ATV

Tag: Ballina

  • Kosova nënshkruan Marrëveshje për Tregti të Lirë me EFTA-n

    Kosova nënshkruan Marrëveshje për Tregti të Lirë me EFTA-n

    Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me shtetet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

    Në ceremoninë e nënshkrimit në Davos të Zvicrës, anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thanë se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme.

    Marrëveshja u arrit pas më shumë se dy vjetësh negociata dhe sipas kryesueses së EFTA-s, Cecilie Myrseth, Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, ka përfshirë edhe shërbimet.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes shtetit të tij dhe anëtarëve të EFTA-s.

    “Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”, tha Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

    Kryeministri kosovar tha se është i bindur se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët.

    Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, tha se kjo marrëveshje është arritje e madhe për integrimin e Kosovës në sistemin global.

    “Jam e bindur se kjo do të shtyjë përpara rritjen ekonomike, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe qytetarët në të dyja palët”, tha ajo.

    Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4 për qind dhe rënie të inflacionit. Por, shteti përballet me nivel të lartë të importit, krahasuar me atë të eksportit.

    Myrseth nga EFTA tha se viteve të fundit, tregtia mes shteteve të EFTA-s është rritur shumë dhe ka arritur në mbi 176 milionë euro.

    “Me lidhjen e Marrëveshjes për Tregti të Lirë mund të presim që tregtia të rritet edhe më shumë”, theksoi ajo.

    EFTA tha se përveç shërbimeve financiare janë përfshirë edhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

    Kosova tha se me marrëveshja të tilla synon të tërheqë investitorët e huaj që të investojnë në vend.

    EFTA është krijuar më 1960 me synimin që të promovojë tregtinë e lirë.

    Marrëveshja për Tregti të Lirë, që Kosova nënshkroi me EFTA-n, ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave.

    Konsumatorët dhe kompanitë mund të përfitojnë nga çmime më të lira, ndërkaq kompanitë vendore mund t’i shesin produktet e tyre në tregjet e huaja me më shumë lehtësi.

    Marrëveshje për Tregti të Lirë Kosova ka nënshkruar edhe me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA). Kjo marrëveshje, ku bëjnë pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia, synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve.

  • Kurti bashkëbisedoi me ekonomistin nga Universiteti i Harvardit, Ricardo Hausmann, në Shtëpinë e Kosovës në Davos

    Kurti bashkëbisedoi me ekonomistin nga Universiteti i Harvardit, Ricardo Hausmann, në Shtëpinë e Kosovës në Davos

    Shtëpia e Kosovës në Davos u bë shtëpi edhe e bashkëbisedimeve të paneleve të diskutimit të gjithë këtyre ditëve, e sot Kryeministria e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në një diskutim të ekonomisë nga universiteti i Harvardit, Ricardo Hausmann.

    Kryeministri Kurti theksoi gjatë bisedës se katër vitet e qeverisjes sonë kanë qenë pozitive, paçka se jemi përballur me kriza të pamundshme si pandemia Covid 19, e ato energjike e të inflacionit. Ai shtoi se brenda vitit të parë u punua në sigurimin e vaksinave të vaksinimit të sukssesshëm të familjeve, gjersa me Pakon e Ringjalljes Ekonomike, u subvencion.

    “Në vitin 2025, buxheti i shtetit është 50 për qind më i madh se në vitin 2021, dhe kjo vjen si rrjedhojë e rritjes sonë impresive, e cila ishte mesatarisht 6 për qind e BPV-së, duke mos rënë si një herë 4 për qind të BPV-së. Ekonomia e Kosovës ka kaluar për herë të parë i kapërcyer 10 miliardë euro, eksporti i viteve 1 miliard euro, dhe të ardhurat e taksave dhe 3 miliardë euro.”

