ATV

Tag: Ballina

  • Aksioni i djeshëm kundër strukturave paralele, BE-ja insiston në fuqinë e Dialogut dhe nevojën për të

    Aksioni i djeshëm kundër strukturave paralele, BE-ja insiston në fuqinë e Dialogut dhe nevojën për të

    Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një konferencë për media ka folur për zhvillimet e djeshme në Kosovë ku janë mbyllur institucione paralele të Serbisë në Kosovës.

    Hipper e pyetur për qëndrimin e BE-së se zgjidhja për strukturat parlele duhet të gjendet përmes Dialogut, ka thënë se BE gjithmonë ka besuar në fuqinë e dialogut dhe se dialogu është shumë i nevojshëm.

    Zëdhënësja e BE-së tutje ka shtuar se është shumë e rëndësishme që të dy palët të vazhdojnë dialogun në mënyrë konstruktive.

    “Ne gjithmonë kemi besuar në fuqinë e dialogut. Kjo është shumë e nevojshme. Kjo është arsyeja pse po i vendosim të gjitha përpjekjet në Dialog dhe pse po kërkojmë nga palët që të bëjnë një gjë të tillë. Ju keni parë reagimin tonë. Është e rëndësishme që të vazhdohet dialogu në mënyrë konstruktive”, ka thënë Hipper.

  • LDK-ja gjobitet me 20 mijë euro, kandidatja për deputete e krahasoi Albin Kurtin me Adolf Hitlerin

    LDK-ja gjobitet me 20 mijë euro, kandidatja për deputete e krahasoi Albin Kurtin me Adolf Hitlerin

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur me 20 mijë euro Lidhjen Demokratike të Kosovës, për shkak të një krahasimi të kryeministrit Albin Kurti me Adolf Hitlerin nga një prej kandidatëve të saj për deputet.

    Kandidatja për deputete e LDK-së, Xheneta Syka, me anë të një videoje e ka krahasuar kryeministrin Kurti me ish-udhëheqësin nazist famëkeq, Adolf Hitler.

    Vetëvendosje është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili të enjten vendosi që ta miratonte ankesën dhe ta gjobiste LDK-në me 20 mijë euro.

    Sipas PZAP-së, me këtë rast është shkelur Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët.

    Në vendim thuhet se LDK-ja duhet ta paguajë gjobën brenda 15 ditëve pasi vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

    LEXONI EDHE:

    PZAP-ja e dënon Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro, shkak gjuha e përdorur nga Kurti në Pejë

  • PZAP-ja e dënon Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro, shkak gjuha e përdorur nga Kurti në Pejë

    PZAP-ja e dënon Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro, shkak gjuha e përdorur nga Kurti në Pejë

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro për shkak të gjuhës së përdorur nga kryeministri, Albin Kurti në tubimin e këtij subjekti politik në Pejë.

    Sipas PZAP-së ankesa është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët kanë akuzuar Kurtin se ka shkelur kodin e mirësjelljes.

    Ndërsa PZAP e ka konsideruar pjesërisht të bazuar ankesën e LDK-së duke dënuar LVV-në me 3 mijë euro të cilat duhet ti paguajë në një afat prej 15 ditësh.

    Dokumenti më poshtë:

  • Vrasja e Liridona Ademajt, ngrihet aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Vrasja e Liridona Ademajt, ngrihet aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Përgatiti: Nora Luta

    Saktësisht një vit, e një muaj e gjysmë nga vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë lidhur me rastin.

    Përgjegjës kryesor për vrasjen e Ademajt, sipas organit të akuzës ishte bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    Prokurorja e rastit Javorka Prelenevic, e ka cilësuar mënyrën e kryerjes së veprës penale si likuidim.

    Për motivin u la pak të nënkuptohet, pasi Prokuroria u rezervua në dhënien e informacioneve, ndonëse tashmë kanë përfunduar hetimet dhe shqyrtimi gjyqësor do të jetë publik.

    “Kemi marrë përgjigjeje nga organet e Suedisë, dhe atëherë jemi mundur të kompletojmë fotografinë dhe të gjëmë motivin qe e ka shty Naimin të likuidojë Liiridonën sepse mënyra e kryerjes se veprës penale ka qenë likuidim. Liridona dhe Naimi sa kanë jetuar në Suedi kanë pasur raporte të çrregulluara”, tha Prelenevic.

    Përveç Murselit, për vrasjen e Liridona Ademajt, prokuroria i ngarkon edhe Kushtrim Kokallën, Granit Plavën.

    Ndërsa Tom Dodaj, nga i cili e kishte blerë Plava armën, akuzohet për armëmbajtje pa leje.

    Ndërkohë kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, tha se presin një vendim kapital nga Gjykata.

    Dënim meritor për të akuzuarit presin edhe familjarët e viktimës.

    Liridona Ademaj, shtetase e Suedisë, e cila la pas dy fëmijë, u vra në fund të nëntorit të vitit të vitit 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

    Rasti fillimisht ishte raportuar si grabitje me pasojë të vrasjes, ndërsa vetëm pak orë pasi varrosi bashkëshorten, Naim Murseli ishte arrestuar.

