ATV

Tag: Ballina

  • Krasniqi tregon pse dhe si ndodhi vrasja në Vushtrri

    Krasniqi tregon pse dhe si ndodhi vrasja në Vushtrri

    Gazetari Vullnet Krasniqi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rasti i vrasjes në Vushtrri tregon një trend shqetësues – përhapjen e armëve në duart e njerëzve të zakonshëm, përfshirë të rinjtë, pronarët e lokaleve e deri te adoleshentët e paedukuar.

    Ai tha se ndryshe nga e kaluara, ku armët shoqëroheshin me krim të organizuar, sot ato po mbahen edhe nga individë të thjeshtë pa precedent penal.

    “Nuk është traditë ti me mbajtë armë 19-vjeçari, e pronari i furrës, e pronari kafiqit, e krejt njerëzit e zakonshëm që kanë njëfarë dalje, kështu një punë, edhe kontakt me shumë njerëz. Problemi është që armët janë tu u shpërnda dhe tu u marrë prej njerëzve të jashtëzakonshëm”, tha Krasniqi.

    Ai tha se rasti në Vushtrri ndodhi për arsye banale, duke e lidhur me një vajzë.

    “E rasti i Vushtrrisë… është për një çikë, përmendet emri i asaj çikës. Diskutohet që ka qenë një varg përleshje përpara në atë klasë, që kanë qenë të përfshirë nxënës të tjerë… Edhe tash një parashikim jemi errët ke, çka nëse qajo kish ndodh, ai djali kish hi në klasë dhe kishte gjujtë”, u shpreh Vullnet Krasniqi.

    Deklaratën e plotë të Vullnet Krasniqit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kabashi: Nga 147 raste për armëmbajtje pa leje, vetëm një është dënuar me burg

    Kabashi: Nga 147 raste për armëmbajtje pa leje, vetëm një është dënuar me burg

    Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Flamur Kabashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nga 147 aktgjykime për armëmbajtje pa leje të analizuara nga IKD-ja, vetëm një rast ka përfunduar me dënim me burg.

    Ai tha se ndonëse Kodi Penal parasheh burgim deri në pesë ose dhjetë vjet për këto vepra, shumica e rasteve janë mbyllur vetëm me gjoba.

    “Në 147 aktgjykime të armëmbajtjes pa leje, të cilat janë publikuar nga gjykatat në ueb-faqet e tyre, vetëm një rast ka dalë me dënim burgimi. Të tjerat janë dënuar me gjobë, ndonëse Kodi Penal parasheh dënim deri në pesë vjet, e në raste me sasi të mëdha të armëve, deri në dhjetë vjet,” tha Kabashi.

    Sipas tij, këto të dhëna tregojnë për një politikë ndëshkimore tejet të butë të gjykatave në rastet që kanë të bëjnë me armët pa leje.
    “Në praktikë, politika ndëshkimore, nga ajo që kemi analizuar dhe publikuar në këtë hulumtim, është jashtëzakonisht e lehtë. Prej 147 aktgjykimeve, 128 kanë rezultuar me gjobë dhe vetëm një me burg,” u shpreh Flamur Kabashi.

    Deklaratën e plotë të Flamur Kabashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kryeziu: Kjo Qeveri ka vetëm legalitet, jo legjitimitet

    Kryeziu: Kjo Qeveri ka vetëm legalitet, jo legjitimitet

    Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas përbërjes së Kuvendit, Qeveria aktuale konsiderohet në dorëheqje dhe funksionon pa legjitimitet.

    Ai sqaroi se me përbërjen e Kuvendit, Qeveria nuk ka më mandat të plotë dhe ushtron vetëm disa funksione të kufizuara.

    “Në aspektin kushtetues dhe në bazë të dispozitave kushtetuese, edhe kapitulli i katërt, e cila e përkufizon funksionimin e Kuvendit dhe konstituimin, Qeveria konsiderohet në dorëheqje në momentin e përbërjes së Kuvendit. Në atë moment kur s’ka pasë Kuvend funksional, prej atij momentit Qeveria konsiderohet në dorëheqje. Dhe nuk ka nevojë Qeveria me dhanë dorëheqje, se në fakt Qeveria ka vetëm legalitet, nuk ka legjitimitet”, tha Kryeziu.

