Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në manifestimin qendror për festën e Fitër Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, u ndal edhe te vrasjet e ditëve të fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektohet jeta e gjithsecilit.
“Humbën jetën katër qytetarë të vendit tonë që është shqetësim dhe brengosje për të gjithë ne. Në islam vrasja është akt i ndaluar, i shëmtuar dhe një nga gjynahet më të mëdha. Kush vret një njeri pa të drejtë është sikurse të kishte vrarë gjithë njerëzimin. Apelojmë për respektimin e jetës së çdo individi. Të gjithë duhet të jemi unikë për të treguar paqe dhe solidarizim”, tha myftiu Tërnava.
Brenda 29 ditëve mbi 7 mijë e 900 zyrtarë publik e kanë deklarua pasurinë nga mbi 11 mijë sa janë të obliguar të kryejnë këtë proces.
Megjithatë edhe mbi 3 mijë zyrtarë publikë kanë kohë vetëm edhe 48 orë për të deklaruar pasurinë e tyre.
Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, thonë se ky zakon që obligimi të përmbushet në ditët e fundit duhet të ndryshoj sepse po sjell vështirësi.
“Krahasuar me vitin e kaluar trendi është i ngjashme pra shumica e zyrtarëve publik e lënë në ditën e fundit për të kryer obligimin e vet…”, deklaroi drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.
E sipas Buleshkajt, të dhënat e atyre që e deklaruan pasurinë do të jenë publike qysh në javën e parë të muajin të ardhshëm.
Por masa më të rrepta ndaj atyre që nuk e kryejnë këtë obligim po kërkojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Deklarimi i pasurisë bëhet çdo vit duke nisur nga 1 deri më 31 mars.
Ndërkaq në deklarimin e pasurisë për vitin e shkuar asnjë zyrtar publik nuk mbeti pa e deklaruar pasurinë, përveç 96 prej tyre që e deklaruan me disa ditë vonesë.
Rritja e pagave dhe nënshkrimi i kontratës kolektive po vazhdojnë të mbesin kërkesa të palëkundura nga Sindikata e Arsimit.
Nga kjo sindikatë presin që me formimin e institucioneve të reja, kërkesat e tyre të realizohen.
Por nëse vazhdon mungesa e dialogut si në qeverinë e kaluar, paralajmërohen edhe greva.
“Me qëllim të ngritjeve të punës dhe ti paraqesim kërkesat e punëtorëve. Ne kemi dërguar kontratën kolektive që s’ka filluar as të negociohet e as nënshkruhet. Ne I kemi të gatshme kërkesat tona, dhe nëse mungon dialogu ashtu si ka munguar ndër vite detyrimisht do kemi veprime sindikale”, tha Vjollca Shala nga SBAShK.
Të arsyeshme kërkesat po i vlerëson njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj i cili thotë se duhet të ketë shqyrtim të nivelit të pagave të mësimdhënësve.
“Qeveria ish dashur me pas sistemin më efikas me marrë ma seriozisht nivelin e pagave, dhe e treta konsideroj që sindikata kur të pastrohet nga ndikimet ka të drejtë të kërkoj gjithmonë përmirësim të pozitës së mësimdhënësve”, deklaroi Rexhaj.
Më shumë se 2 vite më parë mësimdhënësit e të gjitha shkollave në vend kishin mbajtur grevë me kërkesë për rritje të pagave e cila zgjati rreth 1 muaj.
Ndërkohë ministri i financave, Hekuran Murati, në fund të vitit të kaluar kishte deklaruar se një mësimdhënës paguhet përafërsisht 725 euro.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqyrtuar një total prej 642 ankesa të parashtruara gjatë procesit zgjedhor për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kuvendit të Kosovës të mbajtura më 9 shkurt, ku përmes një komunikate, PZAP ka bërë publike vendimet e marra gjatë periudhës së shqyrtimit të këtyre ankesave, raporton Gazeta Sinjali.
Nga këto ankesa, janë aprovuar 249 vendime, 242 janë refuzuar, 73 janë cilësuar të palejuara, 4 janë tërhequr, 53 janë të pas afatit dhe dy janë pranuar pjesërisht.
Po ashtu, PZAP ka dorëzuar 17 ankesa në Komisionin e Pavarur për Media dhe dy ankesa në Këshillin e Mediave të Shkruara.
Tutje, PZAP njofton se në kuadër të vendimeve të nxjerra, PZAP-ja për subjektet politike që kishin shkelur Kodin e Mirësjelljes ka shqiptuar gjoba në vlerë prej 644,100.00 euro, prej të cilave deri me tani janë paguar vetëm 101,000.00 euro.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit, duke theksuar rëndësinë shpirtërore të këtij momenti, kështu duke thënë se kjo festë është një dhuratë nga zotit ndaj përkushtimit të muajit të ramazanit, raporton Gazeta Sinjali.