    Ai shtoi se ekonomia jonë u zgjerua dhe niveli i papunësisë u zvogëlua duke rënë nga rreth 26 për qind në rreth 11 për qind, e ku në pranverën e vitit 2021 i patëm 350 mijë të punësuar në Kosovë e tash i kemi më shumë se 430 mijë. , duke nënvizuar e punësimit të punësimit për të rinjtë dhe punëtorët.

    “Kosova është një shembull i mirë se rritja e ekonomisë dhe zhvillimi i ekonomisë është krah për me demokracinë dhe sundimin e ligjit” u shpreh kryeministri duke kaluar luftën kundër korrupsionit kështu që rritja dhe liria solli zhvillim: liria e luftës dhe bizneseve.

    Kryeministri foli edhe mbi rëndësinë e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me EFTA-s e cila do të nënshkruhet shteti, aspiratat e vendit tonë për anëtarët e organizatave sot, si dhe rëndësinë e rolit të madh të diasporës në jetën e jetës atje. , por edhe në Kosovën.

    Nga ana e tij, ekonomisti Ricardo Hausmann u shpreh i nderuar me ftesën dhe i lumtur që ishte pjesë e diskutimit sot. Ekonomisti Hausmann theksoi se progresi ekonomik mbështetet në një popullatë të fuqizuar dhe me të drejtë, sepse të drejtat janë ato që nuk mund të kenë ëndrra, paçka nuk mund të ketë dinamizëm ekonomik. Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përvojave dhe ekspertizës së diasporës në punën ekonomike të një vendi.

  • Costa: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE, erdhi koha t’i mbajmë premtimet

    Costa: E ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në BE, erdhi koha t’i mbajmë premtimet

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, është shprehur se “nuk ka dyshim” se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, Ukrainës dhe Moldavisë është në BE.

    Ai po ashtu ka potencuar se është koha që BE-ja të përmbushë premtimet e saj ndaj këtyre vendeve.

    Në fjalimin e tij para deputetëve të Parlamentit Evropian, Costa theksoi se zgjerimi i BE-së ishte një nga mesazhet kryesore të takimit të mbajtur më 19 dhjetor dhe se BE-ja është plotësisht e përkushtuar për zgjerimin si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë të popullit evropian dhe të kontinentit.

    “Së dyti, për zgjerimin. Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj zgjerimit si investimi më i madh gjeopolitik për paqen dhe sigurinë, për popullin tonë dhe kontinentin tonë. Kjo ishte gjithashtu një temë qendrore në samitin e Ballkanit Perëndimor që unë kryesova një ditë përpara Këshillit Evropian.

    Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia po punojnë shumë për të përmbushur angazhimet e tyre. Nuk ka dyshim se e ardhmja e këtyre vendeve është në Bashkimin tonë. Është koha që ne t’i zbatojmë premtimet tona ashtu siç ata i përmbushin të tyret”, ka thënë Costa.

    Costa qysh pas marrjes së detyrës kishte premtuar se zgjerimin do ta ketë prioritet gjatë mandatit të tij në krye të Këshillit të BE-së.

  • Më 27 janar nis gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Më 27 janar nis gjykimi ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 27 janarin 2025 për mbajtjen e shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

    Kështu bëri të ditur për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M., G.P., K.K., dhe T.D. është caktuar të mbahet me datë 27 janar 2025, në ora 11.00”, thuhet në përgjigjen e Gashit.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    “Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

    Plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, inskenimi i grabitjes e marrëveshja për ta paguar 30 mijë euro dorasin

    Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

    Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

    Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

    Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

    Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    I maskuar e me pistoletë, Granit Plava qëlloi me një plumb në kokë Liridonën

    Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.

    Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

    Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

    Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro

    Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Palava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.

    Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

    Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit

    Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).

    Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.

    Tom Dodaj ia shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro

    Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

    Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.

  • ​27 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    ​27 vjet nga sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz

    Sot shënohet 27-vjetori i sulmit të dytë të Serbisë mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.

    Më 22 janar 1998 në Prekaz kishte pasur luftime në mes familjes Jashari në njërën anë dhe forcave serbe në anën tjetër.

