ATV

Tag: Ballina

  • Antonio Costa viziton Ballkanin Perëndimor, vjen edhe në Kosovë

    Antonio Costa viziton Ballkanin Perëndimor, vjen edhe në Kosovë

    Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa pritet ta vizitojë edhe Kosovën në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, të paraparë për në maj.

    Lajmi është konfirmuar nga Këshilli i Evropës.

    Ndërkaq, nuk janë bërë të ditura temat që pritet të diskutohen pasi siç njofton KE, programi është ende në përgatitje.

    “Po, edhe presidenti Kosta do ta vizitojë Kosovën; detajet e programit janë ende në përgatitje, kështu që nuk mund të konfirmojmë ndonjë specifikë për momentin”, tha KE.

    Ndryshe, në takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, Presidenti i Këshillit Evropian tha se mënyra më e mirë për të garantuar mirëqenien, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është integrimi në Bashkimin Evropian.

    Për këtë arsye ai tha se do të zhvillojë në mes të majit një tur në Ballkanin Perëndimor.

  • ​Seanca konstituive e Kuvendit

    ​Seanca konstituive e Kuvendit

    Sot do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku deputetët e legjislaturës IX, do ta bëjnë betimin.

    Seanca nis në orën 10:00 dhe në rend dite është formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Megjithatë, përveç themelimit të komisionit verifikues dhe betimit të deputetëve, mbetet e pa kjartë nëse, sot do të arrihet të zgjidhët kryetari, emrin e të cilit duhet ta propozojë Lëvizja Vetëvendosje, si parti që ka dal e para në zgjedhje, e për të cilin, kjo parti duhet t’i ketë 61 vota. Ndërsa, nënkryetarët e Kuvendit, propozohen nga opozita dhe votohen.

    Seanca pritet të drejtohet një deputeti më i vjetër dhe deputeti më i ri në moshë, e që janë Avni Dehari e Sala Jashari, shkruan KosovaPress.

    Konform rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare. Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

    Kuvendi konsiderohet i konstituar kur krijohen trupat e Kuvendit, kryetari dhe kryesinë dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kryetari i takon partisë fituese, nënkryetari, pastaj nënkryetari partisë së dytë, nënkryetari partisë së tretë dhe kështu me radhë e dy minoritetet. Momentin kur krijohen trupat dhe kryesia, atëherë konsiderohet se parlamenti konsiderohet i konstituar.

    Pa ndodhur një gjë e tillë nuk mund të rrjedh afati 15 ditorë për formimin e qeverisë.

    Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt, ka pasur ndryshime në përbërjen e Kuvendit. Rreth 20 deputetë do të jenë për herë të parë pjesë e Kuvendit nga totali i 120 deputetëve.

    Ndër partitë politike, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka regjistruar mbi 10 deputetë të rinj, raporton KosovaPress.

    Nga VV deputetë për herë të parë do të jenë Edona Llalloshi, Drita Pajaziti, Agim Bahtiri, Ilir Kërçeli, Bilbil Sokoli, Ejup Maqedonci, Liza Gashi e të tjerë. Ndërsa, nga PDK-ja, Sala Jashari, Jakup Nura, Artan Behrami, Kosovare Murseli, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci etj.

    Nga LDK: Fadil Hadergjonaj, Jehona Lushaku Sadriu, Alban Zogaj, Krenar Xhaferi, Paris Guri, Arjeta Abazi, Serbeze Muçaj.

    Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, rrjedhimisht do t’i ketë 48 deputetë. PDK-ja është e dyta me 20.95 për qind, përkatësisht 24 deputetë, LDK-ja e treta me 18.27 për qind apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind, respektivisht 8 deputetë.

  • Osmani: Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

    Osmani: Kemi gati ligjin për heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, por duhet konstituimi i Kuvendit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Zyra e Presidencës ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10 për qind ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e këtij ligji duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri.

