ATV

Tag: Ballina

  • Lituania planifikon t’i dërgojë 40 ushtarë në Kosovë

    Lituania planifikon t’i dërgojë 40 ushtarë në Kosovë

    Lituania po planifikon që në Kosovë t’i dërgojë rreth 40 ushtarë të cilët do të shërbejnë në misionin e NATO-s, KFOR.

    Ky veprim i shtetit Lituanez vjen pas një kërkese të bërë nga Gjermania.

    Kjo kërkesë është përfshirë në një projekt-rezolutë për pjesëmarrje operacionet ndërkombëtare, e cila u regjistrua javën e kaluar.

    Ky numër i ushtarëve edhe mund të rritet dhe mund të shkojë deri në 60.

    Kurse, mandati aktual mundëson vetëm dërgimin e pesë ushtarëve.

    “Diskutimet në nivelin e institucioneve të mbrojtjes të të dyja shteteve kanë përcaktuar se opsioni më i realizueshëm për pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet ndërkombëtare është të dërgohen trupat lituaneze në një njësit ushtarak gjerman që merr pjesë në operacionin ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO në Kosovë”.

    Dhjetorin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes mori kërkesën e Berlinit për t’i caktuar një njësi lituaneze me madhësi toge një kompanie gjermane.

    Kjo njësi, së bashku me një element mbështetës kombëtar dhe një oficer ndërlidhës, do të formonte një kontingjent kombëtar shtesë prej rreth 40 trupash lituaneze.

  • Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili tha se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, tha Pace.

    Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

    Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

    Ndryshe, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.

  • ​Foda: Kur erdha këtu rezultatet nuk përmbyseshin, tani po

    ​Foda: Kur erdha këtu rezultatet nuk përmbyseshin, tani po

    Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda ka folur pas fitores kundër Islandës në dy ndeshje, triumf ky i cili ia siguroi Kosovës kalimin nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Ai në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës ka thënë se ishte optimist se do të arritje ky objektiv që ishte shumë i rëndësishëm.

    “Ky ishte qëllimi ynë. Qëllimi i parë ishte të ngjiteshim në Ligën B, nga Liga B e më tej. Sot jam shumë, shumë krenar me ekipin. Pas një disavantazhi e kemi ndjekur lojën tonë që nga fillimi, ishim shumë aktiv në të gjitha fazat e lojës, e dominuam ndeshjen, luajtëm jashtëzakonisht mirë në sulm, ishim shumë të mirë edhe në lojën pa top dhe shihet qartë që ekipi është zhvilluar shumë mirë gjatë javëve dhe muajve të fundit. Tani kemi një grup të mirë prej 20-25 lojtarëve, kishim shumë mungesa por tashmë çdo lojtar mund të zëvendësohet dhe kjo e karakterizon ekipin tonë. Tani duhet thjeshtë të vazhdojmë përpara dhe ta marrim këtë shpirt ekipi edhe në qershor”, ka thënë Foda.

    Ai ka shtuar se tashmë sheh një tjetër përkushtim tek lojtarët, sidomos në karakterin për të luftuar dhe përmbysur rezultatin në një ndeshje, transmeton KosovaPress.

    “Ajo që më bëri përshtypje ishte se ekipi arriti të kthehej në lojë pas disavantazhit. Në fillim kur erdha në Kosovë kjo nuk ndodhte, sa herë që binim në disavantazh e humbnim ndeshjen. Tani jemi në gjendje ta përmbysim rezultatin. Kjo tregon për forcën e ekipit, për shpirtin e skuadrës dhe për energjinë që ka ekipi”, ka shtuar Foda.

    Kryetrajneri i dardanëve ka theksuar se për ndeshjet e shtatorit, të vlefshme për kualifikim në Kampionatin Botëror skuadra do të jetë edhe më e komponuar dhe kështu do të jetë në gjendje të rivalizojë edhe kombëtare të nivelit shumë të lartë.