    Sipas tij, Qeveria në detyrë nuk mund të ndërmarrë vendime të mëdha politike apo të propozojë ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare.

    “Kjo Qeveri me Kushtetutë i ka kompromise të kufizuara. Vetëm i ka disa ushtrime të detyrave, të aspektit financiar të buxhetit, domethënë fiskal, edhe disa punë të karakterit teknik edhe karakterit administrativ, përndryshe nuk ka të drejtë të përgatisë ligjin, nuk ka të drejtë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare”, theksoi Kadri Kryeziu.

    Deklaratën e plotë të Kadri Kryeziut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Spahiu: Është e vështirë të paramendohet tërheqja e trupave amerikane nga Kosova

    Spahiu: Është e vështirë të paramendohet tërheqja e trupave amerikane nga Kosova

    Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu, në emisionin COMPASS në ATV, tha se tërheqja e forcave amerikane nga Kosova është pak e besueshme dhe do të ndikonte negativisht edhe në vetë sigurinë e ShBA-së.

    Sipas Spahiut, amerikanët janë shumë të kujdesshëm dhe nuk do të lejonin krijimin e një hapësire të zbrazët në Kosovë, që mund të keqpërdorej nga akterë si Rusia.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pjesë e këtij procesi, prandaj është e vështirë të paramendohet që ata të tërhiqen sepse kjo do të shkonte edhe në dëm të sigurisë, madje edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët në një rast të tillë do të linin hapësirë të zbrazët dhe që Kosova të jetë shumë e rrezikuar nga sulmet e llojeve të ndryshme siç po shohim nga Rusia, do të jetë e zbrazët, prandaj amerikanët janë shumë të kujdesshëm në këtë aspekt”, tha Spahiu.

    Ai shtoi se edhe me administratën e Donald Trump, nuk pret që trupat amerikane të largohen nga rajoni, për shkak të rëndësisë gjeostrategjike të pozicionimit ushtarak të ShBA-së në Evropë.

    “Unë nuk shoh që presidenti Trump do të vendosë t’i tërheqë trupat edhe nga pjesë të tjera të Evropës sepse kjo ka të bëjë me pozicionin gjeostrategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ata nuk duan që ta dobësojnë veten duke u tërhequr pozicionet e tyre. Mendoj që nuk kemi hapësirë për shqetësim, në këtë moment, ajo që kërkon Trump nga Evropa është që ata t’i shtojnë përpjekjet për të garantuar sigurinë e vet”, tha Spahiu.

    Deklaratën e plotë të Avni Spahiut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Spahiu: Ka garë për miqësi me SHBA-të, Kosova duhet të intensifikojë komunikimin

    Spahiu: Ka garë për miqësi me SHBA-të, Kosova duhet të intensifikojë komunikimin

    Ish-ambasadori i Kosovës në ShBA, Avni Spahiu, në një intervistë në emisionin COMPASS në ATV, tha se Kosova duhet të ketë konsultime të vazhdueshme me ShBA-të, pasi në Ballkan ka një garë për afërsi me Washingtonin.

    Ai tha se edhe shtetet e tjera të rajonit po garojnë për të fituar sa më shumë mbështetje nga ShBA-të, andaj Kosova nuk duhet të mbetet mbrapa.

    “Mos të harrojmë se në Ballkan edhe vendet e tjera janë në garë se kush do të fitojë mbështetjen e Amerikës në këtë moment. Janë në garë, secili dëshiron që ta ketë sa më pranë”, tha Spahiu.

    Sipas tij, ndonëse ka pasur probleme, qëndrimet e fundit nga Uashingtoni janë inkurajuese, por kërkohet më shumë komunikim institucional me SHBA-të.

    “Kemi pasur disa probleme. Janë inkurajuese, dy deklarimet një Presidenti dhe sekretarit të shtetit, nuk qëndrojmë aq keq, por dua të them se duhet të intensifikohet komunikimi me Uashingtonin në çdo në çdo aspekt”, tha Spahiu.