    “Ne e kemi gati ligjin që do t’ia propozojmë Kuvendit në momentin që konstituohet. Kam diskutuar me shumë deputetë, jam e bindur që do të kalojë”, tha Osmani në një intervistë për RTV 21.

    Më 3 prill, Osmani i kishte kërkuar Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, kishte vendosur tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

    Vendimi i Trumpit përfshinte tarifa ndaj shumicës së vendeve të botës me tarifë bazë prej 10 për qind, por më të lartë për vendet me të cilat SHBA-ja ka deficit tregtar.

    Por, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, e kishte kritikuar qasjen e presidentes Osmani duke thënë se “politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit” dhe se këto çështje duhet të trajtohen larg mediave.

    Kjo kishte nxitur reagim nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, i cili e kishte cilësuar përgjigjen e Muratit “të turpshme dhe skandaloze”.

    Osmani tha se kjo mosmarrëveshje mes institucioneve shtetërore të Kosovës e ka dëmtuar “interesin e Republikës së Kosovës jashtë mase”.

    “Ajo përgjigje ishte një dëm i madh për Kosovën, sepse Kosova e pat një momentum të jashtëzakonshëm që ta fuqizonte aleancën me Amerikën, në një moment kur për Amerikën ka qenë esenciale se kush është shteti i parë qe del me një propozim të tillë. Dhe unë kam qenë presidentja e shtetit të parë që kam dalë me atë propozim dhe ka qenë me rëndësi të dalim ne të parët”, tha Osmani.

    Tarifa prej 10 për qind ndaj importeve të SHBA-së – si tarifë që Kosova ua vendos të gjitha vendeve me të cilat nuk ka marrëveshje për treg të lirë – është ende në fuqi, edhe pse Murati kishte thënë se Qeveria ka qenë duke e shqyrtuar heqjen e kësaj tarife për SHBA-në që një kohë të gjatë.

    Ndërkohë, Osmani tha se ajo është duke punuar intensivisht me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Ka një sërë hapash që tashmë i kemi ndërmarrë, që janë në proces e që nuk mund për momentin t’i bëj publike për shkak se janë duke u shqyrtuar nga administrata e Trumpit”, shtoi Osmani.

    Ajo gjithashtu tha se shpreson që Kuvendi i ri i Kosovës të konstituohet sa më shpejt, pasi që tha se kjo është në interes të vendit.

    “Kosova ka shumë punë të cilat duhet të kryhen urgjentisht dhe Kuvendi është i domosdoshëm për një gjë të tillë. Prandaj mbes me shpresën që 15 prilli të jetë një ditë e suksesshme për gjithë Kosovën”, tha ajo.

    Nesër është caktuar seanca konstituive të Kuvendit, ku do të tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. PDK-ja, që doli si partia e dytë në zgjedhje, ka thënë se s’do të marrë pjesë në këtë seancë.

    LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, e ka të drejtën që të propozojë kryeparlamentarin. Seanca konstituive, e caktuar për të martën, konsiderohet e përmbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët, e deputetët e rinj të kenë bërë betimin. Për votimin e kryetarit kërkohen 61 vota.

    Vetëm pas kësaj, LVV-ja do të mund të vazhdojë me përpjekjet për të formuar Qeverinë e re, për të cilën po ashtu kërkohen 61 vota. Megjithatë, më herët gjatë së hënës, ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi për gazetarët se nuk është optimist që të martën do të votohet për Qeverinë e re të Kosovës.

    Osmani tha se Kosova ka nevojë për qeveri stabile, por se u takon partive politike e jo asaj të vendosë për këtë proces.

    Në intervistën për RTV 21, Osmani komentoi gjithashtu njohjen e fundit të pavarësisë së Kosovës nga Sudani, për të cilin Serbia kishte vënë dyshim mbi “kapacitetin e Qeverisë aktuale të Sudanit për të marrë vendime me rëndësi jetike për marrëdhëniet ndërkombëtare”.

    Osmani tha se gjatë qëndrimin të saj në Turqi, për Forumin e Diplomacisë në Antalia, janë arritur marrëveshje për njohje edhe me shtete të tjera.