    “Do të jetë thelbësore që në shtator t’i kemi të gjithë lojtarët ën formë të mirë. Siç thash kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar dhe mungesa por nëse në shtator të gjithë janë gati do të kemi një konkurrencë të fortë në skuadër, kemi një atmosferë të mirë në ekip dhe kur ke shumë lojtarë në dispozicion kjo e rritë edhe më shumë energjinë dhe harmoninë në skuadër. Nëse vazhdojmë kështu kemi mundësi të përballemi edhe me ekipe si Zvicra, Suedia dhe Sllovenia”, ka thënë Foda. /KP

  • ​Kosova nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, bëhet kontribuuese

    ​Kosova nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, bëhet kontribuuese

    Kosova ka vendosur që të bëhet donatore në IDA-21 një fond që ndihmon vendet më të varfra në botë.

    Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi lart këtë vendim të Kosovës duke e cilësuar këtë hap si një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së saj në skenën ndërkombëtare.

    Në një konferencë për media bashkë më ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ai po ashtu theksoi se Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit, raporton KosovaPress.

    “Një moment me rëndësi të thellë, jo vetëm për Kosovën dhe Bankën Botërore, por edhe për komunitetin global. Sot, Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21, siç e përmendi zoti ministër, duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit. Dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu në Prishtinë, për të festuar këtë moment dhe për ta ndarë atë me ju, si dhe për t’ia bërë të ditur botës se Kosova ka marrë këtë vendim shumë të guximshëm, i cili do të ndihmojë vendet më të varfra në botë. Pavarësisht se ka përjetuar plagët e luftës nga viti 1998 deri në 1999 dhe se ka dalë si një nga ekonomitë më të cenueshme të Evropës, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 mishëron një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ky hap shkon përtej thjesht simbolikës. Kjo është një deklaratë e guximshme se edhe kombet që kanë kapërcyer vështirësi të thella mund të jenë kampionë të solidaritetit global… Ky kalim nga përfitues në kontribuues është një rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, i cili flet për qëndrueshmërinë, vizionin dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj progresit…Vendimi juaj për të kontribuar në IDA-21 fuqizon objektivat tona të përbashkëta: zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e shoqërive të barabarta. Ai na sfidon të gjithëve të rishpikim atë që është e mundur kur vendet ndjekin rrugën e tyre me vendosmëri. Vendosmëria çon në rritje kur kultivohet me partneritet, dhe kjo mund të kapërcejë kufijtë dhe brezat”, tha ai.

    Në anën tjetër, ministri Hekuarn Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që ka vendi me Bankën Botërore. Ai ka theksuar se deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh.

    Sipas Muratit kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro.

    “Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vite është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vite ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj kemi edhe marrëveshje tjera që janë në vijim, që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështesë korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit. Përveç kësaj kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor, apo mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që tashmë është nënshkruar vitin e kaluar dhe pret për ratifikim në Kuvend. Uroj që në legjislaturën që po vije këto marrëveshje të kenë mbështetjen e nevojshme”, tha Murati. /kp

  • ​Formimi i qeverisë, Murati: Po presim certifikimin e rezultateve

    ​Formimi i qeverisë, Murati: Po presim certifikimin e rezultateve

    Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se po presin përfundimin e procesit të numërimit të votave, certifikimin e rezultateve, dhe më pas të diskutohet për formimin e qeverisë, raporton KP.

    Këtë deklaratë e bëri pas konferencës së përbashkët me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio.

    “Në lidhje me këtë çështje po besoj vlen ajo çfarë ka thënë kryeministri. Pra që fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe mund të flasim për formimin e qeverisë”, tha Murati.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Sipas këtyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.30 për qind. E dyta Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.

    Sipas këtyre të dhënave LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 ulëse, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

  • Osmani shkon në odën e Haradinajve për Epopenë e Dukagjinit, aty ishte edhe Rifat Jashari

    Osmani shkon në odën e Haradinajve për Epopenë e Dukagjinit, aty ishte edhe Rifat Jashari

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar në odën e Haradinajve në Gllogjan, me rastin e Epopesë së Dukagjinit.

    Osmani ka shkruar në rrjete sociale se në themelet e Kosovës qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së dhe familjes Haradinaj.

    Postimi:

    Epopeja e Dukagjinit, flakadan i lirisë!

    Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë.

