ATV

Tag: Ballina

  • Zubin Potok, hapet segmenti i rindërtuar i kanalit të Ibër Lepencit

    Zubin Potok, hapet segmenti i rindërtuar i kanalit të Ibër Lepencit

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Mëngjesin e 46-të pas sulmit terrorist me lëndë shpërthyese, kanali i Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut u rifunksionalizua.

    Punëkryesit e kontraktuar hoqën digën e improvizuar prej druri e metali, që për pak më shumë se një muaj u mundësoi kryerjen e punëve rehabilituese – duke drejtuar rrjedhën kah kanali i përkohshëm anësor.

    Pasi tha se ndërtimi u bë javë më parë, kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka theksoi se nuk deshën të nxitohen pa u siguruar që janë kryer të gjitha punët.

    “Ju e dini se betoni dhe izolimi kërkon pa kohë për tharje. Dhe, nuk kemi dashur në kohën e festave të bëjmë eksperimente, kështu që sot dalëngadalë metër kub pas metër kub kemi lëshuar ujin dhe siç po shihet çdo gjë është në rregull”, tha Mujka.

    Projekti në tërësi, përfshirë largimin e kanalit anësor dhe rihapjen e rrugës, sipas Mujkës ka kosto afër 370 mijë euro.

    “Bypassi ka qenë zgjidhje momentale, derisa ka përfundua renovimi i kanalit kryesor. Ne gjithsesi do ta kthejmë në gjendjen e mëparshme, sepse ju e dini që poshtë është rrugë, rrugë publike, dhe sa më shpejtë, në varësi të kushteve atmosferike do ta kthejmë në gjendjen e para 29 Nëntorit”, tha Mujka.

    Kthimin e normalitetit në kanal e mirëpriti kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

    “Kanë arrit në afatet e caktuara të lëshohet kjo, ani pse edhe kjo unaza e bypassit ka bërë furnizimin e duhur edhe për ekonomitë familjare edhe për ftohjen e turbinave në KEK. Kështu që mirë është”, tha Zeqiri.

    Më 29 Nëntor, një segment i kanalit të Ibër Lepencit pësoi dëme të rënda si pasojë e një sulmi terrorist me lëndë shpërthyese, duke rrezikuar furnizimin me energji elektrike në tërë vendin dhe me ujë në një pjesë të madhe.

    Për sulmin ndaj infrastrukturës kritike në paraburgim po mbahen dy të dyshuar – të dy pjesëtarë të komunitetit serb.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Masakra e Reçakut vazhdon të mohohet nga shteti serb

    Masakra e Reçakut vazhdon të mohohet nga shteti serb

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Pak kush jashtë Kosovës kishte dëgjuar për Reçakun para 15 janarit të 99-ës.

    Por pikërisht në këtë ditë, 26 vjet më parë në këtë fshat të Shtimes, u vranë 45 civilë shqiptarë, ngjarje kjo e cila do t’i jepte kahe tjetër historisë së Kosovës.

    Tmerrin e masakrës, sipas historianëve e dëshmojnë edhe burimet arkivore.

    “Edhe Pashiqi, ai që ishte shumë më herët se sa ky udhëheqës i Serbisë, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë. Kemi mohimin e krimeve edhe në Luftën e Dytë Botërore që bëjnë serbët në Kosovë. E mohojnë edhe Rankoviqi edhe Tito. Dhe natyrisht këta të fundit janë bashkëpjesëmarrës në krimet në Kosovë, për shkak se ata kanë qenë para 26 viteve pjesë e qeverisë kriminale të Millosheviqi’’, tha Selim Bezeraj, profesor i historisë.

    Për këtë krim të cilin shteti serb mohon të ketë ndodhur, askush nuk është dënuar.

    ‘’E dinë edhe Prokuroria Speciale që masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dihet qartë se kush ka qenë komandant i policisë, komandant i forcave ushtarake, komandant i forcave paramilitare, do të thotë grupet kriminale paraushtarake që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe nëse do të kishim më shumë aktakuza që e prekin zingjirin komandues, në një mënyrë do të rritej edhe llogaridhënia edhe përgjegjësia e personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës në këto masakra’’, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Por për viktimat, as 26 vjet pas nuk pati drejtësi.

