ATV

Tag: Ballina

  • “Është fabrikim”, Kusari-Lila flet sërish për komunikimin me Radoiçiqin

    “Është fabrikim”, Kusari-Lila flet sërish për komunikimin me Radoiçiqin

    Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, reagoi sërish ndaj akuzave për komunikim të saj me Milan Radoiçiqin, duke i cilësuar ato si të fabrikuara dhe të montuara nga Lista Serbe pas largimit të tyre nga Kuvendi.

    Ajo tha se Lista Serbe ka dalë nga Kuvendi në vitin 2022 dhe se komunikimi që i atribuohet asaj është publikuar vetëm pas sulmit në Banjskë, duke thënë se për këtë ka ngritur kallëzim penal.

    “Lista Serbe ka dalë prej Kuvendit, nuk ka marrë pjesë më prej qershorit të vitit 2022. Në nëntor të vitit 2022 kanë dorëzu mandatet, kanë dhënë dorëheqje të gjithë, përfshirë edhe policë, gjyqtarë, prokurorë… Komunikimet e para kur kanë dalë kanë qenë 15 muaj pasi Lista Serbe nuk ka qenë më në Kuvend. Ai komunikim, unë e kam ngritë kallëzim penal edhe për atë komunikim, dhe ekziston dosja në prokurori. Kallëzimin e parë penal e kam bërë më 1 gusht 2023”, deklaroi Kusari-Lila.

    Ajo akuzoi edhe mediat, duke thënë se kanë publikuar material të fabrikuar, pa e vënë në dyshim burimin e tij, ndërsa mohoi çdo bisedë me Radoiçiqin.

    “Prapë, fatkeqësisht, mediume kosovare, shqiptare në Prishtinë kanë qitë material të fabrikuar, në të cilin kinse unë flas me Radoçiqin. Unë i qëndroj të njëjtave fjalë që i kam thënë natën e parë, natën e dytë dhe natën e tretë në studio, dhe i qëndroj me përgjegjësi edhe penale. Ajo është komplet me regji e redaktume. Si mundet dikush me e qitë në maj ose qershor të vitit 2024 dhe askush mos ta bëjë pyetjen: kush ua dha këtë material?”, tha Kusari-Lila.

    Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila i përgjigjet Abdixhikut: Veprimet duhet të jenë për të ardhmen, jo për të kaluarën

    Kusari-Lila i përgjigjet Abdixhikut: Veprimet duhet të jenë për të ardhmen, jo për të kaluarën

    Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, ka komentuar refuzimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të qenë pjesë e bashkëqeverisjes, duke thënë se vendimet politike nuk duhet të udhëhiqen nga ndjenjat personale.

    Sipas Kusari-Lilës, çdo subjekt politik mban përgjegjësi ndaj strukturave dhe elektoratit, por veprimet e sotme duhet të fokusohen në të ardhmen.

    “Para se me hartu, shkurtimisht e lexova reagimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike. Natyrisht, është e drejtë e tyre dhe referenca në retorikë është referencë në të kalumen. E kalumja ka pasë situata shumë më të rënda për këtë subjekt… gjithsesi është vendim ose veprim për të cilin ata normal i japin llogari edhe strukturave edhe elektoratit të vet. Po një pozicion që duhet me qenë për të gjithë, e përfshirë edhe neve si partinë e parë, është që veprimet tash e tutje, më shumë sesa për të kalumën, kanë bajmë për të ardhmen”, tha Kusari-Lila.

    Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Çështja e të pagjeturve në tavolinën e diskutimeve në Bruksel gjatë prillit

    Çështja e të pagjeturve në tavolinën e diskutimeve në Bruksel gjatë prillit

    Përgatiti: Nora Luta

    Pas refuzimit të palës serbe në janar të këtij viti të ulet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel për çështjen e të pagjeturve, një takim i ri pritet të mbahet gjatë muajit prill.

    Sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti takimi i Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit do të mbahet brenda dhjetë ditësh.

    Hoti, që të martën u takua në Prishtinë me përfaqësues të emisarit për dialogun Kosovë- Serbi Peter Sorensen, ka thënë se dy temat që do të shpalosen në Bruksel janë arkivat shtetërore të Serbisë dhe lokacionet për gërmime atje.

    Hoti në një intervistë për ATV, tha se pret qasje ndryshe ndaj Serbisë nga strukturat e reja të BE-së.

    Nëse edhe kësaj radhe, pala serbe refuzon të marrë pjesë dhe nuk ndëshkohet, sipas Hotit nuk do të kishte më kuptim as dialogu me Serbinë.