  • Qeveria mbyll institucionet paralele ilegale të Serbisë në Kosovë

    Qeveria mbyll institucionet paralele ilegale të Serbisë në Kosovë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në një aksion të gjerë, Qeveria dhe Policia mbyllën institucionet paralele ilegale të Serbisë për dhjetë komuna në Kosovë: Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skenderaj.

    Krahas të ashtuquajturave komuna, u mbyllën edhe zyra tatimore dhe posta paralele-ilegale.

    Në një video-adresim të përbashkët ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi zyrave të mbyllura iu referuan si “fundi i paralelizmave kriminal të Serbisë”.

    Në kuadër të aksionit, njoftimi për “ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë” iu vendos derës kryesore të komunës paralele ilegale në Graçanicë.

    Vetëm 200 metra më poshtë, në po atë rrugë, njësoj u veprua edhe me zyrat e postës pa licencë.

    Me flamurin e Serbisë në dorën e djathtë, dhe disa dokumente në të majtën, nga aty u largua drejtori i kësaj poste paralele-ilegale.

    “Policia erdhi për të mbyllur postën, duke thënë se është gjë e përkohshme derisa të aplikojmë për licencë. Por, mua asgjë s’më duket e përkohshme, as qëllim i përkohshëm. Sikurse në veri, ashtu edhe në jug, qëllimi është tjetër, të heqin postën nga bisedimet në Bruksel, sepse atje po diskutohet për këtë. Këtë e di Kurti, por s’ka nevojë para zgjedhjeve të bëj filma. Filma sikurse që bënte represion me Policinë ndaj popullit serb. Kjo fushatë është negative dhe them se do t’i ‘thyhet për koke’”, tha Ivan Milojeviq, drejtor i postës së mbyllur në Graçanicë.

    Dryni iu vu zyrës së postës së njëjtë edhe në fshatin Uglarë.

    Po aty, u mbyll edhe institucioni paralel për komunën e Fushë Kosovës.

    Njoftimi i njëjtë u vendos edhe në derën e zyrës paralele ilegale për Lipjanin.

    Për këtë aksion nuk dha leje Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    “Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi”, thuhet në njoftimibn nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Për, siç shprehimisht shkroi, “ndërprerjen e aktiviteteve të institucioneve të jashtëligjshme”, Policia njoftoi se asistoi me kërkesë të Qeverisë.

    “Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

    Më herët, këtë vit dhe të kaluarin, në aksione të ndryshme u mbyllën një mori institucionesh paralele ilegale të Serbisë në Kosovë.

  • Krerët e partive politike bëjnë homazhe në Reçak

    Krerët e partive politike bëjnë homazhe në Reçak

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Të ftohtit e së mërkurës nuk i ndali mijëra qytetarë e personalitete publike për të bërë homazhe në nderim të viktimave të Masakrës së Reçakut.

    Në mesin e tyre ishin edhe liderët e partive politike në Kosovë, tashmë të përfshirë në fushatë zgjedhore.

    “E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    “Ky akt i rëndë, çnjerëzor, akt kundër njerëzimit ishte po ashtu pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare ndaj pasojave që populli i Kosovës i vuante nga regjimi i Millosheviqit”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndjehemi rehat, derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Në mëngjesin e 15 janarit të 1999-s ishin vrarë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e të cilëve edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

    I pari që më 1999 e pati alarmuar botën se në Reçak po kryhet krim kundër njerëzimit ka qenë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

    Ai e pati vizituar Reçakun një ditë pas masakrës dhe pasi ka parë trupat e civilëve të vrarë, ka thënë se “ky është një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

  • Akademi përkujtimore për Masakrën e Reçakut

    Akademi përkujtimore për Masakrën e Reçakut

    Përgatiti: Alma Hysenaj

    Udhëheqës të institucioneve e personazhe të shumta u mblodhën në Reçak për akademi përkujtimore pas homazheve në Kompleksin Memorial.

    Me këtë rast, presidentja, Vjosa Osmani tha se tragjedia e Reçakut nuk lidhet vetëm me fshatin dhe banorët e tij, por është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit.

    “Në kohën kur Reçaku dhe Kosova kërkojnë drejtësi për viktimat e pafajshme të luftës, ajo që shohim në Serbi është vazhdimësi e viteve të 90-ta, mendësi kjo që shkaktoj mbi 100 mijë civil të vrarë në këtë pjesë të Evropës. Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin ,me emrin Aleksander Vuçiq”, tha Osmani.

    Derisa sipas kryeministrit, Albin Kurti lufta për çlirim ka mbaruar beteja për drejtësi ende vazhdon.

    “Ajo që duhet të ndodh për pasojë është drejtësi, gjykimi dhe ndëshkimi i krimineleve qoftë edhe në mungesë. Në vitit 1998 dhe 1999 thuhej se përfundoj beteja, por jo edhe lufta. Në raport me Serbin tash duhet të thuhet e kundërta, ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim, por jo edhe beteja për drejtësi”, tha Kurti.

