ATV

Tag: Ballina

  • SHBA-ja vendosi tarifa 10% për produktet që importon nga Kosova

    SHBA-ja vendosi tarifa 10% për produktet që importon nga Kosova

    Përgatiti: Armand Hoti

    Kompanitë kosovare që eksportojnë mallra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i nënshtrohen tarifës së re prej 10% më shumë, pas urdhrit ekzekutiv të Presidentit, Donald Trump.

    Tarifa të reja doganore për produktet që SHBA-ja importon në fakt zbatohen për të gjitha vendet e botës. E referuar të dhënave të Doganës, prej vitit 2021 deri në atë 2024, Kosova eksportoi mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh drejt SHBA-së.

    Vetëm vitin e kaluar, importi i mallrave amerikane qe më i lartë se eksporti i mallrave kosovare në ShBA.

    “Edhe në këtë rast një tarifë prej 10% dekurajon më tej eksportuesit kosovarë që të shohin tregun e Sh.B.A-së, si treg potencial për të plasuar produktet e tyre”, tha kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

    Edhe Kosova aplikon tarifa doganore prej 10% ndaj produkteve që importon nga SHBA-ja andaj Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës përsërit kërkesën që Qeveria e vendit ta heq tarifën doganore për këto produkte.

    “Ndërmarrja e hapit të parë nga ana e autoriteteve të Kosovës, do të qonte në një heqje të tërësishme, ose shfuqizim të tarifës doganore që Amerika i ka bërë Kosovës”, tha Zeka.

    Por eksperti i ekonomisë, Emanuel Bajra, thotë se e tarifat e reja, nuk do ta afektojnë në formë direkte ekonominë brenda Kosovës.

    “Kjo natyrisht do t’i godasë marxhinat e këtyre kompanive, por në Kosovë si ekosistem, si vend, si ekonomi në përgjithësi, nuk është se do të ketë ndonjë efekt, material, konkret…efektet më të mëdha do të jenë mendoj unë asimetrike”, tha Bajra.

    E ish-drejtori i Doganës, Naim Huruglica, rekomandon marrëveshje të tregtisë së lirë me amerikanët.

    “Unë mendoj që edhe me Sh.B.A-të duhet ta kemi një marrëveshje të tregtisë së lirë. Nuk është që Kosova humb edhe ashtu diku 86 – 87% të imporitit e kemi me shtete me të cilat kemi marrëveshje të tregtisë së lirë”, tha Huruglica.

    Tarifa bazë prej 10% do të hyjë në fuqi më 5 prill, ndërsa tarifat reciproke do të hyjnë në fuqi pas një jave, më 9 prill.

  • Osmani takon presidentin kroat: Kroacia, aleate e çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

    Osmani takon presidentin kroat: Kroacia, aleate e çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

    Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në Sofje.

    Në në postim në Facebook, ajo ka deklaruar se Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.

    “Prandaj, sot në Sofje takova mikun dhe mbështetësin e fuqishëm të Kosovës, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, të cilit i përcolla urimet më të përzemërta për rizgjedhjen në këtë post”.

    “Me Kroacinë bashkëpunojmë në mbrojtje, në ekonomi dhe në çdo fushë tjetër, sepse raporti ynë është i bazuar në besim reciprok. Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë”, ka thënë Osmani.

  • Osmani i kërkon Kurtit t’i heqë tarifat ndaj produkteve amerikane: Të çojmë mesazh se jemi për raport më të fortë me SHBA-në

    Osmani i kërkon Kurtit t’i heqë tarifat ndaj produkteve amerikane: Të çojmë mesazh se jemi për raport më të fortë me SHBA-në

    Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave të SHBA-së.

    Kjo kërkesë e Osmanit vjen pas vendimit të Administratës Trump për vendosje të tarifës 10% për të gjitha importet në SHBA, përfshirë edhe Kosovën.

    Osmani tha se me këtë vendim do të çohej mesazh se Kosova është për raport më të fortë me SHBA-në.

    “Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”.

    Osmani tha se është e bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë.

    “Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-SHBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”.

    Trump dje ka vendosur tarifa edhe më të larta për vendet që ai i quan “shkelësit më të këqij”, në një moment vendimtar për tregtinë globale.

