ATV

Tag: Ballina

  • FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë

    FSK bën pranimin e Poligonit të Qitjes nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë

    Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot është bërë pranimi i poligonit të qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i vlefshëm i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë.

    Në njoftimin e bërë për media nga FSK thuhet se “Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë”.

    “Ky projekt është një dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim.

    Tutje, theksohet se duke u bazuar në objektivat e Ministrit të Mbrojtjes dhe udhëzimeve të Komandantit të FSK-së në lokacionin e FSK-së, respektivisht në Babaj Bokës nga Rexhimenti i Xhenios Ushtarake të FSK-së është bërë dhe vazhdon të bëhet hapja e rrugëve që është pjesë e tërësisë së investimeve për poligonet të cilat do të ndërtohen gjatë këtij viti dhe në të ardhmen.

    Poashtu, janë kryer edhe investime tjera nga buxheti i MM/FSK-së në ndërtimin e urave dhe infrastrukturës përcjellëse.

    Këto investime janë të planifikuara të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe viteve tjera. Gjithashtu për ndërtimin e këtyre poligoneve jemi mbështetur nga partnerët strategjik, konkretisht SHBA-të përmes EUCOMIT dhe Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë të cilat koordinohen nga Zyra e Bashkëpunimit të Mbrojtjes (ODC) së Ambasadës Amerikane për Evropë.

    Poligoni do të përdoret nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe forcat amerikane për zhvillimin e trajnimeve dhe aktiviteteve të tjera të qitjes, duke siguruar që personeli i FSK-së dhe partnerët e saj janë të përgatitur dhe të trajnuar për t`u përballur me sfidat e sigurisë.

  • Ambasada Britanike i dhuron pajisje mijëra euroshe Policisë së Kosovës

    Ambasada Britanike i dhuron pajisje mijëra euroshe Policisë së Kosovës

    Policia e Kosovës, përkatësisht Departamenti për Kufi, ka bërë të ditur se ka pranuar një donacion nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

    Në njoftim bëhet e ditur se donacioni përmban pajisje për punë policore në terren, ku vlera e tyre është mbi 42 mijë euro.

    Një pajisje e zbulimit (Skaner X-ray) në vlerë 37,749.00€, dy detektor për kontrabandë (Buster) në vlerë 4,963.75€, 68 bateri dore ndriçuese, 75 zmadhues për dokumente, 280 copë bateri 1.5 volt për zmadhues të dokumenteve dhe 100 zmadhues për dokumente”.

    “Me këtë rast gjatë pranimit të këtij donacioni drejtori i departamentit për kufi ka falënderuar përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe e cila ka mbështetur Policinë e Kosovës në vazhdimësi, duke siguruar pajisje elektronike të sofistikuara si dhe ka organizuar trajnime mbi përdorimin e këtyre pajisjeve”, thuhet në njoftim.

    Më tej, policia tha se është mirënjohëse dhe falënderuese për trajnimet dhe donacionet e ofruara, të cilat sipas tyre, kanë ndikuar në rritjen e profesionalizimit dhe punës sa më efikase.

  • 137 milionë për rehabilitimin e modernizimin e bllokut A3, Kurti: Investimi më i madh që nga ndërtimi i termocentraleve para 4 dekadash

    137 milionë për rehabilitimin e modernizimin e bllokut A3, Kurti: Investimi më i madh që nga ndërtimi i termocentraleve para 4 dekadash

    Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shpallur tenderin për fazën I të projektit kapital “Rehabilitimi dhe Modernizimi i njësisë A3 në Termocentralin Kosova A”. Përmes këtij projekti synohet të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të ndikoj në përmirësimin mjedisor të Njësisë A3.

    I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili ka deklaruar se përmes këtij investimi do të shtojnë dukshëm furnizimin me energji e po ashtu do të dyfishohet edhe prodhimi vjetor.

    Ai ka theksuar se pas rehabilitimit e modernizimit synohet që kapaciteti i A3 do të arrijë në 215 megavat nga rreth 100 deri në 140 që sillet aktualisht.

    “Prej se ka hyrë në punë në vitin 1970 Blloku A3 nuk ka ndalur prodhimin, përveçse për remonte dhe kujdesin e domosdoshëm për kapacitetin e prodhimit. Sot shënojmë fillimin e një projekti të jashtëzakonshëm të kujdesit për termocentralin Kosova A, rehabilitimi, dhe modernizimi i Bllokut A3 si dhe ripërcaktimi i qëllimit të KEK-ut për të ardhmen që na pret. Projekti i rehabilitimit dhe modernizimit të A3 i shërben kësaj strategjie duke përthekuar çdo cep të dilemës energjetike. Ky investim synon të rrisë kapacitetin e prodhimit dhe të përmirësojë efektshmerinë mjedisore të njësisë A3 e cila aktualisht prodhon një pjesë të rëndësishme të energjisë elektrike në Republikën tonë. Përftimet do të jenë të shumëfishta, po ja zgjasim jetën Bllokut A3 për 20 vjet, ose 150 mijë orë pune. Po rrisim kapacitetin që sot sillet rreth 100 deri në 140 megavat, pas rehabilitimit të modernizimit synojmë që kapaciteti i A3 do të arrijë në 215 megavat”, deklaroi Kurti.

    Ai tha se me mbi 137 milionë euro ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve katër dekada më parë.

    “Po rrisim disponueshmerinë kohore duke shtuar orë të punës, A3 sot është në gatishmëri pune rreth 5 mijë e 400 orë në vit. Rehabilitimi e modernizimi do të ja mundësojë të operojë për 7 mijë e 700 orë gjatë vitit, duke shtuar dukshëm kësisoj furnizimin me energji. Po e dyfishojmë prodhimin vjetor, A3 prodhon sot rreth 700 mijë megavat orë, pas rehabilitimit e modernizimit do të arrijë në 1 milion e 500 mijë megavat orë. Po përmirësojmë efikasitetin mjedisor për të prodhuar 1 megavat orë energji A3 sot konsumon rreth 1.5 deri 1.6 ton thëngjill, pas rehabilitimit do të nevojiten 1.15 ton thëngjill. Për te njëjtën energji të prodhuar, A3 rehabilituar do të përdor gati 30 për qind më pak thëngjill… Me mbi 137 milionë euro ky projekt është investimi më i madh në kapacitetet gjeneruese në KEK që nga ndërtimi i termocentraleve tona katër dekada më parë”, shtoi Kurti.

    Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nënvizoi se vitet e ardhshme do të jenë sfiduese, pasi siç tha ajo, një kohë termocentralet do të jenë jashtë funksionit. Megjithatë, ka shtuar se rezultatet e procesit rehabilitues të termocentralit do të jenë pozitive.

    Derisa, pozitive këtë investim e shohin edhe nga KEK. Sipas tyre, e ardhmja energjetike do të jetë më e qëndrueshme dhe i sigurt.

  • ​Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    ​Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

    Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë, shkruan REL.

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen të nisë mandatin e tij nga fillimi i shkurtit.

    Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.

    Radio Evropa e Lirë kishte mësuar ditë më parë nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit ishte dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.

    Kush është Sorensen?

    Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup.

    Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Për postin e lehtësuesit të dialgout garoi edhe emri i ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Për këto rol, ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

    Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit, duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren.

  • Lajçak takon liderët e Ballkanit, diskutojnë për integrimin e tyre në BE

    Lajçak takon liderët e Ballkanit, diskutojnë për integrimin e tyre në BE

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është deklaruar për një diskutim që pati me liderët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

    Përmes një postimi në platformën X, ai ka thënë se ia vlen të diskutohet për të ardhmen e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

    “E vlerësoj një bisedë konstruktive mbi zgjerimin e BE-së në dialogun tradicional të diplomacisë në Forumin Ekonomik Botëror për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.

  • Sot diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

    Sot diplomon gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës

    Sot, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, do të mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 61-të të Policisë së Kosovës.

    Nga ora 09:15, kadetët do të hyjnë në sallë duke marshuar, përderisa hapja e veremonisë zyrtare do të bëhet në ora 10:00.

    Pjesëmarrës në këtë ceremoni pritet të jenë personalitete shtetërore dhe ndërkombëtare, familjarë të zyrtarëve policorë që do të diplomojnë, si dhe eprorë të Policisë së Kosovës.

  • ​John Ratcliffe konfirmohet në krye të CIA-s, njihet si mik i shqiptarëve

    ​John Ratcliffe konfirmohet në krye të CIA-s, njihet si mik i shqiptarëve

    Senati amerikan konfirmoi John Ratcliffe të enjten për të shërbyer si drejtor i CIA, duke e vendosur në krye të agjencisë së inteligjencës.

    Votimi ishte 74 me 25 pro dhe disa demokratë iu bashkuan të gjithë republikanëve të pranishëm në konfirmimin e tij.

    Mbështetja që Ratcliffe mori nga demokratët pasqyron evolucionin e politikës amerikane. Gjatë administratës së parë Trump, Ratcliffe nuk mori asnjë mbështetje nga demokratët dhe kualifikimet e tij u vunë në pikëpyetje, kur ai u emërua drejtor i inteligjencës kombëtare.

    Por pesë vjet më vonë, pikëpamjet e Ratcliffe kanë ndryshuar. Ndryshe nga disa prej zgjedhjeve të Trump për postet e tjera të kabinetit, Ratcliffe konsiderohet të jetë i kualifikuar për pozicionin e tij. Pikëpamjet e tij për çështjet e sigurisë kombëtare janë të lidhura ngushtë me ato të shumicës republikane të Senatit.

    Republikanët e Senatit kishin shpresuar të konfirmonin Ratcliffe dhe disa kandidatë të tjerë në fillim të javës. Por demokratët, duke shprehur rezerva për disa zgjedhje, e kanë ngadalësuar shtytjen pasi Senati konfirmoi shpejt Marco Rubio si sekretar të Shtetit të hënën.

    Ratcliffe njihet edhe si mik i shqiptarëve. Në vitin 2016, ai ishte i ftuar special në Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në Nju Jork.

  • Rexhaj për votimin e 10 kandidatëve: Kjo e rrit mundësinë shumëfish për manipulime brenda partiake

    Rexhaj për votimin e 10 kandidatëve: Kjo e rrit mundësinë shumëfish për manipulime brenda partiake

    Profesori në Kolegjin AAB, Xhavit Rexhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, ka ngritur shqetësime për ndikimin e votimit të 10 kandidatëve në lista zgjedhore, duke e konsideruar këtë proces si një rrezik për manipulime brenda partiake.

    Sipas Rexhajt, procesi i mbrojtjes së votës dhe numërimit bëhet shumë më i ndërlikuar, duke rritur mundësinë e manipulimeve në qendrat e votimit.

    “Kjo e rrit mundësinë shumëfish për manipulime brenda partiake, brenda llojit. Domethënë, bëjnë pak komisionerët, edhe t’i tutë unë të mitë’, sepse do të ketë shumë vota”, tha Rexhaj.

    Ai gjithashtu shprehu shqetësim për vështirësitë që do të hasin votuesit në zgjedhjen e 10 emrave nga listat zgjedhore, duke përmendur problemet e mëparshme me procesin e numërimit.

    “Unë me pesë vota kam pasë problem me i gjetë pesë emra në listën me njëqind e dhjetë emra. Tash me dhjetë emra… njerëzit që nuk kanë formim politik, arsimor apo tjetër do ta kenë shumë të vështirë,” u shpreh Rexhaj.

    Deklaratën e plotë të Xhavit Rexhajt në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Votimi i 10 kandidatëve mund të sjellë ndryshime cilësore

    Gashi: Votimi i 10 kandidatëve mund të sjellë ndryshime cilësore

    Ish-deputeti Ibrahim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se votimi i 10 kandidatëve në lista zgjedhore mund të sjellë ndryshime të rëndësishme cilësore në përbërjen e partive politike në Parlament.