    “Por, jemi dakorduar që procesi të formalizohet në vijim, [me shtete] të cilat nuk do të doja që t’i përmendi këtu për shkak se është me rëndësi që t’i mos i rrezikojmë ato procese”, tha Osmani.

    Ndër këto shtete me të cilat Kosova po punon për të marrë njohje zyrtare të pavarësisë, Osmani e përmendi Sirinë.

    “Ne si institucione nuk kemi kërkuar marrëdhënie diplomatike asnjëherë me atë regjim [të Bashar al-Assadit], mirëpo tani me institucionet e Sirisë së lirë, natyrisht që shpresojmë që ky proces të konsiluhet dhe të përfundohet sa më parë”, tha Osmani.

  • Kurti: Rrëfimi i Nishorit thirrje për mbështetje për burrat e dhunuar që ende përballen me paragjykime

    Kurti: Rrëfimi i Nishorit thirrje për mbështetje për burrat e dhunuar që ende përballen me paragjykime

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka theksuar se rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, Ramadan Nishori, është thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar.

    Kurti ka thënë se në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nderojnë çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe.

    “Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.

    “Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton”, ka shkruar Kurti pas homazheve që ka zhvilluar te memorialë “Heroinat” në kryeqytet.

    Sipas tij heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje.

    “Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe empati. Dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021, u shënua një hap drejt drejtësisë, me dënimin e parë të kriminelit të luftës Zoran Vukotiq për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Këto krime nuk parashkruhen e as nuk falen”, ka shkruar Kurti.

    Sipas tij kjo ditë është rikujtim se nuk do të lejojnë kurrë që dhembja, vuajtja dhe sakrifica e të mbijetuarave e të mbijetuarve të harrohet apo të shpërfillet. “Duke u ballafaquar me të kaluarën, duke kërkuar drejtësi dhe me solidaritet, ne mund të ndërtojmë një shoqëri paqësore e të ardhme të drejtë për të gjithë”, ka shkruar Kurti.

  • ​Gërvalla takon Kallas, i kërkon heqjen e sanksioneve për Kosovën

    ​Gërvalla takon Kallas, i kërkon heqjen e sanksioneve për Kosovën

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takim me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas në të cilin theksoi rolin kyç që ka Bashkimi Evropian jo vetëm për ruajtjen e stabilitetit, por për ofrimin e vizionit dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët e Evropës.

    Ministrja nënvizoi nevojën që Republika e Kosovës të trajtohet si partnere e barabartë dhe e respektuar në të gjitha proceset integruese evropiane, duke përfshirë përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

    Sipas një komunikate të MPJD-së, Gërvalla theksoi se mbështetja për Kosovën nuk mund të mbetet në nivel deklarativ, por duhet të përkthehet në hapa konkretë, përmbylljen e procesit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, avancimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave të padrejta që cenojnë frymën e partneritetit.

    Ministrja Gërvalla ritheksoi se e ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor nuk mund të jetë e plotë pa Kosovën. “Mbështetja për Republikën e Kosovës është një mbështetje për një Evropë më demokratike, më të barabartë dhe më të bashkuar.”

    Ajo po ashtu theksoi se prania dhe angazhimi i Kosovës në rajon është një burim i fuqishëm i stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë kontinentin. Në këtë drejtim, Gërvalla tha se tani është koha për vendime të guximshme dhe për një vizion të përbashkët evropian që përfshin edhe Kosovën si pjesë të natyrshme të tij.

  • ​Kur planifikohet të ndërtohet flota ajrore e FSK-së?

    ​Kur planifikohet të ndërtohet flota ajrore e FSK-së?

    Forca e Sigurisë së Kosovës ende nuk ka një bazë ajrore ushtarake. Ani pse toka e ish-aeroportit të Gjakovës, është pronë e FSK-së dhe në rast mund të përdoret si bazë, Kosova prapë se prapë nuk ka një aviacion ushtarak.