    Tarifat gjithëpërfshirëse të Trump mbi importet amerikane ndezën kërcënimet për hakmarrje të enjten, ndërsa kompanitë dhe qeveritë u nxituan të numërojnë kostot nga një luftë tregtare në përshkallëzim që kërcënon të shkundë aleancat globale.

  • Zëdhënësit e Speciales: Gjykata e Hagës mban përgjegjës individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

    Zëdhënësit e Speciales: Gjykata e Hagës mban përgjegjës individët, jo grupet etnike, organizatat apo komunitetet

    Zëdhënësit e Gjykatës Speciale, Michael Doyle dhe Angela Griep, kanë mbajtur sot një konferencë për media për gazetarë nga Kosova, lidhur me procesin gjyqësor që po vazhdon në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, e për të cilin në Kosovë po bëhen kritika të mëdha.
    Zëdhënësit kanë thënë se Gjykata është e themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe përgjigjet rreth legjitimitetit të saj janë në Kushtetutën e Kosovës. Ata thonë se duan që njerëzit të kuptojnë se roli i Gjykatës është që të japë gjykime të drejta, të paanshëm dhe të pavarura.

    “Gjykata është themeluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës që doli nga marrëveshja ndërkombëtare me Kosovën. Pyetja rreth legjitimitetit të Gjykatës gjen përgjigje në Kushtetutën e Kosovës. Megjithatë, kur bëhet fjalë për legjitimitetin, ne duam që njerëzit të kupton që roli i kësaj Gjykate është që të japë gjykime të drejta, të pavarura dhe të paanshme për individët të cilët Prokuroria Speciale i ndjek, apo për të mbrojtur dëshmitarët dhe për të siguruar të drejtat dhe dinjitetin e viktimave”, kanë thënë atë në konferencën për media.

    Tutje ata kanë theksuar se Gjykata Speciale merret vetëm me përgjegjësi penale individuale dhe se Dhomat e Specializaura mbajnë përgjegjës “vetëm individët për krimet me të cilat ngarkohen në aktakuzë” dhe jo “grupet etnike, organizata apo komunitete”.

    Në këtë konferencë zëdhënësit kanë përmendur edhe ankesën që mbrojtja e Hashim Thaçit ka bërë ndaj gjyqtarëve për pyetjet që kanë bërë ndaj dëshmitarëve dhe për përgjigjen që gjyqtarët kanë pasur ndaj kësaj ankese.

    “Gjyqtarët rikujtuan se në bazë të Rregullores së Punës dhe provave atyre u lejohet apo edhe kërkohet që të bëjnë pyetje pasi që është detyrë e tyre të përcaktojnë të vërtetën. Kufizimi i aftësisë së tyre për të bërë pyetje do të ndërhynte në rolin e tyre si një gjetës neutral i fakteve”.

  • Caktohet data për konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Caktohet data për konferencën mbi ecurinë e çështjes në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë caktuar 23 prillin 2025 si datë për mbajtjen e konferencës për ecurinë e çështjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Konferenca pritet të fillojë nga ora 10:00, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kjo konferencë është e para pasi Prokuroria ka përfunduar dëshmitarët e saj në këtë rast.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Qeveria i ndan 75 mijë euro për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, shkak promovimi i vendit

    Qeveria i ndan 75 mijë euro për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, shkak promovimi i vendit

    Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim në mbledhjen e saj të mbrëmshme, duke miratuar ndarjen e shumës prej 75 mijë eurosh për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan.

    Qëllimi i këtij vendimi është promovimi i vendit në arenën ndërkombëtare, përmes veprimtarive që do të organizohen nga ky fondacion.

    Po ashtu, në të njëjtën mbledhje, u miratua edhe mbështetja për procesin që ka nisur Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Francën, për luftimin e përhapjes dhe përdorimit të pa kontrolluar të aftësive komerciale të ndërhyrjes kibernetike, i njohur si Procesi Pall Mall.

    Ky proces ka si objektiv adresimin e rreziqeve të mundshme që vijnë nga ky lloj i aktiviteteve, duke garantuar një mjedis më të sigurt kibernetik.

