ATV

Tag: Ballina

  • Pas reduktimeve të paparalajmëruara për gati 2 muaj, këtë të enjte u inaugurua nënstacioni Ferizaj

    Pas reduktimeve të paparalajmëruara për gati 2 muaj, këtë të enjte u inaugurua nënstacioni Ferizaj

    Pëgatiti: Pranvera Krasniqi

    Produktet ushqimore që i duhen për shtëpi i bleu.

    Por, tash hallin e ka si t’i bartë në katin e 8, pasi që rrymë nuk ka dhe ashensori nuk punon.

    Me këtë problem, për më shumë se një muaj po përballet i moshuari Sami Ymeri nga Ferizaj.

    “Në katin e tetë shumë lartë nuk po dimë se t’ia bëjmë, gruaja më prej asaj dite su dal hiç prej banesës”, tha Sami Ymeri, qytetar.

    Dikujt tjetër ndërprerjet e shpeshta të energjisë, ia dogjën pajisjet shtëpiake.

    Mirëpo, gjeneratorët, që janë bërë pjesë e përditshmërisë së ferizajasve, pritet të mos kumbojnë më.

    Furnizim të rregullt me energji elektrike, u premtoi qytetarëve, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila të enjten inauguroi nënstacionin Ferizaj 3.

    Nënstacioni i ri, pritet të furnizojë me rrymë mbi 12 mijë konsumatorë.

    Fillet e ndërtimit të nënstacionit datojnë nga 2021-ta. Në janar të atij viti, ishte vendosur gurthemeli për ndërtimin e nënstacionit, me qëllim përfundimin në fund të vitit 2023.

    Fajin për dështimin në jetësimin e projektit brenda aftit, kryeshefi i KOSTT-it Evetar Zeqiri, ua hodhi problemeve me shpronësime dhe motit të ligë.

    Duke e konsideruar tejet të nevojshëm, kritika për vonesat, pati i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

    Kostoja e nënstacionit Ferizaj 3, kap vlerën prej afro 8 milionë euro, së bashku me linjën 3.31 kilometra.

  • Sfidat e vitit 2024 janë bartur edhe këtë vit për Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës

    Sfidat e vitit 2024 janë bartur edhe këtë vit për Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës

    Përgatiti: Nora Luta

    Kështu e përmbylli të enjten raportimin e punës për vitin 2024 të Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, gjyqtarja Afërdita Bytyqi.

    Bytyqi, që e udhëheq këtë Departament ka kërkuar shtimin e numrit të gjyqtarëve, ku me avancimin e dy prej tyre në Supreme, nga shkurti do të mbesin vetëm tre.

    Me numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve, po ballafaqohet edhe Departamenti Special i Gjykatës së Prishtinës. Aty aktualisht punojnë 9 gjyqtarë, 6 bashkëpunëtorë profesionalë dhe 7 zyrtarë ligjorë.

    Me ligjin për gjykatat secili gjyqtar duhet të ketë të paktën një bashkëpunëtor. Këto departamente trajtojnë rastet penale më të rënda dhe komplekse në tërë territorin e vendit.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor në mbledhjen e së enjtes tha se sfidat e këtyre departamenteve do të adresohen me rregulloren e re, që pritet të finalizohet në muajin shkurt.

    Megjithatë, juristët konsiderojnë se për të rritur efikasitetin e trajtimit të këtyre rasteve, është më se e nevojshme që departamentet të shndërrohen në Gjykatë Speciale.

    Ndonëse në numër të vogël të gjyqtarëve, Departamenti Special gjatë vitit të shkuar ka përfunduar 79 lëndë, nga 70 sa ishte synuar.

  • ​Serbia nesër hyn në grevë të përgjithshme

    ​Serbia nesër hyn në grevë të përgjithshme

    Kanë kaluar katër ditë që disa mësues kanë pushuar punën, kanë pasur edhe mbështetjen e prindërve, e tani po u bashkohen më shumë kompani, media, institucione kulturore, objekte hoteliere, organizata dhe kjo listë po bëhet më e gjatë çdo minutë.

    Portalet e grupit United Media – Nova.rs, Danas, Radar, Sportklub, TV Nova, si dhe gazetat Nova dhe Danas, kanë njoftuar se po i bashkohen grevës së përgjithshme. Edhe komuniteti serb i IT-së po i bashkohet grevës. “Në një periudhë shumë të shkurtër kohore kemi mbledhur njerëz nga mbi 50 kompani që operojnë në Serbi në sektorin e IT-së dhe ky numër është në rritje”, thuhet në rrjetin social LinkedIn. Do të mbyllen edhe kinematë.

    Edhe libraritë dhe shtëpitë botuese më të mëdha me qendër në Beograd, të cilat kanë pika shitjeje në të gjithë Serbinë, po bëjnë grevë. Nesër do të hyjë në grevë edhe Qendra Kulturore e Beogradit. Nesër, një nga pastiçeritë më të famshme të Beogradit, Ferdinand, do të mbyllë dyert e saj, si dhe dyqani i famshëm i këpucëve dhe veshjeve në Beograd, Identity Store. Grevës së përgjithshme do t’i bashkohen edhe klubet e natës.

    Ligji për grevë është miratuar në vitin 1996, gjatë ekzistencës së Republikës Federale të Jugosllavisë. Ky ligj e përkufizon grevën si “ndërprerje pune e organizuar nga punonjësit për të mbrojtur interesat e tyre profesionale dhe ekonomike në bazë të punës”.

    Sipas dispozitave të ligjit, grevë mund të organizohet brenda një shoqërie, personave të tjerë juridikë ose pjesëve të tyre, te punëdhënësi, në një degë ose veprimtari të caktuar ose si grevë e përgjithshme.

    Vendimi për grevë të përgjithshme merret nga organi më i lartë i sindikatës dhe ai vendim duhet t’i dorëzohet organit kompetent të punëdhënësve, themeluesit dhe organeve shtetërore.

    Sipas ekspertit të së drejtës së punës, Mario Relanoviq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ligji për Grevën nuk është modernizuar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përkufizimi i grevës së përgjithshme mbetet i paqartë. Relanoviq shpjegon se greva e përgjithshme i referohet ndalimit të punës në sektorë dhe industri të ndryshme me qëllim të shprehjes së pakënaqësisë me politika, ligje apo praktika të caktuara.

    Ai shton se mangësia kryesore e ligjit është se në radhë të parë i rregullon grevat në nivel të punëdhënësve individualë, ndërsa grevat e përgjithshme, si formë më e gjerë e mosbindjes civile, janë anashkaluar.

    Studentët në Serbi, të mbledhur në një bllokadë, u bënë thirrje qytetarëve për një mbyllje totale në 24 janar. Sipas thirrjes së tyre, qytetarët duhet të mungojnë në punë atë ditë, ndërsa punëdhënësit u kërkohet të anulojnë aktivitetet dhe takimet.

    Për ata që kanë frikë nga reagimet e punëdhënësit, studentët sugjerojnë të marrin një ditë pushimi, të hapin një pushim mjekësor ose të dhurojnë gjak.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka komentuar shpalljen e një greve të përgjithshme nga Davosi, ku ndodhet në Forumin Ekonomik Botëror. Ai tha se as studentët nuk e dinë se cila nga kërkesat nuk është plotësuar.

    “Ne nuk kemi nevojë për dhunë. Ne duam të flasim me studentët, me të gjithë, kemi qenë gjithmonë për ndarjen dhe që ata të na shpjegojnë se cilat kërkesa nuk janë plotësuar”, tha Vuçiq.

    Vuçiq theksoi se në Serbi ka shumë të çmendur. “Unë shoh që disa po shpallin që nesër nuk do të shkojnë në palestër, se do të blejnë bukë më herët, a do të drekojnë apo darkojnë atë ditë… Ka shumë të çmendur në vendin tonë”, ka shtuar ai.

    Ndër kërkesat e studentëve janë publikimi i dokumenteve për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, nga shembja e të cilit humbën jetën 15 persona, pezullimi i procedimit penal ndaj studentëve të arrestuar, ndjekja penale e përgjegjësve për sulme ndaj studentëve dhe pedagogëve, dhe një rritje të buxhetit për arsimin e lartë 20 për qind. Iniciativën e tyre e kanë përkrahur edhe disa pedagogë që refuzojnë marrëveshjen për rritje pagash të arritur me qeverinë serbe.

  • ​Kosova shënon rritje të deficitit tregtar

    ​Kosova shënon rritje të deficitit tregtar

    Kosova ka shënuar deficit tregtar prej 17,5% në muajin dhjetor 2024, në raport me periudhën e njëjtë 2023, përkatësisht 561.5 milionë euro krahasuar me deficitin prej 477.7 milionë euro në vitin 2023, teksa eksporti mbulon importin me 11%, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbi rrjedhat e eksport- importit për dhjetor 2024.

    Eksporti i mallrave në dhjetor 2024 kishte vlerën 69.6 milionë euro, ndërsa importi 631.1 milionë që paraqet një rritje prej 6.5% për eksport, si dhe një rritje 16.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë 2023.

    Qarkullimi e mallrave në tregtinë e jashtme

    Eksporti përbëhet 20.3% nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 14.9% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani. 11.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre. 7.3% artikujt e ndryshëm të prodhuar, 59.8% produktet minerale, etj.

    Eksportet sipas sektorëve të grupeve kryesore në vlerë

    Ndërsa tek importi 16.6% e përbëjnë produktet minerale, 13.1% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.7% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12.4% mjetet e transportit, 7.7% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.

    Importet sipas sektorëve të grupeve kryesore në vlerë

    Eksportet dhe importet sipas vendeve në vlerë dhe %

    Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

    Eksportet e Kosovës në BE arritën në 23.6 milionë euro, ose rreth 34% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje 26,6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania 10%, Austria 5%, Holanda 2.8%, etj.

    Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 269.8 milionë euro ose 42.7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 5.7%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga Gjermania 14.8%, Italia 5%, Greqia 4.2% etj.

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

    Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 33.2 milionë euro ose 47.7% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 19%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Shqipëria 21.6%, Maqedonia e Veriut 14.8%, Serbia 5.5%, Mali i Zi 4.8%.

    Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 99.6 milionë euro, ose 15.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 44.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Maqedonia e Veriut 5.9%, Shqipëria 5.5%, Serbia 3.1%.

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës

    Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 12.7 milionë euro ose 18.3%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin Zvicra 7.4% dhe SHBA 3.5%.

    Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 261.7 milionë euro ose 41.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Turqia 13.8% dhe Kina 13%.

  • Nuk i ofroi IKD-së qasje në dokumente publike, AIP-ja gjobit KPK-në me 3 mijë euro

    Nuk i ofroi IKD-së qasje në dokumente publike, AIP-ja gjobit KPK-në me 3 mijë euro

    Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka marrë vendim me të cilin i shqiptoi gjobë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) në shumën prej 3 mijë euro.

    Ky vendim është marrë më 21 janar 2025 pas shqyrtimit të ankesës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për heshtjen e KPK-së ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas vendimit, kërkesa e palës ankuese (IKD) ka pasur të bëjë me qasje në informacione se sa aktakuza ishin ngritur nga secili prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, për sa persona të akuzuar për departament, si janë zgjidhur dhe për të njëjtat a është ushtruar ankesë në instanca më të larta gjyqësore. Po ashtu, edhe se sa aktakuza janë ngritur në gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023, a ka qenë vendimi lirues apo dënues dhe për të njëjtat a është ushtruar ankesë në instanca më të larta gjyqësore.

    Në vendim, bëhet e ditur se kërkesa e IKD-së për qasje në dokumente publike ishte parashtruar më 25 tetor 2024. Përderisa, ankesa në AIP ishte parashtruar më 6 nëntor 2024.

    Aty thuhet se AIP gjatë shqyrtimit të ankesës, e ka obliguar KPK-në që t’i ofrojë palës ankuese (në këtë rast IKD-së) qasje të plotë në informacionet që kanë qenë objekt kërkese.

    Sipas vendimit, KPK-ja me gjithë paralajmërimin e AIP-së se kishte vetëm shtatë ditë afat për ta jetësuar kërkesën e palës ankuese, duke i ofruar qasje në informacionet e kërkuara, nuk e ka zbatuar vendimin e Agjencisë.

    Po ashtu, në vendim thuhet se duke pasur parasysh heshtjen e KPK-së, si rrjedhojë e moszbatimit të këtij vendimi, AIP me anë të njoftimit për shqiptimin e gjobës administrative të 8 janarit 2025, ka njoftuar zyrtarin kryesor administrativ se mund ta shfrytëzojë afatin prej 7 ditësh për të përmirësuar shkeljen e evidentuar në vendimin e lartcekur, para se të shqiptojë gjobë administrative.

    Në lidhje me këtë, thuhet se institucioni publik (KPK), më 10 janar 2025, ka kërkuar afat shtesë nga AIP edhe për një muaj për sigurimin e të dhënave për palën ankuese (IKD).

    Arsyetimi i tyre, sipas vendimit, kishte qenë se gjatë evidentimit ka pasur një problem teknik në arkivimin e tyre dhe se nevojitet një periudhë njëmujore për t’i nxjerrë të dhënat nga raportet evidentuese.

    Por, në vendim thuhet se AIP e ka njoftuar Këshillin Prokurorial se nuk ka ndonjë bazë ligjore që e mbështet shtyrjen e afatit, duke e lënë afatin e pandryshuar. Përderisa, thuhet se KPK-ja nga 8 janar 2025, nuk i ka përcjellë AIP-së informacionet e kërkuara ng apala ankuese (IKD).

    “Andaj, Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke pasur për bazë faktin se institucioni publik nuk i ka përcjellë informacionet objekt kërkese dhe nuk ka ofruar ndonjë bazë ligjore për mos ofrimin e qasjes në dokumente publike, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës së shqyrtimit të kësaj ankese, duke nxjerrë vendimin Nr.Gj-1001/2024, përmes të cili i shqiptohet gjobë institucionit publik në fjalë, shuma e së cilës bazohet në paragrafin 3 të nenit 33 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike”, thuhet në fund të arsyetimit të këtij vendimi.

    KPK-ja obligohet që shumën prej 3 mijë euro ta paguajë në afat prej 30 ditësh dhe se me kalimin e afatit të përcaktuar, i njëjti kthehet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga përmbaruesi privat.

    Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur mund të paraqesë padi për kundërshtim në gjykatë kompetente për çështje administrative në afat prej 30 ditësh nga dita e dorëzimit të vendimit. Por, inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi.

  • Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

    Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

    Presidenca e Kosovës tha se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”.

    Këshilltari për media i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha se këtë konfirmim Kasanof e ka bërë gjatë takimit që ka pasur në Uashington me shefen stafit të Osmanit, Learta Hollaj.

    Kjo deklaratë nga Presidenca e Kosovës vjen pasi Trump në ditën kur mori mandatin e presidentit nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.

    Radio Evropa e Lirë më 21 janar ka pyetur Ambasadën amerikane në Prishtinë dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por nuk ka marrë përgjigje.

    Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

    Aktualisht, USAD-i financon një sërë aktivitetesh në Kosovë, që përfshijnë mbështetje të reformave legjislative, përmirësimin e gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, ndihma për adresimin e sfidave të korrupsionit, ndihma për përmirësimin e konkurrencës tregtare e të tjera.

    Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

    Ndërkaq, në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës lidhur me këtë takim është thënë se Kasanof ka deklaruar se është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, synon normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Zyrtarë të lartë amerikanë më herët kanë thënë se shpresojnë që ky proces të përfundojë me njohje të ndërsjellë, gjë që Kosova e kërkon. Por, Serbia ka kërkuar një lloj kompromisi, ku asnjëra palë nuk do të ishte fituese absolute apo humbëse absolute.

    Hollaj, sipas njoftimit, me Kasanofin ka diskutuar edhe për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, pritjet nga ky proces dhe fushat që do të mbuloheshin nga ky dialog.

    Më 10 janar, Osmani kishte deklaruar se Kosova dhe SHBA-ja shumë shpejt do të finalizojnë një marrëveshje për dialog strategjik mes dy vendeve, i cili, sipas saj, do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

    Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit.

    SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

    Ndër vendet me të cilat SHBA-ja ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj.

  • Shpërthejnë sërish zjarret në Los Angeles, urdhërohet evakuimi i menjëhershëm

    Shpërthejnë sërish zjarret në Los Angeles, urdhërohet evakuimi i menjëhershëm

    Autoritetet e qarkut të Los Angeles kanë lëshuar urdhra evakuimi në një zonë rreth 60 kilometra në veri të qytetit, për shkak të një zjarri të ri që shpërtheu pranë liqenit Castaic.

    Flakët po djegin kodrat rreth pellgut dhe janë përhapur me shpejtësi, duke mbuluar një sipërfaqe mbi 20 kilometra katrorë në dy orë e gjysmë.

    Pothuajse 20 mijë persona kanë marrë urdhër të largohen nga shtëpitë e tyre.

    Zona e prekur nuk është e populluar shumë, por erërat e Santa Ana i shtyjnë flakët drejt jugut, në një zonë që tani është subjekt evakuimi dhe që duket e mbuluar me një re të trashë tymi.

    Castaic ndodhet rreth 25 kilometra në veriperëndim të qytetit të Santa Clarita dhe kufizohet me Pyllin Kombëtar të Angeles. Nga një popullsi prej 31,000 banorë, mijëra u urdhëruan të evakuoheshin, sipas sherifit të kontesë së Los Anxhelosit, Robert Luna.

    Rajoni është sërish nën një paralajmërim të kuq, që tregon për rrezik të lartë zjarri për shkak të erërave të forta dhe kushteve të thata me nivele të ulëta lagështie.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në gjykimin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka nisur dëshminë të mërkurën eksperti i mjekësisë ligjore, John Clarke, i cili vazhdon edhe sot.

    Ai ka përshkruar viktimat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka prezantuar me fotografi.Për disa viktima të shfaqura në ekran, nga Prokuroria, Clarke ka theksuar se kanë vdekur nga plumbi e disa të tjera janë goditur me instrumente të ndryshme që kanë shkaktuar mavijosje.

    Pas prokurorisë, pyetjet ndaj dëshmitarit i ka vazhduar mbrojtja e Kadri Veselit.

  • Ish-këshilltari i UNMIK-ut përmbyllë dëshminë në Hagë

    Ish-këshilltari i UNMIK-ut përmbyllë dëshminë në Hagë

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Në ditën e tretë të dëshmisë në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Ish-këshilltari i UNMIK-ut, Hansjeorg Strohmeyer, ka thënë se për ndërkombëtarët, Qeveria e Përkohshme e Kosovës më 1999 nuk kishte ekzistencë nga pikëpamja ligjore.

    Këtë gjë, Strohmeyer e pohoi duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues, i përfaqësuar nga gjyqtari Guénaël Mettraux.

    ‘’Nuk ishim të kujdesshëm në raportet tona me këta individ, por ishim të kujdesshëm që të mos të angazhoheshin ose të ndërvepronin në cilësinë e tyre si funksione qeveritare. Më është bërë një deklaratë gjatë pyetjes time që të I referohej zotëri Thaçit si zoti Kryeministër, ne nuk e kemi quajtur atë si Kryeministër’’, deklaroi Strohmeyer.

    Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, tha se për atë ka qenë gjithmonë e qartë se Hashim Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.

    “…..kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e Policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti”, deklaroi më tej Strohmeyer.

    Për Çekun, dëshmitari shtoi se nga pikëpamja funksionale ai ishte ushtaraku më i lartë me të cilin kishin kontaktuar për aspekte teknike.

    Duke u përgjigjur në pyetjen e gjyqtarit Guénaël Mettraux, ai tha se nga ajo siç e kishin kuptuar Rezolutën 1244, Shërbimi Informativ nuk kishte qenë në përputhje me Rezolutën.

    “Sipas nesh, nuk duhej të kishte asnjë organizatë tjetër që të funksiononte kuazi apo gjysmë shtetërore qoftë kjo UÇK-ja apo ndonjë grupim tjetër. Për ne, nuk mund të kishte ndonjë organizatë tjetër që mund të ushtronte funksione si ndalime, arrestime, gjykime, procese gjyqësore apo nuk mund të ushtronin funksione të një ministrie që përbëjnë një shtet apo Qeveri në kushte normale.
    Pra, sipas nesh, kjo vlente edhe për një Shërbim Informativ”, tha Strohmeyer.

    Pas përfundimit të dëshmisë së ish-këshilltarit të UNMIK-ut, në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka filluar dëshminë dëshmitari i 115-të i Zyrës së Prokurorit të Specializur, John Clarke, i cili është patolog i mjekësisë ligjore dhe është i thirrur për të japë dëshmi si ekspert.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • S’ka kërkesë të re për bastisje të institucioneve paralele, dëmtohen dy vula

    S’ka kërkesë të re për bastisje të institucioneve paralele, dëmtohen dy vula

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Ministria për Punë të Brendshme, ajo për Pushtetin Lokal, dhe ajo për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nuk dhanë njoftim të ri për hapat e mëtejmë ligjor lidhur me mbylljen e përhershme të institucioneve paralele-ilegale serbe.

    Madje, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut vendosi vula të njëjta në të ashtuquajturat zyra komunale, sikur te postat.

    Derisa në fshatin Uglarë, ku shërbente zyra për Fushë Kosovën, nuk kishte shenja në vulat e vendosura.

    Ndërsa, te posta e mbyllur në Graçanicë, më 22 Janar u vërejtën dëmtime të pjesshme të vulave në dy dyer.

    Largimi i paautorizuar i tyre përben vepër penale.

    Përkundër pritjes njëjavore, Të tri ministritë nuk u përgjigjën në pyetjet e ATV-së për veprimet e mëtejme ligjore, si dhe mundësinë e kryerjes së bastisjeve me qëllim grumbullimin materialeve në cilësinë e dëshmive.

    Për diçka të tillë, deri tani, nuk ka kërkesë të re në organet e drejtësisë.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar ndonjë kërkesë apo provë të re lidhur me këtë çështje, ndërsa në momentin që do të pranojmë ndonjë kërkesë apo provë lidhur me ndonjë vepër penale, do të veprojmë konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelorë në Prishtinë.

    Duke konfirmuar se nuk ka kërkesë të re, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë thanë se i janë drejtuar Gjykatës për atë fillestare.

    “Nuk ka pasur ndonjë kërkesë për hetime të mëtejme ose bastisje. Sa i përket rastit të fundit, kemi paraqitur kërkesë nga gjykata për aprovim retroaktiv të urdhër kontrollit dhe sekuestrimit të sendeve” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelorë në Mitrovicë.

    Mes tjerash, Ligji për Inspektoratin dhe Mbikëqyrjen e Tregut parasheh bashkëpunimin ndërmjet inspektorit dhe prokurorit për marrjen e urdhrit gjyqësor për kontrollimin e objekteve apo hapësirave në të cilat zhvillohet veprimtari e palejuar.

    Të mërkurën e 15 Janarit, ministritë dhe policia mbyllën institucionet paralele, pa kryer bastisje.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: