ATV

Tag: Ballina

  • Sot fillon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt

    Sot fillon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 27 janarin 2025 për mbajtjen e shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

    Lidhur me fillimin e gjykimit në këtë rast ka shkruar edhe vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj përmes një postimi në Facebook, duke thënë se si familje, besojnë në drejtësi.

    “Ju njoftoj që gjykimi i rastit të vrasjes dinake të motrës tonë Liridona Ademaj fillon në ora 11.00 në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Ne si familje besojmë në drejtësi dhe shpresojmë që gjykimi do të jetë efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”, ka shkruar ai në Facebook.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

    I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, sipas dosjes, se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

    Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

  • Dialogu Kosovë – Serbi, sot zyrtarizohet përfaqësuesi i posaçëm i BE-së

    Dialogu Kosovë – Serbi, sot zyrtarizohet përfaqësuesi i posaçëm i BE-së

    Këshilli për Punë të Jashtme i Bashkimit Evropian, sot ka në rend dite zyrtarizmin e vendimit për emërimin e Peter Sorensen në pozitën e Përfaqësuesit të Posaçëm të për Dialogun Kosovë-Serbi.

    Caktimin e diplomatit danez, i cili në të kaluarën kishte shërbyer në Kosovë si pjesë e UNMIK-ut, nga analistët vlerësohet si ndryshim pozitiv.

    Peter Sorensen do të pasojë në detyrë emisarin aktual Miroslav Lajcak, të cilit i skadon mandati më 31 Janar.

  • Hamza: Termocentrali me gaz mund të ndërtohet brenda 4 viteve

    Hamza: Termocentrali me gaz mund të ndërtohet brenda 4 viteve

    Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin “Context” në ATV, ka folur edhe për programin e tij për ndërtimin e një termocentrali me gaz.

    Sipas Hamzës, ky termocentral mund të ndërtohet për 4 vjet nëse fillon me kohë.

    “ Sektori i energjisë është shyllë e zhvillimit ekonomike. Ne e dimë që kemi një diskrepancë bukur të madhe mes kapaciteteve prodhuese dhe konsumit. Kapacitetet prodhuese kryesisht i kemi mbi bazën e thëngjillit dhe janë të stërvjetëruara. E dimë që “Kosova A” është e viteve të ’60 dhe “Kosova B”, e viteve të ’80 dhe kapacitetet janë të pamjaftueshme dhe jemi vonuar si Kosovë, të gjitha qeveritë pa dallim. Jemi vonuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese dhe për këtë drejtim dhe për këtë qëllim unë jam shumë i përkushtuar që t’i rrisim kapacitetet prodhuese. Dhe të gjitha resurset e mundeshme me i pas si alternativë edhe gazin, edhe energjinë e ripërtritshme, hidro kemi kapacitete të limituara. Por realisht viteve të fundit ka pasur mungesë edhe për shkak tash mes Rusisë dhe Ukrainës, furnizimit me gaz në Evropë, disa vende shumë të zhvilluara evropiane kanë filluar që t’i riaktivizojnë edhe termocentralet e tyre. Prandaj ne do t’i kemi në konsideratë të gjitha potencialet e mundshme, gjithmonë duke i respektuar edhe rregullat. Por çka është e sigurt, ne kemi nevojë për kapacitete të reja gjeneruese dhe sigurisht se një prej tyre është edhe ndërtimi i kapaciteteve mbi bazën e gazit që ka qenë edhe një projekt dhe unë do të jem shumë insistues që ai projekt të kryhet dhe të fillojë me kohë. Kur jemi te ndërtimi i kapaciteteve të reja në këtë drejtim, duhet ta dimë se përveç aspektit financiar si kosto edhe koha e ndërtimit me ekspertët që kam biseduar, është 3 më e shkurta por optimalja është 4 por mund të jetë edhe 5 vjet. Prandaj kjo duhet të startohet, duhet të fillojë, sepse mungesa e energjisë elektrike është pengesë për zhvillimin ekonomik. Ne e shohim bizneset çfarë kosto po paguajnë, ekonomitë familjare, por përtej kësaj e përkeqëson deficitin tregtar sepse ne po importojmë shumë energji elektrike dhe e cenon stabilitetin maktofiskal në fazën e fundit nëse vim te një kolaps i kapaciteteve ekzistuese energjetike për shkak të vjetërsisë, atëherë ne detyrohemi ose me u përball në periudha të gjata kohore me mungesë të energjisë elektrike ose me importu dhe kur të importojsh çmimet munden me qenë shumë të larta”, u shpreh Hamza.

    Sipas tij, në bazë të përllogaritjeve që janë bërë, për ndërtimin e këtij termocentrali do të nevojiten rreth 800 milionë euro.

    “Mendoj që me u fillu në kohë arrin në një periudhë afatmesme me u ndërtu. Sikurse që është edhe kostoja e përllogaritur, këto tash ndryshojnë por po flasim se dikund duhet ti kemi në dispozicion për me ndërtua kapacitete të reja, kur po flas kapacitete të reja, kapacitete në pronësi publike. Por jemi duke folur diku përafërsisht rretj 800 milionë euro që ki me i investue në kapacitete të reja për me fitu kapacitete të reja të një madhësie të caktuar”, u shpreh Hamza.

    Intervistën e plotë me Bedri Hamzën në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamza: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, është prioriteti i im kryesor për Kosovën

    Hamza: Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, është prioriteti i im kryesor për Kosovën

    Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është prioriteti i tij kryesor kur të vjen në pushtet.

    Ai tha se çmimet e produkteve bazike kanë pësuar rritje deri në njëqind për qind, duke rënduar gjendjen financiare të qytetarëve.

    “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik është prioriteti kryesor, për shkak se ne kemi nevojë me ndërru gjendjen ekonomike në Kosovë. Viteve të fundit ne jemi përballë me një inflacion shumë të lartë. Çmimet e produkteve bazike kanë lëvizë prej katërdhjetë deri në njëqind përqind”, tha Hamza.

    Hamza tha se konsumatorët po shpenzojnë më shumë se gjysmën e pagës për artikuj të domosdoshëm, duke nënvizuar nevojën për veprime konkrete.

    Intervistën e plotë me Bedri Hamzën në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hamza premton kapacitete të reja gjeneruese, thotë se energjia mbetet pengesë për zhvillim

    Hamza premton kapacitete të reja gjeneruese, thotë se energjia mbetet pengesë për zhvillim

    Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se gjendja e energjisë elektrike në vend paraqet sfidë për ekonominë, prandaj nevojitet angazhim konkret për ndërtimin e kapaciteteve të reja.

    Ai tha se ekziston një diferencë e theksuar mes prodhimit dhe konsumit, ndërsa termocentralet e vjetruara nuk po i përmbushin nevojat vendore.

    “Kur jemi te sektor energjisë së shtyllë e zhvillimit ekonomik, ne e dimë që kemi një diskrepancë bukur të madhe mes kapaciteteve prodhuese dhe konsumit. Kapacitetet ekzistuese kryesisht i kemi mbi bazën e thëngjillit, janë stërvjetruara”, tha Hamza.

    Sipas tij, Kosova është vonuar në ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe duhet t’i shfrytëzojë të gjitha burimet, përfshirë gasin dhe energjinë e ripërtëritshme.

    “Ne duhet t’i kemi në konsideratë gjitha potencialet e mundshme, gjithmonë t’i respektojmë rregullat. Po çka është e sigurt, ne kemi nevojë për kapacitete të reja gjeneruese dhe një prej tyre është edhe ndërtimi i kapaciteteve mbi bazën e gasit,” u shpreh Hamza.

    Intervistën e plotë me Bedri Hamzën në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Partitë serbe në Kosovë raportojnë incidente, pretendojnë se janë “sulme politike”

    Partitë serbe në Kosovë raportojnë incidente, pretendojnë se janë “sulme politike”

    Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë e mbështetur nga Beogradi, njoftoi se persona të panjohur më 25 janar hodhën një koktej molotovi para shtëpisë familjare të aktivistes së saj, Aleksandra Popoviq, në Ranillug, një komunë me shumicë serbe në juglindje të Kosovës.

    Ky mjet shpërthyes, sipas Listës Serbe, e goditi makinën familjare të familjes Popoviqit, duke e “djegur plotësisht”.

    Më herët, Lëvizja Popullore Serbe njoftoi se persona të panjohur më 24 janar tentuan të djegin një billbord të saj në Moguillë, pranë Kllokotit, gjithashtu një komunë me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.

    Ky billbord ndodhej përballë shtëpisë familjare të Divna Andrews, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Popullore Serbe.

    Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se të dyja incidentet janë raportuar dhe se rastet po hetohen.

    Lista Serbe dhe Lëvizja Popullore Serbe pretendojnë se këto incidente janë “sulme të motivuara politikisht”.

    “Pa dyshim që bëhet fjalë për një sulm të motivuar politikisht dhe përpjekje për të frikësuar anëtarët e këshillave zgjedhore të Listës Serbe, me qëllim që t’i pengojnë ata nga ndjekja dhe kontrolli i zgjedhjeve, në mënyrë që të favorizohen disa parti të tjera të preferuara nga Prishtina”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

    Ndërkohë, Milija Bishevac nga Lëvizja Popullore Serbe ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të reagojë lidhur me përpjekjen për djegien e billbordit të tyre, duke deklaruar se në këto kushte nuk mund të mbahen zgjedhje demokratike.

    “Nuk na keni frikësuar”, deklaruan nga kjo parti.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt dhe, përveç Listës Serbe, në to marrin pjesë edhe pesë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lëvizja Popullore Serbe, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Partia e Serbëve të Kosovës, Demokracia Serbe dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.

    Megjithatë, për pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, mbështetjen e Beogradit e ka ekskluzivisht Lista Serbe, e cila bojkoton institucionet e Kosovës për më shumë se dy vjet në përputhje me vendimin për të braktisur institucionet në veri për shkak të insistimit të Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti për t’i ndaluar targat serbe.

    Lista Serbe i ka fituar mbi 90 për qind të votave në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë që nga formimi i saj në vitin 2013, por misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka shkruar në raportet e tij më 2021 për “monopolin dhe frikësimin” nga kandidatët dhe aktivistët e kësaj partie./REL/

  • Rreziku kimik dhe radiologjik, ekipi italian i KFOR-it kryen kontrolle në një fabrikë në Pejë

    Rreziku kimik dhe radiologjik, ekipi italian i KFOR-it kryen kontrolle në një fabrikë në Pejë

    Një ekip i specializuar italian në fushën e CBRN (Nukleare, Biologjike, Kimike dhe Radiologjike), pjesë e Batalionit të Mbështetjes së Komandës Rajonale Perëndimore të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, realizoi një aktivitet kontrolli në fabrikën e hedhjes së mbetjeve Eurosteel në komunën e Pejës.

    Sipas njoftimit ky aktivitet është një procedurë rutinë që KFOR realizon për të mbështetur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë që të monitorohet gjendja e vendeve industriale dhe të mbështeten autoritetet lokale për realizimin e operacioneve të reduktimit të rrezikut kimik dhe radiologjik.

    “Këto aktivitete realizohen gjithmonë në bashkëpunim me ekipet CBRN nga kontingjentet e tjera të KFOR dhe me mbështetje nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim.

  • PZAP-ja shqipton sërish gjoba ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës

    PZAP-ja shqipton sërish gjoba ndaj partive politike për shkeljet gjatë fushatës

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka publikuar vendime të reja për gjobitejn e partive politike për shkeljet gjatë fushatës zgjedhore.

    PZAP publikoi 13 vendime që i mori më 25 janar 2025, në disa prej tyre janë shqiptuar gjoba, disa ankesa janë refuzuar e të tjera janë hudhur poshtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Përmes një vendimi të marrë më 25 janar, është hudhur si e pasafatshme ankesa e parashtruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi- KDTP, kundër vendimit të KQZ-së për miratimin e dizajnit dhe broshurës për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

    PZAP ka pranuar ankesën e organizatës joqeveritare “CEL Kosova dhe Dylberizmi”, duke e gjobitur me 5 mijë euro Koalicionin për Familje për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

    OJQ e lartpërmendur kishte dorëzuar ankesë më 23 janar 2025 pas postimit të bërë në Facebook nga kandidati i kësaj partie Jeton Haxhimustafa, i cili kishte shkruar në Facebook se “A po e kuptoni se këtu kemi të bëjmë me ideologji dhe kemi shumë arsye për t’u përgjigjur masovikisht këtyre bojkotimeve që po i bëhen Koalicionit për Familje, fillimisht përmes RTK-së dhe tani përmes PZAP-së vetëm që të na detyrojnë të heshtim përballë degjenerimit. Përkundrazi, s’ka pushtet që i nënshtrohemi apo na pengon t’i themi jo martesës burrë me burrë e grua me grua. PIKË!”.

    Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës së parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Shkak i kësaj gjobe, PZAP thotë se ishte një video e postuar në TikTok nga kandidati për deputet Valon Ramadani, ku përdorë gjuhë të urrejtjes dhe nxitëse ndaj partive kundërshtare.

    Kurse, një tjetër ankesë e PDK-së ndaj LVV-së është refuzuar si e pabazuar. PZAP gjithashtu ka refuzuar një ankesë të LVV-së ndaj PDK-së e tri tjera ndaj LDK-së, po ashtu për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

    Në një rast, PDK-ja është gjobitur me 3 mijë euro pas ankesës së LVV-së se kandidati për deputet i PDK-së, Faruk Bojaxhi postoi foto me tekst shoqërues të realizuar në Bashkësinë Islame dhe Ipeshkvinë e Prizrenit, në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Edhe në rastin e dytë, PDK-ja u gjobit me 3 mijë euro pas ankesës së LVV-së, për vendosje të banerave nëpër rrugë, hapësira publike dhe shtylla ndriçuese në Suharekë.

    E Partia e Serbëve të Kosovës është gjobitur me 3 mijë e 500 euro për vendosje të banerave e posterëve në hapësira publike në Mitrovicë të Veriut. Gjoba u shqiptua pas ankesës së LVV-së. Por, është hudhur si e palejuar ankesa e LVV-së ndaj subjektit politik Demokracia Serbe.

    Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është gjobitur me 4 mijë euro pas ankesës së LVV-së për vendosje të banerave në hapësira publike në Suharekë.

  • Moti sot, me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 11 gradë Celsius

    Moti sot, me diell dhe vranësira, temperaturat deri në 11 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se të dielen mbi vendin tonë do të mbajë mot parashikohet me vranesira të shpërndara dhe me intervale me diell.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të jenë ndërmjet një dhe tre gradë Celsius, derisa ato maksimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet shtatë dhe 11 gradë Celsius.

    Era do të fryjë nga jugperendimi me shpejtësi një deri në dy metër për sekond.

  • Analistët vlerësojnë pozitivisht emërimin e Sorensenit – nuk ka zgjidhje pa njohjen përfundimtare

    Analistët vlerësojnë pozitivisht emërimin e Sorensenit – nuk ka zgjidhje pa njohjen përfundimtare

    Propozimi që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të emërohet përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nga njohësit e çështjeve integruese është duke u vlerësuar si hap pozitiv, raporton EO.

    Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka vendosur që Sorenseni, të zëvendësojë Miroslav Lajçakun në këtë post të rëndësishëm.

    Profesori universitar, Dritëro Arifi, në një intervistë për Ekonomia Online e ka vlerësuar pozitivisht ndryshimin e përfaqësuesit të BE-së, duke e cilësuar Sorensenin si një diplomat me përvojë të gjatë dhe njohuri të thella për Ballkanin Perëndimor.

    Megjithatë, ai paralajmëron se pritshmërit ndaj tij duhet të jenë realiste, pasi sipas tij, mungesa e një njohjeje të detyrueshme ligjore nga Serbia dhe pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën e bën të pamundur arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