    Hoti në shkurt të këtij viti, i kishte dërguar letër Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të zbatojë deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, dhe të hapë arkivat ushtarake, policore dhe të inteligjencës.

  • ​Kurti: Mos shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE rrezikon besimin ndaj procesit

    ​Kurti: Mos shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE rrezikon besimin ndaj procesit

    Në ditën e dytë të qëndrim në Bruksel, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se mbajtja në sirtar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se 27 muaj, nuk pasqyron qasje të bazuar në meritë, dhe se një situatë e këtillë rrezikon besimin ndaj procesit.

    Kurti këto komente i bëri derisa ishte i ftuar si folës kryesor në Konferencën e organizuar nga Fondacioni për Studime Progresive Evropiane (FEPS), Friedirch-Elbert-Stiftung (FES), Fondacioni Max car der Stoel, Qendra Ndërkombëtare Olaf Palme, së bashku me Grupin e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, me temë “Një kapitull i ri i përbashkët për zgjerimin e Bashkimit Evropian”, raporton KosovaPress.

    Gjatë adresimit të tij hyrës, theksoi se për herë të parë në më shumë se 20 vjet, në botë ka më pak vende me demokraci sesa autokraci, 88, respektivisht 91, kurse numri i demokracive liberale ka rënë nga 42 në vitin 2012, në 29 në vitin 2024.

    Ai citoi ish-kancelarin gjerman Ëilly Brandt, i cili në vitin 1969 kishte sfiduar Gjermaninë dhe Evropën për të përqafuar më shumë demokracinë duke thënë, “Ne duam të guxojmë më shumë demokraci”. Kryeministri veçoi se në këtë thënie të ish-kanceralit gjerman nuk duhet të harrojmë se ai përmend fjalën guxoj/marr guximin, kështu që në politikë është shumë e rëndësishme të guxojmë.

    “Deficiti demokratik nuk është gjë e re për BE-në dhe që nga ditët e Traktatit të Mastrihtit, janë bërë përpjekje për të reformuar dhe zgjeruar unionin. Për të guxuar demokracinë, unë besoj se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë të dyja: reformimin dhe zgjerimin. Unë marr guximin të them se këto mundësojnë dhe kushtëzojnë njëra-tjetrën njëkohësisht. Vetëm një BE që është e gatshme të reformohet mund të zgjerohet gjithashtu, dhe vetëm një BE që dëshiron të zgjerohet, do të jetë në gjendje të reformohet”, u shpreh kryeministri Kurti.

    Duke folur për nevojën dhe përgjegjësinë për të mbrojtur demokracinë, kudo, ai tha se çdo vonesë është e kushtueshme.

    “Që demokracia të mbijetojë, ne patjetër duhet ta mbrojmë atë, kudo. Çdo vonesë për ta bërë këtë është e kushtueshme. Për ta mbrojtur atë, së pari duhet ta pranojmë se kjo është detyra jonë historike dhe morale. Për sa i përket zgjerimit, pranimi do të thotë një ‘garë drejt majës’, një qasje e bazuar në merita. Progresi demokratik duhet të shpërblehet, ndërsa rrëshqitja prapa duhet të trajtohet. Regjimet autoritare dhe vetëkënaqësia në shoqëritë demokratike duhet të sfidohen, menjëherë, jo të lihen për më vonë”, deklaroi kryeministri.

    Ai tha se mbajtja në sirtar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për më shumë se 27 muaj, përkundër angazhimit dhe reformave të realizuara të vendit tonë, nuk pasqyron qasje të bazuar në meritë, dhe se një situatë e këtillë rrezikon besimin ndaj procesit. Me tej, shtoi se te Komisioni i ri Evropian ka vërejtur më shumë gatishmëri, vullnet dhe interes për të përfshirë Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian, megjithëse duket të ketë më shumë gatishmëri dhe interes sesa vullnet, teksa theksoi rëndësinë që të rritet vullneti, sepse gatishmëria dhe interesi nuk mjaftojnë pa vullnetin.

    Sipas një komunikate të Qeverisë, në fund, kryeministri bëri thirrje për më shumë aktivizim, bashkëpunim dhe solidaritet ndërmjet partive simotra dhe socialdemokratëve dhe njëkohësisht më shumë optimizëm të përgjegjshëm dhe entuziazëm ndaj qytetarëve.

    Kjo konferencë u organizua në kuadër të programit “Ëilly Brandt për Zgjerimin e Bashkimit Evropian” të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian.

  • ​Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit, ia përmend ‘hajvanatin’

    ​Abdixhiku refuzon ftesën e Kurtit, ia përmend ‘hajvanatin’

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurit për diskutime për një koalicion që do ta formonte Qeverinë e re.