    “Fare pak apo aspak është ofruar drejtësi për viktimat civile të cilat janë vrarë 26 vjet më parë në masakrën e Reçakut. Sigurisht që këtu një prej problemeve apo sfidave është mos bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë dhe personat të cilët i kanë bërë këto krime nuk gjenden në Kosovë”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    I pari që botës i kumtoi tmerrin që kishte ndodhur në Reçak shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Gjykimi për krime lufte në Prizren, ndaj Milos Pleskoviq

    Gjykimi për krime lufte në Prizren, ndaj Milos Pleskoviq

    Përgatiti: Nora Luta

    Babë e bir, nga Prizreni erdhën të martën në Gjykatën e Prishtinës, për të dëshmuar në gjykimin për krime lufte në këtë qytet, ndaj Millosh Pleskoviqit.

    Xhenger e Fevzi Cana, 1 shtatorin e ’98-tës kishin shkuar për të siguruar dru për ngrohje, rreth 300 m larg lagjes ku ata banojnë në Prizren, së bashku me viktimat Binak e Reshat Daçaj, Fatmir Bojaxhiu dhe fqinjin Bashkim Kastrati.

    Xhenger Cana ka deklaruar se atë ditë, e ka parë të akuzuarin Pleskovic duke shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimave.

    Pasi tha se është në gjendje të rëndë shëndetësore, për ditën kritike rrëfeu edhe Fevzi Cana. Ndërsa, Bashkim Kastrati tregoi se si u larguan me Canën, pasi kishin dëgjuar thirrjet e Xhengerit.

    Ndërkohë, vëllai i Fatmir Bojaxhiut, Iliri tha se doktor Hidajet Lutfiu nën presionin e policisë serbe, kishte dhënë deklaratë të rrejshme kinse trupat e viktimave u dëmtuan nga kafshët.

    I njohur me nofkën “Miki”, Millosh Pleksovic, në bashkëkryerje akuzohet për vrasjen e dy pjesëtarëve të familjes Daçaj, dhe Fatmir Bojaxhiut më 1 shtator të 1998-s në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla”, në Prizren.

    Ai ishte arrestuar në shtator të 2023-s, ndërsa gjykimi do të vazhdojë edhe të mërkurën.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Nesër mbahet takimi për të pagjeturit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

    Nesër mbahet takimi për të pagjeturit, Kosova do ta kërkojë zbatimin e shkresës për arkivat

    Të mërkurën do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Kjo do të ndodh pasi në takimin e dhjetori, në kuadër të takimit në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, u arrit marrëveshja për të pagjeturit.

    Ky dakordim ka për qëllim krijimin e një komisioni të përbashkët ndërmjet të dyja vendeve, të mbikëqyrur nga Bashkimi Evropian, si garantues i kësaj marrëveshjeje.

    Për mbajtjen e këtij takimi fillimisht njoftoi emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

    Ndërkaq, edhe kryetari i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti, konfirmoi se takimi do të mbahet më 15 janar në nivel të zëvendësuesve. Hoti bëri të ditur Halil Cenaj është caktuar si përfaqësues delegacionit të Kosovës.

    Hoti ka bërë të ditur se ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023.

  • Dardan Krivaqa sërish në Apel, seanca mbyllet për publikun

    Dardan Krivaqa sërish në Apel, seanca mbyllet për publikun

    Në Gjykatën e Apelit të martën po shqyrtohen ankesat ndaj vendimit të dytë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, me të cilin Dardan Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vite burgim, për vrasjen e Marigona Osmanit.

    Por, kjo seancë u mbyll për publikun për shkak të natyrës së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prezent në sallën e gjykimit ishin Dardan Krivaqa me avokatin e tij Skender Musa, dhe i akuzuari Arbër Sejdiu me avokatët Arbnora Shefkiu dhe Avni Ibrahimi.

    Po ashtu, prezent ishin edhe i dëmtuari Muhabi Osmani me përfaqësuesin e tij, avokatin Gazmend Rexhepi, ndërsa mungoi e dëmtuara Valdete Osmani.

    Kryetar i Kolegjit është gjykatësi Xhevdet Abazi, anëtar Hashim Çollaku, ndërsa gjyqtare referuese Kadrije Goga-Lubishtani.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    Edhe në rigjykim, Themelorja më 29 korrik 2024 e ka dënuar Krivaqën me burgim të përjetshëm, kurse Arbër Sejdiu u dënua me 15 vite burgim.

    18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

    Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.

    Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri  Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

    Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.

    Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.

    Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.

    Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.

    Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

    Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.

    Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.

    Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.

    Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino.

  • Kanali i Ibër Lepencit: Segmenti i ndërtuar gati për funksionalizim

    Kanali i Ibër Lepencit: Segmenti i ndërtuar gati për funksionalizim

    Saktësisht 45 ditë pas sulmit terrorist, kanali i Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin Potokut është gati për kthim në normalitet.

    Punët për sanimin e gjendjes, pas detonimit që e bëri jofunksional një segment rreth 20 metra dhe njërën nga bazat e akueduktit, tashmë janë kryer, derisa sot ekipe nga kompania punë-kryese po bëjnë pastrimin e tij para se të lëshohet sërish qarkullimi i ujit në kanalin kryesor.

    Si fillim, pritet që, krahas kanalit kryesor, uji të vazhdojë të qarkullojë edhe në atë anësor, derisa të vlerësohet se gjithçka është në rregull.

    Mbrëmjen e 29 Nëntorit, si pasojë e një sulmi terrorist me lëndë shpërthyese, u dëmtua një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin Potokut – i cili konsiderohet pjesë e infrastrukturës kritike.

    Për rastin, në paraburgim janë dytë të dyshuar nga komuniteti serb.

    Për sulmin, Kosova akuzoi Serbinë dhe strukturat e mbështetura nga ajo, me në krye Milan Radoicicin – ndaj të cilit ka aktakuzë për sulmin në terrorist paramilitar në Banjksë.

    Por, SHBA-ja, e cila e ka dënuar sulmin dhe ka ofruar mbështetje në hetim edhe nëpërmjet FBI-së, në këtë fazë, heziton të drejtojë gishtin kah Serbia./atvlive.tv

  • Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Edhe dje u mbajt seancë, ku ka dëshmuar dëshmitari i ri i ZPS-së, William Goodwin, i 111-ti deri më tani në gjykatë.

    Dëshmitari Goodwin gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka theksuar se nuk ka qenë i përfshirë në analizimin e ADN-së dhe si rrjedhojë, ai ka deklaruar se deduksionet e tij janë në fakt përfundime të të tjerave.

    Ndërkaq, gjatë këtij muaji, në këtë rast gjyqësor pritet të mbahen edhe 11 seanca, sipas kalendarit të punës së Speciales.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të mërkurën mban konferencë për media

    Vrasja e Liridona Ademajt, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të mërkurën mban konferencë për media

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërkurën do të mbajë konferencë për media nga ora 10:00.

    Në njoftim thuhet se kjo konferencë lidhet me rastin e Liridona Ademajt që u vra në nëntor të vitit 2023.

    “Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z. Zejnullah Gashi, ju fton të merrni pjesë në konferencën për media për rastin e Liridona Ademajt, e cila do të mbahet me datë 15.01.2025 me fillim nga ora 10:00, në objektin e Prokurorisë Themelore Prishtinë, Salla e Konferencave, Kati 0”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Ndryshe, më 27 dhjetor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

    Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.
    Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më 9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

    Ndryshe, për të dyshuarin e katërt, T.D, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

    Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

    Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D./BetimipërDrejtësi

  • Lajçak njofton se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur

    Lajçak njofton se këtë javë në Bruksel do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se këtë javë do të mbahet takimi i Komisionit të Përbashkët për çështjen e personave të zhdukur në Bruksel.

    Lajçak ka bërë të ditur se është takuar me Jim O’Brien dhe Sasha Kasanof me të cilët ka diskutuar për dialogun.

    “Misioni im i parë i vitit më çoi në SHBA. Në Uashington D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, ka shkruar ai.

    Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka takuar edhe Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, përpara vizitës së tij në rajon.

    Ai ka shtuar se me nënsekretaren e përgjithshme të OKB-së, Rosemary DiCarlo, kanë folur për rrugëtimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

  • Sot rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot rinisin seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do të dalin përpara trupit gjykues sot, në kuadër të rastit “Thaçi dhe të tjerët”, pas një pushimi dimëror tre javor të Gjykatës Speciale.

    Seancat do të vijojnë sipas orarit të rregullt, nga e hëna deri të enjten, duke nisur nga ora 09:00.

    Ndërkohë, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të pranojnë me shkrim dëshmitë e dy dëshmitarëve.

    Ky vendim, i marrë më 6 janar, lejon mbrojtjen që t’i marrë në pyetje dëshmitarët përkatës.