    Deklaratën e plotë të Avni Spahiut në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • MPJD thotë se Serbia shkeli marrëveshjen pasi i shpalli armiqësi Kenisë që njohu Kosovën

    MPJD thotë se Serbia shkeli marrëveshjen pasi i shpalli armiqësi Kenisë që njohu Kosovën

    Ministria e Jashtme e Kosovës ka reaguar ndaj kundërshtisë së Serbisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kenia.

    Dje Serbia e ka konsideruar “akt armiqësor” njohjen e Kosovës nga Kenia dhe ndaj kësaj ka paralajmëruar se do t’i marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike”.

    MPJ thotë se Serbia shkeli marrëveshjet e dialogut dhe kundër këtyre dakordimeve Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës.

    “Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja. Përkundrazi, Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare”.

    MPJ thotë se kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian.

    “Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”.

    Në deklaratën e saj, Serbia përmend Kartën e OKB-së, Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe marrëdhëniet e saj me Kenian për ta paraqitur veten si viktimë, thotë Ministria.

    “Megjithatë, bota e di shumë mirë. Kjo është po e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve. Sot, Serbia vazhdon të mohojë dhe të kundërshtojë drejtësinë, siç dëshmohet në kundërshtimin e saj të turpshëm ndaj Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Serbia refuzon të hapë arkivat e saj shtetërore, duke e penguar botën të njohë të vërtetën e plotë për mizoritë sistematike të kryera nga policia, ushtria dhe forcat e saj paramilitare në Kosovë, masakra brutale si ato në Reçak, Izbicë, Krushë të Madhe, Poklek, Podujevë e Mejë, të cilat i kujtojmë çdo vit. Shumë nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tyre në vrasjet sistematike dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës. Kjo Serbi nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”.

    Po ashtu, MPJ mohon se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës siç ka pretenduar Serbia.

    “Për më tepër, deklarata e Serbisë është e mbushur me gënjeshtra të hapura dhe dezinformata të qëllimshme. Pohimi se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës në tetë vitet e fundit është një gënjeshtër e paskrupullt. Përpjekjet e Serbisë për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës përmes manovrave të sajuara diplomatike kanë dështuar vazhdimisht. Përveç kësaj, Serbia dëshiron që bota të injorojë opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, një interpretim juridik që vetë Serbia e kërkoi, me shpresën për një vendim në favor të saj. Kur GJND-ja vendosi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkel atë, Serbia zgjodhi të shpërfillte vendimin që vetë e kishte kërkuar. Ky nivel hipokrizie është përtej absurditetit”.

    “MPJ e Serbisë gjithashtu pretendon se njohja e Kosovës do të minojë dialogun e Brukselit. Nuk mund të ketë asgjë më larg së vërtetës. Është Serbia ajo që vazhdimisht refuzon ta përmbyllë dialogun dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshje, mohon hapur angazhimet e saj ndaj BE-së dhe mashtron bashkësinë ndërkombëtare. Serbia ka gënjyer jo vetëm BE-në, por edhe popullin e saj për dekada të tëra. Nuk është çudi, pra, që vazhdon të tentojë ta gënjejë edhe botën. Serbisë nuk mund t’i zihet besë”.

    “Ajo që është edhe më shqetësuese, deklarata e Serbisë përmban një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe alarmues kundër Kosovës. Duke deklaruar se do ta mbrojë “me vendosmëri më të madhe” sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion. Duke pasur parasysh veprimet e saj të vazhdueshme armiqësore kundër Kosovës që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 përfshirë sulmet ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike bashkësia ndërkombëtare duhet t’i marrë këto kërcënime seriozisht. Akti i fundit i agresionit kundër Republikës së Kosovës në Banjskë dhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër-Lepencit, i kryer nga grupe të mbështetura nga Serbia, është një kujtesë e qartë e gatishmërisë së Serbisë për të përdorur dhunën për të destabilizuar Kosovën. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit obligime që, siç kanë deklaruar Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës”.

    MPJ i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për ta dënuar narrativën e Serbisë dhe shkeljen e marrëveshjeve nga ana e saj.

    “Së fundi, duke ritheksuar mirënjohjen tonë më të thellë ndaj Republikës së Kenias për vendimin e saj të drejtë dhe të ligjshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që të ndjekin shembullin e Kenias. Njohja e Kosovës është veprimi i duhur ligjërisht, politikisht dhe historikisht. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe sovran, dhe vendi i saj në bashkësinë ndërkombëtare është i pamohueshëm dhe i pakthyeshëm”.

  • Çfarë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

    Çfarë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve?

    Pasditen e 27 marsit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugë formimit të institucioneve të reja.

    Certifikimi bëhet pasi kanë kaluar të gjitha afatet e ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme.

    Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parapara në Kushtetutë dhe ligje të tjera.

    Fillimisht, para se të certifikohen rezultatet, anëtarët e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, që kanë fituar votat e mjaftueshme për postin e deputetit, sipas Ligjit për qeverinë, duhet të japin dorëheqje “para ditës së certifikimit”.

    Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës

    Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë nuk është formimi i Qeverisë, por ai i konstituimit të përbërjes së re parlamentare.

    Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

    Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.

    Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së parë në zgjedhje, në këtë rast LVV-së. Ndërkaq, partitë më të mëdha politike propozojnë një kandidat për nënkryetar, por edhe deputetët e komunitetit serb dhe ata të komuniteteve joshumicë, duhet të propozojnë nga një deputet për postin e nënkryetarit.

    Kryetari dhe nënkryetarët zgjidhen me shumicë të votave. Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre.

    “Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, thuhet në Nenin 12, pika 5 e Rregullores së Kuvendit.

    Kufizimi i kompetencave të ekzekutivit aktual

    Me konsitituimin e Kuvendit, hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri. Por, në këtë periudhë të ndërmjetme – pra nga konstituimi i përbërjes së re parlamentare e deri te formimi i ekzekutivit të ri – Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.

    Këto kufizime parashihen në nenin 31 të Ligjit për Qeverinë.

    Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.

    Qeveria e re

    Në këtë periudhë, presidentja Osmani, sipas ligjeve obligohet të nominojë partinë fituese si mandatare për formimin e Qeverisë së re.

    Kabineti qeveritar i propozuar duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve.

    Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 15 mars, LVV-ja ka fituar 42.30 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar 4.26 për qind të votave.

    Me këto përqindje, LVV-ja i ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 sosh, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

    Pra, i bie që asnjëra parti nuk do të mund të formojë vetëm Qeverinë, por për ekzekutivin e ri do të duhet të formohen koalicione.

    Sa i përket koalicioneve, LVV-ja ka thënë se preferon ta formojë Qeverinë me partitë joshumicë – të cilat kanë dhjetë ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

    Partitë e mëdha shqiptare po ashtu janë shprehur kundër bashkëpunimit për ekzekutivin e ri me LVV-në. Por, Kurti ka shprehur bindjen se do të udhëheqë qeverinë e re.

    Megjithatë, nëse LVV-ja dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, atëherë presidentja Osmani është e obliguar që brenda dhjetë ditësh të ftojë në konsultime partitë politike.

    Pas konsultimeve, është në diskrecionin e saj për të vendosur për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se ka numrat për të formuar ekzekutivin.

    Mandatari më pas i ka 15 ditë kohë që t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

    Por, nëse Qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, atëherë presidentja Osmani, sipas nenit 95 të Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë.

    Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta parlamentare të mbajtura në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë.

  • Studentët protestues në Serbi përdorin narrativin shtetëror për bombardimet e NATO-s

    Studentët protestues në Serbi përdorin narrativin shtetëror për bombardimet e NATO-s

    Protesta e studentëve dhe qytetarëve para godinës së dëmtuar të ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, më 24 mars 2025, në 26 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

    Protesta e studentëve dhe qytetarëve para godinës së dëmtuar të ish-Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, më 24 mars 2025, në 26 vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s.

    Njëzet e gjashtë vjet pas bombardimeve të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë, në Serbi mbetet gjerësisht i përhapur narrativi për mijëra civilë të vrarë, ashtu si edhe pjesëtarë të forcave të armatosura.

    Kjo u pa edhe në protestën që u organizua nga studentët në Beograd, përpara godinës së ish-Shtabit të Përgjithshëm, më 24 mars – në përvjetorin e 26-të të fillimit të bombardimeve.