    “E para është pozitive që po ndërrohet i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është një gjë pozitive. Sorensen ka një provojë shumë të mirë në Ballkanin Perëndimor, ka qenë këshilltar në kohën e UNMIK-ut që ka qenë në administrimin ndërkombëtar, ka qenë përfaqësues i BE-së në Sarajevë, në Shkup, pra e njeh jashtëzakonisht shumë mirë rajonin dhe specifikisht raportet Kosovë-Serbi. Por, kjo e bëri diplomat të mirë, vjen nga një shtet që e njeh Kosovën, por kjo nuk do të thotë që do të bëjë mrekullira, sepse edhe nëse e bënë ai një raport pozitiv sepse marrëveshja ka përfunduar, konkluzionet e marrëveshjes franko-gjermane janë brenda kornizave të dokumenteve të BE-së, që për ta është zyrtarë. Krejt çka i mbetet të dërguarit të ri është që t’i bind palët që ta zbatojnë. Kjo më shumë varet nga 27 vendet e BE-së sesa nga vetë Peter Sorensen, ai krejt çka mund të bëjë është të ketë një qasje pozitive, por aty përfundon gjithçka që ka në dorën e tij si diplomat me përvojë. Mendoj që BE-ja nëse nuk e qartëson rrugën e Kosovës drejt BE-së që i bie pa njohjen nga pesë vendet e BE-së, çdo gjë tjetër do të jetë një farë lloj menaxhimi i diplomacisë me standarde të dyfishta”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Arifi gjithashtu kritikoi rezultatet e deritanishme të dialogut, duke i quajtur ato “gjysmake” dhe të pamjaftueshme për zgjidhjen e problemeve afatgjata mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Lajçak e ka përfunduar atë që e kanë autorizuar 27 vendet e BE-së që të bëjnë një marrëveshje gjysmake, për fat të keq, pas 11 vitesh negociata ne vije prapë në një marrëveshje gjysmake e cila nuk e zgjidh problemin e Kosovës dhe Serbisë. Pra, pa njohje ligjërisht të obligueshëm në vetëm po e bëjmë një status kohë marrëveshje që për të fituar kohë dhe për të ecur tutje, që është problemit sepse më shumë po krijohen trazira pasi që kemi bërë marrëveshje se sa para marrëveshjes”, ka thënë ai.

    Analisti politik, Arbnor Sadiku, për Ekonomia Online thotë se Sorensen do të sjell një frymë të re dhe një mundësi për një angazhim më aktiv në dialog.

    “Është e vërtet që së fundi kemi një përfaqësuese që vjen nga Danimarka, ai ka më shumë karriere pulitke në vende e ish-Jugosllavisë, veçanërisht është konsull nderi i Kroacisë në Danimarka dhe e njeh gogja mirë rajonin. Është përfaqësues i Danimarkës në Unionin Evropian, është një diplomat i karrierës synoj që të paktën të jetë pak më aktiv se Lajçak, duke marr parasysh që kemi një ndryshim të lidershipit. Edhe me ndryshimet e fundit që janë bërë në SHBA më ardhjen e presidentit Trump konsideroj që do të kalojnë më tepër në veprime konkrete ku do të kërkohet nga palët që janë në dialog. Këtë rast Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet dhe të mos merren me gjera që e pengojnë realizmin e këtyre marrëveshje dhe i dërgojnë këto dy vende prapa dhe jo drejt integrimit në Unionin Evropian”, ka thënë ai.

    Sadiku theksoi se një nga pengesat kryesore gjatë mandatit të Lajçakut ka qenë paragjykimi ndaj tij nga ana e Kosovës, për shkak të faktit që vjen nga Sllovakia, një shtet që nuk e ka njohur Kosovën.

    Sadiku gjithashtu kritikoi mungesën e rezultateve konkrete gjatë mandatit të Lajçakut.

    “Konsideroj që ai është munduar ndonëse që të bëjë një punë. Ka qenë problem i tij së pari se ka qenë i paragjykuar nga Kosova për shkak se ka ardhur nga një shtet si Sllovakia që nuk e ka njohur Kosovën e pastaj edhe shefi i tij Borell ka ardhur nga një shtet si Spanja që nuk ka njohur Kosovën dhe kjo ja ka ulur besimin veçanërisht në Kosovë. Ndërsa në Serbi ka pasur një besim më të madh. Shtoja kësaj edhe një lloj jo potence të Unionit Evropian në gjetjen e një modusi që e zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit ka bërë që për një mend mos të ketë as një rol e veçanërisht vitin e fundit të mandatit të tij ku më shumë ka mbajtur takime në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sa për ti ecur paga sa që ka pasur ndonjë rezultate konkret”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

    Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të posaçëm të bllokut për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë.

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij, pasi të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.