    Sipas tij, kjo qasje krijon hapësirë për përfshirjen e emrave të rinj që mund të ndryshojnë strukturën cilësore të partive.

    “Votimi i dhjetë kandidatëve jep mundësi më shumë, domethënë me fut edhe emra të rinj në atë të dhjetëshin që e përzgjedhin votuesit për ta votu dhe në këtë kombinim mund të ketë ndryshime kualitative në përbërjen e partisë dhe të ulëseve që ajo merr në Parlament”, tha Gashi.

    Ai komentoi gjithashtu përfshirjen e kryetarëve të komunave në lista zgjedhore, duke e konsideruar si një taktikë të partive për të tërhequr më shumë vota.

    “Kjo është taktikë e partive me tërheq më shumë vota në ato komuna ku ata kanë fitu një herë si emra të përveçëm. Nëse kanë punu mirë, kjo mund t’ju përkthehet në vota dhe e rrit numrin total të votave të partisë,” u shpreh ai.

    Deklaratën e plotë të Ibrahim Gashit në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • “Dy mijë punëtorë nga Azia”, por afër 52 mijë të papunë në Kosovë

    “Dy mijë punëtorë nga Azia”, por afër 52 mijë të papunë në Kosovë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në një prezantim në Davos të Zvicrës, duke folur për ato që i vlerësoi të arritura në raport me rritjen e punësimit, kryeministri Albin Kurti tha se në Kosovë janë dy mijë punëtorë nga Azia e largët, kryesisht nga Filipinet dhe Bangladeshi.

    Referuar normës së varfërisë prej 19.2%, sipas Bankës Botërore, profesori Shkumbin Misini vlerësoi se ka shpërputhje në statistikat e paraqitur nga kryeministri dhe realitetit.

    “Është kontroverse të thuhet që ne po importojmë nga vende të ndryshme të botës njerëz për punësim, e në anën tjetër e ke shkallën e papunësisë shumë të lartë. Dhe, shumë zhgënjyese është kur vetëm 37% e atyre që janë të aftë për punë, janë të punësuar”, tha Misini.

    Edhe për numrin e punëtorëve nga jashtë profesori tha se nuk ka të dhëna të
    sakta, meqë sipas tij, Kosova është kryesisht vend-tranzit.

    “Na shumica e bizneseve që i kam dëgjua, kanë thënë që ka raste që i kemi mbajtë, një jave, një muaj, tre muaj, ua kemi bërë leje-qëndrimet, ua kemi paguar banesat, u kemi dhënë paga paraprake dhe janë larguar pa njoftim”, tha Misini.

    Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë thanë se shifra e dhënë nga kryeministri është risi, ndërsa në mesin e arsyeve përmenden ikjen e punëtorëve vendorë.

    “Pjesa e sektorit të hotelerisë dhe ndërtimtarisë vazhdojnë të ndjejnë krizën për punëtorë, sepse siç e kemi pa është hapja e madhe e tregut në Evropë, sidomos në pjesën e Gjermanisë… dhe normalisht fuqia financiare atje është shumëfish më e madhe sesa e bizneseve në Kosovë”, tha Kushtrim Ahmeti, koordinator nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.

    Si problem tjetër kyç në këtë kontekst, Kushtrim Ahmeti përmendi mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe mungesën e politikave orientuese e ndërlidhëse.

    “Në mungesë të funksionimit siç duhet të shkollave profesionale dhe ndërlidhjes së tyre me sektorin privat, atëherë kjo ka shkaktuar mungesë të madhe të punëtorëve profesional, dhe normalisht kur biznesi nuk gjen punëtorë brenda vendit, duhet të kërkojë të bëjë zgjidhje edhe jashtë vendit, në mënyrë që të vazhdojë të ekzistojë si biznes”, tha Ahmeti.

    Sipas publikimit të fundit të Agjencisë së Statistikave, shkalla e jo-aktivitetit në tregun e punës është 59%, ndërsa numri të papunëve afër 52 mijë.