    Në thirrjen për tubim, të cilën studentët e publikuan në faqen në Instagram “Studentët në bllokadë”, thuhej se gjatë 78 ditëve bombardime, u vranë 2.500 civilë dhe 1.031 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë.

    Ata iu referuan të dhënave të Ministrisë serbe të Mbrojtjes, sipas të cilave nga bombardimet humbën jetën edhe 89 fëmijë.

    Këto të dhëna, me disa variacione, janë përmendur ndër vite në ceremonitë zyrtare me rastin e përvjetorëve të fillimit të ndërhyrjes së NATO-s.

    Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), gjatë pothuajse tre muajve bombardime kanë humbur jetën gjithsej 756 persona.

    Nga ta, 451 kanë qenë civilë, ndër të cilët 217 shqiptarë, 204 serbë dhe 30 romë apo pjesëtarë të grupeve të tjera etnike.

    Sa u përket viktimave nga radhët e forcave të armatosura, 276 kanë qenë pjesëtarë të Ushtrisë së Jugosllavisë apo të MPB-së së Serbisë, ndërsa 29 pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Këto janë të dhënat më të besueshme për viktimat e sulmeve ajrore të NATO-s në vitin 1999. Për vite me radhë kemi ftuar publikun që, nëse dikush ka ndonjë të dhënë për ndonjë viktimë, të na e japë, por askush nuk është lajmëruar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Natasha Kandiq, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.

    Në një raport të publikuar në vitin 2014, janë paraqitur emrat dhe mbiemrat e viktimave, përkatësia etnike, data e lindjes, si dhe vendi dhe data e vdekjes.

    Çfarë kanë thënë zyrtarët e Serbisë?

    Të dhënat për numrin e viktimave që i ka paraqitur udhëheqja shtetërore serbe ndër vite, kanë ndryshuar.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në shënimin e 25-vjetorit të fillimit të bombardimeve, në vitin 2024, deklaroi se janë vrarë 79 fëmijë, 2.500 njerëz – “jo vetëm civilë, por edhe ushtarë e policë”.

    Në një fjalim para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator të vitit 2023, Vuçiq tha se në ’99-tën janë vrarë disa mijëra civilë dhe ushtarë.

    Në një ngjarje përkujtimore, me rastin e bombardimeve të NATO-s në vitin 2021, u tha se janë vrarë rreth 4.000 civilë.

    Ky numër ishte pak më ndryshe në vitin 2017, kur Vuçiq deklaroi se janë vrarë më shumë se 2.000 civilë dhe pothuajse 1.000 ushtarë dhe policë.

    Koordinatorja e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, Bojana Selakoviq, thekson se narrativi për 2.500 civilë të vrarë dhe mbi 1.000 ushtarë të vrarë, ka vazhduar për faktin se nuk ekzistojnë të dhëna shtetërore për numrin e viktimave.

    “Këtë nuk e ka bërë asnjë qeveri që nga viti 1999”, thotë Selakoviq, duke kujtuar se hulumtimi i vetëm është bërë nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Sipas saj, narrativi për një numër më të madh viktimash përdoret për t’i mobilizuar njerëzit mbi baza të ndjenjës kombëtare.

    “Kjo është një praktikë e shpeshtë – të flitet me shifra pa evidencë zyrtare, të mos flitet për fakte, por për ndonjë lloj konstrukti, ndërtimi, në mënyrë që të mbahet gjallë ajo përmasë e viktimës, e cila, në fakt, është thelbësore në atë narrativ dhe shërben për një lloj manipulimi ndaj njerëzve”, thotë ajo.

    Gjeneratat që nuk i mbajnë mend bombardimet

    Narrativin për mijëra civilë të vrarë e kanë vazhduar edhe studentët në bllokadë.

    Studentja Dunja Stanojkoviq lexoi deklaratën, në të cilën thuhej se “më 24 mars, 1999, u bombardua një shtet, dhe deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi”.

    “U bë e qartë se parimet e së drejtës ndërkombëtare nuk vlejnë njësoj për të gjithë”, thuhej në deklaratën e studentëve.

    Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë përgjigje me shkrim nga grupi “Studentët në bllokadë”, lidhur me mënyrën se si informohen për ngjarjet që lidhen me bombardimet e NATO-s më 1999, dhe nëse kanë dijeni për të dhënat e publikuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Bojana Sellakoviq vlerëson se studentët në bllokadë kanë vendosur të dalin me këto të dhëna, për të mbledhur një numër më të madh njerëzish në protestën para Shtabit të Përgjithshëm.

    Ajo thekson se narrativin për bombardimet e shpërndan pushteti dhe kujton se bëhet fjalë për gjenerata që nuk e mbajnë mend atë periudhë.

    “Ata kanë mësuar për këtë nga narrativët shtetërorë, kanë mësuar në shkolla, sepse ky është narrativ që përdoret në sistemin arsimor… kanë mësuar edhe nga mediat për këtë. Marrë parasysh se, në një mënyrë, u janë nënshtruar mekanizmave që pushteti i ka përdorur gjatë gjithë këtyre viteve, për të diskredituar njerëz në hapësirën publike, ata, thjesht, nuk i konsiderojnë relevante burimet e tjera”, shpjegon Sellakoviq.

    Një fushatë ajrore në mbrojtje të njerëzimit

    Kandiq mendon se gjeneratat e reja nuk dinë pothuajse asgjë për vuajtjet e popullsisë joserbe gjatë bombardimeve të NATO-s, ndaj as që e vënë në dyshim informacionin që paraqesin zyrtarët serbë.

    “Ata nuk e dinë që ekzistojnë edhe të dhëna të tjera që janë të verifikuara me emër dhe mbiemër, përveç numrave që i japin përfaqësuesit e institucioneve shtetërore”, thotë Kandiq.

    Edhe më pak, sipas saj, dinë për krimet e luftës që i kanë kryer pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, në luftën e viteve 1998 dhe 1999.

    Ndërhyrja e NATO-s filloi pas raporteve për krimet e kryera nga njësitë policore dhe ushtarake serbe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

    Intervenimi u krye pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara – gjë që përbënte një precedent.

    Në narrativin zyrtar të Serbisë theksohet vetëm ky aspekt, ndërsa për përndjekjen sistematike të popullsisë shqiptare në Kosovë nuk thuhet gjë.

    Krimet e forcave serbe janë vërtetuar me aktgjykime të Tribunalit të Hagës.

    Kandiq thotë se shpreson se do të vijë një kohë kur gjeneratat e reja do të fillojnë të vënë në dyshim narrativin zyrtar për luftën në Kosovë dhe bombardimet e vitit 1999.

    “Mendoj se është jashtëzakonisht me rëndësi që këta të rinj të orientohen drejt të dhënave dhe fakteve të vërtetuara përmes hulumtimit dhe që janë nxjerrë nga një analizë e kujdesshme e të gjitha dokumenteve gjyqësore. Përmes rrjeteve sociale i kam ftuar të bashkohen me disa nga projektet tona të reja, që do t’i ndihmojnë pikërisht në fitimin e njohurive për luftërat e viteve ’90”, thotë Kandiq.

    Hulumtimi i Fondit për të Drejtën Humanitare

    Fondi për të Drejtën Humanitare ka filluar hulumtimin për viktimat menjëherë pas bombardimeve të NATO-s. Hulumtuesit, sipas Kandiqit, kanë kaluar nëpër 35.000 burime. Të dhënat e para që ka publikuar ky fond, janë bazuar ekskluzivisht në burime mediatike.

    “Atëherë mediat publikonin të dhëna zyrtare që duhej të ishin të aprovuara më parë. Këto burime mediatike ishin të përqendruara vetëm në viktimat në Serbinë qendrore. Nuk kishte asnjë të dhënë që tregonte se kishte pasur sulme edhe ndaj shqiptarëve në Kosovë”, thotë Kandiq.

    Ajo shton se në hulumtimet e mëvonshme është konstatuar se numri i viktimave ishte disi më i madh në mesin e popullatës shqiptare. Sipas themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare, ata kanë humbur jetën kryesisht në rrethana të veçanta.

    “Zakonisht bëhej fjalë për kolona të popullatës që më parë ishte dëbuar drejt Shqipërisë. Këto kolona gjithmonë ishin nën përcjelljen e policisë. Kurrë nuk është folur për këtë në media dhe asnjë përfaqësues i autoriteteve në Serbi nuk i ka përmendur viktimat shqiptare nga sulmet ajrore”, thotë Kandiq.

    Për mënyrën se si narrativi zyrtar i shtetit serb është selektiv në lidhje me viktimat gjatë bombardimeve, flasin edhe të dhënat për fëmijët e vrarë.

    Sipas të dhënave që japin zyrtarët shtetërorë, numri i fëmijëve të vrarë varion nga 79 deri në 89. Fëmijët me përkatësi kombëtare shqiptare, në këtë rast, zakonisht nuk përmenden fare.

    Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se nga bombardimet e NATO-s kanë humbur jetën gjithsej 81 fëmijë nën moshën 16-vjeçare.

    Numri më i madh i viktimave në një sulm është regjistruar më 13 maj, 1999, në fshatin Korishë në Kosovë, ku janë vrarë 29 fëmijë.

    “Deri më tani është konstatuar se të gjithë ata fëmijë ishin nga fshatra prej nga ishte dëbuar popullata shqiptare. Ata ishin drejtuar kah kufiri me Shqipërinë. Policia e Serbisë i kishte drejtuar në një ndërtesë të vjetër ushtarake për ta kaluar natën aty dhe që të nesërmen të vazhdonin rrugën për në Shqipëri. Gjatë natës ndodhi sulmi i aviacionit të NATO-s”, thotë Kandiq.

    Sellakoviq thekson se, nëse shteti do t’i publikonte emrat dhe mbiemrat e të vrarëve gjatë bombardimeve, do të shihej se një numër i konsiderueshëm i tyre ishin shqiptarë.

    “Atëherë do të binte narrativi se viktimat e NATO-s janë vetëm serbë dhe se NATO-ja është një organizatë e drejtuar kundër serbëve. Ne e dimë se si është përdorur ky narrativ gjatë gjithë këtyre 20 e ca viteve – për ta orientuar qartë kursin e politikës së jashtme të Serbisë”, thotë Sellakoviq.

    Veteranët dhe studentët

    Në protestën para ish-Shtabit të Përgjithshëm, studentëve dhe qytetarëve iu bashkuan edhe veteranët e Brigadës së 63-të Parashutiste. Ata, edhe më herët, kanë mbështetur protestat e studentëve, që kanë nisur prej fundit të nëntorit.

    Protesta në Kragujevc më 15 shkurt 2025, në të cilën ishin të pranishëm edhe veteranët e Brigadës së 63-të të Parashutës së Ushtrisë Serbe.

    Anëtarët e shoqatës së veteranëve u kanë ofruar ndihmë studentëve në ruajtjen e rendit edhe gjatë protestës së madhe në Beograd më 15 mars, kur në kryeqytet u mblodhën disa qindra mijëra njerëz.

    “Duke pasur parasysh se ato njësi kanë reputacionin e mbrojtjes së interesave kombëtare, studentët ndoshta nuk shohin asgjë të keqe nga përfshirja e tyre. Thjesht, nuk janë të informuar për atë që kanë bërë ata njerëz dhe sa problematike ka qenë”, thotë Sellakoviq.

    Pjesëtarët e Brigadës së 63-të Parashutiste kanë marrë pjesë në të gjitha luftërat në hapësirën e ish-Jugosllavisë, gjatë viteve ’90.

    Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, në aktgjykimet gjyqësore përmendet pjesëmarrja e tyre në aksionin “Reka”, në prill të vitit 1999.

    Gjatë këtij aksioni ndodhi krimi më masiv në Kosovë, kur mbi 300 pjesëtarë të komunitetit shqiptar nga fshati Mejë u ndanë nga familjet dhe u vranë në rrugën për në Gjakovë.

    Në aktgjykimet ndaj gjeneralëve të atëhershëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq dhe Vlladimir Llazareviq, për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, nuk përmendet përgjegjësia e komandantëve apo shefave të shtabit të Brigadës së 63-të Parashutiste. Në ato aktakuza, fokusi ishte te krerët ushtarakë të Ushtrisë Jugosllave.