Gjatë një konference për media, Tërnava theksoi se “vetëm edhe pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit”, dhe tha se besimtarët do të hyjnë në atmosferën e festës duke qenë të gëzuar për arritjen e njërit nga urdhrat e Zotit, agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit.
“Vetëm edhe pak orë na ndajnë nga festimi i Fitër Bajramit, andaj kam kënaqësinë që sot, në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindje dhe shpresë që Bajramin ta ndiejmë, ta presim e ta përjetojmë shpirtërisht me gëzime e përkushtim në ambientet tona të ngrohta familjare dhe shoqërore”.
“Që sonte kur kemi natën e Bajramit, besimtarët myslimanë hyjnë në atmosferën e festës së Fitër Bajramit, të gëzuar me plotë të drejtë se kanë kryer një ndër urdhrat e Zotit të Madhëruar, agjërimin e muajit Ramazan, ibadet ky që bëhet vetëm për Zotin e Gjithësisë”, tha Tërnava.
Myftiu i Kosovës e vlerësoi Fitër Bajramin si një festë të bekuar që sjell mesazhe për paqen, harmoninë, dashurinë dhe mirësinë, duke shtuar se është një dhuratë prej Zotit për përkushtimin dhe adhurimin e shtuar gjatë muajit të Ramazanit.
Qeveria e ardhshme duhet të ketë agjendë të qartë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
Kjo çështje, sipas tij, duhet të jetë prioritet për ekzekutivin dhe legjislativin e ri, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Teksa flet për takimet mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, ai shprehet se “është e rëndësishme që të vësh vet diçka në tryezën e bisedimeve”.
“Mendoj se është gjithmonë e rëndësishme në një proces të tillë dialogu, në një negociatë të ardhshme ndoshta, që të vendoset diçka në tryezë nga secila palë. Pra, nëse vë diçka në tryezë, do të kesh mundësinë të kesh një fjalë në agjendë për atë që po flitet. Pra, është e rëndësishme jo vetëm të presësh se çfarë do të vënë në tryezë përfaqësuesit e BE-së, nëse ka diçka fare”.
“Nuk është vetëm e rëndësishme të presësh se çfarë do të mund të vënë në tryezë pala tjetër përkatëse, por është e rëndësishme të vësh diçka vetë në tryezë. Kjo duhet të trajtohet si një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme, të parlamentit të ri në Republikën e Kosovës, që të ketë një agjendë të qartë, të qartë se si të zgjidhen problemet, se si të adresohen çështjet e hapura të pazgjidhura. Kjo do të ishte qasja që mund t’ua rekomandoj të gjithëve në Kosovë, pa marrë parasysh nëse janë në opozitë, në pozitë, pa marrë parasysh kush do të krijojë një qeveri të re”, deklaron ai.
Pas organizimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Mandl pret nga institucionet vendore që të ndërmerren reforma në Kosovë.
“Mund të them vetëm se çdo qeveri do të duhet të ndërtojë ura kudo në botë dhe do të duhet të ndërmarrë reforma brenda vendit për të mirën e përbashkët, për të mirën e popullit. Gjithashtu, mendoj se në çdo parti politike në Kosovë ka njerëz të besueshëm dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka deputetë të sapo-zgjedhur që janë të besueshëm dhe të aftë dhe ata do të gjejnë zgjidhje të shkëlqyera për të ardhmen. Ky është besimi im në këtë shtet të ri të Evropës dhe në popullin e tij të zgjedhur në mënyrë demokratike”, shton ai.
Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl është optimist se përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas do të angazhohet për dialog pozitiv mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mendoj se Komisioni i ri për Marrëdhënie të Jashtme dhe përfaqësuesja e Lartë për Marrëdhënie të Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka ndërmarrë hapa shumë pozitiv drejt një dialogu më të mirë. Ajo e merr shumë seriozisht këtë çështje. E kuptoj që ajo kupton se ka një fushë të barabartë, nuk është një shtet më i rëndësishëm se tjetri”.
“Diçka që mund të keni përshtypjen se ka qenë rasti për ish-përfaqësuesit e BE-së që ishin aktivë këtu në rajon, veçanërisht në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Pra, kam shpresë që Komisioni i ri Evropian do të jetë më i mirë në menaxhimin e këtij dialogu dhe ata mund të inkurajojnë çdo palë, palën kosovare dhe palën serbe, që të angazhohen vërtet në një dialog pozitiv për mirëqenien e qytetarëve të tyre, për të ardhmen e qytetarëve të tyre në Bashkimin Evropian.
“Kjo duhet të jetë e ardhmja për secilin në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, po ashtu për Kosovën dhe Serbinë. Dhe për këtë arsye, përfaqësuesit politikë të të dyja vendeve duhet të bëjnë një dialog të duhur dhe të ndërmarrin një dialog të duhur me një ritëm më të shpejtë”, shprehet Mandl për KosovaPress.