  • Tarifat e ShBA-së nxisin reagime në botë

    Tarifat e ShBA-së nxisin reagime në botë

    Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa reciproke ndaj të gjitha vendeve, ka nxitur reagime në mbarë botën, teksa shtetet kanë shprehur frikën për rritjen e çmimeve, teksa disa vende kanë paralajmëruar për kundërmasa.

    SHBA-ja vendosi një tarifë bazë prej 10 për qind për importet ndaj të gjitha vendeve të botës, përfshirë nga Kosova, si dhe tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me SHBA-në.

    Bashkimi Evropian reagoi ndaj vendimit të Trumpit, duke thënë se është i gatshëm të përgjigjet ndaj tarifave të reja amerikane.

    Por, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje presidentit amerikan që t’i adresojë shqetësimet e tij përmes dialogut.

    “Më vjen keq për këtë zgjedhje”, tha von der Leyen. “Duket se nuk ka asnjë rregull në këtë kaos. Asnjë rrugë e qartë përmes kompleksitetit dhe kaosit që po krijohet, teksa të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-së po goditen”.

    Ajo shtoi se BE-ja është “e gatshme të përgjigjet”.

    “Ne tani po përgatitemi për kundërmasa të mëtejme për të mbrojtur interesat tona dhe bizneset tona nëse negociatat dështojnë”, tha ajo.

    BE-ja u godit me 20 për qind tarifa nga SHBA-ja. Paraprakisht, Trump kishte vendosur tarifa ndaj importeve të çelikut dhe aluminit të BE-së, por edhe automjeteve dhe pjesëve për automjete.

    Blloku, megjithatë, ka kërkuar që të zgjidhë shqetësimet tregtare të Trumpit përmes dialogut dhe von der Leyen sërish më 3 prill e la të hapur derën e dialogut.

    “Ka një rrugë alternative. Nuk është vonë për të adresuar këto shqetësime përmes negociatave”, tha ajo.

    Sipas zyrtares së lartë evropiane, tarifat e reja do të prekin konsumatorët në mbarë botën.

    “Do të ndihet menjëherë. Miliona qytetarë do të përballen me çmime më të larta të produkteve ushqimore. Ilaçet do të kushtojnë më shumë, sikurse edhe transporti. Inflacioni do të rritet”, paralajmëroi ajo.

    Për shkak të vendimit të Trumpit, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të takohet të enjten me përfaqësuesit e sektorëve francezë “të prekur nga tarifat” amerikane, bëri të ditur Pallati Elize.

    Tarifat kanë prekur edhe Mbretërinë e Bashkuar, aleatin e Uashingtonit. Londra tha se shpreson që të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin. Por, sekretari për biznes i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Reynolds, paralajmëroi shteti i tij ka “një sërë mjetesh në dispozicion dhe ne nuk do të hezitojmë të veprojmë”.

    Italia, ndërkaq, kritikoi vendimin amerikan për tarifa, duke i kërkuar BE-së që të arrijnë një marrëveshje, pasi tha se një luftë tregtare “do ta dobësonte Perëndimin”.

    “Vendosja e tarifave nga SHBA-ja ndaj BE-së është një masë që unë e vlerësoj të gabuar dhe nuk është në interesin e asnjërës palë”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

    Shoqata gjermane e Industrisë së Automobilave, po ashtu ka kritikuar tarifat duke thënë se do të krijojnë “vetëm humbje”. Ndërkaq, industria gjermane e kimikateve, që e ka SHBA-në tregun më të madh të eksporteve, kërkoi qetësi, duke theksuar se “një përshkallëzim vetëm se do të përkeqësonte dëmin”.

    Kina po ashtu u zotua për “kundërshtim të fuqishëm” të tarifave amerikane ndaj eksporteve të saj dhe tha se do të ndërmarrë “kundërmasa për të ruajtur të drejtat dhe interesat tona”.

    Ministria kineze e Tregtisë tha se tarifat e reja amerikane “nuk janë në përputhje me rregullat ndërkombëtare të tregtisë dhe seriozisht dëmtojnë të drejtat legjitime dhe interesat e palëve të rëndësishme”.

    Pekini, që u godit me një tarifë prej 34 për qind, i bëri thirrje Uashingtonit “të shfuqizojë menjëherë” vendimin për tarifat, duke paralajmëruar se ato “vënë në rrezik zhvillimin ekonomik global” dhe dëmtojnë interesat amerikane dhe zinxhirët ndërkombëtar të furnizimeve.