    I pranishëm në akademi përkujtimore ishte edhe ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Wiliam Walker.

    Njeriu i cili sensibilizoi opinion ndërkombëtar për Masakrën e Reçakut, tha se nuk ka qenë e vështirë për të të deklarojë atë që pa mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999.

    “Nuk ka qenë e vështirë të deklarohem për atë që pash në mëngjes, që 45 civilë të pafajshëm u morën nga fshati burra edhe djem të rinj, nën kërcënimet e armëve të armatës së Serbisë dhe u vranë”, tha Walker.

    Në akademi foli edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, duke thënë se për masakrën ende nuk është vendosur drejtësi.

    “Është ditë që ka vulosur fatin e popullit tonë. Fshati i vogël u bë dëshmi e dhimbjes më të thellë dhe sakrificës”, tha Aliu.

    Masakra e Reçakut është njëra prej më të mëdhave që ndodhën në Kosovë gjatë luftës së fundit. Pamjet e saj tronditën botën dhe nga ajo kohë filloi rritja e presionit ndërkombëtar mbi qeverinë e asokohshme serbe që më pas rezultoi me sulme të NATO-s.

  • BE-ja dhe SHBA-ja e kundërshtojnë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

    BE-ja dhe SHBA-ja e kundërshtojnë mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë

    Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar të mërkurën vendimin e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në vend, duke thënë se ato ndikojnë në synimet e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.

    Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.

    Në një reagim, Bashkimi Evropian tha se veprimet e Kosovës përmbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia – në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.

    *Në videon më poshtë mund ta shikoni aksionin e mbylljes së institucioneve paralele serbe më 15 janar.

    Ambasada amerikane në Prishtinë tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia “ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet tjera – dhe mund t’i minojë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”.

    “Këto veprime, në kundërshtim me këshillat tona më të mira, e dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë qytetarët e saj”, sipas një zëdhënës të Ambasadës amerikane në Kosovë.

    Ndërkohë, BE-ja e përsëriti se çështja e strukturave të mbështetura nga Serbia “parashihet të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”.

    Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele më 2013 në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

    BE-ja gjithashtu i paralajmëroi autoritetet kosovare se vendimi i së mërkurës mund të ndikojë në vendimin e saj për të mos i hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.

    “Ndërsa, siç theksohet në konkluzionet e Këshillit për zgjerimin për vitin 2024, BE-ja do t’i heqë gradualisht masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e shtesë të ndërmarrë nga Kosova për t’i ulur tensionet në veri, këto veprime i dëmtojnë këtë qëllim”, tha blloku të mërkurën.

    Derisa Prokuroria në Prishtinë tha se nuk e autorizoi aksionin e së mërkurës, Policia e Kosovës tha se operacioni u krye me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe se qëllimi i tij ishte ndërprerja e “shërbimeve të jashtëligjshme” të Serbisë në Kosovë.

    Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është “e paligjshme”, dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

    Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviq tha se “zhvillimi i situatës” në Kosovë po ndiqet me kujdes.

    “Do t’i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë”, tha Vuçeviq.

    Mbyllja e institucioneve serbe në 10 komuna të mërkurën – Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj – vjen disa ditë pasi policia mbylli më 8 janar Administratën Tatimore serbe në Mitrovicën e Veriut dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia “Dunav Osiguranj”.

    Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

    Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

    Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

    Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë/ REL

  • Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

    Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

    Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim dhe kritika ndaj Kosovës për veprimet e fundit që lidhen me mbylljen e strukturave paralele në veri të vendit, duke deklaruar se këto veprime janë në kundërshtim me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së.

    Në një reagim zyrtar, BE-ja ka theksuar se ndërsa masat kundër Kosovës do të hiqen gradualisht në përputhje me hapat e saj për uljen e tensioneve në veri, veprimet e fundit të Kosovës “nuk janë të favorshme për këtë qëllim”.

    “Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj BE-së në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i po monitoron kryerjen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij,” thuhet në deklaratën e BE-së.

    BE-ja ka nënvizuar se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet përmes dialogut.

    “Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me obligimet e saj në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të fundit të saj ndaj tij,” theksohet më tej.

    Policia e Kosovës, të mërkurën, ka ndërmarrë një aksion për mbylljen e komunave paralele serbe në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj, si dhe posteve dhe zyrave tatimore ilegale.

  • Stërvitje e përbashkët mes ushtarëve amerikanë dhe zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë

    Stërvitje e përbashkët mes ushtarëve amerikanë dhe zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë

    Ushtarë amerikanë dhe zviceranë nga Komanda Rajonale Lindje e misionit të udhëhequr nga NATO-ja realizuan një stërvitje të përbashkët për aftësitë ajrore dhe të evakuimit mjekësor (MEDEVAC) me helikopterë amerikanë Blackhawk në Kampin Bondsteel në Kosovë.

    Kjo stërvitje është pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të mbështetur të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë, në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës të sigurisë”, thuhet në njoftimin e NATO-s.