    Ky njihet si sulmi i dytë ndaj Kullës së Jasharajve, pas atij të parit në dhjetor të 1997-ës.

    Atë ditë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharajve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.

    Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.

    Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars të vitit 1998.Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

  • Shpallet ditë zie në Turqi, shkon në 76 numri i viktimave nga zjarri në lokacionin turistik

    Shpallet ditë zie në Turqi, shkon në 76 numri i viktimave nga zjarri në lokacionin turistik

    Zjarri në lokacionin turistik dimëror në provincën Bolu të Turqisë ka lënë të paktën 76 persona të vdekur dhe 51 të tjerë të lënduar, tha ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya, duke njoftuar rritje të numrit të viktimave.

    Nga të lënduarit, 17 janë liruar nga spitali, ndërsa një mbetet në kujdes intensiv, tha po ashtu ministri i Shëndetësisë Kemal Memişoğlu raporton Anadolu.

    Zjarri shpërtheu rreth orës 3:30 të mëngjesit me kohën lokale në zonën e restorantit të hotelit në lokacionin turistik Kartalkaya, duke përfshirë shpejt ndërtesën, sipas guvernatorit të provincës Bolu, Abdulaziz Aydın.

    Ai u vu nën kontroll pas dhjetë orësh punë nga zjarrfikësit, thanë autoritetet për Anadolu, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të freskuar zonat e prekura.

    Presidenti turk Tayyip Erdogan tha se vendi do të mbajë ditë zie të mërkurën për shkak të zjarrit që shpërtheu duke marrë jetën dhjetëra njerëzve.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer pritet që edhe sot të vazhdoi të dëshmojë në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup.

    Strohmeyer të martën gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se kreu i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte Hashim Thaçi.“Për neve nëse do të flas në terma teknik, kreu i UÇK-së ishte z.Thaçi, nuk me kujtohet të kem patru ndonjë dyshim në lidhje me këtë ose dikush të me ketë thënë se është dikush tjetër. Konkretisht se si ishte organizuar hierarkia nga brenda nuk e di. Me sa me kujtohet nuk kam parë kurrë ndonjëherë ndonjë riorganizim të UÇK-së. Nuk me kujtohet që kam marrë raporte për këtë”, ka thënë ai.

    Dëshmitari gjithashtu ka folur edhe për marrëdhëniet që UÇK-ja kishte me presidentin Ibrahim Rugova dhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.Ai ka thënë se kishin përshtypjen se ndonëse Rugova kishte pozitë, personat e tjerë të LDK-së kishin pamundësi sa i takon kompetencave vendimmarrëse.
    “Udhëheqja e UÇK-së ishte shumë më tepër koherente. Ishte goxha e qartë por edhe me shumë kërkuese lidhur me rrugën e përpara. Kjo ishte situata që UÇK-ja ishte shumë më e vendosur dhe e dinte se në çfarë drejtimi po shkonte dhe sikur se e tash, ata ishin pala që po flisnin për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës”, ka thënë Stohmeyer.Ndërsa, sa i takon çështjeve që ndërlidheshin me rolin e UNMIK-ut, dëshmtirari ja thënë se UÇK-ja ishte pika ku drejtoheshin.

    “Gjithmonë e më tepër udhëheqja e UÇK-së ishte pika që ne i drejtoheshim me çështje që kishin të bënin me rolin tonë të mëtejshëm për projektimin e mandatit të UNMIK-ut ose realitetit të UNMIK-ut”, ka deklaruar ai.Gjatë seancës dëshmitari ka theksuar se asnjëherë nuk ka qenë i drejtpërdrejtë në hetimin e krimeve kundër pakicave. Përpara trupit gjykues, pyetje shtesë për dëshmitarin ka pasur edhe përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja, Vega Iodice.

