ATV

Tag: Ballina

  • Sot nis fushata zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

    Sot nis fushata zyrtarisht për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit

    Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nga ora 12:00.

    Dje ishte edhe dita e fundit e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës meqë sipas ligjit zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit.

    Siç ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor gjithsej 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës do të zgjedhin mes 28 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1.280 kandidatë që do të garojnë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.

    Partitë politike sot hapin zyrtarisht fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.

    Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.

    Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.

    Ndërkaq, koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore në Kosovë bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45.

    Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30m në Klan Arena.

    Më 9 janar ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postes.

  • Ç’është dialogu strategjik që pritet të finalizohet me marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së?

    Ç’është dialogu strategjik që pritet të finalizohet me marrëveshje mes Kosovës dhe SHBA-së?

    Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për “dialogun strategjik”.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha të premten se me kërkesën e saj në vitin 2021, SHBA-ja ka konfirmuar se së shpejti do ta finalizojë këtë dialog me Kosovën.

    Lajmin ia ka sjellë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, i cili po viziton Kosovën.

    Çfarë nënkupton kjo?

    Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

    Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik etj.

    Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin etj.

    SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja demokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

    Dialog strategjik edhe me Kosovën, edhe me Serbinë

    Dialogu strategjik me Kosovën dhe Serbinë është përmendur gjithashtu në një deklaratë për shtyp të senatores amerikane, Jeanne Shaheen, në prill të vitit 2024.

    Në atë kohë, Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të SHBA-së miratoi një projektligj të propozuar nga senatorja demokrate Shaheen dhe senatori republikan, Roger Wicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe u dërgua në Senat për shqyrtim.

    Projektligji përmend gjithashtu nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nismat për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet.

    “Këta hapa të propozuar përfshijnë nisjen e dialogut strategjik dypalësh me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve”, thuhet në deklaratën për shtyp të senatores Jeanne Shaheen.

    Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, dr. Karen Donfried.

    Në atë kohë, të dyja vendet theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe riafirmuan angazhimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor përmes nismave politike, ekonomike dhe të sigurisë.

    Në takim ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të avancuara të mbrojtjes, zhvillimit të stërvitjeve dhe aktiviteteve të trajnimit dypalësh për të përmirësuar ndërveprimin dhe gatishmërinë.

    Për më tepër, ata riafirmuan angazhimin për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe ndanë angazhimin për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar dypalësh.

  • Rritja e pensioneve prej 20% për kategoritë e dala nga lufta, ministri Murati njofton prej kur fillon ekzekutimi

    Rritja e pensioneve prej 20% për kategoritë e dala nga lufta, ministri Murati njofton prej kur fillon ekzekutimi

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se kur do të bëhet ekzekutimi i pagesave me rritje të pensioneve prej 20% për kategoritë e dala nga lufta.

    Ai tha se ekzekutimi i pagesave me rritje do të fillojë që nga ky muaj.

    Qeveria e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë.

    Rritja prej 20 për qind u miratua sot, si rezultat i përditësimit të një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen.

    “Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe viktimat civile.

    Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind.

    Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.

     

  • Ministrja e Drejtësisë kërkon nga Blerim Isufaj të tregojë kush nga prokurorët ishte në zyrat e Kryeministrave të mëparshëm

    Ministrja e Drejtësisë kërkon nga Blerim Isufaj të tregojë kush nga prokurorët ishte në zyrat e Kryeministrave të mëparshëm

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, të japë informacione se cilët prokurorë kanë vizituar zyrat e Kryeministrave të mëhershëm.

    Këtë deklaratë Haxhiu e ka dhenë të premten duke iu përgjigjur pyetjeve se cili prej Kryeministrave ishte intervistuar në Zyrën e Kryeministrit ashtu siç po kërkon Kryeministri aktual, Abin Kurti që të intervistohet në Kryeministri për një rast që është ftuar si dëshmitar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Blerim Isufaj e di shumë mirë, ndonëse në konferencë për media tha se nuk kam informacione, ai e di shumë mirë se kush nga prokurorët ka shkuar në Zyrat e Kryeministrave, por nuk flet për këtë. Andaj, ju lutem që përgjigjet e tilla t’i merrni nga Kryeprokurori Isufaj”, ka thënë Haxhiu.

    Ajo ka shtuar se ka prokurorë që kanë lëshuar Kosovën për shkak të kërcënimeve.