    Ai ka shkruar në Facebook se sado që ai dhe LDK nuk udhëhiqen nga inati; sado që besojnë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik, një takim i tillë, madje edhe konsultativ, do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

    “Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim. Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, ka shkruar ai.

    Postimi i plotë i Abdixhikut:

    Të dashur qytetarë të Republikës,

    Në politikë, si në jetë, fjalët kanë peshë. Ato janë pasqyrë e karakterit, e vlerave dhe e qëllimeve. Janë reflektim i momenteve që, kur përsëriten, bëhen bindje – shpesh edhe të pakapërcyeshme.

    Për ne, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, fjala është përgjegjësi. Është zotim. Është besë.

    Prandaj, secili – veçanërisht ata me pushtet – duhet të jenë të përgjegjshëm për fjalët që thonë dhe për bindjet që mbjellin.

    Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin. Dhe ka cenuar parimet themelore mbi të cilat ne kemi zgjedhur të bëjmë politikë.

    Duket se fjalët e thëna e bindjet e ushqyera në vijimësi, nuk kanë peshë njëjtë për të gjithë. Sepse, pavarësisht të gjithë gjërave të thëna, të bëra e stërbëra, dje kam pranuar një letër nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, për takim konsultativ mes nesh.

    Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

    Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim.

    Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë.

    Fjalët e thëna ndaj nesh kanë peshë. Dhe fjalët tona – ato që u kemi dhënë qytetarëve tanë, atyre që nuk joshen nga spektakli i përçarjes por që besojnë se shteti ndërtohet me respekt e dinjitet – kanë peshën e fjalës së dhënë. Peshën e besës.

    Besë do të ketë!

    Le të jetë kjo përgjigje e qartë edhe për të tjerët që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë.

    LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj.

    Sepse fjalët kanë peshë!

    LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës.

    LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta.

    I juaji,

    Lumir Abdixhiku

  • Agjenda e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Agjenda e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mbajti sot mbledhje me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Me vendim të presidentes Vjosa Osmani seanca konstituive do të mbahet të martën, më 15 prill 2025, në orën 10:00.

    Kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare. Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

    Në vijim kryetari Konjufca ua bëri të ditur përfaqësuesve të subjekteve politike agjendën e seancës konstituive. Pikë e parë e rendit të ditës do të jetë formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, për të vijuar me betimin e deputetëve. Në vijim do të procedohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe më pas të nënkryetarëve.

    Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).

    Para përfaqësuesve të subjekteve politike që kanë fituar vende në Kuvend kryetari Konjufca prezantoi edhe agjendën e regjistrimit të deputetëve, si procedurë standarde para seancës konstituive.

    Kështu, të enjten, më 10 prill, nga ora 9:00 – 16:00 do të regjistrohen deputetët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, të premten, më 11 prill deputetët nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa të hënën, më 14 prill, deputetët nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të komuniteteve pakicë, në intervalin e njëjtë kohor.

  • Një muaj paraburgim për 58-vjeçarin që dyshohet se e dhunoi një të mitur në Prishtinë

    Një muaj paraburgim për 58-vjeçarin që dyshohet se e dhunoi një të mitur në Prishtinë

    Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit J.G., nën dyshimin për dhunimin e një të miture.

    Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin J.G., pasi që ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Gjykata vlerësoj se nëse i pandehuri J.G. lihet në liri, ekziston rreziku se i njëjti mund të pengojë rrjedhën e zhvillimit të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, mund të ndikoj dhe pengoj hetimin në të dëmtuarën e mitur, gjithashtu gjykata vlerësoj se nëse i pandehuri gjendet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij. Gjykata konsideron se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin me sukses të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprës penale”, thuhet në njoftim.

    Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

  • Përgatitja e seancës konstituive, fillon takimi i Konjufcës me përfaqësuesit e partive politike

    Përgatitja e seancës konstituive, fillon takimi i Konjufcës me përfaqësuesit e partive politike

    Ka filluar takimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive politike, ku do të diskutohet për përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturë së nëntë.

    Në këtë takim partitë politike kanë zgjedhur të mos shkojnë liderët e tyre politik.

    Lëvizja Vetëvendosje në këtë takim po përfaqësohet nga anëtarja e Kryesisë, Albulena Haxhi, e cila është edhe ministre në detyrë e Drejtësisë.

    PDK-ja në takim po përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Uran Ismaili. Edhe LDK-ja në takim po përfaqësohet nga nënkryetarja, Doarsa Kica-Xhelili. Kurse, prej AAK-së në takim po merr pjesë Sekretari i Përgjithshëm, Muharrem Nitaj.