Optimist është edhe për heqjen e masave të Bashkimit Evropian kundër Kosovës të vendosura në qershor të vitit 2023.
“Që nga fillimi kam qenë kundër këtyre masave, kundër Republikës së Kosovës, shtetit më të ri të Evropës. Kam parasysh gjithë situatën, duke pasur parasysh formën e Republikës së Kosovës, vuajtjet e popullit në të kaluarën, procesin i gjatë i integrimit evropian që duket se është ngujuar herë pas here, është pa kuptim në mendimin tim të vendosen masa kundër Republikës së Kosovës”.
“Kjo është arsyeja pse unë parlamentarisht jam kundër, por mendoj se gjithnjë e më shumë në Komisionin Evropian dhe veçanërisht në Parlamentin Evropian janë shumë më në favor të heqjes së këtyre sanksioneve, këtyre masave”, përfundon ai.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në pagesën e ndërrimeve të natës dhe orëve shtesë për zyrtarët policorë.
Sipas Sindikatës, nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje.
‘‘Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe ka krijuar pasiguri në lidhje me realizimin e angazhimeve të përditshme. Pavarësisht përkushtimit dhe sakrificës së vazhdueshme të zyrtarëve policorë, deri më tani nuk kemi marrë asnjë komunikim zyrtar nga Qeveria për këtë çështje’’, thuhet mes tjerash në reagim.
Sindikata i bën thirrje Ministrisë së Financave që të ekzekutojë menjëherë pagesat e prapambetura dhe të sigurojë kompensimin e plotë për ndërrimet e natës dhe orët shtesë.
“Sindikata e Policisë së Kosovës do të ndjekë këtë çështje nga afër dhe nuk do të hesht derisa të realizohet pagesa e plotë e të gjitha kompensimeve të papaguara”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Një person rreth 50 vjeç ka humbur jetën sot rreth orës 11:00 në vendin e tij të punës pasi ka rënë nga lartësia e një objekti në lagjen Veternik.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas Ahmetit, vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 11:00 është marrë informata se një person, rreth 50 vjeç, ka rënë nga një lartësi deri sa ka qenë duke punuar në një objekt në lagjen Veternik. Si pasojë e lëndimeve, personi, mashkull (shtetas i huaj), ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjent në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.
Lidhur me rastin, Policia në koordinim me inspektorët e punës dhe prokurorinë kanë nisur hetimin e rrethanave që karakterizojnë rastin.
Kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza, ka deklaruar se është i gatshëm për formimin e Qeverisë së re, nëse partia e parë Lëvizja Vetëvendosje nuk arrin formimin e saj.
Hamza, në një konferencë për media, theksoi se Kosova nuk e ka komoditetin që të ketë vakum institucional.
“Bazuar në situatën gjeopolitike dhe ekonomike, në të cilën ndodhet vendi, Kosova ka nevojë për institucione. Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetuese unë jam i gatshëm si kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës t’i marr përgjegjësitë për krijimin e Qeverisë. Jam në komunikim me partitë opozitare, që ne ta krijojmë qeverinë dhe t’ia japim institucionet vendit”, është shprehur Hamza.
Hamza ka njoftuar se është tërhequr nga mandati i deputetit.
“Unë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, dje kam hequr dorë nga pozita e të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse unë jam kryetar i Komunës së Mitrovicës. Komuna do të shkonte në zgjedhje. Do të ishte e padrejtë që brenda një periudhë të shkurtë, ndoshta më pak se 6 muaj, komuna të shkojë dy herë në zgjedhje. Do të ishte pengesë për zhvillimin e projekteve, por edhe barrë për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe maltretim i qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë ai.
Hamza ka shprehur shqetësimin për stërzgjatjen e shpalljes dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit./Telegrafi/
Dy ditë më parë, Republika e Kenias ka njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, një hap që ka sjellë reagime të forta nga Serbia, e cila e ka cilësuar këtë veprim si një “akt armiqësor”.
Serbia ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike” ndaj këtij vendimi.
Nga ana tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka komentuar reagimin e Serbisë, duke e quajtur një shkelje të rëndë të nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit, i cili ndalon bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Rohde ka shprehur mbështetje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Kenias dhe ka shprehur shpresën se shumë shtete të tjera do të ndjekin shembullin e saj, ashtu siç Gjermania e bëri 16 vjet më parë.
“Së pari, jam plotësisht dakord me ju. Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njeh Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera të ndjekin këtë shembull, si Gjermania para gjashtëmbëdhjetë vitesh. Janë më shumë se njëqind shtete që e kanë njohur Kosovën. Reagimi i Serbisë, siç e përmendët, është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ky është një veprim i pavend, që ruan status quo-në e kaluar, por në të njëjtën kohë, Kosova duhet t’i përmbushë detyrat e saj për Asociacionin,” tha ai në një intervistë për KTV.