ATV

Tag: Ballina

  • Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën, ndërsa akti i njohjes i dorëzohet ish-presidentit Behgjet Pacolli

    Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën, ndërsa akti i njohjes i dorëzohet ish-presidentit Behgjet Pacolli

    Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se që nga 26 marsi Republika e Kenias e ka njohur zyrtarisht Kosovën, si shtet të pavarur e sovran.

    “Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, ka shkruar Pacolli.

    Tutje, ai ka shtuar se kjo ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë, të palodhshme e me shumë përkushtim.

    “Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”.

    “Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, ka shkruar mes tjerash Pacolli.

  • Maloku: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, roli i inspektorit të përgjithshëm s’ishte përpara dhjetorit të ‘98-ës

    Maloku: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, roli i inspektorit të përgjithshëm s’ishte përpara dhjetorit të ‘98-ës

    Dëshmitari Naim Maloku tha të mërkurën në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe struktura e saj ka qenë vullnetare.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dëshmitari tha se roli i inspektorit të përgjithshëm nuk ishte përpara dhjetorit të 1998-ës kur u bë funksional edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Nga ushtari i parë deri tek i fundit, e tërë struktura e UÇK-së ka qenë vullnetare”, tha Maloku.

    Maloku u pajtua që statusin e veteranit e ka marrë edhe dikush që ka mundur ta mbajë uniformën për pak kohë sepse ka qenë në vullnetin e ushtarëve se sa dojnë të luftojnë dhe kur dëshirojnë që të largohen.

    “Erdhën dy ushtarë nga Zvicra, kishin marrë pushim vjetor njëri një muaj tjetri një muaj e dy ditë, kur e kreu pushimin vjetor e la armën dhe u kthye në Zvicër. Ky tjetri e pati fatin tjetër, edhe dy javë kishte kohë, por u vra edhe sot është dëshmor”, tha Maloku.

    Duke folur për Drejtorinë Operative, dëshmitari tha se u ngrit nga Bislim Zyrapi në dhjetor të 1998-ës dhe para saj nuk kishte ndonjë strukturë të tillë.

    Më pas, atij iu prezantua dëshmia e 24 marsit 2025, në të cilën Maloku kishte folur për inspektorin e përgjithshëm të UÇK-së.

    Sipas dëshmitarit, ky rol ka pasur vetëm funksionin e sugjerimit të masave për të evituar parregullsitë. Ai tha se raportimi duhej të bëhej tek shefi i shtabit. Veç kësaj, shtoi se nuk e di se sa ka mundur që të jetë funksionale në tërësi kjo strukturë.

    Ai theksoi se pozita e sektorit të inspektorit të përgjithshëm nuk ishte në strukturën e UÇK-së përpara dhjetorit të 1998-ës.

    Gjithashtu, Maloku tha se nuk kishte drejtori të veçantë për këtë pozitë dhe shtoi se Rexhep Selimi ishte epror i respektuar në ushtri, i cili përvojën e kishte fituar në luftë dhe jo akademi siç kanë qenë oficerÇt e karrierës në UÇK.

    Në rolin e tij, dëshmitari tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Rexhep Selimin në kohën kur u largua nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Nuk kam pas asnjë komunikim dhe as nuk e kam pa”, tha dëshmitari duke shtuar që vizitat që i bënte nëpër struktura, ia ka komunikuar vetëm komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit dhe jo Rexhep Selimit.

  • Brajshori: Për krimet e fëmijëve duhet të dënohen edhe prindërit

    Brajshori: Për krimet e fëmijëve duhet të dënohen edhe prindërit

    Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin COMPASS në ATV, tha se prindërit duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet me paramendim që kryejnë fëmijët e tyre të mitur.

    Ai zbuloi se së bashku me kolegët e tij po draftojnë një projekt-propozim për ndëshkimin e prindërve në raste të tilla.

    “Urgjente është që të punohet së pari më prindërit e fëmijëve. Unë me disa kolegë të mi, me qenë se nuk kemi të drejtë të bëjmë ligje, por jemi duke e draftuar një projekt propozim që të dënohen edhe prindërit kur fëmijët në moshë minore kryejnë krime”, tha Brajshori.

    Ai tha se prindërit nuk mund të shmangin përgjegjësinë duke pretenduar se nuk kanë ndikim mbi sjelljen e fëmijëve.

    “Është fjala pra për krimet të cilat janë me paramendim dhe jo ato me afekt, për arsye se shumica e prindërve po e hjekin përgjegjësin nga supet e tyre duke thënë se fëmija më ka dalë dorësh dhe as unë nuk po kam çka me i ba fëmijës tim. Kjo është papërgjegjësi totale dhe në këtë mënyrë duhet edhe ata prindër të mbajnë përgjegjësi për krimet me paramendim që i bëjnë fëmijët e tyre”, u shpreh Brajshori.

    Deklaratën e plotë të Jeton Brajshorit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti kërkon veprim të menjëhershëm institucional pas vrasjeve të fundit

    ​Kurti kërkon veprim të menjëhershëm institucional pas vrasjeve të fundit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin në lidhje me katër vrasjet e ndodhura në tri ditët e fundit.

    Kurti para kabinetit qeveritar bëri thirrje përveprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, duke theksuar se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.

    Ai ftoi organet kompetente të vihet drejtësi dhe të parandalohen këto raste në të ardhmen.

    “Dua të ndaj shqetësimin dhe brengën e njëjtë me të gjithë ju të pranishëm dhe bashkëqytetarët tanë, në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve, në mënyrë që të vihet drejtësi dhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet dhe dënohet. Na duhet analizë e kujdesshëm profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne”, tha ai.

    Vetëm në tre ditë, 4 persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Kosovë – në tri raste të ndara, shkruan KosovaPress.

    Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.

    I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.

    Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri.

    Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën.

    Vrasje tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati./KP

  • ​Kurti zotohet se në mandatin e ri ushtrisë do t’ia ndajë 1 miliardë euro

    ​Kurti zotohet se në mandatin e ri ushtrisë do t’ia ndajë 1 miliardë euro

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është mburrur për punën e ekzekutivit gjatë mandatit katërvjeçar.

    Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë tha se kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme, përkundër siç shtoi pandemisë, inflacionit pas luftës në Ukrainë, tendencave për destabilizim të Serbisë dhe “pengesës së opozitës që përmes Gjykatës Kushtetuese t’i pengojë reformat”, raporton KosovaPress.

    Ai foli edhe për katër komunat në veri, ku tha se kanë shtrirë ligjshmërinë dhe sovranitetin në atë pjesë.

    “Nuk lëvizi kufiri në veri. Zgjedhjet dhe referendumet e Serbisë nuk mbahen më në Kosovë”, tha ai.

    Kurti tha se në mandatin e ri ushtrisë do t’ia ndajnë mbi 1 miliard euro, ndërkaq premtoi edhe ndërtimin e dy spitaleve të reja.

  • Peci: Është duke u zhvilluar një luftë hibride kundër Qeverisë, jam në top listën e sulmeve

    Peci: Është duke u zhvilluar një luftë hibride kundër Qeverisë, jam në top listën e sulmeve

    Ministri i Bujqësisë dhe kryetari i partisë ‘Guxo’, Faton Peci, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se kundër Qeverisë është duke u zhvilluar një luftë hibride, ndërsa veten e konsideron cak të shpeshtë të kësaj lufte.

    Ai tha se në disa raste të fundit, është ndjerë si një nga objektivat kryesorë të kësaj lufte.

    “Unë mendoj që është duke u zhvillu një luftë hibride, do të thotë ndaj Qeverisë. Po në këtë rast, në shumë rastet e fundit, dy-tri herë jam ndoshta në top listën e qitjeve, edhe si rezultat i mënyrës se si po e kuptoj, po marr informacione dhe qysh po zhvillohen këto zhvillimet,” tha Peci.

    Ministri tha se nuk ka ndërmend të dorëzohet, për shkak se e di që puna e tij ka qenë e ndershme dhe e pastër.

    “Po e përsëris, në rast se dikush e ka kriju një projeksion të një lufte speciale kundër meje, edhe unë kam kundërvijë asaj lufte, për shkak se asnjëherë në jetë nuk jam dorëzu karshi sfidave, veç më tepër për shkak se e di punën time të ndershme dhe të pastër që e kam bo në këto katër vite,” u shpreh Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kosova në pritje të pagesave të para nga plani i rritjes

    Kosova në pritje të pagesave të para nga plani i rritjes

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen që i mundëson Republikës përfitimin e milionave, nga plani i rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanit Perëndimor.

    Komisioni Evropian ka kumtuar se pagesat e para nga mbi 880 milionë eurot, pritet të ekzekutohen ndërmjet tre mujorit të parë dhe të dytë të këtij viti.

    Megjithatë, Kosova tashmë ka kërkuar lirimin e 7% të shumës nga pakoja e parë e pagesave.

    “Komisioni dhe Kosova tani janë duke finalizuar hapat procedural të cilët duhet të lejojnë që lirimi i parafinancimit të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur në vitin 2025, në pritje të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, u bënë vendet e para që morën pagesat nga Bashkimi Evropian.

    Tirana zyrtare ka pranuar 64.5 milionë euro, prej të cilave 34 milionë dedikohen për kredi për buxhetin e shtetit, kurse pjesa tjetër në infrastrukturë.

    Deri në vitin 2027, Shqipëria mundë të përfitoj më shumë se 920 milionë euro.

    “Plani i Rritjes nxit ekonominë, forcon sundimin e ligjit, mbështet një Shqipëri më të gjelbër dhe fuqizon kapitalin njerëzor. BE qëndron me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit”, tha ambasadori i BE-ës në Kosovë, Silvio Gonzato.

    Edhe Maqedonia e Veriut, pranoi pagesat e para të hënën.

    Paketa totale për të gjitha shtetet e rajonit kap një vlerë prej rreth gjashtë miliardë eurosh.

    Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve, në videon më poshtë:

  • “I mbaj me krenari plagët e lirisë” – Rrëfimi i Bujar Haradinajt për betejën e Gllogjanit

    “I mbaj me krenari plagët e lirisë” – Rrëfimi i Bujar Haradinajt për betejën e Gllogjanit

    Njëri nga protagonistët e betejës së Gllogjanit, ish-ushtar i UÇK-së e vëllai i dëshmorit Himë Haradinaj, Bujar Haradinaj, në një intervistë në emisionin “Compass” në ATV ka rrëfyer për sulmin ndaj familjes Haradinaj, përballjen e tyre ndaj forcave serbe, përgatitjet e strategjitë e përdoruara për të bërë rezistencë, përjetimin e tij të datës 24 mars 1998 dhe jo vetëm.

    Haradinaj tha se pas masakrës ndaj familjes Jashari në Prekaz të Skenderajt, familja Haradinaj po e priste një sulm të ngjashëm ndaj tyre nga forcat serbe, andaj edhe kishin filluar të përgatiteshin.

    Mes tjerash, ai tha se fillet e lirisë së Kosovës u nisën e në Prekaz e në Gllogjan, sepse siç u shpreh Haradinaj, rasti në Gllogjan ishte një shtytje e madhe për UÇK-në.

    Tutje, Haradinaj rrëfeu për plagët e tij që numëron 18 sosh, gjersa thotë se i mban me krenari.

    “Unë jam krenar që më është dhënë mundësia që të kontribuojë për vendim tim në një kohë të caktuar, jam një ndër djemtë e parë gati të UCK-së prej vitit 1995, kam 18 plagë gjatë periudhave të të ndryshme të luftës dhe të gjitha këto i mbaj me krenari sepse e di se pse i kam marrë”, tha ai.

    Për të ndjekur intervistën e tij të plotë klikoni në videon e mëposhtme: 

  • Gjenerali Clark: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm

    Gjenerali Clark: Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm

    Gjatë një diskutimi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në shënim të 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, ka theksuar se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të bëhet i pashmangshëm.

    Në këtë diskutim, Clark foli për përmirësimin e klimës së biznesit në Kosovë dhe inkurajoi vendin që të përqafojë bashkëpunimin rajonal me fqinjët si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe madje edhe Serbia.

    Ai theksoi se pavarësisht sfidave, “Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve do të jetë i pashmangshëm”.

    Clark ka bërë thirrje për investime në infrastrukturë dhe energji, duke vënë në dukje rezervat e bollshme të linjitit të Kosovës, si dhe ka avokuar për transformimin digjital të vendit, përmirësimin e sistemeve tatimore, lidhjen në brezin e gjerë të internetit dhe sigurinë kibernetike për të luftuar dezinformimin dhe përmbysjen e jashtme.

    Tutje, ai u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të ndjekin qeverisjen e pastër, unitetin politik dhe të mbajnë një baraspeshë të fortë ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat.

  • Vuçiq në takim me Sorensenin: Asociacioni parakusht për fillimin e normalizimit të raporteve

    Vuçiq në takim me Sorensenin: Asociacioni parakusht për fillimin e normalizimit të raporteve

    Peter Sorensen, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është takuar sot me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

    Pas takimit, Vuçiqi përmes një shkrimi takimin e konsideroi si të hapur dhe të drejtë.

    Ai tha se Sorensenit ia ka shprehur “shqetësimet për situatën e serbëve në Kosovë”.

    Tutje, ai theksoi se formimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve mes këtyre dy vendeve.

    “E njoftova me problemet me të cilat ballafaqohet “populli ynë” në Kosovë. Shpreha shqetësimin e veçantë për pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë për shkak të veprimeve të shumta të përshkallëzuara, të njëanshme dhe të dhunshme nga Prishtina. Theksova gjithashtu pengesat e vazhdueshme që po kryen Prishtina në procesin e dialogut dhe ritheksova se formimi i Asociacionit është parakusht për fillimin e normalizimit thelbësor të marrëdhënieve”, ka shkruar Vuçiqi në Instagram.

    “Theksova pritjen se BE-ja do të rrisë angazhimin e saj dhe do të mbajë një rol të paanshëm në këtë proces. Përsërita qëndrimin e Serbisë se vetëm dialogu konstruktiv dhe zgjidhjet kompromisi mund të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Vuçiqi.

    Vizita e Sorensenit në Serbi ka ardhur pas vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar, por deri tani, nuk janë bërë publike qëndrimet e tij.