    Me nderimin më të madh përkulemi para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë. Ata u bënë simbol i rezistencës, guximit dhe besimit në lirinë e Kosovës.

    Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë!

    Lavdi dëshmorëve të kombit!

    Nderim i përhershëm UÇK-së!

  • Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s tha se është zhgënjyes fakti që, edhe pse kanë kaluar 26 vjet, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë.

    ” Shumë nga figurat e qeverisë serbe sot erdhën në jetën politike gjatë epokës nacionaliste të Millosheviqit dhe kanë trashëguar pikëpamjen e tij të shtrembëruar për historinë serbe dhe jugosllave. Por shumë serbë në opozitë dhe në shoqërinë civile e dinë të vërtetën dhe unë nuk i kam hequr shpresat që në të ardhmen të krijohet një komision i përbashkët serbo-kosovar për të vërtetën historike dhe përgjegjësinë. Millosheviqi u padit nga GJNP për krime lufte në Kosovë dhe ky proces mblodhi, gjithashtu, shumë prova. Dhe vetë Vuçiq shkoi në Srebenicë në përvjetorin e korrikut disa vite më parë. Pra, le të ngulmojmë”, tha ai në një intervistë për RTKlive.

    Shea mes tjerash komentoi edhe situatën aktuale të sigurisë në rajon.

    “Situata në rajon është e tensionuar aktualisht për shkak të rezistencës kokëfortë të Milorad Dodik në Republikën Serbe të Bosnjës për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore, pas dënimit të tij nga Gjykata e Lartë në Sarajevë. Gjithashtu, qeveria serbe sapo ka dhënë dorëheqjen në vazhdën e demonstratave më të mëdha që janë parë ndonjëherë në vend kundër një qeverie në detyrë. Ne kemi, gjithashtu, ndikimin e fatkeqësisë së tmerrshme të klubeve të natës në Maqedoninë e Veriut, e cila shpresojmë se nuk do të ketë pasoja politike destabilizuese. Por NATO po e vëzhgon situatën nga afër dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sapo ka vizituar Bosnjën dhe Kosovën dhe është konsultuar me KFOR-in. Situata në rajon, aktualisht, nuk ofron shumë shpresë për përparim të menjëhershëm politik, por NATO, duke punuar ngushtë me BE-në, do të sigurohet që të ruhet mjedisi i përgjithshëm i sigurisë”, deklaroi.

  • ​“Sa do të zgjasin bombardimet, çka mund të dalë gjatë rrugës”, kujtime nga selia e NATO-s

    ​“Sa do të zgjasin bombardimet, çka mund të dalë gjatë rrugës”, kujtime nga selia e NATO-s

    “Sa do të zgjaste, cila do të jetë siguria e popullit në Kosovë, çka mund të dalë gjatë rrugës…”. Këto ishin mendimet që i silleshin në kokë atij që mbante pozitën e zëdhënësit të NATO-s, në kohën kur aleanca më e madhe ushtarake vendosi të bombardojë caqet serbe.

    “Të përfshihesh në një luftë është kohë ankthi për të gjithë”, kujton sot në një intervistë për KosovaPress, Jamie Shea, i cili thotë se ndjenja kryesore më 1999 ishte se “nuk ka alternativë”.

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) vendosi të intervenoi në Kosovë me qëllim që të ndalë terrorin që po shkaktohej nga forcat serbe, në luftën e viteve 1998/99.

    NATO-ja po ndërmerrte operacionin e dytë më të madh luftarak – pas atij në Bosnje e Hercegovinë më 1995.

    Aleanca, për herë të parë po vepronte me forcë ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Jamie Shea, zëri i NATO-s gjatë kohës së bombardimeve, kthehet në kohë dhe kujton se ajo kohë ishte shqetësuese për të gjithë.

    Por, a ishte vendimi i duhur sipas tij?

