Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka realizuar një takim të rëndësishëm me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, gjatë të cilit kanë diskutuar për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, me fokus të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimit në nivele të tjera.
Pas këtij takimi, Osmani ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale, ku ka theksuar se Bullgaria vazhdon të jetë një partnere dhe aleate e fortë e Kosovës në shumë drejtime.
Ajo ka theksuar se gjatë diskutimeve kanë biseduar për mundësitë e forcimit të lidhjeve bilaterale dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja, siguria dhe zhvillimi i marrëdhënieve në përgjithësi.
Presidentja Osmani po ashtu ka shprehur falënderimet e saj për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës.
“Bullgaria është partnere dhe aleate e vazhdueshme e Kosovës. Në takim bilateral me Presidentin Rumen Radev, diskutuam forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin tonë euro-atlantik”, ka shkruar presidentja Osmani në postimin e saj.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike po vazhdon të ngjallë reagime të ashpra në vend. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar një rritje prej 15% të çmimit të rrymës, gjë që ka nxitur organizimin e një proteste nga qytetarët në Prishtinë.
Protesta do të mbahet sot dhe është thirrur nga grupi “Asnjë cent më shumë”, përmes të cilit organizatori Luan Hasanaj ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve.
Përmes një deklarate, Hasanaj ka kërkuar edhe nga bizneset që, në shenjë solidarizimi, të mbyllin lokalet e tyre nga ora 15:00 deri në 16:00.
Ai ka theksuar se rritja e çmimit të energjisë nuk përbën barrë vetëm për qytetarët, por godet rëndë edhe bizneset, duke ndikuar në rritjen e kostove të operimit dhe duke rrezikuar qëndrueshmërinë e aktiviteteve ekonomike.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Prishtinë, ku zyrtari i Policisë së Kosovës, Alban Tolaj, është gjetur pa shenja jete në rrugën “Ahmet Korenica”. Polici 47-vjeçar ka humbur jetën në rrethana të dyshimta, ku sipas Policisë dyshohet se ai i dha fund jetës, mirëpo hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
Për vdekjen e tij kanë njoftuar edhe familjarët, të cilët kanë thënë se Tolaj ka ndërruar jetë tragjikisht.
Ata po ashtu kanë njoftuar se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, në varrezat e qytetit të Pejës, në ora 16:30.
Nesër do të mbahet një protestë në Prishtinë, e cila ka për qëllim kundërshtimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, ku Zyra e Rregullatorit për Energji Eletrike (ZRRE) ka paralajmëruar rritje për 15%.
Njëri ndër organizatorët e kësaj proteste, njëherit edhe i grupit “Asnjë cent më shumë”, Luan Hasanaj ka bërë thirrje për mbështetje nga qytetarët për të marrë pjesë nesër në këtë protestë.
Madje, ai ka kërkuar nga bizneset, në shenjë solidarizmi, t’i mbyllin lokalet e tyre nga ora 15:00 deri 16:00.
Hasanaj ka thënë se kjo rritje e çmimit të energjisë nuk është barrë vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset, duke rritur kostot e operimit dhe duke rrezikuar qëndrueshmërinë e aktiviteteve ekonomike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka zhvilluar takime të rëndësishme me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, si pjesë e takimit të Aqaba në Sofje.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, presidentja e vendit tha se ky takim ka për qëllim nxjerrjen përpara të bashkëpunimit, dialogut dhe stabilitetin rajonal.
“Me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, në Takimin e Aqaba në Sofje, për ta nxitur bashkëpunimin, dialogun dhe stabilitetin rajonal”, ka shkruar Osmani.
Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka theksuar se grupi terrorist përgjegjës për sulmin në Banjskë në shtatorin e vitit 2023, që kishte për qëllim aneksimin e një pjese të Kosovës, vazhdon të mbetet i lirë dhe i mbështetur nga Serbia, duke paraqitur një rrezik të madh për stabilitetin e Kosovës.