    Në takim po marrin pjesë edhe kryetarët e partive politike të minoriteteve jo serbe. Pjesë e takimit është Duda Balje, Nenad Rashiqi, Fikrim Damka, Elbert Krasniqi dhe disa.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive për legjislaturën e nëntë.

    Përgatitjet për këtë seance, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, i takojnë kryetarit të legjislaturës së kaluar, Glauk Konjufcës. Ky i fundit, së paku pesë ditë para seancës duhet të thërrasë një takim me krerët e partive që kanë fituar ulëse në Kuvend, për të diskutuar rendin e ditës dhe ndarjen e vendeve në sallë.

    Pas caktimit të seancës konstitutive, partia fituese e zgjedhjeve ka filluar takimet konsultative me partitë tjera politike për të formuar qeverinë e re.

    Javën e kaluar, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, i ka takuar përfaqësuesit e partive të minoriteteve jo serbe.

    Pas këtyre takimeve është raportuar se Kurti është takuar edhe me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Por, deri me tani asnjëra palë nuk e ka konfirmuar këtë takim.

    Ndërsa, dje është bërë publike ftesa që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka bërë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Në fund të muajit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Sipas këtij rezultati, LVV-ja ka marrë 42.30% të votave dhe do t’i ketë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave (24 deputetë), ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27% (20 deputetë).

    Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën dhe të tjerët ka marrë 7.06% të votave (8 deputetë – 5 AAK, 3 Nisma).

  • Kallas nga Tirana: Kosova dhe Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugën evropiane, pa normalizim të raporteve

    Kallas nga Tirana: Kosova dhe Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugën evropiane, pa normalizim të raporteve

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, nga Tirana, ka dhënë mesazh për dialogun Kosovë-Serbi.

    Ajo ka thënë se nuk mund të ketë rrugë përpara evropiane, pa normalizim – për asnjërin prej shteteve.

    “Ajo që është e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë nuk mund të ketë ecuri pa normalizimin e plotë të marrëdhënies ndërmjet këtyre dy vendeve”.

    “Do të shkoj në Bosnje e Hercegovinë dhe do të takohem me të gjithë palët atje në mënyrë që të qetësohet situata atje”, tha Kallas.

    “Ky është një proces i vazhdueshëm, ne kemi Përfaqësuesin e ri Special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe do të ulemi me të edhe për të parë se çfarë funksionon dhe çfarë jo. Ajo që është e rëndësishme për ne është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse pa këtë asnjëra prej tyre nuk mund të vazhdojë në rrugën e tyre europiane”, tha ajo.

  • Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës

    Hajdari nënshkruan vendimin për rregullimin e çmimeve të naftës

    Me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe konkurrencës së ndershme në tregun vendor, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar vendimin për rregullimin e çmimeve dhe vendosjen e masave të tjera mbrojtëse, për produktet e naftës të përdorshme në transport.

    Në njoftim thuhet se ministrja në detyrë Hajdari theksoi se ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të produkteve të naftës, ku si rezultat është evidentuar se, ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi reflektohen menjëherë në rritje të çmimeve shitëse në tregun vendor, por jo edhe kur bien çmimet furnizuese nga importi i produkteve të naftës.

    “Këto të dhëna janë nga evidencat e përditshme të Doganës së Kosovës dhe raportet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut. Sipas këtij vendimi, përcaktohet: marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë në 2 eurocentë për litër dhe marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë në 12 eurocentë për litër”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, sipas MINT, ky vendim i detyron subjektet për t’u furnizuar me produkte dhe për të ofruar për shitje produktet e naftës, pa ndërprerje, si dhe të respektojnë çmimet me marzhën tregtare maksimale të lejuar dhe tjera masa mbrojtëse të përcaktuara.

    “Po ashtu, zbatimi i këtij vendimi parasheh mbikëqyrje të shtuar inspektuese, paraqitjen e rasteve të dyshimta te Autoriteti i Konkurrencës, si dhe bashkëpunim të ngushtë të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Ministrja Hajdari gjithashtu theksoi se ky vendim është një hap tutje drejt promovimit të konkurrencës së ndershme të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve, duke parandaluar sjelljet antikonkurruese, duke siguruar transparencë dhe kushte të barabarta në tregun e Republikës së Kosovës.

    Ndryshe, aktualisht në tregun e Kosovës një litër naftë shitet nga 1 euro 19 centë deri 1.25 centë. Shoqata e naftëtarëve ka paralajmëruar rënie të çmimit për derivate pas vendosjes së tarifave nga administrata Trump për gati 200 shtete.