    Blerjet e armatimeve për ushtrinë e Kosovës, ku përfshihet edhe helikopteri, duket që po e pengojnë Rusinë.

    Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzia, i cili në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mbajtur javën e kaluar, përveç dezinformatave tjera rreth Kosovës, ka përmendur edhe planet e vendit tonë për të blerë helikopter.

    “Është bërë shpallja për tranzicionin në fazën përfundimtare të Ushtrisë së Kosovës duke marrë materiale edhe nga vendet e NATO-s, po flasim për drona, automjete të blinduara, sistem anti tank, artileri dhe armatime të tjera. Planet e tyre për të blerë edhe sistem të mbrojtës ajrore por edhe helikopter, po vihen baza për industrinë e mbrojtjes lokale”, tha ai.

    E derisa në Kosovë, ekspertët e sigurisë kanë mendime të ndryshme sa i për ketë periudhës së ndërtimit të bazave ajrore, në Ministrinë e Mbrojtjes, i kanë thënë KosovaPress-it,se po planifikojnë që deri në vitin 2028 të ndërtojnë kapacitetet ajrore të FSK-së.

    Sipas drejtorit të “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, edhe pse Kosova është nën ombrellën e NATO-s, kurdo që do të vije mundësia që ky mision të largohet nga Kosova, FSK duhet kompletuar mbrojtjen ushtarake ajrore.

    “Në qoftë se i referohemi asaj çka po ndodh aktualisht, me konfliktet moderne, kur sulmet ajrore dhe sulmet përmes dronëve janë kthyer në element kyç, sa i përket konflikteve të sotme, pa diskutim që është shumë e rëndësishme që Kosova të filloj ngritjen e kapaciteteve të bazave të veta ajrore e në këtë kuptim, krijimi i një baze ajrore do të ishte hapi i parë, i cili do t’i mundësonte Kosovës kompletimin e infrastrukturës së saj mbrojtëse. Pavarësisht që tashmë ne jemi në ombrellën e NATO-s, nëpërmjet misionit të KFOR-it, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të zhvillojmë kapacitetet tona mbrojtëse, duke i kompletuar ato edhe me mbrojtjen ushtarake ajrore. Kurdo që eventualisht do të krijohen rrethanat për largimin e këtij misioni nga Kosova, Kosova do të duhej të kishte të kompletuara kapacitetet e saj mbrojtëse”, ka thënë Fetoshi.

    Ndërsa, eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka shtuar se gjatë luftës së fundit në vend, brenda territorit të Kosovës, por edhe Serbisë, bombardimet kanë ardhur nga bazat ushtarake në avionët e Italisë e Turqisë.

    Sipas Islamit, Kosova për momentin duhet përqendruar kryesisht në pajisjet ushtarake në vetëmbrojtje dhe në një ardhme të afërt të kompletohet edhe baza ushtarake ajrore.

    “Kosova është e rrethuar nga vendet e Aleancës veri atlantike, në përjashtim Serbinë, sa i përket ndërhyrjeve të shpejta, me anë të aviacionit, pra aviacionet janë afër territorit të Kosovës dhe nuk mendoj që të ketë një bazë ushtarake të aviacionit sepse kemi parë që në luftën e fundit në Kosovë, bombardimet që janë bërë brenda territorit të Kosovës por edhe në Serbi, kanë ardhur nga bazat ushtarake në avionët të Italisë, Turqia dhe nga vendet tjera. Kosova duhet të përqendrohet kryesisht në pajisjet ushtarake në vet mbrojtje”, ka shtuar Islami.

    E nga Ministria e Mbrojtjes, në një përgjigje me shkrim kanë thënë se sapo të ndërtohet kapaciteti i flotës ajrore, ish- aeroporti i Gjakovës, mund të përdoret për qëllime të tilla.

    “Ish Aeroporti i Gjakovës është tashmë pronë e FSK-së, dhe sapo të ndërtohet kapacitetet e flotës ajrore, i njëjti mund të përdoret për qëllime të tilla. Sigurisht se është e nevojshme përderisa planifikojmë që deri në vitin 2028 të ndërtojmë dhe kapacitetet ajrore të FSK-së”, është thënë në një përgjigje me shkrim.