    Kryeministri Albin Kurti ka refuzuar disa herë ftesën e Prokurorisë Speciale për të dhënë deklaratë si dëshmitar në një rast që është duke u hetuar nga PSRK-ja. Ai ka theksuar se nëse prokurorët kanë guxim, le të shkojnë dhe ta intervistojnë në Kryeministri.

    LEXONI EDHE:

    Haxhiu: Qeveria ka mbështetur ekipet mbrojtëse në Hagë me 30 milion euro

  • Avni Kastrati zgjidhet drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

    Avni Kastrati zgjidhet drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës.

    Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Në bazë të propozim vendimit nga ana e Qeverisë drejtor është zgjedhur, Avni Kastrati.

    Theksojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte emëruar Avni Kastratin ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 17 nëntor të vitit të kaluar.

  • Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma.

    Pas takimit, ajo është deklaruar përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

    “Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar ajo.

    Osmani ka potencuar se kjo është “një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.

    “Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar presidentja e vendit.

  • Policia nis hetimet për dy raste të vdekjeve në rajonin e Prishtinës

    Policia nis hetimet për dy raste të vdekjeve në rajonin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona kanë ndërruar jetë dhe se rastet janë cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

    Njëri rast ka ndodhur në Prishtinë, ndërsa tjetri në Podujevë.

    Sipas këtij raporti trupat e pajetë me urdhër të prokurorit janë dërguar në IML për obduksion.

    “Prishtinë / 09.01.2025-05:30. Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ndërsa turpi i pajetë i viktimës mashkull kosovar me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”.

    “Podujevë / 09.01.2025-12:30. Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë

  • Zëvendëssekretari amerikan mbërrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja

    Zëvendëssekretari amerikan mbërrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Zëvendës Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

    Gjatë ditës së djeshme, Verma ka qëndruar në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij në tri shtete të Ballkanit, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

    Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate, ditë më parë, ka treguar se cila do të jetë agjenda e diskutimit në Kosovë.

    “Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet komunikatën e DASH-it.

  • Shkon në 10 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles, një person i arrestuar për zjarrvënie

    Shkon në 10 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles, një person i arrestuar për zjarrvënie

    Ka shkuar në të paktën dhjetë numri i të vdekurve nga zjarret në natyrë në Los Angeles, ka bërë të ditur ekzaminuesi mjekësor i qytetit të Kalifornisë, raporton BBC.

    Tani për tani janë pesë zjarre ende aktive në zonë: Palisades, Eaton, Kenneth, Hurst dhe Lidia.

    Një burrë është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie. Departamenti i Policisë i Los Angelesit thotë se beson që zjarri Kenneth, më i riu që ka shpërthyer, është nisur në mënyrë të qëllimshme.

    Kryetarja e Los Angleselit, Karen Bass, gjithashtu paralajmëroi për zero tolerancë ndaj plaçkitësve, pasi u raportua se të paktën 20 persona ishin arrestuar.

    Zjarrfikësit kanë thënë se zjarri Kenneth tashmë është frenuar për 35 për qind, ndërsa zjarri Palisades vetëm 6 për qind.

    Erëra më të fuqishme priten të premten dhe javën e ardhshme dhe një mot i tillë mund t’i prekë zjarret në distriktet e Los Angelesit dhe Venturas.

    Presidenti Joe Biden ka njoftuar se qeveria federale do ta mbulojë koston e plotë të masave për t’i “mbrojtur jetën dhe pronën” në jug të Kalifornisë për gjashtë muaj.

  • PZAP hedh poshtë ankesën e VV-së për certifikimin e Listës Serbe

    PZAP hedh poshtë ankesën e VV-së për certifikimin e Listës Serbe

    Paneli Zgjedhori për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për certifikimin e Listës Serbe, duke e vlerësuar atë si të palejueshme.

    Në vendimin e PZAP-it, thuhet se “HUDHET poshtë e palejuar ankesa Nr. 16/2025 e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku kërkohej anulimi i Vendimit të KQZ-së Nr. 01/2328-2024, të datës 31.12.2024, dhe urdhërohej KQZ-ja të nxirrte vendim tjetër.“

    Lista Serbe fillimisht nuk ishte certifikuar në mbledhjen e KQZ-së, por pas një ankese të saj, PZAP-i vendosi të japë të drejtë kësaj partie.

    VV, e cila ka kundërshtuar vazhdimisht këtë vendim, ka paraqitur një ankesë të dytë në PZAP më 2 janar, duke e konsideruar certifikimin e Listës Serbe si të paligjshëm dhe duke kërkuar anulimin e tij për pjesëmarrje në zgjedhje.