Në një intervistë për RTK, Maqedonci theksoi se është e papranueshme që ky grup terrorist të jetë ende i lirë dhe të mbështetet nga struktura të sigurisë serbe.
“Ky grup terrorist po vazhdon të jetë i mbrojtur dhe i mbështetur nga strukturat e sigurisë në Serbi, shpesh duke u vendosur jo larg kufirit me Kosovën, dhe ka lidhje të vazhdueshme me individë dhe grupe në veri të vendit tonë. Ky është një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore,” tha Maqedonci.
Maqedonci gjithashtu theksoi se Serbia ka një obligim ndërkombëtar që t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, ku është kryer krimi.
Ai theksoi se përpjekjet e Serbisë për të vazhduar politikën hegjemoniste ndaj Kosovës, duke mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe duke kontribuar në destabilizimin e rajonit, janë të papranueshme.
“Përmes luftës hibride dhe mbështetjes për grupe të armatosura, Serbia po kontribuon në destabilizimin e Kosovës dhe të shteteve të tjera fqinje. Ky është një veprim i vazhdueshëm që po minon sigurinë dhe stabilitetin në rajon,” përfundoi Maqedonci.
Rritja e rasteve të dhunshme dhe mungesa e sigurisë po shqetësojnë gjithnjë e më shumë opinionin publik në Kosovë. Pas vrasjeve të fundit, përfshirë edhe atë të një zyrtari policor në Kaçanik, qytetarët janë duke u mobilizuar për të kërkuar ndryshim.
Shoqata “Roja e Kohës” ka njoftuar se do të organizojë një protestë paqësore sot, e cila do të fillojë në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me marshim drejt sheshit “Skënderbeu”.
Pritet që në këtë tubim të marrin pjesë qytetarë nga e gjithë Kosova, organizata të shoqërisë civile, sindikata, aktivistë dhe të rinj, të cilët do të kërkojnë veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë dhe uljen e dhunës në vend.
Sipas organizatorëve, protesta mbahet si reagim ndaj ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë publike në Kosovë.
“Ftojmë të gjitha mediat që të jenë të pranishme dhe të përcjellin këtë protestë qytetare, të organizuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, në mbështetje të kërkesave për: Rritje të sigurisë publike, ashpërsim të ligjeve për armë, investime në shëndetin mendor dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e dhunës”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia është e gatshme të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e paralajmëruara, por nuk e konsideron Glauk Konjufcën si thirrës legjitim të tyre në këtë fazë.
Haziri tha se takimet politike duhet të kenë format dhe agjendë të qartë, duke shtuar se nuk është e qartë nëse Konjufca po flet si nënkryetar i Vetëvendosjes apo si kryetar i Kuvendit.
“Në nivelin e takimeve definohet agjenda, formati, nevoja e takimit – gjithçka duhet me u ditë saktë para se me shku. LDK-ja do ta shqyrtojë seriozisht këtë çështje, sikur çdo çështje tjetër”, tha Haziri.
Ai vlerësoi se është paradoksale që Konjufca kërkon takim me opozitën, ndërkohë që Kurti takon liderët e minoriteteve në zyrat e Qeverisë.
“Qysh kryetari i LDK-së duhet me shku në takim që e thërret nënkryetari i Vetëvendosjes, kur kryetari i Vetëvendosjes e takon Adem Hoxhën në zyrë të Qeverisë? Respekt për partinë e goranëve, por formati duhet me qenë i qartë,” u shpreh Haziri.
Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se një pjesë e vogël e amvisërive po konsumon pjesën më të madhe të energjisë elektrike.
Ajo tha se sipas të dhënave të analizuar kohëve të fundit, 12 për qind e familjeve kanë konsumuar rreth 40 për qind të energjisë në nëntor 2024.