  • Çollaku thotë se pensionistët kanë një numër të madh të votuesve dhe kanë ndikim të madh në rezultatin e zgjedhjeve

    Çollaku thotë se pensionistët kanë një numër të madh të votuesve dhe kanë ndikim të madh në rezultatin e zgjedhjeve

    Profesori i sigurisë në Kolegjin AAB, Fatmir Çollaku, në emisionin CONTEXT në ATV, vlerësoi se kategoria e pensionistëve dhe qytetarët e moshës 60-65 vjeç janë faktorë të rëndësishëm në rezultatin zgjedhor në Kosovë.

    “Disa janë kategori influencuese në rezultatin zgjedhor, edhe kategoria e pensionistëve, edhe kategoria e 60-65 vjeç janë në numër të konsiderueshëm si strukturë demografike në Republikën e Kosovës, të cilët potencialisht paraqesin një faktor interferues në epilogun zgjedhor, pra në kuptimin e rezultatit final. Prandaj, rinia po, por të gjithë jemi edhe dëshmitarë të procesit spontan të shkurjes së rinisë jashtë, që nuk do të thotë që automatikisht të gjithë ata që kanë shku jashtë, do të votojnë, sepse një numri i konsiderueshëm i tyre nuk janë sistemua, nuk kanë adresë të përhershme dhe shumëçka tjetër që ata nuk është… mund të humbë si votë, mund të avullohet, flukton si votë. Kurse kategoria e cila përkrahësin si shumë potenciale pensionistët edhe kategoria prej 60-65 vjeç, unë mendoj që në Republikën e Kosovës ka një strukturë në numër të konsiderueshme”, tha Çollaku.

    Deklaratën e plotë të Fatmir Çollakut në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Jashari: Kandidimi i kryetarëve të komunave, një strategji e mirëkalkuluar

    Jashari: Kandidimi i kryetarëve të komunave, një strategji e mirëkalkuluar

    Avokati Arbër Jashari, në emisionin CONTEXT në ATV, vlerësoi kandidimin e kryetarëve të komunave nga partitë politike si një strategji të menduar mirë për të maksimizuar votat.

    Sipas Jasharit, kryetarët e komunave kanë ndikim të madh në administratë, sidomos në punësim dhe tenderë lokalë.

    “Kryetarët e komunave kanë një ndikim të madh në administratë, sidomos kur jemi te punësimi, veçanërisht në arsim. Ata gjithmonë kanë një rol të veçantë”, tha Jashari.

    Sipas tij, kryetarët e komunave, po ashtu kanë një avantazh strategjik për shkak të informacionit të detajuar që posedojnë mbi votuesit në zonat e tyre.

    “Një kryetar i komunës e din me katune, me lagje, me familje, kush është, për cilën parti voton. Duke pasur këtë informacion, mundësitë që të depërtojnë në ato familje janë shumë të mëdha,” deklaroi ai.

    Deklaratën e plotë të Arbër Jasharit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Rexhaj për fushatën elektorale: Kemi garë titanësh, jo garë ekipesh

    Rexhaj për fushatën elektorale: Kemi garë titanësh, jo garë ekipesh

    Profesori në Kolegjin AAB, Xhavit Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, vlerësoi se garat politike aktuale po zhvillohen më shumë si përballje individësh sesa ekipeve të organizuara.

    Rexhaj tha se katër partitë kryesore po sillen më shumë si individë, duke mos treguar frymë ekipore.

    “Kemi garë të titanëve, jo garë të ekipeve. Unë s’po e shoh që ka garë të ekipeve, po e shoh që ka garë mes katër personave”, tha Rexhaj.

    Ai shtoi se fushatat në nivel qendror reflektojnë mungesën e koordinimit ekipor, sidomos në tubimet e mëdha.

    “Nëse i sheh këto tubime të mëdha që po mbahen, unë nuk po e shoh një të dytë, as të tretë, asnjëra parti. PDK-ja, për shembull, do të prisja të ketë një frymë më shumë ekipore”, deklaroi ai.

    Deklaratën e plotë të Xhavit Rexhajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë: