ATV

Tag: Ballina

  • Në 19-vjetorin e vdekjes, Kosova përkujtoi presidentin Rugova

    Në 19-vjetorin e vdekjes, Kosova përkujtoi presidentin Rugova

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në 19-vjetorin e vdekjes, Kosova përkujtoi presidentin historik Ibrahim Rugova.

    Mëngjesin e së 21 Janarit, presidentja Vjosa Osmani dhe kori diplomatik ndërkombëtar në Kosovë bën homazhe tek varri i Rugovës.

    Ajo theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Rugova në vënien e themeleve të shtetit të Kosovës nga koha e okupimit dhe në liri, pas luftës.

    “Në atë kohë presidenti Rugova jo vetëm qe bëri bashkë të gjithë qytetarët rreth kauzës për liri, demokraci, pavarësi, por njëkohësisht u bë zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të fuqishme të cilat na u dishtën më së shumti në ato kohë të vështira”, tha Osmani.

    Në ceremoninë zyrtare përkujtimore – që përfshiu ekspozitën “Një jetë për dritë” të fotografit Hazir Reka – presidentja Osmani e cilësoi Rugovën filozof e vizionar, si dhe arkitekt të pavarësisë.

    “Ishte ai që e vendosi Kosovën në tryezën e diplomacisë ndërkombëtare, që krijoi miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.

    Ish-presidenti, Fatmir Sedjiu tha se Rugova ishte simbol të unitetit, pajtimit dhe lider që arriti të jetësojë ëndrrën për liri e pavarësi.

    “Në takimet e shpeshta që kam pasur dhe që kam edhe tani, me zyrtarë ndërkombëtarë – që nga ambasadorë e deri te intelektualë, diplomatë, politikanë – vështirë të përfundojë biseda pa folur me respekt për veprën e presidentit Rugova, për të vlerësuar rolin dhe kontributin thelbësor të arkitektit dhe ndërtuesit të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, tha Sedjiu.

    Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti, kujtoi Rugovën si një njeri që “la pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike”.

    “Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, ka shkruar Kurti.

    Me homazhe te varri, presidentin Ibrahim Rugova e përkujtoi edhe partia të cilën e udhëhoqi gjatë gjithë karrierës politike – Lidhja Demokratike.

    “Ibrahim Rugova është shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, ai priu me dinjiteti, arriti të krijoj shtetin e Kosovës, arriti të krijoj një ëndërr pas të cilës rreshtohemi të gjithë pa asnjë dallim”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në kuadër të aktiviteteve për përvjetorin e 19-të vdekjes së Ibrahim Rugovës, po ashtu, u përurua libri “Rugova, prijësi intelektual” i autorit Ndue Ukaj.
    Ndërsa te shtatorja, në sheshin para presidencës, u ekspozua e vetura e restauruar presidenciale.

  • Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar gjykimi për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviqit

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar gjykimi për krime lufte ndaj Millorad Gjokoviqit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në prill të vitit 1999, Valbona Kelmendit, forcat serbe ia vranë babanë, dy vëllezërit dhe kunatën shtatzënë.

    “Më 12 prill 1999, unë me vëllan e madh jena largu nga shtëpia me tractor. Baba dhe vëllau I dytë kanë mbet në shtëpi. Mas do kilometrave e kanë vra vllaun e madh edhe kunatën që ka qenë shtatzënë. Na tjert jena largu. Rrugës m kanë plagos edhe mu”, ka deklaruar ajo.

    Kelmendi këtë dëshmi e dha në gjykimin ndaj Millorad Gjokovicit, I cili akuzohet për krime lufte pikërisht në rajonin e Pejës. Megjithëse, të akuzuarin nuk e mban në mend gjatë luftës, për të kishte dëgjuar shumë.

    Kelmendi dhe nëna e saj, tashmë në moshë të shtyrë, besojnë se i akuzuari mund të ketë informacione të rëndësishme.

    “Nana e ka përmend shumë. Ka thanë që veç ai (Gjokovic) munet me ditë kush mi ka vra familjarët”, tha KELMENDI.

    Dyshimet për këtë, iu shtuan edhe më, kur Gjokovic, i vizitoi në shtëpi, shumë vite pas luftës.

    “A ka ardhur Gjokovici në shtëpinë tuaj pas luftës me këtë veturë?”, tha Halit Gashi, i dëmtuar.

    “Po. Ka ardh me dajën tim. Kur e kam marr vesh që është serb, I kam thënë dajës mos ma sill në shtëpi edhe njëherë”, tha Valbona Kelmendi, dëshmitare.

    Millorad Gjokovic, i cili akuzohet për krime lufte në rajonin e Pejës, posaçërisht për vrasjen e Esat Shalës, u arrestua në vitin 2022.

  • Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Si mund të ndikojnë te Kosova?

    Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Si mund të ndikojnë te Kosova?

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.

    Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.

    Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.

    Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

    Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

    Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.

    Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.

    Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:

    • ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
    • ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
    • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
    • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
    • ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
    • ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
    • ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.

    Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë periudhës kur SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

    Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin Elizabeth McKee – pjesë e administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Bien – kishte thënë gjatë vizitës së saj në Kosovë vitin e kaluar se fokusi i USAID-it në të ardhmen do të jetë mbështetja e realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

    “Kjo është një mundësi reale për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara në anëtarësimin në BE dhe të jenë në gjendje jo vetëm t’i kalojnë reformat, por t’i zbatojnë ato në një mënyrë kuptimplote”, kishte thënë ajo.

    Por, urdhri, ndër shumë të tjerë që Trumpi nënshkroi në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë, tha se “industria dhe burokracia e ndihmës ndërkombëtare nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane”.

    Tutje, aty thuhet se këto ndihma “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe stabile brenda dhe midis shteteve”.

    Si pasojë, Trump shpalli se “nuk do të shpërndahen më ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

    Llogaritja e fundit zyrtare e ndihmës ndërkombëtare në administratën e Bidenit tregon se 68 miliardë dollarë janë angazhuar për programe jashtë shtetit që shtrihen nga ndihmat për katastrofa deri te shëndeti dhe iniciativa pro demokracisë në 204 shtete dhe rajone.

    Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim, pasi këto shuma janë të përfshira në pako afatgjata që datojnë nga dekada më parë dhe në disa raste janë të rregulluara nga obligime traktatesh.

    Financimi për agjencitë e OKB-së, përfshirë agjencitë për ruajtjen e paqes, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, kanë qenë tradicionalisht shënjestra për administratat republikane. Administrata e parë e Trumpit e nisi reduktimin e shpenzimeve për ndihmën ndërkombëtare, duke pezulluar pagesat për disa agjenci të OKB-së, përfshirë Fondin e Popullsisë të OKB-së dhe financimin për Autoritetin Palestinez.

  • ​Këto janë subjektet politike me më së shumti vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit

    ​Këto janë subjektet politike me më së shumti vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 18 mijë e 163 vëzhgues të 21 subjekteve të ndryshme politike të cilat janë të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në mbledhjen e radhës të KQZ-së u bë e ditur se dy subjektet politike, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë aplikuar me numrin më të madh të vëzhguesve, me mbi 4 mijë.

    Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tregoi numrin e aplikuesve për vëzhgues nga 21 subjekte politike.

    “Janë gjithsej 21 subjekte politike. Numri i vëzhguesve të subjekteve politike në total është 18 mijë e 163. Po filloj me Lidhjen Demokratike të Kosovës me gjithsej 3 mijë e 693 vëzhgues. Kosova Demokratik Turk Partisi me 257 vëzhgues…Serbska Lista me 290 vëzhgues. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate me 3 mijë e 571 vëzhgues. Koalicioni për Familje me 253 vëzhgues… Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar me gjithsej 4 mijë e 356 vëzhgues, të cilët nuk janë kandidatë përpos zgjedhor në Kosovë dhe të gjithë vëzhguesit janë në listën përfundimtare të votuesve…Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar me gjithsej 3 mijë e 939 vëzhgues, janë të grupit të dytë. Nëse përfshihen edhe vëzhguesit e grupit të parë, që kanë qenë 95. Në total janë 4 mijë e 34 vëzhgues”, tha Buzhala.

    Përveç kësaj, ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe miratimi i rekomandimit të sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës.

    Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani tha se janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera për shfrytëzimin e kësaj hapësire.

    “Këshilli për Operacione Zgjedhore ka shqyrtuar rekomandimin e sekretariatit për shfrytëzimin e hapësirave të institucionit të avokatit të popullit. Për vlerësimin dhe pranimin e dërgesave postare të votimit jashtë Kosovës. Bëhet fjalë për zarfe dhe fletëvotimet. Ky proces do të fillojë me pranimin e pakove postare, në këtë rast që arrijnë në Kosovë. Përmes postës të trajtohen, të vlerësohen dhe të pranohen në ambientet e mësipërme. Nevojitet që të lëshohet një vendim. Janë paraparë të gjitha masat e sigurisë në raport me policinë e Kosovë dhe të tjerat”, tha Elshani.

    Po ashtu, anëtarët e KQZ-së miratuan pikën sipas të cilës transporti i materialit zgjedhor nga qendrat komunave drejt këshillave të vendvotimit të bëhet përmes kombibusëve dhe kamionëve, e jo me mjete private të kryesuesve.

    “Ne në rregullat zgjedhore kemi paraparë që transportimi i materialeve zgjedhore, i kutive të bëhet nga kryesuesit bashkë me Policinë e Kosovës. Por të bëhet me automjetet e tyre private. Duke parë vështirësitë që kanë në raport me gjetjet e këtyre, ka raste kryesuesi ose anëtarët e Këshillit të vendvotimit nuk kanë vetura ose nuk dëshirojnë të shfrytëzojnë veturën e tyre për këtë. Kemi vendosur t’i rikthemi asaj praktikës së mëhershme, që të mundësohet gjetja e kombibusëve dhe kamionëve të cilët do të mundësojë shërbimin e transportit të materialit zgjedhor nga qendra komunale e drejt këshillave të vendvotimit dhe anasjelltas”, potencoi Elshani.

    Ndër të tjera, u aprovuan kërkesat që të bëhet zëvendësimi i anëtarit të komisionit komunal të zgjedhjeve në komunën e Deçanit, Isuf Mehemetaj me Lirije Turkaj Bufaj.

    Gjithashtu, KQZ miratoi ndërrimin e lokacionit të qendrës komunale të numërimit për komunën e Gjilanit dhe të Skenderajt.

    Në Gjilan u vendos që të zhvendoset në palestrën sportive “Bashkim Selishta”. Ndërkaq në Skenderaj u miratua që të zhvendoset në sallën e Edukatës Fizike në Shkollën e Mesme Teknike “Anton Çeta”. Zgjedhjet parlamentar në Kosovë mbahen më 9 shkurt. /kp

  • Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

    Strohmeyer: Nuk më kujtohet ta kem parë Thaçin duke i dhënë urdhra dikujt, mendonim që ai ishte përgjegjës i UÇK-së

    Hansjeorg Strohmeyer gjatë dëshmisë së tij në Hagë, mohoi se e ka parë Hashim Thaçin duke dhënë urdhra gjatë kohës sa dëshmitari ishte me misionin e UNMIK-ut si këshilltar juridik në Kosovë më 1999.

    Ai gjithashtu pohoi se është e vërtetë të thuhet që ai nuk e kishte parë ndonjëherë Thaçin duke i dhënë urdhra Agim Çekut ose ndonjë prej anëtarëve të UÇK-së apo dikujt tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Nuk më kujtohet. Nuk mund të them as po as jo. Nuk më kujtohet ndonjë rast konkret. Unë të paktën nuk e kam parë që t’i japë urdhra dikujt në praninë time, ndonjë komandanti apo ndonjë personi. Më janë bërë disa herë pyetje për këtë”, tha Strohmeyer.

    Në një shënim përgatitor të lexuar nga avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, pretendohet se dëshmitari ka thënë se personat që kontaktonte UNMIK-u në atë kohë ishin Thaçi për aspekte politike, ndërsa Agim Çeku për ato ushtarake.

    “Ky ishte perceptimi im. Mbaj mend që për aspekte politike duhej t’i drejtoheshim zotit Thaçi. Ndërsa, për marrëveshjen dhe për çështje që lidheshin me KPI-në mendonim që duhej t’i drejtoheshim zotit Çeku ose mendonim që ai ishte personi i kontaktit”, tha dëshmitari.

    Strohmeyer gjithashtu theksoi se ata e kishin përshtypjen se ka ekzistuar hierarki në UÇK dhe se anëtarÇekut e UNMIK-ut do të thonin se përgjegjës ishte Thaçi.

    “Sipas nesh, ose mënyra se si e kishim kuptuar ne, ndonëse nuk e kishim shprehur- mendojmë se ka pasur një hierarki. Ka ekzistuar një hierarki. Për shembull nëse do të pyesni personat në UNMIK se kush janë personat përgjegjës në UÇK të gjithë do të thonin zoti Thaçi”, tha Strohmeyer.

    Fjala e tij u ndërpre nga avokati Mishetiq, duke i thënë se nuk iu interesojnë anketat. Ndërsa, për pyetjet e fundit Mishetiq kërkoi seancë private, gjë e cila u aprovua nga trupi gjykues.

  • Gjendet i vdekur një person në banesën e tij në Fushë-Kosovë

    Gjendet i vdekur një person në banesën e tij në Fushë-Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është gjetur i vdekur në banesën e tij në Fushë-Kosovë.

    Sipas njoftimit, vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes, ndërsa trupi i pajetë, i cili është gjetur të hënën, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Policia ka njoftuar se njësitet kompetente janë duke u marr me rastin dhe se po bëhen hetime për të kuptuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.

  • Presidentja Osmani nis përdorimin e veturës së ish-presidentit Ibrahim Rugova

    Presidentja Osmani nis përdorimin e veturës së ish-presidentit Ibrahim Rugova

    Vetura me të cilën dikur lëvizte ish-presidenti Ibrahim Rugova, tani po përdoret nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Chevrolet”-in e ish-presidentit historik, qytetarët mund ta shohin sërish në rrugë, pasi Presidenca që udhëhiqet nga Vjosa Osmani, vendosi ta riparojë atë, për ta vënë në funksion, pas 20 vjetëve.

    Kujtojmë se në një deklaratë Osmani në vitin 2020 sa ishte në pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, thoshte se vetura duhej të ruhej në muze, por 4 vite pas, Osmani kishte deklaruar se dëshiron që kjo veturë të përdoret për aktivitete ceremoniale, andaj edhe sot përdori po këtë veturë për të bërë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova, në përvjetorin e vdekjes së tij./atvlive.tv

    https://www.facebook.com/reel/452791137765977

  • Presidenca organizon disa aktivitete në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës

    Presidenca organizon disa aktivitete në 19-vjetorin e vdekjes së Rugovës

    Në 19-vjetorin e vdekjes së Presidentit historik, Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të mbahen një sërë aktivitetesh:

    Në orën 09:00, Osmani dhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës, do të bëjnë homazhe tek varri i Presidentit Rugova, në Velani.

    Në orën 11:00, do të mbahet Ceremonia Përkujtimore për nder të Presidentit Rugova, ndërkaq pas përfundimit të Ceremonisë do të hapet Ekspozitë e fotografive të Presidentit Rugova, nga fotografi Hazir Reka.

    Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

    Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

    Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

    19 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

  • Presidentja Osmani uron Marco Rubion: Kosova mezi pret të punojë me ju

    Presidentja Osmani uron Marco Rubion: Kosova mezi pret të punojë me ju

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar Marco Rubio, i cili është konfirmuar si sekretar i 72-të i shtetit amerikan.

    Në platformën “X”, Osmani ka shkruar se Kosova mezi pres të punoj me sekretarin Rubio.

    “Urime Marco Rubio për konfirmimin tuaj unanim si Sekretari i 72-të i Shtetit i SHBA-së. Kosova mezi pret të punojë me ju për të forcuar aleancën tonë të qëndrueshme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë së bashku. Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese në këtë rol të rëndësishëm”, ka shkruar Osmani.

    Marco Rubio konfirmohet nga Senati si Sekretar i Shtetit

  • 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

    19 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

    Sot mbushen 19 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

    Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë.

    Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

    Në vitin 1996 doktor Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”.

    Mandej, për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

    Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë, shkruan KP.

    Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

    Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.

    Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.

    Nën udhëheqjen e tij, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor 2000, si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

    Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Kosovës në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.

    Ai ndërroi jetë më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në “Bregun e Diellit”, me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

    Në përvjetorin e vdekjes më 21 janar 2007, presidenti Fatmir Sejdiu, dekoroi presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vend që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.