“E kemi nga të dhënat që i kemi analizuar gjatë këtyre dy-tri javëve, e kemi parë që i kemi një fenomen, ku një pjesë e vogël e amvisërive e kanë një konsum jashtëzakonisht më të madh sesa të tjerat. Për shembull, në raste ekstreme, në nëntor 2024, vetëm 12 për qind e amvisërive kanë konsumuar mbi një mijë kilovat orë në muaj, mirëpo ato kanë konsumuar 39 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë”, tha Rizvanolli.
Ajo shtoi se disa prej këtyre konsumatorëve shpenzojnë deri në 5000 kilovat orë edhe gjatë verës, duke ngritur dyshime për përdorime të pazakonshme si nxehja e pishinave apo pajisje për kriptovaluta.
“Është shumë vështirë të shpjegohet, veçanërisht përgjatë muajve të verës dhe të pranverës. Gjatë dimrit mund të thuash që një shtëpi e madhe me pishinë nëse nxehet gjatë gjithë kohës, i shpenzon kaq. Mirëpo përgjatë muajve të tjerë me të vërtetë është vështirë për ta shpjeguar, përveç ndoshta kryptovalutave ose prodhimit të drogës, apo prodhim tjetër që nuk është ilegal, por që është informal”, u shpreh Rizvanolli.
Deklaratën e plotë të Artane Rizvanollit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Gjykata Speciale ka caktuar 23 prillin, datën e radhës kur do të mbahet seanca e radhës në rastin ndaj ish anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së, Hashim Thacit, Rexhep Selimit, Kadri Veslit dhe Jakup Krasniqit. Gjatë seancës përgatitore, që do të jete e para pas 15 prillit, kohës kur zyrtarisht ZPS përmbyll paraqitjen e provave, pritet te diskutohet rreth mundësisë se mbrojtjes për paraqitjen e kundërshtimeve per hedhjen e aktakuzës.
“Nëse vendosin të dorëzojnë mocionin mbrojtja ka thënë më herët që i duhen 4 jave për tu përgatitur, dhe i mbetet trupit gjykues te vendos, dhe pas vendimit te trupit gjykues pastaj zyra e viktimave ka thënë se i duhet 1 ose dy jave për te prezantuar çështjen e tyre”, tha Angela Griep, zëdhënëse e Gjykatës Speciale .
Sa i përket kohës se kur mund te përmbyllet dhe te kemi një vendim në rastin më të madh të Speciales, zëdhënësja e gjykatës ka thënë se është herët te përcaktohet një date.
“Nëse mbrojtja vendos te paraqet dëshmitarët ata mund ti kërkojnë kohe gjykatës për tu përgatitur. Është shume herët për te ditur se kur mund te kemi verdikt ndoshta konferenca përgatitore mund te na jap ide me te qarte dhe mund te dimë me shume se përafërsisht kur mund te kemi verdikt”, tha Griep.
Në një adresim për mediat, zëdhënësit e gjykatës kanë folur edhe për punën e dhomave gjatë këtyre viteve, duke theksuar se puna e gjykatës është e bazuar në ligjin që është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Ndërsa sa i përket provave qe janë paraqitur në rastin e Thaçit dhe te tjerëve, Zëdhënësit kanë thënë se i takon trupit gjykues ti verifikoj dhe trajtoj ato.
‘Duam nga qytetarët e Kosovës ta kuptojnë rolin e gjykatës. Gjykata nuk është duke e targetuar askënd, është për të sjellë drejtësi. Gjykata punon bazuar në ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe i trajton aktakuzat qe i pranon nga zyra e prokurorit të specializuar”, tha Michael Doyle, zëdhënës i dhomave të specializuara.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza ndaj tyre u konfirmua në nëntor të vitit 2020, dhe që atëherë ata po mbahen në paraburgim. Pas shumë seancave përgatitore, në prill të vitit 2023 nisi zyrtarisht gjykimi me paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të Prokurorit të Specializuar. Janë dëgjuar 125 dëshmitarë, prej tyre 75 me masa mbrojtëse, ndërsa shumë dëshmi të tjera janë pranuar me shkrim.