe mikpritjen. Ka qenë nder që të shërbej në këtë rol dhe të kontribuoj në përpjekjen e përbashkët mes SHBA-së dhe Kosovës për të avancuar dhe konsoliduar një Kosovë sovrane, demokratike, multietnike dhe të begatshme. Jam krenar që e kemi arritur bashkë”.

    Në planin personal, ai tha se gjithmonë do ta kujtonte kremtimin e 4 Korrikut të 2024-ës në Kosovë “kur të gjithë ne refuzuam të lejonim shiun e rrëmbyeshëm të na pamundësonte të festonim dhe të vallëzonim bashkë”.

    Hovenier, duke thënë se përparimi i Kosovës ishte i padiskutueshëm që nga pavarësia, ai u shpreh optimist edhe për të ardhmen.

    “E le këtë detyrë duke e ditur se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe mezi pres të shoh se çfarë ju populli i Kosovës do të arrini në vitin 2025 dhe më tej”.

  • E shtuna e kthjellët, por mëngjesi me ngrica

    E shtuna e kthjellët, por mëngjesi me ngrica

    Mot kryesisht me kthjellime parashihet të mbretërojë ditën e shtunë, megjithëse në pjesë lindore të vendit vranësira mund të mbeten deri orëve të pasdites. Erërat veriore fillojnë të qetësohen e frynë me intensitet të lehtë dhe mesatarë, 2-6m/s. Temperaturat minimale zbresin në -2C e -4C, e ato maksimale gjatë ditës shkojnë deri në 3C e 5C.

    Ditëve të fundit të vitit 2024 parashihet mot stabil kryesisht me kthjellime e diell. Orëve të mëngjesit do të ketë ngrica, me temperatura minimale që zbresin në -2C e -5C. Temperaturat maksimale në rritje deri në 6C e 7C. Luginave të lumenjve, mëngjeseve mund të shfaqen kushte për mjegull apo mjegullinë. Dominojnë qetësitë, e vetëm pasdite mund të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.

  • Qeveria miratoi ndarjen e 100 eurove për fëmijë e pensionistë

    Qeveria miratoi ndarjen e 100 eurove për fëmijë e pensionistë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Pesë ditë pas konferencës ku u dha njoftimi për shtesat e njëhershme në vlerë prej 100 eurosh për fëmijët deri në 16 vjeç dhe pensionistët, Qeveria miratoi ndarjen e tyre.

    Nga kjo masë, ministri i Financave Hekuran Murati tha se do të përfitojnë rreth 700 mijë persona.

    Ndërsa, për refuzimin e shtesës ai tha se kanë aplikuar 60 persona.

    Në mbledhjen e fundit fizike për këtë vit, Qeveria kërkoi nga Presidentja autorizimin për nënshkrimin e marrëveshjes me Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, për avancimin e marrëdhënieve tregtare me këto shtete anëtare të EFTA-s.

    Po ashtu, ekzekutivi miratoi vendimin për shpronësimin preliminar të pronave për nevoja të terminalit doganor në Merdare.

    Ndërkohë, në mbledhjen elektronike të mbajtur paraprakisht qeveria ndau rreth 9.4 milionë euro për blerjen e pajisjeve për Policinë.

  • Në Kosovë konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit

    Në Kosovë konfirmohet rasti i parë me linë e majmunit

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Është konfirmuar rasti i parë me linë e majmunit në Kosovë.
    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se më 26 dhjetor Laboratori i Mikrobiologjisë ka konfirmuar një rast të importuar të sëmundjes.

    Sipas IKSHPK-së i infektuar është një burrë rreth të 30-ave, i cili tashmë është i hospitaliazuar në Klinikën Infektive. Ai dyshohet se sëmundjen e mori gjatë qëndrimit në Afrikën Perëndimore.

    Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, tha se pacienti fillimisht ka manifestuar ndryshime në lëkurë.

    ‘’Po me datën 24 të këtij muaji ka ardh në ora 19:10 min një pacientë I cili është I moshës 30 vjeqare I gjinisë mashkull ka manifestuar ndryshime në lëkurë të cilat ato ndryshime fillimisht kanë ngjasu shumë linjë të cilën jemi mësuar të shofim por meqënse nga të dhënat animilistike pacienti thotë se ka qëndru 4 muaj e gjysmë në Afrikën Perëndimore ne menjëherë e kemi ndalur në repart me dyshimin e mundësisë së infeksionit në li të majmunit IMPOX qysh është tash terminologji e aprovuar’’, tha Vishaj.