    E sa i përketë bazës ajrore në Golesh, e cila për ushtrinë e Serbisë, gjatë okupimit të vendit tonë, ka qen baza kryesore ajrore në Kosovë, Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të komentojë. Përndryshe, kjo bazë aktualisht është nën menaxhimin e KFOR-it./kp

  • Presidentja Osmani zhvilloi takime me ministra të jashtëm të disa shteteve në Antalya, diskutohet për thellimin e bashkëpunimit

    Presidentja Osmani zhvilloi takime me ministra të jashtëm të disa shteteve në Antalya, diskutohet për thellimin e bashkëpunimit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalya, përpos takimeve me homologë, zhvilloi takime të ndara edhe me ministrat e Jashtëm të: Sudanit, Ali Yousif Ahmed Al-Sharif, Kenias, Musalia Mudavadi, Jordanisë, Ayman Safadi, të Tanzanisë Mahmoud Thabit Kombo, të Çadit z. Abdoulaye Sabre Fadoul Cadi dhe të Nigerit Bakary Yaou Sangaré.

    “Të gjitha këto takime ishin të përqendruara në diskutimin e potencialit për thellim të bashkëpunimit në dobi të shteteve dhe qytetarëve tanë. Në veçanti, u diskutua hapja e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha strategjike, si dhe rëndësia e përdorimit të diplomacisë në shërbim të ndërtimit të raporteve të mirëfillta e alencave të reja. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj një politike të jashtme aktive në shërbim të qytetarëve tanë”, tha presidentja Osmani.

  • Rohde: Formimi i një qeverie të qëndrueshme, kyç për stabilitetin e Kosovës

    Rohde: Formimi i një qeverie të qëndrueshme, kyç për stabilitetin e Kosovës

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, theksoi rëndësinë e formimit të një qeverie të qëndrueshme për Kosovën, duke e krahasuar situatën me atë në Gjermani pas zgjedhjeve.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rohde tha se një shumicë e qëndrueshme dhe konsensusi janë kyçe për të siguruar stabilitet dhe zhvillim afatgjatë.

    “E dini, si në vendin tim, sapo patëm zgjedhje. Duhet kohë për të formuar një qeveri. Më e rëndësishmja është që të kemi një qeveri të qëndrueshme me një shumicë të mirë dhe konsensus për të formuar qeverinë e re. Dhe kështu po shoh drejt Gjermanisë. Shpresojmë të formojmë një qeveri deri javën e ardhshme. Dhe mendoj se është e vetëkuptueshme, e përmenda edhe në një intervistë javën e kaluar, që, e dini, veçanërisht në këto kohë të paqëndrueshme gjeopolitike, ajo që është në interes të vendeve dhe të popujve është të kenë qeveri të qëndrueshme”, tha Rohde.

    Rohde gjithashtu nënvizoi ndikimin e politikave ekonomike ndërkombëtare si ato të SHBA-së, në stabilitetin ekonomik global dhe tregjet financiare.

    “Sigurisht. Në afat të gjatë, nëse nuk ka stabilitet, do të ketë ndikim në zhvillimin ekonomik. Dua të them, ju e shihni tani: keni politikën doganore amerikane, e cila ndikon në çdo vend dhe vendet po reagojnë ndaj saj. Dhe kjo, natyrisht, ndikon në stabilitetin ekonomik. E shihni edhe në tregjet e aksioneve, të cilat po bien”, tha ai.

    Ambasadori përmendi gjithashtu nevojën për një “patriotizëm kushtetues”, duke e cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një nga shtyllat më të rëndësishme të një demokracie të shëndoshë, e cila siguron që rregullat e lojës të respektohen.