    Tubimi para Shtabit të Përgjithshëm ishte pjesë e protestave disamujore në Serbi, me të cilat kërkohet përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një kulmi betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

    Protestat po udhëhiqen nga studentët, të cilët, për më shumë se katër muaj, bllokojnë dhjetëra fakultete në të gjithë Serbinë. /Radio Evropa e lirë

  • Reuters: Kenia e njeh Kosovën si shtet të pavarur, hapi i parë i tillë në pesë vjet

    Reuters: Kenia e njeh Kosovën si shtet të pavarur, hapi i parë i tillë në pesë vjet

    Kenia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, vendi i parë që e ka bërë këtë pas gati pesë vitesh përpjekjesh të ngecura për të fituar njohje të mëtejshme ndërkombëtare, shkruan Reuters.

    Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtimit nga Serbia dhe aleatët e saj, duke përfshirë edhe Rusinë dhe Kinën, mbajtësit e vetos së OKB-së.

    Mbi 110 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve evropiane, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Njoftimin e ka bërë ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, i cili në faqen e tij në Facebook ka shpërndarë foto me presidentin kenian, William Ruto, teksa ka nënshkruar letrën e njohjes.

    “Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, vetëm me një qëllim – që të dëgjohet zëri dhe e drejta e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, tha Pacolli, duke shtuar se për këtë ka lobuar që nga viti 2009.

    Shteti i fundit që e njohu Kosovën si shtet ishte Izraeli në shtator të vitit 2020.

  • “Rusia e fiksuar pas Kosovës”, Qeveria reagon pas telefonatës mashtruese të komedianëve rusë ndaj Kurtit

    “Rusia e fiksuar pas Kosovës”, Qeveria reagon pas telefonatës mashtruese të komedianëve rusë ndaj Kurtit

    Qeveria e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pasi kryeministri Albin Kurti është bërë viktimë e një telefonate mashtruese nga dy komedianët e njohur rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur ndryshe si “Vovan dhe Lexus”, të cilët janë prezantuar si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkēvičs, transmeton ATV.

    Në një video të publikuar nga vetë komedianët në platformën “X”, Kurti dëgjohet duke zhvilluar një bisedë të gjatë me ta, duke shprehur shqetësime për “luftën hibride” ndaj Qeverisë, duke përmendur opozitën, oligarkët, median dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Ai flet gjithashtu për situatën e sigurisë, blerjen e armatimit, përgatitjet për NATO-n dhe kritikon qasjen e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë.

    Ndër të tjera, Kurti përmend edhe emisarin amerikan Richard Grenell, për të cilin thotë se ka ndikuar në rrëzimin e qeverisë së tij të parë, dhe se aktualisht bashkëpunon me opozitën në Kosovë.

    Reagimi i Qeverisë së Kosovës

    Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se telefonata ka ndodhur më 11 shkurt, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kurti po pranonte shumë telefonata urimi nga liderë të ndryshëm ndërkombëtarë. Sipas Qeverisë, për shkak të ngarkesës kohore nuk ishte e mundur të verifikoheshin plotësisht të gjitha thirrjet.

    “Ky incident fatkeq e konfirmon edhe njëherë atë që tashmë e kemi ditur: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta targetojë vendin tonë,” thuhet në deklaratë. Qeveria përmend se gjatë fushatës zgjedhore, mediume si Sputnik Serbia dhe Russia Today kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe dezinformata për të ndikuar në procesin demokratik në Kosovë, gjë që është dokumentuar edhe nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i BE-së.

    Megjithëse shpreh keqardhje për rastin, Qeveria nënvizon se kjo bisedë vetëm sa dëshmon qëndrimin e qëndrueshëm të kryeministrit Kurti ndaj çështjeve të rëndësishme, “si në biseda publike ashtu edhe në ato private.”

    Kush janë “Vovan dhe Lexus”?

    Komedianët rusë janë të njohur për mashtrimet e tyre ndaj figurave të larta ndërkombëtare. Më parë, ata kanë mashtruar liderë si ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau, ish-kryeministri britanik Boris Johnson, senatori amerikan Bernie Sanders dhe të tjerë. Rastet e tyre janë parë gjerësisht si pjesë e një strategjie për të diskredituar liderët perëndimorë dhe për të përhapur propagandë ruse. /tavlive.tv