    Megjithatë, gjendja e pacientit është stabile.

    ‘’Gjendja për momentin është shumë stabile është duke u trajtuar manifestimet janë elkurore në formë të ekzantemave të cilat janë në formë puçërra të mbushura me ujë, gjendja është stabile. Deri me tani asnjëri nga anëtarët e familjes është periudhë e shkurt nuk ka pasur simptoma të pranisë së infkesionit dhe se rasisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar është duke u përcjellë gjendja e tij’’, tha Vishaj.

    Ndërsa sipas Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, Kosova i ka marrë të gjitha masat pas rastit të parë të konfirmuar me linë e majmunëve.

    “Aq kam informacion edhe unë. I kemi marrë të gjitha masat dhe për çdo informacion shtesë besoj se IKShPK-ja do të del me informacione shtesë”, tha Vishaj.

    Autoritetet përkatëse megjithatë u kanë bë thirrje qytetarëve të kenë kujdes pasi personat që preken nga lija e majmunit zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë.

  • Ministrja e Ekonomisë dhe krerët e KOSTT-it dhe KEDS-it nuk ishin në gjendje të garantojnë përmirësi

    Ministrja e Ekonomisë dhe krerët e KOSTT-it dhe KEDS-it nuk ishin në gjendje të garantojnë përmirësi

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Derisa situata me furnizimin me energji elektrike është rënduar ditëve të fundit, institucionet nuk janë të gjendje të garantojnë zgjidhje të shpejtë.

    Pas takimeve që pati në KOSTT dhe në KEDS, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se u kërkoi dy operatorëve që të bëjnë maksimumin në kryerjen e sanimeve për shkak të prishjeve dhe mbingarkesës.

    Kërkesa tjetër, drejtuar qytetarëve, ishte: kursimi.

    Edhe pse ditë më parë Ministria bëri thirrje për përdorimin e druve dhe peletit, si alternativa për ngrohje, ministrja refuzoi të lidhë rritjen e konsumit me shtimin e përdorimit të klimave.

    “60 mijë amvisëri të reja janë kyçur në sistem gjatë tri viteve të fundit, dhe, 8 mijë e 500 biznese. Do të thotë diku 69 mijë konsumatorë të ri… Të lidhësh subvencionimin e pajisjeve me ngritjen e konsumit është thjeshtë e pasaktë”, tha Rizvanolli.

    Pasi tha që nuk ka mungesë të energjisë, por mbingarkesë, kreu i Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut, Evetar Zeqiri, pranoi se ka reduktime – përkundër që furnizimi i pandërprerë është obligim ligjor.

    “Këto janë raste të jashtëzakonshme të cilat nuk varet as nga KOSTT as nga KEDS, mirëpo për të ruajtur pajisjet tona, sepse një nënstacion e ka vlerën 10 milionë euro. Pra, nuk guxojmë me rreziku nënstacionin me operua mbi kapacitet… Prandaj, në raste të caktuara, në orë të caktuara, si rezultat i ngarkesës së madhe, kërkohet një reduktim i pjesshëm i ndonjë zone, për të cilën bashkë me KEDS-in e vendosim”, tha Zeqiri.

    Në KEDS, kompani që proklamon 260 milionë euro investime në rrjet, përkundër që listuan së paku shtatë komuna: Gjilan, Ferizaj, Fushë Kosovë, Prizren, Gjakovë, Malishevë dhe Rahovec, thanë se probleme kanë vetëm 5% e konsumatorëve.

    “Kërkojmë nga të gjithë konsumatorët, që mundësisht, të bëjnë kursime individuale, në mënyrë që të kalojmë këtë vit… KESCO posedon rreth 730 mijë konsumatorë, dhe bazuar në të dhënat në sistem mbi 95% furnizohen në të njëjtën kohë”, tha Bujar Jupaj, drejtor i Operimit të Sistemit në KEDS.

    Lidhur me investimet në nënstacionin në Ferizaj, një nga komunat me gjendjen më të rëndë, u tha se brenda ditësh ose javësh do të kryhen punët.

    Ndërsa, pa përmendur një afat konkret, edhe për nënstacionin në Malishevë u tha se punët janë në fazën finale.