    Kanadaja, shtet fqinj i SHBA-së, tha se tarifat amerikane do të “ndryshojnë krejtësisht sistemin tregtar botëror”.

    “Ne do t’iu kundërvihemi këtyre tarifave me kundërmasa. Ne do të mbrojmë punëtorët tanë”, tha kryeministri Mark Carney, i cili edhe më herët është zotuar se do t’i përgjigjet SHBA-së ndaj tarifave të mëhershme nga Uashingtoni.

    Japonia, ndërkaq, tha se vendimi i Trumpit “është për keqardhje”, duke shtuar se tarifat e reja mund të zhbëjnë marrëveshjen tregtare që kanë dy shtetet.

    Firmat japoneze janë investitorët më të mëdhenj në SHBA, por Tokio ka dështuar që të përjashtohet nga vendimi i Trumpit për tarifa, teksa Japonia u godit me 24 për qind tarifë.

    “E kam përcjell mesazhin se tarifat e vendosura nga SHBA-ja janë për keqardhje, dhe sërish i bëj thirrje Uashingtonit që të mos i aplikojë këto masa ndaj Japonisë”, tha ministri për Tregti dhe Industri i Japonisë, Yoji Muto.

    Ai shtoi se ka folur me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, para se Trump të vendoste tarifa ndaj shteteve, përfshirë edhe ndaj shtetit aleat, Japonisë.

    Ministri japonez tha se i ka shpjeguar Lutnickut se si tarifat amerikane do të ndikojnë në ekonominë e SHBA-së “duke minuar kapacitetin e kompanive japoneze për të investuar”. Ndërkaq, një zëdhënës i Qeverisë japoneze tha se masat e SHBA-së mund të mos jenë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.

    Tajvani, ndërkaq, i ka cilësuar si “të paarsyeshme” tarifat e SHBA-së, duke thënë se Qeveria në Taipei synon që të zhvillojë negociata me Uashingtonin.

    Ishulli vetëqeverisës i Tajvanit, përveç me tarifën bazë, është goditur me 32 për qind tarifë.

    Çipat gjysmëpërçues, sektor ku Tajvani donimon dhe që kanë qenë burim tensionesh mes Uashingtonit dhe Taipeit, janë përjashtuar nga tarifat. Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar se tarifat ndaj komponentëve të tjerë do të kenë ndikim edhe në industrinë e çipave.

    Tajvani më 2024 kishte suficit tregtar me SHBA-në në vlerë prej 73.9 miliardë dollarësh, duke e bërë atë vendin e shtatë me suficitin më të lartë tregtar.

    Për t’u mbrojtur nga ndikimi i tarifave amerikane, Tajlanda, ndërkaq tha se ka “një plan të fuqishëm”, por nga Qeveria tajlandeze thanë se shpresojnë që të negociojnë me Uashingtonin për uljen e tarifave.

    Shtetet në Azinë Juglindore kanë nivel të lartë të suficitit tregtar me SHBA-në dhe janë goditur me tarifa të larta nga Uashingtoni.

    Më 2 prill, presidenti amerikan, Donald Trump, shpalli emergjencë ekonomike kombëtare për t’i zbatuar tarifat, të cilat pritet të prodhojnë qindra miliarda dollarë të ardhura vjetore.

    Ai ka premtuar se vendet e punës në fabrika do të kthehen në SHBA si rrjedhojë e këtyre tarifave, por politikat e tij rrezikojnë ngadalësim të papritur ekonomik pasi konsumatorët dhe bizneset mund të përballen me rritje të mëdha të çmimeve për automjetet, rrobat dhe mallra të tjera./REL

  • ​Kallas: Dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur, po shqyrtojmë mjete të tjera për normalizim

    ​Kallas: Dialogu Kosovë–Serbi ka ngecur, po shqyrtojmë mjete të tjera për normalizim

    Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër, ka thënë shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    “Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim”, tha Kallas, e cila pritet ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme.

    Kallas foli, po ashtu, për ndikimin e mundshëm të luftës tregtare mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për mundësinë e një armëpushimi në Ukrainë, duke theksuar nevojën për përfshirjen e Evropës në çdo negociatë për këtë çështje.

    Radio Evropa e Lirë: Sot hyjnë në fuqi tarifat e reja [të Shteteve të Bashkuara të Amerikës] prej 25 për qind për automjetet. Si do të përgjigjet Bashkimi Evropian dhe çfarë mendoni se tregon kjo për marrëdhëniet transatlantike?

    Kaja Kallas: Deri tani, njerëzit tanë të tregtisë po bashkëveprojnë me amerikanët, kështu që nuk e dinë saktësisht se çfarë po vjen. Ka deklarata që i shohim, por cilat janë veprimet reale? Nëse vjen një veprim i tillë, edhe ne kemi një plan të gatshëm, por ajo që dua të theksoj është se nuk ka fitues në luftërat tregtare.

    Në fund, çmimet rriten dhe konsumatorët paguajnë më shumë për këto produkte, dhe ky nuk është veprim i mençur. Prandaj, ende shpresoj që nuk do të fillojmë këtë luftë tregtare.

    Radio Evropa e Lirë: [Presidenti i Finlandës], Alexander Stubb, kur ishte në Amerikë së voni, foli për një armëpushim të mundshëm të plotë në luftë [mes Ukrainës dhe Rusisë] më 20 prill. A mendoni se kjo është e realizueshme?

    Kaja Kallas: Deri tani, Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim që para tre javësh, dhe nuk kemi parë asnjë shenjë pozitive nga Rusia. Ata thjesht po luajnë lojëra.

    Mendoj se do të ishte shumë mirë t’u vihet një afat i qartë se deri kur duhet të përgjigjen, të tregojnë qëndrimin e tyre dhe të shfaqin vullnet të mirë se duan paqe.

    Është e qartë që ukrainasit e duan atë.

    Radio Evropa e Lirë: [Kirill] Dmitriev, një nga negociatorët e Kremlinit, pritet ta vizitojë Uashingtonin së shpejti. A do të dëshironit të flisnit me të? A mendoni se BE-ja duhet të negociojë me të?

    Kaja Kallas: Për Ukrainën, Ukraina duhet të negociojë me Rusinë. Kjo nuk mund të bëhet nga askush tjetër, sepse bëhet fjalë për Ukrainën dhe nuk mund të bëhet pa Ukrainën.

    Mendoj se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kur bëhet fjalë për sigurinë evropiane, sigurisht që duhet të diskutojmë mes nesh dhe me aleatët tanë për mënyrën se si ta rregullojmë këtë çështje.

    Radio Evropa e Lirë: Por, a është BE-ja apo ndonjë vend evropian i gatshëm të diskutojë drejtpërdrejt me Moskën?

    Kaja Kallas: Kur bëhet fjalë për negociatat reale që lidhen me Evropën, mendoj se është e rëndësishme të kemi parasysh se Rusia nuk duhet të ketë ndikim mbi mënyrën se si ne organizojmë sigurinë tonë, sepse Evropa nuk po e sulmon Rusinë. Përkundrazi, Rusia ka sulmuar fqinjët e saj, prandaj ne po diskutojmë rreth aranzhimeve tona të sigurisë.

    Megjithatë, sa i përket negociatave për Ukrainën, është e qartë se Evropa duhet të jetë pjesë e tryezës, sepse rezultati i tyre na prek edhe neve. Dhe, çdo marrëveshje nuk mund të funksionojë pa zbatimin e saj nga ana e evropianëve.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, a do të flisni për këtë me [sekretarin amerikan të Shtetit, Marco] Rubio, kur ai të jetë në Bruksel ditët në vijim?

    Kaja Kallas: Ne kemi folur për këtë edhe më parë, kur kishim takimet në kuadër të G7-tës në Kanada, dhe padyshim që do të flasim për këtë sërish. Është shumë e qartë se çfarë ka BE-ja në dorë – sanksionet janë vendosur nga Bashkimi Evropian, kemi misionin e trajnimit për ushtarët ukrainas, misionin civil në Ukrainë dhe gjithashtu procesin e zgjerimit të BE-së, që përfshin Ukrainën.

    Radio Evropa e Lirë: Si e shihni vizitën e [kryeministrit izraelit, Benjamin] Netanyahu, në Hungari, një shtet anëtar i BE-së? A jeni të shqetësuar se ndoshta persona të tjerë të kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale mund të vijnë në BE? Sidomos udhëheqja ruse.

    Kaja Kallas: Shtetet anëtare janë palë të Konventës së Romës, që ka të bëjë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Prandaj, u takon shteteve anëtare që të zbatojnë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe detyrimet që kanë marrë përsipër. Është e qartë se është e rëndësishme të ruhet besueshmëria e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dhe Bashkimi Evropian e mbështet këtë gjykatë në çdo mënyrë të mundshme.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që [presidenti rus, Vladimir] Putin të vizitojë një shtet anëtar të BE-së së shpejti, nëse BE-ja nuk zbaton konventën?

    Kaja Kallas: BE-ja e zbaton, por problemi është se BE-ja nuk është anëtare e konventës, janë shtetet anëtare. Prandaj, shtetet anëtare duhet ta zbatojnë atë – nëse një person hyn në territorin e tyre, ata duhet t’i zbatojnë vendimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

    Dialogu Kosovë–Serbi

    Radio Evropa e Lirë: Javën tjetër do të vizitoni Ballkanin Perëndimor. Çfarë mendoni për protestat që po shohim aktualisht në Serbi? A jeni të gatshëm të organizoni së shpejti një takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë?

    Kaja Kallas: Sa i përket protestave, kjo është demokracia – ndodh edhe në vendet anëtare të BE-së që njerëzit të lodhen nga qeveritë dhe të protestojnë. Kjo tregon se demokracia po funksionon.

    Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ose dialogun Beograd-Prishtinë, unë kam emëruar një Përfaqësues të Posaçëm, me të cilin do të ulem për të parë të ardhmen. Ajo që na intereson është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qoftë përmes këtij dialogu, apo ndonjë instrumenti tjetër, ne do të mbledhim ide dhe do të dalim me një propozim.

    Radio Evropa e Lirë: Pra, a mund të jetë diçka tjetër, përveç dialogut?

    Kaja Kallas: Duket se dialogu ka ngecur pak, sepse palët vetëm po ankohen për njëra-tjetrën. Mendoj se duhet ta mbajmë qëllimin përfundimtar në mendje – normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, në mënyrë që të mund të ecin përpara në rrugën evropiane.

    Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm në ditët në vijim.

    Radio Evropa e Lirë: Dhe, për fund, lidhur me Gjeorgjinë, si i vlerësoni ndryshimet në Ligjin për agjentët e huaj dhe Ligjin për transmetimin? A ka ende BE-ja ndonjë ndikim mbi Gjeorgjinë?

    Kaja Kallas: Situata atje është jashtëzakonisht e vështirë. Dimë që shumica e popullit gjeorgjian mbështet fuqimisht Bashkimin Evropian, dhe dëshiron që Gjeorgjia t’i bashkohet BE-së.

    Por, kjo nuk është rruga që ka zgjedhur qeveria. Pyetja për ne është: çfarë mund të bëjmë realisht për ta ndihmuar? Kemi ridrejtuar fondet nga qeveria tek organizatat joqeveritare dhe shoqëria civile, për t’iu ndihmuar që të vazhdojnë rrugën evropiane.

    Radio Evropa e Lirë: Por, a ka diçka më konkrete ndaj qeverisë? Sanksionet nuk funksionuan, a ka diçka tjetër?

    Kaja Kallas: Ne duhet të kemi marrëveshje në mes të 27 vendeve anëtare. Dhe, ky është problemi këtu. Prandaj, ne ende po punojmë për opsionet që mund të kemi. Kemi vendosur kërkesën për viza për pasaportat diplomatike, por vazhdimisht po diskutojmë se çfarë tjetër mund të bëjmë.

  • Sveçla: Vrasja e policit Lika, sulm ndaj institucioneve të Kosovës

    Sveçla: Vrasja e policit Lika, sulm ndaj institucioneve të Kosovës

    Ministri i Punëve të Brendshme nw detyrw, Xhelal Sveçla, tha se vrasja e policit Muhamed Lika në Kaçanik është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Kosovës, duke shtuar se aparati shtetëror është i mobilizuar të arrestojë dorasin.

    Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se kontributi i rreshterit Lika si në çlirimin e Kosovës, ashtu edhe në garantimin e rendit “do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim”.

    “Sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Vrasja e mbrëmshme e Rreshterit të Policisë së Kosovës Muhamed Lika ka prekur rëndë secilin prej nesh dhe gjithë Policinë e Kosovës. Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi”, tha Sveçla.

  • ​Lammy në Prishtinë, mbështetje për Kosovën dhe thirrje për dialog me Serbinë

    ​Lammy në Prishtinë, mbështetje për Kosovën dhe thirrje për dialog me Serbinë

    Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, ka kërkuar normalizim dhe paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, raporton KosovaPress.

    Ai gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të mërkurën, tha se shpreson që qeveria e ardhshme të ketë angazhim të fuqishëm në dialog. Kryediplomati britanik, David Lammy në një konferencë për medie pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se vendi i tij është mbështetës i palëkundur i Kosovës dhe një partner kyç. Ndërkaq, nënvizoi nevojën që sa më shpejt të formohet qeveria e re në Kosovë.

    “Duam normalizim të qëndrueshëm dhe paqësor mes Kosovës dhe Serbisë. Mbretëria e Bashkuar është padyshim kontribuues i madh në KFOR, kam vizituar KFOR-in herën e fundit kur kam qenë dhe do ta vizitoj prapë. Është qenësor për sigurinë tuaj dhe shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetareve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, theksoi Lammy.

    Në anën tjetër, nikoqirja e takimit, presidentja Vjosa Osmani, tha se Kosova është palë konstruktive në dialog dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht obstruksioneve dhe provokimeve nga ana e Serbisë.

    Përkitazi me këtë, Vjosa Osmani tha se është e domosdoshme që Serbia t’i vendosë para përgjegjësisë autorët e aktit të agresionit serb në shtator të vitit 2023, shkruan KosovaPress.

    “Kosova mbetet një palë konstruktive dhe përkushtuar për paqe dhe stabilitet, pavarësisht se vazhdimisht përballemi me obstruksione dhe provokime nga ana e Serbisë, përfshirë edhe sulmet e njëpasnjëshme që kanë filluar vite më herët dhe po vazhdojnë edhe tani. Është e domosdoshme që të ketë llogaridhënie dhe vënie të autorëve para përgjegjësisë nga ana e Serbisë, por fatkeqësisht s’po shohim se s’ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. As sa i përket aktit të agresionit të shtatorit 2023 dhe as sa i përket sulmit të ushtarëve të NATO-s dhe as për veprimet e fundit që kanë ndodhur në veri të vendit”, theksoi Osmani.

    Krahas kësaj, e para e vendit, bëri të ditur se ka propozuar thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, në fushën e mbrojtjes dhe ekonomisë.

    “Kam bërë propozimin për lidhjen e marrëveshjes për thellimin strategjik të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar që në veçanti do të mbulojë fushën e mbrojtjes dhe fushën e ekonomisë. Sot kemi diskutuar gjerë e gjatë për thellimin e bashkëpunimit strategjik në këto fusha, të cilat pastaj do të vazhdojnë me diskutime ndërmjet dy ekipeve tona. Vlerësoj faktin se keni mirëpritur për zgjerim të partneritetit”, deklaroi Osmani.

    Avancimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve e përmendi edhe sekretari britanik, David Lammy, sidomos në fushën e mbrojtjes, teknologjisë, inovacionit dhe energjisë së pastër.

    Ai theksoi edhe nevojën për progres të Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike.

    “Është e rëndësishme që të shohim Kosovën duke bërë progres në rrugëtimin e saj euro-atlantik që e diskutuam këtë mëngjes. Me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar shpresoj që të anëtarësoheni në Këshillin Evropian. Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për t’i lidhur lidhjet brenda këtij rajoni dhe pjesës tjetër të Evropës. Do të bëjmë gjithçka të mundshme për të mbështetur atë progres në muajt e ardhshëm”, theksoi Lammy.

    Kryediplomati britanik ka arritur në Prishtinë të martën mbrëma, ku është takuar me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe disa prej anëtarëve të kabinetit të tij.

    Ai po qëndron në vizitë zyrtare në Kosovë, në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, ku do të vizitojë edhe vendet të tjera rajonale.