    “Ishte një moment që të bënte të mendoheshe. Sa do të zgjaste? A do të ishte e suksesshme NATO? Po, strategjikisht, por sa javë? Çfarë mund të kishte në terren në ndërkohë? Cila do të ishte siguria e popullit të Kosovës? Këto ishin të gjitha gjëra shumë shqetësuese. Të përfshihesh në një luftë është një kohë ankthi për të gjithë. Por nga ana tjetër, ndjenja ime kryesore ishte se nuk kishte alternativë. NATO kishte investuar shumë në besueshmërinë e saj për të qenë e gatshme të përdorë forcën nëse kishte një arsye të mirë dhe ishte absolutisht e nevojshme. Aleatët ishin të bashkuar sepse, sigurisht, ai vendim duhej të merrej me konsensus. Dhe për dikë si unë që kam jetuar, e dini, përmes viteve të tmerrshme të Bosnje e Hercegovinës, siç e përmenda, e dini, me masakrën e Srebrenicës, me vonesën e punës, me hezitimin, me mandatet kontradiktore, kurrë duke përdorur forcën në mënyrë vendimtare, gjëja kryesore mbi të gjitha ishte të mos kemi atë përvojë të frikshme të dekurajimit përsëri. Dhe këtë herë, për të marrë një veprim vendimtar në emër të të drejtave të njeriut. Dhe mendoj se ishte një nga vendimet më të mira që ka marrë NATO-ja. Dhe mendoj se Kosova sot e vërteton plotësisht që ai ishte vendimi i duhur për t’u marrë”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s.

    Bombardimet e NATO-s, të filluara më 24 mars 1999, zgjatën 78 ditë – deri në Marrëveshjen e Kumanovës.

    Kjo marrëveshje shënoi kapitullimin e Serbisë duke bërë që forcat e saj të largohen nga Kosova.

    Marrëveshja e atëhershme ishte negociuar në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve ushtarakë të ish-jugosllavisë.

    Kjo edhe e solli vendimin që në Kosovën e shkatërruar nga lufta të zbarkojë një forcë paqëruajtëse ndërkombëtare. Sigurisht, e udhëhequr nga NATO-ja.

    Për ish-zëdhënësin e NATO-s, i cili kishte qëndruar në Kosovë në qershor të vitit 1999, Kosova sot ka përparuar goxha.

    “Dhe kur jam në Prishtinë, jo aq shpesh sa do të doja, e dini, a shoh përparim? Absolutisht. Rrugë të reja, hotele të reja, ndërtesa të reja, zyra qeveritare, njerëzit duken më mirë, njerëzit sigurisht janë veshur shumë më mirë. Ata nuk janë miliarderë, por sigurisht duken më të pasur se njerëzit e traumatizuar që zbulova kur vizitova Prishtinën në qershor 1999. Menjëherë pas fushatës ajrore, ka një popullatë të re shumë të gjallë, ka institucione arsimore kudo, vërtet është një ndjenjë e një kulture të shoqërisë e cila është, në lëvizje, dinamike, ka probleme, por po shikon përpara. Pra, po, unë shoh përparim”, thotë Shea./KP

  • Vjosa Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

    Vjosa Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se 24 marsi është dita kur liria mori krahë dhe bota demokratike nuk heshti.

    Ajo theksoi se kjo ditë shënon momentin kur aleatët e NATO-s u ngritën për të mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

    “Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës,” u shpreh Osmani, duke shtuar se nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare lindi Kosova e lirë.

    26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.

    “Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për një Kosovë shtet të lirë, të pavarur e sovran!” – përfundoi Osmani.

  • ​26 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

    ​26 vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve serbe

    Sot mbushen 26 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake-policore të Serbisë dhe Malit të Zi.

    Sulmet kishin filluar në orën 19:45, kur aeroplanët e NATO-s lëshuan bombat e para kundër pozicioneve strategjike të ushtrisë së ish Jugosllavisë, siç quheshin dy republikat e ish federatës jugosllave, Serbia dhe Mali i Zi, shkruan KP.

    Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton. Ai atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se i kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

    “Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Clinton.

    Sulmet ajrore kundër forcave serbe e malazeze vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq dhe më 11 qershor forcat e armikut fillojnë ta lëshojnë territorin e Kosovës.

    Kjo është ndërhyrja e parë ushtarake e NATO-s që nga formimi i saj, e cila njihet edhe si ndërhyrja historike.