    “Nevojitet patriotizëm kushtetues, sepse tre shtyllat e një demokracie janë gjyqësori, pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, prandaj është shumë e rëndësishme të kemi një institucion si Gjykata Kushtetuese. Dhe demokracia kushtetuese mund të lulëzojë vetëm nëse respektohen rregullat e lojës. Dhe Gjykata Kushtetuese është aty për t’u siguruar që rregullat e lojës të respektohen. Pra, në këtë kuptim, çdo institucion duhet të bëjë pjesën e vet dhe vetëm atëherë kemi një demokraci të gjallë”, tha ambasadori Rohde.

  • Sudani njeh pavarësinë e Kosovës, Presidentja Osmani: Fillimi i një partneriteti të madh

    Sudani njeh pavarësinë e Kosovës, Presidentja Osmani: Fillimi i një partneriteti të madh

    Republika e Sudanit ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare të shtetit të Kosovës për zgjerimin e njohjeve.

    Lajmi është konfirmuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi zyrtar në rrjetin social X, ku ajo shprehu mirënjohjen në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike.Sudani ka njohur Republikën e Kosovës dhe dy vendet tona kanë rënë dakord të vendosin marrëdhënie diplomatike. Faleminderit nga populli i Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i një partneriteti të madh!”, ka deklaruar Osmani në X.

  • Kosova dhe Maqedonia e Veriut me pikëkalim të përbashkët kufitar në Bllacë

    Kosova dhe Maqedonia e Veriut me pikëkalim të përbashkët kufitar në Bllacë

    Qeveria në detyrë e Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë inauguruar të shtunën pikëkalimin e përbashkët kufitar, i njohur si “One Stop Shop”, në pikën e Bllacës, e cila lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën. Ky pikëkalim, që brenda një viti pritet të kalojë rreth katër milion banorë, raporton EO.

    Sipas zyrtarëve të të dyja vendeve, ky sistem do të thjeshtojë procedurat kufitare, duke lejuar që qytetarët e të dyja vendeve të kontrollohen nga një polic i vetëm doganor. Kjo do të reduktojë kohën e pritjes dhe do të lehtësojë kalimin e kufirit mes dy shteteve.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këto lehtësime kufitare janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë këto dy shtete dhe forcojnë fqinjësinë e tyre.

    “Krijimi i pikave të përbashkëta për kalimet kufitare në Hani i Elezit, Bllacë dhe Kllubocic-Jashicë, janë më shumë se infrastruktura kufitare; janë pika të reja bashkëpunimi dhe shërbimi që lidhin edhe më shumë dy shtetet tona dhe forcojnë edhe më tej fqinjësinë tonë të mirë. Tani e tutje, qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërkohë që të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. Ky model do të mundësojë sistemin e policisë kufitare vetëm në hyrje, duke optimizuar burimet dhe duke rritur kapacitetin për përballimin e fluksit në rritje të qytetarëve. Vetëm gjatë vitit 2024, mbi 5 milion qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo shifër dëshmon lidhjet mes njerëzve tanë, por edhe nevojën për lëvizje të lirë dhe të shpejtë të qytetarëve dhe mallrave. Na gëzon fakti që tani e tutje, policët tanë do të punojnë krah për krah në të njëjtat hapësira. Kështu, kemi forcuar partneritetin dhe bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë”, tha Kurti.

    Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, theksoi se ky projekt dëshmon se kufiri nuk duhet të jetë një mur, por mund dhe duhet të jetë një urë e përbashkët që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë.

    “Ky nuk është vetëm një modernizim i kalimit kufitar tonë, por hapja e një perspektive të re për qytetarët, ekonominë dhe rajonin. Për qytetarët, kjo do të thotë më shumë kohë për familjen, për punën dhe për jetën. Sot këtu, në mënyrën më të mirë, demonstrojmë se kufiri nuk duhet të jetë një kur, por mund dhe duhet të jetë një urë e përbashkët që lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë. Ky është një urë përmes së cilës flasim për besim, bashkëpunim, shkëmbim ekonomik, zhvillim të kulturës dhe turizmit”, tha Mickoski, raporton EO.